Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vullnet Mato sjell:INTERVISTEN E RAIMONDA MOISIUT me shkrimtarin dhe publicistin VIRON KONA

Shko poshtë

Vullnet Mato sjell:INTERVISTEN E RAIMONDA MOISIUT me shkrimtarin dhe publicistin VIRON KONA Empty Vullnet Mato sjell:INTERVISTEN E RAIMONDA MOISIUT me shkrimtarin dhe publicistin VIRON KONA

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jan 30, 2011 5:47 pm

Vullnet Mato sjell:INTERVISTEN E RAIMONDA MOISIUT me shkrimtarin dhe publicistin VIRON KONA 49948_1568334934_1204402_n


Vullnet Mato sjell:INTERVISTEN E RAIMONDA MOISIUT me shkrimtarin dhe publicistin VIRON KONA


BOTËN E DËSHIROJ NJË “SHTËPI” TË NGROHTË PËR TË GJITHË

Vullnet Mato sjell:INTERVISTEN E RAIMONDA MOISIUT me shkrimtarin dhe publicistin VIRON KONA 70532_1208896826_5003374_n

- Intervistë me shkrimtarin dhe publicistin Viron Kona –Vullnet Mato sjell:INTERVISTEN E RAIMONDA MOISIUT me shkrimtarin dhe publicistin VIRON KONA U1_KadriTarelli

Viron Kona ka lindur në qytetin e Vlorës, më 24 qershor 1950. Pas shkollës së mesme, kreu studimet e larta për gjuhë-letërsi shqipe, në Universitetin e Tiranës. Ka nisur të shkruajë e të botojë në shtyp qyshë në vitet e shkollës. Nga viti 1981, është anëtar i Lidhjes së Shkeimtarëve e Artistëve të Shqipërisë, anëtariI Këshillit Kombëtar të Librit, fitues i 7 çmimeve në gjininë e tregimit dhe novelës. Libri i tij “Eh, mor Bubulino” u shpall libri më i mirë i vitit 2006.
Deri tani, ka shkruar e publikuar rreth 35 libra, shumicën për fëmijë. Figurat e krijuara prej tij, si Bubulino, Dardi, Erlindi e tjerë, janë bërë shumë të dashur për fëmijët shqiptarë. Krijimtaria e tij është përkthyer edhe jashtë vendit, si psh në Suedi, kohët e fundit.
Por Vironi ka shkruar edhe disa libra të tjerë, që kanë tërhequr vëmendjen e lexuesve dhe të kritikës letrare. Ata janë: “Dëgjoma zemrën, Budapest!”, ‘Drithërima e yjeve”(shënimi nga emigrimi në Greqi), “Yje mbi Bosfor”(shënime nga Turqia) etj.
Pak kohë më parë, u publikua në Tiranë libri me përmbledhjen e shkrimeve të mbi 50 autorëve, kushtuar veprave të V.Konës, me titullin “Blerimi i një fushe me krijime të bukura”(përgatitur nga Ibrahim Hajdarmataj).
Viron Kona është në kulmin e krijimtarisë së tij. Kohët e fundit ka publikuar librat e bukur për fëmijë: “Kontrolli i befasishëm i një inspektori” dhe “Erlindi dhe papaglli i çuditshëm”. Së shpejti do të dalë para lexuesve të vegjël dhe me 2-3 libra të rinj.

1. Përshëndetje, i nderuar z. Viron Kona. Është hera e parë që takohemi e bisedojmë bashkë dhe, tani pikërisht në Tiranë, për një intervistë…Si e prisni këtë kërkesë time?

-Jam i gëzuar se po njihemi dhe shpreh emocionin e kënaqësinë time, që t`ua jap Juve këtë intervistë. Shpresoj t`ia vlejë.

2. Zakonisht, në raste të tilla intervistuesi pyet: Nga jeni dhe cili jeni ju? Kam lexuar një shkrim të kolegut e mikut tuaj, Prof. Murat Gecaj, i cili shkruan se: “Kur bisedon me Vironin, të thotë se është nga Vlora. Ndërsa, kur ai pi një ose dy gota raki, (kjo me shaka), tregon se origjinën e ka nga Berati. Pra, çfarë komenti mund të bëni për sa më sipër?

Me humor, do t`u përgjigjesha me shprehjen latine: “In vino veritas”(Në verë, e vërteta). Për t`iu përgjigjur saktë pyetjes suaj: Kam lindur në qytetin e Vlorës, më 24 qershor 1950. Jam i fundit i 6 fëmijëve. Babai im, Toli Kona punoi gjithë jetën si rrobaqepës, kurse nëna ishte shtëpiake. Me atë gjilpërë, prindërit e mi na rritën dhe na martuan të gjithëve, dy motra dhe katër vëllezër. Kurse origjina jonë, vendlindja e prindërve të mi, është kalaja e Beratit. Para pavarësisë, kur Shqipëria ishte ende nën sundimin osman, në fillimin e vitit 1900, gjyshi kryente detyrën e kryeplakut të kalasë, një detyrë kjo, atëherë e vështirë. Kjo sepse kalallinjtë ndesheshin përherë me pashain osman të Beratit, i cili duke shfrytëzuar këmbënguljen e tyre për të ruajtur fenë e krishterë, u rriste taksat vazhdimisht. Pas një konflikti të rëndë me pashain dhe kërcënimit, që ai i bëri, një mbrëmje të vitit 1906, sa mbërriti në shtëpi, gjyshi ndërroi jetë papritmas. Kështu, la në mjerim të plotë gruan dhe pesë fëmijë të vegjël, babanë tim dhe katër motra. Në ato kushte, ata u detyruan të linin vendlindjen dhe të shkonin të jetonin te disa të afërm, në Vlorë. Nga një familje fisnike, ranë menjëherë në varfëri të plotë, pasi gjyshi nuk arriti të tregonte as pronat dhe pasuritë e tij. Ndërkohë, të afërmit tanë në Berat, druanin të interesoheshin për këtë gjë, nga frika e pashait turk. Familja vijoi jetën në varfëri të skajshme. Iu deshën vite e vite jete të vështirë dhe pune, që babai të arrinte t`i martonte motrat e tij dhe, pastaj, të ndërtonte një shtëpi në lagjen Skelë të Vlorës dhe të martohej vetë. Edhe nëna ime, Antigoni, ishte po nga kalaja e Beratit.
Mbaj shumë pak mend nga origjina. Gjyshe Anën arrita ta njihja, por, kur ende nuk i kisha mbushur 6 vjeç, ajo ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare. Herë – herë, sjell në kujtesë zakonet e saj fisnike, të familjes dhe origjinës prej nga vinte. Nuk shkonte askund, nëse atë nuk vinte ta merrte karroca te porta e jashtme e shtëpisë…
Pra, origjina ime është kalaja e Beratit. Kurse motrat, vëllezërit dhe unë, lindëm, u rritëm, u arsimuam dhe krijuam familjet tona në Vlorë. Në Tiranë kam ardhur në vitin 1984. Kudo që shkoj, më mirë se askund, e ndiej veten në Vlorë. Por, po aq mirë, e ndiej veten, kur shkoj si vizitor edhe në qytetin historik 250- vjeçar të Beratit.

3. Kam parë shpesh në internet mendime të shprehura dhe komente për krijimet tuaja. Kryesisht, në letërsinë për fëmijë. Ndër ta, është edhe drejtori i Faqes së Internetit “Fjala e Lirë”-Londër, Fatmir Terziu. Pse jeni lidhur, pikërisht me këtë gjini kaq të dashur, si për fëmijët dhe prindërit e tyre, mësuesit e më tej? A keni ndonjë arsye apo krejt rastësisht jeni përkushtuar në këtë fushë të krijimit artistik?

-Jam i nderuar që më vlerësoni. Paraprakisht, dëshiroj t`u them se, nga rreth 30 libra, gjysmat i kam për fëmijë dhe gjysmat për të rritur. Angazhimi im në letërsinë për fëmijë motivohet me dashurinë time për fëmijët, respekti për botën e tyre të pafajshme dhe të çiltër, respekti për fëmijërinë time, të miqëve dhe shokëve, respekti për fëmijët e mi dhe nxënësit e vegjël e adoleshentë, të cilëve u kam dhënë mësim.
Të shkruarit, sigurisht që është pasion, vullnet, këmbëngulje dhe prirje. Mund të duash të bësh shumë gjëra në jetë. Por jo çdo gjë, që dëshiron, mund ta arrish ashtu siç do. Ai, që ka prirjen dhe ka edukuar te vetja dashurinë për sportin, bëhet një sportist i mirë, një tjetër shkencëtar ose artist, në fusha të artit e letërsisë etj. Unë kam pasur dëshirën dhe kam edukuar e ushqyer prirjen për t`u marrë, që në fillim, me letërsi dhe e ndoqa këtë dëshirë. I shërbeva asaj me këmbëngulje, si bujku bimës, që ajo të rritej e bukur dhe e shëndetshme.

4. Përse janë për ju personazhet më të dashur, në librat për fëmijë: Bubulino dhe Dardi, Erlindi dhe të tjerë ( më falni nëse kam harruar ndonjërin, të rëndësishëm) dhe si i keni krijuar ata?

Kam pasur një fëmijëri interesante. Kjo, edhe si pasojë e vendit me hapësira të gjëra, ku jetoja dhe luaja. Sapo ngrihesha në mëngjes, përpara meje shpalosej panorama e gjirit të Vlorës, mbushur me anije dhe vaporë. Më tej, ishte gadishulli i Karaburunit dhe ishulli i Sazanit; në njërin krah, pylli i plazhit të vjetër, kurse në shpinë kalaja e famshme e Kaninës. Për shkak të varfërisë, kam kaluar një fëmijëri disi të turbullt. Një fjalë e urtë thotë se: “Në ujin e pastër, nuk ka peshk”.
Fëmijëria nxit shkulma dhe hove shpirtërore, nxit ëndrra dhe pasione të bukura për jetën. Mund të them se fëmijëria ime ishte një shkak, që më motivoi jo pak në përfshirjen time në shkrimin e librave për fëmijë. Në atmosferën e kësaj dashurie, krijova Bubulinon, një fëmijë që dëshiron të bëjë gjëra interesante në këtë jetë, që jeta e tij të mos kalojë pa u ndjerë. Ai, do që të bëhet i pari njeri, i cili do të shkojë në planetin Mars. Por, nga ana tjetër, kur ai mëson se planeti ynë i kaltër, “Shtëpia e Njerëzimit” kërcënohet nga ngrohja globale, Bubulinoja kërkon të ndihmojë në shpëtimin e tij. Edhe Dardi ecën krah për krah me Bubulinon. Dardin e krijova, nisur nga emri i fisit ilir të dardanëve, Dardi – dardanët - Kosova. Ata, Bubulinoja dhe Dardi, së bashku, do t`i realizojnë ëndrrat e tyre, duke u dhënë krahë pasioneve dhe dëshirave, por edhe duke kapërcyer pengesa e vështirësi. Të dy këta personazhe kërkojnë të lënë gjurmë në shërbim të jetës, të dijes dhe shkencës, për ta bërë botën ku jetojmë gjithnjë e më të mirë.

5. Në listën e gjatë të librave tuaj janë edhe libra kushtuar vizitave, që keni bërë jashtë Shqipërisë. Çfarë mund t`u thoni lexuesve, ndonjë gjë interesante për to?

-Kam qenë në Turqi, drejtues i Ansambli Artistik të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe kemi marrë pjesë për një muaj në festivalet ndërkombëtare të Bursës dhe Stambollit, ndërkohë që kemi dhënë koncerte edhe në qytetet e Gemlikut, Izmitit, Kytahjas…Nëpërmjet koncerteve transmetonim ndjenjat dhe bukurinë e shpirtit të popullit tonë, por edhe merrnim nga dëgjuesit e komunikimet me popullin turk. Popujt e duan njëri - tjetrin. Ata nuk duan luftë, por paqe. Ne shkuam me këngë e valle në Turqi dhe me këngë e valle u kthyem. Shënimet dhe përshtypjet e mia u bënë lënda e parë për të shkruar romanin “Yje mbi Bosfor”.
Por kam shkuar edhe në Hungari (Budapest) për një operacion të rëndë të pankreasit dhe, kur u ktheva, shkrova librin e mirëpritur e falënderues: “Dëgjoma zemrën, Budapest!” Me sa kam informacion, janë të shumtë hungarezët, që i kanë dëgjuar dhe vazhdojnë t`i dëgjojnë “rrahjet” e ngrohta të zemrës sime, dashurinë time për ata njerëz, që më ridhanë jetën. U detyrova të shkoja refugjat në Greqi, si edhe shumë shqiptarë. Ndërsa, kur u ktheva, shkrova romanin “Drithërimat e yjeve”, i cili është botuar dhe po ribotohet përsëri.
Sa për gjërat interesante, për të cilat më pyesni, një shkrimtar e ka të vështirë t`i shprehi ato me fjalë, sepse interesante ose të mërzitshme, ato janë në librat që shkrimtari shkruan. I qendroj mendimit se letërsia, më shumë sesa mund të rrëfehet, ajo ndjehet, sepse ka të bëjë më shumë me botën e brendshme, përjetimet dhe shpirtin e njeriut. Si ajsbergu, që dy të tretat i mban të fshehura nën ujë. Kështu është dhe letërsia. Të rëndësishmet dhe interesantet e tij, nëse ekzistojnë, “fshihen” ose shkrihen brenda faqeve të librit…

6. Ju jeni ende në punë të shtetit, pra shërbeni në dikasterin kryesor të arsimit. Si e gjeni kohën për të krijuar dhe kur shkruani? A ka ndonjë veçori puna juaj?

-Ngrihem rreth orës 3.00, çdo mëngjes dhe nisi të shkruaj. Shkruaj për ato gjëra, që kanë zënë vend në kujtesën time. Thuajse çdo ditë, ato trokasin në mendjen time, më zgjojnë dhe sikur më urdhërojnë: “Shkruaj!” Nuk e kam problem që ta lë një punë në mes dhe të nisë një tjetër, që më ngacmon më shumë. Kur të vjen një mendim interesant, nuk mund t`i thuash: “Prit tani, se e kam një punë në dorë; të mbaroj këtë pastaj të filloj me ty”. Sepse, po veprove kështu, kur vjen koha, atë mendim ose ide të bukur e ke harruar, ajo të është fshirë nga kujtesa, mbetet vetëm si një thëngjill i shuar, pa zjarr. Sigurisht që lexoj, ndjek lajmet, rri me shokë e miq, ku më shumë dëgjoj, sesa flas.
Veçori krijuese? Kur je i mbushur, kur ke frymëzimin e duhur, ulu dhe shkruaj. Vetëm atëherë mund të thuash diçka ndryshe dhe që të ketë vlerë. Nganjëherë, shkruan me pasion edhe gjëra të rëndomta dhe, sigurisht, fati i tyre dihet, sepse ato nuk ngacmojnë dhe nuk prekin njeri. Jo çdo gjë, që shkëlqen, është flori. Por, ama, po qëlloi “flori”, atëherë ruaje dhe përpunoje; me të mund të bësh mrekulli.

7. Në jetëshkrimin tuaj, kam lexuar se keni mjaft vite pune. Cilët do të veçonit nga ato?

-Kam gjithë jetën që punoj dhe studioj, lexoj dhe shkruaj. Vitet, që do të veçoja? Të gjitha vitet e çdo njeriu janë të rëndësishme, sepse janë pjesë e pandarë e jetës së tij. Po t`i veçoja, do më dukej sikur ia heq trupit tim, shpirtit tim, botës sime shpirtërore. Ato përbëjnë një tërësi, janë jeta dhe bota ime dhe unë nuk mund të veçoj dot asgjë nga ajo. Ndryshe, nuk do të isha unë. Do të isha një manekin ose i veshur me një kostum me arna, i shartuar, i pjesshëm, i gjymtuar. Sigurisht, dhe jo i besueshëm.
Vitet e mia kanë edhe mundimet, kanë edhe sakrificat, edhe bukuritë, edhe kohë të turbullta. Po të mos vuaja në Greqi, në emigracion, nuk do të arrija të shkruaja romanin tim më të dashur, “Drithërimat e yjeve”. Po të mos vuaja në Budapest shëndetësisht, nuk do ta kisha shkruar romanin “Dëgjoma zemrën, Budapest!”. Po të mos …Pra, e tërë jeta, sido që të ishte, për një shkrimtar është e gjitha e rëndësishme. Në mendjen time kanë zënë vend edhe koha punëtor në uzinë, edhe shkolla e universiteti, edhe punët në administratën e lartë shtetërore, edhe mësues në fshatrat e thella, edhe vajtja ushtar, edhe shkuarja refugjat, edhe shitja e sendeve të vjetra së bashku me njerëzit me ngjyrë, edhe.. Mund të them që, në këtë botë, thuajse i kam provuar të gjitha. Kam lundruar edhe me nëndetëse, por kam fluturuar me disa tipa aeroplanësh. Kam punuar në shkallët e larta të administratës së shtetit, por kam qenë edhe në rolin e një shitësi ambulant. Kam qenë edhe mësues fshati, por edhe drejtues i gjimnazeve më të mëdha dhe më me emër të kryeqytetit. Pra, gjithçka ka rëndësi, gjithçka. Çështja është që njeriu të mos shpenzojë kot asnjë minutë nga kjo jetë, por edhe të pavlefshmen ta kthejë në të vlefshme.

8. Përveç shkrimtar i njohur, jeni edhe publicist. Kur e nisët këtë punë kaq të bukur dhe çfarë kujtoni prej saj?

-Kam shkruar që në moshën e fëmijërisë, kur isha në klasën e pestë të shkollës fillore. Sigurisht, ndonjë vjershë ose skicë letrare. Më pas shkrova tregime. Por shkrova edhe shkrime problemore e reportazhe. Kam mjaft prej tyre. Më të shumtat e shkrimeve publicistikë, i kam shkruar, kur punova redaktor i gazetës “Mësuesi”, organi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. I kam përmbledhur, i kam seleksionuar dhe dua t`i publikoj në një libër. Por, kur t`u gjej kohën, sepse ato duan shpenzime për t`u botuar. Gjithësesi, një ditë do të ripublikohen dhe shpresoj se do të pëlqehen.
Kënaqësinë më të madhe e kam ndjerë pas botimit të shkrimit “Kaltërsitë e Valbonës”, një reportazh rreth dy faqe për Tropojën dhe tropojanët. Pata shumë telefonata për atë shkrim. Njerëzve u bënte përshtypje se, unë qytetari nga Vlora, (apo nga Berati), flisja për cilësitë e shpirtit njerëzor tropojan, bukuritë fizike, historike e gjeografike të atij vendi përrallor. Ndërkohë, që kishte edhe kolegë gazetarë, që publikonin e lakonin herë pas here vrasjet dhe krimet, që bëheshin në këtë krahinë të bukur të vendit. Si të thuash, u bënin jehonë dhe u binin trumbetave të hakmarrjes e larjes së hesapeve. Por atje, në Tropojë, në qytetin “Bajram Curri”, unë njoha shpirtin e bukur dhe të mrekullueshëm njerëzor; pashë nga afër kaltërsinë, vezullimet dhe dëlirësinë e atij shpirti, njoha vlerat dhe virtytet dhe, prandaj, për ato shkrova. Shkrova për mikpritjen, për dashurinë vëllazërore mes njerëzve, për paqen dhe mirëkuptimin, për zakonet, traditat e bukura dhe të rralla, për legjendat dhe Ciklin e Kreshnikëve; për bukuritë dhe mrekullitë natyrore, që thureshin dhe harmonizoheshin natyrshëm me shpirtin e atij populli.

9. A ju ka penguar apo ndikuar jeta familjare, në fushën e krijimit artistik dhe të publicistikës?

Kam një familje të vogël dhe të mrekullueshme. Gruan, Liljanën, që më ka qendruar gjithnjë pranë, me dinjitet dhe dashuri. Kam djalin, Tolinin, të qetë, studiues dhe të dashur; tashmë, së bashku me gruan e tij Anisën, që e duam dhe e respektojmë të gjithë në familje. Kam vajzën, Amantien, që, së bashku me time shoqe dhe të gjithë, e duam shumë, pafundësisht. Kam qenë i privilegjuar me këtë familje të vogël, të bukur dhe nxitëse edhe për krijimtarinë time. Janë mësuar me mua, me “tekat” e mia krijuese dhe më krijojnë kushte, që të punoj dhe të shkruaj i qetë. Pra, jam me fat.

10. Ka disa njerëz që vlonjatët i cilësojnë si “mburravecë”,” të ashpër”. Çfarë mendimi keni për vetëmburrjen?

-Natyrisht që vetëmburrja nuk pëlqehet nga askush dhe ai, që vetëmburret qoftë edhe në një bisedë të thjeshtë, dëgjohet me mërzi dhe, tjetri, mezi pret që të largohet sa më shpejt nga ai mjedis se, gjoja, ka një punë të ngutshme. Nuk e respekton askush, njeriun që mburret dhe vetëmburret. Fatkeqësisht, ajo ekziston te njerëz të veçantë. Por jo te një popull. Aspak. Mbase, ky opinion për Vlorën lidhet edhe me disa fakte të historisë sonë kombëtare, si viti 1912, viti 1920 etj. Por, në të vërtetë, nuk mendoj se vlonjatët mburren ndryshe nga të tjerët. Kam dëgjuar njerëz, që vetëmburren dhe që nuk janë vlonjatë.
Mbase, e kishit fjalën më shumë për “ashpërsinë”, në dukje, vlonjate? Këtu, më lejoni t`u bëj një koment të shkurtër. Labëria, ose, sikurse edhe malësia e Shqipërisë, në përgjithësi, qoftë në Jug apo në Veri, në Lindje ose Perëndim, përgjithësisht kanë qenë fshatarë të lirë. Pushtuesit nuk kanë arritur gjithnjë gjer lart në male. Veç kësaj, shqiptarët nuk e kanë duruar, as sundimin e huaj dhe as “sundimin” e tjetrit. Pra, kanë dashur të jenë zot edhe me dhjetë kokë bagëti, edhe me njëqind, edhe me një mijë kokë. Edhe me një hektar tokë, edhe me dhjetë hektarë, edhe me njëqind hektarë. Kanë ruajtur krenarinë dhe kanë reaguar, kur të tjerët kanë dashur t`u imponohen. E kujt i pëlqen që tjetri ta zërë nën vete dhe t`i marrë frymën? Kurse unë, me humor kur më pyesin, pak a shumë sikurse pyetët ju, u përgjigjem:“E çfarë të keqe ka arra, pse e ka lëvozhgën të fortë”. Arrën e duam dhe e dëshirojmë të gjithë, sidomos kur gatuajmë ëmbëlsirat e festës së Vitit të Ri.

11. Keni punuar në fusha të ndryshme te jetës, ndër to edhe me rininë. Çfarë mbani mend diçka të bukur, nga ritmet e punës rinore dhe fryma e optimizmit, që ajo shfaqë në punë e në jetë?

-Rinia, natyrisht, është mosha më shpërthyese, kur nisin e bulëzojnë ëndrrat dhe dëshirat më të mëdha të njeriut. Kur e sheh një majë të lartë mali, mendon se mund të ngjitesh shpejt atje. Por, kur nis të ngjitesh, shikon se nuk është e lehtë. Kërkohet vullnet e këmbëngulje, kërkohet edhe përgatitje fizike; por kërkohet edhe një trup i shëndoshë, që të përballojë vështirësitë e ngjitjes dhe atmosferën e malit…Kush hedh themele të forta në rini, i ka mundësitë më të shumta për të ecur në jetë dhe për të realizuar pikësynimet e veta. Sigurisht që realizimi i pasioneve dhe ëndrrave të rinisë kërkon shumë mund dhe punë, kërkon edhe të privosh veten nga qejfet dhe shpërthimet adoleshente. Apo qoftë edhe nga veset, që i afrohen moshës dhe që duhet të jesh i vendosur e me karakter të fortë t`i mbash larg.
Ne kemi pasur një rini pune. Kemi punuar shumë. Kemi edhe dëshpërimet për gjëra të veçanta, por kemi edhe kënaqësitë. Kemi ngritur tarraca me limonë, portokaj, mandarina dhe e kemi zbukuruar vendin tonë. Por, edhe kemi ngritur hekurudha, kemi hapur tunele, kemi ngritur ura dhe viadukte, kemi shtruar qindra kilometra trase. Ndërsa, pas punës së lodhëshme, gjenim edhe kohën që, deri në mesnatë, ta kalonim duke vallëzuar e dëfryer. Mbaj mend, atëherë, kur bënim mbrëmje, fizarmonicisti që kishim, dinte t`i binte vetëm këngës “Se ç`po bien tri dajre, moj nëne…!” Por kjo nuk i prishi punë askujt nga ne të rinjtë, që të ngriheshim dhe të vallëzonim me orë të tëra, vetëm nën ritmin e asaj kënge. Madje, ashtu kaloi mbrëmja, ashtu kaluan java dhe muaji dhe, nga salla jonë e kulturës, dëgjoheshin vetëm tingujt e këngës: “Seç po bien tri dajre, moj nëne, të tria njëlloj…!”
Në rini marrin formë dhe konfigurohen dëshirat dhe ëndrrat. Kush tregohet i vendosur, i arrin ato; ndërsa shumë të tjerët i lënë pas dore, i harrojnë. Mirë është që atë, që nis dhe e dëshiron, ta shpiesh gjer në fund, paçka se, kur arrin një majë mali, shikon se janë edhe ca maja të tjera përpara, që edhe ato duhen kaluar. Kur kalon një dallgë, shikon se të tjera dallgë vijnë pas saj dhe ato duhen kaluar. Kjo është vetë jeta. Sot mendon se, po të mbarosh këtë punë ose detyrë, e përfundove misionin dhe nesër do të jesh i qetë. Por, të nesërmen, jeta të shtron ca gjëra shumë më të mëdha, më të ndërlikuara. Ajo nuk është shesh me lule, por nuk është edhe fushë me gjemba. Mjafton të ecësh me vendosmëri dhe besim, se diku do të dalësh. Edhe rruga më e gjatë, ka hapat e parë…

12. Sigurisht, gjatë detyrave, që keni kryer dhe për arsye të njohjes së krahinave të vendit tonë, për krijimet e mëvonshme keni vizituar qytete e rrethe të ndryshme. Çfarë kujtoni prej tyre dhe sa kanë ndikuar ato në hartimin e librave letrarë.

-Mund të them se Shqipërinë, vendin e tim e njoh mirë. Por, sa herë që shkoj diku, kuptoj se njohjet janë gjithnjë sipërfaqësore. Kjo për faktin se njohjet nuk mund të jenë të plota vetëm se ke shkelur vendin ose disa zona të tij, ose qëe ke njohur disa njerëz, sikurse mund të kesh lexuar edhe disa libra rreth qytetit e krahinës, që viziton. Gjithësesi, edhe kjo njohje, që kam arritur të realizoj, më ka ndihmuar shumë në krijimtarinë time letrare. Mjafton të përmend se, në stilin tim është zakoni që, para se të filloj ta shkruaj librin, e shkeli vendin, ku do të përshkruaj ngjarjet, krijoj në kokën time “skenografinë” e teatrit të ngjarjeve, me përshkrimin e tyre, por edhe me detaje, atje ku mundem. Për shembull, kur kam shkruar librin “Dardi në Gadishullin e vetëtimave”, i kam rënë përqark me anije gadishullit të Karaburunit, kam ndaluar dhe kam qendruar disa orë, në disa gjire të tij, si Gjirin e Gramës, Gjirin e Shën Janit, Kepin e Gjuhëzës etj. Sikurse, kam lexuar se ç`thonë autorët antikë për Karaburunin, i cili dikur quhej Akrokeraune, që do të thotë “Malet e vetëtimave”, kurse ishin turqit, që ia ndryshuan emrin, duke e quajtur Karaburun, që në turqisht do të thotë “Hundë e zezë”. Gjithashtu, për këtë zonë, kam lexuar historianët e lashtë. Virgjili, tek “Eneida”, thotë se Eneu u nis nga Keraunet për të shkuar në Itali. Cezari zbarkoi në pjesën jugore të gadishullit, në Paleste (Palasë) dhe, duke udhëhequr ushtrinë sipër malit të Llogorasë, i ra në shpinë garnizonit të Pompeut, që mbante të pushtuar Orikun. Gjithashtu, duke kërkuar, kam mësuar se, në zonën e Llogorasë, ka edhe sot toponime me emrat “Sheshi i Çezarit”, “Çezma e Cezarit” etj. Por, po aty është edhe Shkëmbi i Rugjinjës, princeshës - heroinë të Kaninës, e cila, kur u detyrua të largohej për shkak të pushtimit turk, në Himarë, ajo e ngarkoi anijen me dhe` nga Shqipëria, që, kur të vdiste, atje në Korfuz, të mbulohej me dheun e vendit të saj. Sikurse, aty në Orikum, te qyteti i lashtë i Orikut, pranë tij, te kisha e Marmiroit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, vuri kurorë me Donikën, bijën e Aranitit të Kaninës…
Pra, për të shkruar një libër dhe për ta bërë atë interesant, doemos, duhet të formosh njohje të plota të vendit ose krahinës, për të cilën shkruan. Kështu kam vepruar thuajse me çdo libër. M`u desh që të shkoja posaçërisht në Gurin e Bardhë të Matit, në Petralbë (kalaja e Skënderbeut), ku zhvilloja ngjarjet e librit “Një udhëtim i çuditshëm!” Por, po ashtu, shkova edhe në Bulqizë dhe pashë nga afër vendet, ku Skënderbeu zhvilloi dy betejat e famshme të Vajkalit. Vizitova edhe në Lurën e Radomirën, për të “eksploruar” nga afër vendngjarjet e librit “Të fshehtat e një mrekullie” e kështu me radhë. Nuk mund të shkruash një libër, pa njohur mjedisin, ku do t`i zhvillosh ngjarjet e librit, pa njohur njerëzit, karakteret dhe temperamentet, pa njohur historinë dhe gjeografinë e atij vendi, faunën, florën dhe plotë detaje të tjerë…

13. Si e vlerësoni ndikimin e traditave atdhetare, kulturore, letrare etj., në krijimtarinë tuaj?

-Si çdo popull në botë, edhe ne shqiptarët kemi origjinalitetin tonë, në të gjitha fushat e jetës. Pavarësisht afër 20 pushtimeve të huaja, disa qindravjeçare, përsëri populli yne ruan tradita të bukura dhe mbresëlënëse, që jo vetëm ne, por edhe popujve të tjerë, u bëjnë mjaft përshtypje. Tradita të tilla, që bien më shumë në sy, si mikpritja, fjala e mbajtur, lidhja e besës me mikun, amanetin që nuk e tret as dheu, por edhe tradita, si: atdhedashuria, ndershmëria, zemërgjerësia dhe trimëria për t`u sakrifikuar për atdheun etj., janë vlera të një populli, që në mënyra të ndryshme shqiptarët i kanë manifestuar. Fjala vjen, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u bë mur mbrojtës që nuk lejoji vërshimin osman drejt Europës, Nënë Tereza arriti të bëhej figura- simbol e humanizmit njerëzor, duke u cilësuar “Nëna e madhe e popujve të botës”. Në vitin 1999, populli shqiptar priti mbi 500 mijë vëllezër nga Kosova, duke i strehuar dhe duke befasuar botën me këtë akt të gjerë njerëzor. Këto janë madhore, por ka dhe shumë të tjera ngjarje domethënëse, që tregojnë se çfarë traditash të mrekullueshme ruan në shpirtin e tij ky popull mikritës, trim e liridashës.
Traditat tona shtrihen edhe në etnografi, në veshjet e bukura dhe befasuese. Ruhen deri në ditët tona simbole të besimeve pagane, si “Dita e Verës”, “Festa e Rrushit”, nderohet figura e Diellit, figura zogjësh dhe veçanërisht shqiponja - simbol i trimërisë, forcës e shkathtësisë; trëndafili - simbol i dashurisë; sikurse, muzika jonë popullore, qoftë ajo me iso labe, ashtu edhe ajo e Veriut të Shqipërisë, befasojnë botën me origjinalitetin e tyre të papërsëritshëm. Madje edhe muzika dhe këngët, që shoqëronin “dionisët” e Greqisë së lashtë, që antikiteti grek i quan thjeshtë muzikë greke, ato shoqëroheshin me këngë me iso, të ngjashme me ison labe. Kjo gjë tregon se popujt, atëherë, kanë marrë dhe kanë dhënë shumë me njëri-tjetrin. Shqipëria është ende e virgjër në zbulimin e vlerave arkeologjike, ku në çdo pëllëmbë po të rrëmosh, zbulon një monument kulture. “Këtë vend, - thoshte arkeologu i madh francez, Leon Rei, - e ka bekuar Zoti”. Edhe tradita letrare nuk ka pak Shqipëria. Ne njohim si shkrim të parë në shqip “Formulën e pagëzimit” të Pal Engjëllit ose “Mesharin” e Gjon Buzukut. Por sa shkrime dhe histori të tjera të pazbuluara ndodhen nën rrënojat e trevës shqiptare. Në Durrës është një Gji i mrekullueshëm, që detarët dhe populli i thonë “Gjiri i Shën Pjetrit” ose “Gjiri i Lalëzit”, por atij Gjiri, nga më të bukurit në Adriatik, ku edhe mbretëreshë Teuta strehohej me flotën e saj, i mbeti emri “Gjiri i Shën Pjetrit”. Kjo, sepse, prej aty Shën Pjetri u hodh në Itali për të përhapur krishtërimin. Kur Perandori i Bizantit, Kostandini “i shenjti” (thuhet se është me origjinë shqiptare) ligjëroi në Romë Krishtërimin, ai urdhëroi që aty, ku ishte varur Shën Pjetri, të ngrihej Kathedralja madhështore e Shën Pjetrit.
Sa më shumë të kërkojmë, do të evidentojmë vlera pa fund të këtij populli të vogël, por me histori të mëdha e befasuese. Sjellim në kujtesë që edhe Ajnshtajni, kur u largua nga Gjermania, kaloi përmes Shqipërisë. Ndërkohë që populli ynë, në Luftën e Dytë Botërore, nuk ka asnjë rast spiunimi, qoftë edhe të një çifuti të vetëm, që fashistët hitlerianë kërkonin t`i zhduknin si komb.
Në librat e mi, si ato për të rritur dhe, sidomos ata për fëmijë, këto e të tjera, i gjen të shprehura artistikisht. Ato kanë efektin e tyre edukativ te fëmijët tanë, që duhet ta mësojnë historinë dhe traditën e vendit të tyre.

14. Shkruani e shkruani, botoni libra pandërprerë. A ju lodh kjo gjë a po e ndjeni si kërkesë tuajën shpirtërore, që shkruani pa pushim. Sa e si janë vlerësuar librat, që keni botuar?

-Të shkruarit më është kthyer në një kërkesë time të brendshme dhe nuk mund të rri pa shkruar, sidomos kur në kokë më ziejnë pareshtur mendime, ide dhe një shpërthim i imagjinatës krijuese. Kjo periudhë nuk duhet lënë të shkojë kot, aq më tepër kur mendoj çdo çast se, sapo i mbusha 60 vjeç dhe ndiej ende shumë detyrime ndaj letërsisë. Shoh si plotësisht të vërtetë se ajo punë, që bën me shpirt e përkushtim, jo vetëm nuk të lodh, por të jep kënaqësi. Dhe, këtë kënaqësi më shumë se kudo, e gjej në bashkëbisedimet me lexuesit e mi, qofshin të rritur, por veçanërisht ata të vegjël, që shprehen lirshëm, çiltër dhe ashtu siç i ndiejnë dhe i mendojnë gjërat. Dhe, më vjen mirë ta them, se ata më duan dhe më kërkojnë. Janë ata, që për vlerësimet e bëra, janë pyetur dhe u është marrë mendim nga komisione të ndryshme letrare të afta, deri edhe nga UNICEF-i.

15. Shkrimtari e publicisti kanë botë të pasur shpirtërore, që e shprehin edhe përmes krijimeve të tyre. Desha të di, cilat kanë zënë vend te ju: dashuria apo urrejtja, mirëkuptimi apo arroganca, dashamirësia apo zemërngushtësia?

-Pa një botë të pasur shpirtërore, askush nuk mund të shkruaj dot, as shkrimtari dhe as publicisti. Sepse është bota e brendshme shpirtërore ajo, që i jep jetë dhe gjallëri shkrimeve, u jep shpirt dhe zemër personazheve, i bën që t`u vlojë gjaku ndër deje; përndryshe, ata do të ngjasonin me gjethet e zverdhura të vjeshtës. Ndjenjat, që ju përmendni, te një shkrimtar janë të shkrira në portretizimin e tipave dhe karaktereve, që ai ka në një vepër letrare. Janë personazhet të vërtetë, nëse pasqyrojnë edhe ndjenja të vërteta, si fjala vjen ndjenja të dashurisë ose të urrejtjes, të mirëkuptimit ose të arrogancës, dashamirësisë ose zemërngushtësisë etj. Por, nëse shkrimtari nuk do ta njihte mirë personazhin ose edhe ndjenjat, që përbëjnë disa anë të rëndësishme të karakterit të personazhit, pra, përmbajtjen e tij, atëherë shkrimtari nuk do ta bënte dot veprën të vërtetë dhe të besueshme. Një personazh, që karakterizohet nga dashuria, ai natyrisht ka të tjera karakteristika, nga ai që karakterizohet nga urrejtja. Ai është i ngrohtë, i ndjeshëm, i ëmbël në meditimet, monologët ose dialogët e tij, i matur dhe i kujdesshëm. Edhe kur vë në dukje një të metë të bashkëbiseduesit, di ta shprehë atë me një gjuhë që nuk thumbon, por luan rolin e ilaçit që është vërtetë i hidhur, por të shëron. Në këto çaste, s`di pse po më vijnë ndërmend vargjet e persianit të madh, Saadiut:
“Botës foli ëmbël, mos i fol me thumb,
Atë që do paqen, mos e prit me plumb!”
Kurse, nëse bëhet fjalë për mua personalisht, se cilat janë disa nga ndjenjat, që shfaqi dhe pasqyroj në jetën, sjelljen dhe veprimet e mia, mund të them se ato, dua ose nuk dua, shfaqen edhe te krijimtaria ime. Siç kanë vënë në dukje lexuesit ose edhe studiues e kritika letrare, personazhet e mi përshkruhen nga ndjenja e dashurisë për njeriun, si një qenje e rrallë e natyrës, nga dëshira për ta bërë njeriun gjithnjë e më të mirë, më paqësor, më të dashur, më të kompletuar e të ditur, më të afërt me njerëzit dhe botën, njeri që të afrohet dhe jo të largohet nga lloji i tij. Ndërkohë, që këta personazhe përhapin gjithnjë mesazhin e dashurisë ndër njerëzit, por edhe ndaj çdo gjallese të këtij rruzulli tokësor.
Për botën, ku ne jetojmë, unë përdor shpesh emërtimin “Shtëpia e njerëzimit”, pra secili ka të drejtën të jetojë në këtë rruzull, në këtë atmosferë, në këto pasuri dhe bukuri natyrore, por edhe në këto vështirësi, që, edhe ato, t`i përballojmë së bashku, t`i jetojmë së bashku në paqe dhe harmoni të përhershme, pa luftëra, grindje, mëri e qejfmbetje. Natyrisht, deti ka edhe dallgë, natyra ka edhe erëra të forta, uragane, ka edhe tërmete dhe vullkane dhe njeriu nuk mund të jetë jashtë tyre. Madje, siç ka natyra stinët, ashtu dhe njeriu shfaq anë të karakterit të tij, në çaste dhe rrethana të ndryshme, ai nuk mund të shkëputet prej natyrës e mjedisit, ku vepron dhe jeton jetën, ai është pjesë e saj.

16. Gjatë kësaj interviste, mësova se keni publikuar mjaft libra. Po tani, çfarë po shkruani apo është “sekret” i juaji i krijimit, para publikimit?

-Gjithnjë jam duke shkruar. Intervista me ju ishte një “intermexo” e këndshme. Sapo përfundova librin për fëmijë “Erlindi dhe papagalli i çuditshëm”. Mendoj ta vazhdoj si cikël, këtë marrëdhënje të re të një fëmije, me shpendët dhe kafshët. Sinjalet e para të lexuesve janë nxitëse, kështu që po e skicoj në kokën time vazhdimin e këtij cikli. Aktualisht, jam duke përfunduar një vëllim me tregime dhe novela, të titulluar “Këpucët e mëdha”. Ndërkohë, vazhdoj punën me një roman për periudhën e tranzicionit, për të cilin kam disa vite që punoj; sikurse po pres edhe dy - tre muaj, që të lundroj me traget posaçërisht për në Tropojë e të shkoj në Valbonë dhe në vendet e bukura e të rralla, të asaj treve të mrekullueshme. Personazhet e mi të dashur, Bubulinoja, Dardi dhe ekspedita e tyre, kanë marrë rrugën drejt Tropojës. Këtu, më ngacmon jorrallë edhe miku im Murat Gecaj, i cili do të jetë edhe redaktor i këtij libri, që mban numrin “i dymbëdhjeti”, në serinë e librave, që kanë për personazhe Bubulinon dhe Dardin. Sigurisht që kam, thuajse gati për botim, edhe libra të tjerë...

17. Është e natyrshme se, para se të jesh një zyrtar, veprimtar shoqëror ose krijues etj., lipset ta ndjesh veten prind e bashkëshort i përkushtuar. Pra, si e keni ndërthurur punën e veprimtarinë, me detyrimin tuaj si kryefamiljar?

-Pak më parë, ju thashë se jam me fat, pasi familja më kupton dhe më krijon mjedis të ngrohtë krijues, si bashkëshortja ime shumë e dashur Liljana, ashtu dhe djali Tolini, me nuse Anisën, por edhe Amantia, vajza ime, që tregohet gjithnjë e interesuar të dijë se çfarë po shkruaj. Të gjithë kujdesen për krijimtarinë time. Po unë? Sigurisht që, me mendje dhe zemër, i falënderoj shumë që ata më gjenden pranë. Por edhe përpiqem që t`i ndihmoj ata, t`ua lehtësojë edhe unë atyre problemet, hallet, vështirësitë, sikurse të jem pjesë e kënaqësive dhe gëzimeve të tyre. Kjo sepse, tek e fundit, jam kryefamiljari dhe, në radhë të parë, më duhet që të siguroj të ardhurat financiare për të jetuar. Jetojmë ca me vështirësi, por them se, me kohë, gjërat do të vijnë duke u rregulluar më mirë. Së bashku me time shoqe, Liljanën kemi 33 vjet, që pimë një kafe në mëngjes dhe një pasdite. Këtë zakon, e ruajmë si të shenjtë. Nëse ne, një ditë nuk do ta pimë kafen, diçka ka ndodhur. Por, ne, e kemi pirë kafen çdo ditë dhe, gjithçka në marrëdhënjen dhe komunikimin tonë bashkëshortor, ka shkuar si jo më mirë.
Nga ana tjetër, sa herë që kam ditë pushimi, të shtunë dhe të diel, propozoj një shëtitje, një pirje kafeje jashtë në lokal ose, me raste, edhe diçka më shumë, një drekë ose darkë. Nuk ka ndodhur që unë t`i them ndonjëherë: “jo!” një dëshire, që e lexoj te sytë e sime shoqeje për të dalë për një shëtitje, për të shkuar diku ose edhe për një shpenzim të veçantë. Gjithnjë me mundësitë tona, përpiqem t`i plotësoj kërkesat modeste të familjes sonë të vogël, por të bukur. Ndihem keq, kur shoh se ua prishi gjumin kur ngrihem herët në mëngjes dhe shkruaj. Por, ata e dinë, se aty, në atë ngritje errët, është edhe pasioni im, por edhe përpjekja për mbijetesë. Kështu që të gjithë jemi të ndërgjegjshëm edhe për këtë pagjumësi. Mund të them, pa i zbukuruar, gjërat se ne vërtet jemi një familje modeste. Por, për secilin prej nesh dhe të gjithë bashkë, familja jonë përfaqëson “mbretërinë” më të bukur në botë, që askush nga ne nuk do të donte ta ndërronte.

18. Po shoqëria e miqësia me kolegë, miq e dashamirë, çfarë vendi dhe roli luajnë në jetën tuaj të përditshme?

-Pa shokë e miq, jeta do të ishte shumë e zbrazur. Mendoj se kam jo pak shokë e miq të mirë, që më duan dhe më respektojnë, sikurse edhe unë i nderoj në jetën dhe në punën e tyre. Pavarësisht problemeve, që ne kemi, përsëri herë – herë e gjejmë edhe kohën të rrimë pak kohë bashkë, të pimë një kafe ose dhe një gotë raki, ku shprehim mendimet, ndjenjat e sinqerta e vëllazërore dhe përpiqemi të marrim pjesë në gëzimet ose hallet e gjithësecilit. Natyrisht, gjithnjë janë dy ose tre nga shokët tanë, që janë më aktivë dhe më të shkathët për të organizuar këto takime të shumëpritura. E them me sinqeritet, se ndiej kënaqësi të veçantë, kur dëgjoj në telefon zërin e Muratit, Franit, Lulëzimit, Bardhylit, Skënderit, Gjovalinit, Pajtimit, Gëzimit, Sejdos, Zyhdiut, Nuriut, Kadriut, Agimit, Ibrahimit, Bashkimit, ose kur lexoj e-mail – et e Sokol Demakut nga Suedia, Fatmir Terziut nga Londra, Sulejman Dërmakut nga Prishtina dhe shumë shokëve e miqve të tjerë krijues, me të cilët kalojmë çaste me të vërtetë të këndshme miqësie dhe shoqërie të sinqertë.
Por, ato takime janë edhe lajmërime për librat e rinj, që shkruajmë ose botojmë, janë këmbime mendimesh dhe opinionesh të mirëpritura nga të gjithë ne. E duam dhe e respektojmë njëri - tjetrin. Qeshim me gjithë shpirt me humorin e Skënder Haskos dhe bashkëbisedimet e tij të këndshme, “hidh e prit” me Bardhyl Xhamën - për shoqërinë e të cilëve do të thosha se është më e rralla në botë. Por, dëgjojmë me respekt si mendimet, ashtu dhe humorin, ngjarjet dhe episodet interesante të Muratit; ndërhyrjet e kujdesshme në bisedë të Sejdos, gazetari i palodhur dhe dashurues i letërsisë.
Çështja është se, që të kesh miq, duhet të jesh edhe vet mik. Unë, si tip vij disi më i mbyllur. Por shokët, që ma njohin shpirtin, më zgjojnë nga ëndrrat dhe më thërresin, si të më thonë: “Hej, vlonjat! Kemi lënë një kafe pa pirë, një bisedë pa bërë, një përurim libri, ku duhet të shkojmë…”. Është lumturi, kur ke shokë të mirë dhe të dashur dhe, në këtë pikë, fati më ka ndjekur. E falënderoj fatin, por në radhë të parë, miqtë e mi krijues, shkrimtarë e publicistë të talentuar.

19. Keni qenë në disa shtete, për arsye të ndryshme. Cilin vend tjetër do të kishit dëshirë të vizitoni dhe përse?

-Kam një ftesë për në Suedi, pasi atje të mbarojë përkthimi në suedisht i librit tim për fëmijë, “Eh, more Bubulino!”, libër i përzgjedhur nga UNICEF- i, si libri më i mirë për vitin 2006. Kjo është një kënaqësi e veçantë për mua. Por shpresoj të kem edhe një ftesë për në Londër, nga kryeredaktori i Revistës online “Fjala e lirë”, z. Fatmir Terziu.
Ku dëshiroj unë të shkojë? Eh, sikur! Do të dëshiroja të shikoja në sa më shumë shtete të rruzullit tokësor; do të doja të shkoja në SHBA, në Francë, në Spanjë, në Egjipt, në Indi, në Gjermani, në Australi…në të gjitha vendet dua të shkoj. Por…mundësitë ekonomike nuk i kam. Më ka mbetur në dorë vetëm “biometrikja”. Për një gjë siguroj se, kudo ku do të mund të shkoja, do të shkruaja nga një libër.

20. Pyetja ime e fundit, që ua kam bërë edhe kolegëve të tjerë është: A ju mbetet ndonjë tjetër “peng”, për ta shtuar në këtë intervistë tonën?

-“Pengje” kam. Por, mendoj se shkrimtarët, më shumë sesa të flasin, duhet të shkruajnë. “Pengjet” e tjera të mia, do të vijnë pas kësaj interviste, nëpërmjet botimeve të librave të rinj. Ju falënderoj shumë zonja Monda dhe u jam mirënjohës, që më vlerësuat, duke m`u drejtuar me këto pyetje!

-Ishte kënaqësi, që u njoha me disa aspekte të jetës dhe të punës suaj të frytshme, në shërbim të arsimit, letërsisë e kulturës shqiptare. Pra, nga zemra ju uroj t`i çoni sa më përpara arritjet tuaja dhe të krijoni vepra cilësore e sasiore!

Intervistoi: Raimonda Moisiu
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi