Rexhep Elezi:EKSKLUZIVE: NGA EVOKIMET E AXHËS SË PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS Z. ALI RRUSTË RUGOVA
Faqja 1 e 1

EKSKLUZIVE
Rexhep Elezi
NGA EVOKIMET E AXHËS SË PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS Z. ALI RRUSTË RUGOVA
Ali Rrustë Rugova, axha i presidentit historik të Kosovës, dr. I. Rugova
BAJRAKTARIZMI DHE KRANIHARIZMI NUK I KONTRIBUOJNË SHTETNDËRTIMIT Ë KOSOVËS..!
Ali Rrustë Rugova, u lind me 1927 në fshatin Cercë afër Istogut (tani Burim). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Prizren, ndërsa Fakultetin juridik në vitin 1964 Prishtinë. U rritë në një familje të madhe rugovase e dalluar përnga traditat kombëtare dhe atdhetarizëm, ku një pjesë të fëmijërisë e kalojë në fshatin Malaj të Rugovës kurse pjesën tjetër në Cercë. Pasi që mbarojë shkollën fillore një kohë do të qëndrojë në shtëpi, derisa në moshën 17 vjeçare do të kyçet në Brigadën e Tretë sulmuese të Shqipërisë. Asokohe familja e Rrustë Sadri Elezit numëronte 38 anëtarë, gjysma e të cilës jetonte në Rugovë dhe merrej me blegtori, ndërsa gjysma tjetër në rrafsh, përkatësisht në fshatin Cercë ku merrej me bujqësi. Kjo ndarje e familjeve në dy pjesë ishte e zakonshme për rugovasit të cilët për shkak të kushteve të vështira ekonomike që mbretëronin në trevën e Rugovës, kryesisht vend malorë dhe shkëmbor, ishin të detyruar të blejnë toka pjellore në Rrafsh të Dukagjinit për t’i siguruar më lehtë kërkesta ekzistenciale për familjet e tyre. Babgjyshi i Alisë, Sadri Elezi ishte truprojë e Haxhi Zekë Pejës si dhe pjesëmarrës i Besëlidhjes shqiptare te Verrat e Llukës me 1910, kurse me propozim e H. Zekës bashkë me familjen do të vendoset në çifligjet (pronat) e Mahmut Begollëve të Pejës në fshatin Cercë. Po ashtu, Sadri Elezi për tri vite rradhazi gjatë kohës së sundimit austro-hungarez (1914-1917) ishte kryeplak i katundit. Vendosja e kësaj familjeje nga Rugova në Rrafshin e Istogut në vitin 1905 kishte hasur në mikpritje të duhur, ndërsa babai i Alisë, Rrustë Sadria, përpos që ishte kryefamiljar, ai ishte një burrë me autoritet shumë të madh në trevën e Rugovës si dhe në Rrafshin e Dukagjinit, njëherit ai ishte edhe anëtarë i Pleqësisë për aplikimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit në Pejë me rrethinë.
Ali Rugova pranë breut të mbjellur nga nipi i tij Ibrahim Rugova
Vlllau im Osmani me nipin e babait tonë, Ali Rr. Rugova
PJESËMARRJA NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE
Lufta e Dytë Botërore më gjeti në fshatin Cercë dhe ate në moshën 14 vjeçare, thotë Aliu, dhe vazhdon: me 1941 në Kosovë hynë forcat gjermane, kur dinastia e Karagjorgjeviçëve kishte ra, për shqiptarët për herë të parë u hapën shkollat në gjuhën shqipe, pastaj në Kosovë hyri edhe ushtria e Shqipërisë, pra brigadat shqiptare në rradhët e të cilave ishte kyçur vëllau im Uka (babai i presidentit historik të Kosovës Dr. I. Rugovës, v.j.), kurse në prill te të njëjtit vit do mbahet takimi me Xhafer Devën dhe menjëherë do të fillojë formimi i ushtrisë kombëtare (me plisa të bardhë në kokë dhe shqiponjën mbi ballë-KNDSH) me qëllim për të mos i lejuar çetnikët serbë që të hyjnë në Kosovë. Pa pjesëmarrjen e babit tim, siç kanë deklaruar vetë Begollët, kjo ushtri nuk do të arritnte të formohej në rrethinën e Istogut. Pra, hyrjen e gjermanëve në Kosovë shqiptarët e kanë përjetuar si çlirim të Kosovës, edhe pse nazi-fashizmi dënohej me të madhe nga popujt tjerë të Europës, kështu për ne shqiptarët ardhja e gjermanëve na e solli lirinë, sepse për herë të parë do të na bie në dorë abetarja në gjuhën shqipe, të cilën e mora nga vëllau im Uka, dhe ky padyshim ishte gëzim i rrallë për mua dhe gjithë shqiptarët, sepse shkollën fillore katërvjeçare e kisha kryer në gjuhën dhe alfabetin çirilicë të pushtuesëve serbë. Kështu që alfabetin e gjuhës shqipe e mësova shpejtë si dhe disa vargje poezie përmendësh në gjuhën shqipe, gjë që na dha shpirt që të ndjehemi gjallë si popull si dhe të bëhëmi më optimist për të ardhmen tonë si komb i robëruar kohë të gjatë nga dinastitë serbe.
Axha i presidentit tonë historik, Ali Rrustë Rugova
SI KURIR I BRIGADËS DHE PLAGOSJA NË FRONT
Me ardhjen e Brigadës së Tretë nga Shqipëria në Kosovë, siç thash më lartë, u kyça në të si partizan, sepse Këshillat nacional-çlirimtare asokohe proklamonin se mos shkuarja jonë në brigadat sulmuese më vonë mund të na këthehëj si bumerabg, pra mund të cilësoheshim si përkrahës të nazizmit, gjë që për rrethanat e atëherëshme ishte akuzë e rëndë për shqiptarët. Pra, në mënyrë decidive na thonin se nëse ngriteni kundër nazizmit dhe çetnikëve serbë Kosova pas luftës do t’i bashkohet Shqipërisë. Kështu që me 15 tetor 1944, u kyça në arradhat partizane të Shqipërisë dhe jo në brigadat komuniste te shkijeve të cilat vepronin në Istog. Menjëherë na dërguan në luftën e Sanxhakut, për arsyen se Sanxhaku ishte pjesë e vilajetit të Kosovës. Lufta atje zhvillohej në malet e Jadovnikut, ku ushtria gjermane pas një kohe do të tërhiqet, kurse neve na doli punë shumë e madhe me çetnikët serbë, ku zumë robë 5 sish, e që u dëshmua se kishin marrë pjesë në masakrat ndaj muslimanëve të Sanxhakut me urdhër të komandantit Pavle Gjurishiçit dhe Drazha Mihajlloviçit që kishin masakruar këtë popull që nga viti 1942. Me rastin e çlirimit të Vishegradit me 22 dhjetor 1944 jam plagosur në front (në këmbë) nga çetnikët të cilët gjuanin me granata në drejtim të shtabit të brigadës sonë. Familjes sime i kishte shkuar lajmi se jam vrarë. Nga fronti me 2 janar 1945 u kthyem në Sjenicë, ndërsa me 25 prill arritëm në Kosovë, disa u ndalën në Mitrovicë, dikush në Skenderaj dhe disa nga ne në Istog. Me këtë rast duhet cekur faktin se ushtarët shqiptarë të Shaban Polluzhës të cilët gjindeshin në mal na u dorëzuan neve, kështu që falë ndihmës sonë të gjithë i shpëtuan likuidimit dhe vrasjes. Pjesa tjetër e brigadave me 30 maj 1945 kaluan në Maqedoni ku siguronin terenin e Manastirit, Bitolit dhe Dibrës, ndërsa me 31 dhjetor 1946 brigadat shqiptare u tërhoqën për në Shqipëri. Meqënëse gjatë tërë kohës isha kurir pranë shtabit të brigadës, ndërsa komesari i Brigadës ishte z. Osaman Sinani, major me gradë, më kujtohet kur me një rast më thirri në shtab dhe më tha: “Ne do të tërhiqemi për në Shqipëri, ndërsa ju po mbeteni në Kosovë” (nuk e përmendi Jugosllavinë) dhe duke qajtur me lotë për faqe më dha këtë këshillë: “kur të ktheheni në vendbanimet tuaja bëni çmos që t’i shkolloni fëmijtë, sepse Kosova nuk do të çlirohet kurrë pa shkollimin e bijëve të saj, dhe për këtë qëllim shitni edhe tokat. Keni kujdesë, sepse kur të ktheheni në Kosovë keni me has në vështirësi të shumta në ndërtimin e shoqërisë. Ne shqiptarët në çdo kohë drithin mund ta prodhojmë, mund të ndërtojmë edhe fabrika, por nëse e humbni besimin e popullit, kurrë më votën e tij nuk do ta fitoni..!”
Ali Rrustë Rugova, axha i presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova
Unë dhe vëllau me axhën e presidentit Ali Rr. Rugova
Me largimin e brigadave të Shqipërisë ne u kthyem në Kosovë, për të na shpërndarë më pastaj nëpër brigadat serbo-malazeze. Për fat të keq mua më caktuan në brigadën më famkeqe malazeze, e ashtuquajtur “Brigada e Bokelit” e cila, siç dihet, kishte vrarë dhe masakruar me qindra shqiptarë, pleq, fëmijë dhe burra vetëm se kishin marrë pjesë në kryengritjen e Shaban Polluzhës. Komandant i kësaj brigade ishte çetniku Radovan Razhnjatoviç nga Andrijevica. Më kujtohet kur më thirri në shtab dhe më pyeti: a je ti nga familja e Sadri Elezëve? Po, i thash. Pastaj ai vazhdoi; çka e ke Xhemë Sadrinë? Ai ishte vëllau i babait tim (është vrarë nga çetnikët me 21 korrik 1941), iu përgjigja. Më tha; axha juaj ka marrë pjesë në “masakrat e Velikës, Zhanicës dhe Shekullarit të kryera nga shqiptarët ndaj malazezëve”, prandaj, ti nuk mundësh me qenë anëtar i partisë dhe as nuk mund të mbash grada ushtarake..! Menjëherë pas kësaj bisede më përjashtuan nga partia dhe m’i hoqën gradat ushtarake të luftës, kështu që me 25 prill 1947 më demobilizuan dhe pastaj u ktheva në shtëpi. Derisa isha në Sjencië në brigadat shqiptare, çetnikët serbë të Istogut bashkë me UDB-në m’i vranë dhe likuiduan pa gjurmë babain (Rrustin) dhe vëllaun Ukën, pra babain e nipit tim Ibrahimit. Lajmin për likuidimin e tyre ma ka komunikuar Ramë Vërbaj nga Istogu i poshtëm të cilin e përjetova shumë rëndë. Menjëherë shkova në shtab, aty gjeta Ramiz Alinë, ishte sekretar i Divizionit të pestë, ku nga komesari (Osman Sinani) kërkova të kthehëm në Kosovë, mirëpo në bisedë u kyç R. Alia i cili m’u drejtua me fjalët: “mos u kthe, se atje (në Kosovë) është gjendje lufte, se edhe ne do të kthehemi pas pak kohe. Mos u befaso për vrasjen e babait dhe të vëllaut, ngase siç më ka folur shoku Osman ju jeni familje atdhetare dhe e ndershme”. Në vazhdim R. Alia shtoi: “Marshall Tita gabimin më të madh e ka bërë në mbledhjen e fundit të AVNOJ-it në tetor 1944, kur bëri amnestimin e çetnikëve serbë, të cilët e zbatonin Memorandumin e Çubrilloviçit, sepse po të njëjtit çetnikë më pas u shpërndan nëpër komandat e vendit, në OZN-a, UDB-të, etj, të cilët vranë dhe likuiduan shumë shqiptarë duke ia lënë fajin për këtë partisë.
Unë me Ali Rr. Rugovën, Cerrcë, 2009
KUJDESI NDAJ FAMILJES, KUNATËS DHE NIPIT IBRAHIMIT
Me shpirt të thyer dhe zemër të plast u ktheva në shtëpi, ngase aty nuk e gjeta më babain dhe vëllaun të cilët çetnikët serbë i kishin likuiduar mizorisht, kështu që mbeta vetëm me nënën Shake, kunatën Sofën, dhe nipin Ibrahimin 3 vjeçar në gjendje shumë të vështirë ekonomike, sepse në ndërkohë tërë pasurinë na e kishte konfiskuar pushteti sllavokomunist në Istog. Meqënse vëllau im Uka m’a kishte fejuar një vajzë nga fshati Lubozhdë, në vitin 1948 u martova, menjëherë më lindi një djalë, por pas tre muajve më vdiç, pastaj më lindi vajza e cila poashtu pas 18 muajve do vdes, sikurse që pas 6 muajve do më vdes edhe bashkshortja. Pra, serish ngela vetëm me nënën, kunatën dhe nipin në një shtepi të vjetër prej guri. Më vonë u martova serish dhe më gruan e dytë më lindën dy vajza dhe gjashtë djem. Në këtë periudhë bukën e gojës për familjen e siguroja si nënpunës në Istog. Për hirë të lexuesëve po ceku se vëllau im Uka ishte një djalë shumë i pashëm, i zgjuar si dhe shumë inteligjent. Pasi që kreu shkollën fillore, shkoi në Zagreb ku kreu kursin ushtarak të nënoficerëve për 6 muaj, pastaj në ndërkohë u muar me tregti si dhe punë ndërtimore, etj. Meqë ishte talent i rrallë Uka qysh në vitin 1941 kishte siguruar dy fjalorë; ate shqip-italisht dhe serbisht-gjermanisht, ku për një kohë të shkurtër do e mësojë gjermanishtën dhe italishten, për të punuar më pas si përkthyes i oficerëve italiano-gjermanë. Pasi që kriminelët serbë e kishin marrë babain tonë Rrustin në Kullë të Popit (kampi më famkeq në rrethinën e Istogut, v.j.), Uka një ditë shkon për t’i çuar bukë, ca rroba dhe duhan, mirëpo ate poashtu e burgosin dhe pas dy ditëve e likuidojnë para babait (ishte në një dhomë me të). Para se ta vrisnin, çetnikët e pyesin babain se ku e ke djalin, Ukën?! Ai iu thotë; këtë ju e dini më mirë, ore katila!
Pas likuidimit të vëllaut, pastaj edhe të babait tim Rrustit, ajo që më ka tronditur edhe më shumë rreth vrasjes së tyre ishte rasti, kur nëna ime Shakja bashkë me gruan e dajës Xhemë (Sadrisë) shkonin në Llugë të xhamisë, vendi ku ishin masakruar shumë shqiptarë, për t’i kërkuar trupin e burrit dhe të djalit në mesin e 75 kufomave, ose së paku për të gjetur dhe identifikuar ndonjë shenjë të rrobave të tyre, mirëpo aty nuk gjenim asgjë! Me këtë rast dëshiroj t’i përkujtoj lotët dhe dhimbjet e mëdha të nënës sime, e cila derisa ishte gjallë gjithnjë më thoshte; dyshoj shumë oj loke, se Ukën m’a kanë vrarë udhheqësit e komitetit partiak të Istogut (?!) Në kohën kur OZN-a e mori babain dhe vëllaun, komandant i saj për Istog ishte çetniku Dushan Popoviç nga Shekullari (Mal i Zi), i cili pas 8 viteve u shakrkua nga detyra e komandantit si dhe nga partia, sepse ishte zbuluar se kishte qenë komandant i batalionit çetnik të Pavel Gjurishiçit, që kishin bërë masakra mbi popullatën muslimane të Bosnjës në vitin 1942. Më kujtohet si sot kur me një rast e kanë pyetur Titon pas luftës; se cili ishte momenti më i vështirë që kishte përjetuar gjatë LDB-së? Ai ishte përgjigjur: “kur i kam parë se si mbi lumin Drina lundronin me qindra kufoma të muslimanëve të vrarë nga Bosnja..”(?!) Më vonë, me rastin e gjykimit të D. Popoviçit, një shka i Pejës, duke më njohur se jam djali i Rrustit dhe vëllau i Ukës së likuiduar me 1945, për t’ia rënduar aktakuzën për krimet e tij të bëra ndaj shqiptarëve më tha që është mirë të shkojë dhe dëshmoj edhe unë para gjyqit. Ky kriminel u dënua me 8 vjet burgim, gjatë së cilës kohë edhe është çmendur.
Më vonë edhe Dushko Ristiçi, komandant i UDB-së në Istog me 1952 më therrët në zyrën e tij dhe më thotë: “Ti je ai që në një odë ke deklaruar se ka me ardhur koha që eshtrat e babait dhe vëllaut tim kanë me e ndriçuar Kosovën..” Kur i thash se a ke dëshmi për këtë, ai m’u përgjigj: po, kam dëshmi me shkrim të cilën ma kanë dhënë njerëzit tuaj..(!?) Në fund të bisedës më ra shuplakë në fytyrë duke britur me zë; kemi gabuar që nuk të kemi likuiduar edhe ty atëherë sikur babain dhe vëllaun tënd..!
Familja e rugovëve, siç është quajtur nga banorët e fshatit Cercë, gjithherë nga ana e shkijeve është cilësuar si familje nacionaliste dhe për këtë shkak ka qenë therrë në sytë e pushtetit okupues serb, të cilës me 1945 do ia likuidojnë pesë burrat më të spikatur të saj në krye me Rrustë Sadrinë. Andaj, me rastin e dhënjës së provimit pranues pranë shkollës së lartë juridike në Gjakovë, në të cilën regjistroheshin kuadra partiake që nuk i kishin kualifikimet e duhura, evokon mëtej Aliu, pasi që dhash provimin pranues më hoqën nga lista e regjistrimit me pretekstin se nuk duhet shkolluar të birin e ballistit (fjala është për babain tim Rrustin), siç ka ndodhur me mua edhe me rastin e zgjedhjes së Kryeshefit për administratë të përgjithshme pranë komunës sonë, për të cilin vend konkurova ngase i plotësoja kushtet e parapara me ligj. Pasi që tri herë rradhazi u përseritën votimet për shkak se delegatët e Kuvendit tri herë m’i dhanë votat me shumicë, e që më në fund u zgjodha në këtë detyrë, sekretari i atëhershëm i Komitetit partiak (shqiptar) deklaroi më zë para delegtëve: “pasi që sot zgjodhët Ali Rugovën për kryeshef të Administratës së përgjithshme komunale, atëherë është dashur që sot ta zgjidhni edhe Rrustë Rugovën për kryetar të komunës....”(No coment !, v.j.)
Nga e majta: unë, Ali Rr. Rugova dhe axha im Hasan Elezaj
Lapidari i dëshmorëve në Rakosh afër Istogut, foto gusht 1999
PERIUDHA MË E ZEZË E KOSOVËS GJATË KOHËS SË RANKOVIÇIT
Siç dihet, Kosova dhe populli shqiptar në vitet 1956-1966 kishin hyrë në periudhën më të vështirë të historisë së saj, jo vetëm për arsyen se ajo ngeli nën thundrën e rëndë sllavokomuniste, por më shumë për shkakun se fashizoizmi serbomadh po zbatonte me të madhe elaboratin e V. Çubrilloviçit për sllavizimin e saj. Në krye të kësaj politike antishqiptare dhe gjenocidi ishte vënë krimineli dhe kryeçetniku Aleksandar Rankoviç. Në këtë zjarr që po digjte Kosovën, edhe komuna e Istogut nuk do t’i shpëtojë flakës së tij, duke përjetuar masakra, dhunë, terror, tmerr dhe çdo të keqe tjetër që popullit shqiptar të kësaj ane do t’i shkaktoi shumë viktima, dhimbje dhe tmerre kolektive dhe individuale. Masat e politikës ç’farosëse të Beogradit në Kosovë ndaj popullit shqiptar në krye me gjakpirësin A. Rankoviç, e goditën rëndë qenjën tonë kombëtare në çdo aspekt të jetës, dhe këtij skenari nuk i shpëtojë as komuna jonë me rrethinë, thotë në vazhdim të evokimeve të tij z. Ali Rugova. Andaj, në kuadër të punës dhe aktivitetit tim politik dhe administrativ, qëkur fillova të punoj në këtë komunë, pandërprerë jemi ballafaquar me politikën shoviniste serbe në format dhe masën më kriminale, duke u nisur nga shkeljet e të drejtave politike, kombëtare dhe deri te diskriminimet ekonomike, sociale dhe kulturore. Në punën time shumëvjeçare gjatë kësaj periudhe anazhimi im ishte gjithnjë nën kontroll të rreptë të organeve partiake dhe policore të regjimit serb. Gjithë mundin dhe dëshirat tona për ta çuar përpara popullin shqiptar ishin në këtë periudhë të parealizueshme, sepse çetnikët e Lugut të Istogut (të dalluar në Kosovë përnga egerësia e tyre shoviniste dhe antishqiptare, v.j.) të ndihmuar nga organet në pushtet, rrënonin çdo aktivitet tonë, sado i vogël, e që duhej ta ndihmonte zhvillimin e komunës sonë. Gjatë kësaj kohe me qindra burra dhe atdhetarë shqiptarë u burgosën, rrahën, u vranë dhe u dëbuan me dhunë jashtë Kosovës.
Zullumin dhe vuajtjet më të mëdha që ua kanë sjellur shqiptarëve në komunën tonë ishin, pra, çetnikët serbë nga Lugu i shkijëve si ata të familjes së Rad Vuliçiçit, të Miliç Kërstës, të Çirkoviçëve, ata prej Mojstirit, Ashanët nga Gurrakoci (ish Gjyrakoci), të Ars Popoviçit nga Llukfci i Begut, Gal Terziçit nga Lubozhda, kabilja e Kostë Vojvodës-Peçanac, etj, etj. Nga kjo del se komuna e Istogut ishte nën masat më të tmerrshme të politikës antishqiptare të pushtetit gjakpirës serb në Kosovë.
Duhet theksuar se derisa isha në detyrë të Kryeshifit, kurrë nuk kam mundur nga pengesat që m’i vënin shkijet t’i vëja në jetë dispozitat ligjore të Kushtetutës së Kosovës të vitit 1974, sepse sikur t’i zbatoje ato dispozita serbët menjëherë të cilësonin si nacionalist, meqënëse siç dihet dominuese në Kosovë ishte politika e nacionalshovinizmit serbomadh e ndihmuar nga Komiteti partiak i komunës, krahinës dhe ai federativ. P.sh. rasti më konkret ka qenë ndërtimi i objekteve fetare, gjë që ishte e garantuar me ligj, por që politika zyrtare nuk na lejonte që të lëshonim lejen për ndërtimin e tyre. Për shkak se unë e lëshova lejen për rindërtimin e xhamisë së vjetëruar në Istog, më shkarkuan nga detyra e kryeshfit, dhe kjo fletë qartë për vështirësitë e mëdha që kam patur në punë derisa isha në këtë funksion. Gjithashtu, kam patur vështirësi të mëdha edhe nga ana e bashkëpuntorëve (shpiunëve) të pushtetit, të cilët për interesa të veta u sjellnin dëmë shqiptarëve të cilët nuk pajtoheshin me masat e regjimit okupues serb në Kosovë. Pra, unë e kisha dhënë lejen për rindërtimin e xhamisë në Istog (245 vjet e vjetër), e cila ligjërisht duhej të ruhej dhe të hynte nën mbrojtjen e monumenteve historike, në vend të cilës disa njerëz donin ta ndërtonin hotelin e peshqëve, gjë që për mos shfuqizimin e vendimit për rindërtim e saj më së shumti më ka ndihmuar z. Asllan Fazlia, i cili në ate kohë ishte në funksione të larta shtetrore dhe partiake, i cili e kishte vlerësuar vendimin tim si legjitim dhe me vend.
Më këtë rast dëshiroj të ceku dëshminë e z. Ibish Osdautaj nga Isniqi (nip i ynë), se si Rexhep Sylën e kishin pyetur disa “sigurimca” ; se pse po e përkrahni kaq shumë Ali Rugovën? Pra, kjo nënkuptonte se edhe pse isha në detyrë të Kryeshefit në komunë, gjithnjë kam qenë i përcjellur nga organet e sigurimit shtetror. Në anën tjetër dëshiroj t’i përmendi, poashtu ato familje shqiptare dhe persona të cilët, pranë vuajtjeve të shumta dhe diskriminimeve të rënda politike dhe shoqërore që kanë përjetuar nga organet policore, me rrezistencën dhe punën e tyre të madhe atdhetare kanë dhënë kontribut të madh në luftën tonë për t’u çliruar nga zgjedha e rëndë e pushtuesëve serbë. Në këtë front janë dalluar posaçërisht familja e Sadik Rexhëve nga Istogu, ajo e Ibrahimajve nga Shushica, Rexhë Qerimëve nga Vrella, familja e Sadri Zeçirajve nga Studenica, e Isa Rexhës, Adem Rexhës nga Cërca, e Bak Hakut dhe Bardh Isufit (Maksutaj) nga Orrobërda, familja e Xhemë Halitit (Elshanëve) nga Saradrani, ajo e Duç Alisë (Mehmetaj) nga Zabllaçi, ajo e Halil dhe Osë Dautaj nga Kaliqani, e Abdyrrahim Gashit-Mulla Sadrisë, e Col Bajraktarit dhe ajo e Ramë Alisë, të gjitha nga Uça, familja e Ali Lajçit nga Lubozhda, e Januz Shabanit nga Cerkolezi, etj, etj. Pra, fjala është për familje të cilat nuk janë përkulur kurrë para armikut. Ndërsa, me individët që kam bashkëpunuar ngushtë gjatë kësaj periudhe më duhet ta veçojë dajën tim Tahir Rexhën Elezaj (babai i autorit të këtij shkrimi) nga fshati Saradran, përkatësisht nga fshati Haxhaj i Rugovës, i cili gjatë periudhës dhjetvjeçare të kohës së Ranoviçit, përpos se ka mbajtur qëndrim dinjitoz dhe shumë patriotik, ai gjithnjë ishte në thumb të organizatave politike dhe policore, i përjashtuar nga Lidhja socialiste si dhe i përndjekur nga bashkëpuntorët e UDB-së, i rrahur dhe i persekutur disa herë nga udbashi serb Stanisllav Todoroviçi në Pejë, i akuzuar edhe si diverzionisti më i madh shqiptar kundër politikës serbe në Kosovë, etj. Meqë ai ishte njeri shumë i zgjuar dhe e njihte mirë politikën e shkijeve, i guximshëm dhe shumë vizionar që ishte, këshillat që m’i jipte gjithmonë më kanë shërbyer dhe i kam zbatuar në jetën dhe punën time. Pastaj, është dalluar z. Idriz Daut Balaj, i cili gjithherë më këshillonte, pra me punën dhe angazhimin e tij ka kontribuar në zgjidhjen e shumë problemeve që e preokuponin popullatën shqipatre në komunën tonë me rrethinë. Ky ishte edhe anëtar i Islihatit për ruajtjen e të drejtave zakonore në mjedisin shqiptar. Z. Adem Sejdi Rexhaj dhe Asllan Bekë Rexhepi nga fshati Cërcë gjithmonë më rrinin pranë duke më përkrahur dhe ndihmuar në zgjidhjen e shumë problemeve, sidomos atyre që kishin të bënin me presionet që familjes tonë i bëhëshin nga organet e policisë, siç ishte çështja e pronës private, uzurpimit të tyre, etj, duke ua tërhjekur vërejtjen të ashtuquajturave “Këshilla të fshatit” për të mos ia uzurpuar tokat familjes sonë, etj. Më pas z. Fetah Bardhec Ibrahimaj dhe Sylë Alia nga fshati Shushicë, i cili (ky i fundit) në moshën 95 vjeçare me rastin e zgjedheve të para lokale në Kosovë haptazi pati deklaruar: “edhe po të isha në varr, votën do t’ia jipja Ibrahim Rugovës”. Z. Qerim Kelmendi nga fshati Dubravë si dhe shumë e shumë të tjerë të cilët tani nuk po më kujtohën.
Mijëra shqiptarë drejt masakrës së Tivarit, 1944
Ushtarë të Ali Pashë Gucisë dhe Haxhi Zekë Pejës
NDJEHËM I LUMTUR DHE KRENAR QË NDIHMOVA RRITËN E PRESIDENTIT TË PARË TË KOSOVËS
Siç ceka më lartë, vëllaun tim Ukën ma likuiduan në lulën e rinisë (28 vjeçar) çetnikët serbë, i cili pas tij la djalin një muajsh në djep, pra Ibrahimin, që do të rritet jetim i pa babë, e që mua si axhë i tij më mbeti obligim moral dhe familjar që të kujdesëm për rritën dhe shkollimin e tij. Bëra gjithë ate që munda që Ibrahimi të shkollohej, në mënyrë që vet ta zgjedhë dhe ndërtojë të ardhmen e tij. Gjyshja e tij Shakja dhe nëna Sofa dëshironin që nipin, gjegjësisht djalin Ibrahimin ta mbanin në shtepi, sepse siç thonin ato, poçëse shkollohet do ta vrasin si gjyshin Rrustin dhe babanë e tij Ukën! Me këtë, natyrisht, unë nuk mund të pajtohesha, prandaj dhe e ndihmova që të shkollohet. Gjatë kohës sa shkonte në shkollë kur i jipja të hollat për të blerë veshmbathje, në vend se të blente rroba të shtrenjta, ai i blente ato më të thjeshtat dhe me paratë e mbetura blente libra. Kam bërë disa herë përpjekje që t’i siguroj ndonjë bursë për shkollim, por nuk ia arrija, sepse më thonin se neve (fjala ësjtë për organet arsimore të asaj kohe, v.j.) nuk i japim bursë birit të nacionalistit. Në një manifestim kulturor të mbajtur asokohe në komunën tonë, gara në letërsi, Ibrahimi qysh si nxënës tregoi talent të rrallë që i mahniti të pranishmit, gjë kjo që kryetarin e atëhershëm të komunës z. Sadri Kabashi e shtyri që t’i jap një shpërblim prej 3 mijë dinarësh të atëhershëm. Kurse nëna e tij Sofa, kunata ime, e cila mbeti pa burrin pas vetëm tri viteve marrtesë, ajo nuk u marrtua kurrë më, duke e sakrifikuar vetën vetëm për ta rritur djalin, duke vepruar ashtu siç dijnë të bëjnë vetëm nënat shqiptare. Prandaj, sot pas më shumë se pesëdhjet viteve ndjehëm shumë i lumtur dhe krenar që kujdesi im për nipin dhe kunatën, do të rezultojë që familja jonë, ose siç na quajnë ndryshe në fshatin tonë, familja e rugovëve, Kosovës dhe popullit shqiptar t’i jap njeriun i cili historisë sonë kombëtare i ndërrojë kahjen, jo vetëm si kryetar dhe liderë i parë politik i shqiptarëve të Kosovës, por edhe si intelektual, humanist, politikan dhe figurë e shquar e kombit shqiptar. E them edhe njëherë me plotë sinçeritet, se si axhë i Ibrahimit, e që asokohe nuk e dija se nipi im do të jetë presidenti i parë dhe legjitim i Kosovës së lirë, ndjehëm krenar e ndoshta edhe i privilegjar që pata fatin ta ndihmojë dhe mbështes në jetën e tij intelektuale dhe politike.
Autori me presidentin historik dr. I. Rugova
Presidenti me admirim të veçantë shikonte këtë instrument popullor rugovas
Vlenë të theksohet se nga familja jonë gjatë viteve 1941-45 kriminelët serbë vranë tre axhallarët e mi, pastaj babain me vëllaun, e po ashtu edhe gjatë luftës së fundit 1998-99 nga familja jonë për çlirimin e Kosovës ranë 8 dëshmorë, nga të cilët dy u masakruan rëndë, Imer Ibish Rugova me gruan Mihanën, Kadria u vra bashkë me motrën, ndërsa Fatimja dhe bija jonë Shkurta bashkë me vajzën e palevizëshme u dogjën në zjarr...!
Një tanks serb i shkatërruar në Lugun e shkijeve afër Istogut
Poashtu, edhe në demonstratat e 81-shës djemt tonë kanë marrë pjesë. Dhe, sa i përket asaj mbledhjes së kryesisë së shoqatës së luftëtarëve, e mbajtur në Istog diku në vitin 1989, në të cilën merrja pjesë edhe unë, e cila në rend dite kishte “nacionalizmin shqiptar” , diskutova lidhur me rendin e ditës, ku me ate rast decidivisht pata deklaruar: “është prezent nacionalizmi shqiptar, por nëpër oda dhe çajtore, etj, ndërsa nacionalizmi serb është prezent në institucione, kulturë dhe organe shtetrore. Shikoni se si serbët po e vizitojnë varrin e Miliç Kërstës, tek kisha në Istog !?” Për hirë të vertetës dhe lexuesëve tanë, sot pas kaq shumë vitesh më duhet ta them me keqardhje se deklaratën time e kishte cunguar dhe keqpërdorur qëllimisht gazetari serb i Jedinstvos Aca Llukiç, e që në opinionin shqiptar doli se unë, gjoja e kisha dënuar nacioanlizmin shqiptar, gjë që nuk ka qenë kurrë e vertetë. Prandaj, këtë manipulim serb e kam demantuar menjëherë publikisht në mjetët e atëhershme të informimit. Kështu që vertetësia e deklaratës sime mund të shihet edhe sot e kësaj dite në procesverbalin e mbajtur nga kjo mbledhje nga z. Rrustem Llapi.
Si pjesëmarrës i LDB pranë brigadave shqiptare, e kam përkrahur Rezolutën e Bunjajt, e cila parashihte që pas përfundimit të luftës Kosova do t’i bashkohet Shqipërisë, gjë që më pas, siç dihet u tradhtuam keq nga komunistët serbë dhe ata shqiptarë. Ndërsa, çlirimin e Kosovës me 12 qershor 1999 e kam përjetuar si gjënë më të shtrejtë në jetën time përplotë me vuajtje dhe mundime, ku falë rrezistencës sonë, luftës dhe politikës së urtë dhe largpamëse që solli deri te intervenimi i NATO-s në Kosovë, u arrit liria të cilën e kemi ëdërruar shumë gjatë, por të cilën mjerisht pas përfundimit të luftës e kanë përcjellë përçarje politike, bile edhe brenda vetë UÇK-së. Pra, më ka brengosur pa masë çështja, se si pas vitit 1999 partitë e dala nga lufta u lidhën me socialistët e Shqipërisë, të cilat parti, pra fjala është gjithnjë për partitë e majta, e kanë ndarë Kosovën në tri regjione: Llap, Drenicë dhe Dukagjin, kështu që është krijuar një lloj bajraktarizmi i llojit të vetë, dhe kjo e ka dëmtuar rëndë procesin e pavarësisë së Kosovës. Unë, personalisht gjatë gjithë jetës sime kam bërë përpjekje që si popull ta ndërtojmë dhe kemi vetëm partinë e unitetit kombëtar, partinë që na bashkon dhe çon përpara, pra thënë figurativisht “partia e razillëkut”, e tolerancës, e bashkëpunimit dhe mirëqenjës sonë njerëzore dhe kombëtare. Plagët tona shekullore si dhe lëndimet shpirtërore që i bartim me vete si njërëz dhe si qënje njerëzore dhe kolektive, bile edhe si kombi më i lashtë në Europë, do të na i shëronte pavarësimi i Kosovës si dhe bashkimi ynë kombëtar si fazë përmbyllëse e aspiratave tona për liri, barazi dhe sovranitet të plotë mbi trojet tona shekullore.
Në fund, z. Ali Rr. Rugova, e falenderuam për kontributin e madh që dha me këtë rast, duke na ofruar pjesë shumë të vlefshme nga puna dhe angazhimi i tij shumëvjeçar politik dhe kombëtar në rrethana shumë të vështira, siç ishin ato të okupimit klasik të Kosovës nga regjimet fashizoide të serbosllavisë.
Nga e majta; vëllau im Imeri, Ali Rugova dhe unë
Fotot dhe teksti: Rexhep ELEZI
Nga e majta: vëllau im Imeri, Ali Rugova dhe unë, Cerrcë 2009

Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Shtatorja gjigante e Presidentit historik dr.Ibrahim Rugova
» Zbulohet busti i presidentit historik Ibrahim Rugova
» Mesazh Historik i Presidentit Rugova për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit
» Zbulohet shtatorja e presidentit historik Ibrahim Rugova (VIDEO)
» I jemi mirënjohës përjetësisht presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi