Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Feti Zeneli: Rama kërkon pushtet me program opozitar

Shko poshtë

Feti Zeneli: Rama kërkon pushtet me program opozitar Empty Feti Zeneli: Rama kërkon pushtet me program opozitar

Mesazh nga Agim Gashi Wed Jun 24, 2009 9:43 pm

Rama kërkon pushtet me program opozitar

Nga Feti Zeneli

Partia Socialiste nuk ka qenë kurrë kaq e papërgatitur dhe e ç’organizuar sa në këtë fushatë elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit ’09. Madje, kjo nuk ka ndodhur as në zgjedhjet e ’97, kur fitoren e të majtëve e kishte paracaktuar “gryka e pushkës” dhe aleanca revolucionare me Komitetet e Shpëtimit Kombëtar. Këtë herë, si të mos mjaftonte dërgimi në “frontin” e fushatës zgjedhore të ushtarëve pa komandant, ata u “çarmatosën” edhe nga të gjitha armët e argumenteve të programit elektoral, që duhet të ketë domosdoshmërisht një kandidat për deputet i opozitës. Kështu që të zgjedhurit e PS-së u nisën në fushatë sipas kushtrimit partizan: “Në mos kini armë gjeni/ Ja rrëmbeni atij qeni…” Në këtë mënyrë, fjala nga “plumb që vret” u shndërrua në “armë që kundërvepron”. Kjo filloi që tek “arma” e sloganit: “Shqipëria po ndryshon”, të zgjedhur nga PD-ja, duke e ilegalizuar atë në mënyrë majtiste si: “Politika e re për ndrysh(k)im”. Kjo strategji u shndërrua kështu në “detyrë mbi detyrat” për çdo ligjërues të majtë publik, në sheshe apo studiot televizive. Besoj se të gjithë e keni vënë re, sidomos në përballjet televizive midis përfaqësuesve të dy forcave më të mëdha politike, ku ndërsa demokratët flasin me fakte jo vetëm për ato që janë bërë, po edhe për ato që do të bëhen në mandin e dytë qeverisës; të majtët, në pamundësi për të kënduar këngën “Çohu”, kontestojnë në mënyrë nervoze arritjet dhe argumentat e përmendura nga kundërshtarët e tyre. Unë nuk e di se si e kanë ngrysur ditën dhe se si e kanë gdhirë natën, pas kësaj, “kasketat” dhe “oturaksit” e majtë; apo si se u kanë bërë këmbët atyre të dalin të nesërmen në shesh e të shohin përballë në tribunë “udhëheqësin e partisë dhe bashkisë” të hidhet përpjetë duke bërtitur si i marrë, por gjithësesi ata “nuk kanë për ta bërë dysh fjalën e partisë”, ndonëse e dinë qysh nga koha e luftës se, “pa një program të qartë nuk ka kurrë fitore”. Por këta “të vendosur gjer në vdekje me komunizmin” janë duke firuar dita ditës, jo vetëm në numër por edhe në shkronja për të formuluar këshillat e duhura për të ardhmen e fëmijëve, nipave e mbesave të tyre. Sidoqoftë ajo është e ardhmja jonë e përbashkët, që në asnjë mënyrë nuk duhet ta lëmë peng të politikanëve tanë të rrjedhur e të pjerdhur nga sëmundja e klientelizmit banal dhe lejeve të ndërtimit pa karar.

Siç dihet, një program elektoral i argumentuar është arma kryesore e opozitës për të fituar zgjedhjet. Deri më sot nuk kemi parë as një program çfarëdo të opozitës majtiste, megjithëse Rama thotë se ka shkruar njëmijë faqe të tilla gjatë “dialogut me Shqipërinë”. Ai mund të ketë nxirë e sterrosur edhe më shumë faqe se kaq, po a i plotësojnë ato kushtet e një programi elektoral për një forcë politike që pretendon të vijë në pushtet, duke mundur një kundërshtar politik që ka arritur rezultate mbresëlënëse në 4 vitet e fundit të demokracisë shqiptare? E shumta, këto zhgarravina mund të shërbejnë për të bërë një libër me kujtime të hidhura pas 28 qershorit, po kurrsesi për të hartuar një program elektoral që të sjell në pushtet. Kjo është arsyeja që jo vetëm nëpër mitingje, por edhe në debatet televizive, përfaqësuesit e “politikës së re për ndrysh(k)im” bëjnë vetëm demagogji dhe përbaltin kundërshtarin me llojlloj shpifjesh e sajimesh të neveritshme. Ata në mënyrë krejt të paturpshme marrin guximin të bëhen “të mirë” edhe në rastet kur janë treguar ekstremisht të këqij, si për Rrugën “Durrës-Kukës”, çështjen e legalizimeve, liberalizimin e vizave e shumë çështje të tjera që janë zgjidhur përfundimisht ose janë vënë në rrugën e zgjidhjes falë kontributit politik dhe vlerave atdhetare të Partisë Demokratike. Është guxim i tepruar që të dalësh “lakuriq” në mejdanin e fushës elektorale, sot kur kundërshtarët e tu politikë, pas një qeverisjeje tepër të suksesshme, me mjaft rekorde ndërkombëtare, u servirin qytetarëve edhe një program elektoral ambicioz për të ardhmen, i cili përmban tregues e objektiva të tillë që i aspirojnë sot një pjesë e vendeve të Bashkimit Europian, anëtarësuar së fundmi në këtë organizëm. Më thoni një rast të vetëm premtimesh të këtij standardi nga Rama&co dhe unë do t’u jap të drejtë të më shani mbarë e mbrapsht. Vetëm ju lutem shumë, mos më përmendni premtimin e tij për shtimin e 2-3 ministrive e sidomos të “Ministrisë për Fshatin”, se kjo të çudit fare. Sepse kështu nuk mund të dëgjoj, jo më ta kapërdij “qeverisjen ndryshe” të tij.

Shqipëria ndodhet sot në një fazë të atillë zhvillimi dhe integrimi, e cila ka nevojë për një program qeverisës europian, në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Por kjo gjë nuk mund të arrihet duke shfrytëzuar as problematikën e “Dialogut me Shqipërinë” dhe as eksperiencën e dhënies së lejeve të ndërtimit me bashkinë. Gjithashtu një synim i tillë nuk arrihet as duke shtuar dhe as duke hequr ministri, sikundër nuk mund të arrihet duke premtuar se “shiritin e inaugurimit të rrugës “Durrës-Kukës” do ta presësh ti”, apo procesin e legalizimeve për “çeçenët” do ta përfundojë partia jote, e kështu me radhë. Ore zotëri, a ke ndonjë program ti për infrastukturën rrugore dhe pse nuk prononcohesh për Boshtin e Jugut që është kryevepra e këtij sektori të rëndësishëm të ekonomisë? A ke ndonjë program për energjetikën dhe cili do të jetë fati i investimeve të filluar në këtë sektor, nëse ti, “o marrëzi e madhështisë” vjen aksidentalisht në pushtet? A ke ndonjë program ti, “o i panjeri” për dyfishimin e nivelit aktual të rrogave dhe pensioneve të njerëzve dhe ç’do të ndodhë me këta të mjerët nëse ty të shkrep nesër në kokë t’u marrësh shpirtin gjithë shqiptarëve duke dyfishuar taksat në vend të të ardhurave? Po për arsimin, shëndetësinë, turizmin, bujqësinë, etj., a ke ndonjë program konkret zotrote, apo mjafton që të kundërshtosh si papagall ato që ka bërë Berisha dhe PD-ja në këtë drejtim? Po për integrimin e vendit është e kotë që të pyes, pasi sëra jote jo vetëm që nuk e ka qejf si çertifikatë ndërkombëtare, por as nuk ka pse t’i hapë punë vetes me zotime të tilla, që të presin “koromanen” e 20% të lejeve të ndërtimit apo të prokurimeve publike, po u bë kryeministër? Pastaj, ai ka edhe një vështirësi tjetër: të dalë “jolakuriq” në mejdanin e fushatës elektorale, pasi shumë arritje e punë që janë bërë deri tani, i ka kundërshtuar dhe s’mund t’i njohë si bazë për të ecur më përpara; ja ashtu siç ka kundërshtuar ligjin e dosjeve, rritjen e pagave dhe të pensioneve, koncensionet e ndryshme ekonomike, anëtarësimin në NATO të vendit tonë, aplikimin për statusin e vendit kandidat për në BE të Shqipërisë, ligjin e legalizimeve, ndërtimin e rrugës “Durrës-Kukës”, të “Rrugës së Arbrit”, të Boshtit të Jugut; gjithçka ka bërë e arritur qeveria “Berisha” në këto 4 vjet. Nga ana tjetër, shumë pak prej shqiptarëve janë komunistë dhe klientelistë të “nëntëdhjetenëntave”, pasi pjesa dërrmuese përbëhet nga demokratë, të persekutuar, ish-pronarë, të migruar, invalidë e të tjera kategori shoqërore për të cilët ty (Edvin) s’ta ndien fare. Kur s’ta ndien për familjen tënde, për të tjerët as pyet fare. Këta e dinë shumë mirë se ç’i pret nën pushtetin tënd; shpërfillja dhe përçmimi që janë cilësitë e tua më të njohura edhe në marrdhënie me të tytë. Në fillim një pjesë njerëzish të lëkundur shpresuan tek ty, por me kalimin e ditëve të panë më lakuriq se në plazhet publike të Francës, ja ashtu si një kalli i gjatë e pa kokërra, ndaj të kthyen kurrizin dhe tash s’të bëjnë derman as sondazhet e Top-it apo News-it tëndë, të cilat të nxjerrin bumbës të madh. Nuk mund të merret pushteti me program opozitar, o njeri. Ishte mundësia e fundit që t’u dha duke hyrë nga dera, për t’u treguar të paktën njëherë serioz në jetën tënde, por ti e përzure me shkelma duke e nxjerrë nga dritarja. Por posti politik, dhe aq më tepër posti i kryeministrit nuk është si brekët që mund t’i heqësh dhe t’i hedhësh pa keq rrugëve…
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi