Rexhep Qosja: Deshi të më vriste Fehmi Agani!
Faqja 1 e 1
Rexhep Qosja: Deshi të më vriste Fehmi Agani!
Rexhep Qosja: Deshi të më vriste Fehmi Agani!
Akademiku Rexhep Qosja do të botojë së shpejti ditarin e 50 viteve të fundit. Rrëfimet zënë fill në vitin 1966 dhe ia mbërrijnë gjer në ditët tona, duke sjellë vrullin e një jete intelektuale, ngjarjet, debatet, polemikat, botimet e më gjerë
Profesori prej kohësh ka filluar bashkëpunimin me Shtëpinë Botuese "Toena", për të prezantuar ditarin e tij 50-vjeçar. Duke pasur parasysh të gjitha fletoret e blloqet me shënime, ditari i tij parashikohet të dalë në 8 vëllime, ndërkohë që tri vëllimet e para janë në proces botimi. Në këtë botim, prof.Qosja trajton ngjarje, çështje, personalitete, probleme, dukuri, procese shoqërore, politike, letrare, artistike, shkencore, filozofike, kulturore para së gjithash në Kosovë e në Shqipëri, por edhe në Jugosllavi e në botë. Ngjarjet që kanë sjellë viti 1966, vitet historike 1968 e 1981, formimi i partive, politika e tyre, formimi i UÇK-së, marrëdhëniet me Shqipërinë dhe qëndrimet e vetjeve të ndryshme politike e intelektuale ndaj Shqipërisë janë ngjarje me përkushtim të posaçëm në këtë ditar. Në ditar, profesori tregon se si krijonte, çfarë krijonte, çfarë lexonte, cilët krijues kombëtarë dhe botërorë çmonte dhe i donte më së shumti. Mandej, ai flet, duke i përshkruar e duke i vlerësuar, për ngjarje për të cilat është shkruar e folur nga autorë a mediat tona dhe për ngjarje për të cilat deri tani nuk është shkruar.
Në ditarin e vet, akademiku Rexhep Qosja është ndalur tek personalitete të ndryshme: krijues letrarë e artistikë, studiues të fushave të ndryshme shkencore, kuadro të universitetit, politikanë e shtetarë me të cilët ishte takuar gjatë jetës së tij. Galeria e personaliteteve për të cilat flet, duke u bërë portrete treguese është jashtëzakonisht e pasur. Personazhe të shpeshta në të janë edhe disa gazetarë e publicistë. Ditari i studiuesit Rexhep Qosja, me një pjesë të madhe, është historia e ngjarjeve, veprimeve, politikave, sjelljeve e vetjeve për të cilat deri sot nuk është ditur apo shtrembëruar e vërteta: është historia e vërtetë e përpjekjeve shumëvjeçare për ndryshimin e fatit të përparshëm historik të popullit shqiptar - për krijimin e shtetit të Kosovës, në të vërtetë për bashkimin kombëtar.
Ai është një histori e brendshme e Kosovës në radhë të parë, por edhe e Shqipërisë, në të vërtetë një histori e brendshme e jetës kombëtare, kulturore e politike, të popullit shqiptar në përgjithësi në kohën që e jetojmë në brezat e sotëm dhe në kohën që e kanë jetuar paraardhësit tanë. Për nga shumësia e përmbajtjeve, çështjeve, ideve, politikave dhe personazheve të trajtuara, ditari i akademikut Rexhep Qosja ka karakter enciklopedik. Do të jetë vepër monumentale për nga vëllimi, për nga cilësia dhe rëndësia e të vërtetave dhe e të drejtave të trajtuara në të. Shumë lexues do ta vlerësojnë siç pritet këtë vepër të jetës së Prof. Rexhep Qosjes, disave do t'u sjellë gëzim, por disave edhe kundërshti, dëshpërim e reagime. Si për gëzimin, ashtu edhe për dëshpërimin vendosin personazhet e jo autori.
PJESË NGA DITARI I VITIT 1980
VEPRA IME KUNDËR JUGOSLLAVISTËVE TANË
“Gazeta 55” më 22 mars e botoi, me mbi 50 për qind të falsifikuar artikullin polemik të Fehmi Aganit për veprën time ‘Morfologjia’ e një fushate. Në artikullin në fjalë të botuar në këtë gazetë janë ndryshuar, falsifikuar, shtuar a hequr fjalë, fjali, fragmente a pjesë më të gjata të shkrimit të Fehmi Aganit me titullin Testimonium paupertatis i R. Qosjes, i botuar më 24 maj dhe me 7 qershor 1980 në gazetën “Rilindja”. Në ditarin tim i jepet përgjigje artikullit polemik të Fehmi Aganit e jo falsifikimit kriminal të “Gazetës 55” përplot gënjeshtra, shpifje dhe urrejtje me të cilat pronari i kësaj gazete qe shumë vjet e helmon opinionin shqiptar!
1.
Mos qofsha në lëkurën e atij, i cili nuk mund të pajtohet me jetën e këtillë çfarë është, me politikën e këtillë çfarë është. Sipas të gjitha gjasave, unë edhe jam në lëkurën e atij që nuk mund të pajtohet me jetën e këtillë çfarë është, me politikën e këtillë çfarë është. Prej fatit të Sokratit, po shihet, nuk kam mësuar asgjë! As prej fatit të Ovidit! As prej fatit të Volterit! As prej fatit të Bajronit!
2.
Më në fund gazeta “Rilindja” solli reagimin e parë ndaj librit tim, me të cilin pandërprerë vazhdon të merret çarshia, Morfologjia e një fushate. Nuk e prisja, në asnjë mënyrë nuk e prisja, se i pari me reagim do të paraqitej sociologu dhe politikologu, Fehmi Agani. Nuk është përmbajtur edhe pse ai nuk ishte protagonist, madje as personazh me rëndësi si më të dukshme në këtë libër. Pjesa e parë e artikullit të tij reagues, që kap tri faqe dhe dy shtylla të faqes së katërt, është botuar sot në Rilindjen e 24 majit, kurse pjesa e dytë, siç paralajmërohet, do të botohet më 7 qershor. Reagim pazakonshëm i gjatë, që dëshmon se edhe ndjenjat e reaguesit janë tepër të përflakura. Reagimi ka titullin “Testimonium pauperitatis i R.Qosjes” dhe është i botuar me shkronja posaçërisht të mëdha. Në përkthimin shqip titulli do të thotë “Dëshmi e varfër e Rexhep Qosjes”. Au-tori nuk e ka shkruar titullin shqip sigurisht për arsye se ka dë-shiruar të paraqitet sociologjikisht dhe politikologjikisht, ndoshta edhe filo-zofikisht, më i dinji-tetshëm para lexuesve të tij, gjithsesi në numër të paktë. Po ta kishte shikuar ndo-njërin nga fjalorët e fjalëve të huaja do të kishte parë se fjala latine pauperitatis sikur nuk i rri mirë, në mënyrë përkatëse, titullit të reagimit të tij. Fjala latine pauper do të thotë i varfër, i pa mjete për jetë, lypës. Po t’i kishte lexuar thëniet latine pauperibus date, që do të thotë jepini të varfërve dhe pauper ubique iacet, që do të thotë i varfri gjithmonë e pëson, ndoshta do të kishte hequr dorë prej titullit latin.
Që në fillim të reagimit të tij, autori ynë, i njohur si trajtues dhe vlerësues dhe himnizues i rendit politiko-shoqëror dhe kushtetutar juridik jugosllav në të cilin jetojmë, librin tim e quan pamflet dhe e quan pamflet i bindur se me atë fjalë, emër, kuptim e nënçmon dhe e zhvlerëson. Pamfleti për të është tip, lloj, shkrimi i pa kurrfarë vlere! Ka harruar, në qoftë se do t’i ndodhej afër, të shikojë Fjalorin e shqipes së sotme, në të cilin shkruan se pamfleti është “shkrim i shkurtër satirik, me temë aktuale, që godet ashpër një njeri a një shfaqje të jetës shoqërore e politike”. Libri im, ndërkaq, nuk është shkrim i shkurtër satirik, po shkrim i gjatë, shumë i gjatë, prej 370 faqesh, që godet, vërtet, ngjarje të jetës shoqërore, politike e kulturore dhe njerëz që i prodhojnë ato ngjarje, të bëra e veprime politike. Domethënë: politikologu dhe sociologu ynë e përdor fjalën pamflet pa e ditur kuptimin e saj të vërtetë.
Ka harruar, në qoftë se do t’i ndodhej afër, të shikojë ndonjërin nga fjalorët jo të paktë të fjalëve të huaja të botuar në gjuhën serbokroate, në të cilët shkruan se pamflet quhet vepra e shkruar (artikull, broshurë a afishe) me temë aktuale që në trajtë të ashpër, akuzuese përqesh ndonjë vetje a dukuri në jetën shoqërore dhe politike.
Ja si e fillon reagimin e tij autori Fehmi Agani ndaj “pamfletit” tim, në të vërtetë, ndaj librit tim:
“Pamfleti u botua dhe u shit shpejt dhe u lexua “me ëndje”si e parashihte autori. As që mund të ishte ndryshe, veçanërisht kur dihet se që në parathënie para-lajmërohet përshkrimi i një meçi a ndeshjeje shumëvjeçare, madje i një proporcioni të paparë: një me pesë! Paralajmërimi tjetër, që në parathënie, se autori e kishte shkruar librin zgërdhishëm, do të thotë “me buzë në gaz, shtonte doemos kureshtjen dhe interesimin”.
Sikur t’i përgjigjesha këtij shkrimi të Fehmi Aganit pashmangshëm do të shtrëngohesha të merresha me kulturën e tij të shkrimit shqip; por nuk duhet t’i përgjigjem: vetë libri Morfologjia e një fushate është përgjigje e mjaftueshme ndaj atyre artikujve që janë shkruar dhe do të shkruhen kundër meje dhe kundër ideologjisë sime gjithë-kombëtare, që zhvlerëson politikën e tyre guberniste, prej pjesëtarëve të klanit, ideolog i të cilit është sociologu dhe politikologu ynë Fehmi Agani.
Në këtë ditar duhet të shënoj bindjen se pikënisja reaguese e Fehmi Aganit është intelektualisht dhe moralisht e palejueshme. Ai nuk bën reagim të intelektualit; ai nuk bën polemikë të krijuesit: ai bën reagim të politikanit stalinist që me çdo mjet do të donte të nxiste pushtetarët për dënimin e kundërshtarit politik. Pikënisja e tij, prandaj, mund të quhet plotësisht e gabuar, e palejueshme moralisht: ai merret me unin tim gati më shumë se me idetë dhe pikëpamjet e mia. Dështimi i tij moral është aq më i madh sepse ai merret me “projeksionet patologjike”, me “imagjinatën e sëmurë” dhe me “pasionin psikopatik”, si e thotë, të unit tim! Dështimi i tij moral është edhe më i rëndë, sepse ai, mbas “degradimit” psikanalitik të unit tim – thuajse ka studiuar teorinë psikanalitike të Frojdit në Shkollën e Lartë Partiake të Stalinit, kërkon shkoqur likuidimin tim politik dhe shoqëror dhe e kërkon këtë likuidim duke vënë në dukje, me theks alarmues, domethënë me theks kushtrimi, fajin tim ‘të “rëndë moral, politik, antishtetëror, dhe penal” me rastin e botimit të Morfologjisë së një fushate! Nocionet psikanalitike me të cilat Fehmi Agani më shpall “delikuent” politik, nocionet politiko morale me të cilat e shpall të ndaluar veprën time “Morfologjia e një fushate”, nocionet sociologjike dhe politikologjke me të cilat bën vlerësime e zhvlerësime të ideve e qëndrimeve të mia – të gjitha këto dëshmojnë se reagimi i tij ndaj meje, në të vërtetë ndaj librit tim, është një nga ato llojet e reagimeve që mësoheshin dikur, në Mesjetën e vonë, në shkollën e Inkuizicionit, apo një nga ato llojet e reagimeve që mësoheshin në shkollën e Stalinit. Siç dihet tashmë edhe prej lexuesve tanë që kanë kryer fakultet, në kohën e Stalinit intelektualët që e merrnin guximin të thoshin ndonjë fjalë kritike për regjimin e Stalinit, si unë tani për regjimin e pasardhësve të Rankoviçit, që merrnin guximin të thoshin ndonjë fjalë kritike për ndonjërin nga propagandistët e atij regjimi, më së shpeshti u nënshtroheshin analizave të ashtuquajtura patologjike, në të cilat flitej, siç flet shoku Fehmi Agani, për mua: për “projeksionet patologjike”, për “imagjinatën e sëmurë”, për “pasionin psikopatik”, të tyre e, pastaj, mbasi shpalleshin kështu të rrezikshëm në pikëpamje politike dhe shoqërore, çoheshin në të ashtuquajturat psihushka, domethënë në të ashtuquajturat spitale, në të cilat do të duhej të bëhej riedukimi i tyre politik, natyrisht me dajak! Nuk ka dyshim se me mjetet që përdor në reagimin e tij, me nocionet në të cilat e mbështet këtë reagim, sociologu dhe politikologu ynë, shoku Fehmi Agani, më së pari ka folur për vetveten – kush është e, pastaj, për mua kush jam.
Në të vërtetë ai edhe nuk ka mundur të tregohet ndryshe, të reagojë ndryshe: ai me nocione psikanalitike, domethënë mesjetare dhe me nocione ideologjike e politike staliniste vazhdimisht i lufton kundërshtarët e tij prej se e njoh unë dhe prej se e njohin të tjerët. Meqenëse opinioni ynë, me të drejtë, nuk i pranon lehtë mjetet dhe nocionet e tilla, në njërën anë, mesjetare, e, në anën tjetër, staliniste, është e kuptueshme pse edhe një numër i tyre që nuk pajtohen me “sharjet” në librin tim, Morfologjia e një fushate, tani janë kthyer në anën time. Përgjigjja e Fehmi Aganit pa dashjen e tij bëhet kështu vlerësimi më i mirë i librit tim: po unë me të kam dashur, në radhë të parë, të luftoj censurat politike, përndjekjet politike, jugosllaviste, që prej organeve pushtetore dhe prej klaneve të lidhura me ato organe cenojnë rëndë lirinë e mendimit dhe të shprehjes në jetën tonë krijuese. Ka harruar sociologu dhe politikologu ynë se goditjet që intelektuali i jep vetes janë shumë më të rënda se goditjet që mund të t’i japin të tjerët!
Duke folur për mua autori ynë Fehmi Agani shumë më tepër dhe shumë më qartë foli për veten e tij. E falënderoj.
3.
- Kundërshtarët janë atribut i domosdoshëm dhe, madje, përforcues i çdo personaliteti, thotë Tomas Mani.
Sa domethënëse është kjo fjali për një autor si unë që gjendet i detyruar të shkruajë një libër siç është “Morfologjia” e një fushate dhe sa domethënëse është kjo fjali për një autor si unë ndaj librit të të cilit bëhet fushatë politike siç po bëhet këto ditë ndaj librit tim Morfologjia e një fushate!
4.
Në numrin e 1 qershorit të gazetës së përdyjavshme Fjala u botua reagimi i dytë ndaj librit tim Morfologjia e një fushate. Kësaj radhe e quan të nevojshme, dhe të arsyeshme, dhe, sigurisht, të obligueshme ndaj atyre që e kanë obliguar, që për mua, për librin tim të reagojë kryeredaktori i Rilindjes, Fadil Bujari. Meqenëse në gazetën që e kryeredaktoron ai, në ‘Rilindje’, ka reaguar me shkrimin e gjatë Testimonium pauperitatis i R.Qosjes, miku i tij, Fehmi Agani, ky kryeredaktor, Fadil Bujari, do të reagojë në të përdyjavshmen ‘Fjala’. Këmbim interesant me domethënie politike dhe kulturore: sociologu dhe politikologu, Fehmi Agani, më sulmon në gazetën politike, ‘Rilindja’ - organ i Lidhjes Socialiste të Popullit Punues të Kosovës, ndërsa krye-redaktori i kësaj gazete, i Rilindjes, Fadil Bujari, më sulmon në gazetën për çështje shoqërore, kulturore, letrare e të tjera, Fjala. Është kjo një taktikë përndjekësish politikë jo pa domethënie.
Artikulli i këtij farë Fadil Bujari prej fillimit e deri në fund mbështetet në gënjeshtra, në shpifje dhe në fyerje! Shkrim banal me gjykimin, banal me gjuhën, banal me stilin – shkrim i një analfabeti, i cili as fakultet nuk ka arritur të kryejë, por kryeredaktor i gazetës më të rëndësishme komuniste në Kosovë, i ‘Rilindjes’, ka arritur të bëhet! Siç shihet më sulmon më egër se miku i tij, Fehmi Agani, edhe pse në librin tim, Morfologjia e një fushate, nuk përmendet fare!
Ç’t’i bësh! Të gjitha këto sulme, të të gjithë këtij rangu politik e shoqëror dhe të këtij niveli kulturor e gjuhësor, i shikoj si pjesë përbërëse të fatit të shkrimtarit, i cili ka vendosur të bëhet shkrimtar jo për shkak të honorarëve, po me qëllim të zbulimit të të këqijave shoqërore, politike dhe morale.
Ç’t’i bësh! Kur fataliteti bën të mundshme që kryeredaktor i të vetmes gazetë politike e shoqërore të emërohet një njeri siç është ky farë Fadil Bujari, i cili vetë e thotë se, si kryeredaktor më së shumti kujdeset sesi do të paraqiten në gazetë fotografitë e udhë-heqësve politikë shqiptarë, serbë e jugosllavë në për-gjithësi, atëherë çiftit tim mund t’i ndodhë gjithçka – edhe kjo që po i ndodh sot e që mund t’i ndodhë edhe më zi – nesër!
Artikulli i tij, ç’është e vërteta, i shkruar me qëllim që të më fyejë, vetëm sa më argëtoi! Pse të mos më argëtonte? Si një shqiptari të ardhur prej Malit të Zi, si një ardhacaku si më quan ai mua në shkrimin e tij, më mohohet e drejta të jem qytetar dhe intelektual në Kosovë! Shqiptarë prej të gjitha viseve shqiptare dhe të të tri feve shkojnë në Amerikë dhe bëhen qytetarë amerikanë të barabartë, me të gjitha të drejtat, plotësisht të barabartë me të gjithë amerikanët e tjerë. Mua këtu, ndër shqiptarët e mi, prej kretenëve siç është kryeredaktori i të vetmes gazetë politike në Kosovë dhe siç janë disa nga rrogëtarët e klanit që më përndjekin, këto të drejta më mohohen në thelb! A është e mund-shme! Sa shumë do të duhej t’i ndëshkonte ardhmëria jonë men-djet e tilla tribaliste, lokaliste, fisnore, pri-mitive, servile politike, reaksionare! Hajde e mos plas prej gazit e prej marazit!
Do të duhej të isha i shqetësuar e i dësh-përuar po të mos sulmohesha, fyhesha e quhesha ardhacakë prej një kreteni siç është ky farë Fadil Bujari dhe siç janë punëdhënësit e tij të klanit që më përndjek me vite duke vuajtur se kam ardhur në Kosovë!
5.
U botua edhe pjesa e dytë, në të vërtetë vazhdimi i dytë, i shkrimit të politikologut dhe sociologut tonë, Fehmi Agani, kundër meje. Ky vazhdim i artikullit të tij ka një ndryshim të dukshëm në krahasim me pjesën e parë: tani, në këtë pjesë, të dytë, ai ka hequr dorë nga metoda “psikanalitike” dhe është për-qendruar kryekëput në metodën politike për likuidimin tim nga jeta jonë kulturore! Sigurisht ia ka mbushur vetes mendjen se me metodën psikanalitike e ka kryer një pjesë të punës për këtë likuidim, prandaj tani, në pjesën e dytë, ka vendosur ta çojë deri në fund qëllimin: të arrijë vdekjen time politike që do të sillte vdekjen time krijuese! Në mjedisin tonë nuk flitet kot për përshtatshmërinë dhe papërshtatshmërinë moralo-politike të njerëzve. Po u shpalle i papërshtatshëm politikisht domethënë se vetvetiu je shpallur i papërshtatshëm edhe moralisht. Metoda “psikanalitike” me të cilën synohet komprometimi psikik i njeriut është metodë e vënë në shërbim të metodës politike. Pikërisht si në kohën e Stalinit në Bashkimin Sovjetik.
Nuk besoj se Fehmi Agani kësaj radhe ka pasur sukses. Në qoftë se metoda e diskreditimit psikik është treguar e gabueshme për qëllimin e tij - sepse kriter për vlerësimin e shëndetit psikik, mental të njeriut është vepra e tij, sepse, siç thotë Hegeli, njeriu është seria e veprave të veta, është e kuptueshme pse tani, në vazhdimin e dytë, i është kthyer metodës së likuidimit politik! Summa sumarum, artikulli i këtij politikologu dhe sociologu jugosllavist është dëshmi se sa lehtë dhe se sa shpejt intelektuali ynë përdor të gjitha mjetet e mundshme, madje, edhe mjetet politike, që janë shumë komprometuese për atë që i përdor, për të qëruar hesape me ata që mendojnë ndryshe! Të them sinqerisht, tamam të këtillë nuk e kisha menduar Fehmi Aganin.
Kam menduar se sjelljet e tij gjithnjë duarfërkuese e puthadorëse nuk janë të privuara prej ndjenjash demokra-tike. Por, po shihet, e kam shikuar dhe e kam kuptuar gabi-misht. Nuk e kam ngrënë një thes kripë me të, prandaj edhe nuk kam arritur ta njoh. Nuk thuhet kot se kush është kush më së miri kuptohet kur është i hidhëruar dhe kur është i dehur! Fehmi Agani e ka shkruar i hidhëruar apo edhe i dehur shkrimin “Testimonium pau-peritatis i R.Qosjes”, e ka shkruar në të vërtetë i dehur prej hidhërimit. Nuk jam i lumtur pse Fehmi Agani është hidhëruar aq shumë në mua për shkak se e kam përmendur dy-tri herë jo aq kritikueshëm në “Morfologjinë e një fushate”.
(Fragmente nga vëllimi i tretë i Ditarit të Rexhep Qosjes që do të botohet këtë pranverë)
(Standardi.info)
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Rexhep Shahu:Rexhep Qosja, i kërcënuar prej harrimit
» Rexhep Shahu:Rexhep Qosja i kërcënuar prej harrimit
» Sabit Rrustemi:FEHMI AGANI THA
» REXHEP QOSJA: Heretikët dhe inkuizitorët
» Visar Gashi: Rexhep Qosja
» Rexhep Shahu:Rexhep Qosja i kërcënuar prej harrimit
» Sabit Rrustemi:FEHMI AGANI THA
» REXHEP QOSJA: Heretikët dhe inkuizitorët
» Visar Gashi: Rexhep Qosja
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
|
|
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi