Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Plehrat e historisë dhe plehrat e politikës

Shko poshtë

Plehrat e historisë dhe plehrat e politikës Empty Plehrat e historisë dhe plehrat e politikës

Mesazh nga MEDALIM Mon Mar 16, 2009 7:22 pm

Plehrat e historisë dhe plehrat e politikës
Shkruan: Uran BUTKA
Në vitet 1992-1997 kemi qenë bashkë me Majkon deputetë në parlament. Atëherë ai ishte i ri dhe, ndonëse shfaqte mendësi enveriste dhe mangësi të frikshme informacioni, me të cilat kam replikuar në media, mendoja që koha do ta ndihmonte që ndreqej dhe të kuptonte disa të vërteta njerëzore dhe historike, që tashmë i njohin edhe fëmijët e 8-vjeçares.Mirëpo, nuk ndodhi kështu. Metamorfoza, një proces i natyrshëm, ndodh edhe në sensin progresist, edhe në atë të degradimit. Te Majko ka ndodhur ndryshimi në sens të kundërt ose nuk ka ndodhur fare. Përvoja njerëzore, politike dhe mosha (vitet), kanë theksuar dhe evidentuar te Majko, jo vlerat e virtytet, por antivlerat, fiksimet ideologjike dhe urrejtjen klasore patologjike.
Kjo ndodh me ato specie njerëzore që janë formuar keq shpirtërisht dhe që nuk mund të ndryshojnë dot për mirë ose, siç thotë populli, “nuk hanë pykë”. Historia e njerëzimit dhe e Shqipërisë njohin mjaft shembuj të tillë.Nuk është e rastit që Majko shpeshherë e ka vlerësuar publikisht e pozitivisht figurën e Enver Hoxhës, siç ka përbaltur sërish në parlament figurën e Mid’hat Frasherit (duke folur në emër të opozitës), si edhe së fundi duke fyer e stigmatizuar mijëra martirë e figura të shquara dhe pasardhësit e tyre të gjallë, duke i quajtur ata “surretër” që nuk meritojnë asgjë, që janë në koshin e historisë, që janë plehra të historisë”.Në radhë të parë, ata martirë të së djathtës, që u vranë apo pushkatuan gjatë Luftës së Dytë Botërore, bënin pjesë kryesisht në organizatat e Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit, të cilët Majko, ashtu si Enver Hoxha dhe Ramiz Alia etj., i quan organizata tradhtare, si edhe veprimtarët e tyre i quan tradhtarë e kolaboracionistë, natyrisht duke himnizuar e mitizuar Partinë Komuniste dhe udhëheqësit e saj.
Faktet dhe dokumentet historike, si edhe botimet shqiptare dhe të huaja gjatë këtyre 17 vjetëve kanë treguar të kundërtën. Majko, ose nuk lexon, ose nuk “merr pykë”, duke mbetur verbërisht skllav i besëtytnive të komunizmit. Do t’i rekomandoja të lexonte të paktën dy botime: “Elita Shqiptare” dhe “Lufta Civile në Shqipëri, 1943-1945”Në radhë të dytë, Majko i fut të gjithë nacionalistët, siç bënin paraardhësit e tij shpirtërorë, në një thes, duke i quajtur en bloc “kolaboracionistë”. Natyrisht që ka pasur ndërmjet tyre një numër të vogël personash që kanë bashkëpunuar me pushtuesit, ashtu siç ka pasur edhe nga Nacionalçlirimtarja bashkëpunëtorë me fashizmin, si edhe një kolaboracionizëm total me armiqtë e pushtuesit tanë tradicionalë, shovinistët serbo-malazez. Në librin “Lufta Civile në Shqipëri, 1943-1945”, i kam bërë një trajtim të plotë e të dokumentuar katërcipërisht këtyre fenomeneve dhe personazheve të asaj kohe, nga të dyja anët e politikës.Për të vlerësuar ngjarje e personazhe historikë, duhet t’i vendosim në kontekstin e kohës kur kanë ndodhur, por edhe të pashkëputur nga tërësia e ngjarjeve dhe e veprimtarisë së tyre komplekse. Gjithashtu, duhet t’i gjykojmë me mendje të kthjellët, paanësisht nga paragjykimet, mendësitë apo interesat e sotme politike. Majko i shikon bardhezi fenomenet dhe personalitetet historike, rrëfehet eklektik dhe partiak fanatik. Pa dyshim që kjo gjë nuk do të përbënte ndonjë shqetësim, nëse Majko nuk do të ishte deputet dhe nuk do t’i propagandonte këto mendësi e vlerësime nga tribuna e parlamentit. Pavarësisht se deputeti nuk është përgjegjës ligjërisht për ato që thotë, por është përgjegjës moralisht dhe politikisht përpara zgjedhësve, por edhe përpara një gjyqi moral e shpirtëror që na bën koha. Ai është përgjegjës edhe shpirtërisht, sepse ka vrarë dhe po vret (jo me plumba siç vrisnin komunistët nacionalistët), por me amët vrastare të fjalës së vrerosur e të shpifur të politikanit, duke lënduar breza të tërë, të vdekur e të gjallë, sidomos shtresat e të persekutuarve politikë.
Majko, dhe jo vetëm Majko, thotë se gjithë ata që janë vrarë gjatë luftës nga ana e Nacionalçlirimtares janë dëshmorë dhe ata që janë vrarë nga ana e Ballit, Legalitetit, krerëve të Veriut, janë kolaboracionistë! Logjikë e fantazi e sëmurë fëminore. Sipas kësaj logjike, edhe Hysni Lepenica me 36 komandantë të Ballit Kombëtar, që u vranë në Grehot nga fashistët italianë, janë kolaboracionistë! Edhe ballisti Skënder Muço, që u vra nga gjermanët, është kolaboracionist! Edhe Zai Fundo, një nga antifashistët e parë, që u internua nga italianët në Ventotene, ku edhe hodhi, bashkë me antifashistët evropianë themelet e Evropës së sotme të Bashkuar e demokratike dhe pas lirimit nga Ventotene luftonte kundër gjermanëve, por që u pushkatua nga Shefqet Peçi, me urdhër të Enver Hoxhës, pra edhe ky martir i kombit, sipas logjikës së Majkos, dhe jo vetëm të Majkos, është fashist e kolaboracionist.Më 26 korrik 1943, u vra nga fashistët italianë në Shkodër gjatë demonstratës antifashiste të qytetit, profesori i gjimnazit dhe kryetari i Rinisë së Ballit kombëtar, Mustafë Dervishi, që ndodhej në ballë të demonstratës. A mund të quhet kolaboracionist ky dëshmor i atdheut?
Një nga të parët që u dënua me pushkatim nga regjimi komunist, ishte atdhetari dhe intelektuali nacionalist, Ymer Lutfia, nënkryetar i Ballit Kombëtar për Shkodrën. U akuzua nga prokurori ushtarak, Aranit Çela, se kishte qenë në Kosovë dhe ishte përpjekur për çlirimin e saj e bashkimin me Shqipërinë dhe u dënua me vdekje.” Kam kenë dhe kam punue e luftue me shpirt, pa kursye jetën teme, - thotë Y. Lutfia në gjyq, - për bashkimin etnik të Shqipnisë. A asht krim me kërkue Kosovën, kur ajo asht pjes e Shqipnis? Dhe në qoftë se kjo përban krim, jam i lumtun që më dënoni!”Prokurori komunist Aranit Çela, që në rininë e vet kishte qenë fashist dhe kishte spiunuar tek italianët antifashistët e Vlorës, dënonte me pushkatim ballistin Ndue Pali, duke e akuzuar si fashist. Dhe Ndue Pali i përgjigjet: “Unë fashist!? Këqyr vedin djalë, e nëse ti u veshe me këmishë të zezë, unë isha i tretun në Ventotene nga fashistët! E di mirë, zoti prokuror se kush na spiunoi në Vlorë te fashistët, ndërsa sot ai po don me më dënue mua si fashist! (Arkivi i Ministrisë së Brendshme, gjyqi i Ndue Palit, 14.7.2005).Dhe kështu me mijëra raste të tjera. Dhe ju, zoti Majko, ashtu si dje Aranit Çela, i quani fashistë e kolaboracionistë atdhetarët e këtij vendi.
Gjatë luftës janë realizuar masakra kolektive pa gjyq dhe mijëra vrasje politike të paligjshme, pushkatim i robërve të luftës, pushkatim i njerëzve të pafajshëm, tortura fizike, djegie shtëpish dhe fshatrash të tërë, konfiskim i paligjshëm i pasurive të tundshme e të tjera, sepse PKSh, që udhëhiqte Luftën NÇ dhe nxiste e dirigjonte luftën civile në Shqipëri së bashku me jugosllavët, ishte një parti tipike terroriste. “Me dhunë e terror i zgjidhnim të gjitha, - dëshmojnë E. Hoxha, M. Shehu, G. Nushi, K. Themelko, M. Myftiu e të tjerë.Mjafton të përmendim masakrën e Devollit, shtator 1943, ku u masakruan pabesisht, u therën me thika dhe u vranë nga komunistët në Ziçisht, ku kishin shkuar për bisedime gjashtë nacionalistë të shquar të Devollit: Dr. Kasimatin e prenë me thikë në fyt duke i thënë: “Hajt tani, fol edhe një herë për Shqipërinë tënde.” Hytbi Kullën, normalistin dhe mësuesin e nderuar, antifashistin që italianët e internuan në Ventotene, e torturoi një shok i tij i shkollës normale, që ideologjia komuniste e kishte bërë kriminel. Kur po jepte shpirt nga torturat, ai i tha: “Bëj ç’të duash, por unë kam qenë dhe po vdes si shqiptar. Kam bindjen se ti, një ditë, do të pendohesh dhe do të kthehesh në rrugë të drejtë” ( Arkivi i Shtetit, faqe 270, d. 11, v. 1943).Në masakrën e Lushnjës, tetor 1943, M. Shehu urdhëroi pushkatimin pa gjyq të 65 fshatarëve të pafajshëm, përveç atyre që u vranë në luftë, vetëm se këta nuk pranuan të bashkoheshin me Brig. I. Ata që s’i zuri mirë plumbi, i preu thika e zv/komisarit politik të Brig. I, Dushan Mugosha. M. Shehu e ka pranuar vetë këtë masakër, në një letër që i drejtonte E. Hoxhës. (AQSH, F. 14 D; 31)
Dy të rinjtë nacionalistë, Besik Çano dhe Qeramudin Sulo, që kishin marrë pjesë në Kuvendin e Mukjes dhe që shkonin në jug të Shqipërisë për të përhapur idetë e kësaj marrëveshjeje kombëtare, i kapën forcat nacionalçlirimtare në Kavajë dhe i çuan në afërsi të Pezës, ku i torturuan për vdekje me urdhër të Dushan Mugoshës e të Kristo Themelkos nëpërmjet njësiteve ndëshkimore, ku bënin pjesë edhe dy shtetas jugosllavë L. Katarivas e P. Hasani, të sjellë në Pezë nga Meladini dhe Dushani dhe që bënin edhe torturat dhe ekzekutimin.(AQSh, f. 679 v. 1943, d 44).Sipas dokumenteve të Arkivit të Shtetit, Ali Lumit, të zënë rob nga Brig. I, ia bëri torturat vetë Mugosha para syve të partizanëve. Në fillim urdhëroi partizanët që ta rrihnin me kopaçe druri. Pastaj e mori vetë në dorë torturimin, ia theu në disa vende këmbët dhe duart. E dhunoi në organet gjenitale deri në humbje të ndjenjave. E pruri në vete kur ia shoi cigaren në beben e syrit dhe nisi t’ia presë lëkurën në kërcin e këmbës për ta fryrë, siç bëjnë me berrat, kur i rrjepin…
Ja, ç’thotë një dokument tjetër i Arkivit. “Në të gdhirë të ditës së mërkurë, 13 tetor 1943, çeta komuniste e kryesuar nga Agush Gjergjevica, pas përpjekjes me nacionalistët, kapi në Melçan të Korçës Bexhet dhe Xhevdet Bulgarecin… Këta dy djem idealistë, nacionalistë shqiptarë i masakruan në mënyrë barbare të pashembullt duke u prerë hundët dhe veshët, duke u nxjerrë sytë, duke u thyer nofullat dhe krahët dhe duke u prerë organet gjenitale…” “dokument i datës 25 tetor 1943).Le të përmendim masakrën e Tiranës nga data 28 tetor-16 nëntor 1944 të qindra intelektualëve dhe ushtarakëve që kishin studiuar në perëndim. U arrestuan në mesnatë nëpër shtëpitë e tyre dhe u pushkatuan në pragjet e shtëpive, në rrugë, në sheshin qendror pranë hotel “Bristol”, madje njërën viktimë e hodhën në kazanin e plehrave për të shkaktuar terror e frikë masive.
Këtë gjenocid e pohojnë vetë me gojën e tyre. Gogo Nushi, sekretar i PK për Tiranën raporton: “Këtë shpirt terrorist e kemi parë ditët e fundit në Tiranë. Kjo tregon vijën tonë. Me hyrjen e forcave tona janë vrarë 60 vetë. Listën e kemi. Unë mendoj që asnjë nga këta nuk e meritonte këtë dënim. Jemi të sigurt se do të ketë edhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar edhe të 100 vetë.( AQSH. f. 14, d.2/a ) Ndërsa Shulja (K. Themelko), njeriu i jugosllavëve, thotë: “Duke mos pasur rrugë tjetër, kemi kaluar në atë rrugë ku kemi pasur disa suksese. Kjo rruga jonë terroriste ka lindur si vijë… Nga kjo rezulton se të gjithë ata elementë që janë kundër nesh, por që s’kemi fakte, të pushkatohen që tani…Që elementët me i pastrue gjatë luftës për ata që s’kemi fakte, kjo ka qenë vepër e të gjithëve, veçse duhej me i pastrue me mënyrën që të mos merren vesh prej popullit… janë vrarë edhe nga ata që janë dorëzuar” (AQSH, f. 14, d.2/a). Nuk është fjala për të vrarët në luftën kundër okupatorëve apo në luftën civile, por për viktimizime e masakra kolektive përtej vetë luftës e ligjeve të luftës. Le të kujtojmë vetëm 12 nëntorin, ditën e masakrës pranë hotel “Bristol”, ku u pushkatuan pa gjyq nga komunistët 14 figura të shquara të kombit: Ismail Petrela,Vesim Kokalari, Muharrem Lleshi, Akil Sakiqi, Muharrem Liku, Abdulla Saraçi, Anton Fekeçi, Isuf Allamani, Lluka Xhumari e të tjerë.Masakra ndaj popullsisë së pafajshme janë ato të realizuara nga Br. V me komandant Shefqet Peçin në Shqipërinë e Jugut, të Veriut dhe në trojet shqiptare përtej kufijve. Në Lumë ai pushkatoi 22 lumjanë krejt të pafajshëm, ndërsa vrau në gjithë krahinën malësorë e familje të tëra, me motivin e hakmarrjes, ngaqë mbështetnin Muharrem Bajraktarin, kur ky luftonte kundër gjermanëve. Në Martanesh, në fshatin Peshk, M. Shehu urdhëroi pushkatimin pa gjyq të 22 fshatarëve patriotë, një nga çdo shtëpi, tok me kryeplakun e fshatit, për motive hakmarrjeje. Dhe gjithë këto viktima të vrara pa gjyq ishin baballarë e vëllezër të partizanëve të çetës së Baba Fajës! Si mendoni, zoti Majko, këta janë kolaboracionist?!
MEDALIM
MEDALIM

Numri i postimeve : 23
Registration date : 18/12/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi