Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Agim Vinca:POEZIA ISHTE ARTI, FEJA DHE IDEOLOGJIA E TIJ (In Memoriam - Ali Podrimja, 1942-2012)

Shko poshtë

Agim Vinca:POEZIA ISHTE ARTI, FEJA DHE IDEOLOGJIA E TIJ (In Memoriam - Ali Podrimja, 1942-2012) Empty Agim Vinca:POEZIA ISHTE ARTI, FEJA DHE IDEOLOGJIA E TIJ (In Memoriam - Ali Podrimja, 1942-2012)

Mesazh nga Agim Gashi Fri Sep 07, 2012 6:26 pm

Agim Vinca:POEZIA ISHTE ARTI, FEJA DHE IDEOLOGJIA E TIJ (In Memoriam - Ali Podrimja, 1942-2012) 261137_133015046098_2017214658_n

Agim Vinca:POEZIA ISHTE ARTI, FEJA DHE IDEOLOGJIA E TIJ (In Memoriam - Ali Podrimja, 1942-2012)

Agim Vinca:POEZIA ISHTE ARTI, FEJA DHE IDEOLOGJIA E TIJ (In Memoriam - Ali Podrimja, 1942-2012) 311586_10150973845501099_853580894_n

Lajmi për vdekjen e Ali Podrimjes më gjeti në vendlindje, në Strugë, tek gjendem në pushime. Mu për këtë, duke qenë larg Prishtinës e Ulpianës, lagjes ku deri dje, në jo më shumë se dyqind metra largësi, jetonim bashkë, e përjetova rëndë këtë lajm. Nuk më vjen turp aspak të them se kur më njoftuan se në Francë, në afërsi të qytetit të Lodevës, ku kishte shkuar për të marrë pjesë në manifestimin letrar “Zërat e Mesdheut” (Voix de Méditerranée), është gjendur trupi i tij i pajetë, qava. Gati dënesa midis Struge, në pikë të ditës. E ishte e shtunë, ditë pazari! “A qan burri? Vërtitem poshtelart/ Nuk mund e gjej një pëllëmbë tokë për varrin tim/ … Do të qajë edhe burri njëherë” – pat shkruar dikur në një poezi me titull “Poesie forte” ai vetë. Poesie forte! (Poezi e fortë) - e tillë ishte dhe është poezia e Ali Podrimjes. Nerv i gjallë, puls që rreh jetë.

Kur mora vesh, në “qytetin e poezisë”, se Ali Podrimja nuk rron më, në çast m’u kujtua viti i largët 1968, kur, bashkë me Bacën Esad, Bacën Vel (si e quante Aliu Enver Gjerqekun) e Ali Podrimjen vetë dhe me disa poetë e intelektualë vendorë, në krye me Nuhi Vincën e Rahmi Tudën, tentuam ta shënonim 30-vjetorin e vdekjes së Migjenit, duke u shpallur nga organizatori i Festivalit, sidomos dy të fundit, ”minues të tij” dhe duke u penguar në qëllimin tonë nga organet shtetërore. Unë atëbotë isha një copë student, kurse ai poet i njohur, që kishte bërë emër me përmbledhjen “Thirrje” (1961), përplot vargje e metafora si ajo e paharruara: “Lili – livadh i kositur i harrimit”. Kishte bërë emër akoma më shumë me poemën “Hija e tokës” kushtuar Kosovës, vuajtjeve e shpresave të saj, botuar fillimisht te “Jeta e re” dhe pastaj edhe si libër më vete. Vargu emblematik i kësaj poeme, ndër vargjet më të fuqishme të krejt poezisë shqipe: “Miq, Kosova është gjaku im që nuk falet”, do të bëhet në rrjedhën e viteve shenjë identifikimi e poezisë së Ali Podrimjes, kurse ai vetë një nga poetët më të frytshëm dhe më të rëndësishëm të mbarë hapësirës kombëtare, duke i kaluar me kohë kufijtë e saj. Bashkë me Enver Gjerqekun, Din Mehmetin, Fahredin Gungën, Adem Gajtanin, Azem Shkrelin, Rrahman Dedajn, Beqir Musliun, Teki Dervishin e ndonjë tjetër, Ali Podrimja hyn në grupin e poetëve, që e modernizuan strukturën e poezisë shqipe të këtij krahu, gjuhën dhe përmbajtjen e saj. Madje është në ballë të kësaj “çete poetësh”, siç do të thoshte Martin Camaj. Ai e shkroi historinë tragjike të Kosovës dhe të mbarë etnisë shqiptare në vargje të një epopeje moderne. Në vargje përplot ankth, ironi, protestë, revoltë, grotesk e paradokse gjithfarëshe. Dëshmi për këtë janë përmbledhjet e tij të shumta me poezi, ndër të cilat po përmendim: Sampo, Torzo, Credo e Folja - nga ato të viteve shtatëdhjetë dhe Në bisht të sorrës, Buzëqeshja në kafaz, Zari, Fundi i gëzuar, Ishulli Albania, Pikë e zezë në blu e shumë të tjera nga ato të mëvonshmet.

I lindur shtatëdhjetë vjet më parë, në Gjakovë, në qytetin buzë Çabratit, Ali Podrimja ishte poet jo vetëm i kosovarëve e gjakovarëve, por edhe i arbëreshëve e i çamëve… i shqiptarëve ku janë e ku s’janë. Ishte poet kombëtar. Bard. Ai, Baba Ali, “bardi me farmerka”, siç e pata quajtur në një takim të mbajtur në Tetovë, kur mbushi gjysmë shekulli jetë dhe pothuajse po aq vjet karrierë të pasur letrare, poetike. Ishte poet i të sotmes dhe i të djeshmes; i lashtësisë dhe i bashkëkohësisë. A do të jetë edhe poet i të ardhmes? Le t’ia lëmë kohës ta konfirmojë këtë fakt, tani që poezia e tij do ta vazhdojë rrugën pa praninë fizike të krijuesit të saj.

Nuk pushoi së shkruari edhe atëherë kur “kohë t’egra trokitën pullazeve tona gërmuqe” dhe kur “buzëqeshja u mbyll në kafaz”. Dodona, Ura e Shenjtë, Molla e Kuqe, Guri i Prevezës, Janina, Tomorri, Pashtriku, Korça, Ohria, Joni etj. ishin toponime të shpeshta të poetikës së tij. Shkodra, Gjakova, Shkupi, Vlora, Kruja gjithashtu. Shkupi i dhimbte në shpirt, sidomos kur ia shtrembëronin emrin ardhacakët e rinj dhe vendësit e stërkequr.

Ali Podrimja poet do të mbahet mend patjetër, besojmë në shekuj, si njeri që krijoi një libër të rrallë me poezi në gjuhën shqipe, vëllimin poetik “Lum Lumi”, të botuar për herë të parë në vitin 1982 në Prishtinë dhe të ribotuar shumë herë të tjera më vonë. Të përkthyer edhe në shumë gjuhë të tjera të botës, posaçërisht të Ballkanit dhe Evropës, si pjesa dërrmuese e poezisë së tij.

Rrafsh tridhjetë vjet më parë, në kulmin e pjekurisë krijuese, ai e gjeti çelësin si ta mundte dhimbjen për humbjen e djalit, Lumit, duke krijuar një nga librat më tronditës e më të fuqishëm të poezisë shqipe, duke arritur t’i jepte tragjedisë familjare përmasa kombëtare e universale. “Ti po vdes me krye në jastëk/ Turp, vogëlushi im/ Ke mundur t’i ngjeshësh armët e Asimit/ e të shkosh në Bejrut/ të vdesësh për Palestinën”.

Më vonë, kur të vinte koha, do ta shkruante “Marshin e UÇK-së” dhe vargun karakteristik për stilin e tij: “Ju s’keni plumba sa jemi ne”.

“Kur ia beh e keqja, munde me këngë” - kjo qe deviza e tij. Ai i besonte këngës. Dhe nuk i besonte vdekjes, edhe pse e apostrofonte shpesh në vargje dhe në jetë. Deri tani shkruanim: Ali Podrimja (1942), kurse tani e tutje do të detyrohemi të shkruajmë: Ali Podrimja (1942-2012). Do të detyrohem ta bëj këtë unë i pari në antologjinë time të 100-vjetorit të Pavarësisë, sipër poezisë “Atdheu i mbërthyer në arkë”, që flet për fatin e poetit mërgimtar shqiptar, që detyrohet ta braktisë atdheun, duke e marrë me vete nëpër botë si një relikt. Si s’e botova sa ishte gjallë! Ai gëzohej si fëmijë për çdo krijim të ri dhe për çdo botim të ri të tij dhe kishte zakon të të pyeste shumë herë: “A m’i lexove poezitë? A ma lexove librin?” Por nuk përtonte të të merrte sakaq në telefon edhe kur ti botoje diçka që i kishte pëlqyer atij.

Ishte poet sui generis, puro poet dhe animator par excellence i kulturës dhe letërsisë shqipe këtu e gjetkë.

Me Ali Podrimjen mund të grindeshe tri herë në ditë duke e pasur mik dhe po aq herë edhe të pajtoheshe. I tillë ishte, “Baba Ali”; e tillë ishte natyra e tij e veçantë prej poeti rebel. Ai jetonte me poezinë dhe për poezinë si rrallëkush tjetër. E tërë jeta e tij ishte poezi dhe vetëm poezi. Mund të thuhet lirisht se për poetë si Ali Podrimja poezia ishte jo vetëm art, por edhe fe e ideologji. Poezia ishte arti, feja dhe ideologjia e tij.

Ali Podrimja ishte poeti më i përkthyer shqiptar në botë. Poeti, jo shkrimtari. Vdiq në Francë, në vendin e poetëve si Hygoi, Bodleri, Remboja, Malarmeja, Apolineri, Elyari, Preveri… Pasi u takua me përkthyesin e tij shqiptar, bir mërgimtarësh himariotë, Profesor Aleksandër Zoton, që sillte në frëngjisht librin e tij të tretë a të katërt me poezi.

“Mbeçë more shok mbeçë, përtej urës së Qabesë…”. Jo, në Lodevë, qytet në jug të Francës, ku për të 15 herë u mbajtën takimet letrare “Zërat nga Mediterani”. Ishte një zë nga Ballkani, Kosova, Shqipëria. Ndër më të fuqishmit dhe më origjinalët. Vdekje në krye të detyrës! - do të mund të thoshim. Ky ishte misioni dhe vokacioni i tij.

Iku Ali Podrimja. Iku përgjithmonë. Iku në amshim miku ynë i shtrenjtë, poeti dhe bredhacaku i madh e i paqetë, një Ahasfer i llojit të vet. Do të na mungojë të gjithëve.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi