Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Enver Zhinipotoku:I dënuari me pushkatim, pas gjysëm shekulli i gëzohet Pavarësisë së Kosovës

Shko poshtë

Enver Zhinipotoku:I dënuari me pushkatim, pas gjysëm shekulli i gëzohet Pavarësisë së Kosovës Empty Enver Zhinipotoku:I dënuari me pushkatim, pas gjysëm shekulli i gëzohet Pavarësisë së Kosovës

Mesazh nga Agim Gashi Sat Feb 25, 2012 10:33 pm

Enver Zhinipotoku:I dënuari me pushkatim, pas gjysëm shekulli i gëzohet Pavarësisë së Kosovës 163023_116466041752240_100001665331246_106418_6424008_n

Enver Zhinipotoku:I dënuari me pushkatim, pas gjysëm shekulli i gëzohet Pavarësisë së Kosovës

Rexhep Bunjaku, njeriu që fati i ka buzëqeshur pak në jetë e më shumë e kishin përcjellur fatkeqësitë (duke i takuar një populli të robëruar, pse ishte zë i tij), megjithatë arriti t’a pres Pavarësinë e Kosovës, ëndërr kjo në shpirtërat e shokëve të tij të idealit që nuk e patën këtë fat.
Një rrëfim krejt i rastit i një pjesëtari serb të OZN-as, për mënyrën e torturimit të shqiptarëve, kupën e mbushur për urrejtjen kundër krimeve komuniste e kishte derdhur dhe ky i ri kishte braktisur të qenit “myhyb” i pushtetit antishqiptar për t’u radhitur në LNDSH, duke u shndërruar në legjendë shqiptare, pa ani çka se kjo i kushtoi shtrejtë duke qenë i dënuar edhe me pushkatim.
Enver Zhinipotoku:I dënuari me pushkatim, pas gjysëm shekulli i gëzohet Pavarësisë së Kosovës Scaled.php?server=703&filename=babineshqiperi20103
Rastësia dhe fati njerëzor

Fati është një fshehtësi, është gjë misterioze, për të cilin vetëm mund të spekulohet në dhënien e gjykimeve të pamatura. Është thënë, është shkruar e vërtetuar qindra herë në jetë se rasti i mbështetur në fat është mbret i botës. Mijëra shembuj mund të gjenden, tek të cilët rasti vendos për fatin, apo fatkeqësinë e njeriut, e shpesh edhe më tepër se kaq.

Biografët e Hitlerit kanë shkruar e vërtetuar në biografinë e tij se ky njeri si i ri, dy herë kishte konkuruar në Akademinë e Arteve të Bukura të Vjenës për t’u pranuar student i saj dhe të dy herat kishte dështuar. A mund të imagjinohet fakti se po të ishte pranuar ( për çka thonë se Adolfi kishte pasur talent) njerëzimi ndoshta do të kishte shpëtuar nga fatkeqësia më e madhe që i ka shkaktuar vetvetes me LIIB-në, e cila kryesisht i përshkruhet Fyhrerit, lindjes së fashizmit dhe Rajhut të Tretë. Po të ishte pranuar për piktor në Akademi dhe të mos ishte bërë më vonë ushtarak i karrierës Hitleri, për çka mund të “akuzohet” rastësia, ( kjo sërish është një spekulim), ndoshta njërëzimi do të shpëtonte nga Hollokausti,krematoriumet e vdekjes dhe kampet e përqëndrimit.

Personazhin e rrëfimit tonë, të përndritshmin e të përvuajturin Rexhep Bunjakun, rastësia e domosdoshme ( rastësisht punoi ku punoi dhe domosdoshmërisht për të qenë njeri i kombit të vet duhej të vepronte ashtu siç veproi) e solli nëpër krajatat e jetës pas një vetëdijësimi për rrugën në të cilën ishte nisur, e në të cilën e pa dhe e kuptoi se nuk duhej ecur.

Rifat Bunjaku nga fshati Biçec (Bicaj) i Komunës së Kaçanikut në kërkim të jetës më të mirë ishte shpërngulur në Shkup më 1924. Ishte martuar me Qamilen nga Shkupi, të cilëve më 10.06.1928 do t’u lind djali, që e pagëzuan Rexhep, i cili fëmijërinë dhe shkollën fillore do t’i kryej në Shkup, për t’u regjistruar në vitin shkollor 1939/1940 në Medresenë e Madhe të Aleksandrit, që ishte hapur me 1925 për “Muslimanët e Jugut të Serbisë”. Okupimi fashist (1941) ia ndërpreu shkollimin, të cilin më s’pati mundësi t’a vazhdojë, sepse jeta e këtij njeriu mori rrjedhë tjetër, më shumë pa dëshirën e tij, për shkak se nuk kishte dashur t’i shërbente një regjimi të ri gjakatar, si i vjetri, i veshur si bishë me lëkurë qengji. U dënua me pushkatim pasi ishte zbuluar veprimtaria e tij dhe e shokëve, por fati e shpëtoi që sot t’i gëzohet pavarësisë së Kosovës.

Pas daljes nga burgu shumëvjeqarë, e kreu shkollën e mesme elektro-teknike, regjistroi Fakultetin Ekonomik dhe u detyrua të punoj pastaj për ekzistencë. Në veprën e tij kushtuar organizatës të cilës i takonte me mburrje, e cila u botua edhe si fejton në vazhdime (12), në të përditshmen “Bujku” (e vetmja dritare në Kosovën e okupuar asokohe) në vitin 1996 me titull “ 50 vjetori i likuidimit fizik të LNDSH-së” (vazhdimi i parë) do të shkruaj:”Nuk jam nacionalist, as shovenist; nuk jam komunist, as marksist; nuk jam as lelinist, as terrorist; nuk jam as fundamentalist, as jezuit. Jam me bindje e ndjenja nacionale e kombëtare, shqiptar e atdhetar. E dua dhe e adhuroj kombin tim shqiptar, por nuk e urrej, nuk e nënçmoj e as përbuzi asnjë komb tjetër, pa dallim gjuhe, feje, ngjyre e race. E nderoj çdo komb që e nderon kombin tim”.
[1]

Infektimi me propagandën komuniste

Në Medresenë e Madhe të Shkupit, ku shkollohej Rexhep Bunjaku dhe shumë shqiptarë të tjerë, në prag të LIIB-së dhe të pushtimit fashist, dominonin dy rryma ideologjike, që hetoheshin edhe tek nxënësit edhe tek profesorët: rryma komuniste, që ishte më masive dhe kishte “hyrë në modë” e më shumë pëlqehej dhe ajo nacionaliste. Rryma e parë ishtë më prezente dhe ishte në modë që asokohe të jesh komunist, meqë propaganda joshëse prokomuniste ishte shumë aktive dhe komunizmin si sistem me ndikim prorus e pansllav e identifikonte me “progresin”,”parajsën” dhe “tokën e premtuar”. Ndërkaq fashizmi, me të cilin identifikoheshin nacionalistët, konsiderohej rrymë “regresive”, “e prapambetur” dhe që donte të ruante “të kaluarën borgjeze”.

Me çka dallonin këto dy rryma përveç asaj që u tha?. Komunistët ishin më aktivë, më të organizuar, më të vendosur dhe më fanatikë. Nacionalistët ishin më të arsimuar, më të pasur, më të denjë dhe më agresivë.
[2]

Propaganda komuniste, në emër të internacionalizmit proletar, në emër të parajsës së premtuar ( e asnjëherë të realizuar) fliste për një “shoqëri që do të triumfonte në përmasa planetare”; “ku njeriu për njeriun do të jetë vlera më e madhe”; “ku të mirat materiale do të rrjedhin si lumë”; “shpërblimi për punë do të bëhej sipas punës” dhe “njerëzimi do të punoj sipas aftësive, e do të merrte sipas nevojave”. Ishte kjo një parajsë tokësore që u premtohej njerëzve, të cilët jetonin në kushte mjerimi siç dëfton historia, pa bazë ekonomike dhe shkallë shumë të ulët të vetëdijes shoqërore, një brum i përshtatshëm për të gatuar bukën që u duhej komunistëve. Sidomos shqiptarët pa asnjë të drejtë asokohe, ishin të destinuar të binin pre e tyre. Kjo propagandë që servohej sistematikisht dhe këto sllogane joshëse, ishin një ortodoksi e llojit ruso-sllav për shkrirjen e shqiptarëve e të traditës së tyre të pasur në “kazanin bolshevik” siç edhe ndodhi për gjysëm shekulli.

Kjo ëmbëlsi joshëse e kishte tërhequr si të ri edhe Rexhep Bunjakun sikur mijëra tjerë të rinjë shqiptarë. Ishte ndër njerëzit e rrallë të arsimuar deri në atë shkallë ku ishte në Komunën e Kaçanikut, për t’u kyqur në ingranazhet e pushtetit e të shoqërisë së re që po krijohej pas fitores dhe “çlirimit”. Por, siç e pranon edhe vet, “shpejt ngopet dhe ia pi çorbën e hidhur komunizmit” , kurse iluzionet për parajsën e premtuar i ishin lëkundur ende pa u vendosur mirë ky pushtet në plojën e Bllacës së Hanit të Elezit më 14 nëntor 1944, kur Brigadat partizane nën komandën e Glisha Sharanoviqit kishin pushkatuar rreth 150 shqiptarë, gra, fëmijë e pleq, e ai i kishte parë me sytë e tij.

Por, për krimet e panumërta komuniste ndaj shqiptarëve të pafajshëm, ky atdhetar i ri do të mësoj nga shokët e burgosur në burgun e Nishit, i dënuar si NDSH-ist, në fillim të vitit 1947.

Pas 17 nëntorit 1944, që asokohe u quajt “çlirim” siç do të shkruaj Bunjaku, atij, Halim Misin Sopës dhe Isa Xhemajl Doganit u jepet besimi si njerëz të shkolluar të formojnë Këshillin Komunal të Rrethit në Kaçanik bashkë me organet tjera të pushtetit. Formohet edhe OZN-a famëkeqe (Organizata për Mbrojtjen e Popullit), të cilën e udhëhiqte Rajko Vidaçiq, një antishqiptar i përbetuar dhe i dëshmuar. Vet Vidaçiq kishte kërkuar që, si i shkolluar që ishte, sekretar për OZN-an e Kaçanikut të zgjedhet Rexhep Bunjaku, ku deri në qershor 1945 vepron në Kaçanik e pastaj transferohet në Ferizaj. Ky “avansim” i tij nga Kaçaniku në Ferizaj, siç thotë z.Bunjaku, ishte i lidhur me “deshifrimin e një telegrami për burgosjen e Avni Hasanit dhe Isak Dobranjës si udhëheqës ballistë”, që ishin ndër njerëzit më të rëndësishëm dhe shokë të Rexhep Bunjakut. Ky ishte momenti kthesë në jetën e këtij atdhetari, që siç pohon vet “isha molepsur nga propaganda komuniste” për t’u kthjellur e për të kuptuar se me çka merrej komunizmi dhe kujt i shërbente ai me shumë shqiptarë të tjerë.

Por, momenti që z.Bunjakun e vetëdijësoi, pas të cilit ai pësoi një trandje dhe “katarsë shpirtërore” për t’u betuar si shqiptar, është rrëfimi që e dëgjoi nga goja e zëvendës shefit të OZN-as për rrethin e Ferizajt Jovo Bajatit (kolonist nga fshati Gërbollë i Ferizajt), i cili rrëfim barbarë, kupën e mbushur plote urrejtje për sistemin komunist që i shërbente, e derdhi deri në fund. Ishte një rrëfim deliri, një mburrje e entuziazëm për këtë antishqiptar duke mbytur “armiqë shqiptarë”. Ja rrëfimi sadist i kriminelit Jovo, të cilin e përshkruan Rexhep Bunjaku:” I shtrinim në shpinë të burgosurit të dërmuar nga torturat, me duar e këmbë të hapura e të gozhduar në dysheme si Krishti”. E merrnim nga një hu dhe ashtu të shtrirë e të gozhduar i rrihnin brinjëve e krahërorit, ua shperthenim koshin e krahërorit dhe na stërpikte gjaku i tyre. Cvilitjet e tyre na qonin në ekstazë. Ishte ky një përjetim i ëmbël, i ngrohtë”.
[3]

Është ky fundi i njerëzores që e rrëfente sadisti Jovo, e që tek Bunjaku i ri, asokohe 18 vjeqarë, ndikoi si moment kthese për shmangje nga rruga e shërbimit antishqiptar komunist në shërbim të armiqëve. Kjo do t’a vulos fatin e tij dhe në jetën e pasur e të vuajtur do t’i sjell dy gjëra: lavdinë e përjetshme kombëtare, por edhe vuajtjet e shumta nëpër burgje, për të cilat si NDSH-ist ai sot në moshë të shtyer e ndien veten krenarë para kombit edhe atdheut.

Antarësimi në LNDSH, burgosja dhe dënimi me pushkatim

Në gusht të vitit 1945, Rexhep Bunjaku duke e përjetuar tepër rëndë shërbimin në organet e OZN-as, pa e bërë një vit ende, sëmuret nga verdhëza dhe për një muaj pushon në gjirin familjar në Shkup. Meqë ishte betuar që atë rrugë të shërbimit të mos e vazhdoj, shfrytëzon rastin për t’u takuar me themeluesit e LNDSH-së, sepse kishte vendosur definitivisht të mos bëhej më argat i djajve komunistë. Në Shkup takohet me Qemal Skënderin (njërin ndër themeluesit e LNDSH-së për Qarkun e Shkupit), i cili i flet për krimet komuniste, edhepse e dinte se çfarë pune kryente Rexhep Bunjaku, por kishte besim në të dhe e çmonte si njeri me dinjitet. Ky besim i shprehur ndaj tij, urrejtja që kishte filluar të ngjallej ndaj shërbimit që bënte dhe krimet që kishte parë me sytë e tij, të gjitha këto bën që ai menjëherë të inkuadrohet në këtë organizatë dhe të lidhet me grupin e Shkupit ku vepronin: Azem Morana, Hasan Bilalli, Qemal Skënderi, Halim Orana, Mehmet Bushi, Hysni Rudi etj.

Më vonë kur LNDSH-ja fillon të zgjerohet e masovizohet thuaja në të gjitha trojet shqiptare në ish-Jugosllavi, si rezistencë aktive dhe e fuqishme ndaj krimeve që bëheshin ndaj shqiptarëve në vitet e plojës komuniste 1945-1947, në çdo qytet e edhe nëpër fshatra do të formohen komitete e ndër komitete të saj. Sipas kujtimeve të Rexhep Bunjakut, komitetin e Rrethit të LNDSH-së për Kaçanik e përbënin pese veta dhe ai ishte themeluar në prill 1946 në shtëpinë e Danush Nikës, kurse e udhëhiqte Fahri Halimi-Shurllani, e antarë ishin: Hajrush Halimi-Shurllani, Shefki Metushi- Reka, Danush Nika dhe Rexhep Bunjaku. Më vonë këtij grupi i ishin bashkangjitur edhe Hilmi Ejupi-Shehu dhe Sylejman Fejzullahu-Mjaku.

Sipas shpjegimit të Rexhep Bunjakut, LNDSH-ja, e cila asokohe e para e kishte sfiduar në mënyrë të organizuar tradhtinë komuniste, ishte më e fuqishme në Kosovë se kudo në gjithë kampin socialist, që asokohe si sistem kishte një shtrirje planetare. Duke u mbështetur në të dhënat nga terreni, sipas raportimit të sekretarit të kësaj organizate Azem Moranës, që u prezentuan në një mbledhje në shtëpinë e Qemal Skënderit në Shkup ( maj 1946 – Kongresi i II-të i saj) “anëtarë aktivë të komiteteve të qyteteve dhe fshatrave kanë qenë 30.000. Kurse në programin e saj përmenden 7 pika programatike: 1.Syqelësia dhe kujdesi ndaj aktivistëve të verbuar e militantë komunistë-titistë, që veprimtaria e tyre të mos kurorëzohet me sukses dhe të mos bëjë efektin e synuar ashtu që sa më pak t’a dëmtojë popullin; 2. Moskryerja dhe sabotimi sa më i madh i urdhërave dhe direktivave të Partisë Komuniste Jugosllave dhe të pushtetit me karakter antishqiptar; 3. Demaskimi i spiunëve dhe bashkpunëtorëve të përbetuar titistë; 4. Grumbullimi dhe shpërndarja e armëve në popull për kryengritje në rastin e volitshëm; 5. Ndihmë në të holla material sanitarë, ushqim dhe veshmbathje për luftëtarët e lirisë në malet e Kosovës; 6. Informimi i mirëfilltë, me të vërteta të dokumentuara, i popullit shqiptar kundër agjitacionit dhe propagandës së armikut; 7. Lufta e pandërprerë kundër dezinformatave dhe gënjeshtrave”.
[4]

Ajo që kishte irituar të riun Bunjaku, ishte fakti se të gjitha krimet antishqiptare që bëheshin, thirreshin në emër të “lirisë”, “demokracisë”, “të drejtave të barabarta”, e të “vllazërim-bashkimit”. Populli i kuptonte këto broçkulla, por kuqedra e kuqe kishte mbështetjen ndërkombëtare dhe kishte shtrirë pushtetin në çdo pore të jetës.

Meqë orientimi i NDSH-së ishte properëndimor, krerët e saj kishin menduar se pas LIIB-së do të kishte një konfrontim midis dy koncepteve, aleatëve fitues antifashistë: kapitalizmit dhe komunizmit. Mirëpo, kjo nuk ndodhi. Filloi Lufta e Ftohtë, ndarja e botës në blloqe dhe kapitalizmi konfliktin me lindjen e shtyu për më vonë dhe kjo do të ndodhë gjysëm shekulli më vonë në vitet e 90-ta të shek.XX-të, pas rrënimit të Murit të Berlinit. Kjo mos mbështetje e programit të NDSH-së për të luftuar komunizmin, bëri që pushteti komunist i asaj kohe t’i zbulojë të gjithë krerët e kësaj organizate dhe thuaja të gjithë t’i dënojë pamëshirshëm me likuidime fizike e burgime të gjata.

Ja si e përshkruan z.Bunjaku takimin me Azem Moranën njërin ndër themeluesit e NDSH-së për Qarkun e Shkupit, i cili i kishte paralajmëruar se së shpejti do të burgosen: “ Ishte muzgu dhe shetitesha buzë lumit. Nga ana e kundërt vinte Azemi. Ishte aq i thelluar në mendime saqë nuk më pa, edhepse kaloi pranë meje. E kapa për krahu.I befasuar e ktheu kokën, më shikoi dhe i ngazëllyer, me një buzëqeshje që vetëm atij i kishte hije, i hapi krahët dhe më përqafoi gjatë, gjatë. Kjo sjellje e tij nuk përkiste me karakterin e tij të denjë, krenar e hijerëndë… Azemi përsëri u thellua në mendime. E pyeta ç’ke e më tha: “Rexhep, këto janë ditët tona të fundit. Pse të të mashtroj. Së shpejti do të na burgosin. E kanë burgosur një anëtar e aktivist të vyeshëm të lëvizjes, i cili di shumë për veprimtarinë tonë. Ky është Hamdi Berisha nga Gjilani (nuk i tregova që e njoh). Duke i ditur metodat e UDB-së, është e pamundur që të mos i tregoj të gjitha. Burgosjen po e pres me vetëdije dhe me gjakftohtësi, por po më vjen keq që planet tona nuk u sendërtuan. Nuk u përputhën me planet dhe interesat e shteteve të perëndimit. Po e analizoj veprimtarinë tonë: A kemi gabuar që ja filluam rezistencës? Jo!. Mirëpo ngjarjet e zhvilluara i demantuan planet tona. Konfrontimi i kapitalizmit me komunizmin dhe pansllavizmin u shty për një kohë, më duket shumë të gjatë. Por, flijimi ynë për kauzën kombëtare do të jap fryte më vonë. Kemi mbjell farë shumë të shëndoshë. Ardhmëria dhe historia kombëtare do t’a dëshmojnë se viktimat nuk qenë të kota. Para se të takohemi mendoja për ty. Po më dhimbsesh se ende nuk e ke shijuar jetën, por besoj se nuk pendohesh”. Fjalët e tij të fundit më lënduan dhe reagova: “Azem tash e teprove! Kur ja kemi filluar punës patriotike nuk i kemi numëruar vitet dhe nuk kemi pyetur për moshë. Pesimizmi yt nuk përkon me karakterin tënd. Ti gjithmonë ke qenë frymëzim i optimizmit për ardhmërinë e lumtur në shtetin tonë të lirë e të bashkuar”. U përqafuam dhe u ndamë. Azemi u gjykua me vdekje me pushkatim dhe u likuidua”.[5]

Rexhep Bunjaku burgoset me 16.08.1946 në Kaçanik, kur kishte vetëm 18 vjet e dy muaj. Sipas dëshmive të tij, të përshkruara në po këtë vepër, tradhtinë kryesore për burgosjen e tij (dhe rënien në dorë të OZN-as të dokumentit që ai posedonte për krerët e LNDSH-së, likuidimin e shqiptarëve dhe të tjerë që ishin në listë për likuidim) e kishte bërë Lazër Josipi, pas burgosjes në burgun e Gjilanit të Hamdi Berishës, i cili kishte zbuluar të gjithë krerët e LNDSH-së. Rexhep Bunjaku nga krerët e LNDSH-së ishte ngarkuar që meqë punonte në organet e OZN-as të grumbullonte shënimet për krimet e saj, të cilat pasi u zbuluan që atij i sollën dënimin me vdekje, shërbyen si dëshmi për burgosjen e qindëra shqiptarëve si NDSH-istë.

Në aktakuzën kundër Hamdi Berishës, (i pari i akuzuar në grupin e Gjilanit) ai përveç tjerash akuzohet nga OZN-a se “ishte ngarkuar të vriste me atentat Shaban Kajtazin, kolonel, oficer i lartë i saj”. Në një bisedë të gjatë që pati me Shaban Kajtazin në Prishtinë, autori i këtyre rreshtave në pyetjen “se a dinte për faktin që Hamdi Berisha ka pasur për detyrë t’u vras juve siç shkruan në aktakuzë”, z.Kajtazi është përgjigjur: “Kam dëgjuar, por nuk e kam parë. E di se kjo akuzë ndaj Hamdi Berishës është montim i OZN-as, sepse pas zbulimit të krerëve të LNDSH-së për rrethet: Ferizaj, Kaçanik dhe Shkup, ai akuzohet se ka qenë i autorizuar të më vrasë mua për t’a fuqizuar dënimin me pushkatim, i cili ju zëvendësua me 20 vjet burg për shkak se ishte i ri”.
[6]

Kështu, pra OZN-a, me një gurë vret dy zogjë: nga një anë e shfrytëzoi pjesëtarin e NDSH-së për zbulim të shokëve dhe të krerëve të saj dhe nga ana tjetër për t’a mbuluar këtë shërbim (jo për t’a liruar, sepse do të zbulohej tradhtia) përmes akuzës së rrejshme si atentator i mundshëm ndaj oficerit shqiptar të OZN-as, atë e dënoi me dënimin më të rëndë.

Rexhep Bunjaku shpjegon në shënimet e tij se në vallen e tradhtisë për demaskimin, burgosjen dhe likuidimin e krerëve të LNDSH-së, përveç Lazër Josipit ishin implikuar edhe Mulla Shaip Asllani-Kërstiqi nga Komogllava dhe Mulla Zydi Poneshi nga Shkupi, të dy spiunë të UDB-së të infiltruar nga radhët e hoxhallarëve në LNDSH-në.
[7]

Meqë tek tezja e babait të Rexhep Bunjakut në Kaçanik ishte zënë materiali sekret që nuk duhej të binte në dorë të OZN-as, ky material asnjëherë nuk u bë publik dhe për këtë arsye gjykimi ndaj Rexhep Bunjakut u bë pa vendim dhe pa publik. Gjykimi i tillë,siç shpjegon ky i dënuar, zgjati vetëm gjysmë ore, ku i shqiptohet dënimi me vdekje (pushkatim) dhe në këtë proces të gjyqit ushtarak marrin pjesë: Kryetari i gjyqit Smajo Softiq, prokurori publik ushtarak Mirko Shukoviq dhe mbrojtësi ushtarak i caktuar nga gjyqi. Nga publiku ishte vetëm babai Rifati, me të cilin i dënuari nuk ishte parë gjashtë muaj dhe kur ju shqiptua dënimi me vdekje të birit, ju mbushën sytë me lot. Duke u përqafuar me të për pesë minuta (aq sa u dhanë afat), i biri i dënuar me pushkatim do t’i thotë babait: “Hë, or burrë? Mos u ligshto se lotët nuk të kanë hije”, e i ati, i përlotur do t’ia kthej; “Eh, eh or djali im. T’isha në vend tëndin edhe unë do të bëja si ti”.[8]

I dë I dënuari pret ekzekutimin

I mbërthyer në pranga në burgun e Prishtinës, Rexhep Bunjaku djalë i ri me qëndrim burrëror e të papërkulur për rrugën që kishte zgjedhur me vetëdije, priste çdo moment pushkatimin. Të dënuar në të njëjtin proces me pushkatim nga gjyqi i Jashtëzakonshëm Ushtarak Divizioni i Prishtinës, i njëjti fat i priste edhe atdhetarët tjerë të prangosur: Abdurrahman Gërgurin, Jusuf Visokën, Sabit Qazim Llashticën dhe Ramadan Govorin (Mulla Ramën).

Është një antitezë interesante dhe e fuqishme veprimesh midis dy poleve jetësore të tipit atdhetar dhe atij tipik tradhëtar e antishqiptar, që ndodh në qelitë e burgut të Prishtinës, pra midis viktimave e xhelatit, kur aty shkon për t’i vizituar të dënuarit, prokurori i zellshëm asokohe, me llërë të shpërveshura dhe shpatën e tij juridike pa ju terur kurrë në tehun e saj gjaku shqiptar-Ali Shukria: “ Ne për pushkatim-thotë Rexhep Bunjaku duke kujtuar ato momente, dalloheshim me pranga në këmbë dhe ishim të vendosur pranë derës, për të mos i penguar të tjerët. Si na pa (Ali Shukria) i ngazëllyer, e me buzëqeshje satanike, gërgasi me zë të trashë: “Hë, terroristë! Kriminelë! Menduat të luftoni kundër komunizmit, kundër vëllazërim-bashkimit. Po ne jemi komunistë dhe qe se si i qërojmë hesapet me armiqtë e popullit. Ju qenkeni për strelishte! (vendi ku pushkatoheshin të dënuarit në Tauk Bashqe në Prishtinë). Aty e kini vendin ju banditë! Po ti, ( ju drejtua Rizah Marvecit, i gjykuar me 20 vjet) sa je dënuar? Pak! Pak! Edhe ty është dashur në strelishte”.
[9]

Se në çfarë rrethanash kemi kaluar si popull i shtypur, sidomos ata që ju kundërvunë pushtetit komunist, që i bluante kundërshtarët si gurë mulliri, tregon fati i Rexhep Bunjakut, i cili ishte përgatitur për pushkatim, por fati, (kjo dorë e zgjatur për të mbijëtuarit) e shpëtoi, që sot i gjallë të përjetoj pavarësinë e Kosovës me një arsye shumë më të fortë se ne të tjerët, që e priti këtë ditë.

Dy burra pleq në dhomë i kishin thënë që të lahet, ta hiqte pisllëkun 7 muajsh të burgut, por ai me pranga lidhur u kishte thënë se këtë nuk mund t’a bënte, meqë ashtu i mbërthyer siç ishte nuk mund të zhvishej. Edhe ai habitet si e kishin zhveshur ata burra, vetëm kur e kishte parë veten lakuriq. E kishin larë duke e përgatitur që tani, i larë kur të pushkatohej, do të varrosej si muslimanë!!!.

Rexhep Bunjaku shpjegon edhe një moment rrënqethës që flet për ferrin e Dantes dhe atë se sa shtrenjtë e kanë paguar shqiptarët lirinë, e sa lehtë sot meritokracia e pushtetarët abuzojnë me të. “Në toalet- thotë ai, Abdullah Musliu (atdhetar ferizajas) me një laps të shkruar më kishte lënë këtë porosi: “Mos lejo të t’i lidhin sytë gjatë pushkatimit”.
[10]

Ndërkaq, për botën e ndjenjave që ziente në shpirtin shtalb të këtij atdhetari në këso momentesh, kur 18 vjeqari pret plumbat e vdekjes, këtë ankth, që siç thonë psikologët as nuk përshkruhet e as nuk shpjegohet, por vetëm përjetohet, këtë idealizëm atdhetar që nuk pyet për asgjë e nuk mund t’a frenojë asgjë, ka këtë shpjegim: “Isha i vendosur që të flijoja jetën jo për fe, por për ideal të lirisë; jo për Muhamedin e Krishtin, po për popullin shqiptar; jo për flamur me hënë e yll dhe me kryq, por për flamur kuq e zi me shkabën dy krenare; jo për gjuhën turko-serbe e greko-sllave, por për gjuhën e ëmbël shqipe. Me një fjalë për të gjitha ato veti e virtyte që e stolisin kombin”.[11]

Por, kur fati e do, njeriu shpëton edhe në këso situatash. Nga dhoma e burgut të dënuar nga Gjyqi Ushtarak në Prishtinë, nga anëtarët e LNDSH-së të dënuar me vdekje (pushkatim) asnjë nuk pushkatohet. Të gjithëve dënimi me vdekje u shndërrohet në 20 vjet burg. Këtë fat ndërkaq nuk e patën të dënuarit me vdekje që ua kishte shqiptuar dënimet Gjykata Civile e Qarkut në Prishtinë e Shkup: Gjon Serreqi, Ajet Gërguri, Osman Bunjaku, Ukë Sadiku, Azem Morana, Halim Orana, Hysni Rudi, Mehmet Bushi etj.

Grupi i Rexhep Bunjakut të dënuar nga gjyqi ushtarak Divizioni i Prishtinës, ishin ankuar Gjyqit Suprem, i cili ua kishte vërtetuar dënimet dhe instanca e fundit për ankesë ishte Presidenca e RFPJ-së, të cilës i paraqesin ankesë dhe ajo nën presionin e Komisionit Anketues Ballkanik të OKB-së, që hulumtonte asokohe terrorin mbi shqiptarët në Ballkan, ua shndërron dënimet nga pushkatimi në 20 vjet, të cilat i mbajnë nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë, në të cilat, siç dëshmojnë kronikat e kohës nuk kishte burg në mbarë territorin e këtij shteti që nuk kishte të burgosur si NDSH-ist shqiptar të dënuar.

Në pyetjen e pashmangshme, pse në vitet 70-80-ta nuk u aktivizuan idealet e LNDSH-së, aq të fuqishme dikur- atdhetari Rexhep Bunjaku ka këtë përgjigje me një mori arsyesh: 1. Krerët e LNDSH-së ishin likuiduar, arrestuar e burgosu gjatë dhe familjet e tyre të shtypura jetonin në mjerim ekonomik; 2. Në programin e grupeve që u shquan në vitet 70-80-të që pretendonin çlirimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, platformë ishte çështja kombëtare e mbështjellë me petkun ideologjik, marksist-leninist-stalinist, që për LNDSH-në dhe programin e saj është i huaj dhe i papranueshëm; 3. Mos përkrahja e faktorit ndërkombëtar për shkak të politikës ortodokse staliniste që ndiqte shteti amë deri me rënien e Murit të Berlinit, fundi e Luftës së Ftohtë, shembjen e komunizmit dhe fitoren e demokracisë në Shqipëri.
[12]

Në observimet dhe elaborimet e tij kombëtare për historinë dhe aktualitetin politik që nuk mund të mohohet se e njeh mirë ky atdhetar, z.Rexhep Bunjaku shpreh mendimin se të këqijat tona më të mëdha ndër shekuj, plagët të pashërueshme janë “përqarjet tona fetare e ideologjike”. Për shkak të mungesës të vetëdijes kombëtare dhe mungesës së shtetit funksional, shton ky atdhetar; shqiptari katolik- italianizohet; shqiptari musliman-turqizohet ose islamizohet; ai ortodoks-greqizohet; kurse komunisti shqiptar bëhet më internacional se çdokush tjetër në dëm të kombit të vet.[13]
Këto plagë duhet t’i shërojë koha dhe e ardhmja demokratike, shteti i ri dhe i pavarur i Kosovës, integrimet evropiane dhe sofra ndërkombëtare e popujve të barabartë, ku edhe shqiptarëve do t’u takoj pjesa e vet që e meritojnë dhe kanë sakrifikuar shumë, siç bëri edhe Rexhep Bunjaku, për çka sot e ndien veten krenarë për rrugën e ndjekur para kombit, atdheut, brezave dhe ardhmërisë.


Ferizaj Enver Zhinipotoku
15.05.2009 Sociolog









[1] Rexhep Bunjaku, “50 vjetori i likuidimit fizik tëLNDSH-së”, Fejton,gazeta “Bujku”, 23 gusht 1996, vazhdimi i parë
[2] Po,aty
[3] Po,aty
[4] Rexhep Bunjaku, po aty, vazhdimi i dytë,24 gusht 1996, faqe 6
[5] Po,aty vazhdimi i dytë
[6] Biseda me Shaban Kajtazin, oficer i lartë i OZN-as dhe UDB-së- është bërë në shtëpinë e tij në Prishtinë, janar 2002
[7] Rexhep Bunjaku, po aty, shih vazhdimet 8 dhe 11.
[8] Po aty, vazhdimi i dytë, faqe 6
[9] Rexhep Bunjaku, po aty, vazhdimi I 4, 26 gusht 1996, faqe 6
[10] Rexhep Bunjaku, po aty, vazhdimi i tretë,25.gusht 1996, faqe 6
[11] Po aty, vazhdimi i tretë, faqe
[12] Po aty, vazhdimi dhjetë, 3 shtator 1996, faqe 6
[13] Rexhep Bunjaku, po aty, vazhdimi dymbëdhjetë,5 shtator 1996, faqe 6
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi