Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

BUJAR BUKOSHI: IBRAHIM RUGOVA ËSHTË NË DUAR TË MAFISË, UKA VENDOS PËR ÇDO GJË

Shko poshtë

BUJAR BUKOSHI: IBRAHIM RUGOVA ËSHTË NË DUAR TË MAFISË, UKA VENDOS PËR ÇDO GJË Empty BUJAR BUKOSHI: IBRAHIM RUGOVA ËSHTË NË DUAR TË MAFISË, UKA VENDOS PËR ÇDO GJË

Mesazh nga Agim Gashi Wed Feb 05, 2014 11:27 pm

BUJAR BUKOSHI: IBRAHIM RUGOVA ËSHTË NË DUAR TË MAFISË, UKA VENDOS PËR ÇDO GJË
BUJAR BUKOSHI: IBRAHIM RUGOVA ËSHTË NË DUAR TË MAFISË, UKA VENDOS PËR ÇDO GJË Bujar_bukoshi_221258_382158

Bujar Bukoshi pikërisht nëntë vjet më parë, më 3 shkurt 2005, kishte dhënë një intervistë për gazetarin Burim Etemaj të Gazetës Epoka e Re, ku kishte deklaruar se Ibrahim Rugova, atëherë President, ishte në duar të mafisë. Uka, djali i Rugovës, sipas tij, vendos për çdo gjë dhe për mjaft gjëra të palejueshme.“Kemi të bëjmë edhe me një strukturë mafioze familjare presidenciale”, theksonte Bukoshi.

Ne po e sjellim këtë intervistë për ju sot, pikërisht në ditën kur EULEX bastisi familjen e ish-Presidentit dhe ndërkohë që tash Bujar Bukoshi e Ukë Rugova janë miq dhe udhëheqin po ashtu një parti.

EPOKA E RE: Zoti Bukoshi, çfarë po ndodhë aktualisht në Kosovë dhe si do ta karakterizonit gjendjen e tashme politike?

Bukoshi: Unë këtë gjendje e karakterizoj shumë të rëndë dhe mendoj se ajo do të keqësohet edhe më tej.

EPOKA E RE: A nuk ju duket se kjo tingëllon mjaftë pesimiste?

Bukoshi: Fjalët e vërteta janë të pakëndshme, por fjalët e këndshme nuk janë gjithmonë të vërteta. Po të dëgjoni deklaratat zyrtare dhe mediat zyrtare dhe politikanët tanë optimistë, keni përshtypjen se i kemi punët shumë mirë, përveç disa cikrrimeve që kanë mbetur të kryhen. Por po t’i siguronit viza rinisë sonë për vendet perëndimore, nuk e di sa pak të reja dhe të rinj do të mbeteshin në Kosovë. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për gjendjen më se të rëndë sociale, por në përgjithësi.

EPOKA E RE: Për shembull?

Bukoshi: Për shembull, besoj se askush nuk ka pritur as nuk ka dëshiruar që pas zgjedhjeve të dyta parlamentare, gjendja në Kosovë do të shkojë drejt keqësimit të gjendjes, sidomos në fushën e qeverisjes me institucionet dhe me veprimtaritë në sferat vitale të Kosovës.

Kësaj qeverie nuk do t’ia jepja as njëqind minuta…

EPOKA E RE: Ju po paragjykoni qeverinë aktuale pa pritur 100 ditë, ashtu si është zakoni?

Bukoshi: Kësaj qeverie nuk do t’ia jepja as njëqind minuta. Përbërja e saj nuk është përfaqësuese për Kosovën, ajo në asnjë mënyrë dhe me asnjë kriter nuk e përfaqëson as nuk e nderon Kosovën dhe potencialin e saj politik. Në përgjithësi, është një seleksionim tmerrësisht negativ i kuadrit udhëheqës dhe kuadrit ekzekutiv.

EPOKA E RE: Pas luftës, në gjykata të ndryshme të Kosovës janë mbajtur kryesisht procese kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, apo të TMK-së. Në anën tjetër, përkundër asaj se flitet më të madhe për korrupsionin dhe kriminalitetin e shumëllojshëm ekonomik, ku apostrofohen edhe emra të caktuar të politikanëve kosovarë (ju keni apostrofuar direkt zv.kryeministrin Salihaj) ky segment vazhdon të mbetet i paprekur nga drejtësia. Pse, sipas jush, po ndodh kështu?

Bukoshi: Administrata ndërkombëtare nuk është duke i bërë kurrfarë shërbimi të mirë as këtij vendi as vetes që qysh prej fillimit e deri sot nuk u angazhua sa duhet në instalimin e rendit juridik. Ky angazhim u dasht edhe më tepër kur u pa se politikanët joseriozë të Kosovës nuk kishin as vullnet as aftësi dhe as mend që t’u prijnë proceseve të rregullimit të vendit dhe shoqërisë kosovare. Kjo pati pasoja të rënda dhe nëse vazhdon kështu, pasojat do të jenë edhe më të rënda. Strukturat përkatëse të administratës ndërkombëtare këtu kanë informata të bollshme dhe deri në hollësi, lidhur me dukuritë që janë fatale për ardhmërinë e Kosovës, siç janë korrupsioni, hajnitë dhe shpërdorimet nga më të ndryshmet, që në secilin vend normal parandalohen, luftohen dhe ndëshkohen. Sot në Kosovë, hajnitë dhe shpërdorimi i parave publike dhe të taksapaguesve janë bërë sekrete publike, si e drejtë e vetëkuptueshme e hajnave që gradualisht po e merr të drejtën e qytetarisë në moralin publik dhe po vazhdon të bëhet gati si normë morale.

EPOKA E RE: Çka mund të na thuani diçka me shumë lidhur me blerjen e postit të zv/kryeministrit nga Adem Salihaj?

Bukoshi: Në një intervistë televizive që bëra para një jave në “Koha Vizion” shpreha pikëpamjet e mia, jo për herë të parë, lidhur me zhvillimet në Kosovë, duke filluar me kritikën time kundër klasës tonë politike dhe problemeve me të cilat po përballemi. Aty përmenda strukturat mafioze në LDK dhe meqë ra fjala për shembuj konkretë, u apostrufua edhe zëvendëskryeministri juaj dhe i imi. Kjo kurrsesi nuk do të thotë se vetëm në LDK ka korrupsion dhe shpërdorime.

EPOKA E RE: Në lidhje me konstatimin tuaj, Adem Salihaj ka thënë se ju keni shpifur… dhe se duhet t’i bëni publike faktet edhe në media?

Bukoshi: Është e drejtë e tij që edhe ai të thotë versionin e vet.

Rugova është i përfshirë në një mafi familjare, në një “cosa nostra” dhe shërben si mbulesë e saj

EPOKA E RE: Ju përmendët seleksionimin negativ. Si shjegohet kjo, a ka LDK-ja kuadro më të mira se këto?

Bukoshi: Natyrisht se ka. Është fare e pabesueshme që LDK-ja të ketë rënë në këtë gjendje të kuadrit. Për këtë strukturë kuadri kanë vendosur strukturat paralele të LDK-së, ato që janë të përfshira në mafiozitet.

EPOKA E RE: Po Rugova?

Buksohi: Ai është i përfshirë në një mafi familjare, në një “cosa nostra” dhe shërben si mbulesë e saj. Pra, ajo që shihet nga jashtë, është se Rugova përdoret si fasadë, për të fshehur prapa një grup njerëzish të korruptuar, të cilët i përdorin parat e buxhetit të Kosovës, sidomos përmes tenderëve, për shpërdorime të ndryshme. Përgjegjësia e tij është se ai i shërben këtij grupi njerëzish dhe ai përdoret prej tyre si kukull. Ai është president-kukull, me të cilin lujanë njerëz nga prapaskena.

EPOKA E RE: Kush janë këta njerëz?

Bukoshi: Se kush janë këta njerëz edhe unë e di edhe ju e dini, por edhe shumë të tjerë. Por ata nuk janë LDK-ja, ajo anëtarësia e gjërë, për të cilën unë kam respekt. Ajo as që e ka idenë se çfarë po ndodhë. Me sa di unë, edhe pjesa më e madhe e Kryesisë së LDK-së është në zor me ato struktura paralele dhe mafioze.

EPOKA E RE: A do të vazhdojë Rugova të tolerojë këtë?

Bukoshi: Afati moral i tij ka skaduar ka kohë, por vetëm ky konstatim nuk mjafton.

EPOKA E RE: A mendoni se kjo që pohoni për LDK-në dhe Rugovën mund të komentohet se keni ndonjë siklet që iu keni “gjuejt” Rugovës?

Bukoshi: Jo, siklet personal nuk kam. Unë e kam njohur dhe e njoh Rugovën, dhe ju them me bindje të plotë se ky njeri ka degjeneruar në një kryetar fisi. Thonë se karakteristikë e politikanëve të dështuar ose e politikanëve që gjenden para dështimit është shurdhimi dhe verbërimi i qëllimshëm. Tipari kryesor në figurën e tij prej fillimit mbetet pasiviteti thuajse i plotë politik, dhe shpesh ai tash të jep përshtypjen e një figure që jeton në botën e mitologjisë, që nuk jeton më në botën e halleve, problemeve dhe sfidave me të cilat përditë ndeshen qytetarët e Kosovës. Ai gjoja predikon shtetin ligjor ndërsa në fakt është shkelësi më flagrant i tij. Me mbajtjen e dy posteve, atë të kryetarit të partisë dhe atë të presidentit ai e humbi kredibilitetin e figurës së unitetit të popullit në Kosovë. Ç’është e keqja, ai ka futur në jetën tonë politike edhe disa dukuri të pashembullta dhe të palejueshme: papërgjegjësinë, mospërfilljen, megalomaninë, dhe sidomos deliriumin e madhështisë. E shihni, se sipas shembullit të Rugovës dalin imitatorët edhe nga partitë e tjera, kur shihet se askush nuk do të japë përgjegjësi për asgjë.

E vetmja rrugëdalje janë zgjedhjet e jashtëzakonshme, pra rënia e kësaj qeverie dhe shpërndarja e parlamentit

EPOKA E RE: Z. Bukoshi, ju kritikoni, por ata që po i kritikoni janë zgjedhur në mënyrë demokratike, me votën e lirë.

Bukoshi: Unë nuk i kontestoj zgjedhjet. Por unë them se këtu është keqpërdorur dhe vazhdon të keqpërdoret vota dhe ky keqpërdorim është flagrant.

EPOKA E RE: Atëherë cila është rrugëdalja nga kjo situatë?

Bukoshi: E vetmja rrugëdalje janë zgjedhjet e jashtëzakonshme, pra rënia e kësaj qeverie dhe shpërndarja e parlamentit.

EPOKA E RE: A është interesuar dikush tjetër përveç mediave për këtë korrupsion dhe shpërdorime të tjera, p.sh. prokuroria?

Bukoshi: Mendoj se po.

EPOKA E RE: Nëse nuk është interesuar askush nga prokuroria, çka me tutje, do t’i publikoni faktet në media apo do të heshtni edhe ju?

Bukoshi: Unë jam politikan e jo detektiv ala Sherlok Holms. Unë po përpiqem të alarmoj për fenomenet e mbrapshta. Por ne po shohim se me çfarë mospërfillje sillen këta liderë që vjedhin ardhmërinë e këtij vendi dhe të gjeneratave që vijnë pas nesh. Pesë para që vetëm unë, apo edhe ndonjë tjetër, apo të gjitha mediat tona së bashku po ngrisin zërin! Shpërdoruesit e votës së qytetarit kanë vetëm një hall: të zgjasë kjo gjendje mjegulle sa më shumë, sepse gjithçka amorale dhe joligjore qenka e pandëshkueshme. Nëse tërë shoqëria kosovare nuk tregon reaktibilitet ndaj këtij trendi të thyqafjes, ardhmëria e këtij vendi do të jetë më se e zymtë. Qysh tani rinia e dëshpruar kosovare po bën çmos që ta braktisë vendin, se këtu me të drejtë nuk po sheh perspektivë. Do të dëshiroja që i tërë opinioni kosovar, me të gjitha segmentet e shoqërisë të alarmohet, sepse ne kemi të bëjmë thjeshtë me shpërdorimin e votës nga ata që e morën atë votë, kemi të bëjmë me qeverisje të keqe dhe kjo është shumë e rrezikshme.

EPOKA E RE: Ku mund të shkon Kosova me këtë gjyqësi, kur ndaj konstatimeve të një personaliteti politik për korrupsion nuk reagon?

Buksohi: Nuk është puna vetëm te një personalitet politik. Mjafton të shikosh rreth vetes dhe të shohësh se në këtë vend asnjë sferë e jetës së organizuar nuk funksionon as për së afërmi sa duhet. Ju mund të më demantoni menjëherë nëse thoni se p.sh. shërbimet me taxi në Prishtinë funksionojnë mirë, se brenda 3-4 minutash pas thirrjes jeni në taxi, ose mund të furnizoheni brenda 3-4 minutash me cigare dhe kartela telefonike dhe unë nuk do të kem argumente të ju bind për të kundërtën. Mirëpo, të gjithë ne e dimë se çka nuk po funksionon në këtë vend. Gjyqësia në Kosovë ka shumë punë për të bërë, përkundër përpjekjeve të vlefshme të saj.

EPOKA E RE: A keni informacione, apo të paktën a jeni në dijeni se edhe ministrat tjerë i kanë blerë postet, kryesisht nëpërmjet djalit të Rugovës, Ukës?

Buksohi: Unë, edhe ju, edhe shumë e shumë të tjerë jemi në dijeni mbi gjendjen skandaloze të shpërdorimeve nga më të ndryshmet. Me këtë rast, për tërë këtë intervistë më duhet të bëj vetëm një përkufizim: ka përjashtime, ka ministra të ndershëm, ka funksionarë partiakë të ndershëm etj., mirëpo dominantja është shthurrja, dhe në shthurrje, sipas proverbit afër drurit të thatë digjet edhe i njomi.

Kemi të bëjmë edhe me një strukturë mafioze familjare presidenciale

EPOKA E RE: Si i komentoni zërat se Uka, është ai që vendos çdo gjë në LDK, madje edhe në presidencë nëpërmjet klanit të tij, madje thuhet se ai ka vendosur edhe për emrimin e ministrave të LDK-së në Qeveri, pasi që ka marrë shumë të konsideruseshme të të hollave?

Bukoshi: Jo çdo gjë, por mjaftë gjëra të palejueshme. Unë, ashtu si edhe në intervistën që përmenda në KTV pohoj se kemi të bëjmë edhe me një strukturë mafioze familjare presidenciale.

EPOKA E RE: A ka qenë Uka i tillë edhe në kohën kur ju keni qenë kryeministër i Kosovës, apo atëherë ka qenë i vogël…?

Bukoshi: Nuk më ka rënë ta njoh atë, por të jatin e tij e kam njohur dhe e njoh.

EPOKA E RE: A ka ndodhur që edhe gjatë qeverisjes tuaj të blihen postet me pare?

Bukoshi: Vetë pyetja e juaj po më trishton. Mund ta imagjonoj se blerja e posteve është bërë në Perandorinë Otomane apo në ndonjë perandori tjetër, ose në ndonjë shtet afrikan pas dekolonizimit, por në vendet demokratike këto veprime siç janë blerja e postit, korrupsioni, hajnitë dhe shpërdorimet e parave publike, dënohen me ligj, bile dënohen rreptë. Bile edhe kur ndonjë refer e kurdis rezultatin e lojës, ai ha burg. Në Kosovë, blerja e disa posteve të ministrive nuk skandalizon askënd, bile edhe arsyetohet si zotësi, aftësi, shkathtësi, pra konsiderohet si vlerë! Dhe në të njejtën kohë, me po atë amoralitet, klasa politike gënjen popullin e Kosovës se edhe ky vend u bë shoqëri demokratike për merak, prandaj edhe po na takuaka pavarësia edhe hyrja në Bashkimin Evropian po se po, por edhe në strukturat evroatlantike, bile kurrsesi pa miqësinë e përhershme me SHBA e lere më pa bekimin e Papës në Romë!…

EPOKA E RE: Si e shihni të ardhmen e Kosovës, duke marrë parasysh se në krye të saj janë Rugova, kryeministri Haradinaj, zv/ kryeministri Salihaj, dhe ministra kryesisht të pa aftë, madje ndonjëri nga ta edhe pa shkollim superior?

Bukoshi: Nuk shoh kurrëfarë të ardhme të mirë e të mbarë përderisa ky vend prihet e qeveriset nga një klasë politike e papërgjegjshme, pa kapacitet për t’i bërë këto punë, pa vullnet dhe përkushtim për të nxjerrë vendin nga kriza që nuk po i shihet fundi. Nuk ecën asnjë vend përpara me udhëheqje të pamoralshme, me injorantë dhe hajna.

Për ditë e më tepër më forcohet kjo bindje për tragjizmin e Kosovës me këtë qeverisje

EPOKA E RE: Si e keni parë në fillim koalicionin LDK-AAK dhe si e shihni atë tash? Mendoni se do të ketë jetë të gjatë kjo qeverisje?

Bukoshi: E kam parë si koalicion jo të natyrshëm. Për ditë e më tepër më forcohet kjo bindje për tragjizmin e Kosovës me këtë qeverisje. Nuk e di sa do të jetë e gjatë kjo qeverisje, por mund ta imagjinoj se sikur kjo, mos e bë zot, të ndodhte në Austri, Gjermani apo Britani të Madhe në mëngjes, ajo qeveri do të shpërbëhej gjatë po asaj paradite. Bile, gazetat e tyre, po e zëmë alla gazeta juaj “Epoka e Re” të nesërmen do të dilnin me tituj alamet të mëdhenj, si p.sh.: “Çka dreqi e gjet vendin tonë?”, “Kush na mori msysh?” ose “Kush i dha Serbisë ryshfet që ajo ta formojë qeverinë tonë?” dhe tituj të ngjashëm…

EPOKA E RE: Si e vlerësoni akuzat e opozitës se Qeveria Haradinaj vetëm në dy javët e fundit të dhjetorit i ka shpenzuar 176 milionë euro?

Bukoshi: Opozita?… Unë ende nuk po shoh opozitë. Partia Demokratike e Kosovës poashtu ishte këmbë kryq në përbërjën e qeverisë së kaluar që ishte e dobët. Për shumën që ju përmendni duhet pritur raportin e ministrit aktual të financave, për të parë sa para bëri rrush e kumbulla qeveria e kaluar dhe çfarë vrulli për të bërë të njejtën gjë konstatohet nga qeveria aktuale.

EPOKA E RE: Cili është mendimi i juaj për planin e Qeverisë për Decentralizim?

Bukoshi: Si po e shoh unë, kësaj i thonë ndarje e Kosovës, ose shteti i Serbisë në shtetin e ardhshëm të Kosovës!

Ndiej keqardhje të madhe për anëtarësinë e LDK-së që nuk ka idenë se çfarë poshtërsira bëhen pas perdeve

EPOKA E RE: A i keni rënë pishman që e këni lëshuar LDK-në, ndoshta sot do të ishe në krye të ndonjë institucioni të lartë?

Bukoshi: Jo nuk jam penduar, por ndiej një keqardhje të madhe se çfarë ngjau në atë parti. Ndiej keqardhje të madhe për anëtarësinë e LDK-së që nuk ka idenë se çfarë poshtërsira bëhen pas perdes. Ndiej poashtu keqardhje edhe për ata aktivistë të LDK-së që me vite të tëra punuan dhe sakrifikuan prej fillimit për LDK-në, parti e cila atë kohë identifikohej me lëvizjen tonë gjithëpopullore për çlirimin e Kosovës. Më vjen keq edhe për ata funksionarë të LDK-së që angazhohen ndershmërisht në atë parti, por njëkohësisht tolerojnë, për arsyet që vetëm ata i dijnë, që para hundëve të tyre dhe pas fasadës, një strukturë paralele dhe mafioze të bëjë kërdinë në atë parti dhe rrjedhimisht të bëjë kërdinë edhe në vendin tonë. Mua më vjen keq për këto zhvillime, se edhe vetë unë kam dhënë një pjesë jo të vogël të jetës sime në atë parti. Nuk është ky vajtim, por është për t’u trishtuar kur sheh se si shumë gjëra degjeneruan dhe morën teposhtëzën.

Nuk pihet kafja me pejgamber

EPOKA E RE: Kur jeni takuar apo kur keni pirë kafe për herë të fundit me Rugovën?

Bukoshi: Ka disa vite. Nuk pihet kafja me pejgamber.

EPOKA E RE: Edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare, partia e juaj nuk e ka zënë asnjë vend në Kuvend. Jeni i dëshpruar nga kjo?

Bukoshi: Fare shkurt po e them: Jo, nuk jam i dëshpruar.

EPOKA E RE:A do të vazhdoni të merreni prap me politikë, apo do t’iu ktheheni profesionit tuaj?Bukoshi: Do të vazhdoj sa të mundem, se mendoj se ky vend ka nevojë edhe për politikanë si unë. Do të vazhdojë me modesti t’i ofroj vizionin tim politik elektoratit dhe me ashpërsi të denoncoj dhe të luftoj gjithçka që i sjell dëm këtij vendi.

Bukoshi: Jo, nuk e kontrolloj Qendrën Tregtare “Ben-af”

EPOKA E RE: A e kontrollon Bujar Bukoshi Qendrën Tregtare “Ben-af”?

Bukoshi: Jo, nuk kam kurrfarë lidhjesh me atë firmë. Pronari është nga Suhareka, edhe unë jam nga Suhareka. Unë nuk e njoh atë, por kam dëgjuar se ai me familjen e tij janë shumë të vyeshëm dhe se atë pasuri e kanë arritur me punë, me nder e me zell. Unë nga pronari nuk kam patur rastin që të më paguhet as një kafe. Por e di dhe po dëgjoj thashethënat se unë qenkam disi si bashkëpronar i kësaj firme. Nuk ka asgjë të vërtetë nga kjo. As nuk e kontrolloj as nuk posedoj diçka në këtë firmë. E di që gruaja ime, kur i viziton prindërit e saj në Prizren, ndonjëherë blen fli në “Ben-af”, pra e paguan, përkundër asaj se është bashkëshortja e ish-kryeministrit.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi