Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Zija Çela: Një burrë i vogël përçmon Kadarenë

Shko poshtë

Zija Çela: Një burrë i vogël përçmon Kadarenë Empty Zija Çela: Një burrë i vogël përçmon Kadarenë

Mesazh nga Agim Gashi Fri Nov 19, 2010 2:01 am

Zija Çela: Një burrë i vogël përçmon Kadarenë U1_Ismail_Kadare
Një burrë i vogël përçmon Kadarenë
Nga Zija Çela
Në ditën e fundit të panairit të librit, siç u reflektua edhe në media, lexuesit patën rastin të njihen me një deklaratë të zotit Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë. Shkak u bë kontestimi i disa botuesve dhe lexuesve për çmimin “Shkrimtari i vitit”, që iu dha librit “Policia sekrete e Ali Pashës”, publikuar më 2004 dhe ribotuar këtë vit. Siç është e natyrshme dhe ndodh rëndom, duke tërhequr kërraba përkundër kundërshtarëve, njeriut shpesh i shpëton edhe goja. Madje, më tepër se kaq, sepse nuk thuhet më kot që gabimi është në natyrën njerëzore. Mirëpo, fjala nuk ishte për një lapsus, as për një shkarje të rastit, por për një bindje që u deklarua me ngulm dhe u mbrojt duke ngritur tonin.
Çfarë tha në thelb zoti Ymeri? As më pak dhe as më shumë, por: “Në panairin e këtij viti nuk kishte asnjë shkrimtar shqiptar që ta meritonte këtë çmim”. E formuluar kështu, deklarata tingëlloi e skajshme, dhe jo vetëm e skajshme, por edhe dashakeqe dhe dizinformuese. Në stendat e panairit, çka ishte fakt i dukshëm, kishte libra të rinj nga: Ali Aliu, Arian Leka, Ardian Vehbiu, Bardhyl Londo, Edmond Tupja, Fatos Kongoli, Ismail Kadare, Mehmet Kraja, Mimoza Ahmeti, Preç Zogaj, Ridvan Dibra, Robert Shvarc, Skënder Drini, Virgjil Muçi, Visar Zhiti etj. (U kërkoj ndjesë kolegëve që u mungon emri këtu, midis tyre jam dhe unë.) E po kështu, nga shtëpia botuese “Onufri” u botua Vepra e plotë e Martin Camajt në dhjetë vëllime. (Studiuesit Behar Gjoka iu dha çmim pikërisht për monografinë e tij mbi Camajn.) I kam lexuar mjaft nga librat e autorëve që listova, ndonjërin e kam në dorë, dhe them se Ali Aliu, Arian Leka, Ardian Vehbiu, Bardhyl Londo, Edmond Tupja, Fatos Kongoli, Ismail Kadare, Mehmet Kraja, Mimoza Ahmeti, Preç Zogaj, Ridvan Dibra, Robert Shvarc, Skënder Drini, Virgjil Muçi, Visar Zhiti etj. (i përsëris me vetëdije) kanë sjellë jo vetëm vlera të spikatura, por edhe zhvillime interesante në prozë, poezi dhe eseistikë. Nuk di si ndihet zoti Ymeri përballë kësaj plejade. Por është afërmendsh se, në pozitat e përjashtimit dhe të mohimit kategorik, sado pozante dhe mburravece të jetë “burrëria” e dikujt, njeriut modest dhe të mençur i duket vetja një burrë i vogël.
Ka gjasa që zoti Ymeri flet pa lexuar, pasi mjaft nga këta libra sapo kanë dalë nga shtypi dhe u promovuan në panair. Meqë vetë boton me prioritet dhe kryesisht vetëm autorë të huaj, prej të cilëve ka pasur edhe vepra fort të merituara, nuk dua të shfaq hamendje se sa e ndjek ndër vite letërsinë shqipe. Nuk do të doja gjithashtu as të paragjykoja shijet e tij, të cilat përgjithësisht mbahen si private, edhe pse të gjithë dëshirojmë që të evoluojmë dhe të përparojmë me bashkëkohësinë. Por me gjithë privacinë që kanë, zoti Ymeri nuk ngurron aspak t’i absolutizojë shijet e tij. Deklaratën e vet të nxehtë e vazhdon me një argument që e përdor si shpatë, domethënë, për të fetishizuar një të vetëm dhe për t’jua këputur kokën gjithë të tjerëve. Ai shprehet: “Sivjet nuk kishte asnjë libër të shkrimtarëve shqiptarë, që të arrinte nivelin e romanit të Ben Blushit”. (Fitues në panairin e vitit të shkuar).
Ky është kulmi dhe modeli që ofron Petrit Ymeri.
Asgjë të keqe s’ka që dikujt i pëlqen ky libër dhe ua rekomandon të tjerëve. E keqja fillon kur me “Arapin e Vlorës” kërkohet të nxihen gjithë letrat shqipe, madje deri në përçmim për autorët e saj. Meqë vetë ofron një model, si do t’i vinte zotit Ymeri nëse nga shkrimtarët e panairit ndokush do të shkëpuste po ashtu një model, por amà një model të kulmeve botërisht të pranuara dhe që, megjithatë, asnjëherë nuk e ka marrë çmimin e panairit shqiptar?! Si do t’i vinte, po t’i kërkohej përgjigje për sfidën e tij çoroditëse dhe të pyetej drejtpërdrejt: Ku e keni hallin, zotëri, cilin kërkoni të përçmoni, Ismail Kadarenë?!
Por kjo do të ishte barrë e rëndë për t’ia vënë në shpatulla një njeriu, sepse ndoshta edhe vetë fituesit, Ben Blushi dhe Irakli Koçollari, do të ndiheshin në siklet. As këtë shënim nuk do ta shkruaja, nëse zoti Petrit Ymeri nuk do të ishte kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë. Për atë Zot, nuk dua as të ngre dhe as të ul ndokënd, as Kadarenë, as Blushin, as Ymerin, aq më pak Koçollarin që nuk kam pasur rastin ta njoh. E shkruaj me synimin që kolegët e mi të mos krijojnë keqkuptime, urrejtje dhe thashetheme, pra të mos besojnë se, meqë kryetari i botuesve ka këtë mentalitet, ashtu mendojnë edhe gjithë botuesit e tjerë. Jo, stendat e panairit e hedhin poshtë çdo dyshim.
Dje pasdite, një autor i njohur më kërkoi t’i lexoja dy faqe tekst të printuar. Kishte reaguar fort ndaj subjektit në fjalë. I rekomandova ta hidhte shkrimin në kosh, pasi përveç racionalitetit kishte edhe mllef, madje deri dhe shkelje të etikës. Miku im më kujtoi menjëherë një shkrim që e pata botuar në gazetën “Shekulli”. I revoltuar prej faktit që njerëzit e letrave po heshtnin, kur po shtrohej nevoja që Biblioteka jonë Kombëtare të ketë një godinë të re, sa më të bollshme dhe sa më të denjë, shkrimtarët shqiptarë i pata quajtur përbindësha qyqarë. (Mes tyre edhe unë, si gjithnjë.) Po, është e vërtetë, këta qyqarët ka raste që mbyllin një sy, ka raste që mbyllin një vesh. Dikush mund të thotë se janë të verbër, ose janë të shurdhër. Mirëpo, nuk është tamam ashtu, nganjëherë heshtja vërtet u vjen prej shpërfilljes, por më së shpeshti u vjen prej bujarisë. E bujaria është virtyt. Por, kujdes, sjelljet denigruese mund të zgjojnë pjesën tjetër, atë të përbindëshit. Dhe ata e kanë provuar se ç’hata mund të bëjnë, sidomos kur zihen me shoku-shokun, por edhe kur u kthehen të tjerëve.
Gazeta Shqip - Për ZSH: Gjergj Kabashi
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi