Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shpat Dardhishta:Poetja Emine Maliqi – Zairi, me librin e ri poetik “Aureola në pentagram”

Shko poshtë

Shpat Dardhishta:Poetja Emine Maliqi – Zairi, me librin e ri poetik “Aureola në pentagram”  Empty Shpat Dardhishta:Poetja Emine Maliqi – Zairi, me librin e ri poetik “Aureola në pentagram”

Mesazh nga Agim Gashi Sun Feb 20, 2011 2:07 am

Shpat Dardhishta:Poetja Emine Maliqi – Zairi, me librin e ri poetik “Aureola në pentagram”  49224_1641608303_1786_n

Solli për publikim Fatime Kulli

Poetja Emine Maliqi – Zairi, me librin e ri poetik “Aureola në pentagram” Nga Shpat Dardhishta-h.
Nga Shpat Dardhishta-h

“Petale të grisura” në zhvillimin e ri poetik


Poezinë e Emine Maliqi – Zairit mund ta quamë me gjithë mëndje një poezi të disponimit krijues, e cila lind si një shprehje e shqetësimeve të krijuara nga ballafaqimi me ngjarjet e kohës, por dhe me një traditë pak a shumë sot penguese e shtrënguese, sidomos për femrën tonë. Këtë dhunti ajo e ushqen me pasion, duke e gdhendur mjeshtërisht dhe përsosurisë figurën e heroit lirik të poezive të saj.
EMA MALIQI
Heroi lirik ose, thënë më drejt, heroina lirike e këtyre poezive vjershëron për pakënaqësitë dhe padrejtësitë e ndryshme, duke e çuar herë-herë vargun edhe në kufijtë e feminizmit. Është e habitshme, por libri hapet me poezinë “Kandil Vegimi”, e cila ndërtohet tërësisht në urdhërore: Kape heshtjen, këput lulet, kosit afshin, përbirohu në palcën e mendimit, shiko/fito/lësho/zhvishe/copëtoje etj., poezi kjo që mund të merret edhe si një program i saj poetik, por që tregon edhe për ndjeshmërinë e saj me ngjyrime kur e kur dramatike. Kjo frymë e poezisë mund të vihet re edhe te poezia “Cinike”, ndërtuar mbi antitezën, shpesh edhe mbi paradoksin: Aty ku është peshkaqeni/Aty është edhe perla, ose: Afër zjarrit ngrij/Si yll afër polit të Arushës së Vogël.
Por, hero i lirikës së saj është edhe individi i shoqërisë së mirë, i cili: Për qejf hedh vaj në zjarr, vret për një grusht flori, që natën e ha ajkën e ditës, që nuk beson në dashuri etj. Përballë këtij heroi rri figura e Gladiatorit që është po ashtu, hero i kësaj lirike në poezinë omonime që të kujton figurën e Maksimusit në filmin e njëjtë. Ky hero është i ndërgjegjshëm se është një luftëtar që dergjet, që lufton me veten, që mundohet të këputë ëndrrën, fundin e së cilës nuk e sheh kurrë, lotët e të cilit do të lëkundnin, në mos do të përmbytnin një barkë. Dhe është pikërisht ky, heroi tipik shqiptar, të cilin nuk e lë të qetë ëndrra për lirinë e shqiptarëve, ende të robëruar. Vargut të këtyre, t’i quajmë me një emër, portreteve poetike i takon edhe poezia “Përdhunë”, në të cilin poetizohet fati i një të përdalë, e cila “Rebelohet se kurrë s’u gjet njeri/ Të zgjojë nga gjumi tek ajo/Femrën e fjetur në brendi”, megjithëse bredh nga shtrati në shtrat etj. Me siguri se poezi të këtij tipi mund të ndeshen ende në këtë vëllim poetik, por na tërhoqën më shumë vëmendjen këto të tria, që spikatin për një realizim të bukur poetik të mendimit-ndjenjës.
Nuk është për t’u besuar, por në këtë vëllim do të gjejmë edhe poezi, ku gruaja, femra vjershërohet edhe në anën e saj të errët, por edhe nga të dy anët. Kështu, në poezinë Balsam hyjnor”, që është kryesisht një poezi peizazhesh, kemi strofën përmbyllëse: “O grua zemrën e ke si rrjetë/Duart si grepa/Më e tmerrshme se vdekja/Më e ëmbël se jeta”. Po në këtë prizëm mund të shihet edhe poezia pasuese Petale të grisura”, ku heroina shtrihet në një shtrat mbuluar me petale trëndafilash për të prekur ëndrrën me duar, duke lënë porosinë “Dhe vdis po u desh/Por vdis duke kënduar”.
Është kjo një përligjje e dashurisë, edhe kur ajo kërkon sakrifica. Një poezi me motiv interesant është Amazone”, ku edhe një femër burrëreshë, megjithëse ulërin si një ulkonjë, megjithatë përkulet para një kalimtari, sepse bie në dashuri. Ndoshta mund të përqaset me një motiv të një poezie të Kadaresë, që trimat, të cilët nuk u përulën para grykës së topit, dashurisë i bien në gjunjë.
Nuk është i vogël numri i poezive intime, disa nga të cilat meritojnë edhe vështrim të veçantë. Do të ndalemi këtu te poezia Ti dhe unë për të treguar se ajo nuk vjershëron bukur vetëm në varg të lirë, por edhe në varg të lidhur “Të zbulohem pak nga pak/Një copë shpirti e një copë trupi/Nëse do unë do t’i jap/Dhe do t’i marrë pa fije turpi”. Në këtë tip vjershërimi, objekt i këndimit të saj nuk është vetëm mashkulli, por edhe femra, si në poezinë, “Ti flet me gjuhën time”
“Ajo mbi mua lëshon dorën
Më bën të ndizem zjarr

Më prek gjoks buzë e sy

Më prek edhe kurorë”
Sado që nuk duhet të merret thjesht si e tillë, sepse poetja shpesh këndon nga alter egoja e miqve të saj. Harmonia midis formës dhe përmbajtjes, imagjinata e thellë dhe e bujshme, poezinë e Emës e bënë të dashur, sepse ajo nëpër to, bart shpirtin dhe ndjenjat duke kalëruar nëpër kohë dhe shpalos mospajtimin e rregullave të ngurta, me të cilat ende vazhdon të jetoi njeriu ynë, posaçërisht femra.

Poetja përmes këtyre vargjeve lirike shumë të bukura, herë ironizon e herë proteston, duke dramatizuar fuqishëm e poetikisht idenë dhe duke hapur një dimension të ri, jo vetëm për vete. Ajo gjakon të ndërtojë njeriun dhe kohën e re.
Duke qenë e vetëdijshme, që jeta u takon vetëm atyre të cilët guxojnë, ajo shpërthen:
“Trungut tim i bahesh shi/…Buzës sime i bëhesh lule/Sikur bleta unë thithë nektar…”Agolli thotë në njërin nga romanet e tij: “Befasoje çdo ditë gruan, të bukurën, tokësoren të thjeshtën grua”. Ndërsa Balzaku, po ashtu, në njërin nga romanet e tij, përshkruan bindshëm, ashtu siç dinte vetëm ai, emocionin, ndjenjën, dashurinë dhe fuqinë e gruas së dashuruar, kur ajo me një rënie dore thyen grilat e burgut për ta prekur dashurinë e vetë. Ema, te poezia “STATUJË KRIPE” i përforcon këto: “Të arnoj buzët e mia në buzët e tij/….Më rri dritare në vëzhgim….”Me metaforat autoktone; tupan, dasmori, melodi lahute, krua, etj. të cilat poezisë i rrinë si gurët e çmuar nuses së bukur në vellon e bardhë, këtë poezi e bëjnë admiruese.
Megjithatë, zhanri i poezisë së mërgimit dhe i poezisë atdhetare janë dy zhanret që zotërojnë në librin e parë poetik “Aureola në pentagram” të Emine Malqi –Zairit.
Është të theksohet në krye të herës se situata sociale në të cilën u ndodhën shqiptarët, para dhe pas çlirimit, ku në trojet e mbetura jashtë Shqipërisë, gjendja mbeti si në kralevinë, bëri që shumë njerëz të mërgojnë në dhe të huaj për të siguruar jo vetëm një jetë më të lumtur, por shpesh për të siguruar edhe kafshatën e gojës dhe për të mbrojtur edhe lëkurën e trupit. Kjo bëri që të rilindë një poezi e vërtetë e mërgimit dhe një poezi e pasur atdhetare.
Kjo tufë poezish do të mund të hapej me vjershën “Në pritje”, në të cilën poetizohet ankthi, frika e mërgimtarit për të pasur një varr në atdhe: “Nën hije të një lisi/Lëreni një vend për varr”. Kjo është në pajtim me traditën shqiptare për t’i varrosur trimat dhe burrat nën lis, kurse gratë dhe të rinjtë nën blirë. Jo më pak e ndjerë dhe e realizuar na del poezia “Ushtari yt”, që duket se i kushtohet Agim Ramadanit, por edhe të gjithë atyre që janë ushtar të devotshëm të atdheut: “Unë Agimi i jetës tënde... Të fal shpirtin vendi im/Çdo pikë gjaku t’u bëftë dritë/Kur të duhem mos më kurse/Se unë jam ushtari yt”. Megjithëse kjo botë mërgimtarësh shihen si bredharakë, megjithatë në poezinë “Ne endacakë” ajo shprehet “Është amanet i gjyshit tim (Idolit të poetes) /Ty edhe mua mos të na humbë fara”.


Ndjesia e pashuar e përkatësisë ndaj atdheut është shqiptuar bukur te vjersha “Jam bija jote” me nëntitullin “Jam çikë Kosove, nuse e Luginës”. Në këtë poezi sikur aktualizohet Çajupi me vargjet: “Do të ulem në prehrin tënd/Aty ku më ranë kokë e dorë”, por me një përfundim tepër magjik: “Nisi dasmorët e tu/Se mua s’më ndalon kufiri”: “Nisi shërbëtorët e tu/Edhe unë shërbëtor yti jam” te poezia “Zonja Mëmë”. Po ky motiv gjen trajtim të denjë edhe te poezia “S’jam muhaxhire”, ku subjekti lirik pohon se shumëçka ka humbur në mërgim, por asgjë nuk ka harruar.
Marrë në përgjithësi, mund të thuhet se libri i parë “Aureolë në pentagram” është mjaft i mirë, libër në të cilin ka dhënë një numër jo të vogël poezish, strofash dhe vargjesh shumë të arrira artistikisht, mund të thuhet, se është një libër shumë i suksesshëm i shkruar me një pasion shpirti, i cili do shpërthej për tu çliruar deri në pafundësi “Të avullohet deri te retë”.
Në punë të gjuhës, autorja duhet të tregojë më shumë kujdes, sepse nganjëherë ngatërrohen trajta e shkurtë e përemrit vetor (m’u) me pjesëzën forcuese dhe përcaktuese (mu), si dhe shkrimi me –ur i foljeve apofonike.

Shpat Dardhishta:Poetja Emine Maliqi – Zairi, me librin e ri poetik “Aureola në pentagram”  182029_1711073870296_1641608303_1559380_5229390_n



Shpat Dardhishta:Poetja Emine Maliqi – Zairi, me librin e ri poetik “Aureola në pentagram”  180082_1711074310307_1641608303_1559381_5781362_n
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi