Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Zgjodhëm për ju:ÇKA NUK TË FAL SHQIPTARI nga Ramiz Kelmendi

Shko poshtë

Zgjodhëm për ju:ÇKA NUK TË FAL SHQIPTARI nga Ramiz Kelmendi Empty Zgjodhëm për ju:ÇKA NUK TË FAL SHQIPTARI nga Ramiz Kelmendi

Mesazh nga Agim Gashi Sun May 29, 2011 11:02 pm

Zgjodhëm për ju:ÇKA NUK TË FAL SHQIPTARI nga Ramiz Kelmendi 252879_212577012109509_100000716346990_669356_3299595_n

Zgjodhëm për ju:ÇKA NUK TË FAL SHQIPTARI nga Ramiz Kelmendi

Shqiptari, përkrah gjithë asaj morie pa fund virtytesh e cenesh, bese e trimërie, vetëlavdi e rrahagjoksi, ka dhe ndonjë të “metëzë” a “plagëze”, që as i ben nder dhe as mund të krenohet me të. Në mos e pastë, madje-madje, edhe për turp edhe për marre.
E kam fjalën, shkurt, për Smirën tonë ndjellakeqe e ndjellazezë. Me shkronjë të madhe! Për këtë jo aq dukuri a fenomen, sa – lumoskëndoiançe - p l a g ë n tonë nga më të mëdhatë: Zilinë ndaj njëri-tjetrit. Thuaj urrejtjen, deri në armiqësi, përplot përçmim e poshtërim, përplot sharje e fyerje. Një sëmundje jona kjo, një patologji pothuajse mbarëkombëtare. Siç e shpjegon edhe Fjalori ynë: një ndjenjë e lakmisë dhe e keqdashjes, që na ngjallet kur shohim dikë më mirë se veten. E ne, siç, me gjasë, amanet na ka lënë i pari, pothuajse kurrë s’e duam tjetrin sa veten. Pothuajse gjithmonë e përdhosim çdokë që na del – mbi veten. Edhe në qoftë shqiptar. Edhe n’e paçim vëlla t’bab’s e t’nan’s!
E kam fjalën, pra, për shqiptarin smirëkeq, për shqiptarin smirëzi, për shqiptarin resëtar dhe resëmadh, që s’e ka smirë - as ia bën ngat! – “shkjaut” (të Fishtës), “junanit” a “taljanit”, sa vëllait të gjakut e të fisit.
Pikërisht para ndonjë jave u mbushën 20 vjet nga ajo Lëvizja e Madhe Gjithëpopullore e Madhore e Pajtimit të Gjaqeve, prirë nga Anton Çetta e Mark Krasniqi, Azem Shkreli e Bajram Kelmendi me shokë, po sidomos me të rinj dhe të reja, kur shqiptari i fali shqiptarit mbi një mijë gjaqe. Burrërisht. Shqiptarisht. Me lot në sy. Jam dëshmitar, ende i gjallë nga ata pak, kur nëna shqiptare fali – në emër të lirisë e në emër të rinisë, në emër të Kosovës! – deri katër gjaqe. Katër djem.
Përkrah Besës, Burrërisë e Trimërisë, shqiptari, po, edhe – fal! Të fal, po, edhe kur ia mbyt babën e djalin. Edhe kur ia vret vëllain a dajën. Edhe kur ia shkel fëmijën. Të fal shqiptari, sepse faljen, animë të gjaqeve, e ka për nder. E konsideron, më shumë se akt burrërie, një akt – trimërie. Se jo më kot e ka fjalën e vet të urtë: Veç trimi – fal. Falja fryn njerinë, nakari fryn mërinë.
Gjithçka, po, fal shqiptari. Gjithçka, po, po.
Ja që, ka një Një,ka një diçka që nuk ta fal – assesi!
Shqiptari, shkurt fjala, nuk ta fal – suksesin. Edhe po të pati vëlla. Se më, qoftë larg (!) , po e pati koleg mjeku mjekun, aktori aktorin, shkrimtari shkrimtarin, historiani historianin, kritiku kritikun, artisti artistin, politikani politikanin, ministri ministrin, etj.etj. plas - plasja!
Një zonjë tiranase me emrin Ana Kodima futi gishtin në këtë plagë, që e quajti “Smira jonë sociale” (e unë do i shtoja edhe – kombëtare!), tek tha se në çdo sektor të jetës sonë luftohet egërsisht dhe me ngulm - i suksesshmi, i guximshmi, ambiciozi. Vetëm e vetëm pse bie ndesh me mentalitetin barazitar-ist.
Po u dallove nga të tjerët, po u bëre i shquar, i njohur dhe i dashur publikisht , vaj halli! Se na shquan edhe një tjetër “tipar” ne shqiptarëve: me qiri e me pishë ta kërkosh, pale a e gjen një shqiptar ta lëvdojë një shqiptar të aftë dhe publik! Siç nuk e gjen asnjë t’i bjerë në qafë dembelit a parazitit. S’do mend, mbase edhe mund të kuptohen, në qoftë se nuk arsyetohen, të dështuarit e të dëshpëruarit, të pakënaqurit e të pazotët, hileqarët e ziliqarët.
Mirëpo, si shpjegohet dhe a arsyetohet egoja patologjike, vetëlavdërimi i skajmë dhe ulja, nënçmimi e përçmimi i tjetrit, i kolegut, deri edhe me broçkulla, tek i prin, e pushton dhe mbisundon zilia, smira, inati “pse ai ka përparuar më shumë se unë? Pse, ç’është ai? Mos është më i zoti se unë?”.
Flitet ndër shqiptarë një si anekdotë, kur dy vëllezër shpëtuan të birin e princit nga vdekja. Për t’i shpërblyer, e pyeti princi të parin ç’dëshiron. Disa dele, u gjegj ai, t’i kullos dhe t’i shtoj. Saora princi ia plotësoi dëshirën. Po ti tjetri ç’dëshirë ke të ta plotësoj menjëherë? Pa u hamendur, hazërxhevap, vëllai i dytë i tha: “Dua t’ia marrësh vëllait delet që ia fale, që të mos ketë ç’të kullotë!”
Anekdota anekdotë, e kurdisur a e kotë, mbetet se mbetet anekdotë. Po kur unë “i prek me dorë” dhe bëj be në Kuran e në Bibël, sepse i njoh me farë e me fis, me emër e me mbiemër, jo një po plot shtatë palë, shtatë çifta vëllezër të një babe e të një nëne, që jo vetëm nuk flasin kurrë njëri me tjetrin me vite e vite, po nuk gjen “turk as shkja” t’i përgojojë e t’i shajë më keq e më zi se ata njëri-tjetrin. Përkrah amanetit dhe dëshirës së fundit të një fshatari tonë plak para vdekjes: që t’i cofë lopa e vetme – fqinjit të vet më të parë!
Kam mbi 20 vjet që botova librin “Fytyra dhe turinj” me mbi 370 faqe. Në qe se këta 7 vëllezërit prishtinas edhe i “kuptojmë” dosido, si do “kuptuar” zilinë, zënkat, grindjet, rragatat, sharjet e fyerjet e kokave më të shtrenjta, më të merituara dhe më të njohura të kombit tonë ndër vite? A mjafton të zë ngoje edhe vetëm “majat: Fan Nolin me Faik Konicën dje! Ismail Kadarenë me Rexhep Qosjen sot? Se më: Fishtën (“Gabove, Hilë!”) kundër Hilë Mosit; Nikollë Ivanajn kundër Faikut e Fishtës; Konicën kundër Naimit dhe një vargu “xuxubocërish dhe doçërish”; Hasan Prishtinën kundër Ismail Qemalit; Faikun kundër Asdrenit; Gramenon kundër Faikut; Luigj Gurakuqin kundër oponentëve; Çajupin kundër Dr. Adhamidhit; Branko Merxhanin kundër Lasgush Poradecit, etj.etj., deri te Vehap Shita kundë Hasan Kaleshit (“Medice, cura te ipsum”).
Enish, siç e kish zakon të thoshte babai i Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, Anton Çetta, pa mëtuar të moralizoj, do mësuar të çmojmë, të nderojmë dhe të krenohemi me njerëzit e zot, me ata që janë më të mëdhenj dhe më të afirmuar se ne.
Pa Smirë!
Pa Zili!
Pa Inat.

_________

Falenderojme profesorin,shkrimtarin dhe publicistin e respektuar Ramiz Kelmendi per kete shkrim qe na dergoj per "Sofra poetike", pas kerkeses sime. Urojme qe profesorin ta kemi serish prezent ne "Sofra..." me shkrime tjera, me ndonje tregim humoristik, me ndonje fragment romani apo me ndonje pjese nga ditari i tij i sapobotuar!
Profesor Ramiz Kelmendi, emri juaj na nderon...

Haxhi Muhaxheri
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi