Kadare per ngjarjet e Janarit ne Shqiperi
Faqja 1 e 1
Kadare per ngjarjet e Janarit ne Shqiperi
Kadare per ngjarjet e Janarit ne Shqiperi
Shkrimtari Ismail Kadare, flet për gazetën shqiptaro – amerikane Illyria të New York-ut për ngjarjet e janarit në Shqipëri
Eshtë pak të thuash se mbyllja e vitit që shkoi nuk ishte e mirë për shqiptarët. Dhe, si të mos mjaftonte kjo, në kundërshtim të plotë me urimin « na qoftë i mbarë ky vit », fillimi i vitit 2011 ishte edhe më i keq.
Pa u zbehur ende kujtimi i festave, normaliteti i jetës shqiptare u prish. E kjo nuk është aspak një fjalë goje. Normalitetin e jetës e prish lufta, katastrofa natyrore, por mbi të gjitha njeriu vetë, kur nuk është normal. Një specie e tillë njerëzore e përfton normalitetin si diçka të huaj, madje të rrezikshme. Ndaj në rastin më të parë përpiqet ta shkallmojë atë.
Eshtë e njohur tashmë se një vend jo normal sundohet « mirë », por qeveriset keq. Këtë të vërtetë e njohin sidomos sistemet totalitare, qysh nga diktaturat hidrike (ato që kanë përdorur mungesën e ujit si mjet sundimi), gjer në ditët tona. Vetëm në rende të tilla, që dalin nga rendi normal i gjërave mund të krijohen psikoza të sëmura, ato që lindin pastaj ankthet dhe terrorin, shenjat e pashmangshme të sundimit tiranik.
Në mesazhet e panumërta që vijnë këto ditë nga Tirana, për t’u shpërndarë anekënd në diasporën shqiptare, rrallë herë mungojnë shenja të tilla. Të gjithë popujt e ish-Lindjes janë tepër të ndjeshëm ndaj tyre. E në këtë kah do të ishte e kuptueshme që shqiptarët, ata që tiraninë e patën më të egrën e më të zgjaturën, do të ishin dyfish më të ndjeshëm. Në ngjarjet e janarit, midis psikozës dhe veprimeve shpesh kaotike, ata do të kapnin spikamën e fantazmës së totalitarizmit, rendit të përmbysur 20 vjet më parë.
Ishte, me sa dukej ky , shkaku kryesor që, në këtë janar të trishtë, trazimi ishte aq i thellë e aq dëshpërues. Këto rrjedha njerëzore, për të cilat është lehtë të thuhet, të mos dalin më, të mos shfaqen, të mos na shqetësojnë, nuk mund të anashkalohen. Në mos u shfaqshin në rrugë, ato do të jenë në thellësi, çka ëshë edhe më shqetësuese. Në qoftë se ato nuk ngjiten dot gjer tek institucionet, ku, sipas dokeve të demokracisë europiane do të duhej të çonin normalisht zërin e tyre, institucionet duhet të zbresin tek ata, për të kuptuar ku ka ngecur makina e demokracisë, përse mesazhet nuk kalojnë, shkurt, përse sistemi është bllokuar.
Në një gjendje të tillë është e kuptueshme, madje është një nga shenjat e pakta të mira, që qindra, për të mos thënë mijëra njerëz janë duke marrë pjesë në një rrahje të madhe mendimesh, në mjediset publike, në shtypin e shkruar dhe atë elektronik. Ata japin gjykimin e tyre për ngjarjetr që kanë ndodhur, e sidomos për ato që mund të ndodhin më pas. Pavarësisht nga idetë e drejta apo të gabuara, nga pasionet, motivet apo stili i ndërhyrjes, ky trazim i madh njerëzor tregon se qytetarët i përjetojnë si të tyret çështjet, hallet, dramat e republikës.
Ky shkrim bën pjesë në këtë rrahje mendimesh, pa mëtuar asgjë më tepër. Eshtë thjesht një lloj interviste, përgjigje për disa pyetje, me të vetmin ndryshim se ato nuk janë bërë prej ndonjë gazetari, por prej një shumice lexuesish, nëpërmjet letrash, mesazhesh , bisedash dhe telefonimesh të shumta gjatë këtyre dy javëve.
Ka gjasë që për gjëndje të tilla jo të zakonshme, prej një intelektuali , e aq më tepër prej një shkrimtari të priten përgjigje jo fort të zakonshme, nga ato që cilësohen si origjinale. Duhet thënë se në këtë rast vështirë se mund të ketë të tilla. Këtu nuk jemi në art. E keqja shoqërore, ku hyn edhe kriza e tanishme, për fat të keq, rrallë herë mund të jetë origjinale. Zakonisht ajo është e përsëritur, e lodhshme dhe shpesh e mërzitshme gjer në dëshpërim.
Padurimi dhe nervozizmi politik në Shqipëri kanë kapërcyer kufijtë e lejueshëm. Me to është bashkuar paniku, i cili e ka bërë më të rrezikshme gjithçka. E keqja është se klasa politike, ajo që duhej të ishte e fundit që të kapej nga paniku, ishte e para që u përfshi prej tij. Si rrjedhojë e kësaj , shteti dhe shoqëria shqiptare u gjendën në pozitën e atij të sëmuri që, pasi e ndien se po dridhet ethesh, në vend të vejë termometrin, e thyen atë.
Termometri thyhet kur i sëmuri nuk dëshiron të marrë vesh sëmundjen ngaqë ai e di atë. Për të mos thënë se sëmundja është ai vetë.
Ndoshta këtu do të gjendej përgjigja e pyetjes se përse në Shqipëri lufta politike është kaq e egër. Ka gjasë që dy dukuri të jenë vendimtare për këtë : etja e pamasë për pushtet dhe korrupsioni.
Dihet se të dy këto lëngata janë tepër të njohura e po aq të vjetra në historinë e njerëzimit. Mund të thuhet se luftën e gjatë me to, falë faktorëve drejtpeshues, njerëzimi nuk e ka fituar, por as e ka humbur.
Ndërkaq, në rrethana të caktuara, kur dufi për pushtet dhe korrupsioni lidhen me njeri-tjetrin, ashtu si në klonimet që prodhojnë monstra, përzjerja që del prej kësaj lidhjeje mund të jetë fatale. Duke u kushtëzuar e duke e zënë peng njeri-tjetrin ata e kanë vështirë të ndahen sipas kalendarit dhe zakoneve të demokracisë.
Me sa duket kjo përzjerje ka ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre viteve të tranzicionit. Dhe kështu shpjegohet që në jetën tonë dramaciteti shfaqet aq shpesh, aty ku nuk e ka as vendin e as arsyen.
Nuk ka qenë rrufe në të kthjellët, por ka ndodhur vit pas viti e stinë pas stine mu në sytë tonë.
Psikoza e rënduar do të pillte çoroditjen e mendimit, e kjo shthurjen e gjuhës, zvetënimi i së cilës na befasoi të gjithëve veçanërisht këtë dimër. Ajo që njihet si krizë e retorikës, është më shumë se aq. Kërcënime, mallkime, kërcitje dhëmbësh, thirrje për dyluftim, të gjitha këto u bënë të zakonshme në jetën shqiptare. Hapësira e jetës normale ngushtohej përherë e më fort nën këtë trysni.
Në këto kushte njeriu normal, që ndihet qënia më e pambrojtur midis jonormalitetit do ta kishte të vështirë të parashtronte ndonjë program mirëkuptimi, pa le pastaj idenë e një zbutjeje a të një kompromisi, mesazhe që ishin të lejueshme veç për ambasadorët e huaj apo të dërguarit e Brukselit.
E tillë ishte atmosfera në ditën e 21 janarit, kur në skenën politike hyri vdekja.
Në skenë do të thërres vdekjen. Fjalët janë të Shekspirit, mbi kateër shekuj më parë, në kohën që dramaturgu bëhej gati të shkruante tragjeditë më të zymta të tij. Ne s’jemi në teatër, e aq më pak në vitin 1600. Ne jemi në fillim të vitit 2011, në qendrën e kryeqytetit të një vendi europian, në prag të pranimit në aleancën më të emancipuar të popujve, me vullnetin tonë për të qenë pjesë e familjes.
Më 21 janar, gjatë një demonstrate, për fat të keq të dhunshme, u vranë me armë tre njerëz të paarmatosur, pra të pafajshëm, qytetarë të shtetit demokratik shqiptar, e njëkohësisht tre qytetarë të ardhshëm të Bashkimit Europian. Kjo e fundit nuk theksohet as për të mitizuar e as për të sublimuar këtë Bashkim, por për t’u kujtuar të gjithëve se ne, pa hyrë ende në këtë shtëpi të përbashkët, kemi cënuar programin e saj, atë program që me sinqeritet dhe përkushtim e kemi shpallur si programin tonë.
Një pyetje e pashmangshme del në këtë rast : na duhet ndërhyrja e vdekjes , që ne të jemi seriozë ? Dramaturgut i duhet vdekja për të thurur dramën e tij, tiranit për të ridëshmuar forcën, sidomos kur ajo po e lë, po shtetit demokratik përse i duhet ? Për t’i kujtuar publikut devizën famëkeqe të Kaligulës : Oderim dum metuant . (Le të më urrejnë, veç të më kenë frikën) ?
Ka kohë që pyetja për seriozitetin duhej bërë ngaqë ka kohë që kjo po ndodh e ne vazhdojmë të mos jemi seriozë. (Komedia e gjyqit të Gërdecit, zvarritjet, dredhitë janë më keq se një shuplakë që i bëhet haptas dinjitetit publik. Ajo bën pjesë në modelin që prej kohësh i propozohet këtij vendi, për të mos marrë seriozisht asgjë).
Ka kohë që ky « banalizim i së keqes », siç është cilësuar, po rreh të modelojë moralin shqiptar. Formula bazë të jetës demokratike : nderimi për institucionet dhe pavarësinë e tyre, rreh të kthehet në një shprehje të zbrazët, nga ato që hyjnë në njerin vesh, për të dalë nga tjetri. Rrjedhimisht ngjarje të rënda si kriza institucionale, bëjnë jo më shumë përshtypje se një breshër i përkohshëm.
Shqipëria duhet të përgatitet për t’i thënë ndal një përçudnimi të tillë. Duhet pranuar se kjo s’është as e thjeshtë e as e lehtë. Kërkon vullnet pa dyshim, po në radhë të parë kërkon bindjen e thellë që demokracia shqiptare, ajo që në të vërtetë është e pandarë sot nga Shqipëria , duhet marrë seriozisht.
Për t’u kthyer tek ngjarja e 21 janarit, duhet kujtuar se në historinë e popujve, ajo që njihet si trajtim, si « administrim i së keqes », ka qenë shpesh faktor për zhvillime të mëtejshme. Ato kanë qenë për të mirë ose për të keq. Me ç’duken shenjat , trajtimi i ngjarjeve të fundit, kulmimi i të cilave ka qenë vrasja e qytetarëve, nuk po shkon në kahun e duhur. Ajo rend në kahun e gabuar, madje në vend që të fashitet, thellohet.
Natyrisht që ka pak gjasa që një grindje kaq e gjatë të ndreqet me pajtim të shkurtër, sipas stilit vulgar të pijetoreve, kur kërcënimet tmerruese përfundojnë befas në përqafime sentimentale, po aq pa vend sa ç’kishin qenë kanosjet. Askush nuk e pret dhe as e beson këtë telenovelë. Në qoftë se presim diçka të ngutshme, si hap i parë serioz dhe i besueshëm do të ishte hetimi krejtësisht i pavarur. Hetimi dhe natyrisht dënimi i fajtorëve do të ishte i domosdoshëm si hap i parë, por jo i mjaftueshëm. Një proces tjetër, që do të ndihmonte, në mos në prerjen, në shterrimin e hap-pas-hapshëm të pezmatimit shumëvjeçar, do të ishte po aq i detyrueshëm.
Eshtë thënë dhe herë tjetër se, në rastin e krimit të mirëfilltë, krimit numër një njerëzor, vrasjes së njeriut prej njeriut, për ndërprerjen e befasishme të tij, shpesh vihet në veprim ajo që quhet « zënia e gjakut ». Eshtë një dukuri e pashpjegueshme, jashtë arsyes, me të drejtë e cilësuar si ndërhyrje misterioze e natyrës ose e hyjnisë.
Për fat të keq, në jetën politiko-shoqërore një mekanizëm i tillë nuk ekziston. Nuk ka frenim natyral për krimet politike, për shtypjen, tiraninë, shkallëzimin e së keqes shoqërore. Njerëzimi, si i vënë në provë, është i detyruar që ai vetë të shpikë mjetet mbrojtëse.
Historia e demokracisë është, ndër të tjera, historia e krijimit të këtyre mekanizmave. Kultura politike, kultura në përgjithësi , idetë humaniste, filozofia, arti, ligjet, kushtetutat, gjithë doket e qytetërimit bëjnë pjesë në të. E mbi të gjitha, institucionet e pavarura. Janë ato që ndodhen në vijë të parë për kontrollin dhe frenimin e kësaj makine aq të nevojshme e njëherësh të bezdisshme, me emrin shtet.
Për mendësinë shqiptare, institucionet e pavarura, për arsyet që dihen, ende nuk e kanë as peshën e as hijen e shtetit. Nuk ka hymne për to e as rituale mbresëlënëse, megjithatë janë pikërisht ato, më saktë nderimi për to që përcakton të ardhmen tonë. Ndaj nuk është e tepruar të thuhet se shkelja e pavarësisë së tyre duhet të përjetohet si një katastrofë.
Fakti që në Ballkan ka sot dy shtete shqiptare, të cilët në një mënyrë ose në një tjetër ndikojnë dhe rrezatojnë tek njeri-tjetri, përgjegjësinë e politikës dhe të strategjisë shqiptare e bën të dyfishtë.
Shqipëria hyn ndër shtetet e vegjël të Europës, por si shtet i parë historik i shqiptarëve, rrjedhimisht qendër e hapësirës shqiptare në Ballkan, pesha e saj i kapërcen dukshëm përmasat e saj.
Që vendi ynë është më i rëndësishmi për ne ngaqë është i yni, kjo nuk përcakton rëndësinë objektive të tij. Dihet se kjo e fundit varet nga faktorë të tjerë, kryesisht nga skajimi i saj në pejsazhin politiko-strategjik në gadishull, dhe natyrisht rolin që luan.
U bë një luftë në Ballkan, nga ato për të cilat thuhet « u tund bota ». U cilësua kjo si « luftë morale », tepër e rrallë në histori, dhe në të vërtetë ashtu ishte : luftë kundër një masakre, një shpërnguljeje, një tmerri, në emër të mbrojtjes të së drejtavze njerëzore. Shqiptarët u gjendën në qendër të saj, ndaj e thënë shkurt, lufta u bë për ta. Si rrjedhojë harta e Ballkanit , dhe jo vetëm harta, ndryshoi. Në një këndvështrim më të epërm kjo luftë pak a shumë mund të quhej : rivendosja e një drejtpeshimi të prishur.
Pas kësaj, ishte e logjikshme që shteti historik i shqiptarëve të merrte vetvetiu një rol stabilizues në gadishull. Po aq sa ç’ishte e pritshme që Serbia e ndëshkuar të merrte rolin e kundërt : ta prishte drejtëpeshimin. Ajo do të bënte çmos ta kthente kokëposhtë këtë gjendje. Të vërtetonte se ndërhyrja europiano-amerikane, ajo që me krenari ishte quajtur morale, s’kishte qenë e tillë. Që prodhimi i saj, shteti i ri i Kosovës, qenë një dështim. Se veç rikthimi në gjendjen e vjetër , do të kthente normalitetin.
Për këtë Serbia do të përdorte çdo mjet. Raporti i famshëm i organeve, në thelb zëvëndësimi i një ngjarjeje historike, me një rrëfenjë sensacionale me vampirë, të ngjashme me mitin e vrasjeve rituale, akuzë e njohur kundër hebrejve, ishte njera nga përpjekjet.
Kosova dhe Shqipëria u gjendën të papërgatitura. Gjykimi gjakftohtë ka munguar. Gjykimi gjakftohtë është rrjedhojë bindjesh dhe jo çoroditjesh emocionale. Dhe bindja vjen nga e vërteta. Ajo , në këtë rast, do të diktonte përgjigjen e duhur. Edhe sikur ngjarja të ishte e vërtetë, ajo s’mund të ndryshonte asgjë në tablonë makabre të dhjetëra viteve shtypjeje, terrori shtetëror, përdhunime e masakra të papara në Europë, në këtë gjysmê shekulli. As historia, as portreti i popujve, e aq më pak qëndrimet politike, nuk ndryshohen nga krime kanibaleske, që ndodhin sot e kësaj dite në Londër, në Tokio a në Berlin, ashtu siç njofton shtypi. Kanibalët shqiptarë, në këtë rast, nuk ka pse të kenê ndonjë trajtim të ndryshëm nga kolegët e tyre parizianë opo berlinezë. Ndaj përgjigja duhej të ishte : hetoni dhe na ndihmoni t’i kapim. Përpara se të jenë armiqtë e dikujt, ata janë në radhë të parë armiqtë e kombit, që fatkeqësisht i ka pjellë.
Por gabimi është bërë mê parê në Shqipêri dhe sidomos në Kosovë. Ajo tablo kolosale e krimeve, që u përmend më lart, nuk u dëshmua në masën që duhej , prej atyre që e kishin këtë detyrë : intelektualëve në radhë të parë, historianëve dhe akademikëve. Këtë mungesë e paguan sot i gjithë kombi shqiptar.
Vizioni i epërm, i plotë i gjërave nuk është ndonjë luks, por cilësi e domosdoshme e klasës politike. Nuk mund të ketë rol stabilizues Shqipëria në gadishull nëse brenda saj nuk gjen dot rrugët e nevojshme të zgjidhjes së problemeve. Rrjedhimisht , çka kujton se fiton jashtë kufijve të saj, e humb aty për aty brenda vetes.
Eshtë hera e parë në historinë e saj që Shqipëria gjendet në një skajim të tillë të ndërlikuar. Ngjarjet e kohëve të fundit në Mesdhe, treguan se shtetet me një zhguall të pranueshëm, që iu lejon të kryejnë ca detyrime ndërkombëtare të gjykuara pozitive, nuk mund të vazhdojnë më atë rol nëse brenda tyre punët nuk ecin.
Pa bërë krahasime me to, mund të thuhet se një kundërthënie e tillë sa vete bëhet e bezdisshme tek ne. Shqipëria nuk mund të vazhdojë të ketë dy pamje : një për brenda, tjetrën për jashtë. E aq më pak dy thelbe : njerin të pranueshëm për Europën e Bashkuar, e tjetrin jo. Ato s’mund të bashkëjetojnë gjatë. Një ditë njera do të bjerë e ne do të gjendemi në një krizë të pashembullt , më të rëndë se kjo. Ngjarjet e janarit të këtij viti ishin një paralajmërim .
Gjatë gjithë këtij muaji është folur shpesh për ndërkombëtarët. Për rolin që duhet të luajnë ose të mos e luajnë në jetën tonë. Për ndërhyrjet që disa i quajnë të pamjaftueshme, e disa të tepruara, sipas volisë politike të çastit.
Marrëdhëniet tona me ndërkombëtarët dëshmojnë paqartësinë, mungesën e parimeve, shkurt, ankthin tonë të pafund.
Ne jemi në një aleance europiane. Një aleancë nuk është një idil me baresha e me fyej. Në botën tonë të ashpër një aleancë është, para së gjithash, një shtab në gjendje alarmi , ku midis aleatëve mund të ketë edhe acarime, edhe moskuptim, por gjithmonë për parime të mëdha.
Ne e kemi pranuar këtë gjendje. Kjo aleancë është shansi i vetëm i një populli tepër të vetmuar. Një ngecje te pragu i Europës, ose më keq, një përplasje portash në fytyrë, ka gjasë të shënonte fundin e rrugëtimit tonë në histori.
Në kohën tonë janë tepër të rrallë popuj që mund të kenë histori të veçuar nga të tjerët. Ka kohë që fatmirësisht historia jonë nuk është më e tillë. Ajo është histori shqiptare e njëherësh shqiptaro-europiane.
Dwergoi:Rudina Seseri:
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Video nga ngjarjet e fundit me Vetëvendosjen!
» Pasqyra e zezë e trojeve shqiptare
» Deklara per shtyp e Levizjes VETEVENDOSJE! per ngjarjet e sotme
» Pse Shqipëri Natyrale e jo Shqipëri Etnike?
» Ngjarjet e dhjetorit
» Pasqyra e zezë e trojeve shqiptare
» Deklara per shtyp e Levizjes VETEVENDOSJE! per ngjarjet e sotme
» Pse Shqipëri Natyrale e jo Shqipëri Etnike?
» Ngjarjet e dhjetorit
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
|
|
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi