Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Bardhyl Mahmuti: “Marrëveshjet” partiake - Thikë në kurriz të popullit!

Shko poshtë

Bardhyl Mahmuti: “Marrëveshjet” partiake - Thikë në kurriz të popullit! Empty Bardhyl Mahmuti: “Marrëveshjet” partiake - Thikë në kurriz të popullit!

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jul 02, 2009 12:23 am

Bardhyl Mahmuti: “Marrëveshjet” partiake - Thikë në kurriz të popullit! U1_BardhylMahmuti“Marrëveshjet” partiake - Thikë në kurriz të popullit!

Vdiq Marrëveshja! Rroftë Marrëveshja!

Nga Bardhyl Mahmuti

Në çdo luftë politike ka një luftë paraprake për të përcaktuar se cilat do të jenë modalitetet e luftës, kërkesat dhe mjetet që duhet të përdoren për realizimin e tyre. Në luftërat e popujve të robëruar, shtypësit synojnë t’u imponojnë robërve që robërinë ta konsiderojnë si liri apo në rastin më të keq si fatalitet, që në gjuhën popullore shprehet me sintagmën e njohur “e ka shkruar zoti!”

Robërimi shitet më lehtë si liri në rastet kur “përfaqësuesit legjitim” të popujve të shtypur bëhen argatë të shtypësve, të cilët për hir të privilegjeve individuale apo klanore tentojnë të fshehin realitetin e popullit të vet.

Çështja e “legjitimitetit dhe përgjegjësisë” të cilën BDI-ja përmes tellallit të vet A. Ademi tenton ta paraqes në prizmin e lartpërmendur do të jetë objekt i një shkrimi tjetër.

Sot po trajtoj dimensionin e dhunës së dyfishtë që mund të sintetizohet në thënien e mendimtarit të shek. XVIII , J.-M. Servan, se “një despot imbecil mund t’i detyrojë robërit e lidhur me zinxhirë të hekurt të bëjnë atë që i urdhëron. Por, kur të keni krijuar zinxhirin e ideve në kokën e qytetarëve, atëherë mund të mburreni se mund t’i çoni nga të doni”.

Në Konferencën e Bujanit, që u realizua nga udhëheqës të Luftës së dytë Botërore për këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor (2 janar 1944), 49 delegatë të përkatësive etnike shqiptare, serbe, malazeze (maqedonasit nuk ekzistonin si komb në atë kohë) dhe dy përfaqësues të bllokut antifashist (anglo-amerikan) bënë Marrëveshje që shqiptarët, të cilët kishin qenë objekt i dhunës nga Jugosllavia t’i bashkohen Shqipërisë.

Në vend të respektimit të bashkimit me Shqipërinë, që përbënte thelbin e Marrëveshjes së Bujanit, përfundimi i luftës u shoqërua me një dhunë të paparë: nën akuzat e „anti- komunizmit“ me mijëra shqiptarë u ekzekutuan pa gjyq në “Maqedoninë Socialiste”, “Serbinë Socialiste” dhe “Malin e Zi Socialist”.

Terrorit fizik ju shtua edhe terrori psikologjik, që konsistonte në paraqitjen e instalimit të komunizmit në trojet shqiptare dhe mosrespektimin e të drejtës për vetëvendosje: si « Çlirim » ! Me një fjalë: zinxhirëve fizik u përpoqën t’ua shtonin zinxhirët në kokën e ideve të shqiptarëve.

Argat kryesorë të përçimit të kësaj politike ndër shqiptarët do të jenë disa shqiptarë të „ndershëm“ që u integruan në strukturat shtetërore për të trumbetuar për gjysmëshekulli vëllazërim-bashkimin dhe „parajsën jugosllave“ të respektimit të drejtave kombëtarë.

Këta «shqiptarë të “ndershëm” dhe “integristë” do të jenë konstruktiv dhe të dobishëm dhe jo element destabilizues » në procesin e “pranimit” të robërisë komuniste si “ çlirim” dhe fshirjen nga historia zyrtare të Marrëveshjes së Bujanit.

Do të ketë «shqiptarë të “ndershëm” dhe “integristë” që do të jenë konstruktiv dhe të dobishëm dhe jo element destabilizues » edhe gjatë periudhës së shpërbërjes së Federatës jugosllave dhe krijimit të Maqedonisë si shtet i pavarur.
Roli “konstruktiv, i dobishëm dhe jo destabilizues” i shqiptarëve do të ketë efekte pozitive për njohjen e Maqedonisë si shtet nga institucionet ndërkombëtare. Kjo njohje forcoi pozitat e shtetit maqedonas për të vazhduar dhunën dhe diskriminimin ndaj shqiptarëve.
Nën akuzat e “ekstremizmit dhe nacionalizmit” shqiptarët do të vazhdojnë të vriten, të burgosen të keqtrajtohen dhe të diskriminohen në të gjitha fushat e jetës shoqërore, politike dhe ekonomike nga “Maqedonia demokratike”.

Dhunë dhe diskriminimi i shqiptarëve në Maqedoni do provokojë një revoltë të përgjithshme që do të shfrytëzohet nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare për të filluar luftën e armatosur.

Shpërthimi i luftës do të mobilizojë qarqet politike relevante në botë për të parandaluar shtrirjen dhe përmasat e kësaj luftë. Siç dihet, lufta do të përfundoj me Marrëveshjen e Ohrit.
Dihet fare mirë se mungesa e luftës nuk nënkupton paqen. Marrëveshja e Ohrit ndërpreu luftën por nuk instaloi paqen. Shqiptarët vazhduan të ndiqen, të burgosen, të keqtrajtohen, të vriten dhe të diskriminohen si më parë. E vetmja gjë që ka ndryshuar lidhet me formën e akuzave: tani duke qenë në modë lufta kundër terrorizmit, shqiptarët përjetojnë të njëjtin fat si më parë nën akuzën e “terrorizmit”.

Edhe pse kishim të bënim me një marrëveshje që garantohej nga shtyllat kryesore të skenës politike ndërkombëtare (SHBA-të dhe BE-ja), PDSH-ja që ishte pjesë e qeverisë pas përfundimit të luftës e as BDI-ja gjatë mandatit 2002-2006 nuk arritën të realizojnë implementimin e kësaj Marrëveshje.

Që nga nënshkrimi i saj e deri më sot Marrëveshjes së Ohrit i është kënduar tallkini disa herë.
Tani kur BDI-ja është përsëri në Qeveri, përmes tellallit të vet Abdilaqim Ademit, u rikujton shqiptarëve faktin se “kur PDSH-ja është në pushtet Marrëveshja e Ohrit funksionon, se Marrëveshja e Ohrit është e mirë...Ndërsa kur PDSH-ja është në opozitë Marrëveshja e Ohrit ka vdekur”. BDI-ja mendon se shqiptarët kanë harruar qëndrimet e saj kur ishte jashtë qeverisë.

Po i rikujtojmë BDI-së, që shtiret se ka harruar, se ishte forca e parë politike shqiptare që i futi thikën Marrëveshjes së Ohrit. Nga momenti kur Gruevski nuk morri BDI–në në koalicionin qeveritar, udhëheqësit e BDI-së shpallën Marrëveshjen e Ohrit të vdekur. Pas shumë muajsh bojkotimi të punimeve të Parlamentit të Maqedonisë nga ana e BDI-së, qarqet antishqiptare të Shkupit përgatitën arkivolin për Marrëveshjen e Ohrit. Marrëveshja gojore e arritur në maj të vitit 2007 në mes N. Gruevskit dhe A. Ahmetit i dha goditjen më të fuqishme të drejtave të shqiptarëve. Ulja e nivelit nga një marrëveshje me ndërmjetësim dhe garanci ndërkombëtarë në një marrëveshje gojore në prezencë të ndërkombëtarëve ishte degradimi i parë që i ishte bërë deri atëherë Marrëveshjes së Ohrit.

Loja me mjeshtri e VMRO-së për të shkatërruar Marrëveshjen e Ohrit dhe për të kthyer BDI-në në Parlamentin e Maqedonisë u mundua të shitet në opinion si diçka që “irritoi” PDSH-në.

PDSH-ja e Menduh Thaçit denoncoi të gjitha kompromiset partiake të BDI-së dhe premtoi angazhimin e vet për realizimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
Angazhimi konsekuent i PDSH-së në politikën antishqiptare të VMRO-së uli tej mase rejtingun e kësaj partie. Dhuna në Tanushë, vrasjet në Vaksincë, vrasja në Haraçinë, Vrasjet në Shkup, vrasjet në Odër, vrasjet në Malësi të Sharrit, burgosjet, maltretimet e shqiptarëve, plaçkitjet dhe reketimi i ekonomisë së vogël e të mesme bënë që PDSH-ja të humbë legjitimitetin e plotë të elektoratit shqiptar.
Me qëllim të ngritjes së rejtingut përmes krijimit të iluzionit se PDSH nuk pajtohet me degradimet që u bëhen të drejtave të shqiptarëve nga prosërbi Gruevski, siç u cilësua edhe nga vet PDSH-ja, PDSH-ja e Menduh Thaçit bëri se gjoja doli nga qeveria.

Loja e hyrje/daljeve të inskenuara nga partnerët strategjik përfundoi me Marrëveshjen e Marsit të vitit 2008 në mes Gruevskit dhe Thaçit. Përmes kësaj marrëveshje ndërpartiake dhe pa prezencën ndërkombëtare u realizua plotësisht atentati politik kundër Marrëveshjes së Ohrit.

Marrëveshjet partiake, qoftë ajo që u bë për të kthyer BDI-në në parlament, qoftë ajo që u bë në funksion të fushatës elektorale 2008 janë marrëveshje antishqiptare.
Si pasojë e këtij koordinimi interesash antishqiptarë, koalicionet e njëpasnjëshme qeveritare e sollën situatën politike në gjendjen e para luftës së vitit 2001. Nga Marrëveshja ndërkombëtare e Ohrit për realizimin e të drejtave të shqiptarëve arritëm në marrëveshje partiake për të biseduar për të drejtat e shqiptarëve. Kjo formë e papërgjegjësisë paraqet një thikë në kurriz të popullit.

Kanë mbetur pak ditë para kremtimit të 8 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. Partitë politike shqiptare, varet nga pozicioni aktual me pushtetin, përsërisin si papagaj refrenet monotone: Vdiq Marrëveshja e Ohrit! Rroftë Marrëveshja e Ohrit!

Ky koordinim i interesave antidemokratike dhe antishqiptare paraqet një aventurë të rrezikshme sepse sjell situatën e sigurisë në gjendjen e para luftës së vitit 2001.
As thënia e Ali Ahmetit se “Shqiptarët do të jenë konstruktiv, të dobishëm dhe jo element destabilizues” e as propozim marrëveshjet partiake të ekspertëve të M. Thaçit nuk mund të siguroj paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Të gjitha ata që angazhohen për parandalimin e konflikteve duhet ta dinë se asnjë politikë despotike e cilitdo imbecil qoftë dhe asnjë zinxhirë i hekurt nuk do të mund të lidhë përjetë aspiratën e shqiptarëve që të jetojnë të lirë dhe të barabartë në trojet e veta.

Sot kërkohet nga të gjitha forcat demokratike në botë e sidomos nga ato forca që ishin garantues të mbikëqyrjes së realizimit të plotë të kësaj marrëveshje që të ushtrojnë ndikimet e veta që Maqedonia të heq diskriminimin racial dhe të realizojë tërësisht këtë marrëveshje. Çdo zvarritje apo përpjekje për të zëvendësuar Marrëveshjen e Ohrit, si marrëveshje me karakter ndërkombëtarë, edhe me një marrëveshje të re partiake paraqet rrezik për paqen dhe sigurinë e tërë rajonit.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi