Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Hapet zyrtarisht tuneli i bashkimit kombëtar

Shko poshtë

Hapet zyrtarisht tuneli i bashkimit kombëtar Empty Hapet zyrtarisht tuneli i bashkimit kombëtar

Mesazh nga Agim Gashi Sun May 31, 2009 8:43 pm

Hapet zyrtarisht tuneli i bashkimit kombëtar



Hapet zyrtarisht tuneli i bashkimit kombëtar --thaci-berisha
Kryeministri Berisha: Nuk ka male, nuk ka pengesa, nuk ka asgjë që mund ta ndaje, jo vetëm shpirtërisht, por as fizikisht, këtë kombKryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, ka vlerësuar në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, se hapja e tunelit të Kalimashit është pjesë e realizimit të një prej ëndrrave më të bukura të shqiptarëve, duke thënë se ky është tuneli i bashkimit të kombit, i cili dëshmon se nuk ka male dhe as pengesa që mund të ndajnë shpirtërisht e as fizikisht kombin shqiptar.

- Kryeministri Berisha: Tuneli i Kalimashit, kryevepra që bashkon kombin
- Kryeministri Thaçi: Rruga Durrës-Kukës është rruga e shpresës, besimit, e punës dhe zhvillimit
Sot, Kryeministri Berisha, së bashku me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, Ministrin e Jashtëm Lulzim Basha, Ministrin e Punëve Publike, Transporteve dhe telekomunikacionit Sokol Olldashi, Ministren e Integrimit Majlinda Bregu, si dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar dhe drejtues të pushtetit lokal mori pjesë në inaugurimin e tunelit Thirrë-Kalimash, një pjesë e rëndësishme e segmentit Rrëshen- Kalimash, në rrugën Durrës-Kukës.
Kryeministri Berisha shembi në mënyrë simbolike murin e fundit ndarës, të tunelit, për tu takuar në anën tjetër me Kryeministrin kosovës Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendës/kryeministri Hajredin Kuqi, Ministri i jashtëm Skënder Hyseni, Ministri i Transporteve Fatmir Limaj, anëtarë të qeverisë, e deputetë të parlamentit të Kosovës.
Pasi përshkuan tunelin, të dy kryeministrat, dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, në prani të qindra qytetarëve vendas dhe atyre të ardhur nga Kosova.
Më tej të dy kryeministrat u shprehën:Hapet zyrtarisht tuneli i bashkimit kombëtar ++ber-
Kryeministri Berisha: Zoti kryeministër i Kosovës Hashim Thaçi,
Zonja Kryetare e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli,
Të nderuar ministra, parlamentarë, qeveritarë vendorë të Shqipërisë dhe Kosovës,
Të dashur miq, zonja Ajzenhauer, mbesë e gjeneralit liberator të Evropës, të Presidentit të SHBA-ve, ikonës së ndershmërisë dhe përkushtimit të kombit të tij, Dvajt Ajzenhauer, mike e çmuar e kombit shqiptar,
I dashur ambasadori Walker, heroi ynë kombëtar,
I dashur miku im Sharik Tara, zonja Tara, Sinan Tara, të nderuar përfaqësues të lartë të Kompanisë Bechtel Enka,
Qytetarë dhe qytetare të mbarë Shqipërisë!
“Së pari dëshiroj tu përshëndes të gjithëve përzemërsisht, të ndaj me ju gëzimin e madh të shndërrimit sot në këtë moment të një ëndrre gjithëshqiptare në realitet. Sot ne përjetuam këtu realizimin e njërës prej ëndrrave më të bukura të shqiptareve, përjetuam shembjen, jo të një muri , por të një mali, përjetuam shembjen, jo të një muri, por të pamundësisë. Sot ne inauguruam së bashku me Kryeministrin e Kosovës, me ju zotërinj ministra, zonja Kryetare, miq të dashur, tunelin e Kalimashit, një nga kryeveprat në fushën e ndërtimit në Evropë dhe më gjere. Ky tunel para së gjithash është tuneli i bashkimit të kombit. Sot ne vendosëm se nuk ka male, nuk ka pengesa, nuk ka asgjë, që mund ta ndaje, jo vetëm shpirtërisht por as fizikisht këtë komb. Sot ne inauguruam tunelin që bashkon jo vetëm shqiptaret, por inauguruam tunelin që me shërbimet që ofron në fushën e transportit dhe të qarkullimit, bashkon më shumë shqiptarët, me kombe të tjera të rajonit, maqedonasit, serbet, bullgarët dhe të gjitha kombet e këtij rajoni. Sot, ne inauguruam tunelin , i cili do të bëjë që brigjet e Shqipërisë, portet e saj, tu shërbejnë jo vetëm shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë, por tu shërbejë të gjitha kombeve te rajonit. Në të vërtetë tuneli mund të kishte shumë emra. Miku im Sharik Tara me thotë mbrëmë në darkë, se ky tunel është tuneli i miqësisë. I dashur Sharik, ke 20 vjet që vjen në këto vende. Të kanë sjellë këtu rrënjët e tua të hershme , por dhe dashuria e madhe, jo vetëm për shqiptarët, me të cilët ti je i lidhur me shumë rrënjë dhe fije, por dhe të fqinjëve dhe kombeve të tjera përreth. Kam një kënaqësi të madhe miku im, se ti sot me Bechtelin, me nje nga kompanitë lider botërore në fushën e ndërtimit, u shndërron shqiptareve dhe jo vetëm shqiptarëve, një ëndërr të madhe në realitet. Tuneli është një vepër e kushtueshme, por dua të theksoj se për një komb dhe njerëz kohëhumbur sic jemi ne, çmimi i kohës është çmimi i të gjitha çmimeve, ndaj dhe ky tunel kushton shumë më pak, se sa koha e kalimtarëve nëpër të, në një vit të vetëm.
Tuneli ka qenë i vështirë dhe i kushtueshëm , por çmimi i tij është dhjetëra e qindra herë më i vogël, se vlera e tij e madhe morale, se bashkimi që sjell midis njerëzve, se shërbimi që iu bën njerëzve dhe qytetarëve, si dhe dalja në det që i jep Kosovës, dalja në det që i jep jo vetëm Kosovës, por dhe fqinjëve të saj.
Unë dua ta mbyll fjalën time me disa mirënjohje dhe falënderime të veçanta. Se pari një falënderim dhe mirënjohje të madhe dua tu bëj të gjithë punonjësve , inxhinierëve teknikëve të kompanisë Bechtel-Enka , të cilët realizuan këtë projekt , këtë tunel, në kohë rekord, sollën këtu në këto male dhe gryka teknologjitë më të larta bashkëkohore, disiplinën më të lartë, ekspertizën më të thellë. Ne ju mbetemi mirënjohës juve. Ju do të jeni pjesë e historisë sonë, e përpjekjes sonë për zhvillim dhe modernitet.
Dua të shpreh mirënjohje të thellë ndaj ministrit Basha, ministrit Olldashi, të cilët me një përkushtim të jashtëzakonshëm ndoqën zbatimin e këtij projekti, zbatuan porositë e Kryeministrit dhe të qeverisë dhe sot projekti është realitet.
Dua të falënderoj të gjithë punonjësit e administratës, të cilët me përmbushjen e detyrimeve të tyre, bënë të mundur këtë kryevepër të shqiptareve. Sot Kim Mehmeti më dërgoi një mesazh në të cilin më shkruante se kjo pothuaj është mrekullia shqiptare. Edhe unë jam dakort me Kim Mehmetin.
Dua të falënderoj Parlamentin për mbështetjen e madhe që i dha projektit, të falënderoj miqtë e mi kudo në botë të cilët, më kanë inkurajuar shumë për realizimin e këtij projekti të madh. Dua tu falënderoj, Ju William Walker, që je sot midis nesh dhe ju zonja Ajzenhauer.
Unë do ta mbyll fjalën time me një zotim, se pas këtij tuneli dhe këtij korridori qeveria ime nuk do të lerë mal pa shembur, nuk do të lerë asgjë pa bërë, në mënyrë që shqiptareve tua japim Shqipërinë në pëllëmbë të dorës. Edhe njëherë gëzuarHapet zyrtarisht tuneli i bashkimit kombëtar ++tha-
Kryeministri I Kosovës Hashim Thaçi: I nderuari kryeministër i Shqipërisë, zoti Sali Berisha,
E nderuara kryetare e Kuvendit të Shqipërisë Topalli,
Të nderuar ministra, zëvendësministra, deputetë të dy qeverive e kuvendeve tona,
I nderuari ambasador Walker,
Sot, këtu në Kalimash, sjell për ju, i nderuari Kryeministër Berisha, mesazhet e përgëzimet të qeverisë së Kosovës, të institucioneve të saj , të gjithë popullit të Kosovës për këtë kryevepër.
Sot është një ditë madhe për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë. Sot është një ditë e madhe dhe shumë e rëndësishme edhe për mua personalisht, sepse ekziston një lidhje shumë e fuqishme mes këtij rrugëtimi dhe lirisë së Kosovës. Janë të shumta dhe të pallogaritshme rastet, kur unë dhe bashkëluftëtarët e mi, me orë të tëra, në shi, në borë dhe në acar, e bëmë këtë rrugë, në këmbë, për lirinë e vendit. Që sot, Kosova dhe Shqipëria, Tirana dhe Prishtina janë si kurrë ndonjëherë më pranë njëra tjetrës dhe do të afrohen dhe më tepër. Tirana dhe Prishtina janë si kurrë ndonjëherë pranë njëra-tjetrës dhe kështu do të jemi përgjithmonë.
Pa dyshim, një element qendror i kësaj afërsie shpirtërore, fizike dhe materiale është liria dhe pavarësia e Kosovës, vetë shteti i Kosovës. Pavarësia e Kosovës i jep kësaj rruge dimensionin e plotë të afrimit, është vetë kuptimi i autostradës. Kjo rrugë është dalja e Kosovës në det.
I nderuari kryeministër, ne kemi qene të ndarë në shekuj , por kurrë nuk kemi qenë larg njeri-tjetrit. Gjithmonë kemi punuar për tu afruar, gjithmonë kemi sakrifikuar për tu afruar dhe ja, erdhi dita, Kosova është e pavarur, Shqipëria në NATO dhe sot ndërtojmë autostrada. Dhe unë e di, siç e dini të gjithë ju se kurrë më, të rinjtë tanë, as të Shqipërisë dhe as të Kosovës nuk do të ecin më në këmbë, nëpër baltë, fshehurazi dhe me tmerrin e frikës, për të bërë këtë rrugëtim të lirisë dhe zhvillimit të vendeve tona. Na ka ndarë historia, na ka ndarë padrejtësia. Na ndanin bjeshkët, malet e thepisura, dhe muret. Sot të gjitha këto pengesa janë zëvendësuar me punë, me vullnet, me ideal, me vizion, duke u shndërruar në dhjetëra e dhjetëra ura dhe tunele komunikimi.
Prandaj, i nderuari Kryeministër i Shqipërisë, zoti Sali Berisha, Ju përgëzoj në emër të Kosovës, popullit të saj, për këtë punë kolosale, për këtë kryevepër, ju përgëzoj ju personalisht, qeverinë tuaj dhe popullin shqiptar. Përveç dëshirave, ëndrrës për integrim kombëtar dhe euroatlantik, kjo rrugë do të mbartë ide, mallra, rritje ekonomike për të dy vendet tona. Kjo rrugë do ti japë shtytje zhvillimeve të shumanshme të dy vendeve tona.
I nderuari kryeministër i Shqipërisë, zoti Sali Berisha. Si kryeministër i qeverisë së Republikës së Kosovës, zotohem se për një kohë shumë të shkurtër, kjo rrugë do të vazhdojë tutje, Vermicë, Prizren, dhe në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.
Bashkërisht kemi thyer perandori e pushtues, e do të thyejmë edhe male e bjeshkë që na dalin përpara. Kjo është autostrada e shpresës, e besimit, e punës dhe e zhvillimit të shqiptarëve. Kjo është historia jonë. Kjo është rruga e integrimeve kombëtare dhe euroatlantike, rruga e shekullit te ri. Kjo është rruga e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit.
Faleminderit, urime dhe suksese ju dhe të gjithë shqiptarëve.”

Hapet zyrtarisht tuneli i bashkimit kombëtar ----kalimash
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Hapet zyrtarisht tuneli i bashkimit kombëtar Empty Fundi i emocioneve të trishta të ndarjes së shqiptarëve

Mesazh nga Agim Gashi Mon Jun 01, 2009 5:00 pm

Fundi i emocioneve të trishta të ndarjes së shqiptarëve

Hapet zyrtarisht tuneli i bashkimit kombëtar May-31-20-55-53fotokryesore1

KM Berisha e KM Thaçi, duke dalë nga tuneli Thirrë-Kalimash 31-05-2009
Hapet zyrtarisht tuneli i bashkimit kombëtar May-31-20-52-52fotokonf
Kryeministri Berisha dhe Kryeministri i Kosovës Thaçi, në konferencën e përbashkët për shtyp, pas inaugurimit të tunelit Thirrë-Kalimash 31-05-2009

Hapet zyrtarisht tuneli i bashkimit kombëtar May-31-20-29-10fotoberisha-thaci

Kryeministri Berisha dhe Kryeministri i Kosovës Thaçi gjatë takimit ne tunelin Thirrë-Kalimash, pas shembjes simbolike të murit të fundit ndarës të këtij tuneli 31/05/2009
Hapet zyrtarisht tuneli i bashkimit kombëtar May-31-20-27-14foto5
Moment pune nga shembja simbolike e murit të fundit ndarës të tunelit Thirrë-Kalimash 31/05
Arbnora Dushi
Sot kur lidhja e Kosovës me Shqipërinë, nëpërmjet autostradës Durrës-Kukës, po bëhet realitet, kur shqiptarët këndej dhe andej kufirit po lidhen me ura dhe rrugë lidhëse, kur malet po hapen dhe po bëhen "fusha", mua më ngacmojnë kujtimet e trishta të fëmijërisë. E ndiej të nevojshme të shpreh historinë e gjyshes sime, e cila sigurisht se është vetëm njëra nga mijëra historitë e njerëzve që kanë jetuar në zonën kufitare me Shqipërinë dhe me këtë të shpreh edhe rëndësinë e çmueshme të kësaj rruge. Gjyshja ime, e lindur në Gjakovë, kur ishte vetëm dyvjeçare, i ati i saj, si tregtar që ishte, për një jetë më të mirë ekonomike kishte vendosur që të gjithë si familje të transferoheshin në Kukës. Kukësi në atë kohë i përkiste pothuajse të njëjtit regjion administrativ si edhe Gjakova. Duke qenë se dy qytetet veriore të Kosovës ishin larg nga Kukësi për më pak se një orë, kur të dy bijat e kishin arritur moshën e martesës, i kishte martuar njërën në Prizren dhe tjetrën në Gjakovë, prej nga edhe kishte marrë dy nuse për dy djemtë e tij që jetonin në Kukës. Kjo lidhje e ngushtë miqësie me Kosovën, për kohën kur nuk ekzistonte kufiri politik që do të ndajë më vonë shqiptarët, ishte diçka e rëndomtë, e zakonshme dhe shumë lehtë e konceptueshme. Viti famëkeq 1948, kur do të vihet kufiri politik, do të gjejë nënën e gjyshes sime në Prizren që kishte shkuar mysafire tek e bija. Ajo me të dëgjuar se po mbyllej kufiri, kishte gjetur një mjet transporti dhe shpejt kishte ikur me arsyetimin "mos t'iu nxjerrë telashe djemve për me ardhë me m'marrë". Kam dëgjuar se ka pasur njerëz, që në raste të ngjashme kanë mbetur dhe nuk kanë arritur të shkojnë në shtëpitë e veta për afër dyzet vite me radhë, sa ka ekzistuar ky kufi. Që nga kjo kohë do të fillojnë përpjekjet e mëdha dhe të vazhdueshme të shqiptarëve për t'u lidhur me familjarët e mbetur matanë kufirit. Do të ballafaqohen me metodat më të ndyra dhe më poshtëruese të pushtetarëve të asaj kohe, kur shqiptarët e Kosovës shkonin për të marrë viza për Shqipërinë në Beograd. Me qindra herë u refuzohej kërkesa për vizë, kur ata aplikonin që të merrnin pjesë në varrim të prindërve që u vdisnin në Shqipëri, apo të vëllezërve e motrave të tyre. Pos që bënin jetë të ndarë nga ta me vite, nuk arrinin t'u qëndronin pranë as në momentet e fundit të jetës. Ndonëse kam ardhur në jetë më shumë se njëzet vite më vonë, kam arritur të zë mjaft nga kjo periudhë famëkeqe e ndarjes. I kam shumë të freskëta momentet kur gjyshes sime i vinte letër nga vëllezërit dhe kur e tërë familja tuboheshim të dëgjonim atë të lexonte, kur qanim dhe dënesnim të gjithë pa bërë zë. Ata i shkruanin për të rejat në shtëpi, për lindjet e fëmijëve të tyre, për shoqet e saj që pyesnin për të, i shkruanin për lindjet, martesat dhe vdekjet e të njohurve të tyre. Unë pa i parë kurrë ata njerëz, të gjithëve u dija emrat, u dija moshën dhe dija për lidhjet e tyre farefisnore. Njësoj u shkruante edhe gjyshja ime vëllezërve të vet dhe gjithmonë e falënderonte të atin që e kishte dërguar në shkollë të mësonte shkrim e lexim, që tani po mund t'u shkruante vetë letra dy vëllezërve të saj. Ditë feste në familje ishte dita kur ishim marrë vesh (me letra gjithashtu) me familjarët në Kukës që të dilnin, ne këndej kufirit dhe ata andej, vetëm që të shiheshim. Përgatiteshim për këtë ditë me javë të tëra, i vishnim rrobat më të reja dhe emocionalisht ndiheshim shumë të ngazëllyer. Këtë ngazëllim e ndiej edhe sot kur e bëj rrugën Prizren - Morin. Shfaqeshim ballë për ballë me familjarët tanë matanë kufirit, gjithmonë me një distancë afër njëzet metra, me kufitarët e armatosur të të dy anëve që na qëndronin në mes, por që ne duke i parë dhe duke na parë anëtarët e familjes së ndarë, lehtësoheshim se ata janë shëndoshë dhe se po bënin jetë normale. Për gjyshen time ky moment takimi, apo më mirë shikimi se ne vetëm shikoheshim me ata, ishte i papërshkrueshëm dhe e mbaj mend se e fliste për kohë të gjatë. Pasiqë të ktheheshim në Gjakovë, vinin shumë njerëz, burra e gra me fate të njëjta të ndarjes së familjes, ta takonin gjyshen time dhe ta pyesnin për shëndetin e familjarëve të saj. E kujtoj një rast tjetër, kur daja i nënës sime, pra vëllai i gjyshes sime, pas vite e vite pamundësie për t'u takuar me motrat, duke e parë veten që po moshohej, e kishte incizuar zërin e vet në një kasetë magnetofoni me kujtime të tij, me këngë (e kishte zërin shumë të bukur) e rrëfime të situatave të tij emocionale që lidheshin me Gjakovën, miqtë e kujtimet e tij të fëmijërisë, dhe u kishte dërguar motrave për kujtim. Gjyshja ime e dëgjonte pothuajse çdo ditë zërin e tij në manjetofon. Unë ende i di këngët që i këndonte dhe zëri i tij më kumbon në vesh. Momente shumë të veçanta ishin rastet kur vinin të njohur të tij dhe të gjyshërve të mi, dhe ndonëse dhoma e madhe e mbushur plot, askush s'pipëtinte e dëgjohej vetëm zëri i dajës nga Kukësi që i përshëndeste me zërin e tij "Motrat, miqtë dhe të gjithë dashamirët në Gjakovën time", siç thoshte ai. Momentet e mallëngjimit në këtë rast ishin të papërshkrueshme. Lotët e mallit ishin gjithmonë të pranishëm në këto takime. "Na ka djegë malli për Shqipninë", është shprehje që e kam dëgjuar shumë shpesh nga njerëzit që kishin pasë këtë fat. Rrëfime për fatet e këtilla të rënda që i ka shkaktuar historia politike, shqiptarët kanë me qindra e mijëra. Secili njeri me fatin e vet është rrëfim në vete, secila familje është histori në vete. Kufiri politik që i ndau shqiptarët për afër katër dekada prodhoi historinë e dhembshme të kombit të ndarë shqiptar, dhe bëri që shqiptarët duke qenë i njëjti popull të jetojnë nën dy pushtete të ndryshme politike dhe prandaj sot për çështjen e njëjtë siç është çështja e njësisë kombëtare, të rezonojnë në mënyra të ndryshme, herë edhe kundërshtuese. Padyshim që këtë kundërshti e prodhoi historia e veçuar, e prodhoi jetesa e ndarë e kombit, e cila i bëri vend idesë së veçimit, ndarjes. E sot kur e shoh se lidhja e shqiptarëve po bëhet realitet, se në Tiranë do të mund të shkojmë dhe të kthehemi brenda ditës, e ndjej se shprehja e atëhershme e gjyshes sime, "Kukësi është pas atij mali, por është e ndaluar të shkohet atje" tani do t'i mbetet historisë dhe studiuesve e do të shënojë vetëm të kaluarën famëkeqe të shqiptarëve. Rruga Durrës-Kukës duke i dhënë mundësi kontakteve, lëvizjes së lirë dhe e komoditetit të kësaj lëvizjeje brenda hapësirës shqiptare, duke i dhënë mundësi njohjes fizike të zonave më të skajshme në Kosovë dhe në Shqipëri, do t'i japë mundësi njohjes më të thellë të mentaliteteve regjionale e lokale, dhe kjo do të rezultojë me pranimin e veçantive të njëri tjetrit, të shqiptarit të Kosovës dhe të shqiptarit të Shqipërisë. Do të rezultojë në idenë se shqiptari është shqiptar kudo që të jetojë. Mundësia e kontakteve do të çojë në rrafshimin e dallimeve dhe në forcimin e idesë së njejtësisë kombëtare. Kjo është vetëm çështje kohe. Fatmirësisht që pengesa të tjera më nuk kemi dhe nuk do kemi më as edhe emocione të trishta që prodhojnë ndarjet e dhunshme.
vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Hapet zyrtarisht tuneli i bashkimit kombëtar Empty Re: Hapet zyrtarisht tuneli i bashkimit kombëtar

Mesazh nga Agim Gashi Mon Jun 01, 2009 5:00 pm

Po shihet një dritë në tunel! Urime dita e fitores më të madhe të kombit!
Drita e pritur me shekuj në fund të tunelit, simbolikisht pikërisht do të shihet nga anët e tij jug-veri të Shqipërisë. Dashtë zoti që kryeministrat t'i lavdërojë historia për punën e tyre në krijimin e perspektivave të kësaj kohe plot sfida të dhimbshme, por që historia do t'i përmendë për ngjarjen e saj ndër më të mëdhatë të kombit shqiptar, rrugën e bashkimit, kjo dihet, sepse shënohet sot dhe nuk do të fshihet kurrë nga kujtesa historike e popullit.
Fjalët më lart mbase do të duken sadopak ekzagjerime dhe të tilla janë nëse kuptohen si propagandë politike e jo si kremtim i një fitoreje që tejkalon çdo lloj varianti të "politikës ditore". Atyre që u ka penguar ndërtimi i arteries në zemërn e kombit, që mban gjallë kombin, le ta dinë se kjo vepër mbetet, kurse politikat e ditës harrohen, ndryshohen kushtetutat, proceset evoluojnë, le të evoluojnë edhe si thonë në "integrimet evropiane". Pse jo, por derisa Sllovenia pengon "integrimin" e Kroacisë për dy tri metra kufij të kontesuar midis këtyre dy shteteve, neve na këshillojnë që të mos "primitivohemi" me nacionalizëm dhe shtete nacionale, por t'i hapim kufijtë. Pa na pyetur kush, po i hapim kufijtë, se nuk është në dorën tonë, por të tjerët po i mbyllin, jo mbase, por vetëm për Kosovë që as në rend dite nuk është për "integrime" me BE-në e Maqedonisë, Malit Zi e sidomos Serbisë. Pse i pengoi Fondi Monetar Ndërkombëtar ndërtimi i arteries kombëtare, autostrata Durrës-Besionë? A ishte kjo pengesë çështje "materiale" (mungesë e parave), apo çështje "politike" kur dihet se ajo është agjenci e Kombeve të Bashkuara. Çka të them për Sali Berishën, që nuk ia vuri në vesh Kombeve të Bashkuara dhe socialistëve internacionalistë, "integruesve" me grekët dhe me BE?
Kosova që nga viti 1910 po mbahet në karantinin ndërkombëtar të aleancave lindore. Edhe sot është i vetmi vend që nuk i lejohet qarkullimi i mallrave, ideve dhe njerëzve me botën, kurse botës mbarë me ministrat e armatosur serbë, me mallrat serbe, u lejohet qarkullimi i lirë në Evropë dhe në Kosovë. Por është Shqipëria, më në fund, pas 100 vjetëve, që sot e theu derën e burgut Kosovë dhe e hapi me detin Durrës e Shëngjin, kështu që "kufijtë veriorë" "të malokëve" dhe "kosovarëve kokëtrashë" u thyen në shkallën e bashkimit kombëtar dhe pse të mos jem kaq subjektiv, simbolikisht këtë kufi (të dhunshëm) e thyen "malokët" e veriut, derisa qytetarët (aty-këtu progrekë aq sa janë) do të vazhdojnë lamentimet hrushoviane të korit të Politik-byrosë dhe lugetërve të tjerë antikombëtarë. Socialdemokracisë evropiane i them këtu: kot e keni që në burg e mbyllni Kosovën. Ata që na e kanë mbyllur derën - nuk kanë det, Kosova e ka derën e hapur në det, madje në dy dete, që veç shqip mund dhe dinë të flasin.
Teoricenëve të "integrimeve" dhe atyre të "bashkimit kombëtar" (në tavolinë dhe me teorema) u them le të vazhdojnë "punën" e "pajtimit kombëtar" për "bashkim kombëtar". Derisa të pajtohen për projektin e "bashkimit kombëtar" dhe "integrimeve evropiane" le të pajtohet hoxha me priftin, gega me toskën, komunisti me ballistin, "maloku" me "qytetarin" e shllagerve greke dhe derisa të pajtohen këta për bashkim kombëtar dhe integrime të tjera, populli shqiptar e theu kufirin që ishte mur ndarës, duke na ndarë me hoxhallarë e priftërinj, me gegë e me toskë, me "malokë" e shllagerista krejt çka u binte ndërmend okupatorëve 600-vjeçarë në përpjekjen e tyre për ta çbërë kombin shqiptar, duke e përçarë mes tyre dhe duke e "integruar' jo vetëm në lindje, por kah sytë këmbët.
Prej sot, qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mallrave, që bëhet në një gjuhë të cilën e kuptojnë edhe gegët, edhe toskët, edhe hoxhët edhe priftërinjtë, edhe integristët edhe nacionalistët, prej sot ata janë të bashkuar. Dhe mirë që nuk ua vënë veshin "orientimeve" në programet e djathtistëve dhe majtistëve, fetarëve dhe ateistëve, integristëve dhe klaustofobëve… mjaft priti populli t'ua zgjidhë çështjen "akademia" e sponsorizuar nga okupatorët. Populli jeton i bashkuar që nga sot, kur arteria kryesore që e mban zemrën në trupin e shqiptarit, prej sot fillon të funksionojë. Politika le të bëjë alkimi, populli e kuptoi se ecën andej nga ia kishin ndaluar me shekuj. Edhe pse ende nuk është arritur "pajtimi kombëtar" i gjaqeve dhe intelektualëve bashibuzukë, "bashkimi kombëtar" u arrit. Nuk di nga e çojnë të tjerët Shqipërinë, por shqiptarët ecin drejt vetvetes dhe janë Një dhe nuk bëhen kurrë më Dy!
Zogjtë, lulet, pemët, fëmijët, yjet lartë në buzëmbrëmje - të gjithë pëshpërisin: për dy orë në Durrës! E pimë një kafe e kthehemi nga Atdheu në Atdhe! 100 vjet burg, shqiptarët e thyen derën e Bastilës!
Urime dita e fitores më të madhe të kombit!


Teki Dervishi
Mediat kosovare jehonë të jashtëzakonshme inaugurimit të tunelit Thirrë-Kalimash
Tuneli u kry, Faleminderit Sali Berisha
"Kosova Ekspres"
Bjeshkët që ndanin Kosovën me Shqipërinë, më në fund u shembën. Pak minuta pas orës 12:00 së ditës së djeshme, është rrwzuar mali i fundit ndarws mes shqiptarwve, duke nisur kështu një histori të re për shqiptarët. Bashkimin e dy anëve të tunelit që lidh Thirrën e Fanit me Kalimashin e Kukësit dhe lidh Kosovën me Shqipërinë - përmes autostradës, e ka bërë kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ndërkohë që kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në anën tjetër. Të dy kryeministrat, të shoqëruar nga delegacionet e tyre, kanë shtrënguar duart dhe janë përqafuar brenda në tunel. Ata kanë uruar për këtë arritje të madhe, jo vetëm infrastrukturore. Kryeministri Sali Berisha tha se sot po përjetohet realizimi i njërës prej ëndrrave më të bukura të shqiptarëve. "Përjetuam shembjen jo të një muri, por të një mali. Përjetuam shembjen jo të një muri, por të pamundësisë. Sot, bashkë me kryeministrin e Kosovës inauguruam tunelin e Kalimashit, një nga kryeveprat në fushën e ndërtimit në Europë dhe më gjerë", tha Berisha. "Ky tunel, para së gjithash, është tuneli i bashkimit të kombit", u shpreh ai, i emocionuar. "Sot, vendosëm se nuk ka male, se nuk ka pengesa, se nuk ka asgjë që mund ta ndajë jo vetëm shpirtërisht, por as fizikisht këtë komb", tha kryeministri i Shqipërisë. Tuneli ka qenë i kushtueshëm, shtoi Berisha, por vlera e tij është shumë herë më e vogël se çmimi moral i tij dhe shërbimi që u bëhet njerëzve që do ta shfrytëzojnë këtë rrugë. Kryeministri shqiptar theksoi se, autostrada që do të lëshohet në funksion të plotë në fund të muajit qershor, ua afron brigjet detare të Shqipërisë shqiptarëve të Kosovës, por edhe vendeve të tjera të rajonit. Ai e ka mbyllur fjalimin e tij me zotimin se qeveria e tij "nuk do të lerë mal pa shembur, asgjë pa bërë, në mënyrë që shqiptarëve t'ua japë Shqipërinë në pëllëmbë të dorës". Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përgëzuar kryeministrin Sali Berisha për këtë punë që ai e quajti të mrekullueshme. "Tirana dhe Prishtina janë si kurrë ndonjëherë më parë pranë njëra-tjetrës dhe do të afrohemi edhe më tej. Tirana dhe Prishtina janë si kurrë ndonjëherë pranë njëra-tjetrës dhe kështu do të jemi përgjithmonë. Kemi qenë të ndarë me shekujt, por kurrë nuk kemi qenë larg njëri-tjetrit... Na ka ndarë historia, padrejtësia, na ndanin bjeshkët dhe malet. Sot, të gjitha këto pengesa janë zëvendësuar me punë, vullnet, ideal, vizion. Kjo është rruga e bashkimit", ka thënë kryeministri Thaçi. Thaçi kujtoi kohët kur ai dhe bashkëluftëtarët e tij është dashur ta bëjnë në këmbë dhe nëpër mot të keq rrugën e vështirë nëpër male. "Bashkërisht kemi thyer pushtues, e bashkërisht do të thyejmë çdo mal që do të na dalë përpara", u shpreh ai. Thaçi theksoi se kjo rrugë i jep shtytje zhvillimit të shumanshëm të dy vendeve. "Kjo është rruga e integrimeve kombëtare dhe euroatlantike, kjo është rruga e paqes dhe stabilitetit në rajon". Ai premtoi se "për një shumë të shkurtër", autostrada do të vazhdojë të ndërtohet edhe në pjesën e Kosovës. Sipas ekspertëve të ndryshëm, rruga e re Durrës-Prishtinë shkurton në mënyrë të ndjeshme edhe distancat e transportit në krahasim me rrugët ekzistuese dhe krijon kushtet, për një lëvizje me shpejtësi 80 deri 100 km/orë. Në 30 vitet e fundit, sfida më e madhe e infrastrukturës, Durrës-Kukës pritet të përfundojë një ditë para zgjedhjeve të përgjithshme elektorale, më 27 qershor. Parashihet që deri në këtë datë të shfrytëzohet vetëm njëra anë e rrugës pas hapjes së tunelit.
Kosova Express: Përurohet rruga e integrimit të shqiptarëve
Tuneli në Kalimash është përuruar dje nga kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi. Pa dyshim, kjo do të jetë ngjarja më e shënuar mediale për mbarë botën shqiptare. Hapja e këtij tuneli shënon fazën më të rëndësishme të autostradës Durrës-Kukës, të cilin kryeministri Berisha e ka quajtur edhe si tuneli i bashkimit të shqiptarëve. Peripecitë e udhëtimit të shqiptarëve marrin fund me hapjen e këtij tuneli për qarkullim të automjeteve. Ndërtimi i autostradës Durrës-Kukës sjell përfitime të mëdha, jo vetëm ekonomike, për të dyja vendet. Bashkëpunimi tregtar dhe kulturor do të ngrihet në nivele të larta si kurrë më parë. Autostrada Durrës-Kukës është edhe rruga e integrimit të shqiptarëve. Është rruga e prosperitetit dhe e thyerjes së mureve që i ndanin shqiptarët.
Përurimi përfundimtar i kësaj autostrade po pritet me interesim të veçantë dhe emocione të papërshkrueshme nga të gjithë shqiptarët. Nga Prishtina në Durrës, apo anasjelltas, mund të shkohet për jo më shumë se 3 orë.
Urime, dita e fitores më të madhe të kombit
Festa në Kalimash në autostradën nga Durrësi në Kosovë është transmetuar drejtpërdrejtë nga të gjitha televizionet kombëtare kosovare, në këto momente kur kudo në vend, në familje, sheshe, rrugë, klube është atmosferë festive, festohet afrimi i madh Kosovë-Shqipëri edhe përmes kësaj vepre madhore. Nëper familje dhe ambiente të tjera me ngritje në këmbë e duartrokitje është përshëndetur me gëzim të madh hapja e tunelit në Kalimash dhe takimi në vendin e bashkimit të dy anëve i kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe kryeministrit kosovar Hashim Thaçi. Gazetat që kanë dalë ditën e djeshme në Prishtinë i bëjnë jehonë të gjerë festës së përurimit të tunelit të Kalimashit në autostradën shqiptare Durrës-Kosovë. "Faleminderit Sali Berisha - Bjeshkët që ndanin Kosovën me Shqipërinë, shemben sot. Festa e bashkimit të shqiptarëve fillon në orën 12:00. Kryeministri Sali Berisha dhe kryeministri Hashim Thaçi takohen në tunel, aty ku nis historia e re për ne", shkruan në ballinë gazeta "Express". "Tuneli i bashkimit", është fitulli i editorialit të faqes së parë të gazetës "Kosova Sot". "Rruga Durrës-Kukës dhe fundi i emocioneve të trishta të ndarjes së shqiptarëve", është një nga titujt e gazetës "Koha Ditore". "Po shihet një dritë në tunel! Urime dita e fitores më të madhe të kombit!", është titulli i shkrimit po ashtu festiv në gazetën "Bota Sot".
Robert Aderholt: Projekti, dëshmi e një teknologjie befasuese
Madhështia e rrugës Durrës-Kukës kapërcen kufijtë e Shqipërisë, duke mahnitur përditë e më shumë jo vetëm zyrtarët më të lartë të vendit, të rajonit e të Europës, por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një tjetër kongresmen i SHBA, Robert Aderholt, ka vizituar kryeveprën e shqiptarëve, tunelin Rrëshen-Kalimash, duke vlerësuar lart këtë vepër, të cilën e konsideroi gjigante në përmasa dhe të rëndësishme për impaktin që do të ketë në ekonomi dhe në zhvillimin e vendit, ndërsa theksoi se Shqipëria në këto vite ka bërë ndryshime rrënjësore. Aderholt ka theksuar se edhe në Alabama po ndërmerret një projekt ndërtimi, por që nuk i afrohet aspak madhështisë së rrugës Durrës-Kukës. "Kjo është hera e tretë që vij në Shqipëri. Por sa herë që vij këtu, shoh progres, shoh modernizim. Teknologjia po ndryshon dhe kjo teknologji, nga çfarë kam parë unë, është befasuese. Edhe në Alabama ne po zbatojmë një projekt ndërtimi, por ky që po bëni ju është më i madh se ai që po ndërtojmë ne", është shprehur zyrtari i lartë amerikan përmes një prononcimi televiziv. Ndërkohë, kongresmeni amerikan Aderholt i ka cilësuar përmasat e këtij projekti si të jashtëzakonshme, ndërsa ka vënë në dukje ndryshimet pozitive që ka pësuar Shqipëria. "Shqipëria ka bërë një progres të jashtëzakonshëm, mbetem i suprizuar nga ndryshimi që pëson Shqipëria çdo ditë. Jam i mrekulluar nga pamja madhështore e kësaj vepre gjigante. Është vështirë të besosh që Shqipëria arriti në një kohë kaq të shkurtër të realizojë një projekt të tillë, një arritje e papërshkrueshme", u shpreh Aderholt.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Hapet zyrtarisht tuneli i bashkimit kombëtar Empty Re: Hapet zyrtarisht tuneli i bashkimit kombëtar

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi