Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Abdi Baleta:Kur lind një shtet i ri të tjerëve u prishet terezia

Shko poshtë

Abdi Baleta:Kur lind një shtet i ri të tjerëve u prishet terezia Empty Abdi Baleta:Kur lind një shtet i ri të tjerëve u prishet terezia

Mesazh nga Agim Gashi Thu Mar 26, 2009 11:15 pm

Kur lind një shtet i ri të tjerëve u prishet terezia

Abdi Baleta
“Reductio ad absurdum” e interesit kombëtar (2)

Duke u pozicionuar pas parullës bajate të “mbrojtjes së interesave të saj kombëtare”, Greqia i kundërvihet hapur e sfidueshëm politikës e thirrjes së BE-së dhe dëshmon kështu se sigurinë në Ballkan e percepton nga këndvështrimi i politikës së Rusisë e Serbisë që janë shkaktaret kryesore të pasigurisë në këtë rajon. Greqia, Serbia, Qipro, Rumania, pra shtetet ortodokse të zonës së Europës Juglindore, bashkë me Bosnjën laramane mundohen të krijojnë një vorbull diplomatik rajonal për ta rrotulluar sa më gjatë çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Edhe me këtë qëndrim Greqia jep provën se, krahas Serbisë, është kthyer në shtetin më problematik në Ballkan, sepse është në thikë e në pikë me gjithë fqinjët e saj, pavarësisht se hiqet si mike e Shqipërisë dhe si e kujdesshme me fqinjët e tjerë dhe mburret se po luan rol konstruktiv me EULEX-in në Kosovë.
Disidencën kryeneçe ndaj politikës së përbashkët të BE-së lidhur me njohjen e Kosovës e kanë riafirmuar edhe Sllovakia, Rumania, Qipro që gjithashtu “interesat e tyre kombëtare” të ngushta egoiste i vënë mbi drejtësinë e mbi arsyen në këtë çështje, duke ndihmuar Serbinë, Rusinë e shtetet sllave të Europës Lindore të shkëputura nga ish-Bashkimi Sovjetik të krijojnë një vorbull të dytë më të gjerë, europiane për ta “mbytur” pavarësinë e re të Kosovës.
Në rastin e daljes (shpalljes) së një shteti të ri në arenën ndërkombëtare shtetet ekzistues vetëm nga dashakeqësia ose qëllimet e mbrapshta mund të ngrejnë pengesa për njohjen e tij juridike, nën pretekstin se kështu po “mbrojnë interesat e veta kombëtare”. Kur lind një shtet i ri të tjerët që mendojnë se po u prishet terezia e tyre mund të mos vendosin e zhvillojnë marrëdhënie me të, mund të heshtin pa deklaruar mosnjohjen, por nuk kanë të drejtë morale e politike të përdorin mosnjohjen juridike për ta vënë në “karantinën e mosnjohjes” këtë shtet të sapolindur.
Mosnjohja e një shteti të sapokrijuar me qëllim që ai të pushojë së ekzistuari, siç përbetohet Serbia në rastin e Kosovës, është një prirje patologjike shtetërore për “infanticid diplomatik”, sepse dalja e një shteti të ri në arenën ndërkombëtare është si ardhja e një qenie të re njerëzore në shoqëri. Është kriminale dhe absurde që dikush të shkojë me logjikën “ po mbroj interesat e mia vetiake” për të justifikuar tundimin kriminal që të mbysë një krijesë të re që sapo ka ardhur në shoqëri. Është një “reductio ad absurdum” kur një shtet përmend “mbrojtjen e interesave të tij kombëtare” për të përligjur synimin e tundimin që t’i mohojë ekzistencën një shteti të krijuar rishtas në arenën ndërkombëtare. Serbia nuk e ka për zor e turp që praktikave të saj të gjenocidit, etnocidit, spastrimit etnik, luftrave agresive aneksuese t’u shtojë edhe një yrnek të ri si “infanticidi diplomatik” në marrëdhëniet ndërkombëtare. Por shtetet e tjerë, e mbi të gjitha Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, kanë detyrë të mos inkurajojnë prirje të tilla që janë forma më e shëmtuar e sjelljes agresive në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Vorbullin e tretë të madh diplomatik mbi hapësira kontinentesh, për të fryrë velat e lundrimit të “infanticidit diplomatik ndërkombëtar” të Serbisë e krijojë pa dyshim erërat që vazhdojnë të fryjnë nga Moska e Pekini, ku ndërthuren edhe rryma të tjera për “interesa kombëtare”, për ortakërira rajonale, për pazare e matrapazllëqe gjeopolitike, për indiferentizma e përtaci diplomatike, apo për bishtëzime ideologjike dhe fetare etj. (Mos)Njohja e pavarësisë së Kosovës është bërë tregues dhe matës i egoizmit politik e diplomatik të një numri shtetesh si dhe i kontradiktave botërore. Zhgënjimi dhe pezmatimi më i madh dhe i papritur për shqiptarët ka ardhur prej andej nga nuk e besonim se nuk do të na vinte, nga vendet arabe e myslimane. Të gjithë prisnim të ndodhte e kundërta, kur në Europë lindi një shtet i dytë me shumicën e popullsisë së besimit islam. Por ja që në politikë ndodhkan të papriturat më të çuditshme se në lojën e futbollit. Në fushën tënde, ku kujton se e ke të sigurt fitoren, pëson humbje dhe pikët që të duhen për të mos shkuar poshtë në klasifikim i merr gjetkë, ose t’i dhurojnë të tjerë.
Për “rrengun” që na bënë vendet myslimane, disa pezmatimin e shprehin me sinqeritet, disa me cinizëm e për provokim. Disa thonë mendime e fjalë që u ka ikur koha e nuk bëjnë më pare, pra fjalë fatkeqe. Disa kanë gjetur rast të thonë sërish fjalën e keqe për këtë që ndodhi e të spekulojnë për të nxitur histerinë antimyslimane tek shqiptarët. Disa u përpoqën si mundën të ndihmonin në zbulimin e shkaqeve që shkaktuan këtë zhgënjim e pezmatim. Disa këto shkaqe i kanë kërkuar vetëm në sjelljet e shqiptarëve që kanë zemëruar vendet myslimane. Të tjerë shkaqet i kërkojnë ende vetëm në sjelljet e vendeve myslimane, duke i paraqitur ata si borxhlinj ndaj shqiptarëve, për arsyen e thjeshtë se kanë me ta fenë e përbashkët.
Shqiptarët me të drejtë kanë mbetur dhe duhet të tregohen të zhgënjyer, të pezmatuar nga qëndrimet e vendeve arabe e myslimane që kanë kaluar në një “reductio ad absurdum” ruajtjen e interesave të tyre partikulariste, hatrin që i mbajnë Rusisë e Kinës. Shumë shqiptarë nuk e prisnin të ndodhte kështu. Por, zhgënjimi i parë nga davaritja e iluzionit për njohje në bllok u pasua nga zhgënjimi prej zvarritjes së njohjes individuale prej shteteve myslimane.
Këto shtete natyrisht kanë gabuar shumë, cilatdo qofshin arsyet e përbashkëta e të veçanta që kanë pasur për të ngurruar kaq gjatë. Por, për të kuptuar mirë atë që ka ndodhur duhet t’i kthehemi edhe aspektit tjetër të problemit e të kuptojmë se zhgënjimet tona janë edhe rrjedhojë e iluzioneve që kemi ushqyer, janë edhe pasojë e një mendjelehtësie në gjykimin e politikës së shteteve të tjerë dhe sidomos e njëfarë psikologjie se e kishim në xhep njohjen arabe e islamike vetëm për faktin se jemi në shumicë myslimanë. Pushtetarët e politikanët shqiptarë në Kosovë e në Shqipëri nuk e vrisnim mendjen shumë për “lidhjet myslimane”. Vetëm kur u erdhi veza për të dalë pretenduan se kanë të drejtë të kërkojnë gjithçka nga vendet myslimane, madje të kërkojnë më me ngulm se nga vende të tjera që kishin dhe e kanë detyrim më të madh të njohin shtetin e pavarur të Kosovës, sikurse janë vendet fqinjë, anëtarët e Bashkimit Europian që kanë mbetur pa e njohur pavarësinë e Kosovës, shtete me të cilët Shqipëria ka zhvilluar marrëdhënie etj.
Prandaj arabëve dhe myslimanëve duhet t’u vëmë në dukje pakënaqësinë tonë për zhgënjimin që na bënë, por për vete duhet të kuptojmë më qartë arsyet përse ata kanë vepruar kështu, si dhe gabimet që kemi bërë ne shqiptarët për të ndikuar që ata të mos na zhgënjenin kështu. Problemi më kryesor për ne është të sqarojmë mangësitë tona që të përmirësojmë diçka në qëndrimin e një numri të madh shtetesh ndaj njohjes së Kosovës.
Mosnjohja arabo-islamike e pavarësisë së Kosovës duhet të na shërbejë si pasqyrë e gabimeve tona që nuk janë të pakta e të vogla.
Shumë shqiptarë e kanë fyer Islamin si fe e prapambetur, si besim i imponuar me dhunë, si fe e pushtuesit e huaj për shqiptarët, si faktor shpërfytyrues i arbërve që u bënë shqiptarë, si kromë që e bën Europën të neveritet nga shqiptarët. Islami është anathemuar publikisht deri “fe e poshtërimit njerëzor”, “mëkat fillestar” nga i cili duhet të dliremi, burim terrorizmi, dhune e padijenie. Myslimanët shqiptarë janë shpallur nga një ish-kryetar i shtetit të tyre të gjithë hipokritë që pak po t’u gërvishtësh lëkurën u del mishi i krishterë.
Botën myslimane e kemi fyer sa kemi mundur për fondamentalizëm e terrorizëm islamik, për talebanizëm, për alkaedizëm e binladenizëm. Në Shqipëri është bërë gjueti shtrigash ndaj çdo arabi e jo arabi që dukej si mysliman. Në Shqipëri janë sjellë, mbjellë, kultivuar e shartuar të gjitha varietetet e stereotipeve antimyslimane që gjenden në vendet fqinj sllavo-grekë e në Perëndim, është importuar pa hesap islamofobi ekstreme. Nga mjedise politike dhe intelektuale në Shqipëri, ku prin patriarku i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare me disa shqytarë të tij antimyslimanë, është nxitur dhe ushqyer një histeri antimyslimane si ajo kundër çifutëve në Gjermaninë hitleriane dhe janë përgatitur e propaganduar projekte fetare, politike, kulturore e administrative për zhbërjen e myslimanizmit, për të detyruar myslimanët shqiptarë të ndërrojnë fenë e të bëhen të krishterë.
Deri ministra, kryeministra e kryetar shteti të Shqipërisë janë përfshirë në të tilla fushata antimyslimane. Deri në Londër ka shkuar një ish-kryetar shteti i Shqipërisë që të bindte anglezët se kryqëzata për rikonkuistën shqiptare kishte nisur e po përparonte vrullshëm. Vetëm në Shqipëri ka bërë vaki që hyrja në Konferencën Islamike të trajtohet nga politikanët, gazetarët dhe intelektualët si një mëkat i madh, sikur po hyhej në sektin e satanistëve. Vetëm në Shqipëri ka bërë vaki të kërkohet me kokëfortësi dalja zyrtare nga një forum politiko-diplomatik si Konferenca Islamike me pretekstin se Shqipëria është vend laik (a thua se Turqia nuk është laike), se Shqipëria ka 3 besime (a thua se nuk ka vende të tjera me disa besime, duke përfshirë edhe Rusinë që po anëtarësohet); se prania në Konferencën Islamike do të thotë të zbatohet Sheriati në Shqipëri, ku Sheriatin nuk e zbatojnë në fakt as vendet që paraqiten si fanatike islamike. Tani vihet re një paradoks tjetër: ata politikanë e propagandistë shqiptarë që për shumë vite me radhë e mallkonin Konferencën Islamike e kërkonin daljen zyrtarisht prej saj, kanë heshtur fare e nuk ndjehen më, sapo Serbia e ndërroi pllakën e propagandës së vet dhe mburret se ka mirëkuptimin e mbështetjen e vendeve islamike për të mos njohur pavarësinë e Kosovës.
Vetëm në Shqipëri bëri vaki që kur Europa e krishterë dërgoi ministrin e jashtëm spanjoll, në fillim të vitit 2006, që Shqipëria të ndërhynte në botën islame që të ulej vala e demonstratave kundër karikaturave të Profetit në gazetat e Perëndimit, “ajka” (e thartuar) e politikës dhe diplomacisë shqiptare të të gjithë krahëve të spektrit politik iu vërsulën Spanjës me qortime se po e bënte edhe Shqipërinë vend islamik. Deri në çastin e nisjes së procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës politika shqiptare, e Shqipërisë dhe e Kosovës, ikte si djalli nga temjani nga kontaktet politike, kulturore, apo shkencore me botën myslimane. Ka edhe më për të rreshtuar.
Po le të ndalemi për të thënë se vendet myslimane të gjitha këto i kanë vërë re dhe, siç zhgënjehemi ne sot me ftohtësinë e tyre në rastin e mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, janë zhgënjyer edhe ata më parë nga këto sjellje të çuditshme “myslimane” tonat. / Vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi