Zgjodhem per ju:CIKËL POETIK NGA SUZANA ZISI
Faqja 1 e 1
Zgjodhem per ju:CIKËL POETIK NGA SUZANA ZISI
Zgjodhem per ju:CIKËL POETIK NGA SUZANA ZISI
MIRËMËNGJES
Mbaje ditën ne pëllëmbë.
Modeloje sipas dëshirës tënde,
me petkat e gëzimit.
Do te jesh i lumtur?
Mbështille me pelerinën e Piter Panit.
Pagëzoje me emrin "Kurrkund".
Do te jesh i çmendur?
Vishi lëkurën time
dhe përqafoje fort...
NJË GRUA...
Një grua të merr për dore dhe...
ulëret këngën e çmendur të dashurisë...
Një grua të tërheq fushave fustanegrisura nga mjegulla gri...
Një grua, shndërrohet në bareshë
për të të mbrojtur nga shkelmat e lopës.
Një grua bëhet lopë e Ti...nga sisa e saj pi...
Një grua shpupuris flatrat në terrin e ndezur të natës...
Një grua vjen e të rrëmben prej divanit në kuzhinë
Një grua të zhvesh nga lëkura dhe...
të mbyt me afsh luaneshe.
Një grua...në fantazinë tënde...ngrin.
Një grua do frymë për të shkrirë “qumështin e premtuar”.
Një grua që...paska një humnerë në kraharor
Një hapësirë, e cila, ka...(ekzaktësisht) përmasat e tua.
Një grua që...i mban “fjalën” e “zemrën” në dorë...
Një grua pikon qumësht nga çdo qelizë,
(Pikon edhe një lopë,
edhe një bareshë të pafaj...)
Një çast,
bëhet mbret i botës tënde prej "fëmije":
Tingulli vrastar i zërit të saj..
Një grua që...ka frike të të shohë në sy...
Nje grua dhe...një burrë.
I cili
Je
Ti...
EJA NË SHEKULLIN E MUNGUAR…
Eja…në shekullin e munguar
……………………të epokës së humbur.
Për të rigjetur sigurinë…që i mungon jetës së pajetuar…
Eja…nën petkun e kameleontë të verës
Frutave të mia të pjekura pikuar…
Thithma nektarin si në ditë - natën e ndritur,
Çastit - disa orësh, që ende s’ka mbaruar…
Ah’ - drithëronjës tretur brenda meje,
Tryezës së urisë, harruar...harruar…
Eja përlyer me mushtin e shpirtit,
“Zoti im i çmendur i dashurisë”,
Bëhu sëmundja ime e pashëruar,
(Unë se piva kurrë pilulën e sigurisë).
Mëngjesi i ditës që kurrë nuk agoi,
Ne pasqyrën e dhimbjes,
U gris…
Eja mbështjellë me membrana puthjesh,
Në amfiteatrin e “historisë sonë të vjetër”,
Ku, ne, të vetmit aktorë,
luajmë veten në një kohë tjetër…
Prologun - e filloj me pafundësi hapash.
Epilogun - foshnjë, në praglindje - pres…
Midis, është ajo që duhet jetuar,
Mbulomë me puthje,
Nuk kam kohë të vdes...
Eja,në shekullin e munguar
……………………......të epokës së humbur.
Për të rigjetur sigurinë…që i mungon jetës së pajetuar…
Thithma nektarin si në ditë - natën e ndritur,
Çastit - disa orësh, që ende s’ka mbaruar…
MËNGJES I ÇMENDUR
Mirëmëngjes hapësirë!
Je më e vogël se liria.
Flakur shkujdesur në syrin tim.
Mirëmëngjes,
i gërmuquri plak që rrëmon plehrat në cepin e rrugës,
tretur në përjetësinë e hapave.
Mirëmëngjes mendje!
Tinëz u largove hijesh,
duke i shuar kohës afatin e skadencës.
Mirëmëngjes hiri im,
endur krizantemave në fushën e përflakur të shpirtit.
Mirëmëngjes,
ti, rrezja e munguar e dritës,
që lëmon puthjesh qiellin blu.
Mirëmëngjes i tulaturi zog,
që luan mes acarit dhe jetës
tangon e përbaltur të ekzistencës.
Mirëmëngjes Olimp!
Ti, Zotat i lëshove dimrit,
për të ngritur haremin, këtu.
JAM PO AJO BEBE
U linda të martën.
Ora 02.
Përballë teje
dhe një planeti të panjohur.
Unë-satelit-dhimbjesh,
ndiej gërricje dhe therje
të ngarkuara me shekuj,
..............................minuta,
......................................sekonda,
gdhendur prej teje në testamentin gri,
në trupin e lebrosur nga vitet,
bardhë-kuq-verdhë e zi.
Ende s’më ke njohur?
Kam ndërruar pelenat, jo fytyrën.
Prekmë përsëri
si dikur,
kur Muzat m’i lëshove të kafshonin të uritura.
Skicoje përsëri buzëqeshjen,
.....................tashmë mes rrudhave të lehta,
që përpijnë sa mundin
milimetrat - kilometra të lëkurës sime.
Planetin që fle brenda trupit të irnosur, me kafshime.
Ti,
mos luaj në skenën e asgjësë, rolin e të habiturës.
Jam po ajo bebe…
Tashmë, më e mençur me çmendurira,
më e varfër me rini.
Luaj më mirë tragjedinë e radhës
dhe lërmë të vdes në rolin tim të martires,
zgjedhur në akropolin e perëndive te mëshirës,
me të vetëshpallurën verbëri të mosqenies,
mes ëndrrave dhe pamundësisë
që m’i servire ti në pjatën e mungesës.
Po gdhin e mërkurë.
Qeshu!!!
Jam unë ajo e pafajshmja e orës 02.
Ishte e martë si sot, të kujtohet?
Dhe ylberi-shtrati im, ndrinte nën kurorën tënde,
si tani - kjo foshnjë e fantazisë sime
që do vdesë pas disa sekondash.
5…Mos m’i ndaj sytë
4…………....Më puth përsëri
3……………………Bekoje Muzën
2…………………..……………Ma fal ylberin
1………………………………………….Oiiiiiiiiiiiiiiii…
Dje ish e martë
Ora 02
ENIGMA
Është enigmë
për mua
dhe,
s’ka për t’u zgjidhur
kurrë,
pafundësia
e mendimeve
të tua,
tragjike…
Ti,
mos u luhat
mes ëndrrash
ndjellakeqe.
Ti,
ke
në shtëpi,
një mace
besnike.
Të shoh.
Në mendime
të thella
ke rënë.
Shkundu, pra!
Mos e vrit
rininë!
Nuk të pengoj.
Heq dorë
nga lufta.
Unë,
pigmenti,
që të shtoj
mërzinë.
Ti,
prapë i heshtur…
Ç’mendon?
Ç’mendon,
me atë mendjen
tënde,
bardhë e zi?
Heq dorë nga lufta!
Më dëgjon?
Një mace
besnike,
të pret
në shtëpi…!
DASHURIA...
Pasi mbaroi funerali
i mbretit Hamlet
dhe i bukuroshes Ofeli,
Dashuria,
u kthye tek ne
perseri.
E cmendur,
se doli nga kafka e saj...
E mencur,
se doli nga kafka e tij...
E BUKURA KËNGA PLAKË
Atë,
kurrë
s’e këndova...!
Në lindje,
u mundova.
Dhe...
solla
në jetë,
një foshnje - plakë.
Rrudhat,
të thella.
Buzët,
me jargë.
Sytë,
tërë gjak.
Dhe,
rend
ajo,
ngado
me mua.
E bukura,
kënga plakë.
E ëmbla,
që,
kurrë
s’u këndua…!
NDERI NË ATDHEUN TIM
Në atdheun tim,
nderin,
si mburojë,
e veshin
ata
që s’e kanë.
Me turp
e përlyejnë,
orgjitë
e “të mëdhenjve”.
Dhe,
për çudi,
si dekoratë,
ua varin
çakenjve.
Atdheu im
i varfër,
Ti,
s’je
i maskarenjve!!!
NJË DITË...
Një ditë,
ti,
do bësh paqe
me veten,
dhe
me botën.
Unë,
do jem
e padukshme...
Skorje,
e flakur
pa pikë fantazie,
ne këndin
e fabrikës
së madhe,
të jetës…!
Ti,
do të më shohësh
mua.
Të pavlerën.
Të kotën.
Dhe…
Do të më lesh,
sigurisht,
aty…!
Ti,
njeri
që,
ke bërë paqe
me veten,
dhe,
me botën…!
TË JESH...
Të jesh,
Duhet të të prekin,
Që të vërtetojnë hipotezën e rënies dhe ringritjes…
Të qeshësh nëse do mundësh,
Mes rrudhave të thella të pritjes,
Duke rrëzuar jargë të lashta dhimbjesh,
Stuhi, përpëlitjesh.
Të jesh,
Do të thotë të vjellësh rininë nga goja e pleqërisë,
Kujtimeve të trishta të rrëmosh.
T’i këndosh kufomës tënde psalme biblike.
Të jesh,
Do të thotë: Të harrosh.
JAM I YTI...
Jam i yti...
Pëshpëritje që kaloi prej gojës,
mushkërisë,
kërthizës,
deri në fundbarkun tim.
Ish zgjim i vdekur shekuj më parë.
I dashurisë - rikthim.
“Jam i yti”,
ulërin dëshira për ta shuar flakën me zjarr.
Etjendezur, përpëlitesha në tëndin përqafim...
“Jam i yti?”
Jo!
Ti, nuk je veç Dielli im...
Rrezelëshuar, harlisur mbi ankthin - mallkim.
“Unë jam i yti...”
Ish ëndërr, makth, lojë e syve blu.
Zbret fundbarkut tim ëmbël.
Dhe, si klithmë lëshohet qiejve të tu.
DO ARRATISEM NGA E SOTMJA!
U lodha,
nga ecejaket
e panumërta,
mbushur
me grindje
e mërzi.
Do trokas,
në portat
e mesjetës,
dhe,
po u hapën,
do hyj.
Për ty,
po më zuri
malli
tretës,
do duroj.
Por,
më,
nuk vij…!
UNË...
Unë,
shkretëtira
larg blerimit,
jetës,
prehjes.
Unë,
antiteza
e gëzimit,
lirisë,
dehjes.
Unë,
miniatura
e vdekjes…
Zotëroj,
stilin
më moderrn,
të buzëqeshjes…!
Biografi
Suzana Zisi, u lind në Vlorë në vitin 1967. U diplomua për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Elbasanit në vitin 1990. Qysh atëherë e deri në vitin 2000, ka botuar krijimet e veta poetike në faqet e gazetave letrare të kohës.
Në vitin 2004 botoi vëllimin e parë poetik “E bardha ështe pak”. Libri u prit mirë nga kritika dhe lexuesit. Ai u përzgjodh ndër 5 vëllimet poetike më të mira, nga Juria e Konkursit Kombëtar “Penda e artë” në vitin 2005.
Në vitin 2006, botoi vëllimin e dytë poetik “ Imazhet kanë ftohtë”, me parathënie të studiuesit dhe poetit të mirënjohur, Agim Vinca. Në librin e saj të parë, Suzana, prezanton një botë të veçantë poetike, nëpërmjet një ndjeshmërie filozofike dhe universale moderniste, e cila e shpalos trajtën e saj, përmes metaforave dhe simboleve individuale. Metaforën dhe simbolikën e vet autoriale, poetja i ngre në një shkallë më të lartë në frymëzimin dhe ligjërimin poetik të librit të dytë, ç’ka ka sjellë jo vetëm farkëtimin e një imazhi poetik specifik, por edhe një pjekuri më të madhe në vleresimin e ideve dhe dukurive të botës reale e emocionale.
Në 2009, shtëpia botuese "ODYSSEAS" në Athinë (Greqi), boton në gjuhën greke, vëllimin poetik “ΣΤΙΣ ΕΡΗΜΟΥΣ ΤΗΣ ΣΙΩΠΗΣ .”,(Në shkretëtirat e heshtjes), përkthyer në greqisht nga poeti dhe perkthyesi i mirenjohur Niko Kacalidha.
Ne maj 2011, botoi vellimin e katert poetik “TË JESH... FJALË” - Shtepia Botuese “OMBRA GVG”, Ne kete liber, poetja rikonfirmon edhe nje here qe nuk eshte rastesisht ne udhen e poezise por, rrugeton me dinjitet dhe profesionalizem ne udhen e veshtire te artit poetik. ( Ky vellim poetik, u promovua ne daten 4 maj 2011, ne Panairin Nderkombetar te Librit ne Prishtine.)
Shumë nga krijimet poetike të Suzanë Zisit, janë prezantuar jo vetëm në revista e gazeta letrare shqiptare por edhe në prestigjioze të huaja. Disa poezi të saj, në vitin 2008, janë botuar në revistën letrare franceze “Le capital des mots”. Së fundmi ajo është prezente edhe në revista letrare sllovene dhe kroate. Në poezinë shqipe pas viteve 90, Suzana Zisi ka spikatur gjithmonë e më shumë si një zë i vecantë poetik, modern dhe elegant.
______
LIRIKË E PEIZAZHIT SHPIRTËROR
Nga Agim Vinca
Vargut të poeteshave shqiptare të kohës sonë po i shtohen nga dita në ditë emra të rinj. Suzana Zisi, është pa dyshim një nga këta emra. Pas botimit të librit të saj të parë, E bardha është pak (2004), Suzana del para lexuesve me librin e saj të dytë Imazhet kanë ftohtë, që e shpalos në mënyrë akoma më të plotë e më të nuancuar botën e saj poetike. Shikuar nga pikëpamja e qëndrimit që mban ndaj jetës, njeriut dhe vetes poezia e Suzana Zisit do të mund të karakterizohej si poezi e peziazhit shpirtëror.
Shpalimi i botës komplekse shpirtërore të njeriut, të femrës në veçanti, depërtimi në labirintin e dëshirave, ëndrrave, shpresave, dilemave dhe shqetësimeve të subjektit lirik, është një veçori e përgjithshme e kësaj poezie. Ky pozicion, sa soditës, aq edhe refleksiv, e përcakton në masë të madhe edhe strukturën ritmike dhe figurative të kësaj poezie.
I përbërë nga rreth njëqind poezi, vëllimi poetik Imazhet kanë ftohtë ndahet në tre cikle: Ëndrra në pjatën e mungesës…, Lulevjeshte dhe Metafora e diellit. Edhe pse nga pikëpamja e ligjërimit poetik libri ka një unitet të theksuar artistik, megjithatë bie në sy fakti se derisa në ciklin e parë mbizotërojnë motivet që lidhen me dehumanizimin dhe tjetërsimin e njeriut në kohën tonë (peziazhi urban, imazhet gri, ftohtësia dhe mungesa sugjerojnë pikërisht këtë emocion), në dy ciklet e tjera ndeshim një atmosferë disi më të butë e më subtile, pra kemi të bëjmë me një lirikë tipike femërore, nocion ky që në këtë rast nuk ka kurrfarë konotacionesh negative. Përkundrazi. Imazhet e rënda e dramatike të ciklit të parë, ku poetesha i referohet shpesh mitologjisë antike e biblike (Adami, Eva, Zoti, djalli, Krishti, Zeusi, Pandora, Prometeu, Narcisi, Dionisi etj.), por edhe realitetit bashkëkohor, e ku nuk mungojë herë-herë as vizionet apokaliptike, zëvendësohen në dy ciklet vijuese nga një ndjeshmëri më e butë lirike e intime, ku figura qendrore dalin lulevjeshta dhe dielli, që shfaqen që në titujt e cikleve.
Dashuria është një lajtmotiv i poezisë së Suzana Zisit. Këtë ndjenjë kaq të thellë dhe motiv të lashtë poetik autorja e këtij libri arrin ta trajtojë me një ndjeshmëri të hollë lirike e shprehje moderne poetike. Në disa nga vjershat më të bukura të librit, çfarë janë, fjala vjen, Në ëndrrën time, Fillim-fundi im, Pëshpërimë etj. ndjenja e dashurisë merr përmasa kozmike. Në lojën magjike të dashurisë hyjnë: dielli, qielli, yjet, retë, shiu… Është një “valle”, që ta kujton pak a shumë vallen eterike lasgushiane, por e luajtur ndryshe, me mjete të tjera e tingëllim të ri dhe në tjetër kohë gjithsesi.
Suzana Zisi është krijuese që e zotëron mirë ritmin, figurën, fjalën, rimën dhe ngjyrimin stilistik, predispozitë kjo pa të cilën askush s’është bërë poet në këtë botë. Është për t’u përshëndetur gjithashtu fakti që elementet fundamentale të poezisë (rimën, ritmin, metaforën etj.) ajo i vë në shërbim të mendimit poetik. Fjala dhe ideja në vargun e saj janë në harmoni të plotë.
Unë jam pëshpërimë,
e stinës së ndezur.
Dehem duke pirë, honeve të trillit…
Ndërsa ti i ndrojtur
i derdh lulevjeshte,
Kupës së praruar me mushtin e pyllit…
thuhet në vjershën Musht i lulevjeshtës, ndërsa vjersha Vjeshtë … Mëngjes hapet e mbyllet me vargjet:
Vjeshtë…
Mëngjes…
Pi të trishtën mjegull, në vend të kafesë….
Muza poetike e Suzana Zisit ndërton “mure marrëzie”. Absurdi dhe rebelimi nuk janë të panjohura për të, por në aurën e saj mbizotërojnë dashuria dhe humanizmi. Poeti, sipas Suzanës, i ngjan një zogu fantastik që “çukit simbole” dhe “ftillon metafora”, duke mbështjellë gjithçka me “rima e asociacione”.
Zogjtë e malit çukisin simbole,
Metaforat, ftillohen deteve me shkumë,
Tkurren vargjet, shkretëtirave të heshtjes,
Jam unë...
Të mbështjell me rima dhe asosiacione.
Tretem
e detit shkumë,
e qiellit, re…
Ashtu e përgjakur, nderem mbi lëkurën tënde,
Dhe duke pëshpëritur: “Je imi Diell…”
Fle…
Një nga poezitë e librit në fjalë titullohet Ty që po më lexon tani… Është e qartë se poetesha jonë, si çdo krijues tjetër, dëshiron të komunikojë me lexuesin e saj hipotetik, me atë të cilit ia dedikon vargjet e saj dhe ia detyron frymëzimin. Me çiltërsi e modesti autorja shpreh dëshirën e saj që të krijojë një varg që “shpirtin ta ngroh”, me një ritëm që t’i ngjajë “lëkundjes së valëve”; një varg që të përçojë dritë në shpirtin e njeriut e të gdhendë një varkëzë me emrin “fjalë”, për të përfunduar:
Dhe ti,
i ulur brenda saj,
Nëse do ndihesh i gëzuar,
Ëmbël do më pëshpërisësh:
“Është shpirti yt, duhet lexuar…”.
Është shpirti i poeteshës, që flet me afsh e mall. Është një pëshpërimë që duhet dëgjuar; një libër që duhet lexuar.
Materiali u mor nga faqe te ndryshme ne internet.
Për "Sofra poetike": Haxhi Muhaxheri
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Suzana Zisi: Cikël poetik
» Me rastin e ditlindjes se poetes:CIKËL POETIK NGA SUZANA ZISI
» Zgjodhem per ju:CIKËL POETIK NGA JETON MUÇOLLARI
» Zgjodhëm për ju:CIKËL POETIK NGA LIRI LOSHI
» Zgjodhëm për ju:CIKËL POETI NGA YLLKA FILIPI
» Me rastin e ditlindjes se poetes:CIKËL POETIK NGA SUZANA ZISI
» Zgjodhem per ju:CIKËL POETIK NGA JETON MUÇOLLARI
» Zgjodhëm për ju:CIKËL POETIK NGA LIRI LOSHI
» Zgjodhëm për ju:CIKËL POETI NGA YLLKA FILIPI
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi