Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kristo Frashëri: A duhet dënuar Skënderbeu se u përdor nga Enveri?

Shko poshtë

Kristo Frashëri: A duhet dënuar Skënderbeu se u përdor nga Enveri? Empty Kristo Frashëri: A duhet dënuar Skënderbeu se u përdor nga Enveri?

Mesazh nga Agim Gashi Wed Mar 25, 2009 1:49 pm

A duhet dënuar Skënderbeu se u përdor nga Enveri?
Historiani Kristo Frashëri: Argumentet e mia kundër Schmitt-it
Nga Kristo Frashëri
Jehona e monografisë
Ndryshe nga monografitë e autorëve të tjerë evropianë, kushtuar Skënderbeut, të cilat në përgjithësi janë pritur në heshtje nga shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, - trajtesa e historianit zviceran, Oliver Jens Schmitt, pati reagime në median shqiptare. Disa u solidarizuan me trajtesën, por më të shumtët nuk u pajtuan madje, e kritikuan përmbajtjen e saj. Ata që e kritikuan ndoqën traditën, pa na sjellë ndonjë gjë të re në fushën e studimeve skënderbegiane. Përkundrazi ata që u solidarizuan me shpërfytyrimin e Skënderbeut nga historiani zviceran, meritojnë të shqyrtohen ngjyrimet dhe arsyetimet e ngjyrimeve të shfaqura prej tyre. Kjo për arsye se kemi të bëjmë me personalitetin më të shquar që ka nxjerrë kombi shqiptar gjatë shekujve. Ka edhe një arsye tjetër. Me rastin e trajtesës së Schmitt-it, u vunë në qarkullim koncepte dhe perceptime ideologjike dhe metodologjike mbi Skënderbeun dhe mbi ngjarje ose procese të historisë së Shqipërisë.
Me sa dimë, monografia e O. Schmitt-it mbi Skënderbeun pati reagime vetëm në shtypin e kryeqytetit. Jashtë Tiranës, botimi deri tani duket se ka kaluar në heshtje. Heshtja tregon se hapësira mbarëshqiptare ka vetëm një vatër kulture shkencore. Veç kësaj, edhe në kryeqytet reagimi ndaj monografisë me pretendime shkencore u kufizua kryesisht në radhët e "analistëve" të medias - të analistëve që nuk janë historianë. Në hapësirën mbarëshqiptare ka disa institute që merren me historinë e Shqipërisë. Ka gjithashtu një mori universitetesh, të cilat kanë departamente të historisë së Shqipërisë. Ka pra historianë skënderbegianë. Deri sot vetëm dy historianë kanë thënë se nuk pajtohen me këndvështrimin e historianit zviceran për Skënderbeun. Megjithatë, këtë heshtje e thyen deri diku "analistët" tanë të medias, të cilët edhe pse nuk janë historianë morën si zakonisht guximin të japin gjykime edhe mbi përmbajtjen e monografisë së përmendur. Tre prej tyre u entuziazmuan nga këndvështrimi i historianit zviceran; Ardian Klosi, Artan Lame, Fatos Lubonja. Ata e konsideruan veprën e O. J. Schmitt-it si një zbulim të ri shkencor. Si rrjedhim, ata kërkuan të hiqet dorë nga vlerësimi që ka shprehur deri tani historiografia shqiptare dhe botërore mbi Skënderbeun. Madje, këta shkuan aq larg sa e konsideruan historinë e deritanishme të Skënderbeut, në pajtim me O. Schmitt-in, një mit, për më tepër një mit të farkëtuar nga Enver Hoxha. Pra, nga vlerësimi i tyre lindi kështu një çështje e parrahur deri sot në historiografi: se Skënderbeu, ashtu siç e ka trajtuar historiografia shqiptare, rrjedhimisht dhe historiografia botërore, është mit dhe jo histori e vërtetë. Ky vlerësim ka prekur natyrisht jo vetëm historianët shqiptarë që janë ende gjallë, por ka ngacmuar edhe eshtrat e historianëve të vdekur, mbasi tani ata po mësojnë se janë mashtruar nga dokumente historike, të cilat flasin se Skënderbeu i trajtuar prej tyre qenka një mit, pra një përrallë dhe jo një histori e vërtetë.
Ardian Klosi, në prapashpinë të trajtesës së O. Schmitt-it, të përkthyer prej tij, shkruan: "Oliver Jens Schmitt ka një stil mbërthyes për t‘iu afruar personazhit dhe ngjarjeve aq pranë, sa të bën të jetosh me to si në një vepër letrare a film me kontraste të fuqishme. Të gjitha këto na lehtësojnë rrugën drejt të vërtetave, për të cilat kemi aq shumë nevojë". Pra, nëpërmjet Schmitt-it, thotë ai, ne njohim Skënderbeun e vërtetë.
Në intervistën që ai, Ardian Klosi, dha për gazetën "Shqip" (10 nëntor 2008, fq. 19), tha: "Janë një numër gjërash që na kanë bërë përshtypje, madje edhe na kanë tronditur. Por kryesorja, kam ndier gjithë kohës një si zemërim të heshtur: si ka mundësi që na i kanë mësuar kaq shumë gjëra mbrapsht? Të gjitha mbrapsht: marrja e Krujës, kuvendi i Lezhës, mosakordimi me Huniadin, i ashtuquajturi shtet i Skënderbeut, marrëdhënia e tij me mbretin e Napolit, marrëdhëniet me Aranitin, me Dukagjinët, me Venedikun, katastrofa e Beratit, deri dhe armët e përkrenarja që gjoja ndodhen në Vjenë. Të gjitha do t‘i gjeni të zbërthyera në mënyrë më të plotë, tërheqëse sa dhe shkencore, në librin e Schmitt-it".
Nëse A. Klosit sapo lexoi veprën e O. J. Schmitt-it i kanë bërë përshtypje deri në zemërim të thellë njoftimet "e mbrapshta" që paska mësuar nga historiografia shqiptare, ne nuk ngurrojmë të shfaqim habinë tonë për këtë "analist", i cili me të lexuar një autor gjerman revoltohet, pa u thelluar, ndaj historiografisë shqiptare, të cilën me lehtësinë më të madhe, pa qenë historian dhe pa na sjellë asnjë argument të materializuar dokumentarisht, e hedh pa ngurrim në shportë. Është shumë interesant zemërimi që ai paska marrë ndaj Skënderbeut, i cili tani po mëson nga Schmitt-i se e paska marrë Krujën me dredhi me një ferman të rremë, gjë që dihet prej shekujsh. Ai kujton se lufta u bëka sipas kohëve, vetëm me heshta dhe shigjeta apo me pallë dhe me kordhë, apo me pushkë e me top, apo me avion e kryqëzor. Çuditemi si nuk e ditka se lufta bëhet dhe me mjete të tjera - me shantazhe dhe me krahëmarrje, me dredhi dhe me diplomaci, me sulm ballor, por edhe me kolonë të "pestë". Dredhia (në frëngjisht ruse de guerre) në të gjitha format e ka shoqëruar historinë e luftërave që kur ato janë shfaqur në histori, të paktën që nga Kali i Trojës dhe deri te Shërbimi Informativ i ditëve tona.
Ardian Klosi gjithashtu thotë se me veprën e O. J. Schmitt-it kemi të bëjmë me një vështrim të ri të figurës së Heroit tonë, një vështrim që paraqitet në fushën e historiografisë për të parën herë (sic!). Në qoftë se këtë reklamë A. Klosi e nxori nga xhepi i vet ne po ia falim, sepse ai nuk është historian dhe nuk e ditka se ka historianë të tjerë që kanë shprehur, sikurse do të shihet, të tilla vegime romanceske. Nëse këtë reklamë e ka bërë me gjithë mend vetë zoti Schmitt, atëherë le të na falë për përshtypjen që ai na lë se nuk e njeh ose bën sikur nuk e njeh historiografinë skënderbegiane.
Ndërkaq, nuk mund të rrimë pa thënë se një dëshmi të varfërisë kulturore të A. Klosit në fushë të historisë e ka dhënë vetë A. Klosi në sulmin që i bën zonjës Mira Meksi, e cila nuk u pajtua me këndvështrimin e historianit zviceran mbi Skënderbeun. Analisti ynë, A. Klosi, në vend që të përdorë argumente shkencore, i përgjigjet me një arsyetim banal se ajo zonjë i kundërvihet historianit zviceran nga inati që ka me përkthyesin (A. Klosin) se ky e paska kritikuar dikur në një çështje tjetër. Pra, ajo zonjë nuk e dashka autorin nga inati që paska me përkthyesin. O tempora! O mores!
Sapo vepra e O. Schmitt-it doli në qarkullim, Artan Lame, analist i njohur nga rubrika bulevardeske "Shqypni Tavolinash"(!), pohoi se është tepër i kënaqur nga vepra e historianit zviceran, mbasi më në fund në sajë të tij ai thotë se e njohu Skënderbeun e vërtetë. Tani, shton ai, që mori vesh se Skënderbeu paska luftuar kundër dy sulltanëve si hakmarrës për vrasjen e të atit; tani që u bind se paska pësuar vazhdimisht disfata pas disfatash; tani që mësoi se Heroi ynë u braktis nga të gjithë zotërit e tjerë të Shqipërisë; tani që mësoi se e paska kthyer atdheun e tij në një grumbull gërmadhash; tani që sheh se kapedani shqiptar vdiq i braktisur nga të gjithë si refugjat në tokën venedikase - tani, përkundrazi, ai do ta dojë më tepër se më parë kur kishte mësuar në shkollë se Skënderbeu luftonte për lirinë e Shqipërisë, se kishte krijuar shtetin shqiptar, se nuk e dorëzoi asnjëherë kryeqytetin, Krujën dhe se me luftën e tij çlirimtare kishte mbrojtur qytetërimin evropian. A. Lame thekson ndër të tjera: "Në situatën mjerane në të cilën gjendet sot shkenca shqiptare në përgjithësi dhe shkencat albanologjike në veçanti, e shoh si dhuratë të perëndisë daljen e një gjermani të ftohtë që bie në dashuri me kombin tonë dhe t‘i kushtojë tërë jetën dhe studimet e veta". Më tej, "nëse dikujt Skënderbeu i Schmitt-it i duket si kaçak, ky pastaj është problemi i tij dhe jo i Skënderbeut".(!)
Tri javë më vonë ("Shqip", 9 dhjetor 2008) A. Lame shfaqet aq tepër i entuziazmuar nga Skënderbeu i Schmitt-it, saqë turret me egërsi kundër lexuesve shqiptarë që nuk pajtohen me historianin zviceran. Këtë radhë ai shkruan: "Deri para se të lexoja Schmitt-in..., Skënderbeun e trajtoja paksa si një krijesë të largët, joreale, si një statujë mitike mbi gur. Schmitt-i ma zbriti nga shkëmbi, i shkriu bronzin që e kish ngrirë, ma bëri njeri prej vërteti, me halle e sherre, të mira të liga". Përsëri: O tempora! O mores! Nëse Schmitt-i e bëri Skënderbeun "njeri prej vërteti" ose nëse e ka shfronësuar si prijës, këtë do ta shohim më tej.
Analisti tepër i njohur, Fatos Lubonja, shkon edhe më tej. Ai e përgëzon tej mase historianin zviceran që po e shkallmon mitin e Skënderbeut. Sipas Lubonjës, miti ishte i dobishëm në shek. XIX, në periudhën e Rilindjes Kombëtare, por që pas shpalljes së Pavarësisë u bë i dëmshëm, sidomos gjatë regjimit komunist, mbasi atë si mit e shfrytëzoi Enver Hoxha në interes të diktaturës komuniste. Si rrjedhim, thekson ai, Skënderbeu u shndërrua në një mit nacional komunist. Si i tillë, Skënderbeu, mendon F. Lubonja, e ndihmoi Enver Hoxhën të na rrëmbente lirinë, të na shtypte pa mëshirë, të na burgoste dhe të na internonte në masë, madje dhe të na vriste pa gjyqe. Për këtë arsye, përfundon analisti ynë, ne duhet ta "dekonstruktojmë" mitin e Skënderbeut (jemi kuriozë të dimë se ku e ka gjetur fjalën "dekonstruktim", mbasi e kemi kërkuar nëpër fjalorë, por nuk e kemi ndeshur). E marrim me mend se e ka përdorur në kuptimin destruksion, për shembje. Me këtë këndvështrim, F. Lubonja nuk e gëlltiti dot pohimin e Ismail Kadaresë, i cili, duke aluduar për veprën e O. Schmitt-it, tha: "Të çmitizosh figurën e Gjergj Kastriotit do të thotë të bësh sulm kundër konceptit të lirisë". Në të vërtetë, pohimi i shkrimtarit tonë të shquar, me ndonjë korrigjim, buron nga realiteti ynë historik. Është fakt tashmë i shuguruar nga shekujt në shkallë ndërkombëtare se Skënderbeu me popullin e tij luftuan si kreshnikë për njëçerekshekulli me radhë për lirinë. Madje, lufta e tij për liri u bë shembull për të gjithë brezat e ardhshëm, jo vetëm për lirinë nga zgjedha e huaj, por edhe për lirinë nga shtypja e despotëve të brendshëm. Kaspar Hedio, një dijetar frëng, shkruante më 1537: "Në qoftë se nuk do të luftojmë si shqiptarët dhe në qoftë se princat nuk do të shquhen si Skënderbeu kam frikë se brenda një kohe të shkurtër do t‘i shkruajmë një epitaf lirisë". Veç kësaj, Skënderbeu nuk u shqua vetëm si Promete i lirisë nga zgjedha e huaj. Me shpirtgjerësinë e pashembullt për Mesjetën që ai tregoi ndaj bashkëluftëtarëve të vet kur e tradhtuan, ai u shqua edhe si një humanist i mirëfilltë. Në qoftë se E. Hoxha e shfrytëzoi Skënderbeun në interes të pushtetit të vet autoritar - përgjegjës nuk është Skënderbeu. Nuk ka më përse të dënohet Skënderbeu. Po të pranojmë këtë kriter të F. Lubonjës, atëherë duhet të dënojmë të gjitha ato figura të historisë së Shqipërisë që i ka lavdëruar Enver Hoxha, mbasi edhe ata duhet t‘i kenë shërbyer diktaturës komuniste. Veç kësaj, nuk duhet të harrojmë se Skënderbeun nuk e shfrytëzoi vetëm Enver Hoxha, por edhe shtetarë të tjerë shqiptarë, si Ismail Qemali, Fan Noli, Ahmet Zogu, po të doni edhe Benito Musolini, të cilët nuk mund të akuzohen kurrsesi për nacional-komunizëm.
vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Kristo Frashëri: A duhet dënuar Skënderbeu se u përdor nga Enveri? Empty Re: Kristo Frashëri: A duhet dënuar Skënderbeu se u përdor nga Enveri?

Mesazh nga Agim Gashi Wed Mar 25, 2009 1:51 pm

Fatos Lubonja nuk është historian. Kjo kuptohet, sepse ai flet me mllefe, siç flet një militant politikan. Historiani, kur gjykon ngjarje, zhvishet nga mllefet dhe i jep Cezarit atë që i takon Cezarit dhe e kritikon Cezarin atje ku ka gabuar. Që nuk është historian kjo kuptohet kur ai lëshon përcaktime të nxitura nga mllefi, si një ish i burgosur politik, sidomos kur flet për ngjarje të periudhës së regjimit komunist. Regjimi komunist ka mjaft mëkate për ta kritikuar dhe për ta dënuar, por ka edhe ngjarje të cilat nuk duhen medoemos nxirë apo denigruar. Edhe mëkatet, edhe meritat duhen argumentuar. Fatos Lubonja kritikon E. Hoxhën për mitizimin e Skënderbeut dhe e stigmatizon regjimin e tij si një regjim nacional-komunist. Por, nuk na shpjegon se ku qëndron mitizimi i Skënderbeut nga Enver Hoxha. Gjithashtu, nuk na shkoqit se ku qëndron karakteri nacional i regjimit të tij komunist. Nëse ai nuk është në gjendje të japë shpjegime se përse regjimin e Enver Hoxhës e quan nacional - komunist, të cilin e përsërit vazhdimisht me vend dhe pa vend - le të na lejojë ne t‘i themi se e ka gabim, - megjithëse ka rrezik që ai të përgjigjet me sulmet e tij emotive. Themi vend e pa vend mbasi duket se ai dhe jo vetëm ai, por edhe plot analistë të tjerë, nuk e kanë të qartë dallimin midis nacionalizmit dhe patriotizmit.
Të dyja janë rryma, por me karakter ideologjik dhe përmbajtje politike të ndryshme. Nacionalizmi nënkupton rrymën ideologjike që synon të përfshijë brenda kufijve të shtetit kombëtar të gjitha trojet etnike shqiptare, madje edhe ato troje ku popullsia me përkatësi etnike shqiptare përbën pakicën. Jo vetëm kaq. Nacionalizmi nuk synon, por edhe përpiqet të realizojë me çdo mjet, pavarësisht nga rrethanat, bashkimin e mbarë trojeve etnike në një shtet të vetëm kombëtar. Përkundrazi, patriotizmi synon dhe lufton të mbrojë shtetin kombëtar shqiptar kur ai kërcënohet nga një fuqi e huaj ose synon dhe lufton të çlirojë atdheun kur ai është i pushtuar nga një fuqi e huaj.
Këtu fillon debati nëse regjimi komunist kishte karakter patriotik ose racionalist. Filli për të zbardhur çështjen nëse regjimi komunist kishte karakter racionalist ose patriotik, na çon në vitet e Luftës së Dytë Botërore.
Si në mbarë Evropën e pushtuar nga agresorët fashistë, edhe në Shqipëri, rezistenca kundër Italisë fashiste dhe Gjermanisë hitleriane kishte karakter patriotik, mbasi synonte çlirimin e atdheut dhe vendosjen pas çlirimit të një regjimi demokratik në Shqipëri. Edhe pse në krye të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare u vu Partia Komuniste, ajo nuk e humbi karakterin patriotik. Dëshmi është fakti se platforma politike që ajo shtroi nuk synonte as vendosjen e regjimit komunist, as nuk përmbante synime nacionaliste. Në të gjitha aktet themelore dhe anësore që dolën gjatë Lëvizjes Nacionalçlirimtare spikat jo ideologjia komuniste dhe autoritariste, por ideologjia patriotike dhe demokratike. Madje, një nga kritikat më të ashpra që i bëhej Partisë Komuniste Shqiptare nga kundërshtarët e saj të brendshëm ishte heshtja që ajo tregonte ndaj trojeve etnike që ndodheshin jashtë kufijve të Shqipërisë, pra për mospërfilljen e saj të parimit themelor të nacionalizmit shqiptar. Të gjithë partizanët që rrëmbyen armët dhe të gjithë dëshmorët që dhanë jetën, ishin të bindur se luftonin për çlirimin e atdheut dhe për vendosjen e regjimit demokratik. Si rrjedhim, Skënderbeu, i cili shërbeu si frymëzim historik i çetave patriotike rilindëse, mbeti burim frymëzimi edhe për partizanët e Luftës së Dytë Botërore. Këtë e dëshmon kënga e çetave rilindëse: "O trima luftëtarë, - o bij të Skënderbeut, - kërkoni ju shqiptarë - lirinë e mëmëdheut", - të cilën e këndonin dhe partizanët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare.
Puna e do që me çlirimin e atdheut nga zgjedha e huaj dhe me vendosjen në Shqipëri të regjimit komunist, parimisht Skënderbeu, krejt i huaj për doktrinën marksiste, nuk kishte përse të trajtohej si Hero Kombëtar. Por ai vazhdoi të shfrytëzohej edhe në atdheun socialist si burim frymëzimi. Përse?
Pas luftës, Partia Komuniste e shfrytëzoi frymën patriotike kundër pretendimeve të qarqeve shoviniste greke, të cilat kërkonin aneksimin e trojeve jugore të Shqipërisë. Edhe orvatjet që ndërmorën fuqitë perëndimore për të përmbysur me anën e diversantëve regjimin stalinist në Shqipëri, Partia Komuniste i propagandoi si orvatje që synonin të preknin pavarësinë kombëtare të atdheut. Në këto rrethana, për të përballuar rrezikun e jashtëm, përveç sigurimit të aleatëve me peshë, siç ishte për disa kohë Bashkimi Sovjetik dhe krahas përgatitjes ushtarake, të cilat thithën pjesën më të madhe të buxhetit shtetëror, Partia Komuniste kërkoi ndihmë edhe te tradita patriotike shqiptare. Me fjalë të tjera, kërkoi ndihmë te historia në përgjithësi, tek ato ngjarje të veçuara, të cilat përmbanin karakter patriotik, siç ishin epopeja e Skënderbeut, Lidhja e Prizrenit, çetat rilindëse, shpallja e pavarësisë, Lufta e Vlorës etj. Mbi këtë truall ideologjik dhe politik lindi edhe historiografia shqiptare e pasluftës, e cila pajtohej me frymën patriotike rilindëse, e si rrjedhim nuk ka përse ajo të akuzohet si historiografi marksiste. Këtë karakter historiografia shqiptare e periudhës komuniste e ruajti deri në fund të regjimit punist. Madje, për hir të frymës patriotike, ajo vazhdon ta ruajë, me ndonjë përjashtim të rrallë, edhe sot e kësaj dite. Shkurt, akuza që i bëhet regjimit komunist si regjim nacional-komunist, nuk është e saktë, mbasi ai regjim nuk e shtroi asnjëherë platformën e bashkimit të mbarë trojeve shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar. Nuk e shtroi jo se nuk e dëshironte bashkimin e mbarë trojeve etnike në një shtet të vetëm kombëtar, por se nuk kishte përkrahje ndërkombëtare për ta realizuar këtë synim. Rrethanat ndërkombëtare e detyruan Shqipërinë komuniste të qëndronte në mbrojtje - të mbronte vetveten. Dëshirën që kishte për të realizuar bashkimin shtetëror kombëtar, E. Hoxha e shfaqi në vitin 1968, jo siç thotë O. Schmitt-i me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, por kur përkrahu publikisht demonstratat për të drejtat kombëtare që shpërthyen në Kosovë kundër shtypjes titiste jugosllave. Me fjalë të tjera, regjimi komunist shqiptar, i cili pretendonte se nga pikëpamja ideologjike mbështetej te parimet klasike të marksizmit, pra tek i ashtuquajturi "internacionalizëm proletar" dhe te zhdukja e kufijve politikë midis shteteve, - kaloi në të kundërtën. Nën shembullin e Bashkimit Sovjetik, edhe Shqipëria u mbyll në vetvete. Ajo u izolua aq tepër, sa kufijtë e saj u kthyen në mure kinezë. Kontaktet e Shqipërisë u bllokuan jo vetëm me vendet kapitaliste, por edhe me vetë vendet socialiste. Si rrjedhim, parimi themelor i "internacionalizmit proletar" - u shndërrua në një patriotizëm ekstrem.
vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Kristo Frashëri: A duhet dënuar Skënderbeu se u përdor nga Enveri? Empty Re: Kristo Frashëri: A duhet dënuar Skënderbeu se u përdor nga Enveri?

Mesazh nga Agim Gashi Wed Mar 25, 2009 1:51 pm

Kjo është arsyeja përse në fushën e trajtimit të historisë së Shqipërisë, ngjarjet patriotike shqiptare zunë vendin kryesor në ideologjinë politike të Partisë së Punës së Shqipërisë. Pra, historianët shqiptarë të periudhës komuniste, të cilët i trajtuan ngjarjet në bazë të kriterit patriotik, nuk ka pse të kritikohen për nacional-komunizëm. Nëse regjimi enverian ishte regjim nacional-komunist, këtë kritikë duhet ta bëjnë marksistët ortodoksë, besnikë të platformës së Karl Marksit dhe jo nacionalistët shqiptarë, të cilët duhet të fërkojnë duart nga kënaqësia që Enver Hoxha, pavarësisht nga regjimi komunist, nuk e dobësonte, por e forconte patriotizmin shqiptar.
Fatos Lubonja e ka treguar në të gjitha shkrimet publicistike dhe në të gjitha emisionet e veta televizive se është një adhurues i paepur i lirisë. Të paktën këtë përfytyrim kemi ne për të. Por, kur vjen puna te Skënderbeu, ai nuk e çmon idealin e lirisë, për të cilën luftoi heroi ynë. Në këtë kontekst, nuk kuptohet përse ai turret si Gjergj Elez Alia kundër Ismail Kadaresë kur ky e identifikon me të drejtë Skënderbeun me lirinë. Ai do të kishte të drejtë nëse shkrimtari ynë i shquar do të kishte ngritur në mit një farkëtar të robërisë, siç ishte p.sh. Sulltan Murati II. Për fat të keq të Fatos Lubonjës, ai mbron Skënderbeun, këtë "kampion" të lirisë, siç e kanë quajtur me dhjetëra e dhjetëra historianë, shkrimtarë, filozofë, madje edhe politikanë evropianë perëndimorë. Ndoshta Fatos Lubonja shtyhet nga urrejtja që ai ka me të drejtë ndaj E. Hoxhës. Por "urrejtja" le të fokusohet ndaj E. Hoxhës dhe jo ndaj Skënderbeut, i cili nuk i ka asnjë faj. Me të drejtë N. Machiavelli thoshte se "urrejtja është një këshilltar i keq për njeriun e ditur". Si rrjedhim, kur F. Lubonja përfshin në luftën kundër miteve edhe Skënderbeun dhe kur kërkon atë që ai e quan "dekonstruktimin" e mitit të Skënderbeut, ai del jashtë kontekstit të pikëpamjeve të veta.
Fatos Lubonja me të drejtë shkruan se miti i Skënderbeut është një konstrukt historik, i ndërtuar në një kohë të caktuar dhe në një kontekst të caktuar luftash dhe urrejtjesh nacionale. Për këtë arsye, ai është konstruktuar si mit disa herë. Herën e parë, si mit në emër të krishterimit, kur u mbiquajt "kalorës i krishterimit", kurse 2-3 shekuj më vonë u rimor në emër të nacionalizmit. Pastaj na degdis te historiania frënge Natalie Calyer, e cila përmend disa vegime politike të shfaqura herë pas here - herë si pro malazez, herë si antimalazez, herë si pro italian, herë si antiturk. Ato që thotë historiania frënge nuk kanë qenë lëndë e parë e historisë së Shqipërisë. Ato janë thjesht kuriozitete historike - janë vegime meteorike, ose episode të izoluara që s‘kanë lënë gjurmë në identitetin kombëtar të shqiptarëve, natyrisht as në nacionalizmin shqiptar, përfshi këtu edhe në të ashtuquajturin nacionalizmin komunist. Nëse duhet të "dekonstruktojmë" të ashtuquajturin mit të Skënderbeut vetëm se atë e shfrytëzoi Enver Hoxha për interesat e veta, atëherë duhet të "dekonstruktojmë" edhe të ashtuquajturin mit të Ismail Qemalit, apo të Abdyl Frashërit, Sami Frashërit, apo Luigj Gurakuqit, Isa Boletinit, apo Bajram Currit dhe të figurave të tjera të shquara të historisë së re të Shqipërisë vetëm se ato figura i ka shfrytëzuar Enver Hoxha për interesat e pushtetit të vet. Si do të jetë atëherë historia e Shqipërisë?
Shembullin pra se si do të ishte në këtë rast historia e Shqipërisë na e jep, sipas F. Lubonjës, historiani zviceran O. Schmitt, i cili na e paraqet Skënderbeun si një komitaxhi që ka pësuar disfata pas disfatash, si një bir sllavi që i çoi malësorët në mjerim, si një dritëshkurtër që u mashtrua nga papët, si një "kapedan" që u braktis edhe nga shokët e vet dhe si një prijës që vdiq i vetmuar si refugjat politik në Lezhën venedikase. Si pasojë e vlerësimit që historiani zviceran i ka bërë heroit tonë, F. Lubonja pret që Skënderbeun hipur mbi kalë ta heqim nga sheshi qendror i Tiranës, sepse ashtu si e ka skalitur Odhise Paskali, shkruan ai, "del një luftëtar i egër mbi kalë, shumë i ndryshëm nga imazhi që ka qarkulluar në vendet evropiane: ai i një plaku të urtë e të ditur, njeri i armëve sigurisht, por edhe i qytetëruar dhe i formuar". Jemi kurioz të dimë se ku F. Lubonja i ka psonisur këto tipare, mbasi në sheshin qendror të kryeqytetit Skënderbeu i hipur mbi kalë i O. Paskalit (i cili nuk është i vetmi autor, por bashkautor me Janaq Paçon dhe Andrea Manon), paraqitet jo si luftëtar i egër, por si një kapedan në pozicion parade, pra në pozicion paqeje, kurse tani po mësojmë se Evropa e paska përfytyruar Skënderbeun si një plak i urtë e i ditur, njeri i armëve sigurisht, por edhe i qytetëruar dhe i formuar. Pra, Evropa nuk e paska përfytyruar Skënderbeun sipas tipareve që i jep O. Schmitt-i, si një kaçak apo komit, si një hakmarrës i egër për vrasjen e të atit, si një komitaxhi që bredh maleve për të shpëtuar kokën, por siç thotë me dorën e vet Lubonja, si një plak të urtë e të ditur, si një njeri i qytetëruar dhe i formuar. Të themi të drejtën, disa nga këto pohime tregojnë varfërinë që ka analisti ynë në fushën e metodologjisë shkencore të trajtimit të historisë, madje edhe paqartësinë që ai ka për rrjedhën e historisë së Shqipërisë. Kjo paqartësi të bie në sy në mënyrë të veçantë kur ai, këtë e them me keqardhje, e lidh mitin me identitetin kombëtar, lidhje kjo artificiale, e cila shpjegon se ai nuk e njeh, siç do të tregohet më tej, as përmbajtjen e mitit, as përmbajtjen e identitetit kombëtar.
Gjithnjë sipas Lubonjës, meqenëse tani shqiptarët aspirojnë si dhe turqit për të hyrë në Evropë, duhet të mos i zëmë më në gojë luftërat që zhvilloi Skënderbeu kundër sulltanëve osmanë. Nuk dimë ç‘thonë për këtë këndvështrim vetë austriakët, të cilët siç po dëgjojmë nuk janë shumë të gatshëm për të pranuar Turqinë në lagjen evropiane. Vallë, historianët austriakë nuk i zënë fare në gojë luftërat e tyre heroike për mbrojtjen e Vjenës?
Sipas F. Lubonjës, sot ka ardhur dita e bekuar që të ndërmerret fushata e "dekonstruksionit" të miteve nacional-komuniste, midis tyre edhe të mitit të Skënderbeut. Kjo do të thotë se ka ardhur koha të shemben edhe mitet e figurave të tjera të historisë kombëtare, duke e kthyer kështu historinë e Shqipërisë, Ruajna o Zot, në një histori çapaçulësh. Pastaj, duket se ka harruar atë që ka shkruar në një faqe, pasi në një faqe tjetër shkruan se çmitizimi i Skënderbeut nuk ka lidhje me historinë e shekullit XV, por me njohjen e historisë së shek. XIX, pra me tërë atë proces identitet-ndërtues në shek. XIX, që e nxori Skënderbeun nga historia nëpërmjet një procesi selektiviteti dhe e ktheu në mit e simbol. Nuk arrijmë ta kuptojmë se si pajtohet pikëpamja e Lubonjës, se "dekonstruktimi" i mitit të Skënderbeut nuk ka lidhje me historinë e shek. XV, me pikëpamjen që përmban trajtesa e O. Schmitt-it, i cili gjithë arsenalin e vet e përqendron në "dekonstruktimin", apo në shpërfytyrimin e figurës së Skënderbeut të shek. XV? Në një vend tjetër Lubonja thotë se nuk e ka fjalën për "dekonstruktimin" e figurës së Skënderbeut të shek. XV, as për mitin e Skënderbeut që u krijua në kohën e Rilindjes Kombëtare, mit që për atë kohë ai e gjen të argumentuar, por me "dekonstruktimin" e mitit të krijuar nga regjimi komunist(!). Më tej, ai shkruan gjithashtu se "shqiptarët, ndonëse me vonesë, filluan ta ndajnë mitin nga historia, gjë që përbën, shton ai, një hap përpara drejt njohjes". Kjo do të thotë se shqiptarët më vonë u shkëputën nga miti i Skënderbeut dhe u futën në truallin e historisë. Kur ndodhi kjo shkëputje? Ai lë të kuptohet se kjo shkëputje po ndodh tani, pas përmbysjes së regjimit komunist. Shprehësit e saj janë, sipas tij, ata që kërkuan një histori të Skënderbeut ndryshe nga ai që është trajtuar në regjimin komunist. Pra, një histori shkencore për kohën e Skënderbeut. Po ashtu një histori për ngjizjen e mitit të tij në kohën e Rilindjes, pastaj një histori tjetër të Skënderbeut të hartuar për kohën komuniste, më tej një histori të Skënderbeut për periudhën e demokracisë. Pra, deri këtu, të paktën katër histori të ndryshme për Skënderbeun. Kushedi, mund të dalë nevoja për një histori të Skënderbeut për shqiptarët e Kosovës, një tjetër për shqiptarët e Maqedonisë, ndoshta një tjetër për shqiptarët e diasporës. Kështu, lum Skënderbeu që do të ketë kaq shumë histori.
G. Shqip
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Kristo Frashëri: A duhet dënuar Skënderbeu se u përdor nga Enveri? Empty Re: Kristo Frashëri: A duhet dënuar Skënderbeu se u përdor nga Enveri?

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi