Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Enver Robelli: Të humbur në torishtë

Shko poshtë

Enver Robelli: Të humbur në torishtë Empty Enver Robelli: Të humbur në torishtë

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jul 12, 2009 11:07 pm

Enver Robelli: Të humbur në torishtë U1_EnverRobelliTë humbur në torishtë

Shkruar nga Enver Robelli

Shqipëria reale është shumë larg Shqipërisë virtuale, të cilën e portretizojnë disa kosovarë të azdisur pas pamjeve televizive

Në paraqitjen e tij të parë para mediave, menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, demonstroi një qetësi olimpike, të pazakonshme për karrierën e tij. Nuk e ngriti as gishtin tregues, as grushtin, siç vepronte në të kaluarën, kur ende pa u mbyllur kutitë me vota, pa asnjë ngurrim e shpallte fitoren. Pastaj militantët vërshonin rrugët e sheshet, pasonin një orgji rrahjesh, akuzash të ndërsjella për vjedhje, aty-këtu edhe vriteshin njerëz. Sivjet ishte ndryshe, së paku në ditën e zgjedhjeve. Kur Sali Berisha kësaj radhe tha se nëse i humb zgjedhjet atëherë do t’i telefonojë Edi Ramës, gazetarët spontanisht filluan të duartrokisnin. Një entuziazëm i tillë i gazetarëve, i shprehur aq publikisht, është i pazakonshëm jo vetëm në demokracitë e zhvilluara, por edhe në rajonin e Ballkanit. Të gjithë u gëzuan që në ditën e zgjedhjeve në Shqipëri nuk u derdh gjak. U gëzuan për diçka që do duhej të ishte përherë pjesë e normalitetit zgjedhor dhe e rregullave demokratike. Të gjithë duket se janë lodhur nga ky polarizim i skajshëm mes partive në Shqipëri. Por tensionet e fundit në Fier dhe gjetiu po tregojnë se Shqipëria nuk ka ndryshuar shumë. Fieri nuk mund të jetë Florida (gara famoze mes George W. Bush dhe Al Gore). Gjykimi i Bashkimit Evropian për zgjedhjet ishte i ashpër. Komisioneri për Zgjerim, Olli Rehn, i cili është njëri prej avokatëve të paktë të Ballkanit në Bruksel, përkujtoi dhunën gjatë fushatës zgjedhore dhe kërkoi që në të ardhmen Shqipëria të respektojë standardet e zgjedhjeve. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) po ashtu nënvizoi se problem i madh mbetet votimi familjar, i cili ende është një fenomen shqiptar që shkakton të qeshura jo vetëm nëpër redaksitë e gazetave prestigjioze evropiane.

Analizë me filxhan

Disa probleme të tjera të Shqipërisë, për të cilat nuk kanë qejf të flitet as politikanët në Tiranë dhe as dashamirët e vetëshpallur të Shqipërisë nëpër mejhanet e Prishtinës, janë po ashtu arsye pse ky vend vazhdon të mbesë geto e Ballkanit, për shembull duke u përjashtuar prej Bashkimit Evropian nga projekti për liberalizimin e vizave, bashkë me Kosovën. Problemi më serioz i Shqipërisë mbetet gjithsesi luftimi i krimit të organizuar. Rastet e fundit, kur madje edhe diplomatë shqiptarë arrestohen si dilerë të drogës, shpalosin dimensionin e vërtetë të krimit. Në mediat e Kosovës shumica e ngjarjeve në Shqipëri as që regjistrohen, me përjashtim të Radiotelevizionit të Kosovës dhe “Kohës Ditore” asnjë medium tjetër nuk ka korrespondent në Tiranë. Shumica e gazetave të Kosovës i mbushin faqet me lajme të vjedhura nga webfaqet e të përditshmeve shqiptare, ndërsa jo pak gazetarë kosovarë, si përherë rrahagjokës dhe pa njohuri elementare për problemet e Shqipërisë, nuk ngurrojnë të torturojnë opinionin me analizat për „vendin e shqipeve“, analiza që ata i lexojnë nga filxhani i kafesë. Shqipëria reale është shumë larg Shqipërisë virtuale, të cilën e portretizojnë disa kosovarë, dituria e të cilëve për këtë vend kufizohet në dy metra rërë në Plazhin e Durrësit dhe në një gotë salep të ngrohtë në Tiranë. Imazhin e zbehtë të Shqipërisë në Evropë nuk mund ta përmirësojnë televizionet kinse supermoderne të Tiranës, të cilat janë themeluar me para të bizneseve të dyshimta dhe as ndonjë vëzhgues mendërisht i errësuar nga Prishtina, që azdiset pas pamjeve dhe jo pas thelbit.

Për të dhënë leksione për Shqipërinë nuk mjaftojnë mbrëmjet e kaluara para ekranit të vogël në Prishtinë dhe as sharjet paushalle ndaj mediave elektronike aq të “prapambetura“ kosovare. Kush hulumton si gazetar dhe jo si ideolog shpejt e vëren se modeli i demokracisë, i politikës, i ekonomisë dhe i gazetarisë në Shqipëri nuk është evropian. Atje politika me qëllim e ka shkatërruar televizionin publik dhe u ka dhënë favore e përparësi të mëdha televizioneve private, të cilat janë pronë e biznesmenëve, që nuk e kanë hallin te informimi i drejtë i publikut, por te mbështetja militante e partive të caktuara. Për këtë mbështetje këto televizione gëzojnë beneficionet e shtetit. E vërteta është se punëdhënës të këtyre televizioneve janë partitë politike. Prandaj edhe nënvizimet se çdo gazetë apo televizion e mbështet një parti të caktuar, duke e marrë si shembull Amerikën, janë më tepër se qesharake. “The New York Times“ nuk e ka përkrahur zgjedhjen e Barack Obamës për president të SHBA-së, për shkak se drejtuesit e gazetës më prestigjioze në botë presin të fitojnë ndonjë tender nga Qeveria në Washington. Në Shqipëri mediat i përkrahin partitë e mëdha politike për shkak të pazareve për tenderë dhe beneficione, sipas motos “ti më mbështet mua në fushatë, unë nesër të jap ty një vegsh me mish“. Kështu mediat shndërrohen në instrumente prostitucioni dhe nuk e kanë problem që sot të përkrahin të djathtën, nesër të majtën, e pasnesër edhe ndonjë bandit që themelon parti politike.

Liga e tretë

A duhet Kosova ta importojë këtë model të çoroditur dhe antievropian? Ekzistojnë disa mbllaçitës të fjalës publike në Prishtinë që këtë e dëshirojnë dhe për këtë bëjnë propagandë. Po u kopjua ky model i Shqipërisë me televizione të shitura, atëherë Kosova sigurisht do të futet në një fazë të gjatë polarizimesh, në një transicion të ngjashëm me atë të Shqipërisë, i cili e mban vendin të ngulfatur tashmë gati dy decenie. Nëse Kosova synon integrimet evropiane, atëherë duhet parë pak përtej gardhit të torishtës, bile nuk duhet hedhur shikimin larg në Perëndim, mjafton të kundrohet modeli i Kroacisë, ku ekziston një televizion i fuqishëm publik, por edhe shumë mediume private, të cilat kanë një bazë transparente financiare. Thënë edhe më thjeshtë: nëse dëshironi të bëheni futbollist i mirë, ju nuk duhet ta merrni si model ndonjë lojtar të ligës së tretë rajonale, por duhet të fokusoheni te ndonjë kalibër më i madh dhe më serioz.

Për të treguar se sa të dëmshme për fjalën e lirë dhe për informimin serioz të opinionit janë televizionet e shitura të Tiranës, disa prej të cilave mund të përcillen edhe në Kosovë, nuk duhet gërmuar shumë. Gazetari Andi Bushati, njëri prej zërave më të matur të gazetarisë në Shqipëri, u përjashtua nga puna nga ana e drejtuesve të “televizionit kombëtar“ Klan, sepse para zgjedhjeve synonte të përgatiste tri emisione kritike dokumentare për Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën. Me të parë emisionin e parë të Bushatit, shefat e Klanit i rrëmbyen gërshërët e censurës, sepse gazetaria në Shqipëri përfundon aty ku gazetari mund të turbullojë ujin e interesave biznesore të pronarëve të mediave. Tani Andi Bushati ka gjetur strehë në televizionin Vizion Plus, pronë e kompanisë gjermane WAZ. Për skandalin e largimit të Bushatit nga puna nuk është folur aq as në Shqipëri, as në Kosovë, i vetmi përjashtim ka qenë një shkrim i mençur i Fatos Lubonjës (i botuar edhe te “Koha Ditore“), në të cilin ai ushtronte kritikë të rreptë ndaj pronarëve të mediave në Tiranë, të cilët, siç dihet botërisht, kanë edhe firma ndërtimi, janë edhe lobistë të ndërmarrje të importimit të naftës, por edhe investitorë në telekomunikacion. Në modelin e gazetarisë së Shqipërisë kjo është e „lejueshme“, siç është e durueshme që publikisht të bësh thirrje për t’ia çarë kafkën një gazetari kritik dhe të shkruash broçkulla për jetën intime të Edi Ramës dhe të Sali Berishës.

Revolucion llafesh

Ndokush në Prishtinë mund të entuziazmohet nga modeli i gazetarisë së Shqipërisë, sepse ky model u ka mundësuar shumë gazetarëve anonimë të Tiranës të defilojnë në televizion me sahata të markës “Rolex” dhe me kravata, me të cilat po të futesh edhe në klube të natës dukesh qesharak. Na ka rënë këto ditë të shohim nëpër televizionet kinse supermoderne të Tiranës se si analistët ia lavdërojnë këmishët dhe xhupin njëri-tjetrit, madje nëse vazhdon drama e numërimit të votave dhe e grushtimit të militantëve, atëherë – pse jo – ndonjë analist do t’i tregojë publikut se i ka brekët me firmë “Armani”, të blera fringo në pazarin e Milanos. Edhe pse krahasimi mes gazetarisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë as që është i mundshëm, për shkak të rrethanave të ndryshme politike dhe kontekstit tjetër historik, prapëseprapë duhet nënvizuar se një analist nuk e bën të shkathtë shpejtësia e të folurit, por thellësia e mendimit. E këto ditë gjithçka çfarë është parë në televizionet shqiptare kanë qenë disa analiza të flashkëta, por të thëna shpejt e shpejt (kjo shpejtësi llafazanie mund t’i bëjë përshtypje ndonjë kosovari në kërkim të identitetit të tij), një rrëmujë tabelash, shifrash dhe emrash, ca moderatorë që gati të shtrirë në studio lexonin mesazhe elektronike („sëmësë“!) nga celularët e tyre dhe disa inxhe të pudrosura që u përngjanin callgirlsave të Silvio Berlusconit dhe jo gazetareve serioze. Për të gjithë ata dashamirë të vetëshpallur të Shqipërisë në Kosovë, kujtesa historike e të cilëve ose nuk ekziston ose është e turbulluar, duhet nënvizuar se shumica e analistëve që sot bëjnë parada nëpër televizionet e Shqipërisë dhe i këndojnë ditirambe Sali Berishës apo Edi Ramës, në vitin e shkatërrimit të piramidave dhe djegies së shtetit, pra më 1997, kanë qenë hiç më pak se zjarrvënës me penë në dorë. Bashkë me djegien e shtetit kjo shpurë e ka djegur edhe besueshmërinë profesionale. Tani ata nuk janë më shumë se manipulatorë të fjalës publike dhe nuk lodhen duke bërë zhurmë nëpër torishta televizive. Dje në orët e hershme të mëngjesit njëri prej këtyre analistëve, pasi u egërsua pse nuk po i fitonte Edi Rama, nga studio bëri thirrje për revolucion! Në rastin e Shqipërisë kjo do të thotë thirrje për luftë civile. Për torishta të tilla televizive Kosova tjetër, ajo Kosovë që e synon Evropën - nuk ka nevojë!


robelli@bluewin.ch
Koha Ditore
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi