Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Poezi nga Sabit Rrustemi

Shko poshtë

Poezi nga Sabit Rrustemi Empty Poezi nga Sabit Rrustemi

Mesazh nga Agim Gashi Thu Dec 18, 2008 1:43 am


Poezi nga Sabit Rrustemi U1_SabitRrustemi
Sabit Rrustemi
Sabit RRUSTEMI




E VOGËL KJO BOTË PËR ËNDRRËN TONË



Lermë të zbres





Lermë të zbres

trupit tënd të shkriftë

Me një mal puthjesh

Nëpër ato mollëza kuqrreme

Buzëkuqeve që presin gjysmëhapur



Lermë ta shprush prushin e asaj buzëqeshje

Që ndez

Që vezullon një botë të tërë

Dhe mua brenda saj



Se u kalla së eturi

Kësaj stine plot vapë

Që s’njomet as me një vjeshtë shi



Lermë ta harroj

Për një çast këtë përditshmëri

Që vret me vetmi

E të çmallem njëherë

Sëpaku njëherë

Nën shelgun e kroit t’zogut

Nën atë shelg që pikon e djeg

Me dhembje me dashuri



Lermë të ngjitem

Trupit tënd të shkriftë

Me një mal miklimesh

Që dridhin

Peshë ngrisin

një botë që bie në gjunj

për atë buzëqeshje që ndez

që vezullon

para syve të mi



O lermë të prehem një çast

Të prehem përjetësisht

Nën atë Breg Venere

Brenda asaj bote që mrekullon

E të ecë

Të ngjitem e të zbres

Trupit tënd të shkriftë

Që ndizet e vezullon

Përmes asaj buzqeshjeje

Të prushtë të zjarrtë

Vetëm dashurisht dashurisht dashurisht



(3 Shtator 2008)



Porta



Tërë ditën rri hapur

Syri rojtar i shtëpisë



As e luan qerpikun

Për pluhurin e rrugës

E të lehurat e gardhit



As kur fryn

Nuk mbyllet

Nuk thehet

Se sipër ka ngujoren



Tërë ditën e lume

Pret atë vashë

Me f’tyrë prej hëne

Kur del prej udhës malit

Kah lugina e gjatë e dhembjes

Prej udhës kroit

Kah rogat e verdha të vetmisë

Prej shtegut t' kopshtit

Kah blini i përjetësisë



E gojën s'e hap

As syrin e mbyll



Krejt çka ka për të thënë

Me heshtje e qanë

Pazëshëm në brendi

Si ai qarri i moçëm aty per bri



As natën nuk mbyllet hapur rri

Kur ka kthjelltësi

Shtëpisë i duhet freski

Një puhi me dashuri



Tërë natën e lume pret

Për ta parë në ëndërr

Atë vashë hëne tek përvidhet pas lisash



Tek varet e pret n’ kurorë degësh

Hapin që s'niset

Dorën që nuk zgjatet



Heshtja na ka mbërthyer

Për zotin



Vetëm porta hapur ka mbetur

E mbështetur për muri



Nuk ke se si të trokasësh

Lësho zë

Po deshe

Kurdo që nisesh kah unë



Trokit përmes zërit

Në ëndrrën time

Trokit



Në çdo kohë do ngritem

Me të mirë ta marrë

Qenin e shtëpisë



Ajo hënë me fytyrën tënde

Qetas përvidhet prej paskodre

I vë në gjumë lisat

E hyllet kah porta



Po porta

Vetëm kornizë ka mbetur

Krimbat e bluajtën në heshtjen tonë



Ajo fytyrëhëne

Ngrinë e mbin në prag

Për t’ma falë të egrin trëndafil



(7 – 6 Shtator 2008)



Nëpër pritje

Sa hapesh e më kënaq me atë aromë
Në çast mbyllesh si Lulenusja
Deri në një ag të ri

Mes dy mëngjesesh
Sa mote ndërrohen
Sa shi bie
E furi
Vërshon botës sime
E krejt dheun ma merr



Mbes vetëm në gurë
Dhe në gjëmët e mia
Mbes
Duke shtyrdhur thellësitë e gurta
Për një pikë ujë
E një trohë dritë
Që hap atë petale
Atë Lulenuse sërish

Ajo tashmë një sezam të ri kërkon
Një labirinth
Për vete
E për hijën time

Bota
Kjo e tashmja e jashtmja
E vogël ka ngelur për ëndrrën tonë

Një botë dëshire
Nëpër pritje thurrim




(5 Tetor 2008)



Pikat e heshtjes



Mes rreshtash fjalesh

Diçka mbetet e pathënë

E heshtur përherë





Ajo që ndjejmë

Tri pika (s) e mbulojnë

As mijëra sosh



Në cilën je

Në cilën jam

Në cilën mungojmë



Pikat e heshtjes

Ngacmojnë

Shpojnë



Të pathënat që ndjejmë



Ç’lexim i çuditshëm

Për dashurinë që përjetësohet

E nuk thuhet



Mes tri pikash

Sa buzë janë tharë

Një puthje duke ëndërruar



( 31 tetor 2008 )



Dritarja që shihet e s’hapet



Ajo shihet e s’hapet

As për freskun e mëngjesit

As për puhinë e mbrëmjes



Si lulja në vazo

Ngrohet prej shikimeve të mia

E flladitet prej ofshamave të veta



Petalet me lule trëndafili

Zgjaten kah drita

Dhe duart e mia



Faqja e xhamtë

Përthehet në atë butësi

Si pikturë e blertë

Gdhinë para meje



Vasha në vazo

Botën kundron prej brenda

E (s)kënaqet



Ta hap dritaren

Trembet

Uragan ndjenjash

Rreth o rrotull e mbështjellin



Në det pritjesh hyllet

E kur del s’dihet

A sysh më varet



Larg s’është

E nga imja dorë s’arrihet

As me thjerrëza s’shpohet



Shikimesh përndizet

E nuk thehet

As prej saj largohet



Nën çerpikë

Portretin e saj ëndërr e ruaj

Udhën kah ajo të mos e harroj



( 3 Nëntor 2008)



vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Poezi nga Sabit Rrustemi Empty Re: Poezi nga Sabit Rrustemi

Mesazh nga Agim Gashi Thu Dec 18, 2008 1:44 am

Këpucë prej lëkurës sime



Fjalëve ju përmbahem

Edhe kur më vrasin ngapak

Si këpucët

Mikja ime e dashur



Ato rrallë zgjerohen tek unë

Pa i ngrënë anash

Gishtërinjtë e vegjël

Çepurit e gudinës

Dhe fundit të gurinës



A nuk i kthej

As i ndërroj

Se inatin e kam më thellë se deti

Më lart se Lypeten(d)i



Këmbët s’më munguan

Kur hyra në shitore

Shitësi me tha:provoji



Numrin nuk e kisha harruar

As ndërruar

Është po ai i njejti

Që kur i rashë fytyrës brisk



Vetëm fabrika po prodhon

Numra fals pas orarit

Për tregun e zi



Këpucë të reja nuk porosis më

Sipas masës

I prej nga lekura ime

Që regjet në pritje



Pa çka pse dhemb

Pse vuaj

Pa çka pse tjetër nuk mund të bëhem

Sall të vegjëlit gishtërinj

Të mos më akuzojnë më



Ende s'janë shëruar prej kornizave



(4 Nëntor 2008)



Nuk u tund asgjë pos zemrës sime



Vazot me lule nëpër ballkone të këtij qyteti po zverdhen

Kush t'i ujitë kush t'i ngorhë e kush t'i mbajë ne gji

Moti i përzishëm me pak mjegull e një troh diell

Lëngun ua pi e në heshtje i thanë me lotë pa zë



Ato vazo të gjelbëruara do duken dhe pak

Me gjethet halore që solla nga mali

Do na mashtrojnë sysh deri në brymën e parë



Do kënaqemi pastaj vetëm me ato lule

Që mbijnë e rriten thellësive tona të paprekshme

Tek rriten të fshehura e na mbushin aromë

Përmes kësaj dritareje virtuale shpirti

Që herë të nxjerr ty e më fsheh mua

Apo mua e të fsheh ty



Ajo dritare thurrë pritjen në mungesë

Deri te një stinë tjetër një mengjes me vesë



Vetëm kujtimet ndryhen nuk shlyhen

Derisa dashuritë e gjithë botës

Vërshojnë kah unë

Kah ti



Apo nuk the kështu

Para vazove që përkohësisht të blerta u bënë

Me gjethe halore

Të sjella enkas prej mali

Ku nuk u tund asgjë pos zemrës sime



( 10 nëntor 2008)



Lulja e Dhomës II



Ajo është natyrë e gjallë

Në brendësinë tonë të zbraztë

Të zbraztë e të bardhë

Një pjesë e blertë

Një pjesë e aromtë e shtëpisë

E jetës sonë që s’jetohet pa të



Nuk është e privilegjuar

Pse rri e frymon me ne

As duket e gëzuar

Me rrethojë vazosh e muresh

Në një hapësirë

Ku rrënjët i ndrydhen

Në merimangë dheu i kurthohen



Po nuk na braktis

Brenda nesh natyrë të re rinis

Na kënaq kur çelë

Kur n’piptha të rinj bulon

E dritaren me gjethe shpon



Aq shumë e dëshirojmë

Sa jashtë nuk e nxjerrim kurrë

Ushqim dheu brenda i servojmë

Dhe ujin që pijmë ia lëmë

Faqet prej lotsh ia fshijmë



Po dhimbjen nuk ia ndijmë

Diagnozën si t’ia gjejmë

Ajo s’rrëfehet

Nga të prekurat tona rrallë miklohet

Në botën ku ishte s’ka si kthehet

Prej mallit nis e zverdhet

Në vete venitet për dashurinë që heshtet



(19 Nëntor 2008)



Në Krye Qendër



Hyn me shpejtësinë njëqindkilometërshe

Përmes rrotësh të nxehura të lagura

Rrëshqitshëm tatëpjetës së akullt

Pa bujë rrafshit të betonuar që gumëzhinë

Me njërën dorë ne xhep

E tjetrën grusht në vegën e një çanteje të zezë



Xhepëzbrazur me bileta të mbetura

Nga dje pardje e paspardje

Ngul sytë tutje pastaj poshtë pastaj anash

Kërkon nëpër fytyra të reja

Nëpër objektet e mbira si këpurdhat



Kërkon e ecë drejt adresës së re

Atje në thellësinë e rrafshtë

Sheshit të bekuar me fytyra të mërrolta

Gurëve që na i gërryjenë thembrat

E s’na i ruajnë as gjurmët



Arrinë e ndalesh para grilave

Portave që hapen me sustë

Nëpër dyer xhamash e sportelesh

Fotografohesh e memorohesh deri në lëkurë



Pastaj kalon nga përdhesa drejt kateve përpjetë

Në një dhomë të zbaruz

Me dy hyrje dalje e një dritare

Dhe karrikat e zeza që presin në heshtje



Ulesh e mediton për atë që të mungon

Që të përcjell e të dëshiron kudo që të jesh

Kudo që të shkosh nuk të harron

As kur s’të bën zë e një mesazh s’ta lëshon



Hap botën virtuale ajo s’ është

Ngritesh e hedh sytë përtej dritares

Nuk nxinet sall ndjehet përjetohet

Në botën tënde aty përbrenda

E urtë e drojtur e dashur e largët

Përnjëherë ndihesh sikur ta kishe pranë



Nëpër KryeQendër ajo rrallë duket

Periferive nga sy botësh fshihet

Malli për të pa orar vie e rritet

Benda orësh e motesh vetëm përndizet



Ajo s’ është një ëndërr që tretë me agun

E ndryn edhe më thellë brenda vetes

E del prej KryeQendrës rrugës së njejtë

Mbushur plot shend plot verë e ngazëllim

Ta takosh aty ku e pa së mbrami herë



Te Sheshi me emrin e një kreshniku

Të prêt vegëza e përpjetëza

Qafa që të lë pa frymë

Edhe kur kalohet me dyzetë në orë



Ti rend për ta shlyer Jetën e munguar

Rend për ta nxënë një dashuri të vonuar

Po nuk e arrinë as me treqindegjashtëdhjetë në orë



Në ankth rri e nuk e thërret për t’mos e drithëruar

Atë lulenuse tashmë të trazuar

Sall i shkruan e ia përcjell

Dhembjen e radhës si ngushëllim

Përems botës së përkohshme në amshim



(12 Dhjetor 2008)



Asnjë ditë pa imazhin tënd



Fshije çatë ditë

Që trupon pa mua

Trupit tënd të shkriftë

E t’i përmallë ata sy



Fshije

Cila do që të jetë



Fshije mikja ime e dashur

Se vetëm dita që vjen më ty

M’ flladitë

E m’valëvitë nëpër muzikë gjethesh

Të plepave të bardhë

Tej Gurit të Megjës

Në Rrafshnaltë



Fshije moj

Se tek unë

Asnjë ditë s’guxon të trokas

Pa imazhin tënd



Fshije mikja e shpirtit tim

Ndëshkimin e radhës

Ditën

Që nuk hapet me mesazhin tim

Me dashurinë që na bekoi



(16 Dhjetor 2008)
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi