Myzafere Mustafa: Kontributi i prof. Anton Çettës në studimin e letërsisë gojore
Faqja 1 e 1
Myzafere Mustafa: Kontributi i prof. Anton Çettës në studimin e letërsisë gojore
Kontributi i prof. Anton Çettës në studimin e letërsisë gojore
Nga Dr. Myzafere Mustafa
Këshilltare shkencore në Degën e Folklorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës
Prof. Anton Çetta është figurë markante e kulturës shqiptare në përgjithësi. Ai ishte njëri ndër mbledhësit dhe botuesit më të njohur të krijimtarisë letrare gojore dhe të folklorit, njëri ndër studiuesit serioz të krijimtarisë letrare gojore, shkroi poezi për fëmijë brumin e së cilës e mori nga krijimtaria gojore, u mor me përkthimin dhe shqipërimin e disa veprave të njohura të letërsisë botërore nga gjuha italiane dhe frenge, ishte profesor në katedrën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, atëherë në Fakultetin filozofik të Prishtinës, ku ligjëronte me dashuri e përkushtim dhe ishte shumë i dashur dhe i respektuar nga studentët, meqë reflektonte dhe përçonte një kulturë të madhe dhe njohuri të gjëra për letërsinë në përgjithësi dhe për kulturën e gjuhës. Kishte një talent të lindur dhe një elokuencë të natyrshme për të ligjëruar dhe në fund ishte pajtimtari i madh dhe i famshëm i gjaqeve dhe ngatërresave në një kohë kur Kosova po kalonte një fazë të rëndë të mbijetesës.
Fillet e punës së Anton Çettës në mbledhjen dhe botimin e krijimtarisë gojore
Aktivitetin për mbledhjen e krijimtarisë letrare gojore Anton Çetta e kishte filluar qysh nga viti 1954. Në fillim ishte orientuar në mbledhjen e prozës gojore, kur me ditë të tëra kishte qëndruar në odat e Drenicës. Puna ia kishte diktuar dhe ai gradualisht kishte zënë shumë miq në Drenicë, në tërë Kosovën dhe më gjerë dhe kishte fituar autoritet të madh në popullatën e Drenicës dhe të Kosovës, jo vetëm pse e mblidhte krijimtarinë gojore, por edhe për mishërimin e tij me atë krijimtari dhe me mentalitetin e burrave të odës si dhe për qëndrimin e tij burrëror gjatë kohës sa kishte qëndruar në odat shqiptare për të mbledhë krijimtarinë shpirtërore. Miqësinë me burrat e odave e ka ruajtur gjatë tërë jetës, prandaj edhe në shtëpinë e tij e kishte lënë një odë burrash me oxhak, ku i priste miqtë nga të gjitha viset e Kosovës dhe jashtë saj.
Më pastaj prof Antoni ka zgjeruar gamën e interesimeve për mbledhjen e krijimtarisë letrare gojore edhe në viset e tjera të Kosovës madje edhe në Mal të Zi, Maqedoni, në Luginën e Preshevës, Medvegjë e gjetiu, pra ai mblodhi një sasi të madhe materialesh letrare gojore, në Kosovë dhe jashtë sa, në trojet e ish Jugosllavisë, dhe i botoi në disa vëllime të sistemuara e të klasifikuara sipas zhanreve. Vlen të theksohet se ai kishte një sens të veçantë për hulumtimin dhe kërkimin e krijuesve të talentuar,ndërsa përzgjedhjen e materialit e bënte në terren duke i shënuar njësitë nga krijuesit e mirëfilltë. Prandaj edhe materialet e mbledhura nga ai shquhen jo vetëm për pasurinë tematike por edhe për vlerat e artistike, për gjuhën e pasur të viseve dhe të krijuesve nga janë shënuar dhe për stilin e mirëfilltë popullor. Ai ishte ithtar i ruajtjes së origjinalitetit të krijimtarisë letrare gojore prandaj edhe i kërkonte të dhënat e sakta për krijuesit dhe bartësit, për profesionin dhe kërkonte të dhëna edhe për paraardhësit e krijuesve. Me themelimin e Institutit Albanologjik ai ishte zgjedhur shef i Degës së Folklorit ku i kishte vënë vetit për detyrë parësore botimin e krijimtarisë letrare gojore të përfshirë në një projekt prej 24 vëllimesh, të sistemuar sipas zhanreve. Ai së pari zgjodhi bashkëpunëtorë për degën e folklorit që ishte kusht themelor për funksionimin e saj. Duke qenë një njeri i autoritetshëm ai njëkohësisht krijoi një rrjet bashkëpunëtorësh të jashtëm, kryesisht ish studentë të tij dhe intelektualë të cilët eksploronin material folklorik dhe e sillnin në Degën e folklorit, material ky që është përfshirë në vëllimet e botuara të Institutit Albanologjik. Disa vëllime me materiale prof. Antoni i përgatiti vetë, ndërsa me zgjerimin e Degës së Folklorit, disa vëllime i përgatitën punonjësit shkencorë të Degës së Folklorit të këtij Instituti. Blejve të botuar me materiale letrare gojore u prijnë punime studimore, ndërsa në fund janë të pajisur me aparaturën e përcjellëse ku hyn fjalori i fjalëve më pak të njohura, regjistri i këngëtarëve apo rrëfimtarëve dhe lista e mbledhësve, që i karakterizon botimet e mirëfillta të këtij karakteri.
Tipologjizimi i prozës gojore
Prof. Antoni nuk u mor vetën me mbledhjen dhe botimin e krijimtarisë folklorike ai njëkohësisht u mor edhe me studimin e saj, duke iniciuar studimin e problemeve të ndryshme të pa rrahura apo më pak të rrahura në folkloristikën tonë.
Interesimet e prof. Anton Çettës në lëmin e studimit të letërsisë gojore[1] u shtrinë në rrafshin teorik dhe në studimin e çështjeve për nevoja praktike të kushtëzuara nga materialet e mbledhura në terren. Një çështje praktike ishte emërtimi i disa zhanreve të cilat nuk ishin mbledhur apo ishin mbledhur pak dhe nuk kishin emërtimin përkatës. Më pastaj edhe studimi dhe njohja e personaliteteve të këngëve me tematikë historike ishte objekt i interesimit të prof. Ai po ashtu shkroi edhe studime të rëndësishme për disa nga zhanret e krijimtarisë letrare gojore.
Njëri ndër studimet e tij të rëndësishme të karakterit teorik dhe praktik është punimi Për një ndarje më të plotë të prozës sonë popullore dhe emërtimin e ca llojeve të saj[2]. Në këtë studim trajtohen veçoritë e prozës gojore, të strukturës përmbajtjesore si ndërtim dhe të strukturës semantike si ide dhe domethënie. Ai tipologjinë apo klasifikimin e bën duke i pasur si bazë strukturën e ndërtimit tekstor dhe kuptimor, gjithnjë duke përfillur njohuritë teorike lidhur me prozën gojore dhe klasifikimin e studiuesve të njohur të krijimtarisë letrare gojore. Krahas klasifikimit pra vendosjes së zhanreve brenda prozës gojore ai angazhohet edhe për emërtimin e zhanreve përkatëse duke bërë përpjekje për standardizimin e terminologjisë ekzistuese të njohur në studimet e folkloristikës botërore dhe shqiptare por edhe në kërkimin e termave përkatës shqip që nuk largohen nga kuptimet e mëparshme ekzistuese. Nga përvoja praktike si dhe nga literatura e botuar ai miraton disa nga emërtimet dhe një pjesë të klasifikimeve ekzistuese, të cilat në një mënyrë janë kodifikuar si nocione dhe lloje, njëkohësisht propozon një klasifikim të zgjeruar, të pasuruar me lloje që me kohë janë pavarësuar. Ai veçon disa zhanre që i ka hasur me rastin e hulumtimit dhe të mbledhjes së prozës gojore në terren, e që deri më atëherë nuk ishin ndarë dhe emërtuar si zhanre më vete. Kështu, bie fjala, propozon nocionin kallëzim dhe klasifikimin e tij si zhanër të veçantë, i cili deri atëherë klasifikohej si përrallë, përrallë realiste, përrallë novelistike etj, ndërsa vetë termi kallëzim ishte përdorur në kuptimin e përgjithshëm të tregimit. Po ashtu për zhanrin e njohur në popull si meselepropozon nocionin anekdotë, si më të afërt për njohësit dhe studiuesit e kësaj krijimtarie dhe nga fakti se si nocion ishte pranuar që më parë në Historinë e letërsisë shqipe si dhe në traditat e popujve tjerë. Për zhanrin e njohur me nocionin fabula që në popull është i njohur si mesele me kafshë propozon nocionin përrallëz, i cili sipas mendimit të tij është më i afërt për shqipfolësit.
Një meritë të veçantë autori ka edhe në përcaktimin, emërtimin dhe tipologjizimin e disa zhanreve që nuk ishin mbledhur sa duhet apo nuk ishin vërejtur fare nga mbledhës të ndryshëm, si fjala vjenpleqnia, tregimi etnografik e disa të tjera. Që problematika e shtruar të jetë sa më e afërt dhe sa më konkrete prof. Antoni trajton secilin zhanër veçmas, analizon botën dhe tiparet e tyre që e diferencojnë si zhanër a lloj më vete dhe jep shembuj konkretë të shënuar nga terreni.
Një trajtim të veçantë u bën të ashtuquajturave lloje apo forma të vogla, për të cilat propozon emërtimin lloje minore. Vërehet këtu aftësia e njohësit të materies ekzistuese në terren dhe asaj të botuar, me ç’rast me kompetencë i ndan këto në 13 lloje, terminologji kjo e zgjeruar që lë shteg për zgjerimin të mëtejmë.
Studiues i thelluar i baladës shqiptare
Rezultat i përgatitjes teorike dhe i njohjes së materialit folklorik është punimi Disa të dhëna mbi zhvillimin struktural të baladës shqiptare[3] ku autori i qaset studimit të baladës në thellësi dhe gjerësi që nga fillimet e zhvillimit të saj.
Duke pasur për bazë një literaturë të pasur teorike dhe një material të pasur, ai me kompetencë dhe akribi trajton veçoritë e këtij zhanri dhe evoluimin e tij gjatë shekujve në rrafshin e strukturës tekstore, në rrafshin tematik dhe në rrafshin e shtrirjes regjionale, e cila shtrirje e ka kushtëzuar zhvillimin dhe evoluimin e saj, pasurimin me elemente të reja në tematikë, në strukturën e rrëfimit – narracionit dhe në metrikë. Përmes analizës konkretizohet zhvillimi historik dhe transformimi i saj. Në mënyrë argumentuese trajtohet evoluimi i baladës prej zhanrit me veçori kryesisht lirike, në viset bregdetare veriperëndimore dhe te arbëreshët, në një zhanër epiko lirik, deri te baladat e zonës verilindore e lindore që marrin karakter epik. Përmes të ashtuquajturit motiv i të kënduarit në maldhe varianteve të baladës me këtë motiv të botuar që nga Dorëshkrimi i Kieutit i vitit 1737 dhe baladave të shënuara më vonë në Ljare të Shestanit, pastaj varianteve të Gostivarit, Tetovës, Kërçovës dhe të baladave të mbledhura nga vetë autori në Shalë të Bajgorës jepet zhvillimi dhe evoluimi i strukturës tekstore dhe kompozicionale, hetohen shtresat e lashta mitike dhe pasurimi i tyre i kushtëzuar nga pozita gjeografike dhe nga rrethanat sociokulturore.
Studiues i simbolikës së përrallës dhe zhanreve të prozës gojore
Njohja e përrallës në ambiente autentike, mbledhja e saj gjatë procesit të rrëfimit, botimi në vëllime të veçanta, qoftë në blejtë e Drenicës, qoftë në vëllimet tjera me vete, e nxitën prof. Antonin që t’i përkushtohet edhe studimit të saj. Përrallën[4] ai e vlerëson si njërin ndër zhanret më artistike të prozës gojore. Edhe pse veçori qenësore të saj janë e mrekullishmja dhe fiktivja, ai thekson se përralla e ka bazën në realitetin jetësor e më pastaj shton se përralla në mënyrë indirekte është reflektim i jetës, i dokeve dhe i zakoneve, i mitologjisë së lashtë etj. Të gjitha këto në përrallë shprehen përmes veprimit të personazheve, të qenieve dhe të mjeteve mitike të cilat kanë funksion të shumëfishtë. Bota e përrallës shqiptohet përmes gjuhës së simboleve, gjuhës abstrakte dhe përgjithësimit artistik e nëpërmjet të këtyre reflektohet jeta e njeriut dëshirat dhe synimet e tij për mbizotërimin e fenomeneve dhe të dukurive natyrore që ishin të panjohura dhe të paarritura për të. Profesor Antoni thekson se krijuesi gojor me intuitën e tij dhe me imagjinatën e pasur shumë më herët u ka paraprirë disa proceseve, dukurive dhe dëshirave të cilat për njeriun e kohës së sotme janë bërë realitet.
Komponentë të rëndësishme të përrallës e konsideron konstituimin e botës unike të saj, e cila sajohet në tri rrafshe apo shtresa. Shtresa e parë është realiteti jetësor, shtresa e dytë realiteti i mundshëm (modeli i realitetit) dhe shtresa e tretë projeksioni i realitetit apo realiteti i dëshirueshëm. Këto shtresa i konkretizon dhe i analizon brenda përrallës shqipe.
Proza gojore ishte preokupim i përhershëm i prof. Anton Çettës, këtë ia imponoi materiali i bollshëm që e gjeti në terren si dhe krijuesit dhe përcjellësit e shumtë dhe të talentuar me të cilët ishte në kontakt të përhershëm. Këtë interesim e dëshmojnë punimet e ndryshme që trajtojnë gojëdhënën, kallëzimin, anekdotën, fabulën, bisedat dhe rrëfimin alegorik[5] e të tjera.
Studiues i personaliteteve të traditës gojore
Fytyrat e ndritshme të historisë sonë kanë nxitur fantazinë e krijuesit përherë të thurë krijime të ndryshme në prozë apo në poezi. Për figurën e Skënderbeut lindën krijime të shumta disa nga të cilat arritën deri në ditët e sotme, qofshin ato fragmentare apo më të plota. Krahas gojëdhënës u kënduan edhe këngë të shumta për personalitetin e këtij strategu, për luftërat me turqit, për flijimet që i bënë femrat që të mos bien në duar të armikut, për fuqinë mitike të Skënderbeut dhe të kalit të tij etj. Nëpërmjet të fakteve historike që nga Barleti e këndej dhe nëpërmjet të analizës së këngëve që këndojnë “Motin e madh” të Arbnit dhe nëpërmjet të gojëdhënave, prof. Antoni i ndriçoi disa aspekte të kësaj figure të ndritshme të historisë sonë me ç’rast thekson se këto krijime ”lanë gjurmë të pashlyeshme të qëndresës së papërkulur të masave popullore me Skënderbeun në krye... e bënë atë rezistencë të
pavdekshme…dhe qenë një porosi për breznitë e më pastajme që mbajtën të gjallë kujtimin krenar të adeteve të lavdishme të motit të madh”[6].
Prof. Anton Çetta iu qas me përkushtim edhe studimit të këngëve me tematikë historike. Brenda këtij zhanri ai u mor me këngë të veçanta, të cilat u kushtohen personaliteteve të ndryshme si dhe me këngët që u kushtohen ngjarjeve që kishin pasur ndikim në historinë e popullit tonë, si bie fjala, këngët e periudhës së Tanzimatit apo këngët e periudhës së Lidhjes së Prizrenit.[7] Në punimet e tilla ai ndriçoi çështje që lidhen me individët që këndohen në këngë, ndriçoi rrethanat historike si dhe qartësoi ngjarjet për të cilat bëhet fjalë në këto këngë. Nëpërmjet të analizës dhe të krahasimit të varianteve, nëpërmjet të bisedave me pasardhës të personaliteteve që këndohen në këngë si dhe duke u bazuar në literaturën historike, ndriçoi personazhet e këngëve, kohën e ngjarjes, shkaqet që i kishin nxitur të bien në konflikt me pushtetin e atëhershëm etj.
Gjatë trajtimit të këngëve me tematikë nga ngjarjet e njohura të historisë sonë në kohën e sundimit turk (Reformat e Tanzimatit, Këngët për vrasjen e Ali Pashës në kohën e Lidhjes së Prizrenit) autori shpjegon rrethanat që shkaktuan rebelimet individuale dhe kolektive e që disa herë kishin arritur deri në kryengritje. Këngët e tilla, shton ai, kanë trajtuar në mënyrë të denjë ngjarjet historike dhe ato janë pasqyrim i tyre, kuptohet aq sa lejon natyra e krijimeve të tilla. Me kalimin e kohës, pra me rritjen e distancës kohore dhe me këndimin e këngëve nga këngëtarë të viseve më të largëta, këngët e tilla kanë humbur shumë elemente të vërtetësisë jetësore dhe janë pajisur me elemente poetike dhe përgjithësuese.
Studiues i dokeve dhe zakoneve
Interesimet e Anton Çettës nuk u kufizuan vetëm në studimin e zhanreve të mirëfillta letrare gojore, ai shënoi dhe bëri objekt studimi edhe çështje të ndryshme që lidhen me doket dhe zakonet, me traditën zakonore popullore lidhur me gjakmarrjen, besën, dorëzaninë. Gjatë pajtimit të gjaqeve, dhënies së besës, besës së thyer, prerjes së mikut në besë, gjakut të falur dhe mënyrës së vlerësimit të tij lindën edhe kallëzime dhe pleqni të ndryshme të cilat u bënë pronë e një rrethi më të gjerë njerëzish dhe u treguan e tregohen në raste e ndeja të ndryshme por edhe në raste konkrete. Për këto ai shkroi disa punime dhe parathënie,[8] ku argumenton rëndësinë e tyre si krijime të prozës gojore, por njëkohësisht ndalet edhe në shpjegimin e shkaqeve dhe rrethanave që shkaktuan lindjen dhe transmetimin e krijimeve të tilla të cilat ishin reflektim i etnopsikologjisë, i traditës sonë të pasur dhe të lashtë zakonore që ishte kodifikuar në kanunin e maleve e më pastaj në kanunin e Lekë Dukagjinit, si dhe dukuri të tjera që lidhen me to.
Në studimet bashkëkohore të letërsisë gojore çështja e krijuesit gojor dhe e bartësit apo përcjellësit zë një vend të veçantë. Këtë problematikë autori e shtron që në punimet e para të tij, ku bën fjalë për Rifat Bajgorën. Apo Qorrin e Bajgorës[9] si bartës i këngëve tona epike, ose për Dërvish Goxhulin këngëtar dhe tregimtar humorist, është ky punim që aktualizon edhe sot çështjen e krijuesit të mirëfillte dhe të bartësit të krijimtarisë letrare gojore.[10]
Prof.Anton Çetta është bashkautor i studimit Vajtime, gjamë, elegji,[11] ku gjerësisht trajtohen këto zhanre të poezisë sonë gojore, si tekste letrare dhe si krijime që shoqërojnë ritet e caktuara të vdekjes. Në studim kërkohen elementet e ngjashme të vajtimeve, gjamëve dhe të elegjive me këngët tona kreshnike e me baladat. Hetohet baza e tyre e lashtë e trashëguar, e përcjellë përmes modeleve të traditës dhe elementeve mitike, si dhe improvizimet që i nxit momenti i caktuar. Theksohen vlerat e tyre të larta dhe të mirëfillta letrare artistike, që konkretizohen përmes shembujsh të zgjedhur.
Prof. Anton Çetta është autor edhe i shumë punimeve të tjera të rëndësishme si: Shtjefën Konstantin Gjeçovi,[12] Nastradin Hoxha në tregimet popullore shqiptare.[13] Shembuj të strofës satirike në poezinë popullore e punime të tjera) si dhe punimeve në formë parathëniesh, që u prijnë blejve me materiale të botuara të letërsisë gojore, ku shtrohen çështje të rëndësishme të zhanreve përkatëse[14] e të tjera.
Punimet dhe studimet e Anton Çettës iniciojnë dhe ngritin çështje me interes për letërsinë tonë gojore dhe hedhin dritën në probleme të ndryshme, duke hapur shtigje për studime të ardhshme. Këto studime ruajnë aktualitetin e tyre edhe sot dhe për folkloristikën shqiptare janë një themel i fortë me bazë të qëndrueshme hulumtuese, depërtuese dhe argumentuese.
[1] Mendimi kryesor i prof. Anton Çettës për çështjet e letërsisë është përfshirë në veprën “Kërkime folklorike”, Rilindja Prishtinë, 1981.
[2] Kërkime folklorike, f. 7 – 24.
[3] Disa të dhëna mbi zhvillimin struktural të baladës shqiptare, po aty f. 137- 159.
[4] Anton Çetta, Parathënie, në Përralla I, përgatitur nga Anton Çetta, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1979.
[5] Anon Çetta, Mbi gojëdhënat (parathënie) në Nga Folklori ynë I, Përralla dhe gojëdhëna, f. 281 – 283, Anton Çetta, Mbi kallëzimet, në Nga Folklori ynë II, Kallëzime dhe përralla, Rilindja, Prishtinë 1989, Mbi përrallëzat, po aty f. 291 – 293. Bisedat dhe kallëzimet alegorike në Drenicë, në Kërkime folklorike f. 65 – 74.
[6] Anton Çetta, Fytyra e Skënderbeut në traditën popullore, Në: Simpoziumi për Skënderbeun 9 – 12 maj, Prishtinë, 1969. shih edhe në Kërkime folklorike, f. 112 – 123.
[7] Jehona e Tanzimatit në këngën popullore “Lufton Llapi kundër Arap Pashës” në: Kërkime folklorike f. 177 – 193 dhe Vrasja e Mehmet Ali Pashës në Gjakovë në këngët tona popullore në: Kërkime folklorike f. 194 – 205.
[8] Shih parathëniet në vëllimet me materiale folklorike të përgatitura nga Anton Çetta, botime të Institutit Albanologjik si dhe një numër trajtesash të botuara në Gjurmime albanologjike, folklor dhe etnologji, Instituti Albanologjik.
[9] Anton Çetta, Qorri i Bajgorës, këngëtar popullor në Kërkime folklorike f. 222 – 225.
[10] Anton Çetta, Dervish Goxhuli, humorist dhe këngëtar popullor i Drenicës në Kërkime folklorike, f. 82 – 87.
[11] Anton Çetta , Anton Berisha, Mbi vajtimet shqiptare f. 7 – 76 në Vajtim, gjamë, elegji, përgatitur nga A. Çetta dhe A. Berisha, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1987.
[12] A. Çetta, Shtjefën Konstantin Gjeqovi, në: Kërkime folklorike f. 124 – 136.
[13] Nastradin Hoxha në tregimet popullore shqiptare dhe serbokroate në Gjurmime albanologjike, folklor dhe etnologji, XI, 1981, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1983.
[14] Anton Çetta, Parathënie në Këngë dasme I, përgatitur nga Anton Çetta dhe Anton Berisha, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1980
Kumtesë e lexuar në sesionin shkencor të organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës me rastin e 90 vjetorit të lindjes dhe 15 vjetorit të vdekjes.
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Fritz RADOVANI:PROF. ANTON DEDA,FIGURË POLIEDRIKE E ARËSIMIT SHQIPTAR
» Për pajtim e për bashkim-Anton Çettës
» NJOFTIM PËR RIBOTIMIN E VEPRËS SË ANTON ÇETTËS
» Prof Gëzim Uruçi:PROF. RAMADAN SOKOLI - ETNOMUZIKOLOGU ME I SHQUAR SHQIPTAR
» ISMAIL GASHI: NJË ORË URËTIE ME PROF. ANTON ÇETTËN
» Për pajtim e për bashkim-Anton Çettës
» NJOFTIM PËR RIBOTIMIN E VEPRËS SË ANTON ÇETTËS
» Prof Gëzim Uruçi:PROF. RAMADAN SOKOLI - ETNOMUZIKOLOGU ME I SHQUAR SHQIPTAR
» ISMAIL GASHI: NJË ORË URËTIE ME PROF. ANTON ÇETTËN
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi