Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Me rastin e ditlindjes-POEZI DHE PROZE NGA VAID HYZOTI

Shko poshtë

Me rastin e ditlindjes-POEZI DHE PROZE NGA VAID HYZOTI  Empty Me rastin e ditlindjes-POEZI DHE PROZE NGA VAID HYZOTI

Mesazh nga Agim Gashi Fri Mar 11, 2011 12:22 am

Me rastin e ditlindjes-POEZI DHE PROZE NGA VAID HYZOTI  199151_193434660690411_100000716346990_546920_6110968_n

Me rastin e ditlindjes:
POEZI DHE PROZE NGA VAID HYZOTI

Gjarpëri im

Prej ditësh i mbërthyer pas TV-së,
I sëmurë pas emisionit “Animal planet”,
Mik i afërt me natyralistët,
Jam me ta në Amazonë,
Në Australi,
Në Afrikën e zezë…

Nga njollat e lëkurës dalloj gjarpërinjtë,
Ia njoh ngjyrën e helmit që i marrim në qelqe…
Por ende, akoma s’kam përcaktuar
Cili helm më vlen mua
Për dhimbje zemre.

Ende s.e di cili është gjarpëri im.
Më thoni, o mjekë, o natyralistë.
Eshtë në Florida,
Apo Siberi?
A ngjason me gjarpërin
Që kanë farmacitë?

Eshtë gjarpër uji, apo është nëpërkë,
Kobra, anaconda,
Boa mund të jetë…
S’kam para çdo muaj që të blej ilaçe
Falmëni gjarpërin tim,
Ta ushqej unë vetë.

Le t’i bejme letrat-dua ta birësoj,
Ta mbajë ngrohtë në gji,
Le të rrijë tek zemra…
Se s’kam dokumenta
Dhe për ilaçet
Jashtë më hodhi
Mua ishurenca.

MESHTAR I FEMIJEVE

S’jam teolog a famulltar,por çdo ditë
Në shtëpi për fëmijët jap meshë.
Nga picërrim i syve,
Kokëkruarja,
Rrudhat e mërzisë…
Kuptoj se ata më urrejnë shpesh.
(Fshehtas qeshin me fjalët e mia:
“S’është mirë…Mos!...Kujdes!”).

Unë nuk tërhiqem nga riti zakonor
Dhe fshehtas gjithë ditën jam me ta.
Druhem nga djali-
Mëz i hasdisur-
Po vrapon? U rrëzua?
Këmba iu vra?...

Bëhem gjethe vjeshte ballë furtunës
Sa herë që vajza ka provime…
Por nuk ndryshoj
Në meshën e përditshme:
Veç nota të larta
Të marrësh në mësime!

Vetëm ngaherë,ngaherë harroj,
Jepem pas llastimeve,fal gabime…pa zarar.
Se jam si soji
I të gjithë prindërve:
Një shërbëtor
Autoritar.

ZOGJTE

I keni parë zogjtë,jo kur fluturojnë
Por ecin me këmbë, të mblidhen përqark.
Si sot, që u shtruan të hanë me mua
Këtu, në një stol
Në “Madison park”.

Ecnin dhe më shihnin përgjërueshëm,
Krejt të gatshëm në sulm
Qoftë për një thërrime.
Temenara më bënin me kokë,
Veç të ndanim bashkë drekën time.

Dhe unë u dorëzova,s’gjeta udhë tjeter,
Drekën me ta e kam ndarë
Se zogjtë si unë
Ishim të huaj,
Ishin zogj shtegtarë.

EMIGRANTE

…dhe ëndërrën e zumë,
Jemi të lumtur.
Pa shihe qytetin:
Çmendurisht i bukur!
Ka drita, ka ujë
Dhe kurrë me pluhur
S’të bëhet këpuca…

Ende s’e dime,
Ende s’kuptonim:
Mbi ne ecte rruga!

PAFAJESISHT…

Pafajësisht kjo grua më buzëqesh sot,
Pa ditur që mbrëmë
Ndau me mua krevatin…
Dalldi, dashuri a vetëm epsh ishte,
Që solli tek unë një natë djallin?

Vetë i zbërtheu komçat e këmishës,
Në duar më la kupagjinj të florinjtë.
Unë-klient i uritur-
Veç të ngrija kapakët
Dhe do shijoja të gatuara të gjitha magjitë.

I babëzitur,nuk kisha të ngopur,
Rënkoja, sfilitesha, por s’doja të jepesha.
Me hile ke bërë ndarjen, o zot,
Të gjithë mrekullitë
I ngjize te femra….

…hungerija si hijenë e rënë mbi prenë,
Të dy kënaqshëm rënkonim: “OH!”.
Zbardhi drita.
Hap sytë lebetitshëm:
Çudi: pranë meje nuk ndodhej ajo!

Vë dorën në ballë:po digjesha,
E ndjeva se shumë kisha temperaturë.
Më sill, o zot, gjithë netët si mbrëmë!
Pranoj të mbetem
Përjetësisht sëmurë.

Gushti i emigrantëve

S’e di pse heziton Presidenti i Republikës,
Përse nuk shpallet në gazetat zyrtare,
Akoma gushtin s’e paskan caktuar
Muajin e Çmalljes Kombëtare?

Ndonëse në porte vijnë më shumë tragete,
Aeroporti-më shumë emigrantë,
Në pikat e kufirit nuk ka ndërprerje…
E prapë gushti nuk shpallet i veçantë.

Vijnë nga gjithë bota me çantat e mallit.
Kollare,kostum kanë bërë kujdes të veshin.
Mos t’u duket lodhja, rrudhat mos t’u duken,
Por mallin, ah mallin, nuk dinë si ta fshehin.

Për të vegjëlit -, një lodër, veshje, çokollata,
Për të rriturit- kuleta pak e fryrë pas një viti.
Një vit nuk është pak, krijon deficite
Për dhimbjen, për mallin që të mban shpirti.

Dikush do të ngejë varrin e babait.
Një tjetër s’erdhi dot në fejesën e motrës.
Ah dhe çatia pikonte nga malli…
Dhe ata punonin çative të botës.

Dikush…o hallet s’kanë të sosur
Dhe malli mbi halle -oh, ç’barrë e madhe!
Si vallë akoma nuk qenka vendosur!

DITELINDJA E GRUAS

Gjithçka e vendosën fëmijët.
Ata e bënë dhe regjisorin.
Mua më lanë aktor rezervë.
Vetë përgatiten dekorin:
Mbushën shtëpinë
Me tollumbace gëzimi
Dhe nënën (gruan time)-
Si gjithnjë-tek gatimi...

Mërziteshin nga ngathtësi e akrepave.
Gjithçka duhej gati në gjashtë pasdite.
Gjashtë ore jemi pas Shqiperisë
Dhe atje së pari niste kjo ditëlindje;
Atëhere duhej shuar qiriri mbi tortë
Dhe ata gëzueshëm të këndonin fort.

Dhe gjashta erdhi-torta u përflak
Një blic mbi të shkruarën shqip dhe anglisht:
"Happy ditëlindjen"-
Kompozim i çuditshëm
Si ne, që në dy vende jetojmë njëkohësisht.
Dhe kënduan me melodinë e njohur.
Gjithçka u mundova ta fiksoja në kamera...
Por dhe syrin s'e ndaja nga gota.
Tavolina plot me pije dhe mezera...

Dhe u shtrova...gjithnjë më të vogla gotat
Edhe pjatat u zbrazën aq shpejt.
Kur nuk munda , kur më mundi ngopja,
U kujtova të uroj-është adet:
"Gëzuar, grua, edhe shumë vjet!'
Ajo qeshi, si të më thoshte:
Prisje të më uroje më parë!
Ah, inati i pijetarit:
"Kam qenë i dehur grua,
Kur vendosa me të marrë!".

PRITJA

Prisja të vdiste një sekondë e më parë.
Ajo frymonte:
Prapë qenka e gjallë!

Ia shihja fytyrën e lemerisur,
Një e çarë thike në zverk,
Njerin sy krejt të buhavitur,
Dorën këputur në aksident,
Fustanin e çjerrë, gjinjtë e mavijosur,
Një thes të linjtë kur e morën peng...
Unë u ktheva korb e doja ta përpija...
Pritja më trembi,-
U bë dordolec!

Kisha ankth se jetonte akoma.
Ku të gjeja një vrasës për të.
S'ishte nevoja të mbaja dietë,
Më ktheu pritja pa peshë e pa zë.
Merrte frymën time për mushkeritë e saj,
Unë-korbi krokitja në hapësirë të vdekur,
Po linte pulsi,
Mbeta i mekur...

Por, s'më le aq gjatë:
"Jam mirë!Të puth zemra ime..."
Pashë pritjen që dha shpirt
Dhe harrova gjithë mundimet...

UNE I NJOH...

Unë i njoh, unë e di
Kush do marrë pjesë në funeralin tim;
Kush do të qajë me lotët e shpirtit,
Cili- veç t'i duket një lot në faqe;
Kush me duf të vërtetë e shfaq mërzitjen;
Cili mërzitjen e ka vetëm shfaqje...

Unë i njoh,unë e di
Cili në funeral do më vijë.
Emërat e tyre i kam si në listë,
Familja, të afërm dhe miq,
Shokë që në jetë e gjerbëm një kafe me qejf,
Të njohur në jetë,
Që kurrë s'patëm mllef.

E di se kush do të vijë i detyruar
Në shlyerje të një nderi, apo lidhje krushqie...
E di se ajo nuk mund të vijë, ndonëse ndjen dhimbje,
Ajo-e fshehta, e përjetshmja në lidhje dashurie.
Ne çastin e fundit ndonjë i hepuar,
Dikush hapin do ta kthejë prapa...
Një hatërmbetje, një ndihmë e padhënë
Dhe ai s'gjeti xhep ku të rrinte falja...

Unë i njoh, e di kush merr pjesë
Se të gjithë me emra "i caktova" sa isha në jetë.
Se njeriu në gjallje nuk bën gjë tjetër,
Vetëm përgatit funeralin e vet...

BUSTI

Ai bust në laboratoret e anatomisë në shkolla,
Qe përdoret për qellime didaktike,
Ku trupi i njeriut është prere më dysh,
Eshtë busti im,
I çare me majë thike!

Aty ku truri duket i korracuar,
I ashpër, guackë, si kurriz breshke,
Ku gjysma e zbuluar është në një hemisfere
E tjetra i përket një tjetër hemisfere...
Eshtë truri im
Në koken e prerë...

Ata damarë të ngjyrosur për tu dalluar,
Që vrapojnë drejt zemrës,fshihen tek barkushet,
Arteriet, venat dhe kapilarët,
Për të dhënë bymimin edhe sesi tkurret...
Eshtë e imja ajo zemër e allçinjtë.
Punon vetëm gjysma,
Veç ajo që s'duket.

Dhe njera dorë e zhveshur nga mishi,
Dhe dora tjetër që vjen e plotë,
Janë të miat,por ju mos provoni
Në secilën prej tyre të vini një orë...
Se njera shkon gjashtë orë para
E po aq shkon tjetra prapa...
Herë 18 orë më vjen dita,
Herë po aq më vjen nata...

Dhe ashti...o i gjithë busti i allcinjtë,
Që keni parë në shkolla, në laboratoret e anatomisë,
Me prerjen klasike vertikale.
Eshtë i imi, më ngjan mua
Dhe gjithë emigrantëve...
Veç ende s'e di pse nuk e lëvizin
Për në departamentin e shkencave sociale..

New York, 2010

DALLGE DHE SHKEMB

Deti rreh brigjet e vendlindjes sime,
Brigjet e çdo moshe parreshtur m'i rreh deti.
Mbeta mes tyre i thyer mëdysh.
Herë vij si dallgë,herë copëz bregu.

Herë valëz e qeshur e ranishte e butë,
Herë murrëtyer e plot stuhi.
Një guackë e zbrazur në lojën e ujit,
Herë kep i shkëmbit e s'jepem kurrësesi.

Herë jam i detit, herë jam i bregut,
Herë-urë paqeje,herë-log beteje...
Gjithnjë i pangopur me puthjen e bregut.
Por detin s'e lashë kurrë të më rrëmbejë.

TELEFON I PASMESNATES

Ka një zile të tmerrshme,
Na shungullon aq shumë.
Dhe bie gjithnjë, si tërmetet,
Gjithnjë na gjenë në gjumë.
Sjell një zë të dridhshëm,
Ku je fshehur "...sapo na la!".
Ne s'dimë se ku të vemë,
Jemi aq larg nga "ata".

Përcellon telefon i pasmesnatës,
Si dhimbja
e pacientit ne spital,
Sapo e ze gjumi pas dhimbjeve të thella
Vjen infermierja t'i marrë gjak.
Eshtë zile makabre që nuk harron
Të bjerë në familje emigrantësh,
Tek ne që "...i lamë", lajmërojnë "...na la"
Telefoni i kobshëm i pasmesnatës.

KEPUCET E VAJZES SIME

Këpucët s'janë më të reja, do të blesh të tjera.
Kepucët për mbrëmjen kur nbarove shkollën.
S'e hodhe kutinë.Aty paske stivuar
Fletënderet e shumta, medaljen, diplomën.
I paske lëne mes pakove të shumta,
Të vëna në radhë me rrobat e dimrit.
Nga frika mos t'i harrosh padashur
Në ardhtë shpejt dita e deportimit.

Se fundja nuk ka se ç'të duhen tani
Diploma dhe "Çelësi i Artë" që të dhanë.
Ti s'duhet të punosh (këtë shteti e di),
Me "biografi të keqe" kë nënën dhe babanë.
S'ka gjë se u rrite në Amerikë,
Askush nuk pyet për fakultet e master.
Në një mënyrë tjetër shihen biografitë,
Siç ndodhte në vendin tonë të varfër.

Ne bëmë sa mundëm për diplomën tënde,
U lodhe,bija ime, për ato rezultate.
Gjithë mundin "e fshehe" në një kuti këpucësh
Se si dihet kur të na trokasin pasmesnate...
Dhe të na nisin si kriminelë.
Ndaj gati i kemi kutitë.
Në ato letra janë "këpucët" që të blemë,
"Këpucët" që në jetë do të veshësh çdo ditë.

PAS VITESH…

Pas shumë vitesh u shkëmbyem në një web.
Më drodhe me foton,
Në telefon-më çmende me zërin

Dhe...
Më more të tërin!


Facebook

Sa keq jam mësuar me thashetheme.
Pa bërë "biografi" nuk rri dot...
Kush e hapi? Pse? Cili fshihet brenda?-
Pyes dhe veten rregjistroj.

Sa zhgënjim-takimi i parë:
Gjithcka e hirtë...
Rregullsi varrezash:
Gri kompiuteri
Dhe "pllaka" për fotografitë;
Dhe statuset,numri i paktë i fjalëve
Sepse me ngjanin si amanete...
Kush është "bosi"?
Ndofta varrëbërës,
Ose agjent i kompanisë së varrezave.

Dhe vendosa emrin shpejt të fshija.
Jam i ri për foto në pllake...
Krejt papritur ne u takuam,
Pas shumë vitesh,
Sa vite larg!

Dhe kompjuteri u kthye në lëndinë.
Ti e vogël-veç 16 vjeçe...
Gjithë jetën unë të kërkova
Dhe s'të hasa...
Të kisha fshehur në vete.

Të kërkova e të gjeta këtu.
S'iki më.
Si mundem të le vetëm?
Se facebook-un e paska krijuar
Ai që të dashurën
E kërkon gjithë jetën

NE METRO S'KA BLICE...

Turistë të uritur
Të zënë
gjithçka,
"Kodakë"-krahëqafë
Kamera të mëdha
E s'kanë të sosur
Blicët në ditë...
Më shumë "të shtëna"
Se në Luftën e Dytë...
Manhatani i qeshur
U rri para syve,
Në ngopje të urisë
Dhe ëndrrës së tyre...

I gjen në çdo rrugë,
Në çdo avenu...
Një blic atje
Një tjetër këtu...
Në muzetë e shumtë,
Në Broduej
shou...
Në shijon Manhatanin
Nga dheu mbulohu..
Në zë rrokaqiejt
Që parfumos vesa...
Në ç'tjetër lartësi
Mund të të ngjitë jeta...

Dhe s'di pse s'kujtohen,
Në metro pse s'vijnë,
Një blic për ne
Me Manhatanin mbi shpinë.
Këtu s'ka parfume,
Kurrë s'bie vesa,
Veç në të rëndomtit
Nga rendja, nga djersa,
Këtu nuk hyn dielli,
S'duhen mjetet e
ngrohjes.
Temperaturë e lartë
Nga duhma e lodhjes.
Dhe trenat vërshojnë
Manhatanit rreth e qark.
Të gjithë mbi supe
E mbajmë nga pak.

E mbajmë mbi supe
Dhe na jep frymë të pakët,
Një çek, si një fryt
Para se të kalbet.
Ushqehemi për vete
Dhe mbajmë fëmijtë.
Teprojnë dhe thërrime
Këtu poshtë për minjtë.

Shkrepin blica Manhatanit,
Fiksojnë më të bukurat...
Bota s'pyet për rrënjët,
Nga pema do frutat...

GJENERAL

Jam gjeneral, mbuluar me flori,
Me gradë e nishane tek xhaketa.
Tegela të artë në pantallona,
Me yje dhe dafina në spaleta.

Ndjek me vemendje luftën e përditshme,
S'ka gajle pse jo në vijë të parë...
Trofetë i marr në çdo fund jave,
Më shpërblejnë mirë me dollarë.

Kam
radio në vend të celularit,
Urdhëroj gjenerale të tjerë të shtabit...
Çdo zë, ankesë e përcjellë në çast
Urgjent me zilen e alarmit...

Urdhëroj një gjeneral nga Bangladeshi
Me leckë të ngjitet tek ashensori,
Se qeni i ëmbël i zonjushës Xhoi
Nuk doli jashtë dhe aty përmorri;

Me vrap e nis një meksikan rronco
Në katin më të lartë tek lënesha...
U bënë dy javë që ditë më ditë
Porosit kunguj dhe kastraveca të freskëta;

Dhe urdhërat e mia zënë vend,
Të gjitha zbatohen me përpikëmëri;
Para banorëve, si rregull bëhem shqerrë,
(Sepse civilët drejtojnë dhe në ushtri).

I shoh zotërinjtë, sa gjatë e mas fjalën,
Krejt i përkorë, i zbutur tërë kujdes...
Në çehre kuptoj se humbin në bursë
Apo fitojnë mirë në bisnes.

Përpara zonjave jam përherë xhentil
Dhe ëmbël, butë koplementoj avash...
Ngaherë s'durojnë, janë tepër nervoze,
Kur janë me...ah,s'e di, është çeshtje
grash...

Vazhdoj betejën pesë ditë të javës,
E ndërpres luftën me dy ditë pushim.
Trofe të njënjtë gjithnjë marr
Një çek për rent dhe ushqim.

Krejt i kënaqur shihem në pasqyrë,
Gëzoj për arin në kapele e spaletë.
Se sot në botë s'është lehtë të dallosh
Në është kallp a flori i vërtetë.

GJITHE JETEN....
-Fëmijëve të mi-

Sa erdhët në jetë e kam ndjerë
Se do bëhesha kali juaj, para se të ecnit
E të kalonit nga një kolltuk tek tjetri;
Se do bëhesha ura juaj me konstrukt të dhemshëm

Të kalonit nga njëri
Tek tjetri cep i bregut...

Nuk është se u pendova
E kurrë s'iu mora inat
Kalë dhe urë
Për ju bëhem prapë.
Dhe tani që vete ecni
E kapërceni brigje...
Jam shtojcë e hapit tuaj,
E udhës që shkelni,
Jam në retinën e syrit,
Endërrës që shprehni...

Dhe mbetem urë dhe kalë,
T'iu mbajë gjithë jetën...
Dhe tani në gjallje,
Dhe më pas i vdekur...

Veç ju gjithnjë të ecni
Por kam dhe një merak:
Sa herë mbi mua të shkelni,
Mos përdorni taka
A këpucë me gozhdë-
Se më japin dhembje.
Për ju urë bëj dhe kokallat,
Veç më shkelni me të sheshta,
Kaloni me
atlete...

TE KERKOJ...
"...DHE UNE JAM HUMBES I DASHURISE SE PARE" - Lermontov


Ishte një shi i butë dhe i ëmbël fundmaji
Stinët për t'i ndarë.
Nën vrullin e moshës s'e ndjeva plagën.
S'kuptova se përjetë do isha i vrarë.
S'do përjashtohesha nga soji njerëzor
I humbësve të dashurisë së parë.

Dhe kur kuptova që s'të
zëvendësoja,
Shpalla kërkimin anëmbanë globit.
Tek të gjithë vajzat që më ra të njihja
Veç lipsej një përngjasim i vogël,
Si pak pikaloshe,symbyllur në qeshje dhe
të drejta flokët.

Tek të gjithë vajzat që më ra të njihja
Dhe me ato pak që kam fjetur,
Ty dhe vetëm ty të kam kërkuar.
I shihja me vëmendje
Cilin tipar të kishin vjedhur.

I shihja kur ecnin, si e mbanin çantën,
Pëlqeja kur flokët hekurosnin me dorë.
Se më sillnin vegimin e kodit sekret,
Kodit që ishte vetëm për ne,
Postim i një puthje të fshehtë.

Dhe tek asnjera s'të gjeta të plotë,
Ndaj shpirtin nuk e lëshoi brenga.
Veç t'i më mësove si fshihen thesaret,
Dhe sa e dashur ngaherë është dhembja
Dhembja ku harrohet vetja.

Të kërkoj dhe kur shpresat humba
Me fëmijet përdore u shfaqe papritur...
Ndjeva shkulmimin e detit të ndjenjave,
Kuptova se ende jam i parritur...
Po
zëri...ah iku!Kam lindur i ngjirur...

E njëjta qeshje, i njëjti zë...
Ah, detyrat mëmësore ndaj vajzës dhe djalit...
Asgjë s'ka ndryshuar-jam ende në jete!
Dhe ti dëborë e virgjër, e përjetshme
Që shndrit maje malit...

ME NISE RRUFETE.....

Në fillim-një vetëtimë ngjyrë violet,
Si e dalë nga shtëpi e funeralit...
Por s'durove:i nise rrufetë
Nga kështjelle e Krujes
E nga mali i Dajtit.
Në kala të Ishmit, Durrës, Prezë, Petrelë...
Qielli i tëri
U dogj nga zjarret...
Thierzat e rrufeve më përshkuan venat
Vrullshëm rrodhi gjaku tek damaret...
S'më duheshin më ilaçet për hollim gjaku.
S'më vlenin recetat, doktorët, spitalet..

U shkri qielli dhe pikoi brenda shtepisë sime në Tiranë.
Çohem dhe e gjej në gotë dhe e pi i qetë.
Vendi im më qetëson,
Më çmall mallin e malltë
Qoftë dhe kur këtu larg më nis rrufetë!

(Pese poezite e para jan marre nga libri i sapobotuar "I DENUAR TE QESH", kurse poezite tjera nga ALBPOEM)


MERRMENI...

Nuk mundem më panginjësisë suaj t'i bëj ballë.
Jo për altruizëm po ju dorëzohem me të gjitha.
Jam gjysmë i vdekur dhe gjysmë i gjallë.
Rripmëni nga flokët deri në gishta.

Kokën ma hidhni, përderisa dhe vetë
Në vend të saj mbani makinë llogaritëse të fitimit.
Sytë e mi rrokin të tjera horizonte.
Të tjera zhurmëra thith aparati im i dëgjimit.

Filloni me thonjtë që rriten aq shpejt
Dhe bëni me ta tespije prej fildishi.
Pastaj një e nga një merrini krejt
Dhe tek kokallat ju palcën ma thithni.

Merrni dhe organin gjenital.
Eshtë i dukshëm dhe shqiteni prej trupit.
Një kliente e pasur për të do të dalë,
Të ngopë pangopësinë e epsheve të turpit.

Merrmeni zërin, ndonëse është i vrazhdë.
Shiteni tek memecet e sojit tuaj.
Të shprazë mbi mua inatin e madh
Për pafajsinë se jam i huaj.

Merrmëni supet, ngarkojini rëndë,
Deri të lakohen e mavijosen.
Pashpirtshmëri e fitimit të shkojë deri në fund
Aty ku s'mban, deri krejt të sosem.

Merrmëni mushkëritë. Janë ca të përdorura.
Por ende frymojnë me ritmin e hapeve.
Për ndonjë asmatik me egon e ngjitjeve,
Të vrapojë ethshëm, mos mbetet mes shkallëve.

Merrmëni krahët. Jo për përqafime,
Se të tilla nuk dhatë e morët ndonjëherë.
Mbase ju ndihmojnë të mbani valixhet.
Në vende të sigurta ari duhet shpjerë.

Mbetet dhe zemra. Ua jap, jo për ju.
Bëjani transplant ndonjë qeni.
...dhe nuk kam tjetër. Doni dhe shpirtin?
Vetëm atë kurrë s'do ma gjeni!


Nju Jork, Tetor, 2010
(Poezia MERRMENI eshte marre nga Gazeta KRITIKA”



Tavolina e ushtarit
tregim

Kamarierja na drejtoi për tek tavolina e fundit.
-Vetëm tavolina e ushtarit është e lirë,-tha ajo si e zënë më faj.
Nuk doja të rrija atje, madje kërkoja një tavolinë në hyrje, jo më të isha afer asaj "të ushtarit".Kisha pirë kafe dje në këtë bar me emrin "Shqiponjat".Në fillim pata një si ndjenjë ngazëllimi,kur dallova që larg flamurin shqiptarë dhe atë amerikan në farfuritje.Lokali ishte në krye të një sërë godinash njëkatëshe,që ishin zyra apo dyqane të vogla,minimarkete.Sa hyje brenda të dukej se kaloje si në revistë tërë Shqipërinë. Madje edhe emrat e tavolinave u përgjigjeshin pamjeve, fotografive në sfond.Ja,tavolina e Rozafatit,e Krujes,e Saradës,Tiranës...Vetëm një tavolinë e madhe në fund të lokalit nuk kishte emrin,madje as kishte ndonjë pikturë,apo fotografi. Dy rekuizita te vogla prej xhami kishin nga një bluzë marinsi; njëra e shpuar nga plumbi në mëngën e majtë,tjetra-akoma e përgjakur.
-Mos u habisni që kam shpëtuar.Nuk ka plumb që ta vrasë shqiptaro-amerikanin që lufton terrorizmin Jo vetëm në Falluxhah të Irakut,por dhe në Polin e Veriut,në xhunglat e Afrikës,kudo që ka terroristë jam gati të shkoj...-nisi fjalimin e përditshëm djaloshi i veshur me uniformë marinsi.
Askujt nuk po i bënte përshtypje fjalimi i tij patetik.Ndoshta ishin mësuar ta dëgjonin çdo ditë, ndoshta edhe vidiot në televizorët e sallës kushedi sa herë e kishin transmetuar atë.Vetëm ca syresh e shihnin me keqardhje dhe pëshpëritnin:"Sa djalë i mirë ka qenë.U bë gjytrym për tekat e të atit".
Kamarierja,si duket e kuptoi hezitimin tim:
-Mos u shqetesoni, Besmiri,ushtari , nuk vjen sot, është shtruar prapë në spital , i shkreti. Rrini të qetë dhe mirë se erdhët
Zumë vend.Xha Mustafa, që sapo kishte ardhur nga Shqipëria,u bë me krahë që po gjente një kafe kaq pranë shtëpisë së të birit dhe ku shërbehej dhe flitej në shqip.
-A ka fernet këtu?
-E do "Branca", apo të Tiranës,si të duash...
-Më sill një dopio të vendit dhe nje ekspres streto,-i tha kamerieres dhe na u drejtua ne:-Tani këtu më keni çdo ditë.Të vonohet djaliu sa të dojë...Do të gjej ndonjë shok të tjerr kohën.Po këto televizorët a e dijnë shqipen?
-Kemi edhe video, edhe program direkt...
-Po çfarë kanë vidiot?Humor me Koço Devolen?
Kamarierja mori një kasetë që i zuri dora dhe telekomandën...
-Shihe, more, po sikur e njoh këtë...A mos është ky Brahim Brahushi,berberi i Selvisë?Po ç'e paska këtë kollare të madhe si ministër.Mos e kanë bërë ministër këtu në Amerikë?
Kamarierja duket shumë e muhabetit dhe nuk besdisej nga pyetjet e shumta të xhaxha Mustafës:
-E ç'është ministri para Brahushit?Asgjë. Brahushi është pronari i këtij lokali dhe i tre dyqanëve të tjerë në këtë zonë.Në një shtet tjeter ka blerë një pikë karburanti...Brahushi është dhe babai i ushtarit,-nxitoi së fundi të sqaronte kamarierja,sepse po i bënin shenjë nga një tavolinë tjetër për pagesën.
-Allah Brahush berberi qenka bërë pasanik i madh në Amerikë,-foli nëpër dhëmbë xha Mustafa me sytë tek televizori-Pa prit,prit,çfarë thotë?Brahushi qenka dhe kryetar i shoqatës së intelektualëve shqiptaro-amerikanë Zot,na ruaj kaplloqen,se po na bie ta shkelim me këmbë Mirë për tregëti,po paska patur edhe shkollë?
Në vidio një gazetar i televizionit lokal,po intervistonte Brahushin,pas zgjedhjes si drejtues i intelektualëve:"Tërë jetën time ia kam kushtuar drejtësisë dhe ekonomisë së tregut.Amerika shpalosi para meje horizonte të ndritura Amerika-vendi kampion i demokracisë...".
Xha Mustafa kroi kokën me shejtani; e njihte mirë Brahushin...

* * *
Brahushi kishte një jetë të tërë që punonte berber tek Selvia.E njihnin të gjithë dhe për gërshërën dhe për muhabetin e embël që të bënte kur të shërbente.Kur dilje nga berberhania e tij e kuptoje se nuk kishe bërë një qethje të thjeshtë anash,apo kare,por dhe ishe rruar nga xhepi.Jo se Brahushi ta merrte lekun me hile,por se si qe aq i ëmbël dhe i përshtatshëm në muhabet.Ta shihje në rrugë Brahushin,nuk e ndërroje me ndonjë drejtor apo ministër.i rruar taze,i kollarisur,syzet me skelet të verdhe,si të ishin larë me flori.Edhe kur gratë nuk gjenin bojë për flokët dhe i lanin me lëng gështenjash,Brahushi kishte; kurrë nuk e kam parë të thinjur.Sa për zanatçi-jepi hakun-qe mjeshtër.Për njëzet a tridhjetë vjet ai më ka qethur.Zyrtarët e ministrive,drejtorët, shefat-kë nuk ka patur klientë Brahushi.Të gjithë e donin për zanatin dhe muhabetin.Kur një ditë i mori Palokë Plakut vetëm 5 lekë për një rruarje,e morën vesh të gjithë.Tjetri zgjaste t'i jepte edhe pesë lekë të tjera,po mezallah që pranonte Brahushi."Ik dhe mirëardhsh,prapë Unë e mora hakun tim,-i tha me zë të lartë që ta dëgjonin të tjerët,-se kaq do të marr përherë...".Paloka kishte dalë dhe Brahushi po u shpjegonte klientëve të tjerë:"I bëra 50% zbritje se ai njërën faqe e ka të djegur...".Gazin s'e kish mbajtur asnjeri dhe për dy-tre ditë tregohej si barsaleta më e suksesshme në baret e Tiranës.Paloka s'u duk më tek Brahushi...
Xha Mustafa tregonte rrjedhshëm dhe me humor.Kishte shumë për të thënë.Teksa fliste sytë i mbante në vidiot e tre televizorëve të sallës.E pyeta në e kish takuar këto vitet e fundit në Tiranë,se dija që Brahushi kishte shkuar shpesh.
-Vetëm një herë e takova.U poqëm si miq të vjetër.Më tha se s'po ia kalonte keq në Amerikë,"Por ke par ti,Mustafë se mua më djeg malli për Selvinë,për vendin tim?Sa kthehem në Amerikë,më vjen të kthehem prapë.Po të mos lëvizja,me siguri do të hidhja rrënjë këtu dhe ju s'do të thonit më "tek selvia",por "te Brahushi"...Nuk e kuptoi njeri pse lokalit që e kish privatizuar ia ndërroi emrin.Madje kur e pamë u habitëm.Në ballë të tij shkroi "BERBER ME POROSI". Jemi mësuar për këpucë me porosi, fustane dasmash me porosi, por jo berber,dreqi e mori...
-Po me porosi ka punuar gjithnjë Brahim Brahushi,o xha Mustafë,-desha të sqaroj unë. Dhe i tregova se ,pasi pa që nuk e hante punën,vrau mendjen si të nxirrte lekun.Se edhe kur punonte berber i thjeshte,gjithjë plot e pati kuletë ai.Merrej me shoferat e "Albanieve",me kontrabandë floriri.Nuk është se ngelesh pa bukë në Amerikë. Madje,që kur erdhën edhe e shoqja ,edhe të dy djemtë punonin.Më beso,të gjithë thonin"s'ka çuna si të Brahushit".Në punë përditë,në shkollë të parët.Por ç'e do,i mori vetë në qafë.Ta dëgjosh djalin,të këputet shpirti.Nejse,tjetri shpëtoi dhe po ndjek kolegjin. Por Besmiri,e bëri budalla të birin me pangopësinë e tij.Dhe i shiko këto njerës në kafe?Shumica thonë se Brahushi u tregua i zgjuar...
Xha Mustafa po më shikonte i habitur.Ai s'dinte gjë ç'i kishte ngjarë Brahushit.Madje ishte i ngazëllyer nga kasetat,për prakticitetin e tij.
-Pa më fol më shkoqur,se më hutove krejt,-më tha.
-Po, Brahushin e kapën në Kanada tek shoqëronte për në Amerikë 23 refugjatë nga Shqipëria...E arrestuan.Zuri një avokat të mirë.E liruan pas tre muajsh dhe e urdhëruan që për të gjithë jetën të mos shkelë në Kanada...Edhe atë "Berber me porosi" Brahushi e përdorte për të zbukuruar njerëzit,për t'i përngjasuar personave që i kishin dhënë green cartën për të sjellë njerëz të tjerë.Dhe mua ma ka kërkuar,se gjoja donte të sillte një kushëri të vetin që s'paska ç'të hajë në Shqipëri...
Xha Mustafa kishte ngelur i shtangur:
-Po çfarë ngjau më pas?
-Erdhi në Amerikë, por ia mori emigracioni dokumentat.Ishte djegur kot, se për tre muaj duhet të merrte pasaportën amerikane.Dhe e gjeti zgjidhjen:nisi lufta në Irak dhe hoqi djemtë nga puna dhe shkolla, i çoi ushtarë.Pa krijoi gjoja shoqatën e intelektualëve dhe ku shkel dhe për çfarë bën pas e ndjek kanali televiziv shqiptar. Me siguri i ka paguar mirë.Të gjithë këto kaseta përdori avokati i tij si dhe një tjetër nga darka që shtroi kur u kthyen djemtë nga Iraku. Sot Brahim Brahushi është qytetar amerikan...
-Sa të rrosh do të dëgjosh. Po a vjen këtu, se paskam qejf ta takoj e t'i them nja dy fjalë,-xha Mustafa më kishte ndjekur me vëmendje.
-Aaa... s'e sheh lehtë këtu Tani është në Shqipëri.Përsëri me refugjatët që duan të shkojnë në Evropë.Megjithese dikush më ka thënë se e kanë parë në Kinë.S'e di në merret me tregtinë e kukullave "Barbie"që dolen me kimikate, s'e di a po viziton vendet e tjera aziatike. Por mbase interesohet për lojërat olimpike "Kinë 2008 .Mund të zgjidhet shef i organizimit...
Qeshëm të dy për një çast.Po pinim kafe tek "Tavolina e ushtarit" në klubin e Brahim Brahushit në Amerikë

.
Nju Jork, 2007
(Tregimi eshte marre nga blogspoti PUNISHTJA)


BIRI I KURVËS

Ai nuk ishte si cdo dhëndër i ri. Ndonëse flokët i kishte me brilantinë, kollaren ngjyrë tulle që vec një kontrast të lehtë bënte me kostumin në bezhë të ëmbël. Por thinjat tek favoritet, barku paksa i kërcyer, serioziteti që qëndronte normal në fytyrën e tij, flisnin për një moshë tashmë të kapërcyer paksa, ndoshta rreth të pesëdhjetave. E pra ky plak vinte të merrte nuse. S'kishte shumë krushq: Një grua tjetër e priste në makinë; si duket motra e tij më e madhe, halla, a ku ta dish... E kë donte për nuse, me kë do lidhte kurorë? ... Zemra s'ia thoshte, me nënën e tij, me mamanë e bukur të Tores.
Vetëm një natë më parë kishte telefonuar në shtëpi. Kishte kërkuar"për një kafe"babain. - Ti hajde të kthejmë një gotë në shtëpi - e kishte ftuar babai.
Tjetri si duket kishte kundërshtuar dhe babai u vesh shpejt e shpejt duke dhënë porositë e përhershme.
- Po dal të pi një kafe me doktorin dhe kthehem shpejt. Kujdes silluni mirë me mamin, - dhe tërhoqi derën.
Sapo përmëndi doktorin Torja u nxi. Ai ishte (mos, o zot)dhëndërri, burri i mamasë së tij, "burri" i Thëllënzës do të thoshte më pas Mexhitja e Meremja sapo të merrnin vesh se cdo të ngjiste. Pse jo, mund të thoshin dhe për Toren se qënka "biri i kurvës që përlau doktori". U ngrit e shkoi në guzhinë. E ëma, që zakonisht këndonte nën zë sa herë gatuante apo lante enët, sonte ishte tejet nervoze. E pa vjedhurazi mamanë por nuk i erdhi keq për të. Si mundet t'i verë brirët babait? Babai që bëhej i sertë me Toren e të vëllain vetëm kur këta kundërshtonin, s'i bindeshin të ëmës? Vallë cfarë po i thoshte tani doktori babait? "Unë dhe Thëllëza kemi kaq vite bashkë në punë. Unë doktor dhe ajo infermierja më e mirë... Dhe jo vetëm se punojmë bashkë por... "E c'mund të thoshte babai? Ta godiste, ta fyente, ta cirrte në fytyrë të pabesën, që me dhjetra herë kishim shkuar e ardhur tek shtëpiia e njëri- tjetrit? Eh, me vjen keq për babain. Ka një javë që po provon të lerë duhanin dhe lëviz nëpër shtëpi sa nga një dhomë në tjetrën. Do të lerë duhanin se javën tjetër mbyllet dhe shkolla, ku unë mbaroj maturën dhe do të nisem për Amerikë. Na doli llotaria. Babai që hezitoi në fillim, tani thotë se është mirë në Amerikë se ka shtet dhe unë meqë di mirë anglisht mund të filloj njëherësh në Universitet. Do të bëhem me diplomë amerikane dhe i thënkam jetës "tungjatjeta"... Babai që thirri për darkë doktorin dhe familjen e tij për t'i blerë një mendje nëse ia vlente të shkonin në Amerikë. Kishte shkruar dy- tre herë, kishte trashëguar një pasuri modeste me gjyq, si dhe kishte të drejtën të jetonte atje. Dhe doktori ja preu babait: - Nëse mendon ca për fëmijët, Amerika është lule, në mendon vetëm për vete - rri këtu. Dhe babai i besonte doktorit se ai ishte i ditur dhe i shëtitur... Thua doktori t'ia mbushte mendjen mamasë që të aplikonte Llotarinë? Se e donte me vete Mirë babanë që e paske urryer fshehtazi, por ne, mua dhe vëllain, na gjeti në rrugë? Edhe ne na urren? Babai është babai jonë i vërtetë? Se përndryshe si shpjegohet.....
Torja e kishte ndot ta kujtonte dhe me vete: - Në pushimin e madh se si iu dha të shkonte deri te poliklimika. Iu deshën ca para dhe si gjithnjë shkoi t'i merrte të ëmës. trokiti në derën e doktorit dhe instiktivisht uli dorezën. Nuk kishte pacientë. Në një karrige ulur përballë doktorit, brinjazi nga dera ai pa të ëmën... Gjoksin e majtë e kishte zbuluar dhe doktori po ia prekte me dorë. Doktori... Kishin harruar derën hapur... S'u bëri përshtypje kërcitja e dorezës, vetëm doktori, autoritar, si gjithnjë, thirri: - Nuk e sheh jemi të zënë. Ishte i zënë pushti... Tërhoqi derën fort dhe fluturoi shkallëve. e ëma as që kishte kthyer kokën, madje dhe doktori më duket s'e kishte parë. Shkoi në shkollë tërë nerva. Kishte provim në lëndën e anglishtes. Si duket ishte cehrzbetë se mësuesja e pikasi:
- Hektor, mos je i sëmurë?
- Kam shumë dhimbje kokë mësuese...
- Mund të shkosh, për ty e kam përcaktuar notën, - I foli me dashamirësi mësuesja.
Mori të dilte, kur Sefedini e kapi për mënge:
- Bir kurve je. Hiqesh i sëmurë që të mos bësh provim....
Torja s'ia bëri të gjatë, por ia veshi me grusht.. Mësuesja u shastis, Torja, i qeshuri, nxënësi më i mirë dhe i edukuar, Torja.. E mblodhi disi veten, se ndërsa Sefedini e kërcënoi se do t'ia paguante i tha mësueses:
- Më fal zysh, por më shau....
Doli, por këmbët nuk po e conin në shtëpi. Të kthente në fabrikë e t'ia thoshte të atit? E si mund të fliste më babain? Si mund t'ia thoshte se cfarë kishte parë me sytë e tij? Shkoi u shtri në dhomë pa ngrëne. Kishte dëgjuar nga babai se duhani e ndihmon për të hequr stresin. E ku të gjente një cigare, se babai po provonte ta linte dhe një paketë që mbanin gjithnjë për ndonjë mik, e kishin hedhur në plehra. Doli në oborr dhe gjeti një bisht cigareje të sapo filluar. Si duket ishte cigarja e fundit që kishte pirë i ati para se ta linte. Nisi të pinte, por u mbyt nga kolla. Po e pinte në oborr. Thoshte se ishallah kthehet babai dhe ta gjente duke pirë duhan. Le t'i bërtiste por do të gjente së paku sebepin për t'i thënë gjithcka.
I ati erdhi vonë, në të njëjtën kohë me mamanë. dukeshin të ngrysur. Si duket qënka e vërtetë. Mamaja ia ka thënë se duhet të bëhet nusja e ardhëshme e doktorit. Ja, babai kishte blerë paketë dhe rifilloi të pinte. Nxinte më shumë se tymi që nxirrte me shtëllunga. Edhe ky telefon u desh. Po pse e ftoi doktorin të vinte në shtëpi? Kishte dëgjuar se ka gra shemra, po burrat që kanë vetëm një grua të përbashkët si quheshin? Shemraxhinj?
Dera kërciti dhe babai nervoz thirri mamanë:
- Bëhu gati, do të shkosh që sonte në Tiranë. Doktori më tha se për gjysëm ore vjen ambulanca. Doktori do të vijë me ty.....
Si? Edhe babai ia paska dhënë llafin? Si duket se ka ditur më parë që vendosi ta heqë qafe kaq shpejt. E megjithatë, për tu besuar hamendjeve të tij, kishte pyetur me një fije zëri:
- Pse do të shkojë në Tiranë?
- Sec..kanë një... seminar me këto të punës... u ngatërrua babai- por ti do të më bësh bukën gati për punë, se ty të jepet, - dhe i ati e kish puthur në faqe.
Iu dhimbs babai. S'kishte si t'i thoshte të vërtetën, i vinte rëndë. Toren, edhe sikur ta pyesnin, e kishte vendosur që të rrinte me të atin. Nënën, që më parë i dukej se e kish dashur shumë, kishte filluar ta urrente.
Ambulanca erdhi dhe doktori ishte ulur në vëndin e parë. E ëma doli shpejt e shpejt me një cantë në dorë. Torja as që doli ta përcillte. Kur e pa që ajo e kishte hazër cantën, kuptoi se ajo ishte përgatitur të ikte. Babai e përcolli deri tek makina dhe atë natë tymosi deri vonë. C'ishte ky tersllëk vetëm një javë para se të niseshim për Amerikë?
Kishte dëgjuar të thoshin se gruaja e mirë ia zbardh faqen burrit... Po gruaja e keqe? Ja, bëri babanë të nisë prapë duhanin..Sa donte Torja të shkonte të përqafonte të atin, por ai, kur ishte i mërzitur, bëhej kaq i sertë...
Të nesërmen u hoq gjoja kish harruar dhe pyeti përsëri babanë;
- Mami nuk ka ardhur..
I ati lëshoi një ofshamë:
- Hektor, je burrë tashti. Për cfarëdo që mund të ndodhë unë të dua në krah. Ishallah... - babai e preu fjalën dhe u mbyll. s'mund të pyesje më tej.
Në shkollë Sefedini donte të merrte hak, ndaj e kërcënoi në sy të të gjithëve:
- Do ta përndrydh kokën si zog kurve...
Ndërhynë i ndanë sërish.
Nëna erdhi pas tre ditësh. Desh të puthte Toren, por ky iu shmang. Babait iu kthye hareja. Si ishte e mundur të duronte turpin? Vetëm tre ditë e mbajti "burri" i ri dhe e kthehu në gjini?
- Me një fjalë tani unë duhet të lë përsëri cigaren, ë? Seminari shkoi mirë?
- S'ka më asnjë problem. Bisedoi doktori vetë. Cdo gjë në rregull...
Babai piu nga gëzimi atë natë.
- Mos, ti paske filluar rakinë që duhet të merrnim me vete?
- Na bëre merak moj grua, thashë se na u dogjën biletat. Vajti Amerika...
Pas tre ditësh u nisënNë aeroport kishte dalë dhe doktori. U takuan miqësisht me babanë, u puthën në faqe me mamanë. ja aty..në sy të babait..... e Torja u shmang të mos i jepte dorën.
- Sapo të vini telefon në shtëpi më merrni e më tregoni numurin e adresën. Do të vij t'ju takoj atje..- tha doktori i përlotur.
Dashka dhe të na vijë prapa edhe në fund të botës. kurrë mos t'i pafshim sytë, turipetull, shahu me vete Torja. edhe kur u nis avioni ata shquan jashtë dritares doktorin dhe menjeherë silueta e tij u zhduk se avioni mori shpejtesinë e ngritjes. T'u zhduktë fara! Shau përsëri Torja.
****

Kishin tre muaj që kishinardhur dhe sikur po i vihej rregullsia e përditshme. Qeratë ishin të shtrenjta, por me rrogat që merrte babai e nëna në një fabrikë të "Cadillacut"dhe me paratë që fitonte vëllai që kishte gjetur punë si marangoz, cdo gje dukej mirë. Sa i thoshin malësorët, që kishin vite e vite që kishin rrahur kurbetin: Amerika i kishte marrë me të mbara. Torja kishte nisur pa problene kolegjin për drejtësi kriminale, me që anglisht dinte mirë. Një ditë e ëma i tha ta conte në spital tek gjinekollogu. I duhej patjetër përkthyes. Formularët ishin të besdishëm, por duhej patjetër t'i bëje hyzmetin burokracisë të letrave. Dhe Torja u habit, ndërsa duhej të plotësonte historikun e kancerit të gjirit. Po i tha e ëma kam vuajtur, e kam pikasur pak para se të vija dhe analizat dolën mirë; kanceri ishte mashkull... Nëna shpjegonte për mjekun dhe Torja i hutuar harronte të përkthente. Iu kujtua doktori, babai që rinisi cigaren, "seminari" në Tiranë, Sefedini... Nëna shihte sa nga i biri, sa nga mjeku i huaj.
"Everything os O. K. iu fiksuan në anglisht fjalët e mjekut, pasi pa analizat. Si me dorë mamit iu hoq ai trishtimi. Dhe Torja kuptoi gjithshka, Mbase u zbardh kur pas kaq kohësh ai po i përkëdhelej si i vogël. A më kupton nëna?
Doktori kishte thënë se do të vinte në Amerikë dhe t'i takonte. Po sikur ai t'i kishte rënë në të pse hiqej (nuk hiqej, atëhere ishte e vërtetë për Toren), si mund t'i dilte përpara?
Zilja e telefonit binte e binte. Po vinte doktori dhe nëna thërriste që nga kuzhina:
- Tore! Tore! O Hektor! - I tha emrin e plotë. - Hajde jepi adresën në anglisht, se më duket se këtë gjuhë unë kurrë s'do mundem ta mësoj.....


(Tregimi eshte marre nga Gazeta KRITIKA)

URIMI NGA „SOFRA POETIKE“
Gezuar ditlindja, miku yne Vaid Hyzoti! Ti jetoni edhe 100 vjet tjera te lumtura dhe te na dhuroni sa me shume libra! Ky eshte urimi i miqeve dhe kolegeve tuaj nga “Sofra poetike”.

Per “Sofra poetike”, Haxhi Muhaxheri


Urimit i bashkangjitem edhe unë Agimi!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi