Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Sabile Keçmezi- Basha: Angazhimi i grave në Pavarësinë e Shqipërisë

Shko poshtë

Sabile Keçmezi- Basha: Angazhimi i grave në Pavarësinë e Shqipërisë Empty Sabile Keçmezi- Basha: Angazhimi i grave në Pavarësinë e Shqipërisë

Mesazh nga Agim Gashi Thu Dec 02, 2010 9:13 pm

Sabile Keçmezi- Basha: Angazhimi i grave në Pavarësinë e Shqipërisë U1_SabileBasha
ANGAZHIMI I GRAVE NË PAVARËSINË E SHQIPËRISË
(Kumtesë e lexuar në Shkup me rastin e ditës së Flamurit, 26.XI.2010)
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha
sabile_basha@hotmail.com
Kontributi i gruas shqiptare në luftërat shekullore për çlirimin e atdheut nga robëruesit nuk mund të vlerësohet vetëm nga shkalla e pjesëmarrjes së saj të drejtpërdrejtë në luftëra. Në vlerësimet e këtij angazhimi duhet pasur parasysh faktin se në tokat shqiptare lufta për çlirimin e atdheut dhe për formimin e shtetit të pavarur shqiptar, e cila zë fill me epopenë legjendare të shekullit XV, e zhvilluar në kushtet e mbisundimit të rendit feudal, ku gruaja konsiderohej si një forcë e thjeshtë prodhuese, prandaj trajtohej si një gjymtyrë e zakonshme e familjes e ndërvarur si vajzë nga prindi, si nuse nga burri si nënë nga i biri, etj.
Por, në periudha të ndryshme historike, ndryshon edhe statusi i saj si në familje, në rreth e në shoqëri. Ajo në rrethanat më të përshtatshme historike inkuadrohet në rrjedhat që i imponoheshin nga vetë faktori kohë. Në një kohë kur në trojet shqiptare mungonte thuajse tërësisht sistemi edukativo-arsimor i organizuar nga institucionet shtetërore ose publike, roli edukues i ambientit familjar dhe në mënyrë të veçantë i nënës dhe i gjyshes për fëmijën ishte vendimtar. Burrat trima lindin dhe rriten vetëm nga nëna trimëresha, thotë një fjalë e popullit. Gruaja shqiptare e ka përbuzur kurdoherë frikacakun, ajo e ka përbuzur dhe e ka mallkuar edhe birin e saj kur plogështohej përpara vdekjes.
Duke shfletuar faqet e historisë, gratë shqiptare i gjejmë pjesëmarrëse aktive në luftërat e vrullshme të kryetrimit Skënderbe, që vazhdon e kurrë nuk u ndalen gjatë tërë historisë. Duhet thënë edhe këtë se gruaja shqiptare ishte aktive edhe atëherë kur nuk dilte në fushën e betejës, por në një mënyrë tjetër e luftonte armikun – me armën e kurajës që u jepte luftëtarëve. Shekulli XV theksohet si shekull i kthesave të mëdha për gruan shqiptare, duke pasur parasysh normat morale e juridike të vendosura gjatë shekujve mesjetarë. Edhe pse jetoi e shkëputur nga fati i kombit. Si e para edukatore e fëmijëve ruante dhe transmetonte gjuhën, virtytet e traditat e kombit. Me ndjenja të forta atdhetare, liridashëse shpesh gjendej në kuvende me burrat dhe thoshte fjalën për problemet e mëdha të vendit.
Gruan shqiptare edhe më aktive e gjejmë në shekullin XIX gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në këtë periudhë ajo me armë në dorë merr pjesë në luftërat për liri e pavarësi dhe me këtë dëshmoi se nuk ishte vetëm nënë e bashkëshorte e mirë, por mbi supet e saja të forta e krenare para armiqve të shumtë njësoj bartte tempullin e shenjtë dhe të fortë – çështjen e atdheut.
Që të mos rrijë duarkryq para sulmeve barbare dhe okupuesve të ndryshëm gruan shqiptare e shtynin në radhë të parë traditat e lashta në luftë për lirinë e vendit, të kultit për nderin e familjes, të shpirtit të lartë të vetë sakrificës, virtyte këto të vëna në dukje nga çdo njohës i mirë i traditës së popullit shqiptar.
Me kontributin e vet të çmuar që dha në jetë dhe në luftë, gruaja shqiptare hapi në të njëjtën kohë edhe rrugën e vet për të hyrë në rrjedhat e drejtpërdrejta të jetës shoqërore e politike. Aty nga mesi i shekullit XIX një nga njohësit e mirë të Shqipërisë Veriore, Jasint Hekard (Hyasint Hecquard), shkruante: “Gruaja shqiptare, qoftë myslimane, qoftë e krishterë, edhe pse është e nënshtruar ndaj burrit, ai këshillohet me të jo vetëm për punët e familjes, por edhe për çështjet e vendit”. “Gratë shqiptare”, vazhdon Hekardi, dinë t’i mbajnë lotët e dhembjes edhe kur janë përpara njerëzve të tyre më të shtrenjtë të shtrirë për dhe, shpeshherë duke mbajtur nëpër duar kufomat e tyre i kanë shpënë, ato në mes të luftëtarëve për t’i nxitur që të hakmerren kundër armikut”. Më poshtë vazhdon: “Më kanë treguar nëna që nuk i kanë pranuar në shtëpi fëmijët e tyre, të cilët kanë lënë nga frika luftën duke i shpënë ato vetë përsëri në fushën e betejës, ose nuse që janë ndarë nga burrat e tyre vetëm pse këta janë larguar në një çast nga zjarri i luftës”. Këtë shembull e mora sa për të ilustruar trimërinë e tyre të pamohueshme që treguan gratë për lirinë e vendit.
Duhet përmendur se kontribut të pamohushem për çlirimin e vendit dhanë edhe gratë nga Kosova, që gjithsesi duhet cekur Qerime Galica, e njohur ne popull si Shotë Galica, që në histori njihej si luftëtare e shquar e çetave kryengritëse kosovare për çlirimin dhe bashkimin e kombit në të gjitha viset shqiptare.
Sabile Keçmezi- Basha: Angazhimi i grave në Pavarësinë e Shqipërisë AlbaniaFlag
Gruaja shqiptare ishte aktive edhe në përpjekjet për dije e arsim të kombit. Ajo me entuziazëm iu përgjigj kërkesave të rilindësve që të japë kontributin e vet jo vetëm me armë, por edhe me pendë, jo vetëm në fushën e betejës, por edhe në bankat e shkollës. E tërë kjo dëshmohet me një punë konkrete të saj. Më 15 tetor 1891 u hap shkolla e parë për vasha në Korçë. Kjo ishte edhe një fitore e re e patriotizmit shqiptar. Rilindësit tanë (Naimi, Samiu, Gjerasimi, etj.) arsimin e donin për të gjithë, edhe për djem edhe për vash. Shkolla e parë e vashave kishte fizionomi kombëtare dhe për nga karakteri ishte demokratike, pasi që në të përfshiheshin fëmijët e shtresave të ndryshme sociale e konfesionale. Në fillim ajo pati tri nxënëse, por u bë tërheqëse edhe për të tjerat, kështu që gjatë vitit kishte 27 sosh. Më 1912/13 ajo arriti numrin më të madh të nxënësve – 110 sosh.
Shkolla e Vashave në Korçë gjatë gjithë Rilindjes mbeti pothuajse e vetmja shkollë femërore shqipe, duke u bërë një barrikadë kombëtare. Mësueset e saj krijuan Lëvizjen e parë femërore në Shqipëri për arsimin dhe afirmimin e gruas. Ajo rriti dhe edukoi në frymën patriotike me qindra vajza, të cilat u vunë në shërbim të atdheut dhe të shoqërisë edhe si nënë patriote, po edhe si edukatore – mësuese të brezit të ri, atëherë e më pastaj. Do theksuar se si mësuese të para në këtë shkollë punuan Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi (motra të Gjerasim Qiriazit), e më vonë edhe ish-nxënëset e tyre.
Kontribut të dukshëm për avancimin e çështjes shqiptare dhanë edhe organizata të shumta të grave si “Ylli i Mengjezit” (The morning star. 1917) që vepronte në Korçë, etj. Në këtë aspekt ndihmesë mjaft të madhe dha edhe gazeta po me të njëjtin emër që e drejtonte Parsheqi Qiriazi. Kjo ishte një e përdyjavshme politike e kulturore. Botohej në gjuhën frënge, angleze (pjesërisht) dhe kryesisht delte në gjuhën shqipe. Numri i parë doli më 15 janar 1917 dhe vazhdoi të dalë deri më 1920. u angazhua për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që ndodheshin. Ngriste lart traditat e së kaluarës, godiste ashpër masakrat që bënin okupuesit dhe e trajtonte problemet e arsimit kombëtar në përgjithësi. Me përkthimin e artikujve në gjuhë të huaja kjo revistë ishte një megafon i pazëvendësueshëm për njohjen e problemeve në botën e qytetëruar sepse vetëm në këtë mënyrë i bëheshin të njohura opinionit përparimtar padrejtësitë që i ishin bërë Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha.
Gruaja shqiptare ishte pjesëmarrëse aktive sidomos në kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912, në luftërat për çlirim kombëtar të atdheut. Me qindra gra ndihmuan kryengritjet me mjete e me strehim, me informata e kurajo. Në ato vite revolucionare gruaja nuk qëndroi vetëm në prapavijë. Me një guxim të rrallë ajo kaloi edhe në vijën e zjarrit. Gratë kosovare dolën me armë në dorë në Grykën e Kaçanikut, ballëpërballë armikut. Shembullin e tyre e ndoqën edhe gratë e Malësisë së Mbi – Shkodrës e të Dibrës. Gratë dolën në luftë anekënd Shqipërisë, aty ku kishte nevojë dhe ku buçiste lufta. Gazeta “Sabah” që delte në Turqi, shkruante më 16 prill 1911: “Ndërmjet kryengritësve shqiptarë kishte edhe gra. Në luftimet që u bënë në rrethet e Tuzit kishte edhe gra të veshura me rroba burrash…bile disa nga këto gra kanë treguar edhe trimërinë e tyre, aq sa të kalojnë në radhët e para të luftës”. Në këto luftëra dallohet Tringë Smajli (1870-1917), ose siç e quanin Tringa e Malcisë. Ajo ishte luftëtare e dalluar për lirinë dhe tërësinë territoriale të atdheut. Vinte nga një familje patriotike. Babai i saj, Ismail Martini, ishte pjesëmarrës aktiv në mbrojtjen e Hotit e të Grudës. Tringa u shqua sidomos gjatë mbrojtjes në luftën e Deqiçit, më 1911, ku edhe me shumë shoqe të tjera mori pjesë me armë në dorë. Ndihmë të pakompromis dha në bartjen e të plagosurve, në furnizimin dhe armatim në vijën e parë të frontit, me municion e ushqim për luftëtarët, etj.
Gra që nuk e kursyen veten pati edhe në anën e Kolonjës. Ndër ato vlen të përmendet Zekije Krasta (1867-1932). Kjo grua trime kishte lindur në fshatin Kreshovë të Kolonjës dhe mori pjesë aktive në radhët e vullnetarëve për çlirimin e Vlorës nga pushtuesi italian më 1920. përveç me armë ajo në luftë mori pjesë edhe si infermiere në ekipin shëndetësor për të mjekuar të plagosurit në fushën e betejës.
Kontributin e tyre për pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912 e dhanë edhe gratë. Në mënyra të ndryshme ato ndihmuan dhe ndikuan që ëndrra e kahershme e popullit të robëruar të bëhet realitet. Ndihmesë të madhe në këtë aspekt dha edhe vlonjatja Marigo Pozio (1878-1932). Ishte një grua e thjeshtë e modeste, por e veçantë për rrethin dhe kohën ku jetonte. Ishte veprimtare e Lëvizjes për çlirim kombëtar. Tërë jetën ia kushtoi përhapjes së dijes e arsimit te gratë shqiptare, ngritjes së vetëdijes kombëtare dhe avancimin e saj. Aktiviste dhe anëtare e klubit kulturor “Labëria” (1908). Mori pjesë në organizimin e orkestrës së klubit, ku aktivizoi edhe dy bijat e saj. Ishte oratore e madhe, sidomos bënte efekt të madh me fjalimet që mbante para popullit dhe ishte edhe më bindëse në shkrimet që i botonte në shtypin e kohës dhe në mërgim. Me duart e saja qëndisi flamurin që u ngrit në ditën e Shpalljes së Pavarësisë dhe në shtëpinë e saj u shëmëfishuan flamujt e tjerë që zbukuruan dritaret e shtëpive dhe qytetin. Ishte kryetare e komisionit për mbledhjen e ndihmave për luftëtaret e plagosur. Më 1912 ajo udhëhoqi me sukses gazetën “Shpresa kombëtare” ku botoi artikuj të shumtë për çështjen e gruas.
Në saje të punës dhe të kontributit që dha gruaja shqiptare për çlirimin e atdheut, ajo fitoi të drejtën e ngritjes së vet, të gëzonte të drejta të barabarta me të tjerët në shtetin e ri të lirë shqiptar. Të përparonte e të arsimohej me hapat që i kërkonte koha e re. por ngjarjet morën kahe tjetër. Pas Kongresit të Lushnjës dhe luftës së Vlorës pushteti në Shqipëri ra në duart e forcave reaksionare feudo-borgjeze të vendit, përfaqësues i të cilëve u bë Ahmet Zogu. Regjimi i Zogut zgjati mbi 15 vjet, mirëpo Qeveria nuk bëri asnjë hap përpara sa i përket çështjes së avancimit të gruas, edhe pse ishte folur gjatë për ligjin mbi ndalimin e mbulesës së fytyrës së gruas. Edhe ky ligj nuk u zbatua ngase shkaktonte zemërimin e qarqeve reaksionare shtetërore e publike. Kështu gruaja, edhe më me vrull vazhdoi luftën meqë ishte e vetëdijshme se truri i njeriut nuk ka gjini. Për ngritjen dhe zhvillimin e saj në çdo fushë të jetës kishte edhe përkrahës të shumtë ndër qarqet përparimtare-demokratike, që zhvillonin një luftë aktive kundër pushtetit feudalo-borgjez. Gruaja shqiptare nuk kursen veten për t’i ndihmuar këto qarqe në revolucionin demokratiko – borgjez, që triumfoi në qershor të vitit 1924. në programin e kësaj qeveria (të Fan Nolit), çështja e gruas zente një vend me rëndësi, por në praktikë shumë pak u realizua, ngase shumica e udhëheqësve të pushtetit të qershorit nuk ishin entuziastë për ngritjen dhe avancimin e pozitës së gruas, ndërsa një grup tjetër e kuptonin zgjidhjen e kësaj çështjeje vetëm me aprovimin e dokumenteve zyrtare për shpalljen e lirisë së barazisë së gruas.
Megjithatë peripecitë historike gruaja nuk mbeti atje ku ishte. Duke u mbështetur në forcat e veta dhe në përkrahjen e burrave përparimtarë ajo luftoi kundër pengesave të shumta që i dilnin përpara. Janë këto vite kur shumë gra shqiptare përqafojnë idetë e internacionalizimit, bëhen luftëtare kundër obskurantizmit, shfrytëzimit dhe rrezikut fashist. Justina Shkupi mori rrugën e largët për në Spanjën republikane për të luftuar fashizmin ndërkombëtar. Me heroizmin e treguar ajo nuk i turpëroi shoqet e saja më të vjetra. Përkundrazi, për të shkruanin me respektin më të madh gazetat e brigadave internacionale.
Nga disa qarqe pati edhe aso qëndrime që gruan shqiptare donin ta hudhnin aty ku nuk e kishte vendin. Megjithatë, në Lëvizjen Antifashiste ajo mori pjesë aktive që për të hapi një epokë të re. Bashkë me burrin ishte në front, në prapavijë, ishte aty ku derdhej gjaku, por edhe atje ku shpërndaheshin afishet. Arrestohej e pushkatohej. Nuk kursente asgjë, madje as jetën e saj. Duke marrë pjesë në LANÇ shumë vajza e gra treguan heroizëm të paparë. I gjatë është vargu i grave trimëresha që dhanë jetën në beteja të ndryshme anekënd vendit të okupuar.
Gratë kosovare nuk mbetën brapa motrave të trojeve etnike shqiptare që i kishte përfshirë lufta. Bashkë me burrat me armë në dorë dolën maleve. Këto madje kishin një arsye edhe më të madhe për të luftuar më me ngulm. Formimi i shtetit shqiptar në kufijtë etnikë ishte domosdoshmëri e kohës, andaj këtë luftë duhej fituar.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi