Kujtim M.Shala:Podrimja - libri i parë e biseda e mbramë
Faqja 1 e 1
Kujtim M.Shala:Podrimja - libri i parë e biseda e mbramë
Shkruan: Kujtim M. Shala
Podrimja - libri i parë e biseda e mbramë
I. Libri i parë
Libri i parë i Ali Podrimjes që kam lexuar është saktësisht kryevepra e tij, Lum lumi. Kujtoj, në mjegullën e moshës, të ketë qenë vjeshtë, ndërsa viti ka humbur në kujtimet e hershme.
Librin e solli baba. Ai e kishte blerë, sepse e dinte historinë e tij, atë rrëfim që unë do ta mësoja vetëm kur do të rritesha.
Një kore disi e hirtë, e ftohtë, shoqëruar nga ilustrimi: një lule mbi kokën nëntokë të një vogëlushi. Në kore shenjohej e fillonte tmerri, që unë, atëherë fëmijë, nuk arrita ta lexoja në faqet e rralla të librit. Pak pata kuptuar nga teksti dhe mes meje e veprës qe shtrirë një ftohtësi, që, më parë se leximi i veprës së tij, më vonë, e ka fshirë vetë autori, njeriu Ali Podrimja, që në takimet e para fizike me të, nga shtatori i vitit 1999 e këndej.
Në leximet e tjera të Lum lumit kam zbuluar se libri, qysh në takimin e parë, më pati transmetuar tmerrin, që nuk arrija t’i vija emër, dhimbjen, që shtrihej nga libri te jeta e secilit, tragjedinë e zezë të babës që mbetet pa djalin e dhimbjes. E di që ndryshe do të kisha ligjëruar atëherë për këtë, po t’i zotëroja kuptimet e po ta dija ligjërimin.
Të gjitha i kam njohur edhe në ligjërimin e Podrimjes, me shkëputjet e hapërdarjen e njohur, në rrëfimin e prerë, të rinisur, të shtrirë në çdo takim e në çdo bisedë. Kudo ndodhej Lumi, si shenjë mbretërore e jetës, si kurora e zezë e saj. Nuk më ka ndodhur të ulem e të bisedoj me Ali Podrimjen dhe ai të mos flasë për Lumin, e të gjithë ata që e kanë njohur, e dinë se bisedat me të rrallë kanë qenë të gjata, meqë ai ka folur shpejt, ka ndenjur shpejt, ka ikur shpejt e rrëmujshëm.
II. Dorëshkrimi e takimi
Në dimër të viti 1998 unë ende nuk e kisha takuar Ali Podrimjen.
Kisha gati për botim dorëshkrimin tim të parë, të titulluar Trajta. Dorëshkrimin e kishte lexuar Sabri Hamiti dhe ma ktheu me një shënim të shkurtër karakterizues, që është shënimi i parë për poezinë time. Pastaj dorëshkrimin, bashkë me atë shënim, ia pata dhënë poetit pejan Sali Beqiraj, mik imi dhe mik i Ali Podrimjes. Podrimja e kishte marrë nga Saliu. Dorëshkrimi qe botuar te “Rilindja” me titullin Mërzi e zezë, titull që e pata zgjedhur në fund, për të shenjuar trashëgiminë moderne të poezisë dhe frymën e dorëshkrimit, bashkë me diskursin. Podrimja më njohu nga ky dorëshkrim. Ai e kishte firmosur librin si redaktor i tij.
Pastaj, shpërtheu lufta dhe jetuam egërsinë paskaj. Me Aliun për herë të parë fizikisht qeshë takuar një vit e gjysmë më vonë.
Nga ajo kohë, e kam njohur veten si një nga miqtë e rinj të tij. Miqësi e dashuri të njohur e të provuar dyanshëm. Të ruajtur e të shenjuar, qoftë dhe në shenja ambientale të Rrafshit të Dukagjinit, prej nga vinim të dy, të provuar vençe: kur më kishte dhuruar një këmishë, që e kishte sjellë nga Zvicra; kur më dha një foto të tij të hershme me dedikim; poezitë e tij në frëngjishte; apo kur ma ktheu dorëshkrimin e Sagës sime, të shoqëruar nga ligjërimi i ndërprerë dhe, në fund, i prerë me lot pa zë, si shenjë identifikimi me poezitë për Babën e për Nanën. Dorëshkrimin me ndonjë shënim dhe me firmën e tij e ruaj si shenjë dukagjinçe të mallit.
Podrimja, po dukagjinçe, donte ta quaja Mixhë. Kështu e quanin edhe disa miq të tjerë të përbashkët. Kurrë nuk i kam thënë Ali. Të tjerët e kanë quajtur Bal, edhe Baba Ali. Kam lexuar që, dikur në rini, i thoshin Ali Taljani, sepse ashtu i kishte thënë vetes.
III. Njeriu
Ali Podrimja kishte shtat mesatar. Ecte shpejt. Fliste me ngut e me ngecje. Vishej përtej kodit në çdo rast. Nuk e donte sjelljen formale. Pantallona me ngjyrë tjetër nga këmisha. Këpucë të lehta, gati atlete. Kapelë në dimër, për t’u mbrojtur nga i ftohti, dhe një tjetër në verë, për ta përballuar vapën. Kurrë nuk e kam parë me kollare. Dukej si fliste. Jashtë rregullit.
Ali Podrimja ishte njeri zemërbardhë. Ndër vite e kam parë të gëzohet me librat e autorëve të rinj. E kam dëgjuar të flasë për ata libra, kam lexuar vlerësimet e tij. Vetëm për librat ka folur.
Ai nuk ka folur për të tjerët. I ka njohur të gjithë përreth, po njohjen s’e ka bërë rrëfim. Ai ka folur për veten dhe ka pyetur për të tjerët, ka dëgjuar se çfarë i ke thënë. Më duket se këto janë rastet kur ai është treguar i durueshëm.
Podrimja nuk ka folur as për njerëzit e tij. Vetëm për Lumin. Kohën e fundit fliste edhe për nipin, Gentin.
Ali Podrimja ka dashur të dijë për jetën e të tjerëve, në rrëfimet e tyre. Më ka pyetur shpesh për familjen time. E pëlqente shumë emrin e djalit tim, Det. Ndërsa, vetë detin e quante Uji i Madh.
Edhe kur kishte mall, ai pyeste rrallë për të tjerët.
Podrimja thoshte që s’mërzitej fort për ato që shkruanin të tjerët për të. Se e dinte që ishte poeti më i madh i gjallë i shqiptarëve. Këtë e thoshte me zë, e përsëriste deri në bezdi.
Podrimja ankohej për çdo gjë, tepër përgjithësueshëm, tepër rrallë për gjëra konkrete. Gjithë çfarë mund të të kërkonte ai, ishte një libër ose një kafe.
Ali Podrimjen kurrë s’e kam dëgjuar ta ketë pranuar me fjalë që s’ka të drejtë. Kur zihej ngushtë, buzëqeshte, thoshte diçka të papërfunduar si ligjërim e largohej ose të thoshte ku e di ti e prapë largohej.
Ai shante edhe kur vetëlavdërohej, edhe kur lavdëronte.
Podrimjen kurrë s’e kam dëgjuar të flasë për politikën apo për njerëzit e saj. Paradoksalisht, më duket që ai të ketë qenë fort i politizuar, po më parë fort i mërzitur e i tronditur. Ali Podrimja ka ndjerë e nuk ka folur.
Një pendesë politike të tijen e kam parë të ngjallej me dhimbje në elegjinë kushtuar mikut e studiuesit të poezisë së tij, Presidenitit Rugova. Poezia niste me: Pa na kallëzuar ëndrrën deri në fund / për Dardaninë / ike mik i dashur, vijonte: Në thue shpesh zura në Ty / më tmerronte / qetësia jote dhe mbyllej: Lamtumirë President i / Dardanisë / perënditë tek bredhin tokave të zjarrta / do takohemi njëherë / Yll i këputur nga Grigja. Një poezi që provon dramën e madhe të Rugovës së moskuptuar, dramën e madhe të zbulimit të tjetrit pasi që ai të ketë shkuar, dramën e shqiptarëve me prijësin e vet. Shenja që ngjallen tani për ta zbuluar dramën e shqiptarëve me Poetin e tyre të madh, që sapo shkoi. Ai ishte këtu.
IV. Vox-i
Takimet më të shpeshta me Podrimjen i kam patur nga viti 2002.
Unë pata filluar punë në Universitetin e Prishtinës. Podrimja, e dinë të gjithë, jetonte në Ulpianë. Rruga për të shkuar në Akademi apo në bufenë e Radio Prishtinës, i binte nga Fakulteti. Gjithnjë kemi ndenjur në bufenë e vogël të fakultetit ose tek “Edi 2”. Mbaj mend që një herë të vetme të jetë ngjitur në katin e dytë, në zyrën time të punës, edhe pse e ftoja përherë. Kurrë s’e kam kuptuar pse s’vinte.
Ai asnjëherë nuk rrinte gjatë. Po nuk donte t’ia dinte nëse unë kisha mësime. Po ashtu, vonohej pa të keq, kur linim një orë fikse që të takoheshim.
Është proverbiale në mesin e miqve të përbashkët se si më pati telefonuar në një ditë me shi, ndërsa unë ndodhesha në Pejë. Më kërkoi të takoheshim tek “Edi 2” dhe nuk donte të dëgjonte derisa po i thosha që nuk ndodhesha në Prishtinë. Kishte dalë në orën që la vetë dhe më kishte pritur. Nuk më kishte telefonuar më, po kishte marrë poetin Xhavit Beqiri dhe i kishte folur për mua si për një njeri që e le të presë Poetin kombëtar. Me muaj të tërë pati refuzuar shpjegimin tim. Ai kurrë nuk ka qeshur me këtë histori, sado që ne të tjerët talleshim me atë që pati ngjarë.
Në këtë kohë, bisedat më të gjata me të i kam patur për Vox-in dhe për Anton Pashkun. Frymën e bisedave tona ai e ka dhënë në një tekst të vetin, pasi unë pata botuar studimin për veprën e Pashkut, Vox-i i Anton Pashkut.
Më ka rrëfyer për situatën e njerëzve që patën firmosur Vox-in, rrethanën para e pas publikimit, kush pranoi ta firmoste e kush tha që do ta firmiste po s’e bëri, kush u kundërvu me denoncime publike, kush e firmosi denoncimin e kush e shkroi vërtet. Një pjesë e mirë e këtij rrëfimi ndodhet tek teksti i Podrimjes.
Vox-i, Vox Clamantis in Deserto është fryma e vetëdija që e ka robëruar dhe shoqëruar përherë Ali Podrimjen.
Ndërsa, për Pashkun donte ta dija që e kishte patur mik të madh. Kur më solli librat që ia kishte dhuruar Pashku me dorë të vet, pata dalluar një peng të tij në raportet me Pashkun. Ndoshta një moskuptim.
V. Poezia
Ali Podrimja çdo poezi të re e mbante me vete, herë në shkrim dore e herë të daktilografuar, dhe ua lexonte të gjithë të njohurve që i takonte në rrugë, në kafene, kudo. Ai donte t’i thoshe se kjo është poezia më e mirë. Kurdoherë lexonte poezinë më të mirë, derisa nuk shfaqej me një poezi tjetër. Pastaj ikte shpejt, derisa takonte një tjetër të njohur.
Ndonjë mik i tij i vjetër më ka thënë se Aliu i shkonte në derë të shtëpisë sa herë që shkruante një poezi të re.
Por, Ali Podrimja recitonte edhe poezitë e të tjerëve, ato që i donte e i zgjedhte. Mbaj mend se si ma pati lexuar përmjet telefonit pjesën e parë të Aldebaranit të Mihal Hanxharit. Dy ditë më vonë, më dhuroi librin me poezitë e zgjedhura të Hanxharit.
Ali Podrimjen kurrë nuk e kam parë pa një libër në dorë.
VI. vitet e fundit
Viteve të fundit Ali Podrimjen e kam takuar më rrallë, meqë jo pak më është dashur të udhëtoj jashtë Kosovës. Por, flisnim në telefon, shkurt dhe me shkëputje e me kapërcimet e njohura të tij nga një bisedë te tjetra. Nga biseda për një libër, për një poezi të re, ai kalonte tek ankesat për mungesë të dritave dhe gjëra të kësaj natyre.
Verën e shkuar, përballë Fakultetit të Filologjisë, në këmbë, në pikën e vapës, më pati thënë se miqtë shpesh nuk janë miq. Rrallë ka ndodhur që ai ta tregojë ashtu mërzinë.
Pak kohë më vonë, në rrethana të tjera, nga goja e një miku të tij, që gjatë ishte mbajtur si i mbrojturi i Podrimjes në fushën e poezisë, mësova për çlirimin që ndjente se Podrimja s’e kishte më temë. Të gjithë miqtë nuk janë miq, Podrimja e dinte mirë këtë.
Nga kjo kam kujtuar situatën e çudishme në një takim të PEN-Qendrës së Kosovës, në të cilin miqtë e tij rrinin skutave e s’i afroheshin, me sytë përdhe, derisa, të ulur afër njëri-tjetrit, me mund e me një mijë ndërprerje, po flisnim për poezinë e tij Përmendorja e viçit. Mbaj mend se në fund qe ndalë të fliste me Ali Aliun dhe me Agim Gjakovën. Iku rrrëmujshëm si gjithnjë.
Sivjet, disa muaj më parë, Podrimja shënoi tridhjetë vjetorin e publikimit të Lum lumit. Ai po shënonte dekadën e tretë të stolisur me kurorën e zisë paskaj. Ai po shënonte datën e shpirtit të humbur.
Një i zi, në një faqe të zezë, shkroi se u shënua një ngjarje që s’thotë asgjë. Podrimja kishte ngelur i tmerruar nga kjo. Nuk tregonte mërzi. E thoshte tmerrin për monstrën që thotë se lexon letërsi.
VII. Biseda e mbramë
Podrimjen për herë të fundit e kam takuar gjatë Panairit të Librit, këtë qershor.
Bënte vapë. M’u duk i lodhur dhe tepër i shpërqendruar. Unë ngutesha. Në pak minuta bisedë, mësova që të shkonte në një festival poezie në Francë. Nuk i kushtova ndonjë vëmendje, edhe pse e dija që ai i ka pëlqyer shumë takimet e njerëzve të poezisë. Asgjë më shumë. Ngutesha. Pas asaj dite s’e kam parë më.
Ali Podrimjen e kam dashur me dhimbje. Në letërsi e në jetë. Për trishtimin e fjalës së tij, për mërzinë e zezë, për qeshjen e dhemshur, për zemrën e bardhë, për gëzimet e tij para punës së tjetrit. Po shikoni sa libra të autorëve të rinj ka lexuar e ka botuar Podrimja; sa tekste ka shkruar për ta; sa antologji ka bërë. Një njeri i tillë, është njeri zemërbardhë, në terrinën e shkretë të smirzinjve.
Miqtë nuk janë miq përherë. Po Ali Podrimja ishte Njeriu zemërbardhë, Miku i madh.
Lajmin e parë për zhdukjen e Ali Podrimjes e mora disi me shaka. Mixha do të jetë fshehur diku. Po sillet (pa)zakonshëm, siç bën përherë. Pastaj ndjeva frikën që rritej.
Lajmin për vdekjen sikur nuk e kam dëgjuar. Vetëm pasi trupi i tij u kthye në Prishtinë, në Ulpianën e tij antike, e ndjeva që ai nuk është më.
E kishin gjetur me një tufë lulesh në dorë. Çantën e vogël me libra afër. Lule e libra, fryma e butë që pati e që la Ali Podrimja.
Ai shkoi në vetmi, butë. Sikur po luante. S’ia njohëm dhembjen e fundit. Apo ia kemi njohur përherë: Lumi.
Thonë ngelet vepra. Po mua, miqve, rrugëve, kafeneve, Akademisë u mungon Ali Podrimja, njeriu ynë. Mungon zëri i tij i thellë, disi i shuar në vete, kur lexon poezinë e tij kudoqoftë. Shakatë e shkurtra. Ligjërimi e bisedat e rrëmujshme. Ecja e tij e shpejtë. Dhimbja e tij për Lumin.
Sa pak e kam takuar Ali Podrimjen dhe sa shumë jetë ka shkuar bashkë me të.
VIII. Lum Lumi
[b]Ali Podrimja
Ora e vdekjes
Ora u ndal
pikërisht kur numëroja të rënat
Koha zu të zbrazet nga Lëvizja
Frymëmarrja
nga unë
Dhoma ime humbi drejtpeshimin
Gjymtyrët ndërrojnë formë
në akrepa kacavaren ëndrrat
Lëshova zë ia behu Mjeshtri
vida e vida
ndërroi
Koha assesi të hyjë në orë
Bëra çmos ta shpirtëroj
Muret të kthehen në dhomë
dhe Lëvizja dhe Frymëmarrja
Shih nën fotografinë e vjetër të Familjes
ajo qëndron e pagojë
në ajër e mbërthyerLum lumi (1982) është vepra më e madhe e Ali Podrimjes, një nga veprat shqipe të shekullit.
Është vepra më personale e Podrimjes, vepër me faqe elegjiake e të mbushura dhimbje për humbjen e të birit, Lumit.
Lum lumi mban e jep konstantat formale të poezisë së Podrimjes, me trajta eliptike të zgjedhura, që hapen në qerthuj semantikë të pashterrshëm. Por, edhe shpërthehen konstantat, bashkë me shpërthimin e dhimbjes së gjallë. Edhe këtu provohet se sensibilitetet përcaktojnë forma të shkrimit, ndërsa tërmetet e thella emocionale lëkundin gjithçka.
Dhimbja e thellë, figurat fatale, kënga e zezë për Lumin, e bëjnë Lum lumi një elegji të rrallë, një vepër që nis si mimetikë e fortë dhe përfundon në një metaforikë të hapur. Po, se hapjet personale përherë provohen të jenë universale.
Lum lumi është shtruar në katër cikle, nga të cilët, i dyti, i titulluar Të jetosh, është më i bukuri poetikisht e më i rëndi tematikisht. Është një perlë e zezë e veprës, ndërtuar nga poezitë për Lumin e përfshirë në qerthullin e vdekjes. Lumi e kapërcen këtë kufi, derdhet tej, ndërsa baba/poeti e provon vdekjen për së gjalli. E thënë në idiomin e rëndë: Me vdek për s’gjalli.
Figurat e Podrimjes te ky cikël burojnë nga emocioni, nga dhimbja. Kur hapet figura, takohet emocioni e ndjehet thellë dhimbja. E shoqëruar nga një fatalitet pa rrugë të dytë, figura e Podrimjes merr shenjën e një figure mitike. Vaji i Podrimjes bëhet vaj i qyqes, si në etosin e dhimbshëm shqiptar. Figura e tillë s’është dekori i temës e i strukturës, por esencë e tyre. Kur lexohet figura, lexohet zemra e qerthujve semantikë të poezisë së Ali Podrimjes.
Lum lumi i bashkohet rrjetit të elegjive për njerëzit e dashur, të shkruara kudo e në çdo kohë. Por, si të gjitha veprat e tilla, Lum lumi e provon se askush nuk mund të vajtojë për Lumin si Ali Podrimja. Kjo vepër vetëm përjetohet nga të tjerët, më shumë a më pak, në leximet e secilit. Ajo hapet me frymën e me zinë e saj para shpirtit që ndjen. Emocioniet e rënda reflektojnë ide të rënda, që, përtej racios, nisen drejt shpirtit të lexuesit.
Kush e lexon Lum lumin, i hyn aventurës së rëndë për ta njohur Ali Podrimjen, gurët e rëndë të jetës së tij, frymën e dhembjen, Ali Podrimjen e kthyer nga vetja, nyjën universale të poezisë së tij.
IX. Elegjia
Kujtim M. Shala
Lamtumirë, poet i Dardanisë!
(Ali Podrimjes)
Ike në rrëfimin për Ulpianën
e Dardanisë
Poet i dashur
fryma jote e gazi shtruar
Shpesh të kam ngacmuar
më tmerronte ironia jote
buzëqeshja
rrëmuja
Dhimbja mbulon qiellin e dashur
dheu AtDheu Yt
merr frymë prej Teje
Po vjen koha Jote
me rrëmujë
me shpirt e mendje
shqetësimeve
Qiejtë vijnë rrotull dheut
n’zemërim
kudo shtrijnë frymën copëtojnë
fytyrën Tënde
me zjarr e hekur ndeshen
n’ trishtimin e zi
nga i bijnë planetet
e humbura
Poet i Dardanisë
do takohemi
njëherë
një natë me stuhi
Ulpianë,
korrik 2012
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Halit Xhemë Elshani:Doli nga shtypi libri i parë për Akademik Ali Podrimja
» U botua libri i 10 i Rexhep Shahut me titull Kjo verë mërzie. Ja poezia e pare e ketij libri poetik : njerëz pa dhëmbë
» Kujtim Shala, “egjeli” i Memlit dhe i SHIK-ut!
» Kujtim Stojku:LIBRI I PA SHKRUAR.
» Begzad Baliu:POEZIA: PËRMASA, SHENJA DHE KUFIJ-Në kujtim të poetit Ali Podrimja
» U botua libri i 10 i Rexhep Shahut me titull Kjo verë mërzie. Ja poezia e pare e ketij libri poetik : njerëz pa dhëmbë
» Kujtim Shala, “egjeli” i Memlit dhe i SHIK-ut!
» Kujtim Stojku:LIBRI I PA SHKRUAR.
» Begzad Baliu:POEZIA: PËRMASA, SHENJA DHE KUFIJ-Në kujtim të poetit Ali Podrimja
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
|
|
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi