Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Dr.Musa Ahmeti:NË NDERIM TË NJËRIT PREJ THEMELUESVE TË SHTETIT BASHKËKOHOR SHQIPTAR – IMZOT NIKOLLË KAÇORRIT

Shko poshtë

Dr.Musa Ahmeti:NË NDERIM TË NJËRIT PREJ THEMELUESVE TË SHTETIT BASHKËKOHOR SHQIPTAR – IMZOT NIKOLLË KAÇORRIT Empty Dr.Musa Ahmeti:NË NDERIM TË NJËRIT PREJ THEMELUESVE TË SHTETIT BASHKËKOHOR SHQIPTAR – IMZOT NIKOLLË KAÇORRIT

Mesazh nga Agim Gashi Fri Nov 02, 2012 8:51 pm




Dr.Musa Ahmeti:NË NDERIM TË NJËRIT PREJ THEMELUESVE TË SHTETIT BASHKËKOHOR SHQIPTAR – IMZOT NIKOLLË KAÇORRIT M_ahmeti


Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies, Budapest



NË NDERIM TË NJËRIT PREJ THEMELUESVE TË SHTETIT BASHKËKOHOR SHQIPTAR – IMZOT NIKOLLË KAÇORRIT


Dr.Musa Ahmeti:NË NDERIM TË NJËRIT PREJ THEMELUESVE TË SHTETIT BASHKËKOHOR SHQIPTAR – IMZOT NIKOLLË KAÇORRIT Nikoll+Kacorri+3


Studimet monografike për figura të shquara kombëtare dhe fetare të mbështetura në kërkime të
thelluara profesionale, hulumtime arkivore dhe shfrytëzim të një literature të bollshme të fushave të ndryshme, e plotësuar edhe me burime dytësore si memoaret apo rrëfime-intervista të personave të gjallë, kur shkruhen nga penda të mençura dhe profesionale, domosdoshmërisht përbëjnë një ngjarje kryesore dhe janë literaturë e pashmangshme për rishikimin dhe rishkrimin e historisë sonë kombëtare.
Qëmtimi me kujdes, ballafaqimi kritik me burime relevante, vlerësimi racional dhe paraqitja logjike me një gjuhë të rrjedhshme e të pastër, e bëjnë monografinë për imzot Nikollë Kaçorrin një vepër themeltare për burrështetasit shqiptarë që sot zënë vend në lterin e nderuar të themeleve të shtetit bashkëkohor shqiptar.
Konceptualisht e përgatitur sipas metodës kronologjike, duke filluar përgjatë fundshekullit XIX dhe pjesës së parë të shekullit XX, me një përqendrim thelbësor te personaliteti i imzot Kaçorrit, duke u kthyer në retrospektivë për një historik të shkurtër të Lurës dhe të tërë krahinës, e cila përgjatë shekujve nxori figura të shquara, të respektuara dhe kombëtarisht të nderuara, autorët Nikollë Loka e Angjelin Shtjefni sjellin informacione dhe të dhëna të reja për fisin e Kaçorrëve të Lurës, për jetën, zakonet, traditën, besën, të cilat ndërlidhen me mjeshtëri me elemente të tjera të së drejtës zakonore, etnologjisë dhe etnografisë popullore shqiptare si dhe me segmente të veçanta të përditshmërisë lurase.
Hulumtimi për jetën dhe veprën e imzot Nikollë Kaçorrit për autorët Nikollë Loka e Angjelin Shtjefni, siç vërehet nga vetë studimi i tyre, nuk ka qenë i lehtë dhe pa sfida e të papritura. Megjithatë, insistimi tyre në përballimin e të gjitha pengesave bëri që ne të kemi në dorë një monografi të vyer dhe shumë të çmuar, të sistemuar me pedantëri, të mbushur me të dhëna të reja, të sakta dhe preçize, të cilat mbështeten në shumë burime dhe në këtë mënyrë njëherë e përgjithmonë zhdukin mjegullën dhe hamendësimet, datat e gabuara dhe pasaktësitë e shumta të cilat përcjellin jetën dhe veprën e imzot Kaçorrit deri me sot.
Shtjellimi i shtresëzuar i një rrëfimi shkencor sipas modaliteteve bashkëkohore, kritike të monografive të specializuara, studiuesin e lexuesin i bën që me padurim të lexojnë faqe pas faqe një jetë të panjohur, por shumë të bujshme që nga fëmijëria e varfër, gjë pothuajse e zakonshme për pjesën dërrmuese të shqiptarëve, pastaj shkollimin, studimet e më vonë jetën kishtare që nga shugurimi dhe përkushtimi për jetën fetare (ku kthimi i tij në atdhe e vendlindje “festohet sikur të ishte një dasmë”), ngritjen dhe bllokimin në hierarkinë kishtare dhe pastaj ballafaqimin me patriotin dhe nacionalistin e përkushtuar për atdhe deri në vdekje. Në fund, si mbyllje një shtesë e përzgjedhur me dokumente, informacione dhe materiale të ndryshme që janë një pasqyrë e një dallgëzimi dhe emocioni përfundimtar, si vetë jeta e imzot Nikollë Kaçorrit, për t’u prehur në qetësinë e amshimit të përjetshëm në atdheun e dashur – Shqipërinë e tij.
Studimi i historisë bashkëkohore, veçanërisht i periudhës që i takon edhe imzot Nikollë Kaçorrit kërkon shumë kujdes, paanshmëri dhe profesionalizëm të lartë, në njërën anë, ndërsa në anën tjetër ballafaqim të shpeshtë të burimeve të reja me “tabutë e krijuara për shumë vite” nga emra ta njohur të historisë së popullit shqiptar me idetë tanimë të vjetëruara dhe të tejkaluara të qasjes së metodologjisë së vjetër shkencore të personaliteteve dhe ngjarjeve të veçanta.
Strukturalisht e ndërtuar sipas binomit të paralelizmit qëndror “Fe e Atdhe” pa një dallim ose favorizim thelbësor religjioz apo patriotik, vepra besnikërisht realizon qëllimin e autorëve për ta paraqitur këtë binom që shquhet sidomos te shqiptarët. Laiciteti i të riut Nikollë, ndërthuret me mjeshtëri pa u vënë re me petkun e priftit don Nikollë, duke mos përjashtuar atë më kryesoren dashurinë për atdheun, vendlindjen, popullin dhe në asnjë situatë, besimtarët.
I formuar në rrethet intelektuale arsimore të kohës, me një shkathtësi të veçantë të përdorimit të gjuhëve të huaja që njihte, prifti i ri as edhe një herë nuk i shkëput lidhjet dhe interesimin për atdheun që ndodhej nën një shtypje të rëndë nga një pushtues mizor, në momente shumë të rëndësishme të kthesave të mëdha historike të mbijetesës dhe të shtetëformimit modern. Nuk ishte fare e lehtë të veprohej në kushtet e survejimit, ndjekjes e burgosjes, të torturave mizore dhe sfidave nga më pabesueshmet, megjithatë, burrëria dhe shpirti liridashësh ngadhnjyen mbi të keqen, duke e bërë tani priftin e pjekur dhe të ngritur në hierarki kishtare, të nderuar në popull e në bajraqe, të respektuar në kuvende e takime, imzot Kaçorrin, dëshmitar të njërës prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së kohës moderne, shpalljes së pavarësisë së shtetit modern shqiptar.
Me origjinë nga një krahinë e varfër, me specifika shumë interesante, me një besë e burrëri të panjollosur, me një zgjuarsi natyrore, imzot Kaçorri edhe kur ishte zv/kryeministër (në fakt, në shumë raste e për shumë kohë ushtroi detyrën e kryeministrit kur Ismail Qemali mungonte, kur ndodhej jasht shtetit) por edhe më vonë, në përballjen me Esat Pashën dhe hordhitë haxhiqamiliste ai tregoi mençuri e pjekuri duke marrë vendime të drejta të cilat edhe sot e kësaj dite janë të padiskutueshme.
Studimi monografik që kemi në dorë qëndron për shumë arsye më lart se vepra të ngjashme të botuara deri me sot. Për këtë, merita kryesore është vetë personaliteti të cilit i kushtohet vepra, por edhe koha në të cilën jetoi dhe rrethanat të cilat e ndoqën atë. Nuk është rasti i parë që një klerik intelektual shqiptar i formuar dhe i brumosur me dije nëpër qendrat universitare të Europës, të vërë në veprim binomin “Fe e Atdhe”. Por, rasti i imzot Kaçorrit është shumë intersant dhe me specifika tepër të veçanta.
Autorët, Nikollë Loka e Angjelin Shtjefni kanë prekur dhe trajtuar në rrafshin horizontal shumë momente të rëndësishme, njëri prej të cilëve është edhe fenomeni i “laramanizmit ose kriptokatoliçizmit.” Për shkak të rëndësisë që ka ky fenomen, por edhe për vetë ndërlidhshmërisë funksionale me ngritjen hierakike kishtare të imzot Nikollë Kaçorrit mendojmë se atij i duhet kushtuar një vëmendje e posaçme. Autorët pohojnë në studimin e tyre se: “Lura sot paraqet një rast unikal në Europë. Ajo është e përzier në fe, jo thjeshtë si krahinë me fshatrat e saj, por edhe brenda të njëjtës strehë familjare. Nuk ka shtëpi që të mos jetë lidhur në trungun e vet me familje të fesë tjetër. Kështu, për të krishterët, apo myslimanët personat e fesë tjetër janë vëllai, nipi, kushëriri, miku dhe, duke qenë të tillë, ata janë pjesë e pandarë e tyre ku, përballë lidhjes së fortë të gjakut, ndryshimet në besim kalojnë në rend të dytë“ dhe vazhdojnë më tutje me një fakt tjetër shumë domethënës: “babai i Nikollë Kaçorrit, Vokrri (…), ndonëse katolik i devotshëm, ishte martuar me Hane Vladin, një vajzë myslimane nga Lura (…), myslimanët e shtëpisë së Vladit, edhe ata të përzier në fe, ishin shumë të lidhur me nipat e tyre katolikë, pa asnjë lloj paragjykimi (…), ndërsa edhe xhaxhai i Nikollës ishte mysliman.” Si fenomen “Laramanizmi ose Kriptokatoliçizmi” është i njohur dhe daton që në mesjetën e vonë, përkatësisht që nga koha e fillimeve të pushtimeve osmane.
Në literaturën historike, fenomeni i “Laramanizmit te shqiptarët” është trajtuar më se një herë, por pa u thelluar në specifikat, kushtet, arsyet dhe rrethanat që ndikuan në përhapjen dhe shtrirjen e këtij fenomeni te shqiptarët në përgjithësi dhe në rastin konkret në Lurë, në veçanti. Është trajtuar në mënyrë sipërfaqësore nga autorë që janë vetë me origjinë “laramane ose kriptokatolike” të cilët nuk kanë mundur t’i mënjanojnë paragjykimet, kështuqë punimet e tyre nuk e kanë trajtuar thellësisht dhe gjithanshmërisht këtë problematikë mjaft të ndjeshme për shoqërinë tonë.
Duke u marrë me personalitetin e imzot Nikollë Kaçorrit, autorët Nikollë Loka e Angjelin Shtjefni i futen me mjeshtri brendisë së këtij problemi duke vënë në dukje se ky fenomen është shumë i veçantë në Lurë dhe në rrethinat e saj. Në shtjellimin e tyre profesionalo-shkencor, ata i qasen “laramanizmit ose kriptokatoliçizmit” përmes vetë figurës qendrore të imzot Kaçorrit kur pohojnë se “e ëma dhe xhaxhai i Nikollës ishin myslimanë.”
Në studim ka mbetur disi i pasaktësuar sa duhet shkaku se pse imzot Kaçorri nuk u emërua ipeshkv?
Në të vërtetë, jo vetëm në këtë studim monografik, por edhe në shkrime të tjera është thënë se shkaktar ishte “aktiviteti patriotik ose angazhimet politike”. Një pohim i tillë nuk është i qendrueshëm, për faktin se Selia e Shenjtë, kishte në dorë një argument tjetër tepër të rëndësishëm, e që deri me sot nuk është shkelur apo anashkaluar. Ky argument është: imzot Nikollë Kaçorri ishte “Laraman ose kriptokatolik” dhe kishte edhe në familjen e ngushtë e të gjerë myslimanë!
Sipas të Drejtës Kanonike, si ipeshkv apo në një funksion tjetër më të lartë kishtar cilidoqoftë ai, nuk mund të emërohet në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast, një përson që ka origjinë ose të kaluar të tillë. E Drejta Kanonike është shumë e rreptë dhe një gjë të tillë e sanksionon në mënyrën më rigoroze të mundshme.
E vetmja mundësi për emërimin e tij si ipeshkv mund të ishte, rasti kur imzot Nikollë Kaçorri, ipeshkvi ose kryeipeshkvi që e kishin propozuar atë, i janë drejtuar “Penitencierisë së Shenjtë – Sacra Penitentieria” dhe nëse ky dikaster si njëri ndër më të rëndësishmit dhe me kompentenca direkte për çështje kërkonte Papës leje të veçantë, në rastin tonë, që imzot Kaçorri të mund të emërohej me gjithë këtë ‘njollë’ në biografinë e tij apo të familjes së tij. Me një bulë të veçantë, Papa jepte miratimin e tij për të proceduar me emërimin, dhe për këtë njoftohej edhe Kolegji i Kardinalëve.
Ne nuk kemi informacione nëse imzot Kaçorri apo ipeshkv Bardhi i janë drejtuar “Penitencierisë së Shenjtë” për një gjë të tillë, sepse dokumentet që ruhen në arkivin e “Penitencierisë së Shenjtë” në kushte tepër të rrepta sigurie dhe pas shumë garancish përkatëse. (Për informacion mund të themi se njëra nga studiueset e rralla në botë që ka pasur fatin të bëjë kërkime shkencore në këtë fond, në Arkivin Sekret të Vatikanit, /Archivio Segreto Vaticano/ është shqiptarja, Prof. Dr. Etleva Lala).
Pra dëshirojmë të ripërsërisim se shkak për mosemërimin e imzot Kaçorrit si ipeshkv në Shkup, Shkodër apo Durrës është origjina e tij prej “laramani ose kriptokatoliku” dhe asgjë tjetër personale, politike apo fetare, etj.
Libri “Burrështetas shqiptar në Altarin e Atdheut-Imzot Nikollë Kaçorri, një vepër e kompletuar, sipas të gjitha kritereve shkencore bashkëkohore, shpresojmë se do të jetë shtysë edhe për studiues të tjerë që do të studiojnë jetën dhe veprën shumë komplekse dhe tepër interesante të imzot Nikollë Kaçorrit, duke studiuar edhe më imtësisht veprimtarinë e tij të palodhshme fetare e patriotike, veçmas këtë të dytën, ku mendojmë se ka ende shumë hapësirë për studime sistematike dhe të organizuara nga ana e institucioneve të specializuara për këtë çështje, qoftë Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë etj. Në fund të fundit, të gjithë ne ia kemi borxh një gjë të tillë kësaj figure poliedrike, atdhetare, që ta vëmë atë në vendin e tij, aty ku i takon në lterin e lirisë, si njëri prej themeluesve të shtetit bashkëkohor shqiptar.
Autorët Nikollë Loka e Angjelin Shtjefni na ofrojnë në mënyrën më të ndershme dhe bujare, më profesionale dhe të sinqertë këtë studim të mirëfilltë duke kontribuar në ndriçimin e figurave madhore kombëtare si dhe duke dhënë ndihmesë për rishikimin dhe rishkrimin e historisë së popullit shqiptar.


LITERATURA
1. Alfredo Laudiero, Oltre il nazionalismo. Le nuove storiografie dell’est. Napoli: L’Ancora del Mediterraneo, 2004, f. 20-24.

2. Anisa Papleka, Domenikanët në Shqipëri. Përhapës të dijes dhe kulturës kombëtare dhe përendimore. /Hisotri & fe/. Shqip. /E përditshme e pavarur/. Tiranë. 31 mars 2007, viti II, nr. 85 (377), f. 26-27.
3. Christine Maria Grafinger, Die Ausleihe Vatikanischer Handschriften und Druckwerke 18. Jahrhundert. [Studi e Testi, vëll. 407. Biblioteca Apostolica Vatikana]. Teil. II. Cità di Vaticano: Archivio Segreto Vaticano, 2002, vëll. 407, f. 311-356.
4. Dominique Kirchner Reill, Nationalists Who Feared the Nation. Adriatic Multi-Nationalism in Habsburg Dalmatia, Trieste, and Venice. Stanford, California: Stanford University Press, 2012, f. 116-118.
5. Ludwig Thallóczy, Beiträge zur Siedlungsgeschichte der Balkanhalbinse. /Die Urgeschichte des Illyrertums au dem Gebiete Bosniens. Në: Illyrisch-Albanische Forschungen. München und Leipzig: Verlag von Duncker et Humblot, 1916, vëll. I, f. 40-47. (Ne kemi shfrytëzuar edhe: Vëzhgime Iliro-Shqiptare. Përkthyer nga Mustafa Merlika-Kruja. Shkodër: Camaj-Pipa, 2004).
6. Douglas Saltmarshe, Identity in a Post-Communist Balkan State. An Albanian village study. Aldershot, Burlington USA, Singapore, Sydney: Ashgate, 2001, f. 35, 148.
7. Bernardin Palaj, Tradita e krishterë te iliro-shqiptarët. Fisi i Shalës-Dukagjinit. Në: Mitologji doke dhe zakone shqiptare. (Zgjodhi, shtjelloi dhe përgaditi për shtyp Anton Nikë Berisha). Prishtinë, Shpresa, 2000, f. 87-150.
8. Jusuf Buxhovi, Nga Shqipëria osmane te Shqipëria evropiane. Prishtinë: Faik Konica, 2010, f. 296.
9. Ramë Buja, Kosova në krizën jugosllave. Prishtinë: AAB Riinvest, 2011, f. 97-98.
10. Zekeria Cana, Populli shqiptar në kapërcyell të shekullit XX. Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës, 1990, f. 94-95.
11. Shan Zefi, Islamizimi i shqiptarëve gjatë shekujve (XV-XX). Arsyet e islamizimit dhe qëndrimi i Kishës ndaj kësaj dukurie. Prizren: Drita, 2000, f. 1-188; Nicola Jorga, Geschichte des Osmanischen Reisches. /Geschichte der Europäischen Staaten/. Gotha: Friderich Andreas Perthes Aktengesellschaft, 1908, vëll. I, f. 279-296.
12. Lorenzo Tacchella, Il Cattolicesimo in Albania nei secoli XVII e XVIII. /Dalle Visite ad Limina Apostolorum e dai Processi Concistoriali/. Verona: Biblioteca Capitolare di Verona, 1984, f. 38.
13. Roberto Moroco dela Roca, Kombi dhe feja në Shqipëri 1920-1944. (Përktheu nga origjinali italisht: Luan Omari). Tiranë: Shtëpia botuese “Elena Gjika”, 1993, f. 19-24.
14. Odette Marquet, Pjetër Bogdani. Letra dhe dokumente nga Arkivi i Kongregatës “de Propaganda Fide” si dhe nga Arkivat Sekrete të Vatikanit. /Mendimi Shqiptar/. Shkodër: Shtëpia botuese “At Gjergj Fishta,” 1997, f. 29-34.
15. Alexander Koller, Kurie und Politik. Stand und Perspektiven der Nunziaturberichsforschung. Tübingen: Max Niemeyer Verlag Tübingen, 1998, f. 1-15.
16. Etleva Lala, The Papal Curia and Albania in the Later Middle Ages. Në The Long Arm of Papal Authority. Ed. Gerhard Jaritz, Torstein Jorgensen, Kirsi Salonen. Medium Aevum Quotidianum.Sonderband XIV – CEU Medievalia 8. Bergen, Budapest, Krems: CEU Press, 2004, ff. 89-101.
17. Philippe Levillian (Ed.), Dizionario storico del Papato. /Cmitato scientific: Philippe Boutry, Oliver Guyotjeannin, Philipe Kevillain, François-Çarles Uginet, Jean-Louis Voisin/. Milano: Bompiani, 1994, vëll. II, I-Z, f. 1128.
18. Etleva Lala, The Survival of the Catholic Church in Albania during the Period of Direct Contact with the with the Ottomans (1458-1484). Në ...Et usque ad ultimum terrae-The Apostolic Penitentiary in Local Contexts. Edituar nga Gerhard Jaritz, Torstein Jørgensen, Kirsi Salonen. Seria CEU Medievalia. Budapest, Hungari: Central European University, Department of Medieval Studies, Central European University Press, dhe Hungarian Academy, Rome, 2007, f. 115-122.
19. Matteo Sanfilippo, Alexander Koller, Giovanni Pizzarusso, Gli archivi della Santa Sede e il mondo asburgico nella prima età moderna. Viterbo: Sette Città, 2004, f. 257-258.
20. Lorenzo Tacchella, Le Antiche sedi episcopali Latine, Greche e Bulgare dell’Albania etnica e della Macedonia. Milano: Biblioteca dell’ Accademia Olubrense, 1990, f. 114.
21. Liman Varoshi, Ballkanet mes tri perandorive. Nga kriza e Lindjes deri në kohët e reja. (Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit. Fakulteti i Shkencave Humane, Departamenti i Historisë dhe Gjeografisë). Tiranë: Naimi, 2010, f. 155-156.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi