Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ndue Dedaj:TAKIMI I PARË, ME GJEÇOVIN

Shko poshtë

Ndue Dedaj:TAKIMI I PARË, ME GJEÇOVIN Empty Ndue Dedaj:TAKIMI I PARË, ME GJEÇOVIN

Mesazh nga Agim Gashi Sun Aug 28, 2011 10:43 am

Ndue Dedaj

TAKIMI I PARË, ME GJEÇOVIN

Ndue Dedaj:TAKIMI I PARË, ME GJEÇOVIN U1_AteShtjefenGjecovi.jpeg.scaled500
Kushdo që vete në Zym, e para gjë që bën, pyet se ku prehet Shtjefën Gjeçovi. Nuk bëjmë përjashtim as ne. Dhe, fati ka dashur që të hasim në udhërrëfyesit e duhur. Gazetari i njohur Frrok Kristaj e studiuesi i historisë, Nikollë Kërhanaj, njerëzit që na shoqërojnë në “takimin” me Gjeçovin, na e rrëfejnë vrasjen e tij nga serbët si të ketë ndodhur dje, edhe pse kanë kaluar 80 vjet nga ai 14 tetor i 1929-s, e ata as që kishin lindur asokohe. Por detajet e asaj vrasjeje i “mbajnë mend” mirë prej prindërve të tyre dhe kujtesës së historisë. Kjo ka qenë natyra e komunikimit në malet shqiptare, mot-motesh, përmes këngëve, rrëfimit të historive, ngjarjeve, që më shumë shtegtonin gojë më gojë, se me përmes letrës së bardhë. Gjeçovi dijetar e hero prehet brenda rrënojave të kishës së Shna Premtes. Po aty, ngjitur me shkrimtarin e Kanunit, është dhe varri i një tjetër atdhetari, At Luigj Palajt, rënë me 1913, dhe ai si një dëshmor i kombit. Kosova është i vetmi vend i Ballkanit, ku mund të flitet për heronj, si në vitet e para të shekullit XX, si në vitet e fundit të atij shekulli, kur dihet që ajo u çlirua më 1999, në vitin e parafundit të tij. Dikush e paskësh quajtur “varrezë kombëtare” këtë të Zymit, pasi këtu prehet dhe shkrimtari i madh Anton Pashku, aktorja e famshme Katarina Josifi, sopranoja e njohur Hermina Leka etj. Por dhe dy varre “interesante”, që u përkasin dy motrave të nderit (murgeshave) Marie dhe Dila Nerjovaj, nga Lugishta e Hasit. Kur popullata e atij katundi kaloi në besimin islam më 1852, ato të dyja lanë amanet që, kur të vdisnin, t’i sillnin në Shëngjergj, dhe ashtu ngjau. Nuk është aspak çudi që trazime apo rrethana të historisë sonë i gjen dhe në varreza, si “palimpseste” që mund t’ua rrokësh domethënien, për të kuptuar dhe më thellë ngjarjet që kanë ndodhur, edhe ato “rreshta” që mund të mungojnë në manualet e historisë.

Në Zym prej 40 vjetësh organizohen “Takimet e Gjeçovit”, bash prej këtyre njerëzve që kemi në krah si udhërrëfyes. Në fillim bëheshin te Lisat e Shna Premtes, pastaj te Lteri aty pranë dhe së fundi në amfiteatrin e ri. Ato janë manifestime të përvitshme shpirtërore, letrare, artistike. Gjithnjë brenda atyre “takimeve” ka vend për “Orën e Anton Pashkut”, ku kumtohet për shkrimtarin dhe veprën e tij. Takimet ndiqen nga banorët dhe elita kulturore shqiptare e Prishtinës, Ulqinit, Shkupit, tash dhe nga Shqipëria. Në tetor të këtij viti do të jetë i 40-i “Takim” kulturor mbarëkombëtar me Gjeçovin dhe Frrok Kristaj, ashtu si para dyzet vjetësh, është sërish prijetar i kësaj veprimtaria shembullore.

“ABETARJA E ZYMIT” E VITIT 1900

Zymi krenohet me të drejtë me abetaren e tij shqipe qysh më 1900-ën, e cila sipas Nikollë Kërhanajt besohet se u shaptilografua në mjediset e kishës së Zymit. Ky lokalitet e niste shekullin e ri, atë të njëzetë, me një monument vetanak të dijes. Mund të jetë ndër rastet e rralla, jo vetëm në botën shqiptare, kur një lokalitet ka abetaren e vet. Por kur mediton mbi udhën e shkronjave shqipe nëpër kreshta malesh, e kupton se aty ku kishte pasur Pjetër Bogdan në shekullin e 17-të, pse të mos kishte “Abetare të Zymit” dy shekuj më vonë. Ndërkohë që shkolla e parë aty kishte qenë hapur qysh në vitin 1864. Abetarja e Zymit është e skalitur në gur dhe një fotografi aty është një kujtim domethënës për çdo shqiptar. Simbolika kombëtare zotëron kudo në Zym, pasi aty është ruajtur aq mirë palca e identitetit tonë. Mjafton të shohësh qoftë dhe lterin e kishës së Shna Premtes, i cili përpos se objekt kulti, paraqet një shqiponjë, një libër dhe një shtyllë, kjo e fundit në kuptimin e qëndresës. Udhërrëfyesit tanë s’reshtin së foluri. Ata na prijnë për te një tjetër shenjë kulturore e identitetit të këtij vendi e këtyre njerëzve. Një lapidar mes blerimit kushtuar atyre zymjanëve që në dekadën e fundit të shekullit XX (1991-1999), përsëritën historinë; kur serbët i dëbuan nga shkolla mësuesit dhe nxënësit, domethënë nga “abetarja” e tyre shqipe, ata hapën dyert e shtëpive të tyre për të mësuar fëmijët, i bënë shkolla. “Ka qenë ish-Presidenti Fatmir Sejdiu që e ka përuruar këtë lapidar”, - shton njëri nga ata.

Hasin, kufiri e ndan në dy pjesë thuajse të barabarta, pjesa e Kosovës: 241 km katrorë me 40 mijë banorë dhe pjesë e Shqipërisë: 243 km katrorë me 21 mijë banorë. Tani pak rëndësi ka kjo e dhënë, por dje ishte ndryshe. I binte që një krahinë e tërë shqiptare, nga më të njohurat, të ishte e përgjysmuar me Serbinë. Por dhe pse shteti serb kishte në administrim territorin, ne kishim aty një nga gurët e themelit të kombëtarisë sonë. Përmendet se disa zymjanë kishin marrë pjesë në Betejën e Kosovës (1389). Një ndër gjashtë hipotezat mbi origjinën e Skënderbeut, thotë se ai ishte nga Hasi i Thatë, teksa ishin mirëfilli prej këndej: Pal Hasi, dinastia Bogdani (Ndre, Pjetër, Gjon e Lukë Bogdani), apo ku shërbyen Mëhill Suma, Lazër Lumëzi, Ndue Bytyçi etj. Ndër më të shquarit kishte qenë ipeshkvi dhe shkrimtari nga Gjakova, Gjon Nikollë Kazazi që kishte zbuluar në Romë “Mesharin” e Buzukut. Në Zym të Hasit, për gjysmë shekulli (1702-1752), ka qenë strehuar, për shkak të përndjekjeve osmane, Ipeshkvia Shkup-Prizren. Na thonë se në Kuvendin e Arbërit (më 1703) në Mërçi të Lezhës, bashkë me Ipeshkvin Pjetër Karagiqi, patën marrë pjesë dhe dy zymjanë.

Zymi është quajtur “Roma e Vogël”, pasi, ashtu si kryeqyteti italian, është i vendosur në shtatë kodra, në secilën nga një lagje. (Na bie ndërmend një novelë e Kasëm Trebeshinës me titullin “Fshati mbi shtatë kodrina”.) Por kjo “Roma e Vogël” hasjane nuk ishte si kryeqyteti italian, ku kishin kryer studimet për teologji e filozofi apo ishin shuguruar ipeshkvinj edhe shqiptarë të këtyre anëve, përkundrazi ishte një vend i thatë, pa ujë të mjaftueshëm, me rrugë të ngushta, me tokë gëlqerore, siç e përshkruajnë autorët vendës, çka sipas tyre, i kishin dhënë Zymit një pamje të zymtë, nën hijen e “olimpike” të Pashtrikut. Zymi i sotëm, i cili shkon me komunën e Prizrenit, ka një peizazh mahnitës, me lisat e mëdhenj të moçëm, amfiteatrin e ri “gjeçovian” me 1000 vende, në shëmbëllim të atij të Durrësit, me dy shtatore që sikur flasin me njëra-tjetrën; e Gjeçovit dhe e Bogdanit (së afërmi), kishën e Zojës, obeliskun e Abetares së Zymit, shkollën fillore, gjimnazin “Gjon Buzuku”, bibliotekën, muzeun etj. Zymi ka 6000 banorë, të besimit katolik dhe atij mysliman, por rrojnë aty më pak se një e treta, pasi të tjerët janë në emigracion, shumica në Kroaci. Njerëz të urtë, të fisëm, s’ka pasur kurrë grindje dhe sherre me tyre; kanë fituar dhe kulturën e emigracionit, që do të thotë, kulturë e vendeve europiane nga vijnë. Po ashtu, është për t’u përmendur toleranca fetare etj.

“ZOJA E HASIT, LUTU PËR NE”!

“Dyndet krejt Dukagjini në këtë ditë e vjen këtu. Janë rreth dhjetë mijë veta në procesionin e sotëm të pajtores sonë, “Të ngjiturit e Zojës së Bekuar në Qiell”. Ne shqiptarët e emërtojmë këtë shenjtore me emërtime të llojllojshme, si: Zoja e Madhe, Zoja e Berishës, Zoja e Grudës, Zoja e Hasit, ku në veçanti është e njohur Shenjtorja në Letnicë të Kosovës (e quajtur dhe “Zoja e Cernagorës”) nga e mori edhe Nënë Tereza thirrjen për të shkuar për murgeshë. Historiani i palodhur, Nikollë Kërhanaj dhe frati At Ndue Kajtazi kanë shkruar një monografi për Zojën e Hasit dhe udhën e saj mes banorëve të kësaj treve, që epiteti “i thatë” na duket se tash nuk i shkon më as relievit. Në Kosovë ka një përpjekje serioze të studiuesve dhe krijuesve për të dokumentuar historinë, traditat, etnokulturën e trevave shqiptare në viset dardane. Është vërtet emocionuese të shohësh flamurin e ri të shtetit të Kosovës të valëvitet në majë të kambanores së kishës së Zojës në Zym.

PRITET TË “VIJË” PJETËR BOGDANI

Pjetër Bogdani (1630 - 1689), i lindur në Gur të Hasit të Prizrenit, autori i mirënjohur i “Çetës së Profetëve”, ndër të parat vepra origjinale të letërsisë shqipe, përndryshe “vepra e parë në prozë e shkruar në gjuhën shqipe”, duket pak më i largët në ligjërimin e ditës, si të gjitha majat që tashmë janë shfaqur plotësisht, dhe rrinë atje lart në krye, mbështjellë me pak mjegull. “Çeta e profetëve” përmban Sibilat, shkruar nga vetë autori, apo dhe nga ndonjë i afërm i tij. Ndër to me interes të veçantë është një vjershë e Lukë Bogdanit, që sjell të gjallë kujtimin e Skënderbeut dhe mbresat e autorit për madhështinë e vendlindjes. Pjetër Bogdani e shkriu jetën në male duke predikuar mirësinë, humanizmin, qëndresën e shqiptarëve. Në njërën nga vjershat e tij, të vitit 1685 (“Sibila Persika”), ai shkruan:
“Kumbon zani malesh e këlthet ndë shkretëti
sihariq me dhanë e udhë të drejtë
shekullit me çelë...”,
ku predikon një jetë pa vese, faje e sherre, por vetëm të shëlbuemit e njeriut në “udhën e drejtë” të kishës e besimit.
...Dhe ja, ky kolos i përndritur i kombit tonë pritet të “ngjitet” në piedestal në Zym. Shtatoren e tij po e punon skulptori i njohur shkodran, Sadik Spahia, në Tiranë, që ka bërë dhe atë të Gjeçovit. Secila nga të dyja shtatoret do të jetë tre metra e lartë, mbi një bazament po prej tre metrash. Ata janë konceptuar sikur “flasin” me njëra-tjetrën, siç kanë folur mes tyre kohët shqiptare të këtyre maleve, Mesjeta me Rilindjen. Është vendosur tashmë shtatorja e Gjeçovit dhe pritet të përfundojë dhe ajo e Bogdanit, që veçse një nga shkrimtarët e parë të letërsisë shqipe, ka qenë dhe ipeshkëv i Shkodrës, Kosovës, udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689.
Është e ditur tashmë se shpesh atelietë e shkrimtarëve të parë kanë qenë pikërisht famullitë, pasi në kësi vendesh janë shkruar dhe poezitë e Palit prej Hasi, dhe “shënimet” e Gjon Nikollë Kazazit, dhe Kanuni i Gjeçovit, i cili ndonjëherë botonte me pseudonimin “L’keni i Hasit”.


ANTON PASHKU SHKRUANTE NËPËR RRASA GURI...

Në fjalët e udhërrëfyesve tanë të këtij reportazhi ka emocion kur bie fjala për Anton Pashkun. Gjeniu i modernitetit në letërsi, siç e quajnë në Kosovë, nuk ka fjalë. Duhet lexuar dhe në përtejheshtjen e tij. “Vinte shpesh në rininë e tij këtu në Zym, kishte dajat në shtëpinë tonë (të Kërhanajve), e ndoshta kur ka shkrue tregimin ‘Nën qarr po rrinte vasha’, më 1959 (botuar në librin me tregime “Lutjet e mbrëmjes”) ka pasë parasysh këtë lisin tonë treqindvjeçar dhe të motrën nën hijen e tij”, - thotë Nikolla, duke na treguar një lis madhështor në qendër të Zymit. Kurse Frroku na rrëfen diçka krejt të veçantë që dhe e ka botuar në shkrimet e tij: “Kur Antoni vinte në Zym, shkonte me barinjtë e dajave të tij për të ruajtur bagëtinë. Dhe teksa ai sillej nëpër mal, shkruante nëpër rrasa guri. Pasi kthehej nga mali ku ruanin bagëtinë, Antoni i bartte rrasat e gurit të shkruara prej tij, nga Rrethi i Bletës, Lëndinat e Shënkollit, Bunari i Ri e deri te Kroi i Laskavecit... Ato rrasa i palonte nën strehën e shtëpisë së njërit prej dajave, bacës Mark, i cili kujdesej për to, pasi e donte shumë Antonin”. Barinjtë gjithnjë merreshin me diçka; gdhendnin figura shpendësh, bënin furka, blixha, apo dhe ndonjë pushke druri-lodër për fëmijët, por nuk kishte nga ata që shkruanin nëpër rrasa. Anton Pashku me ato shkrime a shenjëzime duket se imitonte të parët që shkruanin në papiruse. Më vonë ato rrasa patën humbur dhe askush nuk e di se ç’kishin qenë ato shenja apo fjalë të shkruara. Por sidoqoftë, aty niste letërsia e tij, prej guri. E shkrimtarit që Ibrahim Rugova do ta quante, Xhojsi i letërsisë shqiptare. Do të ketë qenë ndonjë lloj semiotike guri, tash e përhumbur, por ndoshta letërsia e mëvonshme e tij na e thotë sadopak se cilat kishin qenë ato kodet e tij krijuese që ai së pari ia kishte falur gurit... E ne, s’bëjmë gjë tjetër veçse përkulemi me nderim të thellë para gurit të varrit të tij, fare pranë atij të Gjeçovit.
Petrit Palushi, shkrimtari i njohur kuksian, vite më parë ka krijuar “Klubin Anton Pashku” në Kukës, që ka zhvilluar një varg veprimtarish kushtuar shkrimtarit të njohur, e ku me siguri që do të ketë menduar dhe për “Orët” e ardhshme letrare të Pashkut.
Për më tepër, në Prishtinë ka një shtëpi botuese në emrin e Anton Pashkut, që publikon në vazhdimësi letërsi.


NJË PRINCESHË E AKTRIMIT SHQIPTAR, KATARINA JOSIPI

Për Katin, siç e thërrisnin aktoren më të madhe të teatrit në Kosovë, flitet veçse me gjuhë poetike. E kanë quajtur “primadonë të teatrit shqiptar”, “ikonë të skenës në Kosovë”, “fenomeni Katerina Josipi”, “një firmë artistike par ekselans”, “një emër unikal dhe i papërsëritshëm skenik”, “prijatare e dramës shqipe” etj. Publicisti dhe shkrimtari Frrok Kristaj i ka kushtuar një monografi. Ai shkruan se emri i Katit është guri dhe dërrasa e parë e binës dhe e skenës së teatrit në gjuhën e ëmbël të trojeve etnike shqiptare jashtë Shqipërisë administrative. Katarina qe lindur në Zym të Hasit, më 9 nëntor 1943, ku dhe e nisi shkollën fillore, në gjuhën serbe, pas vrasjes së Gjeçovit. Në vitin 1948 hyri si femra e parë shqiptare në Teatrin Popullor të Prishtinës. Kati e famshme nuk rroi gjatë, u nda nga jeta me 1969, kur ishte vetëm 46 vjeç dhe “shtegtoi” nga Prishtina për t’u varrosur në Zymin e dhèlindjes. Si një motër e madhe e Bekim Fehmiut të paarritshëm, me të cilin luajti në Teatrin e Prishtinës. Po ashtu, dhe e Nexhmie Pagarushës, Muharrem Qenës, Ekrem Kryeziut, Hyrie Hanës, Istref Begollit e të tjerë, me të cilët gjithashtu luajti në skenën e Teatrit, por dhe e Tefta Tashkos, Marie Logarecit, Tinka Kurtit, Mihal Popit, Besim Levonjës, Pjetër Gjokës, me të cilët nuk pati fatin të ndante skenën, por vetëm atdhetarinë. Kati luajti 73 role, duke krijuar një figurë unike të aktores së madhe kosovare, që shndriti dhe u shua si një meteor në qiellin e Kosovës.

Dy ndër prijatarët kulturorë të Zymit padyshim janë Frrok Kristaj e Nikollë Kërhanaj. Ata dhe të tjerë kujdesen për gjithçka që ka të bëjë me ceremonitë, shkrimet, titujt, emblemat e këtushme. I fundit si famullitar ka ardhur nga Kroacia Dom Ndue Ballabani. Falë kësaj elite kulturore, arsimtarëve të devotshëm, nxënësve, banorëve, emigruesve-përherë me rrënjët këtu, dashamirëve, në Zym ka përherë një vetëdije kulturore për t’u admiruar, të fytyrëzuar në disa institucione, shoqata, monumente, botime etj. Kushdo që ka shërbyer në Zym ka lënë një gjurmë, një dëshmi, ka lënë emrin e tij nëpër gurë e drurë. Jo rastësisht shqiptohen përditë toponimet e këtushme: “Lisi i Patër Dedës”, “Blini i Patër Pjetrit” etj.

Frrok Kristaj është njeriu mes Zymit dhe Prishtinës. Ai ka qenë për shumë vite gazetar i “Rilindjes”, për të cilën thotë se, “ka qenë institucioni më i madh që ka pasur kombi shqiptar jashtë Shqipërisë”. Tirazhi i kësaj të përditshmeje ishte mesatarisht 70-80 mijë kopje dhe çdo kosovar e kishte në shtëpi. Ai ka shkruar dhe një monografi për këtë “institucion”, siç e quan ai. Kristaj ka qenë dhe mësues i gjuhës shqipe në Gjermani për disa vite. Por, sidoqoftë, ai është përherë në Zym, i lidhur shpirtërisht me çdo lule e gur të vendlindjes së tij. Ashtu si njeriu tjetër fisnik, Nikollë Kërhanaj, që ka shkruar me aq përkushtim monografinë e Zymit dhe disa libra të tjerë për të. Lum si ai vend që ka prijatarë të tillë, të ditur dhe të pabujë. Ti që ke qenë për pak kohë mes tyre, nuk mund të mos e shohësh vazhdën e pakëputur të prijatarëve kombëtarë, kishtarë dhe kulturorë të këtyre vendeve të epërme, qysh nga Mesjeta, nga meshtari dhe shkrimtari i parë, Pali i Hasit, që shkruante vjersha të përshpirtshme në këto kreshta malesh të Drinit të Bardhë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi