Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ylljet Aliçka: Ende i pasigurt në shkrimin e romanit

Shko poshtë

Ylljet Aliçka: Ende i pasigurt në shkrimin e romanit Empty Ylljet Aliçka: Ende i pasigurt në shkrimin e romanit

Mesazh nga Agim Gashi Tue Apr 21, 2009 1:13 am

Ylljet Aliçka: Ende i pasigurt në shkrimin e romanit

Oliverta Lila


Ndonjë skenar a tregim ndodhet në tryezën e punës... Edhe pse roli i ambasadorit shqiptar në Francë e mban larguar fizikisht, Ylljet Aliçka është protagonist i jetës artistike të Tiranës. Ribotimi i romanit "Rrëfenjë me ndërkombëtarë" dhe premiera e filmit "Kronikë provinciale", i cili i jep jo vetëm vendin e skenaristit por edhe bashkëregjisorit krah Artan Minarollit, janë një motiv i mjaftueshëm për një rrëfim. I mësuar të prekë tema të cilat në mos ngjallin reagime, kanë impakt të gjerë në shoqëri, Aliçka rrek gjithnjë te individi shqiptar. Ka vendosur sërish të ngacmojë. Gati në proces përfundimi shkrimtari ka dy libra të rinj; njëri me tregime dhe tjetri një roman që hyn sërish në rrethet diplomatike. Ndonëse shprehet ende i pasigurt në rrugën e shkrimit të një romani, është i bindur për aktualitetin në vazhdim të temave që ka vendosur të hedhë në rreshta. Tema të cilat janë përkthyer edhe në prodhime filmike. Së fundmi e pamë të shfaqet edhe si regjisor, por që për të është "thjesht një trill për "t‘u argëtuar" me një tjetër komponent të një krijimtarie aq tërheqëse siç është filmi". Në pozicionin e ambasadorit dhe me njohjen nga afër të komuniteteve shqiptare të atjeshme, nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen ata të jenë protagonistët e ndonjë tregimi të ardhshëm. "Më intrigon dukuria e një mentaliteti të përbashkët në pjesën më të madhe të tyre", shprehet Aliçka. Në intervistën e mëposhtme shkrimtari tregon për qasjen artistike ndaj fenomeneve shqiptare, si projektohet tek ai periudha e diktaturës, bjerrjet e disa vlerave dhe sfida për të fituar të reja, rruga e zhvillimit të kinematografisë shqiptare e projektet më të afërta.

Ndryshe nga koha e xhirimit, premiera e filmit "Kronikë provinciale", me skenarin tuaj, kaloi në qetësi. I prisnit edhe tani reagimet?

Në një farë mase po. Filmi prek çështje shpirtërore të tranzicionit që natyrshëm ngjallin debate, porse, natyrisht nuk më vjen mirë kur këto debate, apo kritika nuk burojnë apo motivohen nga vetë problematika e filmit apo të metat e tij, por nga synime denigruese të parapërgatitura, me motive joartistike.

A kanë ndryshuar kronikat tona provinciale krahasuar me katër vjet më parë, kohë në të cilën është realizuar filmi?

Shqipëria ndryshon shpejt, ashtu dhe provinca, por një film artistik nuk merr domosdoshmërisht përsipër të bëjë pasqyrë besnike të jetës në provincë. Fatmirësisht jetojmë në një kohë kur liria e shprehjes dhe ajo artistike është e shenjtë.

Në këtë film ju tentuat për herë të parë drejt regjisurës. Ishte një zgjedhje e rastësishme apo erdhi si pasojë e një dëshire për të provuar edhe në këtë fushë?

Natyrisht që unë nuk kam as formimin si regjisor, as synimin apo ambicien për karrierë regjisoriale. Ishte thjesht një trill për "t‘u argëtuar" me një tjetër komponent të një krijimtarie aq tërheqëse siç është filmi. E di që me këtë rast mund të kem dhënë shkas apo të jem bërë objekt ngacmimi apo përfoljeje ndaj meje, por fundja, kjo është një e drejtë e imja, që nuk i kam hyrë njeriut në hise, veç regjisorit Minarolli, të cilit i jam mirënjohës që më lejoi "t‘i fus hundët" në zanatin e tij.

Në këtë rast, por edhe në të tjerë më parë, ju keni prekur tema që ngrenë diskutime. A mund të ma përshkruani qasjen tuaj ndaj këtyre fenomeneve; nxitjen e merrni më shumë nga përjetimet personale...

Jo gjithmonë. Në rastin e këtij filmi ma treguan si histori të vërtetë, padyshim jo krejtësisht. M‘u duk subjekt interesant dhe fillimisht e shkrova si novelë e më pas si skenar filmi. Ngacmimi i një autori ndaj dukurive të jetës për t‘i shndërruar më pas ato në subjekte artistike është çështje tepër subjektive dhe individuale.

Si shkrimtar, fokusi juaj janë temat sociale të shoqërisë shqiptare. Në këtë pikëpamje, çfarë reflekton te ju periudha e viteve para ‘90?



Eshtë temë e gjatë, por mendoj se impakti i shoqërisë shqiptare, rregullat e lojës, referencat morale, politike, ekonomike e zakonore, vlerat apo dukuritë bazë të jetës si: dashuria, urrejtja, besnikëria, pabesia, ideali apo tradhtia, bindja politike, nënshtrimi apo mbizotërimi, protagonizmi apo humbja shpirtërore, të tëra këto kanë evoluar në forma të shumta e shpesh kaotike, porse janë si nënshtresë në përcaktimin e sjelljeve edhe bindjeve të njeriut të sotëm. Gjurmët e kësaj kohe do mbesin ende për një kohë të gjatë në shoqërinë shqiptare në të gjitha fushat.

Po ajo e pas ‘90-ës deri në ditët e sotme?

Ka qenë plot sfida e mëdyshje. Shpesh e çorientuar, me humbje të një grupi vlerash (p.sh. solidariteti njerëzor… ) dhe fitimit të atyre të reja. Pra ka ndjekur rrugën e natyrshme të ngritjes apo ecjes së një shoqërie, e përcaktuar kryesisht nga nevojat e brendshme të saj. Veç nuk dua të harroj një gjë: lirinë. Druaj se si me shumë fenomene të tjera në jetë, ne i vlerësojmë më shumë gjërat kur na mungojnë dhe nuk jemi plotësisht të ndërgjegjshëm për atë që kemi. Dhe që pa dyshim do t‘i rritet vlera po të na e marrin… Fatmirësisht nuk ka gjasa që kjo gjë të ndodhë.

Letërsia juaj ka qenë një "burim" për kinematografinë shqiptare. Si i shihni zhvillimet e kësaj të fundit? A janë të gatshëm kineastët të thyejnë tabutë?

Jam dakord me ju, pra kineastët e sotëm po i thyejnë tabutë, por unë vetë kam mendime kontradiktore në lidhje me formën artistike të përdorur për t‘i thyer këto tabu.

Pak kohë më parë "Rrëfenjë me ndërkombëtarë" është ribotuar e përpunuar. Pse ndjeve nevojën t‘i ktheheshe sërish këtij libri. Cilat janë pikat e prekura?

Kam ndier se në versionin e parë kanë pasur ndikim (instinktivisht) mllefet personale që në një farë mënyre reflektohen në shkrimin e një libri, por që nga ana tjetër mund të kenë qenë dhe motivi shtytës i shkrimit të librit. Në këtë version u përpoqa të përmirësoj anën artistike në dallim nga ajo emocionalja. Por duket se ende ndihem i pasigurt në shkrimin e një romani, pasi sa herë që e rilexoj, gjej vende për ta përmirësuar. Natyrisht që lexuesi s‘ka kohë të ndjekë pasiguritë apo mëdyshjet e mia në krijimtari, veçse në fund të fundit kam bindje se problematika e ngritur në këtë libër do jetë aktuale dhe të paktën për një dhjetëvjeçar.

Shtëpia botuese "Toena" ka në proces botimi një libër të ri tuajin. Na tregoni diçka më tepër, cilat janë personazhet këtë radhë?

Po jap një përgjigje klishe: nuk mund të flas për libra që nuk janë përfunduar.

Aktualisht, ju keni edhe një funksion zyrtar, atë të ambasadorit shqiptar në Francë. Çfarë domethënie ka diplomacia për ju?

Është fushë delikate, e privilegjuar, plot gracka, emocionuese, plot variacion, e rafinuar, e pasur me ngjarje, me përgjegjësi... ç‘të të them tjetër.

Ky funksion ndoshta ju ka ndihmuar të njihni më mirë komunitetet shqiptare që jetojnë jashtë Shqipërisë. Do të ishin ata subjekt i një tregimi të ardhshëm?

Ndoshta po, pasi më intrigon dukuria e një mentaliteti të përbashkët në pjesën më të madhe të tyre. Nga takimi me ta pak a shumë rrjedha e bisedës, takimit apo njohjes me ta kalon në të njëjtat trajektore: fillimisht përpiqen të të tregojnë se sa mirë janë sistemuar, adaptuar, se ngatërrojnë shqipen me gjuhën e vendit ku jetojnë dhe se ... aty ku jetojnë dritat nuk ikin asnjëherë. Më pas qajnë hallet e jetës së tyre të përditshme, për të kaluar te poshtërsitë apo racizmin e afendikoit ndaj tyre, për të përfunduar me lot mallëngjimi për Shqipërinë. E kur i pyet, (e bëj shpesh këtë pyetje) se pse nuk kthehen në Shqipëri: automatikisht përgjigjen se po rrinë për hatër të fëmijëve!!! Më duket më shumë si një alibi për të ngushëlluar veten. Gjithsesi, një gjë të bie në sy kudo ku takon shqiptarë: malli për Shqipërinë dhe dashuria për të.

Aktualisht, ka diçka në tavolinën tuaj të punës?

Nuk kam shumë kohë, por vazhdoj me gjërat e zakonshme; ndonjë skenar, tregim...
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi