Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

ENVER ROBELLI;PËR MUA SHKUPI ËSHTË EMOCION-Shkrimtari Faruk Tasholli përgjigjet ne 40 pyetje

Shko poshtë

ENVER ROBELLI;PËR MUA SHKUPI ËSHTË EMOCION-Shkrimtari Faruk Tasholli përgjigjet ne 40 pyetje Empty ENVER ROBELLI;PËR MUA SHKUPI ËSHTË EMOCION-Shkrimtari Faruk Tasholli përgjigjet ne 40 pyetje

Mesazh nga Agim Gashi Thu Sep 05, 2013 11:37 pm

ENVER ROBELLI;PËR MUA SHKUPI ËSHTË EMOCION-Shkrimtari Faruk Tasholli përgjigjet ne 40 pyetje 1069171_613544535331562_1930412728_n

PËR MUA SHKUPI ËSHTË EMOCION

Shkrimtari Faruk Tasholli përgjigjet ne 40 pyetje („Koha ditore“ 27.03.13)
ENVER ROBELLI;PËR MUA SHKUPI ËSHTË EMOCION-Shkrimtari Faruk Tasholli përgjigjet ne 40 pyetje Images?q=tbn:ANd9GcQuADk5ouORQHCYiQTrY7xrpj8pQp1Js6PqOXEXEeMFURAGGQ8M
ENVER ROBELLI 

1. Në cilin vend dëshironi të jetoni në hapësirën e banuar me shqiptarë? 

Po të kisha mundësi, nuk do të luaja nga Rrafshi i Kosovës. Unë jam mësuar të jetoj në atë vend, sidomos në hapësirën nga Ferizaj deri në Prishtinë ku kam jetuar një kohë të gjatë, ku jam mësuar me atë ambient, ku jam mësuar me ata njerëz që i njoh e më njohin, më duan dhe i dua. 

2. Cilin personalitet të historisë shqiptare do të dëshironit ta takonit sikur të ishe e mundshme?

Diktatorin komunist, Enver Hoxhën.

3. Çka do ta pyesnit së pari?

Si mendoje ta bëje Shqipërinë kopsht me lule duke pushkatuar e persekutuar intelektualë të ngritur në universitetet europiane?

 4. Cili është personaliteti më i rëndësishëm historik për ju?

Xhorxh Bush i vjetri, i cili  në fillim të viteve nëntëdhjetë si president i SHBA-ve iu kërcënua Serbisë të mos e prekë „vijën e kuqe“ në raport me Kosovën. Kjo fjalë e tij si duket u prit me skepsë edhe nga politika agresive serbe ndaj Kosovës, por edhe nga vetë kosovarët, që nga jeta nën terrorin serb, të vogla i kishin shpresat për ndihmë. U desh shumë kohë të kalojë dhe shumë sakrifica të ndodhin dhe „vija e kuqe“ e Bushit të vjetër të funksionalizohet me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
 
5. A ekziston Zoti? 

Do të dëshiroja ta parafrazoj Ajnshtajnin kur thotë se besoj në harmoninë kozmike. Zoti ekziston si ndërgjegje e brendshme e njeriut dhe si harmoni e proceseve dhe fenomeneve që shfaqen në jetë. Por me këtë nocion dhe këtë madhështi mitike, janë kalkualuar shumë procese, madje deri te luftërat shfarosëse. Unë besoj në zot por jo në mënyrën dogmatike si e predikojnë religjionet, sado që i respektoj me konsekuencë që të gjitha. Ekzistenca e zotit, besoj, na korrigjon dhe na bën të korrigjueshëm. Kështu edhe bota eci përpara.

6. Cilin libër po e lexoni aktualisht? 

Sapo iu kisha rikthyer librit të Franc Babingerit "Mehmet Pushtuesi dhe koha e tij". Është një libër shumë domethënës për një pjesë të historisë osmane, për raportet e ndërtimit të përandorisë, për ngritjet dhe rëniet, e sidomos njeriu mëson shumë për viset e Ballkanit dhe raportet që kanë pasur popujt e këtij regjioni me Perandorinë. Në këtë kontekst, ka mjaft hapësirë për ta njohur edhe praninë shqiptare  në Perandori por edhe luftën e Skënderbeut kundër saj. Mirëpo në ndërkohë më erdhi libri i Bekim Fehmiut „E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme“- pjesa e dytë dhe ma la pëgjysmë Franc Babinger-in. Të dy librat e aktorit tonë të madh, sa flasin për jetën e tij, flasin edhe për  kontekstin hoistorik e shoqëror që ka kaluar Kosova. Me këta dy libra të dy periudhave jetësore, Bekim Fehmiu ka shkëlqyer me shkrimin e tij të sinqertë, ashtu si me shkëlqimin e tij në teatër dhe film. Me gjithë aktrimin dhe shkrimin e këtyre librave, Bekim Fehmiu ka hyrë në fondin e pasuroisë sonë kulturore, historike e kombëtare. Shkurt, Bekim Fehmiu është pasuri kombëtare shqiptare! 

7. Cilin qytet të ish-Jugosllavisë keni dëshirë ta vizitoni? 

Qytetet e mëdha të ish Jugosllavisë i kam vizuituar disa herë. Në disa prej tyre edhe sot kaloj shpesh. Por, të them të drejtën, më së miri ndjehem në Shkup dhe këtij qyteti, nuk kam dëshirë t'i bie me veturë, por këmbë.Atmosfera e këtij qyteti, disi më ngroh, më bën për vete. Në këtë qytet kam shkuar shpesh në rininë time të hershme, por edhe tash kam mall të shkoj, sidomos duke kaluar Grykës së Kaçanikut.  Për mua Shkupi është emocion që nga fëmijëria, se nga ky qytet, më kanë ardhur lodrat e para, rrobat e para dhe ëmbëlsirat e para, pra, vlerat moderne të kohës, të fabrikuara etj.

8. Kur keni udhëtuar për herë të parë jashtë shtetit dhe në cilin vend keni qenë? 

Jahtë shtetit(në Jugosllavinë e atëhershme) për herë të parë kam udhëtuar në vitin 1979 si student. Atëherë për ne ishin të arritshme shtetet e bllokut socialist, sidomos me konvertimin e valutës, kështu që bëra një udhëtim me pak shpenzime duke filluar nga Hungaria, Çekosllovakia e deri në Poloni. Qytetet ku kalova, sidomos Budapesti,Bratisllava,Praga, Katovica  Krakov e Zakopane reflektonin një shkëlqim të veçantë në mua, të paparë deri atëherë. U ndesha gjithashtu me njerëz shumë të kulturuar por njëkohësisht të pakënqur, që për mua ishte ende e paqartë. Kjo pakënaqësi shpërtheu ku më herët e ku më vonë në vitet tetëdhjetë, që më vonë u kuptua thelbi i saj. Ishte pakënaqësi e popujve nën tutelën komuniste.

9. Kur keni qenë për herë të parë në Shqi përi? 

Në Shqipëri kam hyrë për herë të parë një mbrëmjë dhjetori të vitit 1991.Kisha ardhur nga Europa duke kaluar detin nga Bari në Patras e prej aty drejt Kakavisë. Përshëndetja e doganierëve dhe policëve kufitarë më"mirëmbrëma" ishte kënaqësia ime më e madhe në një kufi, pasi kisha kaluar dhjetëra kufij duke dëgjuar përshendetjet në gjuhë të huaja dhe më në fund edhe në gjuhën shqipe.Aty praktikisht e pashë shtetin shqiptar.Udhëtimi drejt Durrësit m'u duk si një ëndërr, ku nuk e di si nuk jam rrokullisur duke ngarë veturën nëpër një rrugë pa shenja, aty-këtu të paasfaltuar dhe pa mbrojtës anash.Kur kam dalë në mëngjesin e parë në Durrës, jam trishtuar duke parë autobusin urban, me dritare të thyera, ku njerëzit nxitonin për t'u futur në të...Në një kafene të madhe as që kishte vend të lirë. Sikur gjithe njerëzit kishin dalë për të pirë kafe, nje kafe që nxehej në avull dhe mezi ta krijontë atë harmoninë e nisjes mbarë të ditës. Rruga drejt Tiranës pastaj, ku të shoqëronte vargu i bunkerëve anash, të fuste nje trishtim në shpirt. Sheshi i Tiranës, i gjerë dhe i bukur, ta krijonte 
përshtypjen se je në një shtet normal, ashtu si vazhimisht ishte shfaqur në televizion. Gjallëria e ditës në Tiranë ishte mbresëlënëse, ndërsa mbrëmja e frikshme. Takimet dhe shoqërimet me regjisorin Gëzim Kame, me dramaturgun Pëllumb Kulla dhe me aktorët Kastriot Qaushi, Roland Trebicka, Edi Luarasi, Edmond Budima, Robert Ndrenika  ishin vetë mrekullia. Aty gjeta edhe mikun tim, violinistin Bato Gashi, birin e profesor Ahmet Gashit, hartuesin e hartës së parë të Shqipërisë etnike. Me të vizitova pastaj familjen e Jusuf Gërvallës, të cilin e kisha njohur sa ishte gazetar në  Rilindje, ndërkaq me vajzën e tij Donikën, isha njohur diku në Europë. Sapo hymë në shtëpi, shfaqja e djalit të madh të Jusufit në shikimin tim më stepi. Më ngjante tamam me Jusufin kur e kisha njohur në Prishtinë. Kaluam mirë aty, por me nje përshtypje se edhe vetë familja e Jusufit ndjehej e pasigurtë në atë anarki tranzicionale. Shteti pothuaj nuk ekzistonte fare. Isha bashkë me regjisorin Fetah Mehmeti, tashmë i ndjerë. Dilnim qytetit kohe e pa kohë, natën dhe ditën. Nuk e di si kemi shpëtuar pa therrë në këmbë kur të nesërmen dëgjinim lloj-lloj ndodhish për natën që lenim prapa. Madje edhe për vrasje të shpeshta. Në një moment, nuk e di si nuk më ka lëshuar zemra nga një skenë e tmerrshme, kur një lokali përdhes, i ishte futur zjarri, ndërsa askush nuk interevenonte ta fikte në atë ndërtesë shumëkatëshe. Mora turr ta shuaj vetë zjarrin, Gëzim Kame më kapi për krahu: Mos  ushqetëso, këto janë bërë tashmë skena të përditshme! Më pengonte edhe gjakftohtësia e tij në këtë rast, por ata ishin mësuar me këto skena. Për çudi, në atë anarki, shfaqjet e rregullta jepeshin në teatër dhe, më mahnisnin ata aktorë që gjenin fuqinë të luanain në skenë. Ulëset e teatrit ishin plot.Jashtë ende po luhej një teatër i tmerrshëm. Teatër pa skenar, me drama të mëdha.Çka mund të bëhej nga ky teatër i quajtur Shqipëri, sidomos pë Kosovën që pushteti i egër serb e çonte drejt fundosjes, e që kjo Kosovë, kishte shpresuar shumë, madje me vite, nga propaganda e rrejshme e shtetit komunist. A mund të rizgjohej më një Shqipëri për ta mbrojtur një Kosovë?!

10. Çfarë do të ishte për ju fatkeqësia më e madhe? 

Nuk dua ta përmend. Nuk dua të ndjell keq.

11. Cilin shkrimtar të huaj e pëlqeni më së shumti? 

Stefan Cvajg dhe Gabriel Garsia Markez.

12. Kultura e cilit vend perëndimor ju pëlqen më së shumti? 

Këtu jam pak i zënë ngusht. Unë ka vite që jetoj në një vend perëndimor, pra në Gjermani, ku në çdo hap ndeshesh me kulturën e lartë si nocion i përgjithshëm dhe si praktikë jetësore. Për çka të flas më parë, për kulturën e punës, për kulturën e vlerësimit të çdo pune, për kulturën e banimit, për kulturën e dëfrimit, për kulturën krijuese.Gjithçka sheh syri e prek dora është shtrirje e vlerave krijuese të ndërtuara me mund dhe mbi të gjitha, respektimi i atyre vlerave është për çdo lakmi.  Artin letrar përgjithësisht, poezinë, anekdotën, sentencën të krijuar me shekuj, e ke edhe në reklamat e afarizmit të thjeshtë, e lëre më në diskursin e përditshëm. Po kështu ndodh edhe me pikturën dhe artet e tjera. Prandaj Gjermania është një vend i vaçantë kulturor.  Në këtë fushë investimi i çdo njeriu është i madh. Mos e merrni këtu investimin financiar, si jemi mësuar ne shqiptarët ta përmendim deri në banalitet.  Raporti me natyrën, me botën bimore dhe shtazore duke e vënë atë në binarët e harmonisë së përgjithshme krijon vlera të pakontestueshme në këtë vend. Për gjithçka këtu flet eksperti me veprën e vet, madje në një konkurencë rigororoze, ndërsa konsumenti ka mundësinë e zgjedhjes dhe vendosjen e secilës vlerë kulturore në vendin e vet. Prandaj edhe  vetëdija qytetare del si vlerë e kultivuar kulturalisht.


13. Cili emër ju pëlqen më së shumti?

Diella, Atdhe. Emrin e parë e mban vajza ime. Ajo me këtë emër ka ardhur nga Kosova në Gjermani fare e vogël dhe tash studion mjekësinë në Universitetin e Aachenit, njërit nga universitetet më prestigjioze në Gjermani dhe në botë. Ky emër për mua, mbrun në vete dashuri, dhembje dhe krenari njëkohësisht. Emrin Atdhe e ka marrë djali im, i lindur në Gjermani, si mall i pashuar për ndarjen nga atdheu në kohë të vështirë, si arbëreshët dikur nga e bukura Moré. Ai është nxënes gjimnazi. Që të dy, pos shumë gjuhëve të huaja, e flasin perfekt dhe e shkruajnë gjuhën shqipe, këtë vlerë themelore kombëtare ,ani që janë rritur dhe shkollohen në gjuhën e vendit  ku jetojnë.


 14. A është mëkat të jesh homoseksual?

Pse të jetë mëkat? Në botën e përparuar demokratike akceptohet njësoj homoseksuali  po ashtu si heteroseksuali. Ta zëmë, ministri i jashtëm gjerman Westerwelle është homosksual dhe publikisht dihet partneri i tij. Kjo nuk i pengon gjermanët që ai ta kryejë një funksion të lartë shtetëror. Edhe ne duhet të mësohemi t'i akceptojmë njerëzit e tillë.

15. A do të ishit i gatshëm të luftoni në rast se rrezikohet liria e vendit? 

Po, pa mëdyshje.

16. Cilin person s’do të kishit dëshiruar ta takonit kurrë? 

Njeriun që ban be rrejshëm dhe  që suksesin e vet e sheh në fatkeqësinë e tjetrit.

17. A duhet të bashkohen Kosova dhe Shqipëria? 

Shqipëria dhe Kosova si dy realitete shtetërore dhe një realitet etnik duhet të zhvillohen së pari normalisht. Duhet ta kalojnë ngecjen historike. duhet të vetëdijësohen me pavarësinë e veprimit konsekuent institucional. Institucioni formal pa veprim, rrezikon që shteti të degradohet dhe në sipërfaqe të dalin ligjet primitive që dikur ndërtonin raportet shoqërore.Shikoni sot çka ndodh në këto dy shtete shqiptare. Institucionalisht u ngjajnë nxënësve të dobët që marrin detyra shtëpie dhe ato i shtyejnë për një kohë tjetër. Thjesht, këto dy shtete, me funksionimin aktual të striukturave institucionale mbrohen nga institucionet europiane si nxënësit e dobët në orë të mësimit. E kanë vendin në Europë, thonë që janë në Europë, por nuk u pëlqen disiplina institucionale europiane. Në Europë ministri jep dorëheqje për një kiks të vogël në jetën publike, familjare apo shkencore, ndërsa në dy shtete shqiptare me përkatësi europiane, ministrat apo deputetët që reflektojnë primitivizëm banal, që stolisen me tituj shkencorë të pameritueshëm, që kanë në barrë vepra kundërvajtëse e penale, forcojnë pozitat e tyre në kierarkinë shtetërore. Sot ministrat këtu sillen si pronarët me skllevërit dikur. Shqiptarët e ndarë, si ishte Kosova nën skllavëri, ëndërronin bashkimin dhe vdisnin për të se në këtë bashkim shihnin lirinë në kuptimin e përgjithshëm të fjalës. Sot, mendoj unë kur shqiptarët kanë liri, duhet të krijojnë vlera ose t'i avancojnë ato që i kanë që nga niveli familjar deri te ai institucional dhe,bashkimi në një shtet apo ecja paralele e të dy shteteve me shtetet e përparuara europiane, është çeshtje që zgjidhet nga vetë shqiptarët.

18. A është dëmtuar dialekti gegë me standardin gjuhësor të vitit 1972 dhe a duhet të ndryshohet ky standard? 

Dëmtimi i gegërishtes ka ndodhur. Kjo ka ndodhur edhe në gjuhët e tjera të standardizuara të botës, ku bazë është marrë njëri nga dialektet. Do të pyesja pse përflitet e politizohet kaq shumë kjo ngjarje që vërtet ka qenë domethënëse për kohën dhe me ndikim shumë pozitiv në unifikimin kombëtar e kulturor të shqiptarëve brenda e jashtë Shqipërisë administrative. Nëse e kërkon nevoja edhe ky standard mund të ndryshohet përkrah përparimeve të tjera në shoqërinë shqiptare. Por përgatitja për një standardizim të ri të gjuhës shqipe, lërkon mund, kohë dhe investim financiar për angazhimin e gjuhëtarëve.


19. Cilit komb dhe cilës kulturë do t’i kishit takuar me qejf? 

Nuk do ta kisha ndërruar me asgjë kombin shqiptar, ndërsa  kulturën evropiane, fryma e së cilës e mbrojti edhe kombin tim, nuk do ta kisha ndërruar me ndonjë kulturë tjetër, sado që edhe kjo mund të pasurohet dhe ndikohet pozitivisht nga kulturat e tjera.

20. Sikur të kishit pushtetin politik çfarë do të ndryshonit së pari? 

Kjo është pyetja më e gabuar që më bëhet mua. Unë kurrë nuk do të kisha pushtet politik. Averzionin ndaj pushtetit e kam që nga fëmijëria, pikërisht në ditën kur kam parë tagrambledhësin serb  me pushkë  krahut në derën e shtëpisë sime tek grindej me babain tim në gjuhën që nuk e kuptoja, pastaj atë e kam përcjellë ëdhe në disa dyer të lagjes ku vazhdonte e njëjta grindje, e njëjta atmosferë, me njerëzit që nuk kishin çka t'i jepnin shtetit në atë varfëri të skajshme. Më vonë, të ranguar në atë pushtet, kam parë njerëz inferiorë që sapo e qitnin këmbën në shkallën e parë bëheshin agresivë me vartësit e tyre. Pas katrahurave e fitoreve, u ndërruan shtete e pushtete, por pushtetari prapë mbeti i njëjtë, jo shërbëtor i çështjes për të cilën pledon se angazhohet, por sundimtar, keqbërës, keqpërdorues, madje edhe keqpërdorues i nacionit. Figura e këtij pushtetari, që sot në Kosovë të tillë ka shumë, ta neveritë edhe fjalën pushtet. Një pjesë të pushtetarëve të sotëm të Kosovës i njoh që nga rinia e hershme, kam pasur raporte shumë të mira me ta, ua çmoj sakrificën sublime që kanë bërë për këtë vend në çdo kohë kur e kishim vështirë, por kur u veshën me pushtet, e ndryshuan sjelljen. Ndyshimi i sjelljes së tyre, sidomos në pangopshmërinë për pasurim të skajshëm, në pangopshmërinë për sundim,pa respektuar edhe kriterin më të ulët njerëzor, bëri që pushtetit t'ia mësyejnë edhe poltronët e të gjitha fushave, të cilët jo që nuk kanë sakrifikuar, por për interesa personale edhe kanë masakruar qenien kombëtare. Sot "tradhëtarë" dhe "patriotë" janë bërë bashkë dhe nuk ka kush ta dallojë njërin apo tjetrin. Mos të zgjatem më shumë, por lirinë time personale, nuk e këmbej për pushtetin politik, ani  më në këto anarki të mëdha?!

 21. Cili është personi më i rëndësishëm për ju?

Dr.Xhevahire Rrahmani, prania e së cilës në jetën time ka reflektuar mbarësi. 

22. Cilën apo cilat gazeta të përditshme i lexoni?
 
Lexoj gazeta shqipe dhe gjermane. Por me keqardhje e them se gazetat e sotme shqiptare, sidomos ato në Kosovë, nuk e kryejnë funksionin si duhet. Për moskryerjen e këtij funksioni prapë fajtore janë institucionet shtetërore. Kur gazetat gjermane gjejnë ndonjë rast të kundërligjshëm që nga qytetarët e thjeshtë e deri të kryeministri a te kryetari i shtetit, menjëherë me ta merret prokuroria apo institucionet e tjera përkatëse. Brenda pak kohe shtypi bëri që të shkarkohet kryetari i Gjermanisë dhe po ashtu ministreshës së arsimit t'i merret edhe titulli i diktoranturës pse u zbulua plagiati i saj. Në Kosovë, nga skandalet që zbulon gazeta, avancohen persona të përkatësisë së caktuar shtetërore që janë bartës të këtyre skandaleve. Ndërkaq, më duhet ta them me dhembje të thellë se, gazetat në Kosovë kanë mbetur vetëm poligone intrigash ku askush nuk ua vë veshin.

 23. Cila ngjyrë ju pëlqen më së shumti?


Të shtatë ngjyrat e ylberit.

24. Cila lule ju pëlqen më së shumti? 


Zambaku.

25. Cilin virtyt tuajin e çmoni më së shumti?

Sinqeritetin dhe tolerancën.

26. Cilat virtyte i çmoni te një grua?


Bukurinë, urtësinë, mënçurinë dhe guximin për t'u marrë me disa punë që deri vonë janë konsideruar vetëm punë për burra.

27. Cilat virtyte i çmoni te një burrë?

Drejtpërdrejtshmërinë, sinqeritetin dhe krenarinë në raport të drejtë me kredibilitetin real që e ka.

28. Cilin politikan të kohës së Jugosllavisë e vlerësoni më shumë? 

Nuk e kam ndonjërin në mbamendje që do ta veçoja tash për tash.

29. Cilin politikan të Kosovës pas vitit 1989 e vlerësoni më shumë? 

Ibrahim Rugovën që figurave të politikës dhe shkencës botërore ua rikonfirmonte vlerat civilizuese të shqiptarëve edhe para kohës së Krishtit.

30.Cilin politikan të Republikës së Shqi përisë në 20 vjetët e fundit e vlerësoni më shumë?

Pandeli Majkon.

31. A ka Enver Hoxha ndonjë meritë për Kosovën?


 Jo.

32. A ka Josip Broz Tito ndonjë meritë për zhvillimin politik, arsimor, ekonomik dhe kulturor të Kosovës? 

Tito ka meritë në luftimin e klanit serb në ish-Jugosllavi dhe në këtë luftë kanë përfituar shqiptarët duke i ndërtuar institucionet kombëtarë brenda atij shteti, sado të brishta që ishin.

33. Cili është për ju personaliteti më i urryer historik? 

Rankoviqi, Milosheviqi. 

34. Sikur të kishit jetuar në Luftën e Dytë Botërore a do t’iu kishit bashkuar lëvizjes partizane në luftë kundër pushtimit nacist? 

Te shqiptarët nuk ka pasur vetëm lëvizje partizane, ku dominonin komunistët, por edhe grupime të tjera kombëtare të luftës. Do të iah bashkuar me dikë, por nga kjo perspektivë nuk e di me cilin grupim.

35. Cili është intelektuali më i madh i Kosovës?

Rexhep Ismajli, sado që numri i intelektualëve elitë po shtohet, sidomos në universitetet dhe në institutet e ndryshme prestigjioze europiane dhe amerikane. Kur jam te Rexhep Ismajli, mund të shtoj se pos si intelektual i lartë, ai intelektualisht, politikisht dhe kombëtarisht u soll në nivel të lartë, madje edhe kur kjo ishte „e ndaluar“ Rexhep Ismajli, pak ditë pas demonstratave të shtypura me dhunë të vitit 1981, i vetmi ishte në Universitetin e Prishtinës që në mbledhjen e Organizatës Themelore të Lidhjes së Komunistëve të Fakultetit Filozofik, kundërshtoi Rezolutën e  mbledhjes së 16 të Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, ku në esencë dënohej çdo gjë shqiptare në emër të demonstratave. Pos dënimeve partiake, këtë veprim nuk ia harroi Serbia. Në izolimin e intelektualëve në fillim të vitit 1989 që u poshtëruan dhe u torturuan deri në pikën e fundit në burgun e Prokupjes dhe të Leskovcit, ishte edhe intelaktuali Rexhep Ismajli.Ai edhe sot sillet me korrektësi konform atributit që e ka.

36. Cili është shkrimtari më i madh shqiptar?


Ende po mbetet Ismail Kadare.

37. Cili është aktori/aktorja më e madhe shqiptare? 


Ende po mbetet Bekim Fehmiu.

38. A keni marrë pjesë në ndonjë demonstratë?


Të jesh studnet në vitin 1981në Prishtinë dhe të mos jesh prezent në demonstrata ka qenë absurde. Natyrisht që kam marrë pjesë në demonstrata në të shumtën e rasteve që këto janë bërë për vite të tëra.

39. A është toleranca fetare mes shqiptarëve mit apo realitet? 

Vetë kombi shqiptar është një krijesë homogjene me gjithë dallimet krahinore e dialektore dhe toleranca fetare, besoj, funksionon si realitet e jo si mit në bashkësinë shqiptare. Është çudi e madhe se brenda tri komuniteteve të mëdha fetare të shqiptarëve, hedhen batuta e kritika  të ndërsjella në adresë të njërit apo të komunitetit tjetër fetar, por gjatë historisë, kurrë nuk ka ndodhur ndonjë konflikt fetar, sado që pushtuesit i kanë fryrë këtij zjarri. Pra, deri tash, strumbullari kombëtar i ka lidhur shqiptarët, ndërsa me gjithë dallimet fetare, ata janë ndjerë dhe ndihen vëllezër të një gjuhe e të një gjaku. Në çdo lutë, qoftë ajo e armatosur apo politike, sado që armiku i ka takuar ndonjërit nga komunitetet tona fetare, shqiptarët kanë reaguar bashkë. Uroj që kjo tolerancë dhe bashkëjetësë të vazhdojë edhe në shekujt e ardhshëm, sado që disa klerikë të çmendur, trumbetojnë përkatësinë fetari si vëllazëri e jo përkatësinë kombëtare.

40. Cila është ëndrra e juaj më e madhe?

Që vendi im, Kosova, përpos pranisë gjeografike në Europë, të forcojë mendësinë europiane dhe me këtë, të ketë një ngritje të lartë, intelektuale, materiale e kulturore me vendet e përparuara të këtij kontinenti. Shkurt, do të doja që pasuria intelektuale, ekonomike dhe kulturore që e kanë krijuar dhe po e krijojnë brezat e rinj të Kosovës në Europë, të hyjë brenda.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi