Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Adem Zaplluzha: Kur Likenet Vallëzojnë (I)

Shko poshtë

Adem Zaplluzha: Kur Likenet Vallëzojnë (I) Empty Adem Zaplluzha: Kur Likenet Vallëzojnë (I)

Mesazh nga Agim Gashi Fri Oct 29, 2010 5:05 pm

Adem Zaplluzha: Kur Likenet Vallëzojnë (I) U1ademzaplluzha1
Adem Zaplluzha: Kur Likenet Vallëzojnë (I)
Adem Zaplluzha u lind në Prizren, më 1943.
Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa Akademinë Pedagogjike në Prishtinë. Një kohë punoi mësues nëpër fshatrat Studençan të Therandës dhe Hoça e Qytetit, afër Prizrenit. Ndërkohë punësohet si përkthyes në Korporatën Energjetike të Kosovës. Me shkrime filloi të merret kryesisht me poezi që nga mosha e fëmijërisë. Rrugën letrare e nisi me vjershën e parë për fëmijë të cilën e botit në revistën ”Pionieri” më 1957. Si i punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës bashkë me shokët e punës dhe të pendës themeloi grupin letrar “Lulëkuqet e Kosovës”. Në kuadër të punës së këtij grupi qe botuar përmbledhja “Ngjyra e Kohës” në të cilën e përfshi një numër i konsideruar i poezive të tij. Krahas krijimeve të publikuara në revistat për fëmijë,botoi edhe një sërë krijimesh letrare nëpër gazeta dhe revista që dilnin në Prishtinë Shkup dhe Zagreb. Në vitin 2o1o i përkthehet një libër në gjuhën Rumune nga përkthyesi i mirënjohur Baki Ymeri, “Pema e Bekuar” libër i cili pat jehonë në Rumuni. Po këtë vit në botim të revistës Shqiptari në Rumuni, në bashkëpunim me redaksinë revistës “Dituria”
Në Boras të Suedisë, botohet një antologji “Jehona e Shekujve “ autor Sokol Demaku ku paraqitet me disa punime.
Është anëtarë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton në Prishtinë .
BIBLIOGRAFI LETRARE
1. “Puthje”-poezi “Rilindja”, Prishtinë,1974.
2. “Ecjet e Viteve të Mëdha”, poezi,”Jeta e Re”,Prishtinë 1995.
3. “Çamarokët e Theporres”, poezi për fëmijë ,”Shkëndia”,Prishtinë 1996.
4. ”Muret”,poezi, “Jeta e Re”, Prishtinë,1997.
5. “Morfologjia e Dhembjes”,poezi, “Faik Konica”,Prishtinë 2ooo
6. “Ai vjen Nesër”, poezi,Qendra e Kulturës, Këlubi letrar “Fahri Fazliu”,Kastriot,2oo7
7. “Letër nga Mëgimi”,poezi, Klubi letrar “Fahri Fazliu”Kastriot ,2oo7
8. “Letër Nga Mërgimi 2 “ poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi Letrar ,Fahri Fazliz, Kastriot 2oo7
9. ”Udhëndarja”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi Letrar , “Fahri Fazliu” Kastriot ,2oo8
10. ”Thirrje e Gjakut”, poezi,”Qendra e Kulturës”, Klubi letrar, “Fahri Fazliu”Kastriot 2oo8
11. ”Asgjë Sikur Molla”, poezi,”Qendra e Kulturës”, Klubi letrar “Fahri fazliu” Kastriot,2oo9.
12. “Vesa në Lotin Tim”,poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi Letrar “Fahri Fazliu”,2oo9,
13. ”Puthja e Gozhduar”,poezi,”Qendra eKulturës”,Këubi letrar, “Fahri Fazliu”Kastriot ,2oo9.
14. ”Kashelasha në Vargje”,poezi për fëmijë,”Qendra e Kulturës,Kastriot, 2oo9.
15. “Pema e Bekuar”, E përkthyer, Rumani,2o1o.
16. ”Bajraktarët e Vatanit”,poezi satirike,Klubi letrar,”Fahri Fazliu”Kastriot 2o1o.
17. ”Hijet e ndryshkura”,poezi,”Qendra e kulturës”, Kastriot,2o1o.
18. ”Stuhi në Kutulishte”,poezi,”Qendra e kulturës”,Kastriot.2o1o.
19. “Posa ikte Nata”,poezi, “Qendra e Kulturës “,Kastriot,2o1o.
20. ”Loja e Myshqeve”,poezi,”Qendra e Kuturës”,Kastriot,2o1o.
21. ”Lumëbardhi dhe gjëma”,poezi,”Qedra e Kulturës”, Kastriot,2o1o
22. Metafora e Heshtejes”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Kastriot,2o1o
23. ”Hyji në Prekaz”, poezi,”Qendra e Kulturës”,Kastriot,2o1o.
24. ”Sinoret e Hinores”,poezi, Lidhja e Shkrimtarëve- Kastriot 2o1o
25. ”Don Kishoti dhe Rosinanti”,poezi,Lidhja e Shkrimtarëve,Kastriot,2o1o
26. ”Zjarri i Dashurisë”,poezi,Lidhja e Shkrimtarëve-Kastriot,2o1o
27. ”Kur Likenet Vallëzojnë”,poezi,Lidhja e shkrimtarëve-Kastriot,2o1o
Adem Zaplluzha
KUR LIKENET VALLËZOJNË
Poezi
Redaktor: Bedri Neziri
Recensent: Mazllum Baraliu
Lektor: Veli Veliu
Dizajni i ballinës: Mentor Lutolli
SHOQATA E SHKRIMTARËVE “FAHRI FAZLIU” KASTRIOT
17.O4.2O1O, PRISHTINË
Trajtat e shiut
ME PAGURIN ANTIKË
Na i shkelën stërnishtat
Para se ti mbledhim demetet
Lumi humbi udhakimin
Mu në cep të mëhallës
S’ka lidhje nëse bie shi
Edhe ashtu miti i dragoit
I shkeli baladat
Kur Nuset e sollën pajën
As kuja s’belbëzoi
Për të satën ditë me radhë
Evgjitët e rrjepën lagjen
E qyqja asnjëherë më s’pushoi
Nuk durohet kjo gjendje
Të sëmurët s’kanë çarçafë
Në xhamat e palara
Pështyjnë zogjtë e sëmurë
Pastaj lëpihen djajtë
Përreth muranave
Nëpër lagjet antike
Prishen kalldrëmet shqiptare
Nuk m’i përfillën kërkesat
Sa kohë që zgjati greva e urisë
Pëllumbat më sillnin ujë
Kur e arnoja shpirtin
Dikur vonë në etjen time
Trokëllinë engjëjt
Nata kishte ikur përtej malit
Me pagurin antik
NË KODIN E LABËRISË
Ti je në gjendje
Ta kafshosh frymën e detin
Mos harro miku im se si fëmijë
Nuk i ke thyer dhëmbët
I kapërceve urat
Duke lënë pas mallkimin
Muratorët e ndërtuan
Muranën e rrëzuar
Kush nuk kaloi andej
Nëpër trajtat e ekstazës
Mëllaga e kuqe
Shtrydhte buzëqeshjen e pranverës
Myku kishte zënë udhën
Delet mbetën në lymërishte
Nëpër kullota të kositura
Nuk u përsëritën dyndjet
Atë ditë ma sollën kafen
Me filxhanin e Ali Pashait
Tepelena disi gjëmonte
Si malet e Këlcyrës
Miku im nga Labëria
Qeshi me atë zemër të madhe
Ullinjtë i pjeku acari
Para se të shtrydhnin lotin
Në kodin e Labërisë
gjallon atdheu ku
Mbi të gjitha dashuritë
Frymon pavdekshmëria
KOKA E PASHAIT
Nuk i tregova mikut
Udhën më të shkurtë
Jeta na mëson të dashurojmë
Edhe gjarprin nën gurë
Pa dashje më zuri nata
Në këtë gërnjollë
Honi i kujtesës
Rrotullohej për së mbrapshti
Asnjë lajm sonte
Në kallamin e misërnikes
Dyndja e milingonave
Befasoi qytetarët
Lumenjtë ndërruan rrjedhën
U tha bari nëpër luadhe
Lajmi për kokën e pashait
përplaset në sininë e pakallajisur
troku i çmendur
udhakon nëpër xhade
kalorësit mbetën pa fjalë
në atë ecje të misterioze
NË QERPIKËT E RRUFEVE
Posa erdhën dasmorët
Kali i kuq iku në harresë
Lajmi për tharjen e lumit
Nuk ishte risi për ne
Besuam se humbi uji
Mes shelgjishteve
Zogjtë nuk erdhën
Në festën e kërshëndellave
I konvertuam lagjet
Pas murosjes së urës
Myku lëshoi rrënjë
Në gjinjtë e nuses
Kërcëlluan dhëmbët
Si portat e kalasë
Lart në kodra
I gjetën burimet e humbur
Nga mynxyra e baladës
Vdiqën mëkatarët
Eremiti nuk erdhi mbrëmë
Në dasmën e luleve
Akullin e palosëm
Në telat e qemanes
Tingujt e humbën rrugën
Në qerpikët e rrufeve
KY SHI
Ky shi
Sa i bezdisshëm
Bie mbi çati
E dashura ime
Ky shi mbi çati
Tremb çdo njeri
Lulen e kujt
Përtypën laraskat
E dashura ime
Lulen e cilës nënë
E mallkoi burimi
Dhe pse ikën zogjtë
Nga kjo baladë
Që bluan kujtesën
Ky shi
Si trishtimi
Sonte po pikëlon
Në etjen e natës
Kur hutini
Përplaset me ironi
Dhe vajton agimin
Në trajtën e tij lakuriq
2.
Mos mi ngacmoni
Trajtat e shikimeve
Mu kanë lodhur sytë
Nga këto pamje të gërryera
Përplasjet s’ndalen në këngë
Pasi që pushojnë vajtimet
Mos
Mos mi prekni plagët
Nga kafshimet e gjarpinjve
Qeni im
Fare mirë e njeh
Barin shërues
Ky shi
Mbi çati
I numëron kalimtarët
E dashura ime
I numëron
Parmakët e dritareve
Kur thyhen kangjellat
E kovave të urinimit
Deri sa i burgosuri pshurrë
Në ëndrrën e gardianit
18.04.2010, Prishtinë
KUR TËRBOHET ERA
Pak si rrallë po kalon
Kah mëhalla e evgjitëve
Nuset kanë humbur kujtesën
Që në lindjen e parë
Kënduam baladën e bareshave
Kur vajtoi gurra
Mali nuk e luajti qerpikun
As sa për një fije bari
Përtej urës kaluan delet
Natën e ndiqte etja
Atë ditë nuk ra shi
Kur i grishëm dasmorët
Fëmijët erdhën pas nesh
Deri në fund të sokakut
I mbollëm dëllinjat në lëndina
Për ta ndalur tërbimin erës
MË TËRË BUKURINË
I trembën gjethnajat
Në zverkun e malit
Nata ka kollitur
Deri vonë në mëngjes
Asnjë bar shërues nuk gjetëm
Në djersën e ujit
vaji kishte marrë dheun
Na mbytën ethet e zeza
Kot menduam ndërrimin e stinëve
Në degët e aguliçes
Ardhacakët e çmendur
E mbytën pranverën
Kur diellin e shoqëruan hajdutët
Dita mbeti pa pikë uji
Me sterrën e natës
Evgjitët e vranë hënën
Blegërima e deleve
Si në ëndërr i shkeli kullotat
Pranvera na priti në qoshe
Me tërë bukurinë e saj
EREMITI
Sa pak ditë paska muaji
Në sipërfaqen e gjethes
Bleta sot nuk erdhi
Me josh lulen e vetmuar
Pritëm edhe dy ditë
Për t’i mikluar kujtimet
Hasmëria u rrit mes nesh
Si dallga e tërbuar
Sot nuk dëgjohet zhuzhitja
Në rrënjën e mollës
Ikën dhelprat nga ky mal
Mos t’i zë mallkimi
E mbollëm luleshpatën
Në kujtim të shpresës
Murgu na i përzuri ditët
Përtej erës së temjanit
Sot eremiti ishte dehur
Me djersën e luleshtrydhes
Të gjithë kishin qeshur
Me vonesën e trenave
I THYEN URAT E HARRIMIT
Në tejdukshmërinë e kristaltë
Dehet nata e lodhur
Lulet humbin aromën
Si miza virgjërinë
Vijnë ushtarët e palarë
Me pisllëqet e luftës
Dita mbetet si peng
Në kujtesën e vrarë
Kur e thyen gotën
Në tingujt e qemanes
Asnjë zë nuk lëshoi trishtimi
Për ta frikësuar agimin
Dasma ishte në kulmin e saj
Nusja iku pa pajën e sjellë
Dhëndri esëll priti mëngjesin
Duke i Kafshuar thonjtë
Muret u damkosën
Nga fjalët e të dehurve
U thyen urat e harrimit
Në kazanët ku piqej mishi
QË NA NDJEKIN
Çfarë trajte ka kjo natë
Që i shtrembëron buzët
Uji nuk pihet me kashtë
Kur të zë etja në grykë
Miku im
Kurrë nuk flet për dashuri
Po aq mall ka në shpirt
Sa që i djeg gurtë
Ky heshtak i urtë
E do ngjyrën e remtë
Dhe sa herë t’i teket
Bisedon me zambakun
Në dashurin e tij
Fle syri i heshtjes
Dhe më vonë zgjohet malli
Për ta përpirë Titanikun
Erërave nuk ua lëshon rrugën
Dhe kacafytet në çdo stinë
Për t’i kafshuar vitet
Që na ndjekin si rriqrat
LULJA
Si mund të kuptohet
Dashuria ndryshe
Kur ajo fle
Në kujtesën tonë
Në thonjtë e tua
Mund t’i mbjellësh
Të gjitha lulet
Nusja ime
Të gjitha
Ti vetëm shkule barin
Dhe mbille
Nëse do edhe në hon
Ajo ka me zënë
Në kulloshtrën e syrit tënd
Kur urrejtjes
Ia dhuron hijeshinë
Për çdo ditë
Merr nga vetja
Nga një rremb dashurie
Dhe ta dhuron ty
Miku im
Lulja
Buron nga lulja
Dhe sërish bëhet lule
Në këmbët e bletës
ULET NË BREG
Ik nga korija
Si atkinat e egra
Shko e qëndro
Në maje të malit
Ashtu thjesht
I thuaj vetes
Se të pëlqen
Tregim i djalit
Mua nuk më zë gjumi
As kur lumi fle
Në dashurinë e saj
Buron bardhësia
Dhe derdhet
Në lotin e heshtjes
2.
Majëmalesh
Fluturon bleta
Me ujë këndellet
Gjumi i fjetur
Pema lulëzon
Në mijëra trajta
Përhapet tek ne
Aspak pa u tretur
3.
Edhe lumi
Nuk rri buzëvarur
Shkrihet së qeshuri
Atje poshtë nën urë
Kur i sheh lisat
Duke u kallur
Ulet në breg
Ndërton një mur
Hapërdahem nëpër kujtesë
Bredhi andej
E kthehem këtej
Si nusja e lalës
Nëpër luadhe
Largohem udhës
Me vrap
E dalë përballë atje përtej
ZISHËM LOTON
Sokëllin malet
Honi në heshtje belbëzon
Në fund të sinorëve
Zjarri kallet
Lastarët këputen
Në lagjen tonë
Kaluam tatëpjetën
Pa na zërë gjumi
Kojrrilat flatrat
I tundi në eter
Poshtë këmbëve të urës
Bënë naze lumi
Dikush me dhunë
Trokëllinë në derë
I hapëm porta
Si patëm zakon
Askush nuk na pyeti
Për dhembjen e gurit
Kur lagja në kënd
Zishëm loton
Dhe me kokë të sëmurë
Me afsh i bie murit
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Adem Zaplluzha: Kur Likenet Vallëzojnë (I) Empty Adem Zaplluzha: Kur Likenet Vallëzojnë (II)

Mesazh nga Agim Gashi Fri Oct 29, 2010 5:18 pm

Adem Zaplluzha: Kur Likenet Vallëzojnë (I) U1ademzaplluzha1
E VARIM NË MUR
Më duket se sonte
Baladat janë mykur
Ethet e korijes
Kanë zjarrmi të madhe
Kalorësit rrëfehen
Mbi kuaj duke ikur
Kojrrilat na mbesin
Të ngarkuara me halle
Gozhdakët tunden
Si varkat e mbytura
Kur deti çmendet në horizont
Dalin e na presin
Me të lutura
Zgjebanik e hajdut
Me disa kontë
Kur dikur vonë
Shkojmë në mejhane
Dehemi me natën
Që nuk harrohet kurrë
E mbushim krikllën
Me lotët e një nëne
Shpirtin tonë
Duke varur në mur
NË FILLIM TË ERËS
Melodia e blertë
Në gjumin e natës
Errësira shtrihet në hapësirë
Dalim e mbushim ujë
Me fundin e kënatës
Që e thyen disa të huaj
Kumti i zi
E përqafoj dheun
Në trokun e kalit
Freni i mëkatarëve
Ai i ziu
Përqeshi edhe atdheun
Disi pa dashje
Iu bashkua tradhtarëve
Erdhën e zhuzhitën
Me një zë që përvëlonte
I thyen kallamet
Në fillim të arës
Aty vetëm qyqja këndonte
Për ta zbrazur
Dhembjen e barrës
KËLTHITE SI KËRTHI
Në kodin tënd jetonte pranvera
Vitet i shkunde sikurse arrat
Herë dilje në mëhallë
E herë mbyllej dera
Të vlonte trupi
Kur korrje tallë
I mbolle fushat
Me dashurinë e të parëve
Këlthite si kërthi
Pahiri në djep
Dhe kurrë nuk u ndale
Ti pranë barbarëve
Armiqtë e tu duke i rrjep
U bëre kalorës
Pa e parë shalën
Mallkimi pat mbetur
Të dënesi pa brengë
Por ty miku im
Nuk mund të ndalën
Ti s’kishe lindur
Të mbetesh peng
U ndeshe nëpër fusha
Dole tejetej
Përherë fitimtar
Në log të mejdanit
Gjaku të vlonte
Krenarisht në dej
Kur i kaloje
Shtigjet e honit

ZILIA

Në mistikën e akullt

U takova me ëndrrat e myshqeve

Algat atë ditë xhelozuan

Ekzistimin e lotit në sy



Posa zbrita

Në rrënjën e lumit

Sirenat këndonin atë çast

Një baladë të vjetër



Kalaja mbeti pa kujtesë

Kur na erdhën hajdutë

Hajdutçe me na i vjedh

Të korrurat e vjeshtës



Ti ike moj diku larg

Dhe kurrë nuk u ktheve

Me i mbledh ato pak ditë

Që i patëm arnuar së bashku



Të kujtohet kur vraponim

Nëpër mëhallën e Saraçëve

Zogjtë na kishin zili

Për fluturimin tonë





NE NUK BESUAM



Me afsh i patëm kënduar

Ato balada të shqepura

Zilia na rrinte mbi kokë

Si oreol dashurie



Të kujtohet nëna plakë

Kur na këshillonte:

Mos e kafshoni pogaçen

Se ju mbetet në grykë



Ne nuk besuam

Dhe ende s’besojmë

Se ajo kishte të drejtë

Por u vërtetuar e kundërta



Fëmijët sot na presin

Me brekë të shqyera

Dyert hapen e mbyllen

Si kujtesa e grisur





AQ SHUMË PATËM NEVOJË



Në ag u dëgjuan kërcëllimat

Blertësia e pranverës ende gufon

Dera e hapur nuk trokëllinë

Bilbili prajshëm në degë vajton



Stinët e motit kaherë ndryshuan

Trishtimi zgjohet herët në pranverë

Tundjet e varkës na përkujtuan

Për liri të trokëllimë në çdo derë



U matën malet me forcën e zanave

Atje në pishnajë jehuan gjëmat

Vajet nuk gufuan në gjokset e nënave

I grishëm dasmorët lartë te tëbanat



Në këmbë është ngritur tërë shqiptaria

O sot o kurrë Kosova na thërret

Na erdhi një burrë nga Labëria

Ai na ishte Shpëtim Golemi vetë



Dragoi i maleve fluturoi mbi Kosovë

Nëpër kaltërsi me flatra na del

Aq shumë patëm nevojë që kësaj here

Që ta udhëheq luftën një kolonel





NË LOTIN E LUMËBARDHIT



Të lutem mikja ime

Mos i mbyllë portat

Nesër

Unë do të vij

Nëpër shtegun e dashurisë

Do t’i kapërcej malet

Si fantazmë

Për të arritur

Në portat e tua të kristalta



Mëngjesin

Do ta kemi mik

Udhërrëfyesin më të mirë

Deri te ëndrra e jote



2.



T’i hapmi portat e luleve
Në zhgjëndrrën e Lumëbardhit


Pastaj

Numërojmë katetet

E buzëve të paputhura

Të agimit

E kalërojmë ylberin

Në kërthizën tënde



Do t’i thërrasim shirat

T’i ngopin

Etjet e tua në strall

Pastaj

Mund t’i ndezim zjarret

Për natën e kërshëndellave



Me lotin e pranverës

I ujisim kujtimet tona

Ti vetëm dil te porta

Priti të grishurit e tu

Në qerpikët e hënës

Dhe përgëzoje blerimin

Kur delet vijnë në kullosë

3.



Unë do t’i sjell

Të gjitha këngët e mia

Pa mbërri gjelbërimi

Në fund të rrugës



Ti moj mike

Mos nguro

T’i kapërcesh lumenjtë

Sepse agimi

Ka nevojë për shuarjen e etjes



Do ta pyesim ylberin

Për guximin tënd

Kur atë ditë të ndala

Pranë portave të shpresës



Dielli i kishte hipur ylberit

Dhe i kalëronte kujtimet

Nata jote e djersitur

Hamendej

Të vij

Apo jo në takimin

E lumit

Për t’i mëritur myshqet

Që flenë mes guralecëve





4.



Ti pahiri

Hyre në poemë

As vetë nuk di

Se si ma rrëmbeve ëndrrën

Moj e mira e dheut



Vetëm qeshja jote

M’i përcjelli tingujt e kristaltë

Të natës

Unë mbeta i ngrirë

Në kujtesë

Ti qeshe

Si gurgullima e lumit



Në forcën tënde

Tundej Odini

I thirra zotat

Në takimin tonë

Prilli namatisi ditën

Kurse nata mbeti natë

E cila e grithi

Burimin e kujtesës



5.



Sot nuk takova asnjë mik

Moj mikja e ime

Asnjë

Të gjithë kishin shkuar

Pas luleshqerrave



Me mua mbeti vetëm pikëllimi

Me trishtimin e gjumit



Ti i mbylle portat

Akoma pa mbërri pranvera



Kujt ia besove lotët

Ndalu moj mike

Ndalu

Në cepin e vetëdijes

Dhe bisedo me blerimin



Nëse venitet kujtesa

Ku do të gjesh lot

Për ringjalljen e barit

Moj mike

Ku



6.



Sot i sita

Të gjitha trajtat e dashurisë

Duke i shëruar dhëmbët

E qemerëve të urës



Çfarë përbuzje

Përjetoi porta

Kur ti i mbylle dritaret

Pa ardhur agimi



Tri herë të pyeta

Pse ike me natën

Katër herë mbeta pa përgjigje



Errësira ulet në kërcu

Dhe fillon me tjerrë

Pelerinën e zezë



E ti moj mike

Si uji

Më ike nga loti



Portat mbetën të hapura

Nuk ka më kush

Të trokëllij

Në lotin e Lumëbardhit


7.




Shtatë herë të thashë

Se kjo poemë është për ty

Kur ti ledhatova flokët

Ti ike atë ditë me erën
dhe kurrë më nuk u ktheve


Në djepin e kujtesës



I patëm ngri ëndrrat

Për një kohë të ardhshëm

Bari atë ditë

Të ledhatoi në kërthizë



Ti nuk i durove

Duart e mia

As pranverën

Që kaloi tërthorazi

Nëpër ledhatimin e përroit



Lumi atë çast

T’i krehu flokët në breg

Kur fërshëllente era në blinajë

Dhe i mbolle kujtimet e tua

Në gjoksin tim thinjosh



8.



Në portën e vetmisë

Këndonin kojrrilat

Sivjet pranvera nuk do të vij

Me qeshjen tënde moj mike

Nuk do të vijnë

As pëllumbat e argjilë



Poçari s’i ka pjekur

Shtambat në furrë



Ende rreziten në diell kujtimet

E dheut të bardhë

Kurse unë

Kështu i kërrusur

I kafshoj stuhitë e jetës

Me dhëmbët e mi artificial



Qeshin dhe më përqeshin

Filizat e erës

Kërcu dje

Besa më kërcu sot

Por ky djall shpirti

Që fle në mua

E paska

Pangopësinë e dheut





KUKULLAT E DRUNJTA



për pak më ike

Moj mike

Kurrë më nuk të pashë

Në vetullat e ylberit



Shkove me kalorësit

Nëpër syrin e barit

I kapërceve

Të gjitha tundimet



Ike

Pa lënë asnjë shteg

Në thundrat e ditës

Dhe ne mbetëm duke pritur

Kthimin e lumit



Nuk di

Si quhet kjo lojë

Kur brengosen qerpikët

E urrejtjes blu



Kukullat e drunjta

Këto marioneta ndjenjash

Na i përtypin thonjtë

Ende pa i prerë



Në gjurmët tona

Fle mëngjesi

Këndesat i ëndërrojnë

Kreshtat e gjakimit
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Adem Zaplluzha: Kur Likenet Vallëzojnë (I) Empty Adem Zaplluzha: Kur Likenet Vallëzojnë (III)

Mesazh nga Agim Gashi Fri Oct 29, 2010 5:22 pm




Adem Zaplluzha: Kur Likenet Vallëzojnë (I) U1_AdemZaplluzha

Adem Zaplluzha


NATA



Ike moj ikonë

Ike

Me hijen e Shën Mërisë

Për t’i shlyer mëkatet

E ditëve blu



I shkele trotuaret

Me këmbët e zbathura

Kërthizën ta pështynë djajtë

Kur më së paku i pritje

Krahnezat e ylberit



Ti ike

E unë të ndjekja

Për ta shpëtuar shpirtin



Nga balta nxorëm

Të gjitha kujtimet

Dhe i varëm në ferra

Kur nata e thau trëndafilin





DERI TE ËNDRRA E JOTE



Disi e turpshme ikje udhës

Kur të ndiqte hija

Frika palosej

Në polenin e lules



Nuk më bezdisën fjalët

Kur flitnin për ty

Unë të kam njohur

Që në fëmijëri



Djalli të marrtë

Moj mike

Pse kështu më ike

Luadheve të kujtesës



Të prita

Disa qindra vite

Te rrapi i fshatit

Por ti nuk ia behe



I takova stërnipërit e tu

Të moshuar duke të bartur

Deri te ëndrra e jote





HARPA E MJELLMAVE



Të dërguam

Në banesën e fundit

E diela atë ditë mungonte

Në flokët e tua



Ne të gjithë pritëm

Përshëndetjen e akullt

Dielli disi ngrohte

Me xhelozi



Murgu plak

Belbëzoi latinisht

Ku djallin ta di se çka tha

Për mortin tënd



Njëqind duar të pangopur

U futën në dhe

Harpa e mjellmave

buzëqeshi për herë të fundit







KUR HAKMIRRET NATA



I përkundëm ninullat

Në jonxhën e fshatit

Djepat na u thyen

Nga kërcëllimet e dhëmbëve



Pasha një zot

Dielli sot nuk po ngroh sa duhet

Mallin e përjetësisë e kërkojmë

Buzë lumit

Ku na e përdhos të kaluarën



Nuk dinim

Se cila ishte udha më e mirë

Për të trokitur

Në ëndrrën tënde



Na i shkele të gjitha kullosat

E kujtesës se vrarë

Delet nuk guxuan

Të dalin në stane

Ujqërit pritnin te porta



Në brishtësinë e lyshtrës

Përkundëm vetëdijen

Nata na u hakmarrë

Për vrasjen e dashurisë





ATË DITË



Më duket se kot të prita

Në lagjen e evgjitëve

Ti i kishe harruar këpucët

Në një shtëpi tjetër



Atë ditë i mallkova hijet

Që më shoqëruan te plepat

Ty të kishte kafshuar bari

Pa e marrë kosën në dorë



Kur ta tregova unazën

Hyre në heshtjen e gishtit

Atë ditë u lëshuan perdet

Në të gjitha teatrot e botës





TROKITJE E MARRËZISHME



Ku i lë letrat e dashurisë

Në asnjë gazetë

Nuk i takova ato kujtime

Të hidhura



Mbeta në fund udhës

Rrugët s’kishin të ndalur

Në udhëtimin e imagjinar

Deri sa loja vazhdonte



Ty nuk të bezdisën rrufet

Kur kalonin përtej ylberit

Tregimet i kisha aq të bukura

Sa që besova në gënjeshtrën tënde



Gjatë tërë jetës ika

Nëpër honin e dashurisë

Tregimin për Anilën

Do të ju tregojë në shtrat



Ti sërish je vonuar sonte

Ajo erdhe para teje

Dhe pa u hamendur

Marrëzisht trokiti në zemrën time




SI NJË HIJE

Sa më përvëloi ai zjarr


Kur e preka me gisht

Të gjithë më përshëndetën

Kur e hoqa kapelën



Në unazë fle nata

Dita vrapon me kalorësit

Deri sa flokët tua përdridhen

Në duart e floktarit



Të isha losion nate

Të të përdheli në gjumë

Të gjitha harpat e botës

Do ja dhuroja agimit



Nëse tringëllon heshtja

Ti mos bëzaj në krevat

Unë do të vij te ty moj mike

Si hija në natë



19.O4.2O1O Prishtinë




MBRËMË KALUAM YLBERIN



Sa më zhuriste shikimi yt

Në qemerët urës

Këmisha thahej në erë

Pas djersitjes së natës



Ti nuk i ndale trokëllimat

Portat u thyen rrëmbimthi

Shikimet i huazuam

Prej shtrydhjes së ullinjve



Na i prenë degët

Kur i puthën lastarët

Lëndina mbeti pa tufën

Kur ikën bletët



Nuk më lodhin tregimet

E plakave për dashurinë

Në syrin tënd përjetova

Lulëzimin e gjetheve



Mjaftë më me ato naze

Asnjë lot nuk preket me hidhërim

Mbrëmë kaluam ylberin

Me kalorësit e dashuruar





LE TË FUTEMI NË FERR



Kur të çmallem

Me sytë e tuaj blu

Do t’i përshëndes rrugët

Në afshin e të dashuruarve



Mos i harro shikimet

Që i lamë peng te lisat

Malli do të na përvëlojë

Si zjarri i ferrit



Nuk gabuam kur kafshuam

Mollën e Adamit

Të gjithë jemi mëkatarë

Në përtypjen e epsheve



Do të ecim dorë për dore

Deri te portat e Parajsës

Nëse është mëkat dashuria

Le të futemi në Ferr

EDHE UJI NË GOTË

Po të ishte gjynah dashuria


Murgu kurrë

Nuk do t’i kishte puthur ikonat



Zjarri nuk ndizet pa fërkim

Edhe ranishtës i del flaka

Kur ledhatohet nga rrezet



Nëse druri përtyp mizën

Atë e bënë nga dashuria

Për t’iu rritur rrënjët



Edhe uji në gotë

Dashuron etjen e buzëve

Kur dielli fle me jonxhën





KUSH E DI SE KUSH



Nuk desha të besoj

Në shpirtin inkandeshentë

Lisat i prenë mbrëmë

Mu atë çast

Kur e vodhën hënën

E në sytë e saj ndriçuese

Lozën hijet

Për herë të fundit

Vallen e mortit



Lozte edhe tundimi im

Me errësirën

Kurse ti ike

Dhe na lë

Vetminë e huazuar



Me mua qeshën ikonat

Engjëjve ishte ndaluar hyrja

Në tregimin tim

Eca

Ashtu i vetmuar

Pa vetëdije i kontrollova

Shtambat e poçarit

Që kush e di se kush

I kishte thyer në agim



Më duket se

Kaluam përtej Ferrit

Sa e gjatë ishte rruga

Deri te djersa jote



2O.O4.2O1O Prishtinë





NË LOTIN E KRISTALTË



Kur u bitisë jonxha

Kullosat u shndërruan

Në arna grindjesh

Lajmi për ardhjen tënde

I gëzoi barinjtë



Ti nuk di

Për ne të pritëm

Siç e pritnin dikur Mesinë



Mes nesh erdhën poçarët

Dhe gatuan dheun

Sa ethshëm atë ditë qeshte dielli

Në këngët e vajtimtareve

Sa që hyji xhelozoi

Në bukurin tënde moj mike



Ti puthëm duart

Me djersën tonë përzihej

Aroma e trupit tënd



Luleve ua kishe marrë hijeshinë

Dita ishte aç e bukur

Sa që shndriste

Në flokët e tua moj sybajame



Dhe ja në fund

Erdhe ti

Dhe shtere lotin

Në gotën e kristaltë të bukurisë





NË KULMIN E ÇATISË



Posa i kapërceva ethet

Ti ia behe papritur

Në kulmin e çatisë

I mbolle kujtimet e tua



Lumëbardhi atë çast

Me tërë forcën buçiti

Zambakët u vyshkën

Në shikimet blu



Pse mi tregove ëndrrat

Që ja shembën shtratin lumit

Dita më shkoi tres

Me kujtimet e korrura



Luadhi i numëroi demetet

Në sanën e zhuritur

Djersa ishte e madhe

Nën peshën e frymëmarrjes



Nuk të bezdisën kosat

Kur e puthnin njomësirën e barit

Kuajt kullosnin të zgjidhur

Në fund të luadhit





QË I DËRGOI LOKJA SHQIPËRIA



Del një burrë nga Labëria

Zëri tij zbret si jehonë

Në këmbë është ngritur sot Labëria

Për ta mbrojtur Kosovën tonë



Babë e bir e nënë e bijë

Ngjeshën armën e praruar

I ranë armikut si një lubi

Këtë tokë të zhuritur për ta shpëtuar



Kaluan shtigje male katund

Si fryma e mirë që prej hyjit zbret

Armikut nuk i lënë vend askund

Duke e mbrojtur tokën e vet



Bjeri Kolonel e mëshoi o Dritan

Të mos shpëtojë sot gjallë barbari

Do ta mbrojmë ne tokën tonë

Ashtu burrërisht si mbrojti i pari



Goxha mirë i dhamë bregut

Si dikur në malet e Shqipërisë

Sa mirë ja kallën datën armikut

Babë e bir burrat e Labërisë



U nderuan trojet nëpër çdo shteg

Kur komandonte Shpëtim Golemi

Kurse Dritani qëllonte me dyfek

Duke e sulmuar armikun si zgalemi



Kur erdhi ora e madhe e lirisë

Në këmbë u ngrit gjithë Shqiptaria

Në qytet parakalonin djemtë e Labërisë

Babë e bir që na i dërgoi Shqipëria



22.04.2010, Prishtinë
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Adem Zaplluzha: Kur Likenet Vallëzojnë (I) Empty Re: Adem Zaplluzha: Kur Likenet Vallëzojnë (I)

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi