Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

NASER ALIU - „LETER HOXHES“

Shko poshtë

NASER ALIU -  „LETER HOXHES“ Empty NASER ALIU - „LETER HOXHES“

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jul 09, 2015 2:14 pm

NASER ALIU -  „LETER HOXHES“ Leter-hoxhes

NASER ALIU -  „LETER HOXHES“ 20898_10204409781268704_5508620309067901609_n
NASER ALIU
 
„LETËR HOXH EFENDISË“
 
Hyje në odën e mbushur me tym dhe ngriheshin nga vendi së paku njëzet veta. Si zakonisht, vije i fundit; sigurisht të bënte përshtypje respekti kolektiv; ngritja e tyre e përbashkët dhe ulja joharmonike, njëri pas tjetrit, sipas pozitës sociale. Ata më të varfëritë uleshin të fundit. Ata edhe të shtronin më shumë pyetje, nga respekti. Ti, trupmadh, me zë të trashë, flisje me një ton imponues; herë ship, herë arabisht, por kurrë shqip.
Uleshe në krye të odës dhe rrëfeje me krenari të theksuar: “ në fshatin tim asnjë vajzë nuk është bërë shkinë!” në përkthim: asnjë vogëlushe shqiptare nuk mëson shkrim-lexim.
Njerëzit të dëgjonin të trishtuar nga frika se kjo epidemi e shkollës do t´i godiste edhe ata. Ti fole dhe nuk pushove dhe deri në fillim të viteve 70 mbajte gjendjen nën kontroll. Në fshatin tënd asnjë shqiptare në shkollë! Të gjitha analfabete. Kur ktheheshin burrat në shtëpi, ktheheshin të mbushur me urrejtje ndaj grave dhe bijave. T´i përligjje keqtrajtimin, abuzimin me lirinë dhe nga gruaja pate krijuar përbindëshin: duhet mbikëqyrë se nga natyra është e pasigurt. Duhet t´orientohet, riedukohet, sepse ka flokë të gjata dhe mendje të shkurtër, dhe se ajo, në përkthim, nëna jonë, edhe e jotja, kishte mashtruar edhe dreqin.
- “E kur mashtron dreqin, sa i duhet për ta mashtruar një burrë“!? bërtisje me zë të lartë. Dikush kruante kokën, tjetri dridhte mustaqet, tjetri tundte kokën...
Ti ishe institucioni i vetëm në fshat dhe për rreth, që fliste ship. Te ti vinin njerëzit me telashet e tyre: ti shkruaje hajmali kur ishin lopët të sëmura, kur sëmureshin kuajt, kur vuanin gomarët; kur sëmureshin njerëzit, kur burrat e gratë vuanin nga steriliteti, kryesisht gratë; kur dikush vuante nga skizofrenia, tjetri nga paranoja apo i treti nga trauma e depresione dhe ndërtove shtëpinë më të madhe në fshat.
Ti nuk ishe vetëm hoxhë, por edhe veterinar, gjinekolog, psikiatër, neurolog, androlog dhe kirurg. Kirurg sepse bëje synet edhe fëmijët, domethënë shkurtoje luca. Madje nuk pushoje me përsëritjet se nënat nuk duhet të lindin në spital, se pa spital kishin lindur të gjithë, edhe profetët...
Gratë lindnin në shtëpi, aty këtu vdisnin dhe ti thoshe se Zoti e mori, se këtë fat e kemi të gjithë.
Dhe, me çdo varrim, rritej edhe pasuria jote...
Gjithmonë frikësove burrat dhe gjithmonë u mundove që nëna të jetë e padijshme se kështu rriteshin edhe fëmijët. Sa më e madhe injoranca, aq më absolute vlera jote! Ti ishe ai që edukoi popullin jo me dashuri, por me konflikt brenda në familje dhe me hierarki ushtarake: sundues dhe të sunduar. Nënshtrues dhe të nënshtruar! Dhe, kurrë nuk i quaje familjen si familje, por si rob. U përpoqe me mish e shpirt të mbjellësh diskriminim brenda në familje dhe martesa si në pazar, pa fije dashurie.
“Gruaja donë kontroll ”, përsërisje madje rikujtoje knusin (gjelin) në ligjëratat tua, “shiko knusi si i komandon dhjetë pula, e ti çfarë burri je që nuk komandon një grua! Shkop donë ajo, disiplinë donë ajo. Rrahja ka dalë nga xheneti.”
Dhe, çdo ditë dëgjoheshin vajet, të grave, të nënave, të motrave dhe piskamat e fëmijëve.
Dhimbja fizike si mjet edukativ, nënshtrimi dhe thyerja e personit si edukatë e drejtë
propagandohej pre teje ditë e natë. Në fakt ishte dresim dhe, ti këtë ligjëroje pa pushim. Çdo javë. Çdo ditë!
 
Sot po e bën djali yt! Si ti! I forti, pra burri, ka të drejtë t´i rrahë gruan dhe fëmijët, djali madh kishte të drejtë t´i rrahë vëllezërit e motrat. Piskama e britma çdo ditë në lagje...Edhe sot...
Kur pa se vashat tona po shkonin në shkollë dhe ligjëratat tua po zvetënoheshin dërguat djalin në Arabi, ku u shkollua falas. Në fund të viteve të 70 para fshatarëve humbët respektin dhe autoriteti yt po vuante një rënie dramatike, atëherë u shpërngulët në qytet. Motivi: shërimin nga steriliteti nuk e bëje me hajmali, por fizikisht, me trup e shpirt dhe me pasion të madh sa ofshama u dëgjua në oborr. Fshati u gëzua kur ike. Ofshani i çliruar! Asnjë nuk u përshëndet me ty. Ike vet, ashtu edhe si kishe ardhur në fshat.
Djali mbaroi shkollën e mesme fetare dhe u kthye me titull besimtar profesional, me profesion Zotin dhe detyrat e tija. Si ti. Pune nuk kishte. Pas një viti ridërgove në fakultetin teologjik, ku përsëri studioi falas dhe u kthye me tru të shpëlarë.
Nuk e donë kombin e vet si është, por donë ta bëjë si i pëlqen atij dhe bindjeve të tija. Ka ndërmend ta ndryshojë edhe historinë, edhe gjuhën!
Edhe ky gati si ti, me një fjalor si ti, disa fjalë ship, ndonjë shqip dhe shumë arabisht e
turqisht...Nejse, djali u kthye dhe duhej një vend pune, shkurt e shqip duhej ndërtuar vendi i punës: një xhami.
Ti dole përsëri në skenë, tash në qytet. Iu drejtove pleqve që kishin bijtë e bijat jashtë shtetit: i frikove, i tmerrove nga vdekja dhe mblodhe nga një njëmijë euro për shtëpi, jo për të ndërtuar një shkollë, një kabinet, një laborator, por një xhami ku do te punësohej biri yt. Dhe ashtu u bë.
250.000 € u mblodhën dhe u ndërtua vendi i punës. Shumë njerëz punuan falas...Me ato mjete kanë mundur të financohen dhjetëra studentë të mjekësisë...
Biri yt shkon çdo te premte në xhami, pas tij pesë a gjashtë pleq, që mezi mbahen në këmbë dhe fiton pesëqind euro në muaj, pa llogaritur martesa, varrimet, mevludet. Ti, si edhe djali yt, fitoni para pse i besoni Zotit!!!! Unë i besoj Zotit falas!
Populli mbijetonte nga puna në perëndim dhe ti nuk pushoje duke folur kundër perëndimit.
Urreje kryqin, por kartëmonedhat zvicerane me kryq, të eksitonin e ngazëllenin!
Në ligjëratat tua gjysma e fjalëve ishin arabisht. Burrat të dëgjonin dhe tymosnin, herë të brengosur, herë të shqetësuar, herë në dilemë herë të kënaqur: “shyqyr Zotit nuk kuptuam gjë!”
Populli drejt perëndimit, ti drejt lindjes. Kurrë nuk u poqët as me ide nacionale, as me ato fetare.
Kudo në Ballkan klerikët ishin të lidhur me kombin, te ne jo! Ne drejt Evropës, ti drejt Azisë. Ne drejt Tiranës, ti drejt Beogradit. Ne djathtas, ti majtas. Ne majtas, ti djathtas.
Me kombin nuk ece së bashku, si te kombet tjera në Ballkan, as paralelisht në drejtime të ndryshme, por në drejtime krejtësisht të kundërta. Dhe kjo na kushtoi shumë. Gjithmonë në konflikt me kombin, që i predikon dhe nga i cili jeton, pa kuptuar se po predikon në një komb që ka një tjetër histori, një autobiografi shumë të pasur, pranë dy civilizimeve antike, greke dhe romake dhe me një tjetër ndërtim psikologjik. Dhe, me një kanun, që ndalon martesën në fis, në gjak dhe i cili rregullonte jetën e shqiptarit...
Në çaste më dramatike për kombin dole me konkluzione të reja: “ këtë që po bën NATO sot, nuk është asgjë e re, e ka bërë Turqia para disa shekujve dhe na ka shpëtuar nga Serbia.
Allahu ka dërguar NATO-n në Kosovë!”
Edhe pse në moshë të shtyrë, akoma po llapon. Edhe pse tanimë me sy të verbër, akoma po sheh prapësht...
Pse po ta shkruaj këtë letër? Për të dhënë një këshillë para se Zoti ta shtyp tastin enter dhe të nis download-in tënd. Kërkoi ndjesë fshatit tënd për prapambetje dhe mashtrimin. Ndoshta kështu i ndalet turri djalit tënd që po shkreton nëpër disa shtete në perëndim.


Kërko ndjesë si Vatikani! Bëhu burrë! Ja motivet:


gjyshet gati qind për qind analfabete, nënat me katër vjet shkollë ( kishte nisur rënia e ndikimit tënd) dhe me nuse me shkollë të mesme ( ti ike në qytet) tregojnë për humbjen kronologjike të ndikimit... ky shkallëzim i injorancës mban vulën dhe nënshkrimin tënd, prandaj merr guxim para vdekjes dhe përballohu me rezultatin që ke prodhuar dhe kërko ndjesë popullit.


Kërkoi të falur kombit shqiptar kështu:


“ Komb i dashur, më fal se me dashje apo pa të ndihmova armiqtë e shqiptarëve. Më falni se mbolla diskriminim në shtëpi: mes burrit dhe gruas, vëllait dhe motrës. Vjehrrës dhe nuses. Më falni se në vend të edukatës predikova dresimin! Lavdërova paditurinë dhe mallkova mençurinë.
Më fal o komb i dashur dhe lutu për mua! Më fal se nuk predikova në gjuhën që krijoi Zoti personalisht, në gjuhën shqipe, që e krijoi Zoti para se të krijonte shumë profetë !”
Dhe, ky komb, ka falur edhe shumë tragjedi tjera në histori dhe të falë edhe këtë gabim të madh, me rëndësi është djali yt të këndellet dhe nuk do ta quajë më Nënë Terezën shkinë e bijë shkine!...
Edhe një pyetje: për 500 vjet nuk nxore pesë hoxhallarë me të cilët mund të krenohet kombi shqiptar: shqiptari me fe myslimane, shqiptari me fe ortodokse, shqiptari me fe katolike, shqiptari me fe bektashiane dhe shqiptari që beson në etikë ( ateisti). Pse nuk prodhove së paku një hoxhë për 500 vjet i cili do të renditej në Tomor, krah për krah me Skënderbeun, Gjergj Fishtën e Nënë Terezën?
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi