Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Suzana Kuqi: Sa vjeç bën befana...

Shko poshtë

Suzana Kuqi: Sa vjeç bën befana... Empty Suzana Kuqi: Sa vjeç bën befana...

Mesazh nga Agim Gashi Sun Mar 13, 2011 3:40 am


Suzana Kuqi: Sa vjeç bën befana... U1_SuzanaKuqi
Suzana Kuqi
Sa vjeç bën befana...
Në fakt, po të më kërkoni t'i vë një emër tjetër, zor se më vjen ndërmend tani. Mbase e ka fajin ajo gota e verës... ndoshta … mbase... Eshtë takti por është edhe rasti, sepse e para pa të dytën këtu nuk mund të ketë kuptim... jo, jo mendoj se nuk e kam shumë gabim.
Rasti është mbreti i botës... thonë... ama shpesh po të të mungojë takti...
Mjaft me të ardhura rrotull. Si përherë e hanë ose im shoq që duhet të jetë burri më i mirë në botë që më duron mua dhe përçartjet e mia ose... koleget...
Meqë e kishim tek rasti. Rasti më sjell të takoj një ish...
Ore, se mos më keqkuptoni, jo ish-in tim, as të tim shoqi por të një kushëriri. Vite pa u parë, e këtyre viteve u kishin paraprirë vite simpatie po të heqim mënjanë një antipati që më kish lindur aty nga fundi... të cilën të them të drejtën nuk ja kisha thënë askujt.
Nuk e kam zakon të shpreh antipatitë e mia për askërrkënd... e ky është ligj për mua, madje nga ato pa përjashtime ose ku përjashtimet përforcojnë ligjin...
Ku e lamë..?
Ah, tek rasti që ma sjell në rrugë. Në moment u harruan të gjitha, e kam fjalën të paktën për veten time. Ndaluam, i dhamë dorën njëra tjetrës pastaj... u përqafuam... Përqafim i cili të them të drejtën nuk më dha asnjë bezdi, sinqerisht. Lëre pastaj që u shoqëruan me këto fjalë:
- “Ua, nuk paske ndryshuar fare”!
Nuk e di pse, por më shijuan shumë ato fjalë... e me thanë të drejtën nuk e mora vesh nëse ishte në thelb të asaj kënaqësie komplimenti apo ajo ndarje me mungesë simpatie që i ngrinte pikë në shkallë sipërore asaj cope të servirur mbi një tabaka cicërimash... Shputat e këmbëve nuk më mbështeteshin në tokë por mbi diçka të tillë butësia e së cilës vinte e shndërrohej në jomateriale e më jipte kënaqësinë e pakufishme të zhdukjes së dhëmbjes së kallos në këmbën e majtë që ma kish sjellë në majë të hundës gjatë gjithë ditës. Po si gjithë gjërat e bukura zgjati shumë pak, kush të lë...
- “C'ja fut kot dhe ti! Nuk ke ndryshuar”?! - zëri i tim shoqi ma zgjoi kallon që nisi të më pulsonte pa pikë mëshire.
- “Si ja fus kot!? Nuk ka ndryshuar fare”! - e ndau mendjen të këmbëngulte me kokëfortësi bashkëbiseduesja e këndëshme që nuk e di pse e fitoi sërish simpatinë time, shumëfish.
- “Lëri ato ti se nuk i han gruaja ime”?
- “Ore, kush të ka autorizuar të flasësh në emrin tim? Nuk mund të flasësh për llogari tënden”?,- u ankova unë por ankesa ra në vesh të shurdhër, madje të mbaronte aty do të ishte gjysma e së keqes sepse ai hoqi dorë nga keqtrajtimi që i bëri asaj e m'u kthye mua.
-”Pse i beson ti fjalët e saja? Të lutem mos më thuaj se i beson sepse ky do të ishte kulmi. Po si ta merr mendja ty, se pas dhjetë vjet... Ou! C'ke që më pickon se ma bëre bërrylin copë!
- “Nuk po të pickoj por desha të të them se ata të dy po të kërkojnë”.
Rasti... rasti ma kish sjellë të pikasja nja dy shokë të tij që na përshëndetën tej...
E hëngri...Nuk e zgjati, na la e shkoi drejt tyre. “Ik i thashë me vehte, e bëj muhabet me burrat, nuk ke marrë vesh kurrë nga muhabetet e grave ti e...”
… ja plasa gazit, vërtet që tashmë isha unë pa pikë takti... por ç'ti bësh atij peisazhi që m'u shpalos para syve... ai i Golemit para njëzetë vjetësh. Rasti... rasti na kish sjellë përpara një ish shoqe të tij të klasës me të bijën e nipin e vogel... Im shoq tepër entuziast për këtë takim më prezantoi... sapo dëgjova emrin u kujtova se më kish thënë se kishte qenë një nga vajzat ose më saktë vajza më e bukur e gjimnazit dhe e qytetit të asaj kohe. Ish shoqja e klasës na prezantoi të bijën. Im shoq i zgjati dorën gjithë delikatesë... është delikat nganjëherë im shoq... veçse nuk i zgjat shumë... siç nuk i zgjati atë moment...
- “S'qenke gjë hiç, po të të krahasoj me tët ëmë para njëzet e kusur vjetësh sepse tani as që i ngjan më asaj që ka qenë...
Supet e vajzës që ishte e bukur si drita, u rrëzuan, madje dhe e ëma sikur u bë ca më e trashë e më e shkurter sa hap e mbyll sytë. Mërmëritën jo më shumë se dy batuta mirësjelljeje e ja mbathën pa e kthyer kokën.
- “Po këto ç'patën!? Sikur m'u dukën të ftohta?- vuri në dukje me habi im shoq.
- “Të ftohta!!!??? Hahaha! Po ti si ishe, mos vallë ish e ngrohtë ajo batuta jote... si i thua ti asaj fjale, me një gurë vrave dy zogj...
- “Cfarë thashë!? Të vërtetën. E ke idenë se sa e bukur ka qenë ajo kur ishim në gjimnaz. Rrinte në bankën para simes...”
- “E mora vesh! Mjaft!- tashmë shpërtheva unë që e kisha dëgjuar sa e sa herë historinë e asaj perrie që kish qëndruar para bankës së tim shoqi dhe i hiqte tepelekun e kokës me bukurinë e saj një herë e një kohë kur unë ende i bija maces me luge... - “ Po ti ofendove edhe të bijën. Mua m'u duk shumë e bukur ajo vajzë, ç'kusur kish e shkreta të...”
- “E bukur!? Po ti nuk e ke parasysh të ëmën kur...”
- “Mjaft se më hëngre me të ëmën. Pranoje se u tregove pa takt.
- “Pa takt?! Përse pa takt i thuhet kur e vërteta thuhet...”
Jo, mos ta marrë kush as me mend se e kam inatin me tim shoq. Aspak. Me thënë të drejtën mbase edhe unë mund të jem treguar ndonjëherë pa pikë takti... por ju betohem edhe se mundohem të shtrydh trurin e të sjell ndonjë shembull, për be, nuk më vjen ndër mend as edhe një.
Ju betohem!
Dikush ankohet ndonjëherë... por nuk mendoj se e kanë me gjithë mend, thjesht duan të ndezin ndonjë debat koti nga ata që nuk më pëlqejnë fare e nuk më vinë për shtat, ndaj i lëshoj pe balonës... nëse e kanë kuptuar kështu i lutem te më falin...
Ama, sa për koleget, e fundit ishte me gjashtë Janar. Këtu këtë ditë e quajnë festa e befanës, ajo që mbyll të gjitha festat. Befana, në origjinë ishte një grua e bukur që përfaqësonte natyrën e cila u kish dhuruar njerëzve gjatë gjithë vitit të mirat e saja... por të shkretën si pagane që ishte, meqë nuk e shkuli dot kristianizmi e shndërroi në një plakë gërrmuqe me hundë jo vetëm të kthyer si sqep por ja zgjati deri tek mjekrra... Megjithëse ekziston edhe një legjendë qe e lidh me kristianizmin. Kur tre mbretërit magjistarë ndiqnin yllin për të gjetur vendin se ku do të lindte mesia, trokitën në derën e një plake dhe e pyetën në kish ndonjë dijeni për të. Megjithëse ajo nuk dinte se ku t'i adresonte, mbretërit e ftuan të bashkohej me ta. Plaka, mbase nga përtacia a mbase sepse i pëlqente i ngrohti i votrës, refuzoi. Por pastaj u pendua, mbushi një shportë me dhurata për të porsalindurin dhe u nis t'i arrinte por ata kishin shkuar larg e ajo nuk i pa më. Atëherë, trokiti në ç'do portë ku kishte fëmijë të porsalindur dhe linte nga një dhuratë... Edhe se thuhet se këtë punë e bën që prej kohërash që nuk mbahen mend... e edhe se gjithashtu thuhet se fëmijëve që nuk janë sjellur mirë gjatë vitit, u vë nëpër çorapet që varin pranë vatrës nga një copë qymyri... ajo nuk është aspak e keqe, përkundrazi... E unë mendoj se nuk e meriton aspak pamjen e një plakeje gërrmuqe e aq më pak atë hundë të tmerrshme, e po të më pyesësh mua duhet të jetë kjo arësyeja që ajo e shkretë vjen vetëm natën... sepse i kanë mbushur mendjen se është e shëmtuar e nuk do të frikësojë njerëzit...
Po ec e thuaju njerëzve se... Shko e thuaji befane ndonjë gruaje...
- “I dëgjove si më thanë? Më thanë se sot është dita ime”,- turfullonte nga inati një kolege tek po ndërrohej në garderobë.
-”Ashtu!? Përse ç'ditë është sot?”,- pyeta duke hapur raftin tim e duke numëruar sekondat që më kishin mbetur duke uruar veten që t'ja dilja të ndërrohesha e të paraqitesha në kohë... urim që ja bëj vehtes çdo mëngjes kur shkoj në punë. Ka vese që nuk ja heq dot vehtes edhe se nuk heq dorë për t'u përmirësuar me këtë punën e korrektesës në orar, madje edhe tani kur të gjithë janë mësuar me të e nuk ju bën më përshtypje... madje do të habiteshin keq e do ta shënonin në kalendar atë ditë që do t'ja dilja të arrija qoftë edhe një minutë përpara... Por fakti që kanë hequr dorë ata nuk do të thotë që duhet të heq dorë unë për t'u korrigjuar.
-”Eshtë dita e befanës”!
-”Oh sa mire, qënka ditë feste, gëzuar!”-, ju ktheva t'i beja urimet e rastit, por syte e saj lëshonin shkëndija.
-”Mos e merr për ofendim, befanat nuk janë aspak të këqia, madje po të dish legjendën...
- “As nuk dua ta di. Jua rregulloj unë atyre!- ma preu në fyt e nuk ma begenisi rrëfimin e legjendës ndaj dhe unë e lashë aty. Të paktën atë ditë nuk do të isha e fundit. Dola gjithë qejf nga darderoba e humori m'u ngrit ende më shumë kur pashë një kolege të re, e dihet se si janë ato të rejat që përpiqen me mish e me shpirt të fitojnë zemrën e kolektivit, që i ish hedhur në qafë një tjetre dhe e puthte pllaq plluq në faqe duke i uruar ditëlindjen. Mbajta hapin, ajo kolege nuk mund ta kish ditëlindjen, është peshore si puna ime... por ndoshta jam unë që gabohem... ose ajo i bën urime të gabuara se nuk ka se si, ja si po e shikon ajo tjetra... më shumë me inat se me habi... edhe se pllaq plluqet nuk pushojnë... nuk po e zbusin hiç... Pllaq plluqet u lodhën, pushuan e pas tyre erdhi pyetja tërë kërshëri:
- “Sa vjeç bën sot?
E meqë kësaj pyetje nuk i erdhi pergjigja, vazhdoi:
- “Ke të drejtë, pasi arrin një moshë të caktuar nuk tregohen më vitet...”
- “Kush të tha se sot është ditëlindja ime?- bubulloi më në fund e festuara.
Kolegia e re u kthye e tregoi njërën me gisht. Nuhata shtërngatë, ato të dyja kishin një vit që nuk flisnin. Kapa të renë e pafajëshme e të hutuar nga krahu dhe e largova andej.
- “Gëzuar festën!”, - i thashë duke qeshur.
- “C'festë është sot”?
- “ Befana”.
- “ Mos,- i ra ballit me pëllëmbë.- U tregova fare pa takt... padashur e ...
- “Pa takt!? Hahahahah... po ti me shkrive.... hahaha.... si ishte ajo batuta, pas një farë moshe vitet... hahaha... Meqë ra fjala, sa vjeç bën befana...
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi