Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ju prezantojmë:CIKËL POETIK NGA ARQILE GJATA

Shko poshtë

Ju prezantojmë:CIKËL POETIK NGA ARQILE GJATA Empty Ju prezantojmë:CIKËL POETIK NGA ARQILE GJATA

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jun 16, 2011 11:13 am

Ju prezantojmë:CIKËL POETIK NGA ARQILE GJATA 248777_216784055022138_100000716346990_696786_7570491_n
Ju prezantojmë:CIKËL POETIK NGA ARQILE GJATA

ÇDO DITË LODROJ
NË KOPSHTIN TËND


E dashur,
u bëra mik me portretin tënd...!
Çdo ditë lodroj në atë kopsht,
dëfrime mbledh tek sytë e tu.
Në mëngjes puthem me mall
me zërin tënd,
më pas duroj vetmin,
me shpresë
të puthem me buzët e tua.
***
Globi,
dhe pse rrotullohet,
ne,
me shpatulla e shtyjmë,
të bjerë në greminë
ku shtrihet një fushë e begatë
me pemë të pavdekshme.
***
Vendi im, i mërzitur...
faj kam edhe unë
për dramën që luhet nga ngjyra gri
për ditët e pajetuara.
***
Një mëngjes,
më kujtohet ikja e yjeve
nga frika e mureve të ftohtë,
për vajzën e bukur, iku...
pa kthyer kokën pas.
***
Shpesh, më shfaqet një merak,
për lotët e tua,
mikja ime!

Çdo ditë,
ti kafen e pi me burrin
varrosur në shtratin bashkëshortor.
Nuk na kuptojnë...
Pije kafen të hidhur,
zier me lot,
me pak shpresë!
***
Mendoj për veten,
për të ardhmen...
eshtrat t mi mbillni buzë detit,
sa i bukur do ishte varri im!!
***
Njeriu vdes mbi tokë,
në ujë,
duke pritur...
apo në gjumë.
Poeti vdes në ajër,
i patretur ...!
***
I zhveshur,
jam në luftë me të ardhmen.
Të gjithë kemi harruar të qajmë,
na i vodhën lotët
njerëzit e tokës time.
***
Ata që ikën.
i quajta të gjithë të vdekur.
Më vijnë si dritë,
nga dritaret,
mes tyre është dhe ajo...
Ja dhe motra!
E çuditshme,
s’paskeni ndryshuar fare,
ju mbaj mend!
Uluni...të shmallemi!

Mos ikni,
ku shkoni!?
***
Në ajrin e sëmurë
u plakën idetë,
deti u thinjë deri në rrënjë
pikë loti nuk ka në sy.
Veç zogjtë jetojnë të lumtur.
***
Ah nënat...
jeta mbi prerin tuaja mbahet!
Netëve,
të dëshpëruara, ju jeni sy çelur,
guximtare,
ninulla këndoni me duar ngarkuar me fruta.
***
Vjeshta e sivjetme
s’pati të mbaruar,
të papunët u zverdhen
bashke me gjethet.
Trishtimi ua kanë këputur duar e këmbë.
Jashtë,
janë mbledhur fëmijët
me dhimbje në mëlçi.
Ora është një e ditës
dhe dreka shtruar ka urinë
për pak bukë...
Tek pragu i derës, gruaja
me barkun tek buza djersinë,
për një kokërr frutë.
***
Profesioni im
këndon përmes telave,
e miq të kujdesshëm me veten jemi,
si zogj sjellim diell në banesën tuaj.
***
Të vrarët,
rinë aty, shtrirë në bulevard
gjaku i tyre shndrin pikë-pikë
Katër të pagjumë,
viktima të heshtjes, përmbys...
përgjatë ditës, natën me hënë
presin nëpër ëndrra
çastin që zogj fluturak
të vinë me këngë në Sheshin e Dëshmorëve.
***
Pesha ime është e lodhur
nga fjala e hijes sime.
Hijedritat në garë me kohën
mbushen me ide për të ardhmen.


KUR E SHËMTUARA
RRUGËN TË KA ZËNË


Ç’më tha e nesërmja...!
E shëmtuara
ju ka zënë rrugën e stinëve.
Do ecësh,
do lodhesh nga fajet e të vdekurve.
As turp, as frikë mos ki,
gënjeshtrën kyçe,
porta hap!
Grindjet e njerëzve,
mos i puthë,
kryqëzoje urrejtjen në vende të pashkelura.


JAM NJERI I VENDIT TIM

Të moçmin qiell sodis...
Kur isha foshnje
yjet dëshiroja t’i kapje me doçka.
Përsëri kokën lart e ngre...
Toka është plakur,
yjet rinuar
sy nuk kemi t’i shikojmë ato thërrime drite
skuqur si zjarr,
zëri na digjet nga etja,
nga uria.


I PËRLINDURI

I përlinduri mbuluar me hënë
njeri i bardhë,
lakuriq vizaton poezi.
Pranë i shkon edhe era.
E dashura që pi ujë aty
sheh vargjet e vjershëtorit
sesi rrëshqasin përmes kopshteve
e më pas i bënë portretin.
***
Ia vlen të shikosh botën e tij,
në të majtë puhit e vargjeve,
djathtas një këngë e gjatë,
e gjatë sa vetë mosha.
Detet dhe ngjyrat urtësohen
në shpirtin e pagjumë.
Me gëzim të pa cak
ai,
shumë lehtë mund të vdes,
të këputet si petale qershie.


FSHEHURAZI, BINTE BORË


Ajo,
u shkroi letrën e fundit
nënës dhe shokëve.
Në të gdhirë sy më sy me xhelatin,
në lak të litarit jeta e saj lëkundej.
Mbi kalldrëmin e akullt
një palë nallane druri...
Dy malet e hirta
qyteti i gurtë mbytur në lot.
***
Në ajër është ende aroma
me duar të shtrira drejtë dritës.

AJO KOMPOZON DRITË

Sapo lind dielli
ajo ngre zërin zbukuruar me melodira
mëngjesore.
Së brendshmi ia praron fytyrën
një sifoni
kompozuar nga zogj fluturues mbi ylber.
Ajo dita-ditës lëshon dritë
mbi një lëndinë me lulëkuqe,
ku miq ka përherë në sytë e saj.
Tingujt shkojnë larg...
tej mbulesës së bardhë të trupit
e një pëllëmbë më lartë
zemra rikompozon dritë të kuqe.


JETA

Jetë,
mbamë dhe pakëz!
Akoma nuk ka rënë nata
për mua.
Do të mbaj shtrënguar!
Të dua jetë,
ashtu si je,
lakuriq!
Ende jetoj
dhe emrin nuk e kam harruar.


KUR NATA IKËN PREJ MEJE

Sa herë që nata ikën prej meje,
unë shndërrohem.
Dua të ngelem ku ka gjëra të ndaluara
nga deriçka të fshehta
të futem në botën e mëkateve...
Është marrëzi!
Kështu janë të gjallët,
botën e mbajnë dhe mbi supe
veç me të bukurën të çmenden...

DHIMBJA E SUKSESIT

I neveritshëm suksesi,
karikaturë e pështirë që të tradhton
kur dhimbje ndjen.
Dehur nga humbja e përfaoljes,
si gurë i ftohtë
përsëri dhimbja dëfrehet me suksesin.
Rritur nëpër gjethe
ushqyer me të korrat e lotëve,
ndodh...
ndonjë fluturak guxon t’i thotë:
Eja,
fluturo me mua!
Të mos lagesh nga shirat
e suksesit
dhe i vdekur të ngrohesh
në dëshirat e njerëzve.

ËSHTË KOHA KUR NJERIU PO VDES

Njeriu...
me fytyrë binjakësh
mes armësh shkruan vdekjen.
Të poshtëruarit,
parajsë nuk kërkojnë,
veç rivëllazërim për mollën e ndaluar
të ngrohin gjakun e ngrirë
me shurupin e vdekjes.


TEK AJRI JANË GJITHË
GERMAT E SHPIRTIT


Kur linda,
u bëra mik me ajrin.
Çdo mëngjes puthem etshëm me të,
është drithërues,
rreth tij shpaloset natyra.
Ai m’i dhuron këngët e zogjve.
Tek ajri janë gjithë germat e shpirtit,
ato si degëzat e pemëve luajnë mrekulli
kur rrugën harron e vetmitar qëndron,
me shpresë
të durosh vetveten, mendje zhveshur,
a me xhaketë pranvere.
***
Pas frymës së ajrit,
si durimtar vrapon vargu im.
Nëpër ëndrrat e jetës
e qeshura,
zgjatë dorën të ledhatoj ajrin e virgjër.
***
Sa e dhimbsur poezia...!
Gjakosur nga hëna,
lodhur
nga rrugëtimi nëpër pyje
fryrë si sy kau,
dehur me verë.
Nën këmbët e poezisë
shoh botën të sillet me të
si fëmija,
me një kurorë në dorë
nëpër legjendat e kalldrëmta
përqafuar me diell.

NATA E BARDHË

Në natën e bardhë
së larti zbret me jehonë
i shenjti lis,
Adem Jashari!
***
U çelën portat e festës..
Për të kuvenduar
Ai,
nga zemra e maleve hapon drejt Kullës,
ku ende është varur qielli i vranur.
Është në këmbë...
Fytyrë veshur me diell
nëpër gurtonët e flakëruar
që kanë një emër,
këndon këngët e lirisë.
Në të gdhirë
me të dy krahët mbledh yjet
në qiellin e zjarrtë,
i shtron në sofrën e madhe
të Ditë-Lindjes.
Si rreze drite rend nëpër Dardani
bashkë me gjakun e shokëve
kënga ‘’U KRY BAC’’
i dhanë Ymër Mëvetësisë...
Nga vlaga e tokës
pëshpërimat e shpirtrave të vrarë
kanë çelur luleborat...!

VAJZA E KËNGËS LABE

Vajza e këngës labe
nga majëmalet
hapi derën e mëngjesit...
Bukurisë së saj
i rrinë afër retë dhe erërat.
E pavëmendshme prej tyre
qëmton këngë
me iso labe në trastën e saj
për ditën e Shën Valentinit.
***
Shikonte lindjen...
Nga një zhurmë e bardhë,
nën gjethet e një lisi
iu shfaq dëshira
për ta thyer qelqen e moshës.
***
Dua të soditem,
t’i jepem djalit të isos!
Tingëllimën e qelqtë ta shijojë
si melodi këngësh
dalë nga oshtima e zërave tanë,
në ditën e të dashuruarve
kur dielli do shlodhet
dhe hëna të fle.

IMAZHE ËNDRRASH

Leshra prishur nëpër re
me zë burri, ëndërrimtar
i këndoj vendit tim,
si i mitur në përrallë.
Fluturoj nëpër erë
të shohë çatinë prej kartoni
buzagazin, vendin tim,
kur ai ndërron vend
nga një dorë e ngrohtë
pa përmbysur kujtime.
***
Dremitem mes vështrimeve të ëndrrave,
me ato nuk ka heroizëm...
zhytesh thellë,
rrokullisesh humnerave.
Pas zgjimit
veten e shikon të kthjellët.
***
Kur isha djalë
qeshja shpesh,
tani e qeshura është frika që kam
nga vetja
e në dritë të vetëtimës
më ka filluar t’më vdes koha
nëpër duar.
***
E qeshura ecën vrullshëm nëpër ëndrra,
as dashuria nuk shuhet.
Nëpër rrugica të këndshme, buzëqeshja,
shpirtin ta bënë pasqyrë nga thinjat.

MONOLOGU I SHURDHUR

I betuar,
në sytë e kohës
ndërgjegjja ime qëndron si kockë
në këngë
e hovshëm merr frymë
monologu i shurdhur.
Monologu...
pret të shkruaj mes erërave
në qiellin që pikon yje
të nesërmen,
mbetur në asht të trupit.
***
Në vite ndërtuam gjigandë,
më pas i tretëm rrëzë maleve
ngrohur në dritën e hënës.
Në monologun e shurdhur,
hija ime
banon me vdekatarët
ku stinët kremtohen me dhimbje.
***
Të gjithë ankohemi për keqësimin e motit,
më shumë natë se ditë,
me mall e kurajo pimë gotën e verës
nëpër rrathë ku nuk ka rrufe djegëse.
***
Flokët e monologut
krehin mallëngjimet e detit,
ku e djeshmja mungon
në përgjigjen time,
veç e nesërmja zgjatë krahët
të shuaj etjen e moshës.

Për "Sofra poetike": Haxhi Muhaxheri
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi