Mehmet Kraja-Krimet e komunizmit
Faqja 1 e 1
Mehmet Kraja-Krimet e komunizmit
Mehmet Kraja |
Para se të bëhet një rezolutë e Kuvendit të Kosovës për krimet e komunizmit, duhet bërë dosjen e viktimave. Rehabilitimi moral i këtyre viktimave nuk mund të bëhet pa ndëshkimin së paku moral të persekutorëve. Pajtimi kombëtar nuk është i mundur, duke mbajtur të fshehur krimin brenda
Nga Mehmet Kraja
Është e pritshme se në ditët vijuese, siç është bërë e ditur nga mediet, Kuvendi i Kosovës mund të miratojë një rezolutë për krimet e komunizmit në Kosovë, për të vetmin shkak se një gjë e tillë mund të jetë kërkuar nga Këshilli i Evropës. Me një rezolutë të tillë mendohet se kryhet një obligim formal, jo vetëm ndaj Këshillit të Evropës, por edhe ndaj viktimave të komunizmit, për të cilat në Kosovë ende nuk është bërë e njohur pothuajse asgjë. Ndryshe nga vendet e tjera të ish-kampit socialist, Kosova ka një ngatërresë të madhe në këtë pikë, e para, për shkak se antikomunizmi te ne ka qenë i përzier me nacionalizëm; dhe, e dyta, për shkak se viktimat e komunizmit në të njëjtën kohë kanë qenë edhe viktima ideologjike, por edhe viktima të represionit shtetëror antishqiptar. Përveç kësaj, te ne ende nuk ka filluar i ashtuquajturi proces i “lustrimit”, madje shumë njerëz nuk e dinë as kuptimin juridik të kësaj fjale (angl. “lustration”, që vjen nga latinishtja “purification”), në një kohë që shumica e shteteve ish-socialiste tashmë kanë bërë ligje të veçanta për pastërtinë e figurës së pjesëmarrësve në politikë dhe të bartësve të funksioneve publike. Por kjo është një mesele e gjatë dhe shumë e mjegullt për Kosovën, njësoj si puna e dosjeve.
Megjithatë, çështja me viktimat e komunizmit nuk paraqitet aq e ngatërruar, siç duket në pamje të parë. Së pari, ne nuk kemi probleme me rehabilitimin e tyre, siç kanë vendet e tjera, sepse ai rehabilitim publik tashmë ka ndodhur, në një mënyrë ose në një tjetër. Mirëpo, që individët që e kanë pësuar nga komunizmi të marrin statusin zyrtar të viktimave, kjo është çështje e shtetit dhe legjislacionit të tij. Një lehtësim në këtë pikë krijon fakti se shteti i Kosovës, i sapoformuar, nuk mban përgjegjësi për këto viktima dhe prej tij nuk mund të kërkohet kompensimi i tyre, nëse vetë shteti nuk e sheh si përgjegjësi morale një gjë të tillë.
Por, përpara se të hyjë në këtë ujë të trazuar, Kosova ka obligim të bëjë një gjë, të cilën nuk e ka bërë deri më sot: e para, të përcaktojë kriteret se kush mund të quhet te ne viktimë e komunizmit; dhe, e dyta, të hartojë një dosje të plotë dhe zyrtare të viktimave, që nga Lufta e Dytë Botërore e këndej. Sepse, Kuvendi i Kosovës, me një rezolutë të hartuar shkel e shko, nuk mund ta kalojë lumin pa u lagur, nëse atë rezolutë nuk e shoqëron me një dosje të plotë të krimeve dhe të viktimave. Dhe pikërisht këtu qëndron krejt problemi, sepse ne nuk dimë sa viktima kemi në Kosovë, kush janë ata njerëz dhe si e kanë pësuar. Historiografia jonë, në vend që të mbledhë dokumente e fakte, është marrë me “ndriçimin patriotik” të ngjarjeve. Ta zëmë, a dihet te ne sa viktima ka shkaktuar OZNA, menjëherë pas luftës? Nga një konflikt i hershëm ndërmjet Mahmut Bakallit dhe Spasoje Gjakoviqit, ish-shef i OZNA-s për Kosovë, dalin këto të dhëna: Mahmut Bakalli e pyet Spasoje Gajkoviqin se sa të vrarë ka pasur nga OZNA në Kosovë, 12.500, apo 13.500. Gjakoviqi e demanton këtë shifër dhe shkruan, sipas tij, shifrën e saktë: 1274, pa përmendur këtu masakrën e Tivarit. Ky është një kapitull i errët. Pa statusin zyrtar të viktimave të komunizmit kanë mbetur edhe pjesëtarët e NDSH-së, e vetmja lëvizje e vërtetë antikomuniste në Kosovë. Kapitull tjetër i errët është aksioni famëkeq i armëve. Sa janë vrarë dhe janë mërdhirë në atë dimër të ftohtë, e di kush këtë? Përveç kësaj, këtu është edhe një anë tjetër e medaljes, sepse miratimin për ta zhvilluar këtë aksion e kanë dhënë organet e Kosovës, me disa emra të përveçëm shqiptarë, të cilët duhet ndëshkuar së paku moralisht. Pastaj vijmë te viti 1968. Ngjarjet e atij viti kanë dëshmorin “anonim”, Murat Mehmetin, nxënësin e Shkollës Teknike të Prishtinës, i cili është mbuluar me një harresë të pashembullt. Pastaj viti 1981. Zyrtarisht, nga organet e Kosovës, është thënë se kanë qenë 9 të vdekur, kurse ministri i Brendshëm i Jugosllavisë së atëhershme, Stane Dollanci, thotë 11 të vdekur. Emrat e tyre kurrë nuk janë bërë publikë, madje janë ruajtur si sekret i madh shtetëror. Ky fakt ka ngritur dyshimet se numri i të vdekurve ka mundur të jetë shumë më i madh, ndër të tjera edhe për faktin se të plagosur rëndë ka pasur shumë, mbi 50, mbase 100, prej të cilëve dikush mund të ketë vdekur, dikush mund të ketë mbetur me pasoja të përjetshme. Midis të vrarëve, ka qenë edhe një fëmijë. E di kush, cili ka qenë ai, i cilës familje? I kësaj date, i vitit 1981, është edhe një shënim tjetër zyrtar: nga viti 1974, deri në vitin 1980, pra për gjithsej 6 vjet janë burgosur 616 persona, prej të cilëve 175 janë dënuar me shumë vite burgim. Më 1981 janë burgosur mbi 250 veta, penalisht janë ndjekur 43 persona. Nga mesi i viteve ’80, në shtypin e atëhershëm jugosllav ishte publikuar një fakt rrëqethës: rreth 470 mijë shqiptarë të Kosovës ishin trajtuar nga policia, në forma të ndryshme, që realisht i binte çdo i katërti banor i Kosovës. Në këtë trajtim policor, të pashembullt dhe të papërsëritshëm, ka pasur edhe tortura, vrasje në burgje dhe gjëra të këtilla. Më e rënda është, se pjesëmarrës në këto krime kanë qenë edhe një numër shqiptarësh. Sa? Nuk dihet. Kush? Nuk dihet.
Pastaj vjen fundi i viteve ’80, me një numër të madh personash të vrarë në ushtri (dosja e tyre, ndër të rrallat, e hartuar nga KMLDNJ-ja, duket të jetë e plotë) dhe gjatë protestave të ndryshme në Kosovën e asaj periudhe. Vetëm në ditën e miratimin e Kushtetutës së Serbisë nga Kuvendi i Kosovës, më 1989, janë vrarë 14 persona. Në ditët vijuese nuk dihet sa. A i kemi denoncuar ndonjëherë publikisht miratuesit e kësaj kushtetute dhe a i kemi quajtur përgjegjës të drejtpërdrejtë për këtë masakër? Jo, sepse ngjarjet vijuese kanë qenë aq të rënda për Kosovën, sa që viktimat dhe persekutorët i vendosen në të njëjtat radhë. Por kjo nuk është alibi që të mos dihen dhe të mos thuhen gjërat, sepse pajtimi kombëtar nuk mund të bëhet duke mbajtur të fshehur krimin brenda.
Pra, së pari dosja e krimeve, pastaj rezoluta.
(Autori është shkrimtar dhe kontribues i Gazetës Express)
G. Express - Dërgoi për ZSH: Ilir Dardani
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Re: Mehmet Kraja-Krimet e komunizmit
Mehmet Kraja: “Tartufi” i Vranjës
Mehmet Kraja |
“Tartufi” i Vranjës
Mbi mesazhet politike të shfaqjes “Tartufi” të Teatrit Kombëtar, mesazhe këto jashtëzakonisht kontroverse, madje fyese për auditorin, për komunitetin artistik, për ambientin kulturor të Kosovës, për të gjithë. Kjo shfaqje nuk do të duhej të kalonte pa një analizë të politikave tona kulturore në nivele shtetërore dhe të nxirrte si rrjedhojë përgjegjësitë për këtë skandal kulturor me konotacion politik.
Nga Mehmet Kraja
Lexuesit e komenteve që botohen në faqet e para të kësaj gazete, zakonisht presin t’u thuhet diçka për politikën, jo për teatrin. Por, le të kenë pak durim dhe kurajë, që të shohin se si bëhet politika te ne pikërisht përmes teatrit, kësaj radhe me shfaqjen “Tartufi” i Molierit, në regji të regjisorit rom nga Maqedonia, Rahim Burhan.
U tha në medie se shfaqja ka kushtuar rreth 42 mijë euro, që i bie me qenë njëra ndër shfaqjet më të shtrenjta të Teatrit Kombëtar të viteve të fundit. Financues të këtij projekti kanë qenë Ministria e Kulturës, Raifeisen Bank, Ambasada e Francës në Kosovë etj. Rezultati: njëra nga shfaqjet më idiote, të cilat ka mundur t’i shoh ndonjëherë publiku i Prishtinës, me mesazhe jashtëzakonisht kontroverse, madje fyese për auditorin, për Teatrin Kombëtar, për komunitetin artistik, për ambientin kulturor të Kosovës, për të gjithë. Bile, mund të thuhet pa ndonjë hamendje të madhe se mesazhi kryesor i shfaqjes është politik. Ja pse: në Tetarin Kombëtar të Prishtinës vjen “Tartufi” i Molierit i dizajnuar diçka si “Koshtana” e Boro Stankoviqit, me ambientin dhe atmosferën e Vranjës, ose të paralagjeve ciganeo-turko-sllavo të Shkupit, në një kohë që në skenë aktorët e flasin tekstin shqip, madje në një toskërishte ekstreme. Kjo është “çorba gjenetike” e Ballkanit, një bashkëjetesë me identitete të përziera (ose pa to fare), e cila ofrohet si model kulturor dhe, vetëkuptohet, edhe si model politik. Në situatën e Kosovës, kjo rrethanë politikisht sugjeron shtetin multietnik, ku, mbi të gjitha, duhet të dominojë “multikulturaliteti” i “gjakut të prishur”.
Mesazhi tjetër, që duket kulturor, por që përsëri është politik, është edhe sugjerimi i pa thënë shprehimisht, por i vetëkuptueshëm, se ju, këtu në Kosovë, në shtetin tuaj me gjak të përzier, gjak të papastër ose gjak të prishur, thojeni si të doni, nuk mund të bëni kulturë kombëtare, nuk mund të keni teatër kombëtar, dramë kombëtare dhe gjëra të këtilla, sepse ju vërtet keni një Ministri të Kulturës, por e keni të tillë që do të tregohet më dorëlirë për “Tartufin” e Vranjës, me regjisor rom, me skenograf turk dhe me kostumograf maqedonas, se sa për secilën dramë kombëtare që është vënë ndonjëherë në Tetarin Kombëtar të Prishtinës; sepse ju vërtet keni bërë një institucion që quhet Teatër Kombëtar, por ai tashmë ngjan me një OJQ “për mjeljen e dhive”; sepse ju keni aktorë të shkëlqyer, si Çun Lajçi e Bajrush Mjaku, por tallja me ata është lapidare, e pashembullt, njërit duke i veshur shallvare e duke i vënë në kokë herë një fes të zi e herë shubaren e Hamid Karzait të Afganistanit, kurse tjetrin duke e personifikuar me Tartufin që falet dhe numëron tespihet.
Mesazhi i tretë është më i ngatërruar dhe ka të bëjë me vetë “Tartufin”. Komedia klasike e Molierit stigmatizon hipokrizinë, por leximi i saj në skenën e Teatrit të Prishtinës merr konotacion largvajtës: hipokrizia këtu është historike dhe fetare njëkohësisht. (Në ndonjë festival të Katarit, ta zëmë, ku mund të synojë shfaqja, ky lexim skenik i “Tartufit” mbase mund të akceptohet ndryshe. Por a duhet që ne, me varfërinë tonë, shfaqjet e Teatrit Kombëtar t’ua përshtatim interesave dhe hireve të këtyre “mafive” teatrore?)
Natyrisht, duke dashur të përçojnë këtë mesazh politik, pra mesazhin e zhbërjes së entitetit si domosdoshmëri e trashëgimisë historike, kulturore, madje edhe gjenetike; pastaj mesazhin e aktualitetit politik si dhe të perspektivës së ardhshme të Kosovës, ideatorët e shfaqjes kanë bërë që projekti, në pikëpamje artistike, të dështojë nga fillimi e deri në fund. “Tartufi” i Molierit është vetëm sfond, është perde tymi. Aty nuk kuptohet asgjë se çfarë ndodhë. Në skenë flitet shqip, por një toskërishte e papërpunuar, që komunikon vështirë me audiencën kosovare. Copat e shkëputura nuk kanë një lidhshmëri dhe as rrëfimi dramaturgjik funksionon si duhet. Organizimi mizanskenik është qesharak. Aktrimi, i dhunuar nga regjia, është për të ardhur keq. Po kujt i bëhet vonë për këto? Me rëndësi janë shenjat që përçojnë mesazhet. Dhe mesazhet janë poshtërsisht politike. Ta zëmë, disa rekuizita të skenës, veçmas jorganët që përdorën me shumicë, nëse shpjegohen në kontekst të shfaqjes, përveç se plotësojnë orientalizmin e përgjithshëm të atmosferës, sugjerojnë “shtratin e mëkatit”, nga i cili do të lindin bastardët e kohëve të ardhshme. Natyrisht, unë nuk jam aq i marrë, sa të mos e di se çdo interpretim politik i artit sjell rreziqe të mëdha, përfshirë edhe mundësinë e spekulimit dhe keqkuptimit. Por unë nuk kam faj që regjisori me shumë insistim e ka tërhequr dramën e vërtetë të Molierit në prapavijë të shfaqjes, duke nxjerrë në plan të parë mesazhet politike, të tërthorta ose të drejtpërdrejta. Ai e ka sakrifikuar shfaqjen për këto mesazhe. Atij nuk i intereson “Tartufi” i Molierit; atij nuk i interesojnë karakteret që i masakron dhe as aktorët që i zhvlerëson, kështu që interpretimi politik i shfaqjes mbetet e vetmja alternativë. Shfaqja nuk të lë shteg për të menduar diçka tjetër. Pse ndodh kjo te ne dhe kush i prin gjithë kësaj? Kjo është pyetja më politike që mund të bëhet në këtë rast. Asaj që thash në fillim, duhet t’iu shtoj edhe gjë, për të dhënë një përgjigje të tërthortë në pyetjen që shtrova këtu: kjo shfaqje, e barasvlershme me një aksident tragjik (ta zëmë, të një avioni që rrëzohet afër pistës, për shkak se dikush nga aeroporti nuk i ndez dritat sinjalizuese), nuk do të duhej të kalonte pa një analizë të politikave tona kulturore në nivele shtetërore dhe të nxirrte si rrjedhojë logjike dhe të pritshme përgjegjësitë për këtë skandal kulturor me konotacion të qartë politik.
“Tartufi” i Tetarit tonë Kombëtar e kërkon pikërisht këtë epilog.
Por, unë e di se kjo nuk do të ndodhë...
Gazeta Express - Dërgoi për ZSH: Ilir Dardani
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Mehmet Kraja: Le të flasin viktimat
» Veseli: Kuvendi duhet të distancohet nga krimet e pas luftës dhe të komunizmit (Video ku hutohet)
» Krimet e komunizmit / Bilbil Klosi, gjykatësi komunist që dha shekuj burg dhe u mori jetën qindra antikomunistëve
» Shaban Peraj: Mbeturinat e komunizmit
» Aferdita Kraja Borici: Asgje.................
» Veseli: Kuvendi duhet të distancohet nga krimet e pas luftës dhe të komunizmit (Video ku hutohet)
» Krimet e komunizmit / Bilbil Klosi, gjykatësi komunist që dha shekuj burg dhe u mori jetën qindra antikomunistëve
» Shaban Peraj: Mbeturinat e komunizmit
» Aferdita Kraja Borici: Asgje.................
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi