Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

S’votohet mocioni i Vetëvendosjes

Shko poshtë

S’votohet mocioni i Vetëvendosjes Empty S’votohet mocioni i Vetëvendosjes

Mesazh nga Agim Gashi Thu Oct 27, 2011 8:17 pm

S’votohet mocioni i Vetëvendosjes

S’votohet mocioni i Vetëvendosjes Opozita-kuvend

(I plotësuar)-Vetëm 17 deputetë kanë votuar pro mocionit të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, përmes të cilit ka paraqitur katër kërkesa për Qeverinë e Kosovës. Ndërkohë 54 deputetë të tjerë e kanë kundërshtuar këtë mocion, kurse nuk kishte asnjë votë abstenim.

“Notimi” që deputeti Glauk Konjufca ka bërë për grupet parlamentare ka nxitur reagimin e subjekteve politike, të cilët madje duke replikuar kanë shkelur edhe Rregulloren e punës së Kuvendit. Zv.kryeministri Hajredin Kuçi i ka kujtuar Konjufcës se Qeveria e Kosovës nuk bën ‘politikë kamikazësh’, kurse Sabri Hamiti nga LDK-ja e ka quajtur këtë pjesë të logjikës ‘hajde babë t’i tregojë mezhdat e arave’.

Katër kërkesat e Vetëvendosjes me këtë mocion ishin: 1. Të ndërpriten bisedimet me Serbinë, dhe të shpallen të pavlefshme dhe të pazbatueshme secila marrëveshje me Serbinë përderisa ajo nuk na njeh, dhe që ka të bëjë me rregullimin e brendshëm të Kosovës, 2. Qeveria t’i dërgojë forcat policore në veri për ta garantuar integritetin territorial dhe mbrojtjen e qytetarëve të Kosovës, 3. Institucionet e rendit të Republikës së Kosovës të angazhohen në heqjen e barrikadave dhe pengesave tjera për qytetarët atje dhe 4. Qeveria t’ua presë burimet financiare strukturave ilegale të Serbisë, t’i arrestojë krerët e tyre dhe t’i shpërbëjë ato.

Megjithatë, këto kërkesa nuk kanë gjetur përkrahjen e deputetëve të grupeve të tjera parlamentare, për të cilat paraprakisht parashtruesi i kërkesës për interpelancë, Glauk Konjufca ka bërë komente, duke vlerësuar veç e veç secilin grup.

“Mendoj që partia në pushtet na tregoi qartë që është për të vazhduar me avazin e vjetër dhe për të parë se cilat barrikada po i heq KFOR-i. LDK si gjithmonë as mish as peshk, SLS dhe Lëvizja për Bashkim mendoj që e kanë shumë të kollajshme zgjidhjen e veriut se më lehtë është t’ia japin Serbisë. AKR është më kritike, por është aty te Qeveria. Por AAK është dukshëm më kritike lidhur me Qeverinë. Megjithatë mendoj se zyrtarët qeveritarë shpesh e kanë përsëritur që aksioni në veri ishte simbolik që të ndërhyjnë pastaj mekanizmat ndërkombëtarë. Deri tani kanë thënë se ishte simbolike. Po pra simbolike, sepse këta kanë bërë shtet simbolik dhe pavarësi simbolike”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës ne negociata nuk do të mund ta dërgonte ndryshe veriun, vetëm duke improvizuar tensionime të tilla të situatës në këtë pjesë të Kosovës.

“Notimi” që Konjufca ka bërë për grupet parlamentare ka nxitur reagimin e subjekteve politike, të cilët madje duke replikuar kanë shkelur edhe Rregulloren e punës së Kuvendit.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i ka kujtuar Konjufcës se Qeveria e Kosovës nuk bën ‘politikë kamikazësh’, kurse Sabri Hamiti nga LDK-ja e ka quajtur këtë pjesë të logjikës ‘hajde babë t’i tregojë mezhdat e arave’.

Hamiti ka thënë se një e folur e tillë në Kuvendin e Kosovës kur flitet për çështje të rëndësishme për vendin, nuk janë as etikë, as politikë.

Për shkeljen e Rregullores së punës, ka reaguar kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

“Lexojeni rregulloren, kush nuk din me lexu mos të vijë hiç në Kuvend”, ka thënë Krasniqi, i cili ‘fajin’ për këtë shkelje e ka hedhur së pari te Konjufca, për të cilin ka thënë se i tejkaloi kufijtë dhe pikën e rendit të ditës.

Ndryshe, gjatë seancës së sotme, Qeveria e Kosovës u kritikua ashpër nga opozita për situatën e krijuar në veri, përderisa mori lavdata të shumta nga deputetët e koalicionit. Sidoqoftë, kryeministri Thaçi ka thënë se do të vazhdojë me kryerjen e obligimeve dhe përgjegjësive si kryeministër i Qeverisë së Kosovës për vënien e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës.

Deputetët: Veriu më keq se në vitin 1999

Për Lëvizjen Vetëvendosje si kërkuese e interpelancës së kryeministrit Hashim Thaçi, fjala e këtij të fundit nuk ishte asgjë. Albin Kurtit madje i është krijuar përshtypja sikur kryeministri Thaçi e merr fjalën në seanca në mënyrë që qytetarët ta ndërrojnë kanalin dhe deputetët të shflëtojnë gazeta, ose të luajnë në telefon. Sipas Kurtit, kryeministri Thaçi bën që qytetarët të bëhet të painteresuar për politiikën, ashtu siç, sipas tij, vetë kryeministri nuk është i interesuar për qytetarët. Ndërkaq Rexhep Selimi ka vlerësuar se gjendja në veri është më e keqe se në vitin 1999.


Gjatë fjalës së tij në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Kurti ka rikujtuar se në interpelancën e 5 majit u pat votuar mocioni në të cilin veç tjerash thuhej se Qeveria duhet të informojë Kuvendin për të vendosur kontrollin, mirëp asnjëherë nuk e bëri një gjë të tillë.

Duke kundërshtuar bisedimet me Serbinë, Kurti ka thënë se bisedime të drejta do të ishin ato bisedime me kushte për Serbinë.

“Bisedimet e drejta do të ishin ato që i vënë kushte serbisë. Këto kushte përbëhen nga 10 pika: Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës, ta ndryshojë kushtetutën, t’i kërkojë falje Kosovës, t’i dorëzojë kriminelët serbë, të kthejë trupat e të pagjeturave, t’i paguajë dëmet e luftës, të ndërpresë dhunën sistematike në Preshevë, të pushojë financimin e strukturave të saj në Kosovë, t’i kthejë depozitat bankare, fondin pensional, librat katastralë dhe së fundi t’i kapë kriminelët serbë që shëtiten të lirë e të pacënuar”, ka thënë Kurti, duke shtuar se bisedimet pa kushte me Serbinë janë sinjal se ajo s’ka nevojë të ndryshojë.

Ndërkaq Ismet Beqiri, në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka shprehur mbështetjen e LDK-së për veprimet e institucioneve në veri të Kosovës, por ka thënë se vendimet ‘ad hoc’ nuk japin asnjëherë rezultate.

Ai ka thënë se LDK-ja e konsideron të gabueshëm vendimin për heqjen e masës së reciprocitetit, ndërkaq ka kërkuar që barrikadat në veri të hiqen sa më shpejt, ngase janë e keqja më e madhe e qytetarëve të veriut.

“Barrikadat më të mëdha për sundimin e rendit dhe ligjit në veri janë strukturat ilegale të përkrahura nga qeveria serbe. Ato duhet eliminuar se janë e keqja më e madhe për qytetarët. LDK mbështet fuqishëm veprimet e KFOR-it, mosnënshtrimin ndaj shantazheve. KFOR-i dhe EULEX-i mbrojnë jo vetëm ligjshmërinë e sovranitetin, por edhe autoritetin e NATO-s dhe BE-së”, ka thënë Beqiri, përderisa ka thënë se veriu nuk duhet të përdoret për marketing politik.

Beqiri me këtë rast i ka rikujtuar kryeministrit Thaçi se është PDK-ja ajo që ka udhëhequr Qeverinë e Kosovës në tri mandate, përfshi edhe Qeverinë e Përkohshme dhe këtë ia ka rikujtuar edhe deputeti tjetër i LDK-së, Sabri Hamiti, por ky i fundit ka thënë se veriu nuk është çështje e një kryeministri dhe nuk është problem që mund ta zgjidhë një kryeministër, sidomos jo nëse personalizohet si problem.

Ndërkaq Burim Ramadani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka folur për alternativat që AAK-ja qysh para tri vjetësh, duke thënë se atë kohë ato injoroheshin nga kryeministri Thaçi.

“Qytetarët e Kosovës e dinë që ju e keni cilësuar si folkorizëm patriotik për tri vjet sa herë që AAK-ja ka kërkuar vendosjen e kotrollit kufitar dhe doganor. Ju e keni cilësuar AAK-në të dhunshme dhe të frustruar sa herë kemi kërkuar ta ndalni kontrabandën dhe krimin e organizuar. Ju kryeministër keni thënë një vit më parë se nuk ka struktura paralele, por ka individë, kurse tani po thoni që ka struktura paralele. Ju keni dështuar në strategjinë për veriun. Nuk e keni përmendur në strategjinë e sigurisë se Kosova ka problem me strukturat paralele”, ka thënë Ramadani.

Për këto struktura, deputeti Sabri Hamiti ka thënë se tani më nuk mund të quhen struktura paralele, por struktura politike dhe me shumë ndikim për veriun e Kosovës.

Kurse Rexhep Selimi, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se gjendja në veri të Kosovës, jo vetëm që është më keq se para 25 korrikut, por është edhe më keq se në vitin 1999.

“Në vitin 1999 bandat kriminale serbe ishin duke ikur, kurse tani ato jo që nuk ikun, por ato sulmojnë”, ka thënë Rexhepi.

Ndërkaq deputeti i SLS-së, Petar Miletiq ka thënë se dërgimi i policisë në veri nuk do të zgjidhte problemin, por vetëm do të ngriste tensione e që do të mund të shkaktonte probleme.

“Jam i sigurtë se të gjithë i ndiejmë politikat negative të së kaluarës. Përgjegjësinë për situatën në veri e ka marrë KFOR-it dhe mendoj se gjenerali i KFOR-it e ka menaxhuar mirë situatën. Dialogu Prishtinë-Beograd do të ishte gabim të ndërpritet. Institucionet e Kosovës duhet t’i tregojnë të gjithëve se dhuna do të dënohet. Ne edhe më tutje nuk do të flasim për rastet provocative. Mendoj se dialogu është zgjidhja e vetme e problemeve. Heqja e dhunshme e barrikadave nuk do të krijonte zgjidhje”, ka thënë Miletiq.

Fjalimi i kryeministrit Hashim Thaçi nga ligjvënës të tjerë është cilësuar edhe si fjalim i vitit të ri, përderisa kreu i ekzekutivit ka marrë kritika të shumta për hapat e mëtejmë pas 25 korrikut, duke marrë vendim për tërheqjen e forcave speciale nga atje, për heqjen e masës së reciprocitetit dhe për bisedimet me Serbinë.

Në fund të debatit për veriun, pritet që të votohet për mocionin prej katër pikash, të cilin do ta paraqes Lëvizja Vetëvendosje, mes të cilave edhe kërkesa për Qeverinë që të ndërhyjë vetë për heqjen e barrikadave, e mos ta lërë veriun vetëm në dorën e KFOR-it.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi