Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Rasti kurioz i gjyqësorit kosovar

Shko poshtë

Rasti kurioz i gjyqësorit kosovar Empty Rasti kurioz i gjyqësorit kosovar

Mesazh nga Agim Gashi Wed Mar 18, 2009 11:31 pm

Rasti kurioz i gjyqësorit kosovar


Rasti kurioz i gjyqësorit kosovar Photo_8

Nuk mund të bëhet asgjë pa sundim të ligjit. Prandaj, njëzet muajt e ardhshëm do të përcaktojnë shumëçka për të ardhmen e shtetit tonë. Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët do t’i nënshtrohen riemërimit. Me mandat jetësor

Nga Artan Mustafa më 07.03.2009 në ora 10:00

Në Gjykatën e Qarkut, në Prishtinë, që nga janari 2000, kur gjyqësori nisi praktikisht punën, kanë ekzistuar mesatarisht 12 mijë lëndë në vit.
Gjykata ka pasur mesatarisht 12 gjyqtarë me moshën mesatare 55 vjeç.
Kështu, i ka rënë që secili gjyqtar të ketë mesatarisht nga 1 mijë lëndë në vit ose diku 3 lëndë brenda ditës.
Për gjithkënd, kjo është sasi e madhe e punës.

Ndoshta ju shkon menjëherë mendja se mos kemi pak gjyqtarë?
Ngadalë.
Problemi është shumëdimensional.

Në këtë Gjykatë, vetëm tash të dhënat kanë nisur të futen në rrjete kompjuterike, ndonëse projekti i kompjuterizimit të gjykatave, në letër, ka përfunduar dy vjet më parë.

Pra, qenka mungesë e administratës?
Hmmm... këtu punojnë rreth 50 vetë të cilët nuk janë gjykatës. Nuk do të ishte numër i vogël, por ç’e do kur ende gjyqtari praktikon t’i diktojë daktilografes, kur dosjet ende numërohen me gishta...

Çudi nëse një ditë grumbulli i letrave nuk do të shpërthejë muret, e ato të fluturojnë lart dhe ta bëjnë këtë qytet edhe më bërllok se ç’është!

Sipas Odës së Avokatëve të Kosovës, vetëm pesë për qind e avokatëve kosovarë përdorin internetin. Imagjinoni si është puna me gjyqtarët dhe prokurorët.
Shto këtu rrogën mesatare të gjyqtarëve të qarkut prej 470 eurosh dhe rreziqet që mbart puna.

Me siguri ka të tillë me karizëm e nivel të lartë etik, por numri i gjyqtarëve neglizhentë, joseriozë, të korruptuar dhe të shantazhuar, është dominant.

Është një sistem i lodhur, ku ndodh shpesh që gjykimet të mos mbahen sepse mungojnë avokatët, ku ndodh që ata të sillen më gjyqtarë se gjyqtarët, ku të burgosurit nuk sillen me kohë. Pra, ku mungon disiplina dhe menaxhimi.

514 avokatë janë të licencuar. Kurrë, askujt, licenca nuk i është marrë, përkundër rasteve të shkeljes së etikës, shantazhimit të palëve dhe thyerjeve tjera të ligjeve.

Efikasiteti i gjyqësorit është i ultë. Kredibiliteti katastrofal.

Në nivel të Kosovës, janë mbi 50 mijë lëndë civile dhe mbi 30 mijë penale që vazhdojnë të presin verdiktet.

Ka qenë definitivisht rrëfimi më i varfër i ndërtimit të institucioneve. Teksa të gjitha të tjerat janë ngritur për herë të parë dhe ngadalë kanë filluar rritjen me tendencë normale, puna e gjyqësorit është një tregim gati i kundërt që i ngjan rrëfimit në filmin “The Curious Case of Benjamin Button”, ku narratori lind me fizionominë e një plaku ndërsa rritet duke u rinuar.

Kur Kombet e Bashkuara vendosën administratën e tyre, njëra ndër përpjekjet e para ishte tentimi i shpejtë i vënies së ca kontrolli mbi anarkinë ekzistuese.
Ata morën formatin ish-jugosllav të organizimit të gjykatave të para ‘89tës (Supreme, të Qarkut, Kundërvajtje, Komunale…) dhe legjislacionin e aplikueshëm, të cilit, kohë pas kohe, i kanë shtuar rregulloret dhe aktet tjera të UNMIK’ut.

Pastaj, duheshin gjyqtarë dhe prokurorë. Ah, kush ka pak praktikë të mëhershme? Shefi i UNMIK’ut, në bazë të autorizimeve të tij, ka emëruar vazhdimisht gjyqtarë dhe prokurorë në kushte ‘ad-hoc’ varësisht prej nevojave.

E keqja është se shpesh ndërkombëtarëve më shumë u ka interesuar figura (për të thënë se ka institucione të drejtësisë) dhe kontrolli mbi ta në emër të ruajtjes së stabilitetit (nuk bën të ndiqet ai komandant ose ky politikan sepse prishet balanci politik apo ndëretnik).

Kështu, në këtë sistem, e gjetën vetën emra me të kaluar të ngarkuar, të tjerë që nuk munden kurrë të adaptohen me legjislacionin dhe kushtet e reja të punës dhe disa aspak idealistë ose që janë lodhur përkundër nevojës për të mbrojtur këtë hapësirë nga kriminaliteti rrënues.

Vendi vazhdon të mbetet parajsë e krimit të organizuar me shitblerje pronash, e kontrabandës së armëve, e ndërlidhjes vrastare mes biznesit dhe politikës…

Tash, përderisa po nisim aventurën tonë të demokratizimit, asgjë nuk do të mund të bëhet pa sundim të ligjit ose me prokurorë të painteresuar dhe të frikësuar. Cili investitor i huaj do të guxojë të hyjë në një treg që ka aq pak mbrojtje prej rendit?

Nëse duam një të ardhme më kualitative në të gjithë sektorët tjerë, është koha të hapim veshët dhe të nxjerrim vendimet e duhura.
Njëzet muajt e ardhshëm janë vendimtarë.

Një komision i pavarur në krye me gjyqtarin amerikan Timothy Baland do të udhëheqë procesin e riemërimit të të gjithë 410 gjyqtarëve dhe prokurorëve anembanë Kosovës.
Projekti në vlerë prej 5.8 milionë eurosh, financohet nga Komisioni Europian dhe USAID. Fillimisht, afati për aplikim ka qenë i paraparë të mbyllet më 16 shkurt, por do të shtyhet edhe për dy javë tjera.

Pasi periudha e aplikimit të mbyllet, brenda tetëmbëdhjetë muajsh, sipas parashikimeve, do të jenë zgjedhur gjyqtarët dhe prokurorët nisur prej Gjykatës Supreme, bartësit e rinj të së cilës do të dihen përpara verës, dhe duke shkuar deri në nivelin më elementar.

Zhvillimi ka edhe një paralele. Qeveria pritet shumë shpejt të procedojë një draft-ligj për organizimin e ri të gjykatave, ku do të kemi Gjykatën Supreme, nën të Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Themelore brenda së cilës do të ketë disa departamente.

Ideja është që kur gjyqtarët e rinj të jenë emëruar, ata do të mund të punojnë me legjislacionin e ri përkatës të organizimit të gjykatave. Deri më tash, thuhet të kenë aplikuar më shumë se 950 vetë.

Ky proces duhet të sigurojë një vlerësim të duhur të etikës dhe arritjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i promovuar ose zbritur në nivel për punën e bërë këto vjet. Dhe, sidomos, duhet të sjellë gjak të ri dhe më të shkolluar.

Pas procesit të shqyrtimit nga ky komision, emrat do të shkojnë për emërim formal tek Presidenti i Kosovës, gradualisht, dhe ata do të punësohen për tërë jetën.
Nëse arrijmë të bëjmë një përzgjedhje më të shkolluar dhe më energjike, ndikimet në kualitetin e shoqërisë do të marrin rolin e infuzionit.

Në pritje të emrave të rinj, Qeveria dhe Parlamenti kanë për obligim të bëjnë gjithçka për të kompletuar legjislacionin, ashtu që ai të mos jetë një çorbë ku gjejnë vend ligjet ish-jugosllave, rregulloret e UNMIK’ut, ato të Kosovës dhe konventat ndërkombëtare. Duhet hartuar një kuadër ligjor të vetëm dhe të përshtatshëm me rrethanat e kohës.

Gjyqtarët dhe prokurorët e rinj do të kenë edhe benificionin e bashkëpunimit me rreth 30 gjyqtarët dhe 20 prokurorët e EULEX’it të shpërndarë anekënd Kosovës.

Ky mision është duke shikuar 200 raste tejet serioze të marra nga UNMIK’u, pastaj 50 raste krime lufte dhe 50 të tjera të korrupsionit. Aktualisht, po zhvillon mbi 10 procese gjyqësore. Të shpresojmë se nuk do të përsërisin shembullin e UNMIK’ut, ku gjyqtarët më tepër janë kujdesur për të bërë politikë sesa drejtësi.

Ndërkohë, Komisioni Europian është duke punuar, bashkë me pak përfshirje të Qeverisë, në ndërtimin e një Pallati Gjyqësor që do të vendoset diku në Hajvali dhe ku do të punojë hierarkia më e lartë e gjyqësorit, pastaj në ndërtimin e një burgu të sigurisë së lartë dhe qendrës së azilit.

Këto janë zhvillime të jashtëzakonshme shikuar nga konteksti i Kosovës. Por, zgjedhja e njerëzve sa më adekuat - është më e rëndësishmja.

410 gjyqtarë dhe prokurorë nuk është numër i vogël. Në Republikën e Irlandës, me diku 4.5 milionë banorë, ka vetëm 150 gjyqtarë. Puna është si të bëhen efikasë dhe kredibilë.

Një avokat thoshte këto ditë se ëndërronte kur njerëzit e letrave do të shkojnë t’ia shikonin lëndët për t’u frymëzuar. Deri më tash, në gjyqësorin kosovar ke mundur të frymëzohesh më shumë për t’u dëshpëruar, për t’u ndjerë i vogël dhe i lodhur.

Shikuar matematikisht, duke qenë një popullatë kaq e vogël dhe me probleme që zgjidhen me tepër vështirësi ose hiç, del se gjendja e edukimit është alarmante.

Shpresa ka, megjithatë.
Që ato të mund të kenë gjasa, njëzet muajt e ardhshëm duhet t’i bëjmë histori.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi