Ju prezantojmë:CIKËL POETIK NGA MIHALLAQ QILLERI
Faqja 1 e 1
Ju prezantojmë:CIKËL POETIK NGA MIHALLAQ QILLERI
Ju prezantojmë:CIKËL POETIK NGA MIHALLAQ QILLERI
SHQIPËRIA
Çati e vjetër hedhur dimërash prehistorikë
Furtunash shkulur në ditët ku lehonat lindnin
Krijesa prej guri, fushave të përmbytura,
Maleve të çveshur urivuajtur,
Nën troke kuajsh barbarë, romakë, osmanë, sllavë,
Që përçudnin gjakun e mermertë dhe iknin.
Mbi oborrin e ngushtë të shtëpisë,
Kasolle vëllezërish prej hasmi ngriheshin
Një patkua kali mbi portën bregdetare
Fatin trëmbte përditë e më pak nga dallgët,
Vellezër armiq me shumicë prodhonin vreshtat
Ullinjtë mërmërisnin trishtueshëm
Mbi një tokë të mjerë gjethetharë, e palarë.
Vështrimet ktheheshin si fenerë anijesh pragmbytjeve
Nga Lindja, Perëndimi, nga Azia vesëverdhë
Luftrat lumenjtë e gjakut shtonin,
Më shumë mesvedi sesa me armiqtë e mallkuar.
Hasmëri të çuditshme gjaktrazuar,
Pushtete, ide pa formë, reprezalje drithëruese,
Në hartën e ngushtë si një zanë belkëputur,
Shqipëria ime, Shqipëria jote,
Vështrimin e ankthëm end horizonteve
Pak shpresë në këmbë për t’u ngritur,
Si fëmijë shtatanik në pluhur zvarritet.
Çati e hedhur dimrave prehistorikë,
Armiqësisht lëkundet ende me thirrjen nën dhambë,
O, kuku, moj nanë!
V A T H Ë T
Ti mban vathë të bukura, mikja ime!
Mahnitem nga format, ngjyrat, drithërimat
Gjysmëhëna, monedha të arta, zemra të zeza,
Rrathë më të mëdhenj se sytë e tu ,
Manaferra e trandafilë blu…
Në veshin tënd, ato veç ajërit i përpëliten.
Trazojnë shikimet dhe shkasin më tej,
Aq shumë pata menduar për një dhuratë
Të të pëlqente shumë me vërtetë
Përtej një tundje flokësh si koketë..
Gjatë qëndrova para vitrinës së një argjendari
Një palë vathë elgante të zgjidhja për ty..
Vezullonte ari i rremë me nxitim fërkuar.
Drithëronte drita, magjia e lustruar,
E shitësi plak me ankth më shikonte në sy.
Dhe befas ika, me nxitim ika ,
Me trishtimin e mashtrimit zbuluar.
Dhe besova se isha më i pasur se aq;
Në vend të vathëve pa frymë, pa shpirt
Pranë veshit tënd të trandafiltë të mërmëritja ,
Ca fjalë dashurie të ngrohta, të buta,
Gjerdan psherëtimash tani të të sillja ..
F A N T A Z M A T
- trishtim me personazhet e librave të mi -
Treten ëndrrat, fantazitë, bota ireale thyhet,
Si një vazo antike pa vlerë, pa bukuri..
Librat rrëzohen prej rafteve si pas një tërmeti,
Milingonat gërma në njerëz, male, rrugë, fllad e dete
Ankthe e dashuri të trishtuara, të pluhurosura,
Në tokë, pas një lufte të humbur me kohën, zbresin tani.
Hutimin e heronjëve të palavdishëm shoh vrazhdët,
Viktimat dinjitozë, të heshtur mbajnë drejtpeshimin
Koha i ka venitur, zhveshur e tretur disi,
Strukur nën pluhurin e shpërbërjes njerëzore,
Si dhe faqet e zverdhura të romaneve të mi.
Fëshfërimë gjethesh e stuhi dëbore malesh
Dallgë që stepen në brigjet e mendimeve,
Lodhje, shumë dhimbje, e mendime fjalësh
Propagandë e pështirë në faqet e shtuara..
Liria e mjerë strukur rrjeshtash me vret kur ankon,
Sa pak, sa pak vend, o njeri, më ke dhënë!
Ujqër e qenë madhështorë stanesh gjakosen,
Nën një brucë çobani dridhem në Majë të Lucës,1)
Mbi çadërën e vjetër stuhia e vjeshtës rrënkon
Frika prej urisë e lavdisë së rreme nis’e mbyten..
Viktor Komi, plakushi bukurosh, vijon e pikturon,
Një Kristinë të thinjur sybukur, dashurorë,
Tomi Bregu, avokat tashmë, gjyqe pronarësh mbron
Me dinjitetin e kokoroçit të dikurshëm.
Është ngjalluar Antonia ime aq e brishtë ,
Dhe hak kërkon për tradhëtinë e të shoqit rrebel
Andrea Semani mbi një varr kujtimesh përpëlitet,
Së bukurës Loretë buqeta lulesh vazhdon e i sjell.
Angjelina shpirtzjarrtë në gjunjë më është rrëzuar,
Me duar mbi tastot e kompjuterit tim, pa kuptim,
Robert Kola ka heshtur, ashtu, krenar, i menduar,
E di që ai jeton si atëhere, gjithë ankth e hutim.
Vjeshta e trishtuar e Elias perdet teatrore shkund,
Ku ta dinte se mbretëreshë e Shqipërisë etnike
Do shfaqej e sigurtë, plotë sqimë, më në fund!
Pastaj gjeneralët kopështet e dashurive shkatërrojmë
Me të çmendurit e mi spitalet psikiatrikë pushtoj
Dhe ashtu endem në ajërin e plagosur nga përmbytja
Fantazisht i dërrmuar një përplasje nxis, përdhunë,
Kryengrite groteske që kthehet në vallëzim,
Lirika recitoj si adoleshent në Politeknikum.
Nuk e di pse kam mbetur i shpërfillur nga vetvetja
Një botë tjetër, tjetër, më të denjë duhet të krijojë..
________________
1) – Një nga majat e larta të Shqipërisë Jugperëndimore.
D Y S H I M I
Më shumë se vdekja, më shumë se poshtërimi
Dyshimi bren metalin kohë dhe jetën e ndryshk.
Ne endemi kështu në skaje të panjohura
Të kërkimit në askundin e ngrirë
Duke tretur pjesë nga e djeshmja e artë.
Unë jam një fytyrë e tjetërsuar tashmë që tremb,
Një botë që ti nuk e njeh, nuk e ndjen, nuk e qas
Unë jam një fantazmë ideale për t’u vrarë
Pabesisht me duar që dridhen,
Lehtësisht, me fjalën e parë që rrugës has..
Ti thua se unë kam ndryshuar sa nuk njihem...
Në të vërtetë jam po ai, po ai, po ai,
Heshtja, shfytyrimi, sytë e buzët,
Janë stivosur tashmë në arkivin e mallit,
Kanë mbetur në pikën më të lakmueshme,
Të së djeshmes fantazmë.
Jam po ai, thjesht pak më shumë i thinjur,
Jam po ai thjesht me ditë-net më pak për të jetuar,
Jam po ai thjesht në pritjen tënde të përjetshme,
Jam po ai, po ai, i dashuruar me vullkanet që gëlojnë
Brenda jetës sime të përtejme,
Brenda jetës tënde të sotme..
E ndjen sesi dridhet toka ?
FUSHË E MINUAR
E gjerë shtrihet deri në agim të botës,
Fusha e shfarosjes barbare;
Ashtu i friksuar ngec në telat me gjemba
Të moskuptimit, zhgënjimit,
Të keqardhjes dhe abortit të besimit.
Drithërimë pasigurie tashmë ndjej
Në skajin më të zymtë të vetvetes.
Një oqean të minuar me dallgë më duhet
Të kalojë për të mbërritur atje ku dëshëron ti,
Të mbërrij doemos, i shfytyruar...
Jetën time vendos në skajin tjetër
Të balonës prej letre të trandafiltë
Lëshuar qiejve të zymtë në prag stuhie.
Cepin e fundmë mbaj në duar që dridhen,
Nga vetëtimat që lëshon mosnjohja.
E mbaj mend, e martë ishte, e martë.
U çanë qiejt dhe dielli hipokrit u fsheh
Për të mos qenë dëshmitar i vendosjes së minave
Nëpër oqeanin e ndjenjës sime të dhimbshme.
Mesa duket nuk di të dashuroj, nuk di,
..Sepse, e martë ishte, e martë!
R R U G Ë T
Konvecion i shëmtuar i hapësirës,
Rrugët shfaqen e shuhen si vetëtima
Në jetën tonë të përkohëshme, të zbrazët.
Thuhet se diku nisin e diku mbarojnë,
Si një fill i turbullt ëndrre e shpëlarë,
E njerëzit i lidhin pas vetes si milingona qeliza.
Rrugët janë kurthe të imagjinatës rurale
Limite të bardha pa kurfarë drithërime,
Siç erdhe dhe ike ti në jetën time..
Gjurmët, herë të përbaltura, herë të fshira
Nga shtrëngatat e erës, stuhitë e mendimeve,
Një plagë e lënë përdhé që thinjat i shton,
Kalbëzim ku nis rrugëtimin mosqenia.
Traga vijash gjaku që shprishen kobshëm
Rrëshqanorë nëpër shpate mendimesh,
Ikja jote një gëvishtja e një kohe pa udhë
Do të qëndronte fshehur si një gjarpër
Nën tokën e ftohtë e të lagësht..
Të mosekzistencës dhe heliumit helmues..
Takimi ynë një udhëkryq i shpërfillur ishte.
Edhe pastaj diku nxitove në hapësirën absurde;
Nëse do kishe ardhur, ikja do ishte klithmë,
Ndryshe askund nuk ke mbetur përtej së djeshmes..
Rrugët janë fshirë si vijat në bregun me dallgë.
ATLANTIDA
Hamendje tragjedianësh klasikë, historianësh,
Thira 1) , e heshur, e bardhë, enigmatike,
Katastrofën biblike në detin e kaltër e preh,
Shtyllat e Herakliut nuk shihen më askund,
Pallatet mbretërore të luksit dhe kasollet e skllevërve,
Kanë shuar zërat, grindjet, dashuritë, verën e derdhur
Dhe nën ca gurë të zymta, të mbytura
Në pluhurin e vullkanik përgjithmonë të varrosura.
Një qytetërim i çarë, i shqyer prej magmës përvëluese,
Zemra të thyera më dysh si shprishje bote,
Një dashuri e zhytur në thellësitë egjeniane,
Gëlon gjer tek unë nga dhimbjet zemërake të botës.
Ti nuk je më e imja, tokë, por copëtuar dhimbshëm
Prej luftërash të tmerrshme e llave të nëndheshme,
Vijon të tretesh në ajërin e thatë të absurdit.
Atlantida fantaziste vjen tek unë si copëtim shprese.
Qytetërimi i parë dashurisë së thellë i ngjante;
Njeriu i varfër nisi të lëngonte në humnerat
Vullkanike të zemrës së vet..
Shpërthimet janë shuar tashmë nën ujërat e kaltëra,
Përballë Trojës, ku shumë vite më pas barbaria do vriste
Dashurinë me luftë, e vullkanet njerëzorë do rrënonin
Qytetërime të dyshimta popujsh të çmendur…
______________
1) Thira, - emri i vërtetë i ishullit Santorini ku mendohet se gjendej Atlantida e lashtë.
S T R E H A
Për dore mbaje frutin e ankthshëm të marrëzisë,
Fëmijën faqekuq, të bukur si trandafil në maj,
Unë endesha i trishtuar në skajin tjetër të vetmisë,
Tronditur nga frika jote dhe mëkati – faj.
Ndriste një diell i shëmtuar, i nxehtë,
Vështimet e botës e bënin akoma më torturë,
Nuk kishte strehë të na mbronte aq lehtë,
Veç një kishëze që se kishim vënë re kurrë..
Unë dhe ti ulur ndënjëseve nën të rëndën hije
Dhimbshëm shtrëngonin duart në fshehtësi,
Ndërsa fëmija vështronte ikonat martire,
Sikur u lutej shënjtorëve ta mbronin ata tani..
Më thoshje zëulët se bota qe kupë helmi,
Dhe ti duhej ta pije vajtueshëm kështu,
Ne fajtorët ndëshkohemi një ditë prej qiellit,
Ndaj dashuria-mëkat do hedhur në humnerë diku..
Kupa-qiell e kishës me ëngjëj vizatuar,
Fytyra e fëmijës rob tronditur sa s’kish më,
Ti sy-lotë më shtrëngoje duart e malluar,
Nën atë strehëz shpirtrash pa gjak, pa zë..
M J E G U L L A
Në pyllin e harlisur të jetës sime,
Me drurë të çuditshëm prej venash,
Ashtu, të drejtë e të shtrëmbër,
Me gjethnajën e mendimeve trazuara
Me vitet e jeshiluara e të thinjura,
Si vel martesor prej princeshe zvarritesh.
Habia e tjetërsimit mjegullor,
Vazhdon aq gjatë sa ankthi i mosqënies..
Ti luan me trungjet e mykta të ditëve,
I lag, i pështyn, i ndrit, i thyen,
Dhe ecën më tej duke qeshur,
Ashtu e bardhë, lozonjare, shpotitëse
Me qiellin e pakët të vegimeve,
Duke lënë pas lagështinë e ëndrrës.
E kur mendoj se jeta të treti,
Velloja gjarpëruese rikthet befas
Herë duke ngrirë ditë-netë e turbullta
Me lakuriqësinë e stisur e magjike,
Herë me lojën kukafshehti të diellit,
Me shfytyrimin e përrallave mitike,
Me shpresën dhe dështimin,
Me dasmën dhe mashtrimin,
Ikën e vjen si psherëtimë, vjen e ikën si dhimbje,
Mjegulla ime!
PUTHJA E DIELLIT
Ε ngrohtë, e ngrohtë, si ëndërr
Magji lundruese nën qiellin prej degësh
E gjethesh fëshfëritëse
Unë e ti, Lumë i ditëve të mia,
Prekim e njeri-tjetrin trazojmë...
Jemi aq pranë tani sa kurrë më parë..
Vegime vezullese depërtojnë në rrjedhën
Blu të marrëzisë së turbullt,
Ashtu shtrirë me shpinë mbi gurin e bardhë
Mokërr e jetës rrotullohet përskaj meje,
Mërmërimë venitëse lulesh kokëulura.
Ç’më tregon ashtu symbyllur vetja ime?
Ku i shpie mendimet fluritëse kur
Gjithë nxitim e ankth lëviz drejt zhdukjes?
E di që në Detin e gjithësisë zbrazesh
Njerëzor, rrëqanor sa trëmbem e mbytem
Në mrekullinë e puthjes nga një copë diell.
E unë, shtrirë me shpinën e ftohtë
Mbi gurin e mundimeve sifiztike
Pres, pres, pres, në kush e di se sa vite,
Pres.. të zbrazesh diku brenda meje..
MUZG’ I AKULLT
Shalli yt stalaktik i bardhë
Qafën e fildishtë ta ka rrethuar
Fytyra muzg i tejdukshëm
Rrëshket mbi mendime të ftohta,
Drithërimat ankthzgjuese që shpresën tashmë
Mbi atë copë akull të bardhë të shpresës
E nisin të udhëtoj rrezikshëm....
Hapësira është e shkurtër,
Si një makth rrotullues karruseli
Që nis nga zemra jote,
Nën flokët e verdhë ku mendimet gjëmojnë,
E si alge funddeti lëkunden nga dallgë të padukshme
Si plasaritjet e shpirtit tim dyshues përfundojnë
Rrethin e ankthit dantesk..
Sy të mprehtë shoh nën këtë muzg të akullt
Që shpojnë tejpërtej trupin tim të lodhur
Nga pritja e gjatë, e mundimshme,
E dashurisë së çuditshme kozmike..
Shalli yt një stalaktikë i bardhë
Qafën e fildishtë ta ka rrethuar...
M A S H T R I M I
O zot, jo rrallë, jo rrallë,
Mashtrojmë indet e vdekura të vetvetes,
Trazojmë besimin e etur të lirisë
Dhe mjerisht fitimtarët e zemerthyer
Rrënjët e kalbura mbjellin në tokën e ajërt
Të gabimit..
Dhe befas, befas zjarri i rremë shartohet aty..
Me dru të njomë flakët e pabesa nisen e rriten
Që veç tym nxjerrin e sytë na djegin barbarisht.
Lëngu i jetës thahet mjerueshëm
Nga vërshimi i instikteve të verbëra.
Kaq mjafton të jemi të kënaqur,
TË DY,
Nga Mashtrimi !!
KAM FRIKË, KAM FRIKË...
Në dashurinë time mijëra enigma gëlojnë,
Mijëra mendime enden trupit e trurit,
Shpërbërë ëmbëlsisht si fëshfërima lulesh,
Me hithëra dyshimi fshikëlluar rrihem ,
Varre ëndrrash shpërbërë nën sferën e errët
Të përtej jetës strukur.
Dhe krejt papritur një dëshirë e marrë
Më çmend, më vret, më tret
Brutalisht e tinës, në mendimet e tua të hyja,
Atje, mes fjalësh të pa thëna kurrë,
Mes botës ku guximi i brishtë
Si rrotë e dobët është thyer,
Atje ku endet më i thelli dyshim,
Atje ku furia e fjalëve stepet, meket. fiket.
Atje të shtrihesha vetëm një çast,
Pa le të ishte kazan që përvëlon genet,
Diell i ngrohtë a ekstazë shkumëzuese,
E ndjenja e keqe ndoshta zvarrë do kalonte
Kufirin e reales magjithyer
Me varénë e së vërtetës...
Kam frikë, kam frikë, kam frikë!
M A G M A
Drithërimë befasuese je, thelb’ i jetës,
Ekuatori i ngrohtë mesi yt biskonjë e hollë,
Pole të ngrira, shpesh, në sytë e tu mahnitës,
Akuj që treten në perëndim të flakës,
Τërmetet- klithma për më shumë lumturi,
Tsunamet-dallgë përmbytëse për dikë, e di..
Llavë zhurritëse që derdhet shpateve të trupit,
Flakë e hi shpërndan në zemërimin tënd
Pjesë prej dielli e hëne në gjirin tënd mbledhur,
Toka e gjithë e hapur për lirinë tunduese,
Kërthizë e paprerë pas meje lidhur,
Si grykat e vullkaneve me amësinë biblike.
Zjarr je, thelb i thelbit të ekzistencës,
Krijuese e lumturisë dhe hutimit,
Dhimbjet veç ishuj të harruar mbeten
Në detin e dashurisë tënde magmatike..
KUR MUNGON TI
Kur mungon ti,
Kapakët e buzëve thahen nga ajëri i thinjur,
I hidhur, si në një minierë qymyri, e
Sytë ulin qepallat e rënda,
Përtej viteve të ngrira.
Kur mungon ti,
Akacia mbi dritaren e dhomës sime të punës
Vyshket e gjitha, gjethe-e-lulerënë
E degët ngjajnë si këmbë të verdha
Ushtarësh kthyer nga Lufta e Gjirit
Kur mungon ti,
Drita ka vdekur në shpella trishtimi
E humnerash pa fund, e
Hëna e hedhur mbi pusin e qiellit
Coptuar shihet si monedha e asgjësë.
Kur mungon ti,
Skllavëria zbret në tokën e pluhurt
Të mendimeve barbare,
Me drithërima gjaku e mënçuri
Të fikur..
Kur mungon ti,
Heshtja perandorinë e vet krijon përdhunshëm,
Nëpër mijëra gërma – milingona
Që ngrijnë si ushtri e tharë
Në shkretëtirat e bardha
Të romaneve të papërfunduar.
Kur mungon ti,
Koha është vrarë diku në Luginën e Gjoksit!
P S H E R Ë T I M A
Ti thua se psherëtima ime
Shtatin ma zvogëlon përbindshëm,
Dhe bri teje kjo frymë-furtunë,
Uraganë zbret prej qiellit
Në tokën e varfër të mendimeve.
Ti thua se psherëtima ime,
Sekondëshe sa një mal,
Tret besimin te dashuria
Dhe qiejt i ngushton sa një gropë
Ku plehërat e fjalëve mund t’i flakim.
Ti thua se psherëtima ime,
Ikën e vjen në ditë të mjergullta,
E në kohëra të qelqta shteron
Besimin e lodhur të pamundësisë
Hakmarrëse..
Ndërkoha jonë e madhe
Male me dashuri dhe diell ka në mes,
Të kuq me stuhi heliumi
Rrëke vigane avujsh përvëlues,
Flakë e fjalë kozmike,
Dhe drithërima magjike ekzistence.
Ti thua se psherëtima ime
Shtatin ma zvogëlon përbindshëm,
Se një atom heliumi dergjet si insekt
I ngordhur tashmë
Në tokën e plehëruar të dashurisë sonë.
Njeriu diell jam e hija, sa një fije hije,
Pas më ndjek deri në shpërbërje..
HËNË E ZBEHTË
Për Hënën e zbehtë as te pragu i dritares
Nuk do të dilja për mëshirë..
Dhe cinizmin tënd bubullues,
Do ta shuaja vështrimin me duar.
Për Bethoven e shurdhimin e tij fatkeq
Do trishtohesha më pak,
Për një dashuri të tillë murg do pranoja
Të endesha manastireve gishtapërleshur,
Veç lirinë, lirinë e shpirtit mos ma kyç
Shpërfillur në burgun e harresës.
Sonata e Hënës pa shpirt do më ngjante,
Nëse ti, nis e ia thërrmon tingujt një nga një.
Pa hapësirën e turbullt të shpërbërjes,
Pa flokët e mjeshtrit shpupuritur si asgjë,
Unë nuk hesht...
Shpirtin tim të lirë pafre harbuar
Pa frymë e zjarr peng ma kërkon..
Sonata 1) do vdiste te pragu i hënës,
Te pluhuri i kuq i Hënës pa ujë, pa zë.
Unë nuk hesht..
Në dhomën time të ftohtë, plotë libra
Ti perden u hedh milingonave gërma,
Dhurata të pjellorisë e dashurisë,
Lopata dheu stivon mbi jetën time
Si një tog varri ku ende bar s’ka mbirë.
Nëse ti nis e i pastron retë nga qielli
E shëmton ashtu të pastër, pa trazim
Si një sferë të mërzitshme kaltërsie.
Ke vdekur edhe ti,..... shpirti im.
Për Hënën nuk do dilja as te pragu i derës,
Nëse i trazon rrezet e saj një për një,
Për Sonatën do qaja butë e dhimbshëm.
Nëse qiellit tim nuk i rikthen bubullimat,
Dëborën nuk ua hedh maleve përmbi shpinë,
E mendimin tim të çmendur
E lidh te hekurat e buzëqeshjes,
Ke humbur diamantin e mëkatit, njerinë.
Jo, për Hënën nuk do dilja as te pragu
I shurdhërisë së Bethovenit..
_________________
1) - Sonata e Henes e Bethovenit
E P A N J O H U R A
Drithërimë telefoni dhe një ankth femëror,
Njohja e parë një zë lutës, pa shpresë,
Një zë pa ngjyrë, pa frymë, pa vesë,
Një zë njerëzor, pa gojë, pa fytyrë,
Më fton nesër në një stacion memec,
Kërkon krahun tek une ta mbështetë...
Dhe... nuk e di, nuk e di, si të të quaj, për besë,
Ëndërr, apo thjeshtë një jetë që po vdes.
Nuk di se ç’zemër rreh atje, nuk e di..
A ka vërtet një brengë a dhëmbje për vetminë,
Apo thjeshtë një vlerë të rremë, një interes,
Një zë tinzar, një buzëqeshje manekinë,
Apo një fytyrë e ëmbël nën bukuri të zezë.
Vërtitem shpresash dhe pabesish për dreq..
Besoj në shpirtin - ikonë dhe dramën për një jetë,
Vrarë tragjikisht nën dhunën skëterrë,
Me emër viti... dymijë e njëmbëdhjetë.
Mezi pres të të njoh, fytyrë engjëlli, a dreq,
Ta shtoj jetën time, apo ta shkurtoj pa shpresë..
Për gëzimin a vuajtjen, zaret tashmë po i hedh,
Për një fytyrë të ëmbël a bukuri të zezë...
DIMËR I TRETUR
Përgjumshëm vitet janë rrjeshtuar,
Verbërisht zvarritur deri këtu,
Ku heshtja ëndrrat e pa shuara
Kish pllakosur..
Gur të rëndë koha pat vendosur,
Mbi indet e përgjakshme të dëshirave
Të pamundura.
Dhe ndrite ti..
Një zjarr që ndizet ngadalë, ngadalë,
Tej shpirtit, të errët, të ftohtë,
Ndjenjëdruruar,
Ngricat nisën të pikonin si stalaktite lotësh,
Endrrat të zgjohen si flakë zemre
Rrezet, tufa-tufa, të mrekullojnë
Shpresën.
Dhe ndrite ti...
Një plagë e mbyllur, befas dhëmbi,
Një derë e drynur kërciti trishtueshëm,
Një ditë lëngoi nga masa e gëzimit,
Një jetë u zgjat mbi dhomën e errët,
Një dimër u tret, i tëri, i tëri,
Gjysma tjetër je tashmë,
E së harruarës, jeta ime.....
M A S H T R I M I
Mashtrimi endet rrugëve i veshur
Me petkun e dhimbjes dhe ndjenjës.
Mashtrimi ka gojën e putanës dhe
Elokuencën e të dashuruarit Alcesti 1),
Sigurinë e keqberësit gojështhurur,
Mashtrimi fjalë e fytyrëbukur,
Greminat i shet si lëndina.,
Qiejt si zymtësi nëntoke..
Vjedhja nis e shpërbëhet nga goja më gojë,
Besimi thahet si bërthama e kungullit,
Nëse shpirtin kërkon të ma shesësh.
Të ma shfytyrosh shpirtin e ngrohtë,
Akullnajash zvarritur,
Mallikimet pak janë për të të gremisur
Shpërfilljen e gjakut të shprishur,
Urrejta është pak për të të fshirë
Nga qerthulli i të gjallëve,
Jeta ia vlen vetëm
Kur zhduk të keqen...
________________
1) Personazh i Molierit në komedinë “Mizantropi”
D R I T H Ë R I M A....
Ishujt e ankthit janë përmbytur tashmë,
Me drithërima mosbesimi.
Eshtrat, çvarrosur nga nënqielli i akullt,
Më thonë se shpirtërat janë veshur
Me delirin e çmendurisë
Dhe përgatiten për vallzimin e vuajtjes
Në Pub-in e xhelatinës, urinës, pabesisë,
Në strehën e të pastrehëve..
E gjithë mesnata përpëlitet
Përtej xhamave të zinj të dritares sime
Dritëverbuar nga shungullimat e qiellit,
Po aq të praruara prej vetëtimash
Sa bizhutë e zonjës Mashtrim.
Ishujt e shpresës janë përmbytur edhe ato
Nga ujënajat e nëndheut,
Varret janë çelur si gojë të urritura
Për të shfyrë mallkimet e përmbysura
Të figurinave prej kalciumi,
Mërguar atje prej shekujsh e ditësh.
Shpirtërat janë veshur me delirin
E rikthimit në humnerën e dikurshme
Të përbuzjes dhe mosarsyes,
Të humbjes së të Drejtave dhe Lirive Civile
Në errësinën poshtë qiellit,
Në Pub-in e xhelatinës, urinës, pabesisë,
Në strehën e të pastrehëve...
Xhamat drithërohen prej vetëtimash
Të pranuara si bizhutë e zonjës Mashtrim.!
Vallzojnë kalciumet e përbaltura
Në Pub-in e xhalatinës, urinës, shpërfilljes.
Nata humb kuptimin e errësirës..
DITË E NDRYSHKUR
Nëse je shpirt dhe ngjan i heshtur,
Mbromë nga zemërimi yt
I fshehur,
Mbromë nga alget litar-shtrënguar
Frymën mos ma mbaj lënduar,
Merrmë dhe psherëtimën
E fundit,
Lidhma pas zemrës
Nëse je det në prag stuhie,
Nëse nën zë gjëmon e rrënkon
Trete ngjyrën e mërzisë
Trete,
Në gjakun tim të turbulluar,
Merrmë dhe psherëtimën,
Lidhma pas zemrës
Në se dallgët mal i ngre drejt qiellit
Nëse zemërimin shfryn si perëndeshë
Vritëm në prag të diellit,
Vritëm pa mëshirë,
Në dritën e vetmisë.
Thithmë gjak’n e turbulluar
Merr dhe dhimbjen më të fundit
Lidhma pas zemrës, lidhur..
Nëse je veç një kënetë e tharë,
As ujë, as dallgë, as alge, as zhurmë
Merr dhe trokun e zemrës sime hua,
Në prag të vekjes je,
E ndryshkur krejt
Në prag të zhdukjes,
Në prag të pragut,
Zemra dhe fryma ime,
Nga ankthet janë çliruar,
E nuk të vlejnë më, nuk të vlejnë...
L O J A
Vendosur në dy dritare shpirti,
Një qiell na ndan, na ndan,
Stuhia më shumë se rreze dielli
Na lagin e lotët na shton,
Vetëtimat drithëruese
Vallzojnë makabër mbi shpirtërat tanë..
Ne lozim vetëtimash..
Drithërimë a lojë rrufeje
Një lojë përcëlluese,
Një lojë gjëmuese
Tejmatanë qiellit e tokës,
Tejmatanë zjarrit, ngulmuese,
Shkarkime harqesh të zjarrta
Si mbi karrige elektrike,
Ne lozim lojë vetëtimash.
Nga qielli në tokë zbresim
Me dëshpërimin e humbjes,
Në guvat e shpërfilljes mbesim,
Nën klithma karbonizuese përsëri
Lindim si kërthinjë e dhimbjes
Si shungullima bubulllimash.
E ne përsëri... lozim vetëtimash.
E pastaj, pastaj,
Mes zjarrit dhe klithmave,
Fëlliqësisë anatemuese
Për dashurinë tonë mahnitëse
Fshehim me lotë nën tokë
Humnera të errta psherëtimash,
Diçka nga qielli ynë i lartë fshehim
E prapë, prapë e prapë
Ne lozim vetëtimash..
P R I T J A
Vrundujt e gjetheve të thara
Lanë varrin të shtyrë nga era ,
I pashë...
Vjeshta tundtte qiejt gri me shamitë e reve,
Si lamtumirë pa kuptim....
Te shkallët e muzeut të Asgjësë
Sekondat binin të kalbura, pa jetë,
Dielli i ftohtë më përqeshte paturpësisht,
Një pluhur i verdhë më verbonte,
Kur të prisja ty çmendurisht i shfytyruar.
Më shtynë e rashë përpara vetmisë,
Gërvishtjen e shpirtit nuk e ndjeva aq,
Dhimbja qe druruar, eshkë qe bërë..
Kashtë e trazuar me baltën e shpërfilljes,
Dhe plaga e fashuar gjithë gjak.,
Nisi të shfaqej mjerueshëm
Si mërzi dinjitoze, pa shkak..
Koha dhe unë kishim humbur njëri-tjetrin
Në humnerat e bardha të limiteve….
Minutat e ankthit trishtueshëm trokitën
Si kuajt ballbardhë mamuzet fantazëm
Në udhë të pluhurta pa traga,.. ulëritën.
Gjysmëora helmoi portat e shpirtit,
Vrasësit anonimë nxitonin të më merrnin frymen.
Me vuajtje fantazmash pakuptim.
Tashmë e dija. Askush nuk vinte tek unë;
Sepse zbrisja shkallë që nuk ekzistonin.
Pritja është një segment hapësire
Që nis nga Lindja dhe mbaron në...Vdekje !!
BURGOSJA E DIELLIT
Për kështjella majëkodrash kemi folur,
Për mure viganë mitikë,
Jemi mburur për luftra, fitore,
Për humbje që s’i njohëm kurrë..
Për zemrat e vrara, drithërimat,
Arsyen e kalbur, pushkatimet, hata
Për zvrarritjen e jetës baltosur,
Humor kemi bërë, shaka.
Për mijëra dashuri të shkatërrura,
Të thyera kristale dritëmekur
Për rrëmbime cubash mjeranë,
Për lule të shkelura flokëgrisur
Në shtëpitë publike matanë,
Nën hije përralla kemi stisur.
Gjakmarrjen rrethuar me mure tërbimi
Përrenj lotësh kemi fshehur gjithkund
Kemi heshtur supngitur diku në një rrugë
Për vitet e varrosura, të mjera atje
Po heshtim për diej që mbyllen në burg.
Po heshtim për vitet që ikin për ne..
Për kështjella majëkodrash po flasim,
Për humbje që nuk i njohëm kurrë..
H E S H T J A
Një gisht u zgjat mbi buzët e mia
Mbi buzët e mia nga puthjet gjak
Një gisht që më pengonte fjalët
Frymën, lumturinë ma ndalonte pa shkak..
Cepi i parajsës ngjethshëm po ikte
Mbi xhama avujsh puthjesh-plotë
Një stinë e mykur pa ngjyra vinte
Me diell të ngrirë e sytë lotë.
Më thoshte se ne do ndaheshin të qetë,
Ashtu, pa britma pasionesh kushedi
Nuk vdiste kurrë dashuria e vërtetë
Dikur, diku mund të takoheshim përsëri..
Habia e qetësisë që grisej kështu,
Prej derës së hekurt që duhej të hapja,
Mrekullinë e një dhome harruar diku...
Në periferi të dëshpërimit po mbartja
E thellë plaga e ndarjes po hapej
Tragjike njohja, dashuria, gjithçka,
Zemra qe lënduar sa mund të ndalte
Dhe vdekja të mbinte papritur,.. hata!.
Vështrimin e saj dritëhëne shihja
Përcjellës, e ndjekës, tragjik, sy-lotë
Më lutej të ikja, të ikja, të ikja
Në takim me vetminë time të ftohtë,
Dhe bosh-in e kobshëm me vete e mora
Me dritë të ndezur ike edhe ti
Një një cep të pluhurosur planeti...
U ndamë pa zë, në heshtje, gjithsesi..
K L I T H M A
Për një çast, për një sprovë, për një ankth.
Nga vetvetja ika i trishtuar.
Lëkurën e unit e zhvesha me dhimbje
Dhe tej, një hap,- jo më shumë, -
Nga frika qendrova ta shihja
Këtë qenie të boshatisur në hije.
Për vete mbajta rrënkimet, dyshimet,
Gëzimet dhe lotët mbi shpinë ngarkuar.
Dashuritë e venitura, zilinë
E botës për bukuritë e ndjera,
Pasurinë, ambicjet, kujtimet, lirinë
Egoizmin po mbillja në toka të mjera..
Matanë, po vdiste një qenie pa gjak,
Po vdiste lëkura e tharë prej lëngut,
Të zemrës dhe mendjes,
Po vdiste një pjellë e llahtarshme,
E askundit, si krim i fshehur prej pengut
Po tretej ngadalë i pandëshkuar,
Aq hapur pat jetuar, aq mjeruar.
Më ligështonte figurina që përthyhej
Të shëmbej përtokë, e pluhurt anonte
Ekzistenca banale më ngjante pa vlerë,
Dilema të ikja më tej a të qëndroja .
Në të përjetshmen strehë vijonte..
Befas, befas, befas, befas,
Një zë tronditës, llahtar më thërriste
Klithma prej varrit e nënës sime gulçonte
Të rihyja në lëkurën e boshatisur të vetvetes..
Kërkonte, kërkonte..kërkonte..!
D A S H U R I A
Ti thua se fjalët e tua të janë një shfaqje dashurie,
Unë besoj se, mbi të gjitha, jemi thjeshtë të sinqertë !
Dashuria, po të jetë vërtetë e tillë e na dhemb,
Është nga të paktat kohë të bukura me stuhi,
Shtrëngata që na lagin e na mbajnë ngrohtë,
Sëmundje që nuk na shtrin në shtrat.
Dhimbje zemre që shpesh ka nevojë për vetmi!
Për "Sofra poetike": Haxhi Muhaxheri
________________
POEZITE NGA MIHALLAQ QILLERI EDHE NE KETO ADRESA:
http://sofrapoetike.blogspot.com/2011/06/cikel-poetik-nga-mihallaq-qilleri.html
http://poezishqiptare.blogspot.com/2011/06/buqete-me-poezi-nga-mihallaq-qilleri.html
http://shqiperia-poezi.blogspot.com/2011/06/mihallaq-qilleri-shqiperia.html
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Ju prezantojmë:CIKËL POETIK NGA DAN KOSUMI
» Ju prezantojmë:CIKËL POETIK NGA JETON KELMENDI
» Ju prezantojmë:CIKËL POETIK NGA ARQILE GJATA
» Ju prezantojmë:CIKËL POETIK NGA KUJTIM STOJKU
» Ju prezantojmë:CIKËL POETIK NGA SAHIT OSMANI
» Ju prezantojmë:CIKËL POETIK NGA JETON KELMENDI
» Ju prezantojmë:CIKËL POETIK NGA ARQILE GJATA
» Ju prezantojmë:CIKËL POETIK NGA KUJTIM STOJKU
» Ju prezantojmë:CIKËL POETIK NGA SAHIT OSMANI
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi