Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

IDRIZ ZEQIRAJ:AKADEMI ME SKENAR E REGJI TË VRASËSVE TË DJESHËM

Shko poshtë

IDRIZ ZEQIRAJ:AKADEMI ME SKENAR E REGJI TË VRASËSVE TË DJESHËM  Empty IDRIZ ZEQIRAJ:AKADEMI ME SKENAR E REGJI TË VRASËSVE TË DJESHËM

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jun 30, 2012 12:43 am

PËRVJETORI I 14-të I VRASJES TË ILIR KONUSHEVCIT DHE DR. HAZIR MALAJ
IDRIZ ZEQIRAJ:AKADEMI ME SKENAR E REGJI TË VRASËSVE TË DJESHËM  200px-U1_IlirKonushevci
AKADEMI ME SKENAR E REGJI TË VRASËSVE TË DJESHËM

Por, me miqtë nuk duhet bërë as politikë dhe as diplomaci. Përkundrazi, duhet thënë gjërat troç e pa lajka.

IDRIZ ZEQIRAJ:AKADEMI ME SKENAR E REGJI TË VRASËSVE TË DJESHËM  DSC01855.JPG-for-web-normal
SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ

Vite më parë u ndodhëm në zyrën e dy vëllezërve afaristë në Prishtinë. Të nesërmen ishte përvjetori i atentatimit të Ilir Konushervcit dhe të dr. Hazir Malaj. Ceremonia e përkujtimit bëhej vetëm në varreza, duke mbajtur një fjalë rasti dhe duke vënë kurora mortesh.
- A do të vijsh nesër në Tiranë, për homazhe ke Ilir Konushevci, - pyeta vëllanë më të ri afarist?
- Po, - u gjegj ai.
- Me ke do të udhëtosh, - vazhdova unë?
Ai më përmendi tre emra, të cilët ishin për mua të njohur.
- Ata janë vrasësit e Ilirit dhe të dr. Hazirit. Pse u dashka të provokojnë familjen dhe miqtë e Ilirit edhe në varreza, - thashë unë vrazhdët?
- Ku e di ti që ata janë vrasësit e Ilirit, - ma ktheu bashkëbiseduesi, paksa i mëdyshur?!
- Ata kanë qenë militantë, dje dhe sot, të partisë vrasëse të Ilirit me shok dhe me shokë. Ata i dinë rrethanat dhe pse e kush i vrau luftëtarët. Ata e heshtin të vërtetën dhe vazhdojnë të jenë militantë të partisë vrastare. Dhe, kjo mjafton për t`u bërë pjesë e krimit.
Pas këtij dialogu u krijua një atmosferë e pakëndshme për miqtë, me të cilët kishim qenë të angazhuar fort dhe pa hile në shërbim të luftës, duke u përballur me bandat e Shqipërisë dhe të Kosovës, të cilat ishin tërbuar në etjen e ethshme për para dhe pushtet. U larguam nga zyra, duke lënë takimin të nesërmen në Varrezat e Sharrës, në Tiranë.
Nipi i im, Ismet Rexhaj, i cili gjithashtu ka qenë pjesë e luftës, madje familjartisht, më qortoi:
"- Dajë, e teprove pak. Ti e dinë se këta janë njerëz të mirë. Kur Sigurimi Shqiptar e provokonte dhe e zhantazhonte për haraç (reket) këtë firmë, ti e denoncove Sigurimin (SHISH-in) me shkrimin: "Shteti banditesk i Rexhep Merjdanit", atëherë President i Shqipërisë dhe shkrime të tjera, të botuara në shtypin e kohës në Shqipëri dhe Mërgatë".
- E vërteta është e hidhur, aq më tepër kur përballësh me miq të mirë, siç janë këta. Por, me miqtë nuk duhet bërë as politikë dhe as diplomaci. Përkundrazi, duhet thënë gjërat troç e pa lajka, duhet ndihmuar duke e thënë të vërtetën lakuriqe, qoftë ajo edhe e hidhur.
Paskëtaj, nipi im, duke u bindur në arsyetimin tim, e zbuti pakëz kritikën, duke thënë se "ata nuk janë as shokë dhe as miq të këtyre, por, janë qylxhi, duan ta shfrytëzojnë udhëtimin gratis, (atëherë ende nuk kishte përfunduar Rruga e Kombit). Ata vijnë me porosi të partisë të tyre, me dy detyra: E para, për t`u larë se partia e tyre nuk ka dorë në këtë krim dhe, e dyta, për të përgjuar se çfarë po flitet në ceremoninë e homazhit, qoftë nga folësit, qoftë nga familja. Ata " e kanë mizën pas veshit".

Përballja e përlotshme me Luljetën dhe Nertilën

Tirana jonë hyjnore ka dy palë varreza: Varrezat klasike të Sharrës, afro 8 kilometra larg qendrës, tej Kombinatit "Stalin" dhe Varrezat e Tufinës, relativisht, të reja, të bartura nga "Varri i Bamit", tanimë, hapësirë e mbuluar me ndërtesa shumëkatshe. Bulevardi i përmasave botërore, "Dëshmorët e Kombit", me tri sheshet, të emërtuara me emrat e personaliteteve më të shquara gjithëkombëtare: "Skënderbeu", "Zogu i Parë" dhe "Nënë Tereza", i bërë nga Italia pushtuese, në vitet `40-a, i ndanë banorët e Tiranës, për prehjen e tyre të përjetshme, në këto dy vend-varreza, lindje dhe perëndim.
Varrezat e Sharrës. Hyrja në varreza, normalisht, të ngjallë ndjesi të trishtme. Shuarja, amëshimi është i pa alternativë. Këtu barazohen mbreti dhe bariu. Dy metra vend, pavarësisht stolive sipër kësaj mini-hapësire. Përgjatë rrugës hyrëse, në të dy anët e saj, janë punishtet për pllaka varresh, baraka lulesh dhe kurorash, me të cilat shqiptarët e Shqipërisë të Vjetër i nderojnë fort të vdekurit.
Në një parcellë, (kështu emërtohen ngastrat simetrike të grup-varrezave), pranë njëri - tjetrit, pushojnë trupat e viktimave të SHISH-it dhe të SHIK-ut, përkatësisht, të Sigurimeve kriminale të Shqipërisë dhe të Kosovës: tribuni i demokracisë shqiptare - Azem Hasjdari, shoqëruesi i tij Besnik Çerja, ministri i mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi, shefi i logjistikës të luftës. luftëtari Ilir Konushevci... Një masë simbolike njerëzish të heshtur, si vetë varret: Familja e gjerë e Ilirit, nusja Luljeta, vajza Nertila. Të tjerët, kryesisht, miq, shokë dhe bashkëluftëtarë të Ilirit.
Një Familje dinjitoze, si vet Iliri. Në fytyrat e tyre lexohej, qartazi, dhimbja e skajshme. Por, përmbajtja ishte admiruese. Baca Halit, maturisht dhe i qetë, përshëndetej me miqtë dhe shokët e djalit, luftëtar të lirisë. Nëna Nazmije na e kujton atë vlerësimin e saktë psikologjik të frengut Hygo: "Për një nënë që ka humbur djalin e saj, gjithmonë zemra është si në ditën e parë të dhimbjes. Sado kohë të kalojë, sado që të zbardhën rrobat e zisë, zemra e nënës mbetet e zezë". Vëllai Saimiri, nipat dhe mbesat, në rrjesht, të heshtur dhe me shikim zhbirues e të përmallshëm drejt varrit, ku pushonte trupi i Ilir Konushevcit, sikur donin të qendronin më gjatë, për t`u çmallur më shumë me Ilirin e tyre, me Ilirin tonë.

Përballja më e vështirë, padyshim, ishte me Lulen nuse dhe vajzën Nertilë të Ilir Konushevcit. Një nuse që rrezatonte harmonishëm bukuri, fisnikëri e dhimbje të pafundme. Ajo zgjodhi të mbetet nusja e përjetshme e Ilir Konushevcit. Ndërkohë që plot nga shoqet e saja ende nuk kanë veshur vellon e nusërisë, Lulja ka veshur fustanin e zizë të përjetshme. Ajo përkujdeset për rritjen, edukimin, shkollimin e frutit të dashurisë të parë dhe të fundit, të vajzës të saj dhe të Ilirit - engjëllores Nertilë. Duhet të jesh prej guri, për t`u përmbajtur nga lotimi.

E fshehta publike e vrasjes të Ilirit dhe demagogjia pushtetare

Luftimi pa kompromis, në gjallje të heronjve, përjashton
çfarëdo keqardhje pas amëshimit të tyre. Këtu kemi të
bëjmë me një hipokrizi dhe demagogji të kulluar dhe të
turpshme partiake e pushtetare, e cila synon mashtrimin
masiv, për të vjelur votat e shqiptarëve mjeranë.

Çuditërisht, sa vjen e shtohet oreksi për ta falsifikuar historinë, për të përvehtësuar luftën, për t`i privatizuar dëshmorët. Pas akademive përkujtimore për Agim Ramadanin, Sali Çekaj, radha i erdhi asaj të Ilir Konushevcit me dr. Hazir Malaj, tropojan. Patronati i kryeministrit Hashim Thaçi, edhepse pa praninë fizike të tij, tashmë, u bë modë dhe kjo ka arsye thjesht politike dhe asnjë fije ndjesie të dhimbjes dhe të respektit. Luftimi pa kompromis, madje me të gjitha mjetet, në gjallje të heronjve, përjashton çfarëdo keqardhje pas amëshimit të tyre. Pra, këtu kemi të bëjmë me një hipokrizi dhe demagogji të kulluar dhe të turpshme partiake e pushtetare, e cila synon mashtrimin masiv, për të vjelur votat e shqiptarëve mjeranë.
Pa paragjykuar apo hamendësuar çfarë u tha tjetër në akademinë përkujtimore kushtuar Ilir Konushevcit dhe dr. Hazir Malaj, veç asaj që kemi dëgjuar në televizionin "publik" RTK, ishte një maskaradë e tipit komunist, një lum fjalësh, për ta heshtur e fshehur të vërtetën e atentatimit të dëshmorëve të cituar. Dhe, nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kur akademia ka skenar e regji të vrasësve të djeshëm dhe pushtetarë të sotëm.
Folësit në akademi, nga Shqipëria dhe Kosova, ligjëruan përdhimbshëm, duke maskuar kujdesshëm tragjikën e luftës të Kosovës, akuzën ndaj Serbisë pushtuese, por "harronin" me dashje se personazhet, të cilëve u kushtohej kjo akademi se ishin vrarë brenda territorit të Shqipërisë, madje nga shqiptarë, qofshin ata vendorë apo të Kosovës, ose, më saktë, sëbashku. Përveç asaj që "u vranë në rrugën Qafë Mali - Bajram Curr", asnjë fjalë tjetër nuk u tha për mospajtimet e hapura që kishte pasur Ilir Konushevci me shefat e LPK-së dhe as për rrethanat e vërteta të ekzekutimit në pritë!?
Ajo që shqiptarët kanë mësuar për qendrimet e Ilir Konushevcit për luftën është se ai ishte kategorik kundër shpërdorimeve materiale, qoftë tregtimi kontrabandë të armëve, i ndihmave të ndryshme materiale, i fondeve të destinuara për luftën. Gjithashtu, ai ishte për bashkimin e faktorit politik dhe ushtarak, për ta përballuar luftën me Serbinë. Ndërkohë që shefat e LPK-së, të "menaxhuar" nga banda zyrtare e Tiranës, ishin kategorik t`i luftonin ushtarët dhe oficerët institucionalë si dhe LDK-në, më parë dhe më shumë sesa Serbinë!! LPK-së i interesonte pushteti dhe jo shteti. Ata i bindi Paskal Milo me shokë se tani duhet punuar për realizimin e amandamenteve të Kushtetutës të 1974-ës. Dhe, për habinë e atyre që nuk e njohin, në masën e duhur, demagogjinë komuniste, shefat e LPK-së e pranuan në heshtje edhe këtë poshtërsi dhe tradhti - njëherësh!!! Prandaj edhe ditën fatale të ekzekutimit ai udhëtonte drejt Kosharës, ku luftonin forcat ushtarake të Presidentit Historik, dr. Ibrahim Rugova.
Asnjë nga folësit, të paktën, aq sa kemi dëgjuar nga RTK-ja, nuk kërkoi hetimin dhe ndeshkimin e ekzekutorëve të luftëtarëve, tashmë, dëshmorë, Ilir Konushevci dhe të dr. Hazir Malaj!! Madje, edhe cicëroni i Hashimit, Hajredin Kuçi, mjerisht, ministër i drejtësisë dhe zëvendë - kryeministër i Kosovës, bëri tymnajë, ashtu siç bëri edhe me ligjin për gazetarët dhe siç i vjen në ndihmë, gjithëherë, padronit të tij - Hashimit, me shpjegime paushalle juridike. Ai i heshti jo vetëm arsyet e ekzekutimit, por edhe nuk premtoi asgjë për hetimin, zbulimin e rastit, edhepse kjo është një e fshehtë publike.
Ekzekutimet, qofshin ato të SHISH-it apo të SHIK-ut, kanë qenë gjysmë - legale. Në minutat e parë të vrasjes të deputetit Azem Hajdarit, Partia Demokratike e Shqipërisë i ka denoncuar me emra ekzekutorët. Megjithatë, ata kanë udhëtuar me makinë, përgjatë gjithë natës, në relacionin Tiranë - Bajram Curr, madje pa i ndaluar askush!? Dhe, kur dihet se ka vetëm një rrugë tokësore drejt Malësisë të Gjakovës, ndërkohë që ishte vrarë kryetari i parë i të parës parti pluraliste, PDSH-së, tribuni i demokracisë shqiptare - Azem Hajdari, flet qartazi për një linçim zyrtar, vrasje pa gjyq fare!

SHIK- u I IMPLIKUAR NË RRETH 1500 VRASJE

Për ta kryer një ekzekutim, SHIK-u angazhonte një duzinë
njerëzish. Pjesë e krimit bëheshin edhe veturat.

Edhe në Kosovë ekzekutimet e SHIK-ut, që kapin shifrën nga 1.300 deri në 1.700, ngaqë plot nga të konsideruarit të zhdukur, rezultojnë të kenë qenë banorë të burgjeve të UÇK-së të SHIK-ut dhe që andej kanë "humbur", "pa nam e nishan", kanë qenë gjysmë-legale. Dhe, kjo shpjegohet se LPK-ja bandë, u sigurua nga krerët e bandës zyrtare të `97-ës se janë ata, pra, lëpëkeistët stalinistë që do ta marrin pushtetin autonomist në Kosovë, siç ishin marrë vesh krerët shqiptarë të Tiranës zyrtare të asaj kohe, me shefat e Beogradit dhe vetë ata do të jenë zotër të ligjit, ashtu, siç vërtet, u bënë!
Për ta kryer një ekzekutim SHIK-u angazhonte një duzinë njerëzish. Pjesë e krimit bëheshin edhe veturat. Shoqërues të atentatorëve të kuadrit ushtarak institucional apo partiak të LDK-së, ishin dy ose katër vetura. Organizimi ishte i tillë që në rast të ndjekjes të dorasëve, nga organet përkatëse, makinat shoqëruese duhej të realizonin karambolin, ndeshjen në mes tyre, për ta pamundësuar ndjekjen e çastit! Kujtoni bandën "Bllaca", ku, përveç shefave projektues e urdhërdhënës për shenjëstrime të viktimës, janë 8 (tetë) vetë në përgjim e ndjekje deri në ekzekutimin e personit të pikëtuar.
Banda e SHIK-ut ka tejkaluar UDB-në dhe ka huazuar edhe metodat e OZNA-s jugosllave dhe të KGB-së ruse, por me tejkalim me teknikë dhe metoda të përdhunimit e të masakrimit të viktimës: kujtoni këtu vrasjen me armë të pazëshme (të shurdhër) të gazetarit Bardhyl Ajeti dhe djegien e trupit të kryetarit të LDK-së të Istogut, Shaban Manaj.

Heshtja e krimit me qëllim harrese

Vite me radhë është heshtur qëllimshëm vrasja e luftëtarit Ilir Konushevcit. Por, "gjaku ujë nuk bëhet", - thotë populli, nuk e përpin toka, përkundrazi, gufon, shpërthen një ditë, sipërfaqësohet, si protestë, për t´u bërë thirrje të gjallëve për syçeltësi dhe drejtësi. Kështu ndodhi edhe me gjakun e Ilirit tonë. Emri dhe vepra e tij atdhetare ka zgjuar ndjenja e dhembje, duke përlotur miliona sy shqiptarësh, kudo që ata të jetojnë, edhe tani, pas 14 vjetësh të amëshimit të tij hyjnor.
Përvoja ime personale, si i përndjekur dhe i sakatosur i të "dy shteteve vëllezër" dhe "dy partive motra - komuniste", të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, më ka bindur se metodat e krimit dhe të demaskimit ndaj viktimës, ngjasojnë "si më e ndarë një bajgë përgjysmë". Për shembull, për fjalartin e njerëzorin Xhemajl Mustafa, pasi e ekzekutuan, hapnin fjalë se bënte dashuri me vajza 16 vjeçare në Tiranë; për avokatin Shaban Manaj thoshin se u kishte marrë para klientëve, por nuk i kishte mbrojtur, edhepse dihet korrektësia e pashoqe e njeriut modest Manaj dhe pa fije grykësie për t`u pasuruar në kurrizin e të tjerëve.

Prita vrastare e Ilir Konushevcit ishte e porositur

Agjentët e SHISH-it e kthejnë në Tiranë kamionin me armë, pa shkrepur asnjë
plumb, pa u hyrë ferrë në këmbë. Kjo demanton krerët e Lëvizjes se kinse
prita-bandë kishte për qëllim grabitjen e kamionit me armë. Jo, qëllimi i vetëm
ishte vrasja e Ilir Konushevcit.


Shefi i Logjistikës për luftën, në natën fatale të 9 majit 1998, u nis nga Tirana me veturë, sëbashku me dr. Hazir Malën, për ta shoqëruar kamionin me armë. Në kamion ishin, veç shoferit në timon, edhe dy oficerë, agjentë të SHISH-it, pra, të Sigurimit Shqiptar, të armatosur me kallashë, për mbrojtjen e Ilirit me shok dhe kamionin me armë, në rast nevoje. Prita në fshatin Miskajë, ndërmjet Qafë Malit dhe Fierzës dhe biseda e bërë nga banda, ngjason me dialogun e agjentëve në natën e ekzekutimit në Tiranë të ministrit të mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqit.
I pari i bandës urdhëron:
"-Vetëm njëri do të vritet"!
Zëri i dytë:
"-Ti ikë, shporru që këtej", - i thotë dr. Hazir Malajt.
"-Unë nuk ndahem nga miku im", - gjegjet prerazi dr. Hazir Malaj.
"-Atëherë futuni në makinë",- urdhëron prerazi kapobanda.

Tek Përroi i Poravës, afër Fierzës, ndalon makina. Trimi i madh e gjakftohtë, dr. Hazir Malaj, edhe në ato çaste tmerri, kujtohet ta mbrojë Ilir Konushevcin. Pozicionohet para Ilirit, e mbulon me trupin e tij. Breshëri nga arma automatike në distancë të afërt. Ndërkohë që trupi i dr. Hazir Malajt bëhet shoshë, trupin e Ilir Konushevcit e përshkojnë vetëm 18 plumba dhe, pothuajse, të gjithë në organet vitale. Megjithatë, dr. Hazir Malaj, edhepse ishte në shërbim të luftës të Kosovës dhe ra në krye të detyrës, madje edhe atëherë kur mund të shpëtonte, nuk është shpallur Hero i Kosovës. Mëkat dhe turp për "harresën" e atyre që janë të ngarkuar me këto kompetenca!

Agjentët e SHISH-it e kthejnë në Tiranë kamionin me armë, pa shkrepur asnjë plumb, pa u hyrë ferrë në këmbë. Kjo demanton krerët e Lëvizjes se kinse prita-bandë kishte për qëllim grabitjen e kamionit me armë. Por, jo vetëm që nuk u grabit kamioni me armë, por as xhepi plot para i Ilirit, si shef i Logjistikës, nuk është prekur, nuk është boshatisur! Jo, qëllimi i vetëm ishte vrasja e Ilir Konushevcit. Ndërsa dr. Hazir Malaj është viktimë e burrërisë prej malësori dhe besnikërisë ideale ndaj bashkëluftëtarit të tij Ilir Konushevcit.
Doza e dyshimit të bashkëpunimit të SHISH-it me SHIK-un, për ekzekutimin e Ilirit, shtohet, kur dihet se njëri nga pjesëtarët e bandës u ekzekutua nga Fatmir Haklaj, kryebandë dhe shef i policisë në Bajram Curr dhe askush nuk i kërkoi llogari për këtë, edhepse ky ishte linçim, vrasje pa gjyq!?! Fatmir Haklaj ishte pjesë e bandës të Tiranës zyrtare. Kur ai e ekzekutoi tribunin e demokracisë shqiptare, prijësin e studentëve të Universitetit të Tiranës, për rrëzimin e diktaturës gjysmë shekullore komuniste, Azem Hajdarin dhe shoqëruesin e tij Besnik Çerja, më 12 shtator 1998, LPK-ja festoi në Kosovë me krisma kallashësh, ndërsa në Mërgatë me shampanjë! Dhe, thonë se nuk ka të majtë dhe të djathtë në Kosovë; se nuk ka komunistë-stalinistë e demokratë nacionalistë!?! Kështu do të festonte Lëvizja edhe për ekzekutimin e kolonel Ahmet Krasniqit, kolonel Tahir Zemës dhe kuadrove të tjerë ushtarakë dhe të veprimtarëve të LDK-së. Ndërsa, kur u plagos Fatmir Haklaj, LPK-ja e vajtoi dhe kërkoi mbulimin e shpenzimeve për kurimin e tij në një klinikë të zëshme të Gjermanisë. Të njëjtën gadishmëri kishte treguar Lëvizja edhe për të përballuar shpenzimet e avokaturës, mbrojtjes të vejushës të Enverit, Nexhmije Hoxhës, me rastin e burgosjes, në vitet `90-a!!

Bashkpunimi i Lëvizjes me bandat e Shqipërisë

Qeverisë bandë i duheshin bandat, prandaj përzgjodhi
ushtarët e UÇK-së të SHIK-ut, të cilët kishin rrahur,
përdhunuar, burgosur, maltretuar dhe vrarë, përfshi
ministrin e mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi.

Vite më parë në qytetin e boksierit kampion të Evropës, Luan Krasniqi, Rottweil të Gjermanisë, LDK-ja vajtonte njërin nga ata që e kishte vrarë PDK-ja. Në referatin e mbajtur me këtë rast, fola edhe për bandat e Tropojës dhe bashkëpunimin e Lëvizjes me këto banda, sabotuese të luftës të Kosovës. Një burrë i shkolluar tropojan, ish-kuadër në Tiranë, i prekur në sedër, më tha:
" -A nuk u bë pa i përmendur bandat e Tropojës, kur dihet kontributi i Malësisë për luftën në Kosovë"?!
- Zotëri i nderuar, çdo respekt për popullin e Malësisë të Gjakovës, Tropojën, por bandat nuk kanë asnjë lidhje me popullin. Bandat kanë shumëçka të përbashkët me komunistët, sepse nuk kanë as fe, as fytyrë dhe as atdhe,- iu gjegja unë.

Kryebanda social-komuniste, tashmë, e identifikuar me "revolucionin e vonuar demokratik", përgjatë vitit 1996, i konsolidoi bandat në të gjitha rrethet e Shqipërisë si dhe brenda LPK-së, për të qenë të gatshme për betejën e madhe të `97-ës, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë, qoftë edhe me kalljen e Shqipërisë.
Njëra nga këto banda ishte edhe ajo e Tropojës, bërthamën e së cilës e përbënin: Haklajt, Kërnajat dhe Haxhijajt, por vetëm disa nga këto familje. Për ta fuqizuar bandën, krerët shtetërorë të kohës, banditët i veshën me pushtet, kryesisht, në polici. Këtë metodë e kopjoi dhe zbatoi edhe Qeveria bandë e Kosovës, e kompozuar në Tirasnë, në pranverën e vitit 1999, duke i koracuar banditët me uniformat e TMK-së, Policisë, të Gardës të Kosovës dhe në institucione të tjera vitale.

PRESIDENTI RUGOVA PËRGADITEJ PËR LUFTË

Presidenti Rugova përgaditej për luftë, në rast
të dështimit të paqes. Interpretimet ndryshe,
janë pjellë e mendësisë të mykur komuniste-
staliniste dhe fashiste të LPK-së dhe të
rrugaçërisë tjetër majtiste.


Institucioni Rugova me pushtetin paralel, defaktorizoi pushtetin serb

Askush nuk mund ta mohojë se dr. Ibrahim Rugova fitoi atributet e një institucioni autoritar. Në dispozicion të institucionit Rugova u vu komplet ish-Parlamenti, me përjashtim të deputetëve serbë dhe malazezë, të cilët do ta shpallnin pavarësinë e Kosovës nga Jugosllavia; do ta aprovonin Kushtetutën e shtetit të Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut. Gjithashtu, Policia dhe ushtarakët, deri atëherë në shërbim në Federatën jugosllave, njohën institucionin Rugova dhe u vunë në dispozicion, madje pa asnjë kusht.

Të përgaditur profesionalisht, ushtarakët dhe policët shqiptarë të Kosovës, me sugjerimin e dr. Rugovës, organizuan mbrojtjen territoriale dhe, më vonë, miratuan nismën për krijimin e Ministrisë të Mbrojtjes dhe të Shërbimit Informativ të Kosovës, që do të kryente edhe detyrat e Ministrisë të Brendshme. Presidenti Rugova përgaditej për luftë, në rast të dështimit të paqës. Interpretimet ndryshe, janë pjellë e mendësisë të mykur komuniste-staliniste dhe fashiste të LPK-së dhe të rrugaçërisë tjetër majtiste.

Qeveria e Përkohëshme ishte e tëra bandë

Qeveria e Përkohëshme e Kosovës, e kompozuar në Bllokun kriminal të Tiranës, nga: Rexhep Mejdani, Skënder Gjinushi, Fatos Nano, Paskal Milo, Fatos Klosi, në koordinim me Rexhep Qosjen, Jakup Krasniqin dhe Hashim Thaçin, e interesuar për t`i zhbërë të gjitha institucionet paralele të Kosovës, të cilat e bënë të pa qenë pushtetin faktik të Serbisë në Kosovë, nuk pranoi dy strukturat bazë të shtetit: policinë dhe ushtarakët profesionistë institucionalë. Me zhbërjen e institucioneve paralele, LPK-ja dhe Tirana zyrtare, synonin fshirjen e një epoke historike dhe të protagonistëve të saj, me personazhin kryesor, Presidentin Historik, dr. Ibrahim Rugova. Kjo ishte nisma supërkiminale e falsifikimit të historisë tonë kombëtare, vazhdimësi e modelit të filosllavit Enver Hoxha, i cili gjatë dhe pas Luftës të Dytë Botërore, eliminoi jo vetëm kundërshtarët politikë, por edhe elitën intelektuale shqiptare, për t`i hapë rrugë luftës civile, brenda-shqiptare, duke lehtësuar edhe falsifikimin e turpshëm të historisë shqiptare, madje deri në atë përmasë, sa edhe luftën vëlla-vrasëse ta proklamojë si luftë "nacional çlirimtare"!!
Qeverisë bandë i duheshin bandat, për të qeverisur me metoda banditeske. Prandaj, përzgjodhi ushtarët e UÇK-së të SHIK-ut, të cilët kishin rrahur, përdhunuar, burgosur, maltretuar dhe vrarë kundërshtarët politikë gjatë luftës, përfshi këtu edhe ministrin e mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqin. Ky soj "kuadri" i pashkolluar, profan në profesion, harbut në sjellje e veprime, pa fije edukate dhe përgjegjësie, krejt i pafisëm, i ardhur nga diskotekat e Perëndimit, me të shkelur në Kosovën e çliruar nga NATO-pakti, filloi grabitjet, uzurpimet, përvehtësimet të pasurisë shtetërore, shoqërore e private, në llogari të shefave të tyre dhe, natyrshëm, edhe për vete. Qeveria vuri taksa për bisnese dhe të tjera. Por, kur UNMIK-u këtë vjelje e quajti të paligjshme, ilegale, atëherë krerët e Qeverisë fantomë aktivizuan bandat me uniforma dhe civile, duke vënë gjoba, rekete, të cilat, jo rrallë, kanë qenë edhe të përgjakshme, me viktima.
Shefat e UÇK-së të SHIK-ut ngritën kulla në fshatrat e tyre të lindjes dhe vila luksoze në kryeqendrën e Kosovës, duke shkelur pacipshëm e kriminalisht mbi gjakun e dëshmorve; mbi mjerimin ekonomik e social të popullit të Kosovës; duke ia ngrirë buzqeshjen e lirisë popullit të Kosovës, me vrasjet politike seriale, duke i veshur në zinë e përjetshme mijëra familje të Kosovës.
LPK-së bandë, tashmë, e konvertuar në PDK-në supërbandë, i ruajti lidhjet e krijuara gjatë luftës me bandat e Shqipërisë, të cilat kishin dy qendra koordinimi: Tropojën dhe Kukësin. Shtabi vendim-marrës ishte në Tiranë dhe dirigjohej nga Gjinushi, Milo e Klosi, gjithnjë në bashkëveprim me Lëvizjen, me partinë bandë - PDK-në.

Presidenti Mejdani aprovoi likuidimin fizik të Azem Hajdarit

Bandat shqiptare në Shqipërinë e Mesme dhe në Jug të Shqipërisë, pas marrjes të pushtetit, dhunshëm e me kallash, nga social-komunistët, e
humbën rëndësinë. Tashmë, përqendrimi ishte në Veri të Shqipërisë. Krerët socialistë dhe majtistë i kërkuan presidentit Mejdani miratimin për likuidimin fizik të deputetit Azem Hajdari. Arsyetimi: "Azemi po na pengon shumë në Parlament. Duke qenë ai i pranishëm në sallë, Sali Berisha po flet sa herë që ai don. Nëse nuk do të ishte Azemi, ne do ta godisnim fizikisht Berishën, duke ia ndërprerë fjalën"!! Skajmërisht e habitshme, profesori i shkencave të natyrës, pedagogu i Universitetit të Tiranës, Presidenti i Shqipërisë demokratike, Rexhep Mejdani, aprovoi vrasjen e tribunit të demokracisë shqiptare, deputetit të Parlamentit të Shqipërisë, Azem Hajdarit, duke thënë: "Konsultohuni me ministrin e brendshëm"!?!

Misioni filloi në Laç, ku u gjuajt me armë automatike makina e blinduar e Azem Hajdarit. Kur ai udhëtoi për në Malësinë e Gjakovës, Tropojë, për t`i dorëzuar çilësat e shtëpisë të tij, për ikanakët e luftës të Kosovës, njëherit, për t`iu bërë thirrje tropojanëve, që t`i hapin dyert dhe zemrat për vëllezërit e Kosovës, makina e tij e blinduar u godit nga 160 plumba kallashi!

Në shoqërim të deputetit Azem Hajdari ishte edhe shoku im i klasës, në Universitetin e Tiranës, djali i zgjuar dhe fisnik i Përmetit të Frashëllinjve, drejtori i Radio-Televizionit Shqiptar, Bardhyl Pollo, i cili u plagos brenda makinës. Qëllimi i këtij udhëtimi në Malësinë e Gjakovës ishte takimi me refugjatët e Kosovës, për ta bërë një dokumentar televiziv, duke pasqyruar tragjikën e një populli, shpënguljen e dhunshme nga trojet dardane - shqiptare dhe gjenocidin e shfrenuar serbo-sllav, për ta shpërfaqur para botës mbarë, duke i bërë thirrje ndergjegjës civilizuese evropiane e botërore për mbrojtjen e të pambrojturëve, për shpëtimin e qenies njerëzore, për zotdaljen të popullit të Ibrahim Rugovës. Por, bandat, qofshin ato të Shqipërisë apo të Kosovës, me veprimtarinë e tyre sabotuese e vrastare, ishin dhe mbetën aleate të Serbisë armike.

Banda e Tropojës, e cila e vrau në pusi, madje me porosi të krerëve të LPK-së, luftëtarin Ilir Konushevcin dhe mikun e tij bashkëluftëtar, dr. Hazir Malajn, katër muaj e tri ditë më vonë ekzekutoi, në mes të Tiranës, tribunin e demokracisë shqiptare, Azem Hajdarin, sëbashku me shoqëruesin e tij besnik, Besnik Çerja.

Shërbyesit e logjistikës për luftën nuk i mbronte shteti shqiptar

Një karvan kamionësh i yni u bllokua në Fierzë nga banda e
policisë të Bajram Currit, nga kryedorasi i deputetit
Hajdari. Haraçi ishte 25 mijë marka gjermane.


Vrasja e shefit të Logjistikës, Ilir Konushevcit, përveç dhembjes të skajshme, na vuri edhe në dilemë. Ishte e vetmja rrugë, ku u ekzekutuan Iliri dhe dr. Haziri, që duhej të bartnim furnizimet: ushqimet, armatimet për luftën dhe bazën tjetër materiale për mbijetesën e mijëra refugjatëve, që kishin vërshuar Tropojën. Më 12 qershor 1998, një karvan kamionësh i yni u bllokua në Fierzë nga banda e Policisë të Bajram Currit, e kryesuar nga kryevrasësi i mëvonshëm i deputetit Azem Hajdari me shoqërues, Fatmir Haklaj. Shoferët u përplasën në biruca (qeli) të burgut në Tropojë. Haraçi ishte 25 mijë marka gjermane. Përndryshe, burg dhe sekuestrim të ngakesës dhe të kamionave.

Zakonisht, kamionët ngarkoheshin në Fabrikën e miellit "Etniku" në Mamurras të Kurbinit. Kur kamionët ngakoheshin me armë, ishim të porositur që ngarkesa të maskohej me thasë mielli dhe hime (krune), sepse në rast kontrolli të ndërkombëtarëve, nuk duhet të mësonin furnizimin me armë dhe burimin e tyre.


LPK-ja DHE ORGANIZATA KRIMINALE "SHQIPONJAT E ZEZA"

Dy vëllezërit e Drenicës hynë edhe borxh për luftën e Kosovës

Në burgun e Lezhës hetoheshin dy djem: njëri nga Drenica dhe shoku i tij nga Tirana. Me shumë mundime arrita takimin brenda burgut, meqë në fundvitet `60-a kisha shërbyer mësues në atë rreth dhe njihja mjaft kuadro e miq. Dy vëllezërit drenicas, kishin kursyer, madje kishin marrë edhe një borxh prej 50 mijë markash dhe kishin arritur të blenin armë për luftën në Kosovë.

Të dy djemtë u dënuan me nga 12 vjet burg. Djemtë më kishin lënë përshtypjen e pafajësisë dhe të vullnetit të mirë. Nuk mund të isha i qetë, sepse isha një burgaxhi veteran dhe kisha provuar në kurriz ndeshkimin e padrejtë. U ktheva sërishmi ke djemtë, duke qendruar për tri ditë radhazi në Lezhë. Mësova se "ku flen lepuri"! Miqtë e mij të vjetër ma hapën zemrën, në besë: "Asgjë nuk varet nga Lezha. Tirana po i mban peng. Dikush atje i don 40 mijë dollarë dhe djemtë lirohen"!

Provova dy ndjenja njëherësh: gëzimin për mundësinë e lirimit të djemve dhe zemratën për sjelljet hiç vëllazërore të disa profiterëve batakçinj të luftës. Tashmë, nuk ishte halli i shumës të kërkuar për kët rast. Por, kur për një kamion të vogël me armë kërkojnë 40 mijë dollarë, sa do të duhej me paguar për një karvan të tërë kamionash?!?

Konfrontimi ynë me krerët zyrtarë të bandës të `97-ës, nuk ishte fillestar. Kjo bandë, në bashkëveprim me LPK-në, me organizatën e zëzë e kriminale të saj "Shqiponjat e zeza", kishte vënë barriera e bërë pengesa në vijimësi. Dhe, do të kulmonte me bllokimin, grabitjen e ngarkesës dhe sekuestrimin e 42 kamionëve ushtarakë, të ardhur nga Zvicra dhe Gjermania, në Portin e Durrësit. Edhepse një sekuestrim krejt i paligjshëm, ilegal e banditesk, duke anashkaluar arkën e shtetit dhe duke përfunduar në xhepat e profiterëve të luftës. Më shumë se sa me prangosje, rrezikoheshim me plumb, sepse ishim në mes dy zjarrësh. Lëpëkeistët edhe në Mërgatë, madje në tubime publike, kishin kërkuar linçimin tonë, të veprimtarëve të LDK-së. Megjithatë, ne i shantazhuam profiterët e "drejtësisë" në Tiranë, me denoncim publik dhe arritëm t`i lirojmë djemtë, të dënuar për transportim të armëve.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

IDRIZ ZEQIRAJ:AKADEMI ME SKENAR E REGJI TË VRASËSVE TË DJESHËM  Empty Re: IDRIZ ZEQIRAJ:AKADEMI ME SKENAR E REGJI TË VRASËSVE TË DJESHËM

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jun 30, 2012 12:59 am

Zyrtarët soc-komunistë të Tiranës silleshin si në paqë

Një kamion të tonazhit të madh, me tral, e kishin blerë mërgimtarët e Ludigshafenit, Gjermani, për të bartur ndihmat për në Shqipëri. Banda zyrtare e `97-ës, e cila, për fatin e keq të shqiptarëve, do ta vazhdonte sundimin korruptiv dhe të hajnisë zyrtare deri me 2005, e bllokoi për gjatë kohë kamionin tonë, sepse donte edhe nga fatkeqësia të përfitonte poshtërsisht. Dhe, mëgimtarët duke qenë larg njohjes të gjendjes faktike në Shqipëri, nuk donin t`i besonin barrierat burokratike dhe korruptive, madje deri në sabotim të qëllimshëm të luftës të pushtetarëve të dhunshëm, por, akuzonin njeriun, si vëllain e tyre, me të cilin kishin punuar dhe vepruar për një dekadë radhazi për Kosovën, se, kinse "kamioni po keqpërdoret, po shfrytëzohet privatisht" dhe marrëzira të tjera, ndërkohë që ky objekt transporti, qe bllokuar nga zyrtarët shqiptarë qysh në ditën e parë të hyrjes në Shqipëri.

Mërgata shqiptare dhe popujt liridashës të Evropës, kishin mbushur depo, magazina, kisha e xhamira me materiale gjithfarëshe, për ta përballuar një luftë të ashpër dhe krejt të pabarabartë në forca, në fushë-betejë. Ndërsa zyrtarët në Tiranë silleshin si në kohë paqeje. Vërtet, Serbia, me veprimet kriminale të saj, kishte humbur shumë miq në Evropë dhe botë, por jo edhe në Shqipëri! Sa herë që shpalosim të vërtetat e hidhura për sjelljet hiç vëllazërore dhe rrast sabotuese të luftës, nga krerët zyrtarë të kohës, horrat ideologjikë komunistë, qofshin ata në Shqipëri apo në Kosovë, fshihen pas popullit shqiptar të Shqipërisë, duke u identifikuar me atë. Kjo është një përpjekje e dështuar, sepse Qeveria social-komuniste, e ardhur në pushtet me kallash, nuk kishte asnjë lidhje me popullin shqiptar, i cili hapi dyer e zemra për vëllezërit e tyre nga Kosova të rënë në fatkeqësi.

Anarshia e qëllimshme shtetërore, vështirësonte shërbimet për luftën

Përgadisnim një karvan, prej disa kamionash transporti, për Tropojë dhe Koshare. Dilema ishte, si të kalohej andej nga ishin plumbosur luftëtarët Ilir Konushevci me dr. Hazir Malaj, të cilët kishin qenë në të njëjtin mision. U nisëm, më 18 qershor 1998, në grup. Shoferët e Mërgatës nuk guxonin t`i ngisnin makinat-kamiona në rrugët e Malësisë. Sidomos rruga Qafë Mali - Fierzë, e lënë pa mirëmbajtje, me dherat e rëna në rrugë nga shirat, krijonin gumuj dhe kalimet ishin të frikëshme, fort të rrezikshme, meqë as mburoja anësore nuk kishte. Andaj, drejtimin e kamionëve e bënin djemtë e familjeve të ardhura nga Kosova, në kohë të Mbretërisë Shqiptare, por edhe të tjerë shtetas vendorë, bilëz edhe romë të Mamurrasit, një racë e kryqëzuar me shqiptarë, që kishin burrëri dhe trimëri.
Përgjatë rrugës një ekip policor, në shërbim të aksit rrugor të Malësisë, na ofroi gadishmëri shoqërimi për siguri. Si kusht kërkuan pagesën e lëndës djegëse, për makinën - komb të policisë, deri në kufi me rrethin e Pukës dhe pjesa tjetër nënkuptohej. Normalisht, dyshonim për bashkëpunim të policisë me bandat, sepse kjo është provuar, madje në të dy shtetet shqiptare. Andaj, kushti jonë ishte se të gjallë nuk lejojmë grabitjen e ngarkesës dhe as nuk dorëzohemi, meqë posedonim armë gjithëfarëshe. Kontrata - kusht me policinë ishte, se, meqë i printe karvanit, obligohej ose ta neutralizonte bandën, ose ta shkaktonte viktimën e parë në mesin e bandës, si besnikëri e sinqeritet të mbrojtjes tonë. Përndryshe, policia do të konsiderohej palë me bandën dhe si e tillë edhe do të trajtohej nga ne. Rrjedhojat nënkuptoheshin!
Ekipet shoqëruese të policisë, tashmë, në shërbim privat, njoftonin njëra tjetrën, sepse nuk kishin të drejtë të kalonin kufijtë e rrethit të tyre: Kurbini - Lezhën; Lezha - Mirditën; Mirdita - Pukën; Puka - Tropojën. Dhe, kështu i shmangëshim më të keqes. Të gjitha shpenzimet përgjatë rrugës duhet t`i mbulonim vetë. Duket paksa e pabesueshme, por është krejt e vërtetë se edhe pas 13 vitesh të përfundimit të luftës, disa veprimtarë vazhdojnë të përballën me borxhet e luftës, përfshi këtu edhe autorin e këtij shkrimi! Ndërkohë që profiterët e luftës janë numerikë në Kosovën tonë të përtokur nga hajnia, korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Në qytet, policia shoqëruese u përshëndet me ne dhe u largua drejt Qafë Malit. Depoja ku i shkarkonim disa nga kamionat, në Bajram Curr, ishte ushtarake dhe fort e betonuar. Në shkarkim e sipër, sipas shënimeve të bëra, paraprakisht në paketa, ndanim ushqimet e gatshme për ushtarët e Kosharës. Sapo kishte kaluar mesnata. Një grup njerëzish të uniformuar u shfaq në derë të depos-magazinë dhe dikush nga ata shkrepi automatikun brenda deposë. Të hutuar dhe të tmerruar nga krisma shurdhuese, u rrëzuam për tokë, prapa paketave masive. Mendonim se ishim të siguruar, në një depo ushtarake dhe armët ishin lënë në kabinat e kamionave. Si duket, qëllimi ishte që ne të iknim në panik, duke e lënë deponë hapur, që banda ta boshatiste përgjatë natës.
Megjithatë, ne mbyllem deponë, pothuajse, të blinduar dhe me gjysmë ngarkese kamioni mall, shkuam në spitalin e qytetit. Me drejtoreshën e spitalit, një gjirokastrite pehlivane, ishim dakorduar t`i dhuronim ndihmat për punonjësit e spitalit, meqë aty punonin, banonin dhe ushqeheshin 11 mjekë dhe ndihmës-mjekë të Kosovës, trajtoheshin për shërim mbi 20 ushtarë të plagosur si dhe disa refugjatë të sëmurë.
As këtu nuk qemë të qetë. Ndërkohë që ne shkarkonim kamionin, duke vendosur mallin në hollin e spitalit, një kombi dhe një veturë ishin parkuar pranë. Lutjes tonë që të largohen, iu gjegjen me një gjuajtje hekuri, i cili fluturoi mbi kokat tona dhe cilindo që ta rrokte, nuk do t`i jipte afat as për amanetin e fundit. Më i rrezikuari qe xhaxhai i heroit Edmond Hoxha, një mërgimtar i moshuar, veprimtar aktiv i dëshmuar dhe shumë dorëdhënës për Kosovën. Pasi e bëmë dorëzimin e mallit, një pjesë e tij ishte "avulluar" nga spitali gjatë atyre pak orëve të mbetura për errësirën. Edhe depoja blindazhë, brenda atij muaji, do të shpërthehej me dinamit dhe do të grabitej e tëra, edhepse ishte ushtarake!

OFICËR NË KOSHARE DHE SHIK, PLAÇKITËS ME BANDËN E TROPOJËS

Dje sabotues të luftës, sot heronj të luftës!

Për transportin e armëve për Koshare, përdoreshin edhe kamionë mesatarë. Rruga që përshkonte fshatrat e Tropojës, herpashere, kontrollohej nga ushtarët e kufirit. Pas ndonjë grabitjeje të veturave, ka ndërhyrë për t`i rimarrë edhe forca ushtarake e Kosharës.
Tre kamionë të masës mesatare, me ngarkesë armë, udhëtonin drejt Kosharës. Pak kilometra pa arritur në cak, një breshëri automatiku zbrazet nga një bandë. Dy kamionët ndalojnë, ndërsa i treti, me shofër Hasan Rexhaj, duke u kundërpërgjigjur po me breshëri automatiku, vazhdon, me rritje të shpejtësisë. Banda, e kënaqur me plaçkën e grabitur, nuk e ndjek kamionin e larguar.
Hasan Rexhaj, nga Cërca, sëbashku me Bedri Blakaj, nga Kovraga, komuna e Istogut, kishin ndërprerë provimet e diplomës në Universitetin e Tiranës dhe bënin detyrën e ushtarit në Koshare. Hasani ishte shofer i të gjitha kategorive, prandaj, sipas nevojes, bënte edhe punën e shoferit. Në ditën e sulmit për grabitjen e kamionit me armë, kishte njohur një fytyrë. Për këtë kishte vënë në dijeni eprorin dhe në ballafaqimin e parë me pjesëtarin e bandës, ia kishte thënë hapur rastin e sulmit, duke e pyetur: "Ku e ke bandën, bandit"? Reagimi kishte qenë i ashpër, deri në zbërthim të armës, madje me kërcënimin për hakmarrje. Për habinë e të gjithëve, ai vinte si oficër edhe në Koshare, por, sipas rastit, aktivizohej edhe me bandën mikste, të përzier, të Kosovës dhe të Tropojës, por me shef kuadrin e UÇK-së të SHIK-ut. Ushtari i Kosharës, Hasan Rexhaj, prej shumë vitesh pushon në amëshim, kurse pjestari i bandës të Tropojës, i cili ishte nga një fshat i Dukagjinit, edhe pas luftës ka vazhduar aktivitetin e tij kriminal, sidomos në Pejë dhe Deçan, me karrierë e favore të bollshme!

Tirana zyrtare vendosi likuidimi e kryebandës në Veri të Shqipërisë

Aksioni i likuidimit të kryebandës fillon me goditjen profesionale,
me armë speciale, me telekomandë, mbi një urë, nga vet SHISH-i, ku
mbesin të vrarë dy anëtarë të bandës, ndërsa shefi i tyre, Fatmir
Haklaj plagoset rëndë në kokë.

Ekzekutimi, para shtëpisë të tij në Bajram Curr, i drejtorit të policisë të Prefekturës të Kukësit, Januz Hyka, i cili do të ishte dëshmitar i dorës të parë në gjyqin për vrasjen e deputetit Azem Hajdari; vrasja e pjesëtarit të bandës ekzekutuese të Ilir Konushevcit dhe e dr. Hazir Maslës, nga Fatmir Hasklaj, me qëllim të pakësimit të dëshmive, në rast hetimi; zbulimi i lidhjeve direkte me krerët zyrtarë të Tiranës, tashmë, ishin bërë publike. Ndërrimi i pushteteve në Shqipëri, mund të rrezikonte hetimin e mirëfilltë, gjë që do t`i implikonte në krime edhe krerët social-komunistë të Tiranës. Prandaj, qendra autorizoi SHISH-in për veprim, pra, likuidim të kryebandës të Tropojës dhe të Shqipërisë të Veriut.
Deputeti socialist, i ardhur enkas nga Tirana, i ngarkuar me çështjen e refugjatëve të Kosovës në Tropojë, kishte thënë se Jaho Salihi - Mulosmani, pjestar i ekipit vrastar, në ditë-vrasjen e Azem Hajdarit "ka qenë këtu, në Tropojë"!? Ndërsa shefi i tij, Januz Hyka, në atë kohë drejtor i policisë në Bajram Curr, kishte thënë se "Jaho me shokë kanë munguar në detyrë për tre ditë radhazi". Edhe në këtë rast kemi të bëjmë me një të FSHEHTË PUBLIKE të SHISH-it, njësoj si në rastet e ekzekutimeve të kundërshtarëve politikë nga ana e SHIK-ut.
Aksioni i likuidimit të kryebandës të Veriut, fillon me goditjen profesionale, me armë speciale, me telekomandë, mbi një urë, nga vet SHISH-i, ku mbesin të vrarë dy anëtarë të bandës, ndërsa shefi i tyre, Fatmir Haklaj, plagoset rëndë në kokë. Nuk e nxorën jashtë vendit për shërim, siç kërkonte LPK-ja, nga frika e ndonjë hetimi të mundshëm nga ndërkombëtarët. Pas disa muajve u shërua dhe në rrugën për ke shtëpia e Jaho Salihit, ku shkonin për darkë, meqë Jahos i kishte lindur fëmija i parë, përsëri SHISH-i shenjëstron, duke e lënë të vdekur Fatmirin, sëbashku me shokun e tij të krimeve Kërnaja, kurse Jaho plagoset.
Jaho Salihi edhe gjatë kësaj kohe ishte "në kërkim". Thonë se strehohej ke një bandë e njohur e Lëvizjes në Gllogjan të Deçanit. Por, vizitonte shpesh edhe nusen ke vjehrri i tij në Tropojë. Madje edhe shtatçzania zë fill gjatë "ilegalitetit". Dhe, jo vetëm e para, por edhe shtatëzania e dytë! Krerët zyrtarë të Tiranës "pazarin" e kishin bërë vetëm me kapobandën Fatmir Haklaj. Kërnajat dhe katër vëllezërit Haklaj i vranë. Vëllezërit Haxhijaj dhe Jaho Salihi kishin qenë argatë të Fatmir Haklajt, në ekzekutimin e deputetit Azem Hajdari dhe të rojës të tij Besnik Çerja. Prandaj organizuan gjyqin farsë, duke i ulur në bankën e zezë tre vëllezërit Haxhijaj dhe Jaho Salihi - Mulosmani. Këta pranuan që kanë qenë në tri makinat goditëse të deputetit Hajdari, por mohuan të kenë shtenë mbi viktimat. "Edhe baba Muharrem nuk mund t`i thoshte jo Fatmirit",- tha para trupit gjykues Jaho Salihi, duke aluduar në egërsinë e Fatmirit dhe detyrimin e dhunshëm për pjesëmarrje në aksion. Megjithatë, ata ishin shokë në krime.
Jaho Salihi ka një bukuri mashkullore të përkryer. Një gazetë, dikur zëmadhe, me emrin e huazuar nga Konica, e rihapur pas një shekulli në Tiranë, fillimisht me orientim të djathtë, më vonë e konvertuar majtas dhe kthyer në gazetë bulevardeske, botonte letrat e dashurisë, që vajzat gjimnaziste ia dërgonin Jahos në burgun hetues të Tiranës. Veç tjerash. njomëzakët gjimnaziste bënin presione përfide mbi drejtësinë, duke thënë se "një bukuri maxhepse, që ka emrin Jaho Salihu - Mulosmani, asessi num mund të jetë vrasës"! Përgjigja e njëhershme e Jahos, për të gjitha vajzat, ishte falenderuese, por, u thoshte ai, se "unë kam një djalë dhe tani pres fëmijën e dytë".
Jaho Salihi u dënua me burg të përjetshëm dhe dy Haxhijajt me shumë vite burg, ndësa i treti u lirua si i pafajshëm. Ndodhi si në Kosovë. Dënohet dorasi, por jo edhe shtyesi, edhepse populli thotë se "më i keq është shtyesi, se sa dorasi"! Kështu u mbyll ky gjyq për "një vrasje të shekullit", - siç është cilësuar në Shqipëri. Shqiptarët e kuptuan gjithë hilenë, qenë krejt të pakënaqur me gjyqin, sepse krerët komunistë zyrtarë të Tiranës "e kaluan lumin pa u lagur fare"! Shqiptarët prisnin që kur Partia Demokratike ta marrë pushtetin, do ta rihapë sërishmi "Dosjen Azem Hajdari". Por, gadi po mbyllet mandati i dytë në pushtet i demokratëve të Azemit dhe dosja vazhdon të mbetet e mbyllur!? Si duket mendojnë e thonë atë shprehjen e proverbiale të Nastradinit: "Larg prapanicës time"! Tamam, si LDK-ja, e cila i heshtë, si peshku, ekzekutimet e kuadrit dhe të veprimtarëve të saj. Mëkat i madh, por edhe turp i madh. Urojmë për këndellje!

Mos i fyeni heronjtë me emërtesa dhe tituj fiktiv

Disa analistë zemërplasur, duke parë veprimet idioteske të pushtetarëve tanë, të cilët, duke i kalaveshur me tituj e grada fiktive heronjtë, aludojnë në ngritjen e reitingut për vete, andaj shqiptarët i fusin në kategorinë e njerëzve të "shtetit idiot"!
Ilir Konushevci, fillimisht, ka qenë luftëtar i njësitit të Llapit, shok i armëve të Zahir Pajazitit, ka vepruar si guerilas edhe në Dukagjin me luftëtarin Ardian Krasniqi, pastaj është angazhuar në logjistikën për luftën. Ilir Konushevci nuk ka komanduar as batalione dhe as brigada, sepse ato nuk ekzistonin në gjallje të tij. Prandaj, është shumë më reale, më e saktë të thuhet çetanik, se sa komandant. Kjo vlen edhe për shumë luftëtarë të lirisë, të rënë në fushënderin e luftës, tashmë dëshmorë dhe heronj të Kosovës. Titujtë fiktivë, të dhënë me kritere paushalle, dëshmorëve, heronjve të Kosovës, janë fyerje e rëndë, janë përtallje e vrazhdët për ata, sepse kjo bëhet me qëllim që lavdinë ta gëzojnë të gjallët, kinse bashkëluftëtarë të tyre.
Të "dhurosh" tituj dhe ofiqe komandant, kryekomandant të UÇK-së, në një kohë kur nuk kishte as batalione, e lëre më brigada e ushtri, përveçse grupe guerile dhe, e shumta, ndoca çeta numërikisht simbolike, është marrëzi, është përpjekje për ta njollosë dhe falsifikuar rëndë historinë më të re të Kosovës. Gjithashtu, të fantazosh e sajosh legjenda dhe epopera, pa sjellur asnjë fakt për "betejat" se ku dhe kur janë bërë, kur dihet se në Kosovë, më shumë se sa luftë, ka pasur masakër, është më shumë se falsifikim, është idiotësi, që nuk njeh arsye e parime, por vetëm interesa personale e grupore, që turpërojnë shoqërinë, kombin mbarë.

Ilir Konushevci qe jetëshkurtër. Ushtria jonë ishte në përpjekjet e para të organizimit të pa shpresë, sepse pengesat ishin të dukshme, të pakalueshme. Përçarja stimulohej nga Tirana zyrtare dhe LPK-ja. Sabotimi i luftës parathoshte edhe disfatën e pritur. Ilir Konushevci, edhe sikur të kishte qenë figurë e parë e luftës, për aq sa jetoi e veproi, nuk mund ta arrinte gradën e gjeneralit. Prandaj, Ilir Konushevci është luftëtar i lirisë, është Hero i Kosovës. Dhe, kjo është maja e lavdisë, është zeniti i arrirë.
Gradat e dhëna, sidomos titulli i lartë "gjeneral", janë turpi i Kosovës. Gradat janë aplikuar vetëm për LPK-në, më saktë, për SHIK-asit, të cilët kurrë dhe asnjëherë nuk kishin qenë ushtarakë dhe as që arritën të bëhen, mirëfilli, të tillë. Nuk u shquan në luftë, bënë disa aksione, por jo edhe luftë ballore, pra, nuk fituan asnjë betejë!

Nëse, vërtet, dikush duhej të gradohej, qoftë edhe me gradën gjeneral, ata duhej të ishin ushtarakët profesionstë institucionalë, të shkolluar në akademitë ushtarake, si kolonel Ahmet Krasniqi, i cili bëri organizimin ushtarak, me bazë shkencore të doktrinës ushtarake; kolonel Tahir Zemaj, fitues i të vetmës betejë ballore në Kosovë, e njohur si "Beteja e Loxhës"; Sali Çekaj, Agim Ramadani, Rrustem Berisha me oficerët e tij në komandë, të cilët, në një luftë të ashpër, zhvilluan një varg betejash të suksesshme në Kosharën heroike, legjitimuese të luftës për çlirim të Kosovës.

Ose me ne, ose shko në ferr!

Komandanti i Kosharës, legjitimuesi i
luftës për liri në Kosovë, Rrustem Berisha,
është suspenduar nga puna,me kërcënimin
e tipit fashist, nga partia në pushtet: ose
me ne, ose shko në ferr!

Mendoni për një çast, ju, shqiptarë që votoni dhe aprovoni krimin në Kosovën tonë të përtokur nga dhuna, shantazhi e haraçi: Komandanti i Kosharës, legjitimuesi i luftës për liri në Kosovë, ushtaraku i shkëlqyer i karrierës, Rrustem Berisha, është suspenduar nga puna, me kërcënimin e tipit fashist nga partia në pushtet, ose me ne, ose shko në ferr!! Pra, duan ta anëtarësojnë dhunshëm në partinë e tyre, në partinë e krimit!!! Me kulaç dhe kërbaç, para kësaj partie, ka provuar t`i japë librezë një parti tjetër e majtë, po aq kriminale sa edhe partia në pushtet!!
Shumica absolute e gjeneralëve të Kosovës janë të inkriminuar dhe të akuzuar për krime. Dhe, krimet janë bërë në kuadrin e SHIK-ut, viktima janë, kryesisht, shqiptarët. Prandaj, qenia e emrit të Ilir Konushevcit pranë këtyre monstrave "gjenelalë", nuk do t`i bënte asnjë nder. "Çështja Kleçka" sheshoi shumëçka. Krimi kishte një qendër, kishte një shtab. Emrat e lakuar janë kuvendarë, ministra qeveritarë, zyrtarë qendrorë e lokalë. Të gjitha krimet rezultonin faktike, se varret janë aty, ndërsa lirimet janë politike. U mbyll dosja, mund të jetë edhe mbyllje e përkohëshme, sepse gjithçka duhej pëmbysur dhe dikush nga lart e jashtë Kosove, nuk e donte këtë katrahurë, por zgjodhi bashkëjetën me krimin. Përfituan individët, duke humbur Kosova. Gjithësesi, Serbia do të shpërblehet me lëshime të tjera, natyrshëm, në dëm të Kosovës.


Krimi nis në Tiranë

Tashmë, nuk ka asnjë mëdyshje se krimi gjatë dhe pas luftës në Kosovë, nis në Tiranë. Pikërisht këtu duhet të fillojë edhe hetimi. Pse nuk ka ndodhur kjo menjëherë pas luftës, shpjegohet me faktin se në pushtet, mjerisht, ishin projektuesit e këtij krimi. Por, vazhdimi i heshtjes nga Partia Demokratike e Shqipërisë, vërtet, është i pashpegueshëm!?!

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi, duke qenë edhe ministër i Drejtësisë, nuk duhej ta humbiste shansin dhe rastin, për t`i bërë thirrje palës shqiptare, për hetimin e të gjitha ekzekutimeve, burgjeve dhe maltretimeve brenda territorit shqiptar, si dhe koordinimin për hetimin e krimeve të ndërlidhura në të dy anët e kufirit. Vërtet, pjesëmarrja e kuadrit të lartë partiak e shtetëror, në akademinë përkujtimore kushtuar Ilir Konushevcit dhe dr. Hazir Malajt, nuk duhej të kufizohej vetëm për të bërë shou e fushatë për zgjedhjet e pritshme, por duhej dhënë një mesazh i qartë se drejtësia edhepse vonon, por kurrë nuk guxon të harrojë.
Presidentja e Kosovës dhe ministri i Drejtësisë janë marrë me krijimin e disa Këshillave, kinse për ta nxjerrë drejtësinë nga bataku, nga letargjia. Por, kjo është e pamundur, sepse nga një prokuror frikacak e përlavdëraç si Ismet Kabashi, i partizuar fort, nuk mund të pritet asgjë prej tij. Hiç më i mirë nuk është as kuadri vartës i kryeprokurorit të Kosovës. Kosova, duke qenë SHIK-u i organizuar, nuk ka asnjë mundësi ta ushtojë drejtësinë, ta zbatojë ligjin, për të gjithë qytetarët njësoj. Gjaku i Ilir Konushevcit me shokë, na fton për ta vënë drejtësinë në vendin që i takon. Pa zbatimin e ligjeve, nuk ka shtet ligjor. Dëshmorët u flijuan që t`ua lënë brezave një shtet të lirë, demokratik dhe ligjor. E tashmja nuk jep shpresë për një të ardhme ndryshe, për sendërtimin e ëndrrës fisnike të martirëve tanë, të ëndrrës të hirshme të lirisë, të demokracisë.

Qershoir 2012
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi