Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Grigor Jovani:Kur flet poezia...

Shko poshtë

Grigor Jovani:Kur flet poezia... Empty Grigor Jovani:Kur flet poezia...

Mesazh nga Agim Gashi Sun May 15, 2011 7:43 pm

Grigor Jovani:Kur flet poezia... 230931_204590952912771_100000856023115_530312_471114_n

Grigor Jovani:Kur flet poezia...

Mund të më ndodhte të mos njihja një poete. Ndodh të kalojë pranë teje poezia dhe ty të të qëllojë të mos e shikosh. Prej pakujdesisë tënde... Domethënë, të jesh kopshtar, dhe të mos ndjesh se po kalon pranë një lulishteje. Mos të përgjërohesh prej trëndafilave, mos t’u gëzohesh mullagave... Mund të ndodh dhe kështu, ndonëse po të mendosh më thellë, kjo nuk ngjan dhe kaq e hatashme. Seicili shijon pranverën që sheh, sikurse çdo pranverë bleron për dashamirët e saj. Për ata që e presin... Veçse, nuk i lejohet të pasionuarit e një jete pas blerimit të vargjeve, siç do të doja ta konsideroja vetveten, të jetë kaq snob me një pranverë poetike, sado që mund t’i jetë dukur fillimisht e shpejtuar apo e vonuar... Dhe ashtu siç nuk bëhet të tjetërsohet ligji natyror i blerimit, nuk ndodhi që unë ta humbisja poeten në fjalë. Qoftë dhe me vonesë...
Valentina Skënderaj (Aliaj) hyri tani vonë në vëmendjen time poetike dhe, ndonëse nuk e kam takuar kurrë nga afër, më është bërë mikeshë vargjesh. Nga ato që bisedojmë... Nuk qe nevoja të vinte ajo vetë në miqësinë time, kishte dërguar “letërkredencialet” e saj poetike - dy libra të vogla me vjersha - dhe kjo ishte tejet e mjaftueshme.
Kishte ardhur para disa muajve në Athinë, kishte bujtur tek disa miq të mi familjarë dhe ata, duke ditur “kusurin” e saj poetik, i kishin thënë se do ta njihnin me një tjetër “të sëmurë” me vargjet, që të... “ngushëlloheshim” së bashku. Por ja që nuk ndodhi ta takoja mikeshën e miqve të mi, t’i ndanim së bashku dertet poetike me kolegen nga Fieri. Kështu që ajo kishte lënë për mua dy librat e saj të vegjël, si broshura...
Dy libra poetikë, nga ato që botohen në atdhe, sidomos në provincë, që të bëjnë të pyetesh, se kujt i hyjnë në punë botime të tilla. Pa të dhënat çertifikuese të librave, pa data botimi, madje pa emrat e redaktorëve dhe atyre që u kujdesën të lindin këto libra, me letër si fije cigareje. Veçse, me parathënie të bujshme, ku autorët nuk harrojnë gjer edhe të fotografojnë... firmën e tyre vizuale, që bëjnë kujdes t’i kujtojnë lexuesit edhe profesionet e bujshme: shkrimtar, gazetar, kritik... Paçka! Kur e di, që edhe në këto letra bakallësh, mund të bulëzojë poezia. Mund të ndriçojë një talent i vërtetë edhe në këto broshura, thuajse “klandestine”. Veçse unë u tregova i pafat me Valentina Skënderaj-n nga Fieri, miken e miqve të mi. Nga dy librat si broshura, fillova të lexoj në tram njerin prej tyre, “Thellësi shpirti”, nuk e di të parin a të dytin e saj, pasi njeri prej tyre ishte i padatë. Dhe munda të kapërdij vetëm disa poezi... Jo më tepër. Aq sa zgjaste rruga e shkurtër, deri në shtëpinë time...
Librat e saj përfunduan diku në bibliotekën e madhe, fatkeqësisht në atë cep, ku rrallë më shkonin duart dhe sytë. Vetëm pardje, krejt rastësisht, thashë t’i hidhja sytë dhe librit tjetër, “Fjalë... por jo vetëm”. Ngaqë më bëri përshtypje titulli. Edhe ishte krejtësisht ashtu: nuk ishin vetëm fjalë të radhitura në këtë libër (siç ndodhte në librin tjetër, që më bëri ta hidhja në një cep). Ky vëllimth ishte me të vërtetë një libër poetik. Një përmbledhje poezish emocionuese, një dëshmi e një pune sa të kujdesshme, aq edhe spontane. Siç janë librat e poetëve të vërtetë. U binda menjëherë, me të mbyllur faqen e fundit: ishte libri i një poeteje me të vërtetë të talentuar. E kisha lexuar me një frymë, thirra dhe time shoqe t’i deklamoja disa syresh dhe ajo më tha: “Jo po, ti që thoje...” Por nuk ishte puna të flisja unë. Çështja është të flasë poezia. Dhe në këtë libër që kisha në dorë, kishte folur me të vërtetë një poete, talenti i të cilës ishte i padiskutueshëm. Një poezi e guximshme, e lirë, e figurshme, plot ritëm dhe kolorite ndërtimi. Mbi të gjitha: një lirizëm spontan dhe i mëvetshëm. Një grua poete! Dëgjoni ç’thotë: “Të më vidhesh sy më sy,/ të më djegësh mish dhe thua,/ dhe pastaj mbi prushin tim,/ të vërshosh porsi një krrua!” Cila grua poete nuk do ia kishte zili sinqeritetin, cili burrë poet nuk do dallonte zjarrin e Safos në këto vargje?
Mos më pyetni, ç’ndodhi dhe Valentina ishte tjetërsuar poetikisht nga libri në libër. Nuk e di, as mund të lodh mendjen me këtë. Rëndësi ka që ajo gjeti veten në një libër dhe le të jetë ky vëllim startimi i saj. Por prapë, mërrinë e kam me botimet dhe botuesit e papërgjegjshëm të atdheut, sidomos të provincës. Eh, ç’do më kishin bërë! Do më kishin lënë pa u njohur me një poete! Dhe, dreqi e mori, ato nuk janë dhe të shumta!
GRIGOR JOVANI

VALENTINA SKENDERAJ (ALIAJ)

ËSHTE NJE PËRRUA...

Atje në Kuç është një përrua,
rrjedh me zhurmë e mërmërim,
që më merr me vete mua
dhe më zhyt në ëndërrim...

Atje në Kuç është një përrua,
me ujë dëbore, kristal,
që më merr me vete mua
dhe më thotë:
“Jeto! Je gjallë!”

MËRIA E QIEJVE

Qielli i kaltër u mbulua
re të shumta. U bë gri.
Nisi befas të shkarkonte
shi të egër, me furi.

Pylli i vjetër u rrafshua,
dergjen pemët rrënjëdalë.
Mbetën pak, më të fuqishmet,
krenarë si piedestalë.

Bisq të rinj përtërinë,
më të hijshëm, rrënjëthellë.
Mërisë së qiejve i bën ballë
kush nga lufta i gjallë del.

MJEGULL

Ka rënë mjegull në kujtesën time,
më bën të iki
verbërisht.
Do gjendet një prag,
në fund të fundit,
të kthehem nga erdha sërisht?

Mjegull është shtrirë në kujtesën time,
ditët m’i kthen
në gri të trisht.

LEGJENDË

Në zgjimin e bardhë të një nuseje
u gdhi e virgjër
një ëndërr.

Në psherëtima vejusheje,
nuk njohu krevati
dhëndërr.

Nuk njohu as dhëndrri
dashuri.

Fjalët e thëna - epitaf
mbi mermerin gri.

PRUSH DHE KRUA

Të më vidhesh
sy më sy,
të më djegësh
mish dhe thua.
Dhe pastaj,
mbi prushin tim
të vërshosh,
porsi një krua.

BUSULLA

Ka ditë që mbetem pa fjalë
dhe fshihem diku e vetmuar.
Të mund të gjeja një busull të re,
ta gradoja vetë,
siç dua.

Veriun-Jug dhe Jugun-Veri,
drejtime kot,
pa kuptim.
Sa të gjeja horizontin e duhur,
t’i sillja pak gëzim shpirtit tim!

ERRËSIRA

Errësirës i shmangem,
në çdo formë që shfaqet,
si strehë njerëzish të pabesë.

Por ç’t’i bëj errësirës së fjalëve,
që shfaqet tek njerëzit serbes!

BIE DËBORË...

Bie bora flokë-flokë,
si velenxë mbi dhera hedhur,
poshtë saj se si përkundem,
krejt e lumtur, si e dehur.

Borë, moj borë, do motërzohem,
dhe pas teje do të vij,
të mbuloj ata që ftohen,
sipër foshnjave ta gdhij.

SHPRESA

Hingëllin një kalë parreshtur,
thellë në shpirtin tim.
Unë pas jeleve të tij ngjeshur,
larg...
në udhëtim.

Thellë në sy i ndrin një shpresë
“Po shkojmë, - thotë, -
ta kërkojmë...”
Doemos, e ndjek me besë,
por nuk di ku shkojmë...

LUTJA E FUNDIT

Të na lajmëroje, o Zot,
vdekjen tonë,
do t’ia merrja tmerrin në sy.

Para çastit tim më të fundit,
këtë lutje do drejtoja për ty:

Më lerë t’i puth dhe një herë,
të gjithë,
që dashuri më dhuruan.

Në tempullin tënd të ndez
një qiri,
edhe për ata që nuk më pranuan...

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi