Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Avdyl Gërvalla:NJË DITË DO TË KTHEHESH PËRSËRI...-Kolosit të letrave shqipe Teki Dërvishi

Shko poshtë

Avdyl Gërvalla:NJË DITË DO TË KTHEHESH PËRSËRI...-Kolosit të letrave shqipe Teki Dërvishi Empty Avdyl Gërvalla:NJË DITË DO TË KTHEHESH PËRSËRI...-Kolosit të letrave shqipe Teki Dërvishi

Mesazh nga Agim Gashi Thu Sep 15, 2011 11:29 am

NJË DITË DO TË KTHEHESH PËRSËRI...

Kolosit të letrave shqipe Teki Dërvishi

Avdyl Gërvalla:NJË DITË DO TË KTHEHESH PËRSËRI...-Kolosit të letrave shqipe Teki Dërvishi 2andyl

Nga AVDYL GËRVALLA

Avdyl Gërvalla:NJË DITË DO TË KTHEHESH PËRSËRI...-Kolosit të letrave shqipe Teki Dërvishi U3_tekia

Teki Dërvishi ishte disident*, poet-disident, dramaturg-disident, shkrimtar-disident, gazetar-disident, intelektual-disident, mendimtar-disident, drejtor-disident i Teatrit Kombëtar të Kosovës, dhe së fundi drejtor-disident i së përditshmës kombëtare "Bota sot".

(spjegim: Për këtë shkrim nuk do të paguhem as me franga zviceran, por as me €, sipas traditës, që nga dita e largimit tim nga gazeta kombëtare Bota sot, edhe pse kam nevojë për të holla, si çdokush. Shpërblimi im i vetëm do të jetë një ngrohje zemre atyre që e donë Shqipërinë.)
??

Cila është ajo Liri që nuk mundi të ngrejë më Këmbë me një minutë heshtje (së paku parlamentin e Kosovës), për nder të veprës kombëtare të Mjeshtrit të Letrave Shqipe Teki Dërvishi?

Përse Liria e jonë e verbër nuk e pa të udhës të zbres në gjysmë-shtizë flamujt, për të nderuar Teki Dërvishin?

Përse nuk u mbajtë (së paku nga ana e këtij shteti të ri - kosovës) një ditë zie për këtë Kolos kombëtar?

Të gjitha kombet e botës, pa dallim, e nderojnë shkrimtarin, e aq më shumë kur ai është poet, dramaturg, mendimtar, atdhetar e çlirimtar si Teki Dërvishi.

Çdo gjë është e qartë.

Shqiptarët nuk janë të lirë.

Dhe po të ishin të lirë do ta nderonin Njërin nga bijtë e saj më të shtrenjtë, talentin e dalluar të letrave shqipe Teki Dërvishin: atdhetarin, të burgosurin politik, i cili në moshë të mitur u bë banor i disavjetshëm i Golgotës – Goli Otok, ferrit më famkeq në ish-jugosllavi.

Se Trimi vdes, por vepra e tij na rron për jetë
Shëndrrohet n’faqe muri t’shkruar
Në kështjellen Komb dhe ndritë për jetë
Ku Zot i saj është Gjergji vet.

Ç’farë Kështjelle të Përjetshme po na ndërton
O Gjergj, o Arbër i Shenjtë?


Tekiu u ngrit më Këmbë atëherë kur frynin erërat më të fuqishme kundër shqiptare, dhe shkroi me trupin dhe me vuajtjet e veta, njërin nga Librat më të hidhur, duke u nisur drejt rrugës së Lirisë, e cila i solli atij dhe familjes së vet vetëm vuajtje, rreziqe, përndjekje dhe ndëshkime. Ora e Jetës, ishte dhuratë e vetme nga Perendia, për ta realizuar në tërësi personalitetin e Madh Teki Dëvishi. Dhe si i mitur Tekiu veshi petkun e disidencës (të cilin s’do ta zhveshë kurrë, as për së vdekuri) dhe ra në burg. Pushtuesi i atëhershëm, pas analizave të shumta, e kishte vërejtur se ky i mitur ishte strehues i një mendimi dhe një force veprimi të veçantë, një dalë i mitur, që denoncoi dhunën e padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptar. Ai trup gjyqtarësh kishte patur mundësi ta ndëshkonte Teki Dërvishin me një dënim kallup, të denjë për një të mitur, duke e futur në ndonjë shtëpi përmirësuese, si të miturit e tjerë që e shkelnin ligjin.

Por jo.

Trupi gjykues e kishte parandjerë rrezikun që Tekiu e bartte me vete, prandaj ia kishte caktuar Gulagun më të Vështirë dhe më të Zi, Goli Otokun, ku një ditë i bartnin gurët nga një vend në tjetrin, e të nesërmen, e bënin transportin e kundërt, nga ai vendi tjetër, në vendin e mëparshëm. Dhe kështu më radhë, gjatë gjithë kohës së burgut, me ditë, me javë, me muaj e vjet, në Goli Otok, që do të thotë Ishulli i Zhveshur, pa asnjë lis, gur i rrethuar me gurë, në mes të detit. Aty, jo vetëm shtrati që ishte i gurit por edhe dyert, karriget e lugët, muri, oborri e qelitë, së bashku me retë e qiellin për 6 muaj rresht ishin nga guri akull. Pastaj 6 muaj të tjerë me diell, që e copëtonte gurin. Si nuk e theu diellin ky gur përvlues? Me racione buke, me racione uji. Aty u ndesh Tekiu, për së gjalli me katin e 9të të Ferrit të Dantes, të cilin di ta krijojë vetëm totalitarizmi për njeriun. Aty u përball me poshtërimet, sharjet, torturat nga më çnjerëzoret, lëndimet, plagosjet, humbje gjymtyrësh, me vdekjet e paramenduara dhe me ato aksidentale... Në burg, atje larg, gati pas shpinës së Zotit.
Nga burgu Tekiu doli, përveç lëndimeve të tjera që nuk shiheshin,
pa asnjë dhëmb në gojë.
Pas shumë vjetëve, një dentist i mirë dhe i guximshëm ia vuri një protezë.
Pas këtij ferri të pambarim Tekiu u diplomua në shkencat e Lirisë.


Tekiu Lis i parrëzuar

Çdo gjest, çdo fjalë, çdo shkrim, çdo temë, dhe çdo qasje të çfarëdo trajtimi e dallonin Tekiun, ishte i veçant. Ai kishte hyrë në Letërsi, i shtyrë nga talenti i tij, dhe ishte i Lirë, më i lirë se çdokush, pa ngarkesa, ishte njerëzor në përmasa aq të mëdha sa shpeshë herë të dukej edhe i pakuptueshëm. Ai e donte njeriun deri në marrëzi, dashuri e cila do t’i kushtojë shtrenjt, me shumë ndarje.

Pas çdo kurthi, pas çdo ndërskomce, pas çdo rënie përfundimtare në labirinthet e bunaret e panumërt, Tekiu e ka patur të arsyeshme dhe shumë shumë normale të frenonte, madje edhe për të braktisur krejtësisht shkrimin, të cilit, tepër shpesh ia kishte parë sherrin. Ai kishte patur të drejtë madje t’ia kthente shpinën botës së vet magjike krijuese, për t’u venitur në ndonjë skaj të ndonjë kafeneje, së pari me një shishe, pastaj me shumë shishe ditore të alkoolit, për t’i shëruar plagët e veta të pashëruara. Por jo. Ai ishte Lis i parrëzuar. Ai shkruante. Shkruante pa pushim. Botonte çdo ditë. Tekiu shruante dhe ishte i palodhshëm.

Ashtu siç ishte i rrethuar nga të papriturat më dramatike gjatë jetës së vet, Tekiu u rrethua nga fundi i jetës edhe me ndonjë të papritur të natyrës së kundërt, me suksese të panumërta, me nderime dhe dashuri nga lexuesit e vet. Tekiut i kanë ndodhur ndodhi edhe nga më të pabesueshmet në botë: Ai kishte shkuar me një rast në Danimarkë me duar në xhepa pikërisht një ditë para se të mbyllei konkursi letrar për të cilin s’kishte ditur asgjë. Atje ishte takuar me Drejtorin e Teatrit, i cili nuk kishte mundur dhe as që kishte dashur ta fshehë gëzimin me rastin e njohjes me Tekiun, për të cilin kishte dëgjuar shumë, dhe të cilin e konsideronte si personalitet të rrallë nga Kosova. Dhe e kishte pyetur, si më gjysmë zëri Tekiun, përse nuk ia kishte sjellë një ekzemplar nga libri, me të cilin do të konkurojë të nesërmen. Tekiu nuk i kishte thënë asgjë, si t’ia bënte me dije atij njeriut të mirë se nuk kishte patur asgjë me vete. Pas bisedës Tekiu ishte ulur dhe e kishte shkruar një roman për një natë, me të cilin kishte konkuruar të nesërmen dhe e fitoi çmimin e parë... Si në ëndërr... Ku ishte mbledhur e gjithë ajo energji? Dikush edhe mund të mos u besojë "fjalëve" të mia. Nuk ka rëndësi. Teki Dërvishin e kam parë vet, me sytë e mi, në vitin 1975, duke e shkruar një roman brenda një nate, me një maqinë të vjetër shkrimi, së bashku me Jusufin, vëllaun tim. E ka filluar një, dhe pasi që i pat shkruar nja 30 faqe e la anash, pastaj, pas një "diskutimi" të gjatë me Jusufin, ia filloi të shkruajë një romani tjetër, me një ngjarje krejt tjetër, me personazhe të tjera, e dorën e fundit ia ndihmoi Jusufi, dhe të nesërmen, para orës 18:00 e dorëzuan në postë, për ta zënë konkursin, në Prishtinë.

Shkrimin e kishte mbi çdo gjë në këtë jetë edhe pse gati katër të pestat e jetës ishte i përndjekur dhe i ndaluar, nga pushtetet e huaja, dhe detyrohej të shkruante me pseudonime nga më të ndryshmet. Tekiu e ka lënë të shkruar një arsenal të tërë shkrimesh autoriale, me të cilat lirisht mund të matet edhe me shkrimtarë të rrallë botërorë, me peshë dhe rëndësi të veçantë.

Vjerrshat, tregimet e librat e tij, origjinale, të papara askund, prekin të gjitha shtresat e shoqërisë, si në të kaluaren, ashtu edhe në të tashmen, pa përjashtim. Artikujt e tij të shumtë, të çdoditshëm, si para, gjatë dhe pas lufte, dallohen me origjinalitetin e mënyrës së të shkruarit, duke thyer të gjitha rekordet e paraqitjeve çdoditore të çdo autori. Shkrimet i shoqëron një filozofi e veçantë, e bukur dhe e thjeshtë në infinit, trajtimet e të hidhurës dhe të lavdishmes, deri në përditshmëri të botës shqiptare, si të Kosovës, ashtu edhe të Shqipërisë, dhe trojeve të tjera të ndara me forcë nga shtete robëruese. Shkrimet e Tekiut u shndërruan si në bukën e përditshme, që na kishte falë Zoti, ushqim i domosdoshëm i shpirtërave të uritur dhe të etur për Liri, falë pendës magjike dhe inovatore, të cilat dhjetëfishuan tirazhet e gazetave, falë mendjes dhe angazhimit të tij – çlirimtar.

Çdo vjerrshë e tij, çdo rresht i tij, si për nga përmbajtja, kuptimi e porosia qëndrojnë në Zenit. Tekiu me virtuozitetin e vet i kaloi përmasat e çdo fantazie. Teki Dërvishi u dekorua Për kontributin kombëtar për çlirimin e Kosovës, me shpërblimin më të madh që jipet për së gjalli, me Medajen e Artë të Lidhjes së Prizrent, nga shpirti dhe duart e Presidenti Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Vepra madhore e Prijësit Shpirtëror të Shqiptarëve, Dr. I. Rugovës zë vend të posaçëm në trajtimet nëpër artikuj të shumtë të shkruar dhe të nënshkruar nga dora e Teki Dërvishit.

Në asnjë vend të Botës, asnjë Autor nuk ka patur mundësi të grumbullojë numrin aq të madh të lexuesve siç ka mundur ta bëjë penda e Teki Dërvishit. Dihet mirëfilli se gazeta e përditshme Kombëtare Bota sot ka qenë dhe është gazeta më e lexuar si në trojet shqiptare ashtu edhe në diasporë, në Europë dhe Amerikë, gazetë që ka qenë për shumë kohë e ndaluar nga regjimi i paraluftës, e ndjekur dhe e linçuar me marifetllëqe të ndryshme edhe pas luftës nga pushtetarët e zellshëm e të marrë që punuan kundër popullit shqiptar.

Çdokush ka gjetur nga diçka, është prekur nga një fjalë, për t’u lidhur me mjeshtrinë magjepëse të Tekiut, dhe ka patur fare pak, në mos aspak të tillë që nuk e lexonin. Tekiu u mishërua, u bë pjesë e pandarë e një populli të robëruar, edhe atëherë kur s’kishte pothuaj se askush të thoshte diçka, në ato orët më të tmerrshme, edhe atëherë e bënte nga një shkrim me të cilin e mbante të ndezur dritën e shpresës së Lirisë. Kush ka ditur më mirë ta qajë vajin e nënës para foshnjës së vrarë, para djalit të masakruar. Kush ka ditur më mirë të mbajë korrespondencë me Ushtarin që kishte marrë pushkën për të mbrojtur Atdheun. Tekiu e denoncoi okupatorin, me shkrime të guximshme dhe të përditshme. Tekiu s’çante kokën edhe kur binte në incidente të përmasave të mëdha, ishte kalitur me paudhësi të ndryshme që ia bënin madje edhe aparatet shtetërore, si para lufte, ashtu edhe gjatë dhe pas saj. Tekiu shahej e nemej edhe nga disa "makro-intelektualë", dhe disa prijës të institucioneve qeveritare, politicienë e deputetë – tezgaxhinj, tenderxhinj e dallgaxhinj të Kosovës e të Shqipërisë, madje edhe nga tradhtarë, bashkëpunëtorë e sahanlëpirës të ndryshëm, kombëtarë e ndërkombëtarë. Çdo njëri i rëndomtë është shqetësuar me të drejtë për fatin e Teki Dërvishit kur i ka dëgjuar ato paudhësi, sikur i tërë ai llum së bashku të kishte angazhuar jo vetëm një por shumë Institute kundër Teki Dërvishit, kundër personalitetit të veçantë që ua tregonte shqiptarëve rrugën e Lirisë. Të gjitha ato veprime kriminele zënë vend skajeve më të turpshme të së kaluares. Tekiun e kanë përcjellë hap pas hapi, e kanë ndjekur për ta vrarë, së pari shkijet para lufte, vetëm Perendia e kishte mbrojtur Atë nga ai aparat terrorist. Teki Dërvishi, çlirimtari, që u përball në të kaluarën denjësisht me armiqtë shekullorë u kërcënua edhe nga një farë e keqe pas lufte, nga SHIK-u pra dhe veglat e tij makabre, që e ndoqën, e denoncuan dhe u përpoqën ta likuidojnë. Mbi të gjitha ato të zeza kaloi dhe shkëlqeu Kolosi Teki Dërvishi.

Askush, kurrë nuk ka mundur të përballej, me armë të barabartë, pra me laps, me atdhetarin e çlirimtarin Teki Dërvishi, sepse ky e ka patur për një mend, nuk e bënte shkrimin për kafshatën e gojës, Tekiun do ta mbanin me bukë, së fundi vëllezërit e vet. Ky është fati, ajo ana veriore e bjeshkës që i thonë Jetë, është fati i një Gjeniut të Letrave shqipe. Teki Dërvishi nuk ishte njëri që kërkoi komoditet për vete, por ishte Kolos që kërkoi Lirinë Kombëtare.

Tekiu i ka thyer të gjitha klishetë dhe bontonet e shkrimit klasik e modern, duke hapur fusha të reaja në lëmin e gazetarisë, poezisë, dramës e romanit, ngase fjalës së tij i ka prirë qëllimi mijëravjeçar, të vetmit që i binte në gjunjë dhe i falej, pra çlirimit dhe bashkimit të trojeve të nëpërkëmbura dhe të ndara nga armiqtë e shumtë.

Çdo fjalë, çdo fjali, çdo kryerresht dhe çdo tërësi e tij, e shkurtër apo e gjatë, është kuptimplote, është fener i papërsëritshëm që tregon rrugën e Lirisë. Nacionalist duhet të jetë çdo njëri që i ka dy fije mend. Të qenit nacionalist nuk do të thotë asgjë e keqe. Nacionalisti është i gatshëm të vdesë për Lirinë e vendit dhe të popullit të vet, është atdhetari sublim. Kuptimin e nacionalistit e kanë goditur e çoroditur komunistët dhe demokratët dallaverexhinj që janë në gjendje të përdhunojnë dhe mbysin nënë e motër, të spiunojnë dhe të vrajnë vëllaun për përfitime politike e materiale. Tekiu ishte nacionalist, atdhetar sublim, Nacionalist sa ç’ishte çlirimtar, Poet, Dramaturg, Shkrimtar dhe Mendimtar që me jetën dhe punën e tij të përditshme, pra me penën e vet të pashtershme dhe të papërseritshme i ra, pa pushim, Portës së Lirisë.

Tekiu ishte disident, poet-disident, dramaturg-disident, shkrimtar-disident, gazetar-disident, intelektual-disident, mendimtar-disident, drejtor-disident i Teatrit Kombëtar të Kosovës, dhe së fundi drejtor-disident i së përditshmës kombëtare "Bota sot".

Shkrimet e tij pasurojnë çdo njëri, ia hapin dritaren e njohurive çdokujt, ato nxisin guximin dhe farkojnë çdo lexues për të vepruar me mend, për të gjetur sa më shpejt Lirinë.

Teki Dërvishi është një pasuri e pashterrshme gjithëkombëtare, është një burim nga më të vyeshmit, është një autor me të cilin do të merret fusha studimore letrare, pra brezat e rinj, ata që do të vijnë, ata të padjallëzuarit, të cilët do ta vlerësojnë drejt kontributin e këtij Kolosi për Lirinë e shqiptarëve, prandaj patjetër se një ditë do të kthehet, përseri...

E lehtë është ta bësh nga një shkrim çdo shtat muaj, të sponzorohesh (madje edhe nga ndonjë parti politike) të reklamohesh e të trumbetohesh me të madhe, përse dhe të mos t’ia qëllosh (nganjëherë). E vështirë është çdo ditë t’i dalish lexuesit, pra botës së mbarë përballë me shkrime të padëgjuara e të papara, si Kolosi çlirimtar Teki Dërvishi, për gjysmë shekulli më radhë, me një sukses të pakrahasueshëm.

Këtë e ka bërë vetëm Teki Dërvishi.

* Disident është personi që ndahet nga bashkësia apo partia së cilës i takon. Ai nuk e njeh më legjitim autoritetin (kryesisht politik) të cilit i përkiste deri atëherë. Termi disidentit përdoret për ta emëruar njeriun i cili kundërshton në mënyrë radikale sistemin politik të vendit në të cilin jeton. Termi "disident" është i vjetër. Fjala rrjedh nga latinishtja: dis-sedere ("ndahem nga" dhe "jam ulur", nga e cila rrjedhë edhe kuptimi i fjalës "ai që është i ndarë, i larguar".
AVDYL GËRVALLA
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi