Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Sa mafie dhe krim ka në politikë?

Shko poshtë

Sa mafie dhe krim ka në politikë? Empty Sa mafie dhe krim ka në politikë?

Mesazh nga Agim Gashi Tue Feb 07, 2012 7:59 pm

Sa mafie dhe krim ka në politikë?


Sa mafie dhe krim ka në politikë? Besir
Basir ÇOLLAKU


Në librin "Për të mos vdekur nga mafia" të prokurorit kombëtar të antimafias italiane, Pietro Grasso dhe gazetarit e politikanit, Alberto la Volpe, në një referencë të tyre marrë studiuesit të mafies, Umberto Santino thuhet vërtet frikshëm ndër të tjera se, "mafia është prodhuese dhe prodhim i politikës, pra përcakton ose ndihmon në marrjen e vendimeve dhe në përzgjedhjet që kanë të bëjnë me menaxhimin e pushtetit, por së bashku me këtë prodhim mafioz të politikës mund të flitet edhe për një prodhim politik të mafies… mafia jep ndihmesën e saj në prodhimin e politikës në tri mënyra të ndryshme:
a) Me të ashtuquajturit krime politike mafioze;
b) Duke dërguar përfaqësuesit e saj në institucione;
c) Duke kontrolluar aktivitetin politik-administrativ….".
Kjo është lufta e vjetër që mbetet përjetësisht e re në përballjen mes ligjit dhe antiligjit, krimit dhe antikrimit, duke qenë një garë e pandershme dhe me kosto të madhe për t'ia dalë që drejtësia të triumfojë dhe rendi kushtetues të jetë siguria e qytetarëve. A ka krim në politikën shqiptare, a ka interesa të mafies, shfaqur në forma më të sofistikuara të mundshme, a ka oligarki financiare me mbështetje krimi, që shpërfill dhe është pjesë vendimmarrjeje në politikën tonë prej disa vitesh? Kjo është një histori me rrezik për ta konkretizuar me shembuj, por nuk do të thotë, që gjithçka është e panjohur dhe mbetet anonime.
Para se të votohej në Parlament për largimin nga detyra, ish-prokurori i Përgjithshëm, Arben Rakipi, i deklaronte ish-Presidentit Rexhep Meidani se po të votonin kundër shkarkimit të tij deputetë e politikanë, të cilët kanë dosje dhe probleme me drejtësinë dhe fliste për pjesëtarë të mazhorancës së asaj kohe, opozitës së sotme socialiste, atëherë ai do të vazhdonte të ishte prokuror i Përgjithshëm.
Kur Theodhori Sollaku, ishte prokuror i Përgjithshëm, në një nga deklarimet e tij, në një intervistë mediatike, deklaronte se ka krim, ka pastrim parash, cilësi të mafies kryesisht dhe këto investime janë kryesisht në kompani ndërtimi, kompani sigurimesh, etj., por ky rrëfim nuk shoqërohej me asnjë emër. Megjithatë statusi dhe detyra ia mundësonin prokurorit të shtetit informacionin më të klasifikuar për të qenë i drejtpërdrejtë me dosje. Do të ishte mirë që mos kishim mbetur në deklarim, por hetim konkret, fazë që nuk u mundësua asnjëherë.
Në kulmin e lavdisë populiste, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, asokohe ende i pamandatuar për të marrë atë detyrë me votat e mazhorancës së sotme, por më vonë e shfrytëzoi dëmshëm për drejtësinë, trumbetonte se nga burime të besueshme të agjencive me të cilat ai punonte, kishte marrë dijeni serioze në prova të mbështetura, se në Shqipëri ekzistonin 15 familje mafioze. Edhe kjo deklaratë e mbetur si legjendë urbane prej ditës së rrëfimit të parë deri më sot.
Përveç Rakipit që është rikthyer në detyrën e tij profesionale të juristit, të tjerët janë veshur me politikë plot e përplot, duke hedhur hije dyshimi për marrëdhëniet e tyre me detyrën, pastërtinë e besimit që konsumuan në mandatet pesëvjeçare në krye të institucioneve. Zoti Sollaku është anëtar i Asamblesë Socialiste dhe merr përsipër të mbrojë deputetët organizatorë të 21 janarit, duke kundërshtuar prokuroren në detyrë që kërkoi heqje imunitetesh dhe duke dëshmuar se me këtë reagim nuk do të bënte të njëjtën gjë për kolegët e tij politikë të opozitës.
Zoti Spahiu po shkarkohet për shkelje të Kushtetutës, abuzimit me detyrën, por që hapur anon nga nderet socialiste, pasi e lë gjyqësorin më të korruptuar tani në largim nga detyra, se sa kur erdhi në krye të tij. Në dëshpërim e sipër nënkryetari i këtij institucioni kushtetues deklaron se në qeveritë shqiptare ka pasur dhe ka agjentë të shërbimeve serbe, greke dhe shërbimeve të tjera. Mjerisht arsyeja e Spahiut në këtë presion të ngjashëm kriminal duke pretenduar se janë sekrete dosjesh, ia ka lënë vendit trukimit përtej turpit dhe legjendat urbane të zotërisë në largim nga detyra, që përbalt votën e shqiptarëve, duke ofruar shpifje pa e saktësuar me emra, që nëse do të kishte të drejtë të meritonte vëmendje në kahun e drejtësisë.
Një nga rrëfimet më shqetësuese për krimin dhe mafian edhe ku ajo bart pushtet, ka qenë rrëfimi i Daut Kadriovskit 11 vite më parë në shtypin shqiptar, ku përmendte me emra politikanë të majtë të lidhur me trafikun e drogës dhe ai tregonte nderet që u kishte ofruar financiarisht dhe më tej. Jemi në një fazë ku mafia nuk heq dorë për të "dërguar përfaqësuesit e saj në institucione"??, uroj të mos jetë e vërtetë. Por nëse fatkeqësia është ndaj klientëve të mafias dhe jo ligjit.
Për të mos lënë pjesë të harresës problemet e mëdha të krimit me drejtësinë, kompozuar me politikën nuk duhet të largohemi nga aktualiteti.
Brenda katër ditëve djali i deputetit Gramoz Ruçi bëhet pjesë hetimi të policisë, por edhe të Prokurorisë, për makinën pa dokumentacion, por me targë zyrtare Z, për armë sportive pa leje, për posedim të 1.5 gramëve hashash, lëndë narkotike në mjetin e përdorur prej tij, por mbase pronë e të atit. Të gjithë kujtojmë hershmërisht, trimëritë dhe shkeljet ligjore të mbiemrit Ruçi, e të sojit politik që ai përfaqëson dhe drejton prej dy dekadash, paudhësitë e anuara nga krimi, lidhur me pushtetin dhe kundër pushtetit, janë përsëritur gjatë, por edhe pandëshkueshmërisht nga institucionet prej të cilëve ne presim drejtësi. Shumë herë për të gjetur zgjidhje kanë ofruar ndihmë, organe si Prokuroria që ta nxjerrin nga belaja ku kishte rënë, duke u gjendur gjithnjë një fajtor tjetër si kokë turku për të shpëtuar pushtetin e së shkuarës. Ish-prokurori Sollaku, tani vartës politik i zotit Ruçi ka shërbyer që Prokuroria të kontribuojë në precedent të "nderit" dhe çështja u përcoll me më pak fakte kur mbërriti në gjykatë, se sa kur nisi si hetim. Tani radhën e nderit duhet ta ketë drejtësia më tepër se tarafet kudoqofshin dhe kushdoqofshin. Pa dashur të rendisim ngjarje telashesh, djali i një tjetër deputeteje socialiste, zonjës Luiza Xhuvani, kaloi një përvojë të rëndë me krimin, ku pavarësisht cilësimit të situatës së veprës, e mbylli çështjen me kohë paraburgimi, duke shënuar precedent për llojin e dënimit dhe krimit. Zonja Rama më tepër ka reaguar kur ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi ka kërkuar inspektimin e kësaj dosjeje që në perceptimin fillestar lë dyshime serioze, ndaj zyra e saj duhej të ishte mbase më mbikëqyrëse ndaj dosjeve të kësaj natyre. A ka pasur dosje për deputetin Tom Doshi më herët në Prokurori dhe si kanë vijuar hetimet? Këtë Prokuroria e Përgjithshme nuk është se e ka ofruar fort si transparencë, kur janë publikuar jo pak fakte mediatikisht për deklarimet e pasurive dhe sipërmarrje me problem. Asnjë nga dosjet kallëzime penale të mazhorancës për Edi Ramën, kur ai drejtonte Bashkinë e Tiranës, nuk kanë arritur për 11 vite të mbërrijnë në gjykatë dhe shpjegimet publike të zonjës prokurore kur është pyetur kanë qenë të paqarta për të bindur qytetarët sa shpresë kemi se një hallkë e fortë e zinxhirit të drejtësisë nuk është politizuar, kur flitet për lidhje të veprës penale me politikën. Duhet pritur fort nga Prokuroria dhe gjykatat që të mos tolerojnë, por të jenë bindëse qartësisht. Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, si gjithnjë në intervistën e tij më të fundit në media, në "ABC", ishte shumë i mençur, këshillues me kthjelltësi dhe maturi, njëherësh dashamirës dhe mik, për shqiptarët dhe pritshmëritë e tyre. Më shumë drejtësi, aspak krim.
Në gjithë këtë gjendje të rëndë të drejtësisë, diku për ngërç të Prokurorisë apo episode jo të pakta dyshuese të gjyqësorit, kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Presidenti Bamir Topi, nuk është investuar të jetë konkret në thirrjen e tij institucionale për të dhënë drejtësi kur rastet ekstreme flasin keq. Ai është mjaftuar më shumë në pasmandatin e tij politik, duke përzier spektrin politik.
E gjitha kjo dhe shumë të tjera të pathëna të çojnë në përgjigje të munguara për shumëpyetësorin se mafia jep ndihmesën e saj në prodhimin e politikës në tri mënyra të ndryshme:
a) Me të ashtuquajturit krime politike-mafioze;
b) Duke dërguar përfaqësuesit e saj në institucione;
c) Duke kontrolluar aktivitetin politik-administrativ….????
Ne, shqiptarët e djathtë dhe të majtë, të pandarë, qytetarë të NATO-s, nuk dëshirojmë asnjërën nga këto tri mënyra, ndaj duhet të bëjmë përpjekje të përditshme, të pandërprera, të përbashkëta, sa herë gjendemi në dijeni, për t'i luftuar të treja.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi