Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ramadan Sokoli, figurë e ndritur e kulturës kombëtare

Shko poshtë

Ramadan Sokoli, figurë e ndritur e kulturës kombëtare Empty Ramadan Sokoli, figurë e ndritur e kulturës kombëtare

Mesazh nga Gur Kepi Thu Mar 12, 2009 9:55 pm

Ramadan Sokoli, figurë e ndritur e kulturës kombëtare Faqja%201
Si e persekutoi regjimi komunist themeluesin e shkencës së muzikologjisë shqiptare
Ramadan Sokoli, figurë e ndritur e kulturës kombëtare
Shaqir REXHVELAJ
Sot mbushet një vit që kur u nda nga jeta kollosi i etnomuzikografisë shqiptare, Prof. Ramadan Sokoli. Në 7 Marsin e vitit të kaluar, ne, nxënësit e tij, i uruam festën profesorit të nderuar me një tufë lule mimozash (sa shumë i donte lulet) e ashtu si në agoni ai buzëqeshi lehtë duke shqiptuar një "faleminderit!". Dhe me një keqardhje të madhe lexonim në sytë e tij ndjesinë se ato mbase ishin lulet e fundit që po u merrte erë. Pas katër ditësh, më 11 mars 2008, Ramadan Sokoli u shua duke lënë të ndrisë përgjithmonë emri dhe veprat e tij. Ai ishte dhe mbetet figura më e ndritur e kulturë sonë kombëtare në fushën e muzikologjisë, krijuesi dhe themeluesi i kësaj shkence të re, që u mboll e lëshoi rrënjë si shkencë prej tij, që në fillim të viteve '50 të shekullit që lamë pas.
Profesor Ramadan Sokoli është jo vetëm një shkencëtar i madh, por edhe një patriot i madh. Duke iu referuar medias, ai është cilësuar edhe si rilindësi i fundit. Kjo mbështetur edhe te familja e tij e madhe në qytetin e lashtë të Shkodrës, te gjyshi i tij Hodo Pashë Sokoli, pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit dhe mbrojtës i trojeve shqiptare të Plavës e Gucisë, Ulqinit, te i jati i tij Isuf Sokoli, edhe ky i internuar në Itali për të ardhë te vëllazëria e tij Ibrahim Sokoli dhe Hodo Sokoli, që bashkë me Radon provuan persekutimin e egër komunist, duke vuajtur mbi 40 vjet burg. Të gjithë intelektualë të ndritur dhe patriotë.
Profesor Ramadan Sokolin e kam njohur për herë të parë në qershor të vitit 1957 në festivalin folklorik të Qarkut të Shkodrës, ku unë isha pjesëmarrës interpretues i folklorit të Malësisë së Madhe dhe ai ishte anëtar i jurisë, ku përzgjidhnin talente që do të merrnin pjesë në Festivalin e Rinisë e Studentëve që do të zhvillohej në Moskë në muajt korrik-gusht 1957. Fati dhe jeta e solli që prej asaj date deri sa ka mbyllur sytë unë të jem një ndër njerëzit më të afërt të tij (jashtë rrethit të tij) në fillim si objekt i punës së tij, unë si bartës i folklorit, ai si stuiues i folklorit dhe më vonë, nxënës i klasës së tij në Liceun Artistik "J.Misja" në Tiranë, në degën e Flatit, pastaj student i tij në Konservatorin Shtetëror të Tiranës dhe pas studimeve si shok dhe mik shtëpie, i një familjeje me "hije në biografi", por të mrekullueshme në tradita, në mikpritje dhe me një rreth të mrekullueshëm si nga ana e profesorit, por edhe të së shoqes Lilit, nga familja tiranane Petrela, - një grua e rrallë ideale, që mund ta gjesh vetëm në romane.
Në vitin 1958, kur fillova mësim në klasën e tij për flaut në Liceun Artistik, kam bashkëpunuar me profesorin si bartës autentik i folklorit të Malësisë së Madhe, duke riprodhuar këngët dhe meloditë e zonës sonë, duke filluar që nga këngët karakteristike "Majekrahit"e këngë të tjera pa shoqërim muzikor me karakter baritor, këngët rapsodike me lahutë, melodi të ndryshme në instrumentin popullor "Zymare", disa melodi që vetë i kisha krijuar, por edhe shumë ninullëza e nanurisje të ndryshme fëminore, të cilat për çudinë time atëhere, ai u jepte një rëndësi shumë të madhe. Sigurisht, duke i parë me syrin dhe vëmendjen e një studiuesi ai hidhte ato në nota muzikore, në disa fletë të mëdha muzike. Më vonë ato zunë vend krahas shumë hulumtimeve të tjera në studimet e tij etnomuzikologjike.
Por le të themi në këtë njëvjetor përkujtimor diçka më shumë për jetën dhe veprën e tij. Talentin e tij muzikor e shfaqi që në vogëli në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër, qytet që njihet për traditat e mëdha kulturore sidomos në fushën e muzikës. Që nga fundi i shekullit XIX, në këtë qytet u krijuan formacionet e para orkestrale, siç qenë orkestrat frymore, të cilat mund të merren edhe si fillesat e para të hedhjes së bazave të muzikës profesioniste, bashkë me muzikën kishtare. Por ajo që përbënte palcën e kulturës muzikore në Shkodër qe tradita e krijimtarisë së këngës qytetare shkodrane, krejt e veçantë në llojin e vet, që nga tipet më të thjeshta deri te ato më të ndërlikuarat, siç janë "jaret", duke u bërë kështu pjesë shumë e rëndësishme e fondit të artë të kulturës muzikore shqiptare. Në këtë atmosferë dhe në këto realitete u rrit edhe Ramadan Sokoli, në mes tingujve të mrekullueshme të muzikës së "ahengut shkodran" dhe orkestrave frymore, prandaj edhe luante në disa instrumente në bandën e qytetit, por më për zemër në rininë e tij pati instrumentin e kitarës, siç quhet rëndom kitara si "piano e të varfërve". Me këtë bagazh muzikor dhe me disa krijime në fushën e këngës, në vitin 1940 regjisrohet dhe vazhdon studimet në konservatorin "Luigi Cherubini" në Firenze - Itali për kompozicion dhe Flaut.
Mbas studimeve kthehet në Shqipëri me ëndrrën e një të riu, për të vënë në shërbim të vendit dijet dhe kulturën e tij perëndimore. Por mbas Luftës së Dytë Botërore në vendin tonë u instalua regjimi komunist dhe fatkeqësisht idealet, pikëpamjet e tij, por edhe tradita familjare dhe kultura perëndimore pluraliste binin ndesh me parimet e reja të këtij regjimi, siç rezultoi famëkeq për shqiptarët. Meqenëse këto pikëpamje ai i shfaqte në rrethet shoqërore në Shkodër, hapur sidomos edhe gjatë kryengritjes anti-komunste të Postribës, në vitin 1946 arrestohet dhe dënohet me 5 vjet heqje lirie. Ramadan Sokoli, siç edhe më tregonte, vitet e burgut e transformuan rrënjësisht, sidomos në njohjen e jetës dhe të njerëzve të saj brenda hekurave të burgut njerëz të ditur, intelektualë klerikë, bajraktarë, pasanikë, tregtarë, malësorë, të një tradite që ridhte prej shekujsh, ashtu shqiptarçe, por që po rrezikohej seriozisht përballë një regjimi të ri, në pamje të jashtme popullor, por që vetëm ne që jetonim prapa hekurave e kuptonim se sa i padrejtë dhe i pamëshirshëm do të ishte për shqiptarët. Në burg dhe në kampet e përqendrimit ku punova me të burgosurit - tregonte ai, kam njohur karakterin e vërtetë të shqiptarit, burra të ditur dhe të thjeshtë, trima dhe të pathyeshëm përballë torturave, por që ishin dhe palca e kombit, prej tyre jo vetëm kam mësuar, por edhe u yshta për të filluar shënimet e para të hedhura në copa e blloqe letre për kulturën kombëtare shqiptare, për folklorin, për "gjëegjëza", për doket dhe zakonet që ishin aq të pasura dhe të larmishme nga njëri tregimtar te tjetri e me një shtrirje; nga gjithë viset e Shqipërisë.
Shënimet e para dhe zanafillën e studimeve të para etnomuzikologjike prof. Ramadan Sokoli i ka nga vitet e jetës së tij në burg. "Çdo e keqe e ka një të mirë", përsëriste shpesh ai. Vitet e burgut i shfrytëzoi aq sa mundi për të mbledhur nektarin e parë të traditës së kulturës popullore, të cilës ai ia kushtoi gjithë veprën e tij mijëra faqe, e shkruar në rreth 20 libra muzikologji, pa përmendur këtu krijimtarinë muzikore në disa fusha të saj, që nga kënga e përpunumi i saj, te veprat e shumta instrumentale, nga miniaturë te poemi simfonik, muzikë dhome e koncerte për instrumentin e flautit e deri te metoda për fyell.
Botimet e para serioze në muzikologji me karakter ndërkombëtar kanë filluar me botimin: "Les dances populaires et les instrument mousicaux du people Albanais", Tiranë 1958.
Ky botim pati një interest të veçantë të qarqeve muzikologjike ballkanike dhe europine dhe nuk vonoi shumë dhe profesor Ramadani krijoi një letërkëmbim me shumë muzikologë të vendeve të ndryshme, sidomos nga Rusia, Bullgaria, Rumania, Hungaria, Gjemania Lindore, por edhe nga vende perëndimore.
Me interes shumë të madh shkencor kanë qenë për profesor Sokolin organizimi i dy ekspeditave shkencore muzikologjike, të organizuara nëpër vise të ndryshme të Shqipërisë, por kryesisht në jug të saj; e para, në vitin 1958 me shkencëtarë (muzikologë) gjermanë; Shtokman dhe Fidler dhe ekspedita e dytë me shkencëtarë rumunë të kryesuar nga muzikologja rumune, Zonja Comichel në vitet 1960.
Këto ekspedita nga pala shqiptare u kryesuan nga prof. Sokoli dhe një kopje të regjistrimeve të tyre sot ndodhen në fonotekën e Institutit të Kulturës Popullore. Metodologjia praktike e mbledhjes së gjinive të ndryshme të folklorit në terren përbën një përvojë të madhe shkencore për muzikologjinë shqiptare dhe në këtë kohë fillon dhe një etapë e re e studimit të kësaj kulture popullore kaq të pasur dhe të virgjër, si për studiuesit shqiptarë, por sidomos për studiesit e huaj. Kjo është edhe peridha kur fillon dhe ndërkombëtarizimi i muzikologjisë shqiptare.
Në vitet '60-'70, Prof. Sokoli boton veprën madhore "Folklori Muzikor Shqiptar (Prozodia dhe Morfologjia)", "Veglat muzikore të Popullit tonë (Organografia)", "Vallet dhe muzika e të parëve tanë (Ilirët)", "Chanson populaie albanaes (Albanskie narodnie pjesni), volumi i dytë, "Figura të Ndrituara të Kulturës shqiptare në shekuj (Jan Kukuzeli Andrea Aleksi)", "Gjurmime folklorike", "Figura e Skënderbeut në muzikë", në kuadër të 500-vjetorit të Heroit tonë kombëtar. Mbas këtyre botimeve në Shqipëri, por edhe mbas publikimeve që bënë shkencëtarët gjermanë dhe rumunë në forumet ndrrkombëtare folklorike me studimet e tyre, folklori muzikor shqiptar u ndërkombëtarizua si një pasuri e çmuar me identitet të veçantë i krijimtarisë në fushën e këngës homofonike e polifonike, në vallet e pasura me ritme të larmishme, me instrumente folklorike që përcillnin brez pas brezi shpirtin e melodive baritore origjinale, me kostumet kaq të bukura dhe unikale, siç është "Xhubleta" e Malësisë së Madhe". Pra, shpirti krijues ndër shekuj i popullit tonë po shfaqej i studiuar dhe i analizuar në mënyrë shkencore përballë kulturave të popujve të tjerë, me veçanti dhe identitet të panjohur deri atëhere edhe shkencërisht dhe për këtë meritë të veçantë ka pa asnjë mëdyshje profesor Ramadan Sokoli. Në këto vite krijohet dhe Instituti i Kulturës Popullore me degën e muzikologjisë dhe shkencëtarët e rinj, por edhe ata me përvojë, pa dyshim krijusn një shtresim të ri me studime të reja dhe kontribute, duke zgjeruar dhe thelluar studimet shkencore, por dhe përfaqësimin ndërkombëtar të kësaj shkence në forume studimore, por dhe duke e pasuruar me ekspedita të reja.
Gur Kepi
Gur Kepi

Numri i postimeve : 59
Age : 71
Registration date : 08/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ramadan Sokoli, figurë e ndritur e kulturës kombëtare Empty Re: Ramadan Sokoli, figurë e ndritur e kulturës kombëtare

Mesazh nga Gur Kepi Thu Mar 12, 2009 9:56 pm

Për arsye biografike, që e ndoqën si hije e zezë deri në vitet '90, atij asnjëherë nuk iu botuan punimet
Një vit pa kollosin e etnomuzikografisë shqiptare
Por, në regjimin komunist sa herë forcohej dhe egërsohej lufta e klasave aq më shumë vështirësohej puna dhe vepra shkencore e profesor Ramadanit. Për arsye biografike, që e ndoqën si hije e zezë deri në vitet '90, atij asnjëherë nuk iu botuan punimet. Disa herë vepra të veçanta përfunduan edhe në karton, sepse ai nuk pranoi asnjëherë që në parathëniet e librave të tij të shkruhej: "nën udhëheqjen e Partisë e shokut….. kultura popullore ka arritur...", etj. etj. Madje, më kujtohet se në vitin 1965 i kishin kthyer nga botimi korpusin "Veglat muzikore të popullit shqiptar (Organografia)", bash për këtë arsye, redaktori i shtëpisë botuese i kishte thënë se në fillim të librit duhet të vinte një shprehje të udhëheqësit të Partisë, të cilat, sipas tij, janë edhe shumë të goditura, por dhe aktuale për kulturën popullore. E takova profesorin, ishte shumë i mërzitur, e pyeta se çfarë kishte dhe më tha vërejtjen e redaktorit. Unë në bisedat me profesorin kisha krijuar një kofidencë të atillë që ai vetë ma kishte dhënë dhe shpesh përdorja një stil ironik të foluri dhe i thashë: mirë të ka thënë, shumë të bukura i ka, pse s'vendos ndonjë nga ato dhe gjithçka zgjidhet fare lehtë. Ai më pa me bisht të syrit dhe duke pasur shumë besim tek unë tha: por ato s'janë shprehjet e tij, i ka të vjedhura nga njerëz të mëdhej dhe unë nuk mund të vë në hyrje të librave të mi "shprehje të vjedhura", pastaj ç'do një politikan të japë sentencë për folklorin, ai nuk është shkencëtar që unë ta citoj. Por është filozof i thashë unë dhe mendimi filozofik udhëheq, por edhe frymëzon, prapë me ton ironik. Unë jam në hall, tha, "ti më çan kokën", por me një ton aspak miqësor, madje në një mënyrë idhnake dhe profesori po të zemërohej e kishte shumë të vështirë të pajtohej, madje mund të them se ishte dhe një mangësi e tij. Ndërrova stil dhe i thashë "po të kesh besim, ta rregulloj unë" dhe në të vërtetë aty për aty më lindi një ide. Unë e kuptova, i thashë, ju nuk dëshironi të vini citate të ….. dhe nuk e përmenda emrin se ishim dhe në rrugë (Me këtë rast dua të them se të gjitha bisedat kofidenciale me karakter politik dhe pakënaqësitë që kishte, i bisedonim në shëtitje). Pikërisht, më tha i nevrikosur, se do të më tallin të gjithë. Nuk shkon, e kupton se nuk shkon - një citat i tillë kërcet si zbrazja e një kobureje në një sallë koncerti. Mirë pra, i thashë, e kuptova. Më lejo të bëj një propozim, por po të pëlqeu do të më thuash që jam i mençur. Këtu u zbut dhe po priste zgjidhjen. Para disa ditësh, në muajn tetor, në kuadër edhe të muajit të letërsisë dhe arteve, ishte mbajtur Pleniumi i 15-të KQ, ku jepeshin orientimet për zhvillimin e artit dhe letërsisë, por kryesisht dhe si duhet të mbështeten ato në traditën tonë dhe ku kishte edhe mjaft fraza të gjetura që mund t'i përdornim, i propozova një frazë që më kishte bërë përshtypje, por që nuk e mbaja mend, por vetëm idenë e saj, duke i shtuar që këtë frazë e ka thënë R.Alia. Është dhe shkodran, por mos u bëni merak nuk ia përmendim fare emrin as këtij, themi nga Pleniumi i 15-të për Letërsinë dhe Artet dhe mjafton. Hë, si thua? Më pa me bisht të syrit, i pëlqeu. Nuk je dhe aq i pamençëm, më tha, dhe sa herë që i jepjaa ndonjë ide qeshte dhe shpesh më prezantonte edhe te njerëz të panjohur, por me ton ironik, që i kishte mjaftë lezet: "Ja ky është profesori im".
E vërteta është që edhe sot në hyrje të librit është shprehja që gjetëm dhe libri u botua. Sot duket si përrallë, por po të na ekishte dëgjuar ndonjë spiun këtq bisedë, pasojat diheshin.
Ramadan Sokoli ishte një njeri me kulturë të gjerë, një figurë poliedrike në kuptimin e mirë të fjalës. Me atë mund të bisedoje për çdo fushë të artit, por edhe të shkencave humanitare, duke gjetur përgjigje profesionale dhe bashkëkohore, një enciklopedi e gjallë. Biblioteka e tij në shtëpi ishte shumë e pasur jo vetëm me literaturë muzikore, partitura, por sidomos me libra filozofikë, kritikë letrare artistike, por ishte dhe një shans që e shoqja, Lili, punonte në Bibliotekën Kombëtare dhe çdo libër që i duhej për punë studimore mund dhe ta siguronte, duke e porositur nga jashtë.
Për të publikuar studimet e tij, përveç korespondencës që kishte me shumë muzikologë, ai shfrytëzoi revistën "Shqipëria e Re", që dilte dhe në gjuhë të huaj, por edhe emisionet e Radio-Tiranës, një rubrikë "Të njohim traditat tona muzikore", që shpesh e shpjegonte vetë në mikrofon. Më vonë, shumë botime shkencore gjetën dritën e botimit te revista "La lettres Albanais".
Ramadan Sokolit i erdhën shumë ftesa nga kongrese ndërkmbëtare muzikologjike, që nga Moska, Tokio, Parisi, Roma, Budapesti deri nga Amerika, por ai asnjëherë nuk mori pjesë në to dhe kjo nuk qe vetëm një dëm për atë, por për mospërfaqësimin denjësisht të kulturës sonë etnomuzikologjike në këto forume dhe në dëm të kulturës sonë.
Ajo që është për t'u theksuar dhe nënvizuar është se ky shkencëtar i madh të gjitha veprat që shkroi i realizoi duke qenë një mësues i thjeshtë në shkollqn e mesme artistike "J.Misja", me normë të plotë dhe duke dhënë mësim jo vetëm në degën e flautit, të cilën ai e themeloi, por edhe solfezh, harmoni, muzikë dhome e më vonë folkloroin muzikor. Edhe kur u themelua Konservatori Shtetëror i Tiranës në vitin 1962, nxënësit e tij jepnin mësim në këtë institucion të lartë të muzikës, ndërsa ai jo. Por kurrë nuk e dha veten. Ai vazhdonte të nxirrte kuadro dhe të jepte mësim me një devotshmëri që është vetëm në natyrën e njerëzve të veçantë dhe që bëjnë hitorinë e tyre dhe të vendit të tyre.
Ramadan Sokoli është i pari që përgatiti tekstin e folklorit muzikor dhe Ministria e Arsimit dhe Kulturës jo pa vështirësi e miratoi për edukimin e brezit të ri të muzikantëve me kulturën popullore e folklorike kombëtare, duke i dhënë një fizionomi të re shkollës sonë, por dhe karakterin kombëtar të saj. Dhe për çudinë tonë, atëherë ishim studentë, profesori vinte dhe jepte mësim si pedagog i jashtëm dhe pa pagesë lëndën e folklorit muzikor që ai vetë e kishte përshtatur për Konservatorin.
Ramadan Sokoli, me mendjen e tij të ndritur na sjell një krijimtari me studime etnomuzikore, që nga Antikiteti ynë, me "Vallet e muzika e të parëve tanë (Ilirët)", si një gjurmues i pasionuar pasuron fondin tonë kulturor e kulturën tonë muzikore duke zbuluar figura gjigante, siç janë Niketë Dardani e Jan Kukuzeli, duke ndriçuar shekull pas shekulli me figurat e ndritura, si në librin "16 shekuj", deri në ditët tona, për të ardhur te krijimtaria e tij si këngët "Blegëron delja", "Turtullesha", etj, ku na prezantohet jo vetëm si studiues, por dhe krijuees me ndjeshmëri poetike krejt të veçanta muzikore. Hulumtimet e tij etnomuzikologjike janë shtigje të reja që shkelën për herë të parë nga ky studiues pasionant, që shquhet për thellësinë e mendimit, gjerësinë e horizontit kulturor, si dhe seriozitetin e gjykimit shkencor të lëndës që merr për objekt studimi.
Duke i hedhur një vështrim të shkurtër veprave studimore të Prof. Sokolit konstatojmë me kënaqësi se ajo shtrihet në 20 shekujt e etnisë së kombit tonë dhe përbën vlera të pamohueshme në panteonin tonë kulturor. Por, profesori ynë i nderuar gjatë gjithë veprimtarisë së tij në regjimin komunist nuk ka një vlerësim sado të vogël për veprat e tij dhe asnjë "Fletë lavdrimi" nga ato që rëndomt jepnin Bashkimet Profesionale. Shpesh me ironi dhe cinizëm për regjimin, profesori tregonte se të vetmen "Fletë Nderi" që ka marrë, ka qenë në qitje ushtarake në zbor, që çuditërisht, rastësisht, kishte dalë shkëlqyeshëm.
Ndryshimet demokratike në vendin tonë profesor Sokolin e gjetën në moshën e tretë, në të 70-tat, mbasi kishte harxhuar gjithë dijet dhe mundin për të vënë gjithçka në të mirë të kulturqs kombëtare, por pa ndonjë vlerësim dhe pa më të voglën vëmendje për ta shpërblyer me tituj apo ndere të tjera. Është qeveria e Partisë Demokratike dhe institucionet e ngritura prej saj që vlerësuan punën dhe veprën e muzikologut Ramadan Sokoli. Duhet të vinte viti 1995 kur Akademia jonë e Shkencave i akordoi titullin "Profesor".
Profesori, në Enciklopedinë e Personaliteteve të Shquara
Në vitin 2000, Qendra Ndërkombëtare e Jetëshkrimeve në Cambridge të Anglisë, e përfshin Prof. Ramadan Sokolin në Enciklopedinë e Personaliteteve të Shquara. Në vitin 2002, nga Presidenti i Republikës, Zoti Alfred Moisiu, i akordohet titulli "Mjeshtër i Madh" dhe pas kësaj qyteti i tij i lindjes, Shkodra, Këshilli Bashkiak i kqtij qyteti i jep titullin "Qytetar Nderi". Në vitin 2006, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike i jep medajen "Embëlemë e Kulturës Shqiptare" dhe po brenda këtij viti ABI/Instituti Amerikan i Biografive i jep Diplomën "Ekspert në Ethnomuzikologji dhe Kompozim".
Ramadan Sokoli njihet edhe si një penë shumë e njohur në pulicistikë. Ai ka trajtuar në shtypin e kohës publicistikë me karakter shkencor kulturor si: te revista "Nëntori", "Shkenca dhe Jeta", "Kultura popullore", ka trajtuar probleme të etnomuzikologjisë, ka shkruar skenarë për dokumentare të Kinostudios, por sidomos për emisione radio-televizive, me qindra artikuj, studime, tekste mësimore, recensione etj. Një faqe e ndritur jo shumë e njohur është dhe krijimtaria muzikore në gjini të ndryshme e profesor Ramadan Sokolit, por ajo meriton një vështrim me karakter njohës, studimor dhe publikues, sepse ka edhe shumë vepra që ende nuk kanë parë dritën e ekzekutimit në publik.
Në këtë përvjetor vetëm rikujtuam këtë figurë të ndritur të kulturës sonë kombëtare, por vepra e Sokolit meriton të jetë më shumë objekt studimor i Akademisë së Shkencave, si dhe në vëmendjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve për të përgatitur një kolanë të plotë të veprës së këtij kollosi të muzikologjisë sonë, mbasi botimet e deritanishme lënë shumë për të dëshiruar dhe kjo mund të ndodhë brenda vitit 2010 kur Ramadan Sokoli ka 90-vjetorin e lindjes.
Shaqir REXHVELAJ, Drejtor i Përgjithshëm i Politikave në MTKRS
Gur Kepi
Gur Kepi

Numri i postimeve : 59
Age : 71
Registration date : 08/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi