Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Bajrush Morina:Tri krisma në Kosovë

Shko poshtë

Bajrush Morina:Tri krisma në Kosovë Empty Bajrush Morina:Tri krisma në Kosovë

Mesazh nga Agim Gashi Wed Oct 19, 2011 3:48 pm


Tri krisma në Kosovë


Bajrush Morina:Tri krisma në Kosovë BajrushMorina
Shkruan: Bajrush Morina


Xhemajl Mustafa, Bekim Kastrati dhe Bardhyl Ajeti janë emra të njohur të publicistikës në Kosovë. Që të tre janë emra të njohur të gazetarisë së pasluftës në Kosovë, të cilët frymuan bashkë me gazetën kombëtare “Bota sot”. Xhemajl Mustafa, si bashkëpunëtor, Bekim Kastrati, si gazetar nga Drenica, e Bardhyl Ajeti, si redaktor kolumnist.

Biseda e fundit me Xhemën...

Ka qenë mesdita e 23 nëntorit kur kam komunikuar me telefon me Xhemajl Mustafën. Disa ditë më parë kishte botuar kolumnen e tij në gazetën “Bota sot” në rubrikën e përhershme “Kolumnja e së martës”. Kolumnet zakonisht i sillte me disketë (Flopy A) dhe ose i linte të qoshku i “Rilindjes”, përballë Pallatit të Medieve, ose e linim të takoheshim aty rreth orës 12.00.
Në atë kohë presidenti Ibrahim Rugova ndodhej për vizitë në Belgjikë ku i ndahej një çmim prestigjioz nga Parlamenti Belg. Kjo ishte arsyeja që i kërkuam ndihmë Xhemës. Na duhej telefoni i Skënder Hysenit, që ishte në vizitë me presidentin Rugova në Belgjikë, që t’i merrnim një prononcim për medie. Xhema na tha se numrin e Skëndes e ka të shënuar në një bllok telefonik në banesë dhe në drekë do të shkojë, si zakonisht, në shtëpi dhe mbeti që atëherë ta telefonoja dhe t’ia merrja numrin e Skënderit.
Rreth orës 15.00 në vend të numri të telefonit ne morëm lajmin për vrasjen e Xhemajl Mustafës. Ishte lajmi më i kobshëm që morën në redaksi për gazetën “Bota sot”. Ishte lajmi më i kobshëm për Kosovën e pasluftës. Xhema u vra....


Pyetjet për Bekim Kastratin...

Ishim marrë vesh që të zhvillohej një intervistë me një nga komandantët e UÇK-së të Zonës së Drenicës. Vetë Bekimi kishte kërkuar nga ky komandant dhe ai kishte pranuar të zhvillohej intervista. Por më parë i kërkonte pyetjet.
Në pasditen e 19 tetorit të vitit 2001 ia nisa Bekimit në një copë letër disa pyetje të shkruara e të printuara. Pyetjet ishin për komandantin.
Kanë qenë rrethana fatale pse këto pyetje nuk ia kam dorëzuar vetë komandantit të Zonës së Drenicës, i cili është sot në FSK. Disa prej kolegëve të redaksisë janë dëshmitarë. Gani Geci, i plagosur në ditën kur është vrarë Bekim Kastrati, e ka marrë letrën me pyetje. Rrugës për në Skenderaj ka ndaluar në Polluzhë që të marrë Bekimin. Pak kohë më vonë, pas orës 21 e 30 minuta, në një pritë të organizuar në hyrje të Skenderajt do të vriten Bekim Kastrati e Besim Dajaku e do të plagoset Gani Geci.
Vrasja e Bekimit ishte sulm i drejtpërdrejtë në redaksinë dhe në stafin e gazetës kombëtare “Bota sot”. U vra kolegu ynë i punës Bekim Kastrati...


Një kafe të fundit me Bardhylin...

Në paraditen e 3 qershorit të vitit 2005, bashkë me disa kolegë të redaksisë po pinim kafe në një lokal, në sheshin “Nëna Tereze”, prapa përmendores së Zahir Pajazitit. Ai që na kishte ftuar ishte Bardhyl Ajeti. Ai madje na i pagoi edhe kafetë.
Me gjithë faktin se në atë kohë nuk punonim me Bardhylin (punoja në Ministrinë e Kulturës...) dhe mbase kishte një kohë që nuk kishim pirë kafe me Bardhylin, tek ai nuk kishte ndryshuar pothuaj asgjë. Ishte i njëjtë, i hareshëm, i gëzueshëm, çdo të dytën apo tretën fjalë qeshte me zërin e tij karakteristik.
Kur u ndamë na tha se po shkonte për Mitrovicë, se e kishte parkuar diku veturën në qytet dhe atje do të shkonte vetëm për qejf.
Ai nuk ishte nisur për Mitrovicë. Veturën e kishte të prishur në parking. Kishte kërkuar ndihmën e një automekaniku nga Gjilani. Ishte nisur me dy veta që drejtonin një kombibus dhe të cilët e tërhiqnin veturën e prishur të Bardhylit. Në një kthesë në hyrje të fshatit Bresalc, Bardhyli ishte qëlluar me tre plumba, njëri prej tyre në kokë. Njëzetë e dy ditë më vonë Bardhyli do t’i mbyllë sytë njëherë e përgjithmonë në një spital të Milanos në Itali.
Xhemajl Mustafa gjatë gjithë kohës së luftës kishte qëndruar në Prishtinë. Menjëherë pas lufte botoi librin “Një lutje për Prishtinën” në të cilën përshkruan odisejadën e qëndrimit 78-ditor në Prishtinë, nën trysninë e policisë e paramilitarëve serbë. Ndër të paktët prishtinas e kishte pritur çlirimin e Prishtinës, çlirimin e Kosovës. Xhema lutet për lirinë e Prishtinës gjatë kohës së luftës dhe vritet në Prishtinë pas përfundimit të luftës, kur ishte mbushur pak më shumë se një vit të lirisë së Prishtinës e lirisë së Kosovës.
Bardhyl Ajeti kishte qëndruar gjatë gjithë kohës së luftës në Gjilan. Fillimet e para të gazetarisë i nisi në kombëtaren “Bota sot”. U shqua për guximin e tij. Kaloi në redaksinë e gazetës në Prishtinë dhe faqja 5 ishte pothuaj “ e rezervuar” për Bardhylin. Atë vit që u vra planifikonte të martohej. Një kriminel ia vrau ëndrrën e jetës Bardhyl Ajetit.
E kriminelët që vranë Xhemën, Bekimin e Bardhylin janë ende në liri!
Kjo është liria që na e vranë kriminelët!

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi