Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Bedri Tahiri: Me penë e pushkë në mbrojtje të atdheut

Shko poshtë

Bedri Tahiri: Me penë e pushkë në mbrojtje të atdheut Empty Bedri Tahiri: Me penë e pushkë në mbrojtje të atdheut

Mesazh nga Agim Gashi Wed Mar 30, 2011 12:22 am



Bedri Tahiri: Me penë e pushkë në mbrojtje të atdheut U1_BedriTahiriPёrvjetor:


Me penë e pushkë në mbrojtje të atdheut

Nga Bedri TAHIRI

Të nderuar familjarë të dёshmorёve tё kombit!
Tё dashur familjarё tё dëshmorit që sot po e përkujtojmë!
Të respektuar luftëtarë, veteranë e invalidë të UÇK-së!
Të nderuar të pranishëm!


Të flasësh për dëshmorët, është sa krenari aq edhe përgjegjësi. Ata, me gjakun e tyre u bënë themeltarë të lirisë e të shtetësisë sonë. Ata nuk kanë nevojë për fjalë të mëdha, sepse vetë janë të mëdhenj, ata nuk kanë nevojë për lavdata, sepse janë lavdia vetë, ata nuk kanë nevojë për ne e ne kemi nevojë të krenohemi me ta. Nё mesin e tyre lёshon rreze drite edhe luftëtari i shquar, dëshmori e lirisë, Profesor Ajet Beqiri.

Ajet Beqiri u lind më 10 korrik 1960, në Pemishtë të Skёnderajt, nё njё familje tё njohur pёr burrёri, bujari, mençuri e trimёri. Kulla e Beqir Hajrizit, qёmoti ishte bërё simbol i qëndresës dhe i atdhedashurisë. Shaqir Smaka e Azem Galica, aty mbanin kuvende e merrnin vendime historike. Edhe fati e priveligjoi me dhuntinë e shqiponjes. Edukata e shëndoshë familjare bëri të veten. Meqё i ati u detyrua tё marrё rrugёn e mёrgatёs e gjithё barra familjare ra mbi supet e tij tё brishta, por qё shpejt u burrёrua. Ishte fjalëpakët, inteligjent, humanist e shpirtbardhë i pashoq.

Në shkollën e Leçinës dhe nё Gjimnazin e Skënderajt qe ndër nxёnёsit më të dalluar. Aty, me majën e lapsit, zu t’i shprehte brengat e veta atdhetare nëpër faqet e revistës shkollore “Shkëndija”. Prirjet e tij për artin letrar e çuan në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, të cilin e mbaroi me sukses të shkëlqyeshëm.

Pranvera studentore’81 dhe ngjarjet e mëdha tё viteve të ’90-ta, të riun revolucionar e gjetёn të gatshëm për t’u përballë me të keqen. Në çdo protestë a demonstratë, në Runik, në Istog, në Rakosh, në Prishtinë, në Mitrovicë, në Skёnderaj, në Drenas, ai ishte i pari dhe më i zëshmi.

Kёshtu, pushka e parë çlirimtare, Ajetin e gjen të përgatitur shpirtërisht e ideologjikisht edhe për rezistencë të armatosur. Pra, profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe, pa u hamendur fare rroku armët e lirisë, veshi uniformën e UÇK-së dhe u betua në besë e flamur se derisa ta shihte Kosovën e lirë nuk do të ndalej. “Vetëm rrezet e diellit të Kosovës së lirë do të më bëjnë që ta zhvesh këtë uniformë”- thoshte me plot gojën. Sa çuditej me disa që ende shihnin ëndrra me sy hapur dhe besonin në fjalët e kota.

Tashmë, para atdhetarit sypatrembur e optimist, u shtruan detyra të reja. Krahas nxënësve dhe shkollës, që nuk i harronte kurrë, kishte edhe ushtarët, kishte frontet, kishte popullatën. Ata që kanë punuar me të tregojnë se ai gjithmonë ishte me dy palë rroba: në front rrobat e UÇK-së, në shkollë rrobat Bedri Tahiri: Me penë e pushkë në mbrojtje të atdheut U1_AjetBeqiricivile.”Nuk mund të dalë para nxënësve të mi me uniformë luftarake, sepse ne duhet të përpiqemi të rrisim dhe të edukojmë brezin e ri që të jetojë në liri dhe paqe, e këtë mund ta arrijmë duke u përpjekur t’ua kthejmë normalitetin e vjedhur nga pushtuesi”- shprehej ai me plot të drejtë. Ai ishte njeri me autoritet dhe me ndikim të veçantë. Në çantën e tij bashkëjetonin libri e arma, dija dhe trimëria. Dhe, ai nuk ndalej kurrë, nga shkolla në front, nga fronti në shkollë.

Krahas Ajetit, në radhët e UÇK-së ishte edhe i vëllai, Arifi, i cili, në ofensivën e 26 marsit 1999, te vendi i quajtur LËNDINA, bashkё me luftёtarё tё tjerё shpëtuan qindra familjarë nga sulmi i barbarisë serbe, e ku, pak më lart bie dëshmor edhe komandant Mustafë Qorraj. Luftën e ndihmuan edhe të tjerët; babë Halili me dy djemtë që i kishte në mёrgim (sidomos Petriti, i cili gjatë gjithë luftës dhe pas saj, grumbulloi ndihma në Gjermani dhe dërgoi për refugjatët në Kosovë), nënë Hava që gatuante pa orar etj.

Duke i parë meritat dhe punën e suksesshme që bënte Ajeti, krerët e luftës sonë çlirimtare e caktojnë Komandant për moral në Batalionin III të Brigadës 112 “Arben Haliti”.

Katilat e Beogradit po çmendëshin që forcat e tyre në Kosovë, veçan nё Drenicё, nuk po arrinin ta zhbënin UÇK-në. Dhe, jepnin urdhra për vrasje, masakrime e dëbime.

Agoi edhe e diela e 28 marsit 1999. Dita e Bajramit të Vogël. Bashkë me rrezet e para të diellit erdhën edhe granatat e artilerisë serbe mbi masёn e tubuar nё Izbicё. Sakaq u duk edhe këmbësoria e shfrenuar barbare, e cila zuri të vriste, të plaçkiste e të masakronte: gra, fëmijë, pleq e të sëmurë. Mbi njëqind burra ecnin para tytave të gjakosura serbe. Plisat e tyre nuk u hoqën nga kokat e nuk e shkelen me këmbë, siç kërkonin cerberёt e Karpateve. Dhe, rafalët shurdhuan qetësinë e zymtë të ditës kobtare. Trupat e tyre u shtrinë përtokë. Në vrushkujt e gjakut të tyre mbёltohej liria.

Për masakrën, mbase më të madhen në Kosovë, për masakrën e Izbicës, kishte dëgjuar edhe Ajeti, i cili kishte qëlluar në Vojnik Në mbrëmjen e asaj nate, Ajet Beqiri, bashkë me Zaim Bajramin vendosën të shkonin në vendin e krimit.

Dhe, rreth orës 22, kur po e shalonin kodrën mbi shtëpinë e Zaimit, ca krisma tinëzare grisën terrin e natës memece. Hëna sypërlotur u fsheh pas resh që mos të shihte se ç’po ngjiste. Prita kobtare ishte fatale. Edhe krismat e lirisë u kundërpërgjigjen fuqishëm...

Dy lule të marsit shkëlqyen në atë ag pranvere.

Vërtet ata kishin mundur vdekjen. Ata i mori përjetësia!

Po nё atё vend mbiu edhe njё lulёkuqe, dёshmori Enver Bajra.

Trupi i dëshmorit Ajet Beqiri sot prehet në Varrezat e Dëshmorëve në Polac. Muret e odës së tij janë mbushur me medalje, dekorata e mirënjohje. Më 6 dhjetor 1999 është graduar me urdhrin GJERGJ KASTRIOTI dhe është shpallur DËSHMOR I KOMBIT.

Me nismën e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Skënderaj, që nga viti 2003, për nder të të rënëve për liri dhe për nder të dëshmorit Ajet Beqiri mbahet manifestimi e konkursi letrar për shkollat fillore të Skënderajt e tё regjionit“Avansimet kulturore, prof Ajet Beqiri”. Për të janë thurur këngë, janë hartuar vargje, janё shkruar libra.

Sot, kur vlerat e luftёs sonё çlirimtare po cenohen qёllimshёm e pa tё drejtё, mё shumё se kurrё, kemi obligim moral e kombëtar që ta nderojmë dhe ta lartësojmë veprën e madhe të komandant Adem Jasharit dhe tё UÇK-së, formacionit më të lavdishëm që ka krijuar populli shqiptar në historinë e tij, ta nderojmë gjakun e dëshmorëve që solli Lirinё. Në të kundërtën, amaneti tyre mbetet peng dhe paskëtaj, na mallkon historia, na mallkojnë brezat e ardhmërisë!

Lavdi të gjithë të rënëve për LIRI!

(Kumtesё e lexuar nё pёrvjetorin e dёshmorit Ajet Beqiri dhe nё konkursin letrar, qё tashmё ka marrё karakter vendi “Avansimet kluturore, Prof. Ajet Beqiri”, mbajtur nё Skёnderaj mё 25 mars 2011)
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi