Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Rudolf Marku: Komunistët e djeshëm janë islamikë të sotëm

Shko poshtë

Rudolf Marku: Komunistët e djeshëm janë islamikë të sotëm Empty Rudolf Marku: Komunistët e djeshëm janë islamikë të sotëm

Mesazh nga Agim Gashi Tue Jul 15, 2014 1:04 pm

Rudolf Marku: Komunistët e djeshëm janë islamikë të sotëm

Rudolf Marku: Komunistët e djeshëm janë islamikë të sotëm Largea_rudilf-marku1405273227
Rudolf Marku


Rudolf Marku i vesh me një racionalitet romantik përgjigjet e veta. Ai duket, herë i pafuqishëm, e herë i mbifuqishëm, para tyre, por nuk dorëzohet kurrë. Është instinkti i pavdekshëm i Poetit që e bën të jetë i tillë. Ai jeton në Londër, por duket se Lezha, me muzgjet bregdetare dhe busullën e shpirtit që tregon Nord, nuk e ka lënë. Ashtu, i shkollës së Lezhës, e më tej i opusit të gegnishtes, e më në fund i shqipes, plotësohet e na plotëson në këto 33 përgjigje.
1- Çdo të thotë të jesh shqiptar?


Një publicist i njohur dhe i respektuar britanik, Jeremy Paxman, para ca vitesh botoi një libër me 300 faqe me titull The English, duke u përpjekur të kuptojë se çfarë do të thotë të jesh anglez. Pas treqind faqesh të shkruara me elokuencë, duke sjellë me qindra referenca historike dhe aktuale, Paxman thotë se përpjekja për të përcaktuar se çdo të thotë të jesh Anglez është një përpjekje absurde. Të njëjtën gjë do thosha dhe për përpjekjen për të përcaktuar se çfarë do të thotë të jesh Shqiptar. Po qe se do t’ia bënit këtë pyetje 5 milion shqiptarëve, jam i bindur se kishit për të marrë 5 milion përgjigje krejt të ndryshme nga njëra-tjetra.


2- A ka shenja të huaja në fizionominë shqiptare, sociale apo fizike?
Pretendimin e puritanizimit të racës dhe atë të hegjemonizimit të tipareve gjenetike, e gjejmë zakonisht te vendet e pazhvilluara dhe te vendet që kanë problem me identitetin e tyre kombëtar. Britanikët janë populli më i përzier në botë, dhe më duket se nuk u ka ardhur asgjë e keqe nga kjo. Kur flet me anglezët, gjëja e parë që kanë dëshirë të sqarojnë është origjina e tyre: një mikja ime pas dy-tri bisedave të para, më thotë se është me origjinë norvegjeze (para 8 shekujsh), një grua tjetër më thotë se është çifute e dialektit lindor (para 12 shekujsh). Madje anglezëve mund t’ua dallosh origjinën që në pamjen e jashtme, origjinën daneze, atë norvegjeze, saksone, normane, kelte. Mendoj se edhe shqiptarët, ashtu si të gjithë popujt e tjerë, kanë përzierjet e tyre. Kur kam bërë udhëtimin e parë në Turqi, shumë vite më parë, gjëja që më bëri përshtypje ishte ngjashmëria e madhe e tipareve të tyre me shqiptarët, aq sa në rrugë më bëhej të thërrisja me emër njerëzit që i ngatërroja me miqtë e mi në Tiranë. Nuk ka asgjë për t’u mërzitur, sa kohë që dhe Kryebashkiaku i Londrës, i shumënjohuri Boris Johnson, pamja e të cilit të bën të mendosh se është islandez, deklaroi se është me origjinë, nga një katragjysh, nga Konstandinopoli ( Stambolli), dhe nga e ëma gjerman!


3- Kur themi ‘qytet’ në kuptimin ‘polis’, cili prej vendbanimeve shqiptare e meriton këtë emërtim?
Nëse pyesni për qytetet e sotme, do guxoja të quaja Shkodrën, Tiranën, Durrësin (madje Durrësin në mënyrë më bindëse se Tiranen), dhe deri diku, Korçën. Nëse flasim për periudhën e parapushtimit turk, Shkodra meriton të jetë në krye të qyteteve, bashkë me Durrësin, Drishtin dhe Lezhën.
4- Prej cilës fjalë të shqipes magjepseni, e cilën nuk duroni dot?
Magjepsem nga të gjitha fjalët kur përdoren me vend. Dhe që bëhen po aq të padurueshme kur nuk përdoren me vend.


5- Gegnishtja apo standardi?
Të dyja bashkë. Gjuhen standard e mendoj si një lumë të madh, dhe gegnishten dhe toskërishten si dy përrenjtë e mëdhenj të tij. Në qoftë se përrenjtë nuk derdheshin te lumi, ai do thahej dhe do të katandisej në një kanal të mjerë. Mendësia përjashtuese krahinore ka bërë që gjuha standard shpesh herë të varfërohet e të karikaturizohet. Kur dëgjoj mënyrën e sforcuar dhe artificiale të shumë gazetarëve televizivë a të radios, më duket se dëgjoj një gjuhë të huaj të cilën nuk e kam mësuar ende.


6- Shqipëri etnike, apo kështu si jemi mjafton?
Mendoj se dy shtete paralele shqiptare është alternativa më realiste. Ne shqiptarët, për fat të keq, kemi provuar se problemi ynë më i madh është shtetformimi dhe shtetfunksionimi. Arsyet janë të shumta dhe nuk është vendi për t’i parashtruar këtu. Na duhet t’i provojmë botës, së pari aftësinë për të funksionuar si shtet ligjor, na duhet të rregullojmë shtëpinë tonë, të meremetojmë çatinë që na pikon, pastaj të mendojmë për zgjerimin e saj…A e keni vënë re se termi -Shqipëri etnike- përdoret nga ata politikanë që, pasi flasin retorikisht, kanë dhe kompleksin më të madh të inferioritetit ndaj të huajve, dhe që janë të gatshëm t’ua bëjnë jetën ferr njerëzve të vet?


7- A ka një rrezik neo-otoman për Shqipërinë?
Kohët e fundit ndoqa në kanalet televizive angleze një intervistë të gjatë me Kryeministrin turk, zotin Rexhep Erdogan. Ai tha se ‘ndjen një kënaqësi të rrallë sa herë që viziton vende myslimane, si Egjipti, Kosova, Bosnja dhe Shqipëria. Se si ndjehem, si në shtëpinë time, tha ai. Se ne myslimanët kemi diçka që vendet e krishtera nuk e kanë, vëllazërimin mysliman, solidaritetin, miqësinë dhe mikpritjen! Po qe se ndonjë kryeministër anglez, gjerman a francez do guxonte të thoshte se ndjejnë kënaqësi kur vizitojnë vende të krishtera, deklarata e tyre do të konsiderohej një skandal i ‘political correctness’ dhe një shovinizëm i krishterë. Që kur Ahmet Davoutoglu shpalli në Sarajevë ambicien e Turqisë moderne për të krijuar një shtet protektorat për popujt myslimanë të Ballkanit e të Kaukazit, do të qe një naivitet për të mos parë përpjekjet ambicioze të Turqisë për t’u bërë një Super-Power. Turqia nuk është e sigurt për anëtarësimin në BE. Asaj i duhet një kartë rezervë, dhe kjo kartë rezervë e saj është rikrijimi në format modern i neo-otomanizmit. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë janë marrëdhëniet e dy vendeve anëtare të NATO-s. Shqipëria ka dhe duhet të ketë marrëdhënie normale me shtetin turk. Por, në të njëjtën kohë duke reaguar me forcë dhe dinjitet ndaj çdo reference mohuese të kombit shqiptar. P.sh., kur Davutoglu, duke folur për multikulturalizmin në Ballkanin turk, thotë se shqiptarët dhe turqit ‘janë një komb’, nuk ke se si të mos shohësh këtu shtrembërimin me dashje të historisë. Kjo pikëpamje e shtetarëve të Turqisë moderne nuk është gjë tjetër veç një ferexhe që fsheh dëshirën për të krijuar komunitetin islamik të Perandorisë Osmane (miletin otoman apo Uma-në islamike) si një mjet për të zëvendësuar identitetin modern kombëtar. Sipas konceptit të kombit, Turqit dhe Shqiptarët nuk mund të jenë një komb. Koncepti i Erdoganit është koncepti i Perandorisë turke, sipas të cilit banorët e Perandorisë nuk ndahen e as nuk bashkohen nga etniciteti, por nga feja. Sipas kësaj, myslimanë shqiptarë, myslimanë çeçenë, arabë, kirkizianë, boshnjakë, egjiptianë, sirianë janë një etnicitet, ngaqë i përkasin religjionit mysliman. Ndërsa shqiptarët e krishterë i përkasin një etniciteti tjetër, atij roman dhe latin, së bashku me grekët, serbët, bullgarët, hungarezët…Unë nuk di një tezë më përçarëse dhe më rrënimtare se kjo për ne shqiptarët.


8- A ka pasur një rrezik anglo-amerikan për Shqipërinë?
Në të kundërt, ka patur një rrezik shqiptar kundër anglo-amerikanëve! Me siguri adhuruesit e Hoxhës kanë për të zbuluar-nëse ende nuk kanë arritur t’i zbulojnë- ca dokumente sekrete që flasin për një pushtim të mundshëm të Anglisë dhe të Amerikës nga ushtria shqiptare e komandantit legjendar Hoxha.


9- A ka një ndarje veri-jug në Shqipëri?
Veri dhe Jug janë së pari terma gjeografikë. Gjeografikisht ka një përcaktim Jug dhe Veri. Natyrisht ka veçori gjuhësore, klimatike, fetare, deri diku dhe antropologjike mes Jugorëve dhe Veriorëve. Por, janë veçori bashkuese, jo ndarëse. Diversiteti është dhe elementi më bashkuesi i materies. Ata që duan të shohin ndarjen mes Jugut dhe Veriut, apo superioritetin e Jugut ndaj Veriut, apo lartësinë e toskërishtes ndaj gegnishtes, mendoj se së pari duhet të sheshojnë ndarjet në krenat e tyre.


10- Si do e përkufizonit një toskë e si një gegë?
Kam lexuar diku se gazetari Muç Nano është specialist i kësaj fushe. Nuk ma mban të konkurroj me të në këtë fushë.


11- A po shkruhet ‘letërsi në liri’, pas vitit 1990, dhe si është ajo krahasuar me atë të shkruar nën diktaturë?
Liria është një element i lakmueshëm për qenien njerëzore. Por, liria politike dhe liria artistike nuk është e thënë që të jenë e njëjta gjë. Shpesh, vendet me lirinë më të madhe politike kanë dhe letërsinë më pak domethënëse. Zvicra nuk është se ka një letërsi me peshë. Në të kundërt, Rusia cariste me turbullirat e saj dha Pushkinin, Gogolin, Dostojevskin, Tolstoin, Çehovin; Afrika e Jugut, vitet e fundit, ka dhënë më shumë nobelistë se Anglia dhe Franca të marra së bashku.


12- Përmendi një shqiptar/e që ju frymëzon?
Skënderbeu dhe gjithmonë Skënderbeu.


13- Kontesha hungareze Geraldine Apponyi u bë Mbretëresha Geraldinë e shqiptarëve. Duke dhënë e marrë, Shqipëria e Geraldina e kanë plotësuar apo zbehur njëra-tjetrën?
Pa dyshim që e plotësojnë njëra –tjetren. Ashtu siç e plotësojnë njëri-tjetrin Hirushja dhe Princi i saj.


14- Partizani, Tirana, Dinamo, Vllaznia apo Besa?


15- Jezu Krishti, thotë Messorio, është i vetmi që e ka ndarë kohën më dysh, në para dhe pas Krishtit? Kush apo çfarë e ka ndarë më dysh kohën tuaj: para dhe pas…
Të vetmen ndarje të madhe të Kohës që pranoj është ndarja që përmendet ju, ndarja para dhe pas Lindjes së Krishtit. Personalisht më pëlqen ta quaj veten bashkëkohës me të gjithë njerëzit që kanë jetuar 2000 vjet para meje, dhe me ata që do jetojnë 2000 vite pas vdekjes time.


16- A ekziston një Shqipëri europiane dhe një orientale?
Po, mendoj se ekzistojnë dy Shqipëri : ajo europiania dhe ajo orientalja. Pohimi i së kundërtës do të qe një hipokrizi a, në rastin më të mirë, një mendjelehtësi e pafalshme.


17- Besëtytnitë: i njihni, i sundoni apo ju kontrollojnë?
Nuk i njoh dhe as që nuk më kanë shqetësuar ndonjëherë.


18- Haxhi Qamilin e kanë quajtur ‘Princ të gjurulldisë’. A është ai një gjemb në histori, dhe pse Enver Hoxha u mundua ta paraqiste lëvizjen e tij si kryengritje të vegjëlisë?
Haxhi Qamili –Princ i gjurulldisë? -Më duket një deformim semantik i fjalës-Princ. Ai më duket se përfaqëson në mënyrën më arketipale të keqen e akumuluar të pushtimit turk në vendin tonë, së bashku me mazohizmin tragjikomik të injorancës. Në termat moderne, do të mund të quhej një telabanist. Haxhi Qamili mbetet një tipologji, dhe për fat të keq, tipologjia e tij përsëritet në forma të ndryshme tek ne, në historinë e mëvonshme, herë në formën e Diktatorit Komunist, e herë në figurat politike dhe publike të hapësirave shqiptare. Adhurimi i Hoxhës për Haxhi Qamilin është shenjë e narcisizmit të diktatorit shqiptar, adhurimi për një alterego të vetin.


19- Komunizmi është në kundërshtim me natyrën njerëzore, thotë Ernest Renan. Po ju?


Leszek Koɫakovski e ka quajtur Komunizmin ‘përfaqësuesja e supremacisë së gënjeshtrës’. Është ideologjia totalitare që i ka sjellë dëmet më të mëdha njerëzimit. Komunizmi ka qenë mitokraci, logokraci dhe hierokraci njëherësh. Ai ka mohuar të shenjtën nëpërmjet shenjtërimit të politikës, ka mohuar religjionin tradicional duke e zëvendësuar me religjionin e ri të revolucionit dhe me religjionin e dhunës. Komunizmi është forma më e përsosur e fondamentalizmit politik. Nuk është e rastit që komunistët e djeshëm janë përkrahësit më të zjarrtë të fondamentalizmit islamik të sotëm.


20- ‘Mbahu nëno mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë’…premtim romantik apo përshkruese e rolit të Diasporës në jetën e Shqipërisë?
Është një varg nga poezia më e parëndësishme e Nolit. Noli e shkroi këtë poezi për ta lexuar në një mbrëmje të Komunitetit shqiptar për të mbledhur para për Shqipërinë, një lloj Charity Event. Besoj se ky varg duhet marrë vetëm në këtë kontekst, se nuk mund të mbajë më tepër se kaq.


21- Feja e shqiptarit është shqiptaria! A është një kredo e tejkaluar?
Jam në një mendje se është kredo e tejkaluar.


22- Për këtë diell! Për ideal të Partisë! Për nder të familjes! Për Shqipëri apo, për Zotin?
E kemi parë se si komunizmi ateist ishte një ideologji mesianiste, eskatologjike, sekulare. Zoti ekziston pa Shqipërinë, por kjo e fundit nuk mund të qëndrojë në këmbë pa idenë dhe besimin tek Zoti. Ai që nuk beson te Zoti, nuk beson në asgjë, rrjedhimisht as tek ideja e Atdheut.


23- Tradita dhe folklori shqiptar njohin pritën dhe jo duelin. Pse?
Dueli ka ekzistuar në traditën shqiptare. Këngët e Kreshnikëve janë të mbushura me duelet e luftëtarëve. Gjergj Elez Alia shkon në duel me Bajlozin e Zi. Muji po ashtu. Halili po ashtu. Prita më duket një apendiks i mëvonshëm, një shtresëzim oriental i mëvonshëm.


24- Duket se të gjithë e përdorin Kanunin si strehë: ca për të përligjur një veprim gjakatar e ca për të përkufizuar një impas social që nuk arrijnë ta shpjegojnë. A mund të jemi më pak kanonikë ndaj Kanunit?
Ne fajësojmë këmbën që vret këpucën, dhe jo këpucën që vret këmbën. Kanuni nuk mund të fajësohet për krimet dhe vrasjet që bëhen në emrin e tij. Në vitin 1996, kam qenë i ftuar në gazetën “New York Times”. David Bander, gazetar që mbulonte Ballkanin, dhe njohës i mirë i Shqipërisë, për të treguar respektin e vet, kishte vendosur në tavolinën e punës një flamur shqiptar dhe një kopje të Kanunit të botuar në SHBA, në përkthimin e Leonard Fox. Më thotë: Kam dëgjuar se ju shqiptarët po kaloni në Parlament ligjin e Mass Medias. Dhe se keni marrë si model ligjin gjerman. Po si nuk ju shkon ndërmend se ligjin e Mass Medias e keni në Kanunin tuaj? E pashë me mosbesim. Por ai, duke vënë re skepticizmin tim, shfletoi Kanunin deri sa gjeti atë që kërkonte. Lexoi nga Kanuni: Lajmësi nuk është fajtor për lajmin e keq që sjell. Dhe shtoi- Ky nen i Kanunit tuaj është ligji më elokuent, më i saktë dhe më i ngjeshur i Mass Medias. Kurse ne shqiptarët nuk duam të shohim asgjë pozitive tek Kanuni. Përse? Kompleksi i inferioritetit, provincializmi për të besuar se të gjitha të këqiat ndodhin vetëm në shtëpinë tonë, si dhe ai atavizmi komunist për ta parë Kanunin si simbol i prapambetjes së Veriut, dhe atavizmi më i hershëm i urrejtjes së Turqisë kundër katolicizmit shqiptar.


25- Çfarë ju ndodh kur bëheni konician e mendoni ‘ky vend nuk bëhet’?
Gjithmonë kam besuar dhe besoj se ky vend dikur do bëhet. Çështja është se-Kur? Këtu dhe fillon dhe skepticizmi im konician.


26- Kur dëgjoni ‘o sa mirë me qenë shqiptar!’ sikletoseni apo rrëqetheni?
Thjesht qeshem. Retorika nacionaliste e turmave është më pak e fajshme nga retorika tribunale e politikanëve.


27- Kriza e zgjatur, ka bërë që në aula të ndryshme të formulohet ideja se kapitalizmi si rend ka dështuar, dhe nuk mund të kërkohet dalje nga kriza me mjetet e një sistemi që e solli krizën. A jemi në një botë pa rend shoqëror, por me ndarje të thella klasore?
Kapitalizmi është sistemi më i keq i qeverisjes, sa kohë që njerëzimi nuk kanë arritur të gjejë një sistem më të mirë. Po të perifrazoj Winston Churchill, kriza për të cilën e keni fjalën ju, nuk është fundi. Madje nuk është as dhe fillimi i fundit të sistemit. Ndoshta është fundi i fillimit.


28- Një teolog e ka përkufizuar besimin e tij në Zot si zgjedhje të misterit në vend të absurdit, që do të ishte mosbesimi. Ju jeni në mister apo absurd?
Çdo gjë, për fatin tonë të mirë, është mister. Them-për fatin tonë të mirë-, sepse misteri na jep atë sensin e mahnitjes, që është tharmi i poezisë, i artit, por dhe i shkencës dhe i kërkimit të përjetshëm. Mendoj se çdo minutë e jetës sonë është një mister i pafundmë. Fundi i botës vjen kur njerëzit do mendojnë se nuk ka mbetur asnjë mister për t’u zgjidhur a për t’u zbuluar. E njëjta gjë siç ndodh dhe me dashurinë.


29- Fan Noli dhe princi gjerman von Wied kanë qenë më jetëshkurtrit në pushtet ndër ata që kanë qeverisur Shqipërinë. A ka një shpjegim për këtë?
Cometh the hour, cometh the man! Në rastin e von Wied dhe në rastin e Nolit, mund të themi se Cometh the minute, cometh the man! Sidoqoftë, me aq pak kohë që qëndruan në pushtet, të dy arritën të lënë impaktin e tyre në historinë e Shqipërisë.


30- 1913, 1939, 1944, 1997…cilin konsideroni ‘Vit të mbrapshtë’ për shqiptarët?
Që të gjithë janë vite të mbrapshta, njëri më i mbrapshtë se tjetri, gjë që provon se e keqja ndër ne shqiptarët është më jetëgjatë se në vendet e tjera. Dhe është ciklike. Por dhe vetë e keqja ka hierarkinë e vet. Më të keqen dhe më fatalen konsideroj vitin 1944.


31- Ka një alarm rreth ekzistencës së shtypit të shkruar. A do dhe si mund të mbijetojë?
Mendoj se shtypi i shkruar do ekzistojë sa kohë që do ekzistojnë librat, gjuha e shkruar, etja njerëzore për të lexuar.


32- Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur të bëni dhe kujt?
Më mjaftojnë pyetjet që i bëj vetes time.


33- Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur t’ju bëjnë?
A keni dëshirë që t’ju pyesim? Ngase përgjigjja është fare lehtë e kuptueshme.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi