Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Monet Maneshi: Vrasja e Ceno begut, kurorëzimi i mbretit Zog dhe një shkrim i panjohur i Fan Nolit

Shko poshtë

Monet Maneshi: Vrasja e Ceno begut, kurorëzimi i mbretit Zog dhe një shkrim i panjohur i Fan Nolit Empty Monet Maneshi: Vrasja e Ceno begut, kurorëzimi i mbretit Zog dhe një shkrim i panjohur i Fan Nolit

Mesazh nga Agim Gashi Tue Apr 05, 2011 1:01 am



Monet Maneshi: Vrasja e Ceno begut, kurorëzimi i mbretit Zog dhe një shkrim i panjohur i Fan Nolit U1_DSC00143
Një besnik i mbretit Zog
Kronikë zogolliane nga shtypi evropian i kohës –
Vrasja e Ceno begut, kurorëzimi i mbretit Zog
dhe një shkrim i panjohur i Fan Nolit
Përgatitur nga Monet Maneshi

Revista javore L’Europe nouvelle e 25 qershorit 1927, nën titullin Ceno beg, ministër i Shqipërisë u largua nga Beogradi,jep kronikën e mëposhtme:


“Shumë është folur për largimin e Ceno begut, ministër i Shqipërisë në Beograd. Përpjekjet e këtij diplomati për të zgjatur, në mos për të shmangur shkëputjen përfundimtare midis vendit të tij dhe vendit të Sllavëve të Jugut nuk janë fort të njohura. Ceno begu është kunati i presidentit të Republikës shqiptare Ahmed beg Zogut. Por shumica e pronave të tij ndodhen në territor jugosllav, në rajonin e Shkupit. Për më tepër - një hollësi e këndshme kjo -, ministri shqiptar ka qenë më 1919 delegat i kuvendit të parë kombëtar jugosllav. Shtojmë po ashtu se gjuha serbe nuk ka për të asnjë sekret dhe se tërë rrethanat janë të tilla që shpjegojnë përse Ceno begu nuk i përfillte urdhrat e qeverisë së tij për t’u kthyer në Tiranë. Pikësynimi i tij i parë ishte të vendosej jashtë shtetit. Sepse në fakt, i njeh mirë metodat e përdorura në republikën e skipëtarëve. “Aksidentet” përligjin zhdukjet; është një mënyrë për të hequr qafe personat bezdisës. Ceno begu nuk është person i dëshirueshëm në Tiranë, prandaj frika që ndjen është më se e justifikuar, meqenëse si shumë është fryrë para shefit të tij, që s’ka si t’i jetë mirënjohës për këmbënguljen që ka treguar në drejtim të kërkesave jugosllave.”

Po kjo revistë, në numrin e saj të 22 tetorit 1927, nën titullin Vrasja e Ceno begut, jep këtë kronikë:
“Nëse do donim një provë të re të rrezikut që ekziston kur lihen të trashen gjendjet e tensionimeve, drama e Pragës është një provë mjaft konkrete: një shqiptar u vra aty javën e shkuar, Ceno begu, ministër i Shqipërisë. Vrasësi, siç pohoi, kërkonte në këtë mënyrë të ndëshkonte diplomatin, sepse ky ka dashur të shiste vendin e tij tek Jugosllavia. Nëse ky ishte synimi i vetëm i Ceno begut, ja që nuk ia doli dot mbanë për të merituar njëfarë zemërgjerësie. Me sa duket, çka përbën faj për njërin, është më se e ligjshme për një tjetër... Veçse kjo tragjedi s’ka si të mos tregojë në mënyrë të veçantë se çfarë po ndodh në Shqipëri qëkurse Ahmed Zogu ka marrë përsipër fatet e vendit. Italofil apo serbofil: a do ketë tani ndonjë shqiptar që ta shohë veten të rreshtuar përtej dy kaheve të kundërta kundërshtare? Do ta dëshironim, në interesin e një vendi fati i të cilit përsëri po shfaqet tragjik, por edhe në interesin e paqes evropiane. Çështja shqiptare nuk konsiderohet e mbyllur dhe zënka italo-serbe nuk ka përfunduar. Pandehet se me kohë gjithçka do qetësohet, veçse koha asgjë nuk zgjidh. Dhe s’ka si të zgjidhë një çështje të tillë si ajo e Pragës për ndjenjat e pasionet që ngacmon, por edhe për dyshimet që shkakton; dhe për këtë na paralajmërojnë edhe atentatet e kryera nga komitaxhinjtë në Serbinë jugore, duke krijuar një pështjellë gjithnjë e më të madhe. Të jenë vallë shenja paralajmëruese?
Gazeta Ouest-Eclair e 24 tetorit 1927, në artikullin Vrasja e Ceno beut dhe marrëdhëniet italo-jugosllave, shkruar nga analisti i mirënjohur i kohës René Pinon, vë në dukje:
“Është vazhdimisht Ballkani rajoni nga ku Evropa i drejton sytë me shqetësim: sepse që andej mund të vijnë, ashtu sikurse më 1914, ndërlikimet më të mëdha. Shkaqeve lokale e kronike të vështirësive dhe trazirave u shtohet, sikurse ndodh sa herë që shpërthen një krizë evropiane me origjinë ballkanike, edhe veprimtaria turbulluese e një apo e shumë fuqive të jashtme.

Arsyet lokale të turbullirave janë sidomos gjendja në Shqipëri dhe ajo në Maqedoni... Një incident i ri po rihap rrezikshëm problemin shqiptar, të cilin prej një viti traktati i Tiranës dhe arrestimi i përkthyesit të legatës jugosllave në Tiranë e kishin shtruar më parë dy herë të tjera.

Vrasja e Ceno beut, ministrit të Shqipërisë në Pragë nga një student shqiptar i quajtur Bebi, është po aq sa një çështje familjare edhe një çështje politike. Ceno beu [Kryeziu], që i përkiste një prej familjeve kryesore të Shqipërisë, është kunati i Ahmed Zogut, që qeveris në mënyrë despotike republikën e Shqipërisë që prej dy vjetësh dhe që e ka vënë vendin, nëpërmjet traktatit të Tiranës nën protektoratin e Italisë. Vrasësi, përpara se të bënte krimin, kishte jetuar në Romë, ku kishte qenë i lidhur me personalitetet italiane, dhe në Vjenë, ku kishte krijuar lidhje me disa grupe shqiptare të atjeshme. Mirëpo, Ceno beu dhe i kunati i tij ishin në mosmarrëveshje rrënjësore rreth orientimit që duhej t’i jepnin politikës shqiptare: viktima e Bebit predikonte pavarësinë e vendit të tij nga Italia dhe një lidhje të ngushtë me Jugosllavinë, ndërsa Ahmed Zogu u lidh me Italinë musoliniane. Ceno beu, që ishte ministër në Beograd, kritikonte Ahmed Zogun se po sakrifikonte pavarësinë e Shqipërisë, dhe Ahmed Zogu ia kthente se Ceno donte t’ia shiste Shqipërinë Jugosllavisë. Të dy akuzonin njëri-tjetrin reciprokisht si të shitur tek një fuqi e huaj.


Aq iu desh shtypit jugosllav për të zbrazur krejt bateritë: po akuzon pa dorashka qeverinë italiane si frymëzuese të vrasjes së Ceno beut. Por pa shkuar gjer atje, jemi të detyruar të njohim se politika e Romës, ndryshe nga ajo e Parisit dhe e Londrës, kërkon të mbjellë përçarje dhe grindje mes popujve ballkanikë për të krijuar aty një zonë ndikimi...”


Gazeta Ouest-Eclair e 26 gushtit 1928, nën titullin “Skanderberg II ngjitet në fronin e Shqipërisë” jep kronikën e mëposhtme
Londër, 25 gusht – Flitet se Skanderberg II, mbreti i Shqipërisë u ngjit në fron këtë mëngjes. Ahmed Zogu u largua dje nga Durazzo ku po veronte për t’u kthyer në Tiranë në prani të funksionarëve të lartë. Një turmë e madhe njerëzish e shoqëroi gjer në pallatin mbretëror, ku kryesoi mbledhjen e fundit të këshillit qeveritar në cilësinë e Presidentit të Republikës. Në këtë mbledhje të Këshillit, u studiua dhe miratua mesazhi mbretëror. Kuvendi duartrokiti monarkun e ri.
Vjenë, 25 gusht gazeta Neues Wiener Tageblatt vë në dukje se Komiteti i Shoqatës kombëtare shqiptar u mblodh në Vjenë për të protestuar kundër shpalljes së Ahmed Zogut si mbret i Shqipërisë.
Komiteti vendosi t’i drejtojë Fuqive të mëdha dhe Shoqërisë së Kombeve një protestë për të vënë në dukje se veprimtaria e Ahmed Zogut përbën rrezik për paqen në Ballkan.
Gazeta Ouest-Eclair e 4 shtatorit 1928, nën titullin Dita e parë e Zogut I-rë, jep këtë kronikë:
Ja disa hollësi nga ceremonia e shpalljes së Ahmed Zogut mbret i shqiptarëve: Fiks në orën 9 [të datës 1 shtator], 85 deputetët e Asamblesë kushtetuese janë të pranishëm. Pas leximit të raportit të Komisionit të ngarkuar për shqyrtimin e tekstit të ri të Kushtetutës, ku neni 1 parashtron se Shteti shqiptar është tashmë një mbretëri nën dinastinë e Ahmed Zogut, miratohet teksti me duartrokitje të gjata. Pas hedhjes në votë, seanca pezullohet dhe një delegacion i Kuvendit, nën drejtimin e Kryetarit Vangjeli shkon në rezidencën e Ahmedit për t’i dorëzuar kurorën.
Delegacioni u prit nga komandanti i Gardës i sovranit të sapozgjedhur, i cili i shoqëroi drejt Kabinetit mbretëror; pas largimit të delegacionit, Ahmed Zogu I-rë, shoqëruar nga një trupë oficerësh me veshje ceremoniale dhe nga një eskadron kalorësie shkon në Kuvend, ku bën betimin në orën 17 sipas formulës së rastit.
Ngjarja u përshëndet nga të shtënat e njëqind e një topave.
Mori pjesë në ceremoni trupi diplomatik, por me veshje civile, ndonëse ministrat e akredituar në Tiranë ishin të lutur që më parë të visheshin me uniforma festive. Nëna dhe motra e mbretit të ri u ngritën në rangun e princeshave.

Monet Maneshi: Vrasja e Ceno begut, kurorëzimi i mbretit Zog dhe një shkrim i panjohur i Fan Nolit U1_AhmetZoguGazeta Ouest Eclair e datës 8 shtator 1928, në një artikull titulluar Madhëriae Tij Zogu I-rë, shkruar nga analisti i mirënjohur René Pinon dhe shoqëruar me foto të veçantë të mbretit Zog: vë në dukje:


“Një monarki e re lindi në Evropë. Është një fakt i rrallë dhe ia vlen të mbahet shënim.

Numri i monarkive ka rënë shumë në kontinentin tonë të vjetër që pas luftës dhe për pasojë të luftës. E mirë a e keqe, kjo është pasojë e lëvizjes demokratike kur lufta, tek i vërviti njerëzit nëpër llogore nën zjarrin e topave, përforcoi karakterin e saj. Disfata e Fuqive qendrore mori me vete gjithë dinastitë gjermane dhe veç një Perëndi e di se sa kish të tilla! E po ashtu Perandorinë austriake, e po ashtu Sulltanatin otoman. Ndër shtetet që ishin armiqtë tanë, vetëm njëri mbijetoi, mbreti Boris i Bullgarisë.
Por përsëri në Ballkan, dinastitë janë ende të shumta; vetëm Greqia është republikë. Ndikimi i një njeriu të tillë si mbreti Aleksandër i Serbisë mbetet efektiv. Sot mund të thuhet se monarkitë ia vlejnë për aq sa ia vlejnë vetë mbretërit që janë në krye të tyre. Kur mbreti i Anglisë quhet Eduardi VII kërkon t’i veshë vetes një rol personal, kur quhet George V, veç respektohet dhe asgjë më shumë.
Pikërisht në Shqipëri lindi monarkia e re. Por prej vitesh, Ahmed Zogu ishte një diktator i gjithëfuqishëm. Zogu I-rë nuk ka as më shumë e as më pak pushtete, ai ka ato që kish. Ishte lajmëruar se sovrani i ri do të quhej Skanderbegu II. Skanderbegu i parë u quajt për një kohë të gjatë Gjergj Kastrioti, dhe falë trimërisë së tij në luftën kundër turqve u bë mbret i njohur me emrin Aleksandër bej (duke qenë se Skander është shkurtimi i Iskander, forma turke e emrit Aleksandër). Kryetar fisi, Ahmed Zogu, mysliman, u tërhoq në çastin e fundit, pa guxuar të marrë emrin e Heroit të krishterë të shekullit XV. Zogu sigurisht tingëllon jo më mirë nga Skanderbeg, por çka Europa kërkon nga mbreti i ri është të organizojë vendin e tij dhe të qëndrojë në pozita paqësore.
Disa gazeta greke vënë me të drejtë në dukje faktin se Zogu I-rë quhet mbret i shqiptarëve dhe jo mbret i Shqipërisë. Nuk është çështje e thjeshtë fjalësh. Ka shqiptarë edhe jashtë Shqipërisë. Ka shumë në vendin e quajtur Serbia e vjetër (domethënë në rajonin e Prizrenit, Pejës, Mitrovicës), që është përfshirë me traktatin e Bukureshtit të vitit 1913 në shtetin serb, i shndërruar pas luftës në Mbretërinë e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve... Ka shqiptarë edhe në Maqedoni e në Epir. Shqiptarët janë një racë e bukur dhe e fuqishme, këmbëngulës, të qëndrueshëm, me familje të mëdha dhe ngadhënjyes... Janë domosdo një element i së ardhmes. Mbreti i shqiptarëve mund të pretendojë një ditë të favorizojë irredentizmin shqiptar, veprimi i të cilit do t’i turbullonte shtetet fqinje.
Këmbimi i përgëzimeve midis mbretit të ri shqiptar dhe Musolinit, si dhe me ministrin e Italisë në Tiranë shfaq krejt karakterin e vartësisë ku ndodhet Zogu I-rë në raport me Italinë fashiste. Është në plot kuptimin e fjalës një sovran nën mbrojtje. Dhe falë kësaj mbrojtjeje ai është sovran. Është bërë i tillë vetëm në sajë të mbështetjes dhe parasë së italianëve. Me mbështetjen e serbëve, luftoi një kohë të gjatë qeverinë e Imzot Fan Nolit dhe një ditë të bukur, kaloi në shërbim të Italisë. Sikur kjo mbështetje t’i tërhiqej një çast, klanet e tjera shqiptare nuk do mungonin ta përmbysnin dhe ta eliminonin. Mbretëria e tij nuk i sjell asnjë ndryshim gjendjes: sikur dora që e subvencionon të tërhiqej, pushteti i tij do vihej rëndë në pikëpyetje.
Pikërisht këtu qëndron rreziku. Duke e mbështetur pushtetin e vet tek Italia, Zogu shpejt do shndërrohet në mjet që do t’i bindet vetëm intrigave të Italisë në Ballkan, dhe këto intriga synojnë para së gjithash të përforcojnë gjendjen e sotme delikate ku ndodhen shtetet e gadishullit... Nëpërmjet traktatit të Tiranës, shqiptari na shfaqet sot si kalë beteje, ndërsa italiani si kalorës, por do vijë dita kur kalit do t’i merren këmbët dhe do hedhë poshtë kalorësin e tij.
Ahmed Zogu dhe përkrahësit e tij organizuan manifestime krejt të trukuara për të krijuar opinionin se është dëshira unanime e popullit që e kërkon në fron. Dhe Zogu I-rë, në shpalljen drejtuar popullit deklaron se do jetë Ekzekutivi ai që do vendos për gjithçka. Sa komedi e bukur! Ndërkohë që ministri nuk ka dhe krejt pushtetet përqendrohen faktikisht në duart e mbretit! Sa për parlamentin shqiptar, tërë ata që e njohin vendin, zakonet e tij, organizimin fisnor etj. s’ka si të mos jenë skeptikë për mënyrën se si ai është zgjedhur e si do funksionojë në të ardhmen...”
E përjavshmja Le Cri des peuples e 3 tetorit 1928, nën titullin “Farsa mbretërore e Tiranës Veç të presim tani luftën në Ballkan”, boton shkrimin e mëposhtëm të Fan Nolit, Ish Kryetar i Këshillit të Republikës së Shqipërisë.
Vjenë, 18 shtator 1928 – “Republika shqiptare sapo u shndërrua në monarki me Ahmed Zogun si mbret. Roma u gëzua, Beogradi u idhnua dhe bota u gajas së qeshuri. Le të fillojmë nga ana më groteske e ngjarjes: një ish kabarexhi në Bukuresht, i quajtur Pandeli Evangjeli, në krye të një rrëmeti personash famëkëqij, ish banditë, spiunë, vrasës e rrufjanë, të vetëquajtur Asamble Kushtetuese, po i dhurojnë kurorën mbretërore një cubi i quajtur Ahmed Zogu, i cili ka çarë përpara përmes vrasjes, është pasuruar përmes vjedhjes dhe ka ardhur në pushtet përmes tradhtisë. Dhe ky cub emëron si kryeministër një batakçi e një kriminel Kosta Kotën, që ushtronte fshehtas zanatin e kirurgut në Salt Lake City në Amerikë, nga ku ia mbathi për t’i shpëtuar policisë amerikane, e cila e kërkonte pasi kish masakruar një pacient të operuar prej tij.
Dhe kjo operetë monarkike po luhet në Evropë, pikërisht në shekullin XX, një shekull që pa me sytë e vet frone dhe dinasti të shemben, që u nxjerr gjuhën mbretërve të fundit shndërruar pak a shumë në kukulla apo në figura zbukuruese të klikave sunduese.
E shkuara e afërt është dëshmitare se si Zogu e shpërbleu mbrojtësin e vet Musolini për mbështetjen që i dha regjimit të tij të përgjakshëm.
Më 1925 u dha koncesion Banka e ashtuquajtur Kombëtare, që e vuri Shqipërinë nën kontrollin ekonomik italian; më 1926 ishte radha e Paktit të Tiranës që e vuri Shqipërinë nën kontrollin politik italian, më 1927, u arrit Traktati i Aleancës, që e vuri Shqipërinë nën kontrollin ushtarak italian.
Kuptohet se Musolini e kishte siguruar tashmë paraprakisht çmimin e kurorës mbretërore. E ardhja e afërt do të na dëshmojë se cilat do jenë tradhtitë e reja të Ahmed Zogut, por nuk është e vështirë për t’i zbuluar: bashkimi doganor, italianizmi i arsimit publik, kolonizimi i fushave pjellore me kolonë fashistë, baza detare në Valona e Durazzo, baza ushtarake në të gjitha pikat strategjike të kufirit shqiptaro-jugosllav, me një fjalë gjithçka e domosdoshme për ta shndërruar Shqipërinë në një koloni italiane. Ja tradhtia e fundit e farsës.
Por Musolini me fashistët e vet dhe Ahmed Zogu me bejlerët e tij feudalë antikombëtarë nuk janë të vetmit fajtorë për këtë krim ndaj pavarësisë së Shqipërisë dhe paqes në gadishullin ballkanik.
Nuk duhen harruar militaristët e Beogradit dhe të Athinës, të cilët, që prej vitit 1912 bënë gjithçka për të zhdukur e copëtuar shtetin e pavarur shqiptar krijuar pas luftërave ballkanike.
Për këtë qëllim, ata organizuan herë pas here invadime të vërteta ushtarake, që i quanin kryengritje. Mjafton të përmendim më të bujshmet. Më 1913, Zografos pushtoi Shqipërinë e Jugut. Më 1915, Shqipëria e Mesme u pushtua nga Esad Pasha dhe më 1921 u pushtua Shqipëria e Veriut nga trupat e Marka Gjonit. Më 1924 u pushtua krejt Shqipëria nga Ahmed Zogu. Ky pushtim i fundit u organizua i tëri në territor jugosllav, me topat serbe dhe mercenarë të rekrutuar në Jugosllavi, si dhe me oficerë të Wrangelit. Militaristët serbë shpresonin kështu të vendosnin Shqipërinë nën protektoratin e Beogradit. Por rezultati ja ku është protektorati i Romës.
Çfarë zhgënjimi për militaristët serbë e grekë! Dhe çfarë pendimi, duke ditur fare mirë se Shqipëria nuk është veçse etapa e parë e depërtimit italian në Ballkan! E ç’të thuash për më tepër, kur janë pikërisht ata që e gatuan.
Last but, not lesat, ja një fjalë edhe për Anglinë, që është për më tepër përgjegjësja kryesore. Ardhja e Ahmed Zogut në fuqi dhe pushtimi i Shqipërisë nga Musolini u kryen edhe nën kujdesin e Londrës. Dhe Anglia u shpërblye më së miri. Fitoi koncesionin e naftës, sepse, mjerisht, ka naftë në Shqipëri. E tani, çështja është shumë e qartë. Atje ku ka naftë, puna mban erë të keqe e do ketë shpërthime rrënuese.
Dhe e pamë që ka filluar të ndihet erë e keqe në Tiranë nën regjimin e Ahmed Zogut.
Tani, veç të presim shpërthimet!
Do vinë fatalisht për të na provuar në mënyrën më të dukshme se popujt evropianë janë sot po aq kaqolë sa ç’ishin para luftës së parë botërore.
FAN NOLI, ish Kryetar i Këshillit të Republikës së Shqipërisë, Vjenë, 18 shtator 1928”.
Gazeta Ouest-Eclair e 10 tetorit 1928 nën titullin Zogu I-rë ka përqafuar me sa duket fenë katolike, jep kronikën e mëposhtme:
Londër, 9 tetor – Sipas korrespondentit të Daily Express në Beograd, nga Tirana njoftohet se mbreti i Shqipërisë Zogu I-rë ka përqafuar këto ditë fenë katolike dhe është pagëzuar nga nunci apostolik. Mendohet përgjithësisht se kalimi në fenë katolike romake duhet të ketë njëfarë lidhje me planet martesore të sovranit shqiptar.

Monet Maneshi: Vrasja e Ceno begut, kurorëzimi i mbretit Zog dhe një shkrim i panjohur i Fan Nolit U1_PrinciEsat
Princi i ri Esat
Revista Correspondance d’Orient e tetorit 1928, boton kronikën Fillimet e mbretërimit të Zogut I-rë, ku vihet në dukje :
Të nesërmen e ardhjes në fuqi, mbreti i shqiptarëve i bëri një deklaratë gazetës Daily Express, në të cilën shprehte pikëpamjen e tij për regjimin e ri. “Rezultati i parë i vendosjes së monarkisë, deklaroi ai, do të jetë të çlirojë vendin tim nga luftërat partiake. Presidenti i Republikës është domosdoshmërisht i detyruar të favorizojë ata që e kanë zgjedhur, ndërkohë që partitë e tjera manovronin pareshtur për ta zëvendësuar me një nga kandidatët e tyre. Kështu, mbreti do të jetë përmbi partitë. Ai do t’i shërbejë vetëm kombit. Ministritë, ushtria dhe xhandarmëria do të jenë në kontakt të drejtpërdrejtë me monarkun, pa kaluar nga ndërmjetës”.
E megjithatë, vë në dukje kronika, kjo nuk e pengoi aspak opozitën të protestojë energjikisht. Imzot Fan Noli, kryetar i komitetit të emancipimit kombëtar, i drejtoi që nga Gjeneva një manifest të ashpër, por që përfundoi në kosh. Rrjedhimisht, u organizuar qeveria e re.
Gazeta Ouest-Eclair e 16 tetorit 1928, në kronikën me titull Kurorëzimi i mbretit të ri të Shqipërisë nënvizon se kurorëzimi i Zogut I-rë si mbret i shqiptarëve do të bëhet në Krujë më 28 nëntor, ditën e festës kombëtare të Shqipërisë dhe se Kruja është qyteti ku ka lindur heroi kombëtar shqiptar, Skanderbeg.
Gazeta Ouest-Eclair e 18 nëntorit 1928 boton foton e princit të ri shqiptar Esad të Shqipërisë, nip i mbretit Zog, si trashëgimtar i mundshëm i fronit.
Revista Correspondance d’Orient e shkurtit 1929 boton njoftimin e gazetës vieneze Neues Wiener Tagblatt se “Mbreti i Shqipërisë ka dërguar në Vjenë një delegat për t’iu lutur qeverisë austriake t’i dorëzojë përkrenaren dhe shpatën e Skanderbergut, që ruhen në muzeun e arteve historike, mes një koleksioni të mrekullueshëm mburojash e armësh të lashta krijuar nga Habsburgët. Ahmed Zogu I-rë do të dëshironte të mbante mbi trup përkrenaren dhe shpatën e heroit të madh kombëtar shqiptar gjatë ceremonisë së kurorëzimit të tij që do të organizohet në Krujë, atdheu i Skënderbeut. Është i gatshëm, thuhet, të japë një shumë të madhe parash për të pasur në zotërim këto objekte të nderuara.”

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi