Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Zgjodhem per ju:CIKËL POETIK NGA JETON MUÇOLLARI

Shko poshtë

Zgjodhem per ju:CIKËL POETIK NGA JETON MUÇOLLARI Empty Zgjodhem per ju:CIKËL POETIK NGA JETON MUÇOLLARI

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jul 02, 2011 10:09 pm

Zgjodhem per ju:CIKËL POETIK NGA JETON MUÇOLLARI 264809_222458361121374_100000716346990_721973_7611441_n
Zgjodhem per ju:CIKËL POETIK NGA JETON MUÇOLLARI

/Poezi nga libri "Në detin e dhimbjes lumturohem" ende i pa botuar./

KOLLE METROPOLI

Drejt metropolit vanë djemtë tanë,
Për të ndërtuar një jetë të re,
E ç’ta donin më tepër vatanë,
Kur shkolla e mjek s’gjen atje.

Ç’ta donin fshatin pa drita e xhade,
Pa pyllin e bukur të përvëluar,
Për nuse s’gjen më vajzë të re,
Vetëm metropoli lavdëruar.

Vanë djemtë, po ikën dhe pleqtë,
Të zinjtë, mbetën fillikat, qyqarë,
Në pah u nxorri kollën e fshehtë,
Smogu i qytetit, mjedisi i tharë.

Gush 2007

KUFIRI

Kështjellë e mbyllur, me tela rrethuar,
Gjysëm shekulli Shqipëria ishte izoluar.

Kur zinxhirët u këputën e portat u çanë,
Të izoluarit rrëmbimthi, shkuan matanë.

Drejt perëndimit nga deti e toka shkonin,
Kohën e humbur donin të kalonin.

Në malet me borë e deti stuhi,
Shkon refugjati i etur për liri.

Kur hazdiset deti, kufoma përpin,
I ftohti i dimrit, në male i ngrin.

Edhe pas një dekade të demokracisë,
Vazhdon të vrasë kufiri i Shqipërisë.

Janar 2000

FJALE PER NAIMIN

Për poetin e Rilindjes,
Fjalë – artin Naim,
Thotë dembeli në kulm' të lodhjes
”Puna” e tij s'është ndriçim.

Fjala e tij nuk ngre peshë,
Por të tjerë me një barrë mendë,
Thotë ca fjalë kurrkushi,
Që nuk ngjitin n'asnjë vend.

Për poezinë e Naimit,
”Thonë nuk është artistike”,
Për shqiptarët e mërgimit,
A s'janë fjalë bombastike?!

Në muzeumin mesjetar,
Ikona ka vendin e saj,
Dhe poeti i Rilindjes,
S'mund të tundet kaq kollaj.


NATA

Rrezet e diellit ngjyrë floriri,
Treten tutje në horizont,
Shuhet ngadalë gjigandi qiri,
Perdja e zezë bije në sfond.

Pelerina e çjerrë e errësirës,
Me miliona vrima shpuar,
Na mbulon kundra dëshirës,
Yjet në të' bukur stampuar.

Do ta ndezë agimi i mëngjezit,
Gjigandin qiri përsëri,
Coha e zezë, nga këng' e këndezit,
Zhduket si me magji.

Përsëritet ky ritual ngaherë,
Pa e komanduar asnjeri,
Sa ditë e natë të kemi përherë,
Për ne do mbetet mrekulli.

TAKIMI

Takova një ditë,
Një shok,
Pas 30 vjetësh.
Unë në këmbë
Në trotuar,
Ndërsa ai
Hipur në benz tinzar.

Më salutoi me dorë
Dhe iku...

Sa e kisha ëndërruar
Atë çast.
Ta pinim kafenë
Bashkë.

Si dikur...


LINDJA E NJE FEMIJE

Çelja në llastar e sythit të ri,
Fruti i krijuar pas pllenimit të lules,
Bukuria e ylberit pas një rrebeshi me shi,
Eshtë për çiftin lindja e fëmijës.

Melodi e re këngës,
E shkruar në pentagram,
E qara e parë e fëmijës,
Me as një zë tjetër s'ngjan.

Zbulimi i një ylli në hapësirë,
Kozmanautin e mrekullon,
Mes vuajtjesh leona shtrirë,
Klithma e fëmijës e shëron.

Plantacioni i trëndafilave në verë,
Aroma e tyre kë nuk e grish,
Kënaqsia e fëmijës në krahë,
Për mamanë është njëqind fish.


TEK BURIMI

Ujë burimi ti ke pirë,
Ajrin e pyllit e ke thithur,
Vashë e bukur dhe mirë,
Si gorare më je rritur.

Shkoje rrugës si sorkadhe,
Bandilli të ndiqte pas,
Kokën lart e nazemadhe,
Zemra e djalit si nuk plas.

Hedhur mbi supe gërshetin,
Kokë lart shkoje në krua,
Bandilli kish zënë pritën,
Të të thoshte ty të dua.

Puthja e parë atje ndodhi,
Tek burimi i kulluar,
Dashuria shtatin hodhi,
Një zog qe duke kënduar.

Digjej çifti nga dashuria,
Ndizej dasma gjithë gëzim,
Brum! Një qind bëhej dollia,
Vallëzohej deri në agim.

Pas shumë viteve të larguar,
Janë kthyer prap te burimi,
Ishin zjarr të dashuruar,
Po tashti ka ngec kujtimi.

06 korrik 2007


LOT BURRI

Sa një mal të jetë dhimbja,
Dhe trishtimi sa një det,
Nuk qan burri siç bën gruaja,
Që ve kujën e bërtet.

Nëse shihni lot te buri,
Eshtë dhimbje me të vërtet,
Pesha është e rëndë si guri,
Sa as dheu nuk e tret.

22 nëntor 2007


Dy fjalë për librin
Zgjodhem per ju:CIKËL POETIK NGA JETON MUÇOLLARI 41500_1714849901_9069_n
Nga Bardhyl Xhama, Shkrimtar

Vëllimi poetik “Në poezi dhimbjen do ta kthej” është libri i dytë me vjersha i autorit Jeton Muçollari.
Siç kuptohet edhe nga titulli, Jetoni ka pasur e ka një jetë të dhimbshme e me shumë vështirësi. Para 18 vjetësh, në moshë ende të re, ai është aksidentuar dhe gjymtuar rëndë duke punuar në një minierë të Pogradecit.
Si një invalid me aftësi të kufizuara, i mbetur për jetë në karrocën me rrota, Jetoni ka mundur t’i mposhtë dhe t’i kapërcejë deri diku vështirësitë e jetës me përpjekjet e tij, me kujdesin e veçantë dhe dashurinë e pathyeshme të gruas së tij fisnike dhe vajzës së vetme, tashmë moshatare me vitet e aksidentit. Kështu, Jetoni, siç thotë në disa nga poezitë, i ka thyer muret e izolimit, e ka mposhtur dhimbjen e gjymtimit dhe të vetmisë, pavarësisht se shoqëria e shteti ende nuk po tregojnë përkrahjen e duhur për t’i siguruar të drejtat ligjore.
Dhe është pikërisht poezia ajo që e ndihmoi dhe po e ndihmon fuqishëm që ta shohë të ardhmen më me optimizëm. Këtë e shpreh në shumë nga poezitë e vëllimit, në njërën prej të cilave thotë: “Pas më kokën nuk e kthej”. Kjo është një nga karakteristikat dalluese të librit, krahasuar me të parin me titull “Shpirt i brengosur”, ku vjershat pesimiste të një shpirti të brengosur zënë më shumë vend.
Në vjershat e Jetonit shpërthen bota e tij e brendshme, me emocione herë të skajshme e herë të shtruara, herë si “poet dhimbjesh në mjerim”, herë optimist për jetën e kujdesin familjar, për krahët që i jep poezia të shprehë në vargje atë që ka provuar në jetë, që ndjen në shpirt, që sheh në vendlindje dhe në realitetin e sotëm.
Janë të shumta poezitë për jetën e tij, për dashurinë, për vendlindjen, për shokët e të njëjtit fat me aftësi të kufizuara, të cilëve u bën dhe një thirrje të fuqishme që të mos rrinë të ngujuar në fatkeqësinë e tyre, por të shpërthejnë me vlerat dhe aftësitë e çmuara që kanë, që të mund të ecin bashkë me të tjerët. Në vëllim gjen edhe vjersha për probleme të mprehta të shoqërisë së sotme, si për emigracionin, për fshatin e lënë në harresë, për sjelljen e moralin, për veset e virtytet etj. Vend të veçantë zënë poezitë për natyrën, ku Jetoni ka derdhur me sukses aftësitë e tij poetike. Pra, vëllimi përfshin poezi me një tematikë të larmishme, madje edhe disa vjersha me karakter filozofik.
Pavarësisht nga ndonjë e metë e vogël teknike, që lidhet me ritmin, rimën, strofën, apo me disa vargje prozaike, kam bindjen se ky vëllim poetik është në nivel më të lartë artistik se i pari, gjë që tregon se Jetoni po punon më me ngulm dhe pa u ngutur që të na japë poezi cilësore, jo vetëm me ndjeshmëri që prekin zemrat e njerëzve, por dhe me një figuracion më të pasur e gjuhë letrare sa më të arrirë.
Ai që do të lexojë këtë vëllimin me poezi, jo vetëm që do të ndjejë kënaqësi dhe emocione të veçanta, por do të mësojë e do të kuptojë sadopak për vullnetin e papërkulshëm, shpirtin heroik dhe guximin e Jetonit, për një familje të qëndrueshme edhe në fatkeqësi të tilla madhore, duke u bërë kështu një shembull frymëzues për të gjitha brezat. Kjo, mendoj, është një ndër meritat e veçanta të këtij libri poetik.
Së fundi, dua të falënderoj edhe në emër të Jetonit e të familjes, por edhe të televizioni ‘News 24” që trajtoi në emisionin “Me zemër të hapur” shqetësimin e Jetonit për botimin e poezive, zotin Fatmir Toçi, President i Shtëpisë Botuese “Toena” dhe zonjën Irena Toçi, Drejtore Ekzekutive, që morën përsipër sponsorizimin dhe botimin e këtij libri poetik.
Këto fjalë hyrëse për vëllimin me poezi të Jetonit, me një paraqitje të shkurtër të ideve e tematikës, i bëra i shtyrë edhe nga përfundimi i suksesshëm i emisionit “Me zëmër të hapur”, ku pata rastin të jem i ftuar dhe u zotova ta radhis vëllimin e shkruar me dorë në kompjutër, ta redaktoj e t’ia çoj “Toenës” të gatshëm për botim.

Marre nga Zemra Shqiptare

Pregatiti:Haxhi Muhaxheri
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi