Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Jonuz Hallaçi: Historia e tragjedisë ku humbën jetën 22 persona

Shko poshtë

Jonuz Hallaçi: Historia e tragjedisë ku humbën jetën 22 persona Empty Jonuz Hallaçi: Historia e tragjedisë ku humbën jetën 22 persona

Mesazh nga Agim Gashi Fri Apr 24, 2009 11:19 am

Nga Jonuz Hallaçi


Flet dëshmitari okular Shaban Braha
Historia e tragjedisë ku humbën jetën 22 persona
Zbardhet një ngjarje e panjohur për mëse 55 vjet me radhë. Kjo ka ndodhur në rrethin e Kukësit, atëhere kur Shqipëria kishte nevojë për punë e në punë e sipër u sakrifikuan edhe jetët e njerëzve, sidomos të të rinjve.
Plot 22 vetë kanë humbur jetën në një aksident në vitin 1949, por dekadat e kaluara dhe pluhuri i harresës, e mbuluan këtë tragjedi, pasi në Shqipërinë e mëvonshme do të ndodhnin të tjera edhe më të mëdha. Megjithatë, kjo ngjarje duhet kujtuar, pasi ky është homazhi më i mirë për të gjithë ata që humbën jetën në të. Ngjarja mori përmasën e tragjedisë, ndërsa u njoftua se njerëzit u dogjën të gjallë poshtë një karrocerie të drunjtë të një automjeti sovjetik. Gjuhët e flakëve, përveç automjetit, nuk kursyen edhe 20 konviktorët e Kukësit e dy ushtarakë. Makina ishte nisur nga Kukësi me konviktorët, ndërsa dy oficerët, të cilët hipën në mjetin që udhëtonte drejt Tiranës, rastësisht u bënë pjesë e dhimbjes. Ata hipën në mjetin e transportit në Shkodër. Bilanci do të rezultonte tragjik, ndërsa në vendngjarje u gjetën 22 trupat e karbonizuara nga zjarri. Megjithatë, fati do të ishte në anën e tetë, prej 31 njerëzve që udhëtonin drejt Milotit. Të mbijetuarit ishin konviktorë, katër prej të cilëve jetojnë ende. Shaban Braha është ish-përgjegjësi i makinës, ndërsa një nga elitarët, mësues i Kukësit, Ali Domi, prej katër vitesh ka e lënë Kukësin dhe jeton në Tiranë. Ai mbahet si simboli i njeriut punëtor e të ndërgjeshmën në gjithë rajonin e Kukësit. Konsiderohet si mësuesi që ka punaur me përkushtim të jashtëzakonshëm në fushën e arsimit, duke i dhënë shtysë arsimit në Kukës. Ndonëse kanë kaluar dekada, për Shaban Brahën mesnata e 7 korrikut 1949 është ende e freskët. ”Tmerrin e asaj nate e kam të fiksuar në mendje. Më bëhet se i dëgjoj klithmat e shokëve, që digjeshin të gjallë nën makinë. Më kanë mbetur në kujtesë dyart e tyre që zgjateshin të kërkonin ndihmë, ndërsa gjuhët e flakëve i kishin venë në mes trupat e tyre të njomë. Ajo ishte “e llahtarshme”. Për Shabanin, mësuesin nga Kukësi, që tashmë ka dalë në pension dhe aktivizohet në Komitetin e Veteranëve, ngjarja e verës së vitit 1949 është më kulmorja në jetën e tij. Një kamion i tipit Zis, që trasportonte për në Tiranë 15-20 vjeçarë, u përmbys afër Milotit dhe poshtë tij zuri 22 vetë. Të gjithë u dogjën të gjallë. Braha ruan në kujtesën e tij gjithë ngjarjen, për të cilën ka shumë dokumente, të cilat së shpejti do t´i publikojë në librin e tij me kujtime. Ai thotë se të gjithë ishin të ndërgjgjshëm në atë kohë se atdheu i shkatërruar nga lufta duhej rindërtuar dhe kjo kërkonte sakrifica deri në jetë njerëzish e, për këtë akt sublim, ishin gati mijëra të rinj anembanë vendit. Historia e dhimbshme daton me fillimin e punës për t´i shndërruar faqen Atdheut, siç thuhej në atë kohë për vendin që kishte dalë nga feudalizmi dhe ishte me një infrastrukturë mesjetare. Shteti i atëhershëm komunist, krahas metodave të tjera, aksionin e kishte formën kryesore të ndërtimit të veprave të mëdha industriale, të cilat mungonin totalisht. Pikërsisht, në përgjigje të thirrjes së atdheut dhe partisë, në atë kohë 28 djem të rinj, të gjithë konviktorë të shkollës së sapoçelur unike në Kukës, shkojnë me dëshirën e tyre për të ndërtuar Kombinatin e Tekstileve, që mbante në atë kohë emrin e udhëheqësit komunist të Bashkimit Sovjetik, J.V. Stalin. Aventura e djemve për një jetë më të mirë u ndërpre në mes në orën 01.30 të datës 7 korrik 1949. Autmojeti i vjetër i tipit Zis u përmbys në afrësi të Milotit (Krujë), duke zënë nën karrocerinë e tij 28 djemtë e rinj, shumica nga Kukësi dhe disa nga rrethe të tjera të vendit. Aksidenti ishte fatal. 20 konviktorë të djegur për së gjalli, vetëm pak çaste pasi makina mori flakë, sepse u derdh benzina e sarbatorit. Bashkë me këta humbën jetën edhe 2 nga tre oficerët që hynë në automjetin e vdekjes si pasagjerë të thjeshtë në Shkodër. Shpëtojnë 8 konviktorë, shoferi dhe njëri prej oficerëve. Aksidenti erdhi sepse shoferin e zuri gjumi për një çast, i cili do të ishte edhe shkaku i rrëzimit të makinës, që do të sillte vdekjen e 22 njerëzve. Shoferi dhe personat e tjerë në kabinë shpëtuan, por dokumentet e asaj kohe thonë se shoferi, nga frika, u largua dhe vetëm disa ditë më vonë u kap, duke u arratisur në Jogosllavi. Gjykimi i shoferit u bë i shkurtër dhe atij, pa një e pa dy, i dhanë dënimin me 22 vjet burg. Thuhet se ai u dënua më tëpër, për faktin se donte të arratisej në shtetin fqinjë, me të cilin kishte një vit që ishin ndërprerë marrëdhëniet. Të mbjetuarit as që e mbajnë mend emrin e shoferit nga Përmeti dhe thonë se gjithçka ishte aksident; edhe ai ishte viktimë. Viktimat u varrosën në Kukës dhe të gjithë u shpallën dëshmorë e u prehën në varrezat e qytetit.

Intervista
Zbardhet, pas 55 vjetësh, ngjarja e Milotit që kaloi pa shumë bujë në atë kohë
“Si u shkrumbuan konviktorët e Kukësit”?

Të mbijetuarit tregojnë se si i shpëtuan vdekjes më 7 korrik ‘49
Shaban Braha, tashmë 76 vjeç, është një ndër të mbijetuarit e aksidentit tragjik të konviktorëve të Kukësit. Pas mbarimit të shkollës unike, ai ka punuar në arsim për 32 vite me radhë në të gjithë zonën e Kukësit.
Madje, ai ka qenë mësues dhe drejtues i arsimit, duke u njohur si një ndër arsimtarët më të mirë e më të vjetër të rrethit. Braha ka qenë pjesëmarrës në LANÇ dhe vëllai i tij, Nuredini, ka rënë dëshmor për çlirimin e Tiranës, pra, familja e tij është familje dëshmori. Madje, ai ka qenë një nga aktivistët më të mirë të Komitetit të Veteranëve të rrethit. Ruan dhe grumbullon kujtime të kohës, me shpresë për t´i botuar në një libër. Në një intervistë për “Panoramën” ai zbardhi për herë të parë gjithë momentet e tragjedisë së dëshmorëve konviktorë. Atë natë ai ishte përgjegjës i makinës tip Zis, që mori jetën e 22 të rinjve ddhe ku mbeti edhe vetë i plagosur.
Si u bë organizimi i konviktorëve për aksion, kur ata ishin fare të rinj dhe nxënës shkolle?
Shqipëria e sapodalë nga lufta kërkonte mundin dhe djersën e të gjithëve për t´u ribërë. Vendi ishte totalisht i shkatërruar dhe arka e shtetit e boshatisur, kështu që aksionet ishin e vetmja rrugë për ta ndërtuar vendin. Atdheu dhe partia e asaj kohe kishin lëshuar thirrjen për të gjithë. Rinia kuksiane dhe e gjithë Shqipërisë, kishte përfunduar për 5 muaj, në një kohë rekord, rrugën Kukës-Peshkopi, e njohur si “Rruga e Rinisë”, 84 km e gjatë, por atdheu kishte nevojë sërish për djersën e rinisë pas hekurudhës Durrës-Peqin, në të cilën punuan kuksianët. Ne ishim nxënës të shkolës unike, të hapur në Kukësin e Vjetër në vitin 1946. Shumica ishim nga malësitë e Kukësit, por kishte nga Tropoja, Korça, Elbasani e Vlora. Vinim nga familje të varfëra dhe përgatiteshim për të drejtuar në atë kohë. Pas mbarimit të klasës së shtatë, Komiteti i Rinisë na shpërndau nëpër fshatra për të mbledhur aksionistë (në shkollë kishim ardhur të rritur). Mua më takuan fshatrat Domaj, Pogaj e Shalqin në krahinën e Hasit. Dolën me dhjetëra të rinj vullnetarë. Edhe ne konviktorët ngulmuam të shkonim në aksion dhe formuam brigadën me 28 vullnetarë me emrin e dëshmorit “Meriman Braha”. U nisëm nën përcjelljen e popullit të Kukësit pasditen e 6 korrikut 1949 me një Zis të ardhur nga Tirana, që e drejtonte një përmetar, ende nuk ia di emrin. Rrugës për nga Shkodra, këndonim këngë revolucionare, brohoritje për udhëheqjen e partinë dhe mbanim në dorë parulla e flamuj. Në Shkodër erdhën me ne edhe 3 oficerë, që nuk au dinim emrat, por thjesht udhëtonin për Tiranë si pasagjerë. Udhëtonim drejt kryeqytetit. Në një lëndinë në veri të Milotit, bëmë një pushim të shkurtër dhe më pas e vazhduam udhëtimin. Sapo kaluam një kilometër e gjusëm Milotin, ndodhi katastrofa.
Çfarë mbani mend nga ai moment tragjik?
Ishte ora 01.00 e natës. Ishim të lodhur dhe unë si përgjegjës makine, isha në sediljen e parë të kabinës, bashkë me mësuesin e matematikës, Petrit Çami, që po shkonte në shtëpinë e tij për pushime. Në atë moment kam qenë në gjumë, edhe shoferi në gjumë mendoj se ka qenë, kur kemi dalë nga rruga në një stom 3 metra të lartë anës saj. Menjëherë jam zgjuar dhe pas pak sekondash makina është përmbysur. Unë mbaj mend se kabina me kompesato e llamarinë, megjithëse u plagosa në këmbë dhe kisha përfunduar sipër ferrave. Edhe mësuesi e shoferi shpëtuan, por benzina ishte derdhur nga serbatori dhe motori ishte akoma në punë e makina mori flakë. Poshtë karrocerisë ishin shumica e shokëve; nuk kishim asnjë mundësi ta kthenim mbrapsht karrocerinë. Disa shokë i kishte hedhur jashtë saj, por 25 ishin poshtë karrocerisë së drunjtë. Skenat kanë qenë të llahtarshme, dëgjonim zërat e shokëve që kërkonin ndihmë, por nuk kishim ç´t´u bënim; ishte natë e të rinj të plagosur. Në gjuhët e flakëve ata u dogjën për së gjalli për një Shqipëri të ndërtuar, për një kauzë, që ata e mendonin të ndritur; ranë për të mos vdekur kurrë.
Nuk shpëtoi asnjë?
Po, njëri nga oficerët dhe Halit Cahani nga Kukësi, që është ndarë nga jeta para pak muajsh. Një mësues, më pas i nderuar, Petrit Çami. Ai ishte më i hollë dhe mundi të dalë nga një e çarë, që e zinte vetëm atë. Pas gjysëm ore, na erdhën në ndihmë edhe banorët aty pranë. Nxorrëm të gjallë Shaban Boshnjakun nga Tropoja. Ecte në këmbë dhe fliste, por në spitalin e Tiranës vdiq, pasi i ishte djegur e gjithë lëkura. Edhe Avni Gjana nga Kukësi ishte djegur vetëm te këmbët, por nuk mundi të mbijetojë.
A ishte i vështirë identifikimi i kufomave?
I vështirë, por jo sa për t´u mos u dalluar. Kishin rroba të mbetura, këpucë dhe pjesë të trupit të padjegura, kështu që të gjithë u identifikuan dhe arkivolet u nisën për t´u varrosur në varrezat publike të qytetit të Kukësit, në një ceremoni nderi ku nuk munguan edhe udhëheqës nga Tirana. Gjithë Kukësi e Shqipëria nderoi heroizmin e tyre. Ata u shpallën dëshmorë, por nuk u varrosën në varrezat e dëshmorëve, gjë kjo jo normale. Shumë shkolla në Kukës e Shqipëri, morën emrat e tyre. Në Milot, te vendi i ngjarjes, u ngrit edhe lapidari përkujtimor me emrat e tyre, por tani ato janë fshirë e nuk lexohen më. Është nder për këtë shtet që atyre që u dogjën të gjallë për të ndërtuar Shqipërinë, t´u ribëhet lapidari e të nderohen. Familjet e morën statusin e familjes së dëshmorit deri në vitet ´90. Kujtoj se dy herë krutanët na kanë ftuar në përvjetor dhe na kanë nderuar me mikpritjen e tyre, por tani ata janë harruar. Pas pak javësh mbushen 55 vjet nga dita e rënies së tyre.
Konvikti i Kukësit, e mban emrin e tyre?
E meriton se 20 konviktorët e parë të tij dhanë jetën në lulen e rinisë. Ky konvikt, i vetëm për Kukësit dhe rajonin përreth, ka pasur si bujtës të parë këta të rinj dëshmorë të punës. Për ne, që jetojmë ende, kjo është simbol nderi. Natyrisht, ne kemi banuar në konviktin e qytetin të vjetër të Kukësit, por ky i sotmi është vijues i tij, pasi qyteti i vjetër u mbyt nga Fierza dhe gjithça u zhvendos në të riun. Shpeshherë, në përvjetore, mblidhemi në konvikt, bashkëbisedojmë me të rinjtë dhe marrim prej tyre nder e respekt.
Përfundimisht, jeni të bindur se ishte aksident?
Plotësisht, kjo është e vërteta. Askush nuk kishte interes të ndodhte kjo gjë. Ishte mesnatë dhe udhëtim i lodhshëm. Fati i keq desh që jeta e këtyre njerëzve të mbyllej në nisje të aksionit. Unë mendoj se ata janë nder për Shqipërinë në çdo kohë, se ranë për ta ndërtuar atë dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre, ashtu siç kanë rënë edhe dëshmorë të tjerë për ndërtimin e vendit.
Ja dhe lista e viktimave
1- Ahmet Gjoni, Tropojë
2- Avni Gjana, Kukës
3- Benon Voshtina, Vlorë
4- Dalip Sapahiu, Kukës
5- Et´hem Musallari, Kukës
6- Fatos Narazani, Elbasan
7- Gani Dizdari, Kukës
8- Hasan Shehu, Kukës
9- Haxhi Qejvani, Kukës
10- Halim Sofia, Kukës
11- Hazir Onuzi, Kukës
12- Haziz Braha, Kukës
13- Hasan Hallaçi, Kukës
14- Qazim Haxhia, Kukës
15- Rasim Kryeziu, Pukë
16- Selim Kurpali, Has
17- Sherif Kollovozi, Kukës
18- Shaban Boshnjaku, Tropojë
19- Xhemali Shllaku, Kukës
20- Zenun Batusha, Tropojë
Po ashtu, edhe dy oficerë, që nuk u kujtohen emrat
Të mbijetuarit
1- Ali Domi, Kukës, gjallë
2- Dan Doci, Tropojë, gjallë
4- Halit Cahani, Kukës, vdekur më 2003
5- Muhedin Prizreni, Kukës, gjallë
7- Xhemali Kërxhaliu, Kukës, gjallë
8- Zenel Muja, Kukës, vdekur më 1981
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi