Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Të rinjtë e Kosovës mbesin të izoluar

Shko poshtë

Të rinjtë e Kosovës mbesin të izoluar Empty Të rinjtë e Kosovës mbesin të izoluar

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jan 29, 2012 2:18 pm

Të rinjtë e Kosovës mbesin të izoluar

Të rinjtë e Kosovës mbesin të izoluar Pasaporta-kosove

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën duhet të shndërrohet në prioritet kryesor për institucionet e vendi, thonë qytetarët. E, zyrtarë qeveritarë tashmë kanë pohuar se Kosova ka arritur të realizojë të gjitha kushtet dhe kërkesat, të cilat dalin nga Komisioni Evropian.

Megjithatë, opinionet e qytetarëve flasin ndryshe. Arta Krasniqi, ekonomiste, rreth të 30-tave, konsideron se të rinjtë kosovarë janë shumë të izoluar: “Unë mendoj se njerëzit janë shumë të izoluar, për shkak të embargos së vizave. Përpos që janë të izoluar për ta vizituar ndonjë vend të huaj, janë të izoluar edhe kur duan të shkollohen, apo kanë probleme me shëndet, dhe duan të shkojnë për shërim jashtë vendit, për shkak se dihet se këtu nuk ofrohen të gjitha shërbimet shëndetësore”.

Studentja Emine Hoti thotë se nuk ka marrë asnjëherë vizë dhe nuk ka vizituar asnjëherë ndonjë vend evropian, pikërisht për mungesë vize:

“Është e vështirë për ne të rinjtë, si studentë. Unë kam provuar të shkoj në Zvicër, por më është refuzuar viza. Për të rinjtë është problem, se po mendojnë se ne shkojmë dhe nuk kthehemi më”.

Tjetër përvojë ka Liridoni, student, 25-vjeçar, i cili thotë se duke i ditur procedurat e gjata për të marrë vizë, as që ka provuar t’i hyjë kësaj pune.

“Jo, nuk kam provuar të dal jashtë vendit asnjëherë, por shumë familjarë kanë provuar, derisa po thonë se është shumë vështirë, meqenëse po kërkojnë tepër dokumente ambasadat”, thotë Liridoni.

Si e izoluar brenda Kosovës, ndihet edhe Anduena Gashi, juriste me profesion, e cila pohon se të rinjtë, përpos që duhet lëvizur lirshëm, ata edhe duhet shkollohen jashtë vendit.

“Qytetarët e Kosovës janë shumë të izoluar dhe mendoj se nuk ka kurrfarë kuptimi. Ka shumë të rinj të talentuar në çdo fushë dhe nuk është e drejtë të mbeten të izoluar. Nuk është puna vetëm të dalin jashtë vendit për të shëtitur, apo për të punuar, por ka shumë njerëz të interesuar për t’u shkolluar dhe të kthehen pastaj të kontribuojnë në vendin e vet”, shprehet Anduena Gashi.

Elbasan Ibrahimi, kamerier rreth të 30-tave, thotë se është shumë e vështirë të jetosh në një vend, prej nga nuk mund të lëvizësh lirshëm.

“Kam qejf të dal jashtë vendit, por nuk lëshojnë viza, dhe është shumë e vështirë. Mua më pëlqen jeta në Evropë dhe do të shkoja në ndonjë periudhë të jetës që të jetoj atje, por si kosovar është shumë e vështirë, për shkak se jemi të izoluar”, tregon dëshirat e tij Elbasan Ibrahimi.

Me mbi 35 për qind të moshës 15 deri 24-vjeçare dhe mbi 65 për qind nën moshën 30-vjeçare, rinia paraqet grupmoshën më të madhe të popullsisë në Kosovë.

Qeveria e Kosovës më herët ka adaptuar një udhërrëfyes, duke u bazuar në udhërrëfyesit që Komisioni Evropian u ka dhënë vendeve të rajonit, për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.

Por, angazhimi i udhëheqësve institucionalë nuk duket të jetë shumë i madh në aspektin e liberalizimit të vizave. Të paktën, kështu krijohet përshtypja kur flet me të rinjtë.

Besa Preniqi, studente, thotë se ka shumë dëshirë t’i vazhdojë studimet në Amerikë:

“Po kam qejf të dal jashtë vendit, në Amerikë. Dëshiroj ta vazhdoj shkollimin, sepse studioj dizajnin dhe do të doja t’i vazhdoja jashtë studimet, por ka vështirësi për marrjen e vizave”.

Për dallim nga Besa, Valdete Hotit, 27-vjeçare, viza i duhet për diçka krejt tjetër. Ajo thotë se ka provuar shumë herë të marrë vizë, për t’i vizituar familjarët jashtë shtetit, por pa sukses.

“Kemi mbetur si shtet i izoluar. Unë për vete kam konkurruar në ambasadën e Zvicrës e Gjermanisë, por asnjëherë nuk ma kanë lëshuar vizën. Kam dashur ta vizitoj familjen që jeton jashtë vendit”, tregon Valdete Hoti.

Sokol Aliu, arsimtar i Gjeografisë, pohon se Kosova është i vetmi vend në Ballkan që ka mbetur i izoluar.

“Jemi i vetmi vend në Ballkan, që nuk mund të shkojmë askund pa viza, përveç në Maqedoni dhe Shqipëri... Ka edhe shumë punë për t’u bërë...”, pohon Sokol Aliu.

Por, ndryshe nga të gjithë të anketuarit, mendon Belkize Asllani: “Unë e kam marrë vizën posa kam aplikuar. Nuk kam pasur problem asnjëherë me viza. Ambasada gjermane, ajo zvicerane, menjëherë ma kanë lëshuar vizën dhe unë mendoj se aspak nuk ka problem për viza”.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi