Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Argëtim:Enver Robelli: “Daja Rrah“ dhe “Zeq Uji“

Shko poshtë

Argëtim:Enver Robelli: “Daja Rrah“ dhe “Zeq Uji“ Empty Argëtim:Enver Robelli: “Daja Rrah“ dhe “Zeq Uji“

Mesazh nga Agim Gashi Sun May 17, 2009 12:57 pm

“Daja Rrah“ dhe “Zeq Uji“

Nga Enver Robelli
Kur i emërojnë firmat ose rrugët e tyre, kosovarët kanë një fantazi të pakufishme
Qyteti i Ferizajt është vetëm njëri nga shembujt e shumtë në Kosovë se si nuk duhet shkruar emrat e rrugëve. Disa prej tyre janë pagëzuar me emra të personaliteteve të rëndësishme të politikës amerikane si shenjë falënderimi për kontributin e tyre në largimin e (pu)shtetit serb nga Kosova në vitin 1999. Duket se në Ferizaj pushtetarët dhe opozitarët, pra të gjithë ata që merren me zejen e politikës, por edhe të tjerë të interesuar për të, mendojnë se borxhi ndaj Amerikës është i përhershëm, madje ky borxh rritet edhe nga shkaku se afër qytetit gjendet një ndër punëdhënësit mbase më të mëdhenj në Kosovë, baza ushtarake “Bondsteel”.
Rrjedhimisht, më shumë se në qytete të tjera të Kosovës rrugët e Ferizajt bartin emra gjeneralësh, ministrash dhe diplomatësh amerikanë. Edhe kryeqyteti i SHBA-së është nderuar me një sokak, natyrisht me “Uashington“ dhe jo “Washington“, siç e njeh gjithë bota, përveç gjuhëtarëve të mendësisë komuniste në Prishtinë dhe Tiranë, të cilët, të mbështetur në linguistikën ruse dhe jugosllave, kërkojnë që toponimet në gjuhën shqipe të shkruhen ashtu siç shqiptohen.
Kështu në Ferizaj ka rrugë me emrin “Uliam Vokeri“ (mendohet në William Woker-in, ish-shef i misionit monitorues të OSBE-së në Kosovë në vitet 1998/99) dhe “Uesni Clark“ (fjala është për Wesley Clark, ish-komandant i NATO-s gjatë intervenimit kundër Serbisë në vitin 1999). Në rastin e gjeneralit Clark emri është shkruar fund e krye gabimisht, sepse ai jo vetëm që shkruhet ndryshe në origjinal, por edhe shqiptohet ndryshe (Vesli, jo Uesni). Ka munguar vetëm pak fantazi që oficeri amerikan të bëhej “Hysni Clark“ apo “Hysen Clark“.Shembuj të tillë sigurisht ka edhe në qytetet e tjera të Kosovës. E sa u përket emrave kuriozë, Ferizaj, në krahasim me qytetet e tjera, ka një përparësi: mbase askund në Kosovë nuk mund të gjeni restorant me emër, me ambient dhe me kuzhinë më të veçantë se “Ahmet Gjyla“.
Shitorja “Najsen“
Në zejet e tjera kosovarët kanë, pa asnjë fije dyshimi, një shije të çuditshme dhe një fantazi të pakufishme për t’i emëruar/pagëzuar firmat, ndërmarrjet, punëtoritë e tyre. Për shembull në Kosovë mund të gjeni firma ndërtimore me emrin “Daja Rrah“. Pastaj mund të ushqeheni në qebaptoret “Higjiena“, “Te Shabani“, “Pavarësia”, “Te kaftori”, “Te qebapi”.
Mund të blini vegla të hekurit “Te Ekremi”. Mund të luani lojëra në kompjuter “Te Zyma”. Mund të pini çaj në çajtoren “Skënderbeu”. Nëse keni ndonjë defekt në veturë, shkoni te autopjesë “Japani”. Pastaj shkoni te automekanik “7 Vllezërit”. Po patët probleme me furnizim me ujë – ndihmë mund të kërkoni te ndërmarrja për shpimin e puseve “Zeq Uji”.
Nëse jeni të uritur, atëherë mos përtoni dhe shkoni te hamburger “Te Daja”. Kur doni të blini diçka, ndaluni te shitorja “Najsen”. Nëse nuk dini të drejtoni veturën, vraponi te autoshkolla “Simpatia”. Nëse dëshironi të rregulloni varrin e ndonjë të afërmi, atëherë shkoni te firma “Ali Vorri”. Nëse keni qejf të ushqeheni si të doni, atëherë shkoni në Prizren, atje ju mirëpret gjellëtorja “Punë për mu”. Për desert shkoni në ëmbëltoren “Pehlivani”. Me nam duket të jetë edhe një qebaptore në Gjakovë, ajo quhet: “Baba tym”. Nëse jeni femër dhe nëse keni ambicie të zbukurimit, atëherë shpëtimin e gjeni te salloni i ondulimit “Dy kunatat”. Për ditëlindje të ndonjë miku mund të blini lule në lulishten “Pavarësia”. Një lokal që i ngjan një shtëpie publike quhet “D... & D...” (emrat e fëmijëve të pronarit). Diku në Kosovë punon edhe një mishtore “Fruktus”. Pemë më kot do të kërkoni këtu.Nëse keni vizë për shtetet evropiane, nëse keni pak para dhe kohë të lirë, atëherë në shërbimin tuaj do të jetë agjencia turistike “Burgia”.
Birrë për lopë
Sa u përket shteteve evropiane: shumica e firmave në këtë pjesë të globit bartin emra joqesharakë, por ka toponime, të cilat gjithsesi janë gazmore. Për shembull në kantonin Wallis të Zvicrës gjendet katundi Bitsch (lexo: Biç). Në anglisht fjala Bitch domethënë “kudër”, “bushtër” dhe përdoret si emërtim fyes ndaj një femre të përdalë. Po në Wallis gjendet edhe katundi Filet (që domethënë filetë, pra copë mishi). Në Gjermaninë Veriore ndodhet fshati Kuhbier (Kuh=lopë; Bier=birrë). Si të përkthehet në shqip ky toponim? Lopëbirrë? Apo Birrëlopë? Sidoqoftë, banorët e Kuhbier zakonisht janë esëll. Një emër tjetër që pothuaj çdokënd e bën të qesh është fshati Hundeluft në Gjermaninë Lindore (Hundeluft domethënë ajër për qen). Në këtë kategori hyn edhe katundi Affendorf (fshati i majmunëve), po ashtu në Gjermani. Në këtë vend gjenden edhe katunde si Sexau (përkthimi në shqip i panevojshëm), pastaj Schlangen (gjarpërinjtë), Sorge (shqetësim), Leichendorf (fshati i kufomave), Hanf (konop, marihuanë), Katzenhirn (tru i maces), Drogen (drogat), Elend (mjerim), Venusberg (kodra, mali i Venusit), Regenmantel (pallto shiu). Edhe dy shembuj nga Gjermania Veriore: Benzin (benzinë) dhe Oha.
- Oha themi edhe ne në fund të kësaj kolumne. Bota është gazmore!
PS. Falënderoj koleget dhe kolegët e shumtë që spontanisht postuan në Facebook emra të veçantë, shpesh edhe të çuditshëm të firmave kosovare. Autorësinë e kësaj kolumne e ndaj me ta dhe me shijen e tyre për humor.
Koha Ditore
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi