Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Halil Haxhosaj: Koha e hapësira në roman

Shko poshtë

Halil Haxhosaj: Koha e hapësira në roman Empty Halil Haxhosaj: Koha e hapësira në roman

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jul 04, 2009 1:52 am

Halil Haxhosaj: Koha e hapësira në roman U1_HalilHaxhosajKOHA E HAPËSIRA NË ROMAN

Nga Halil Haxhosaj

Udha e kërkimit të shenjës si element në një krijim letrar, e sidomos në prozë, nuk mund të jetë e ndarë nga koha e hapësira si koncept i rregullimit të domethënies dhe atributit të shprehjes artistike. Ky përcaktim i shenjëzimit të këtillë, sidomos në prozë, kurorëzohet edhe me binomin e shtresimit të hapësirës, gjegjësisht të përcaktuesit të vendndodhjes së ngjarjes dhe zhvillimit të saj si konceptim i realizimit letrar. Ky shtresim në formë simbioze hetohet që në titullin e veprës roman dokument “Iliana, jeta jonë mbaron te tanket“, botuar nga Shtëpia Botuese “Lumo Skëndo”, Tiranë, 2004, përkthyer nga Dhimitër Çami, të shkrimtarit të njohur bashkëkohor grek, Dino Kubati, i cili është i njohur për veprat e tij me vlera të pakontestueshme në prozë, poezi e sidomos në dramë.

Koha si shenjë reale dhe letrare

Esenca e shtrimit të ngjarjes nga narratori në vijën e strukturimit të romanit dokument “Iliana, jeta jonë mbaron te tanket“ bëhet sipas parimit të shenjëzimit të një kohe dhe hapësire që janë të strukturuara në domenin e historisë më të re të shtetit të Greqisë në kohën e sundimit satrap e diktatorial të juntës ushtarake në gjysmën e dytë të shekullit të XX, gjegjësisht në vitet e ’70-ta të tij. Udha e kaluar nëpër këtë hallkë historike të Greqisë kapërdihet nëpër diskursin letrar, duke u përballur me objektivin e këtyre ngjarjeve të rënduara me bagazhin e tragjedisë reale të kohës e hapësirës së shenjëzuar. Njohja e përgjithshme mbi domenin letrar i nënshtrohet rrëfimit në të gjitha variantet. Rrëfimi në variante, bëhet pa u shkëputur nga rrjeti i shenjëzimeve kohë historike dhe hapësirë reale. Dihet se teksti letrar i këtij romani përbëhet nga shenjat, të cilat përherë duken të pakontestueshme. Kjo për shkrimtarin Dino Kubati bëhet edhe përcaktim i përgjithshëm i frymës apo mënyrës semantike të shtruarjes së tekstit në roman në rrafshi e shenjave letrare. Andaj, duke qenë teksti i pakontestueshëm në gërshetim të shenjave historike e reale, si fenomene letrare, më shumë hulumtohen e shihen në komunikim të vazhdueshëm me organizimin e të rinjve përparimtarë grekë për ta luftuar juntën ushtarake në vitin 1973 në shkollën e Politeknikes në Athinë. Nga kjo diabollë shtresore e kohore e vendndodhjes, kryesisht, harkohen ngjarjet, sidomos ajo kryesorja, e romanit dokument “Iliana, jeta jonë mbaron te tanket“ të Dino Kubatit, andaj shihet si formë e strukturë autonome, me mundësi të komunikimit edhe me hallkat e tjera të figuracionit letrar dhe formave të shfaqura paksa më ndryshme. Kjo gjë, në këtë roman të shkrimtarit Kubati, e pasqyron edhe domenin e letërsisë, pra diskursin universal. Ky është proces riciklor që vazhdon pastaj me personazhet për t’u bërë dëshirë për komunikim, ku ky komunikim shpërfaqet me dhimbje për dy personazhet kryesorë të romanit, por edhe personazhet e tjerë, duke e ngritur artin e dijen në dëshirën për përjetim.
Të gjitha këto, por edhe të tjera, dalin nga domeni i tekstit letrar të romanit, që për shkrimtarin bëhet udhë artistike, bashkë me shenjën historike, e kërkimit dhe hulumtimit tjetër nga realiteti i gjendjes dhe jetës reale të shenjës kohë në Greqinë e atëhershme. Të gjitha hallkat e interpretimit, shenjave dhe domenit letrar, si dhe të mënyrës së rrëfimit të narratorit, bëhen në vetën e parë, në dialog me Ilianën e vetës së dytë e të tretë, çka e intimizon edhe më shumë faktorin kohë-hapësirë. Forma e shtrimit të materialit letrar në mënyrë semantike, shkrimtarit Kubati ia shton mundësinë për të zhvilluar edhe ndjenjën e narratorit, (shenjës personazh) me Ilianën figurën e personazhit tjetër kryesor të romanit, që ngjizet në formën e konceptimit filozofik e meditativ të qëndrimit rrëfyes.

Strukturimi dhe sistemimi i personazheve

Sistemi i strukturimit të ngjarjes te romani dokument i Dino Kubatit “Iliana, jeta jonë mbaron te tanket” bëhet nga pjesët e brendshme të zhvillimit estetik e letrar. Ky zhvillim nuk është i ngurtë, as i shtresuar dhunshëm, por rrjedh gjithnjë nëpër tekstin i cili nuk shemb kohë as hapësirë. Pra, duke mos i thyer kufijtë e kësaj skeme janë të kapshme dhe të lehta edhe variantet e konsumimit dhe interpretimit. Zgjidhja këtu nënkupton tragjiken që ndodh për interpretim e lexim ku tematika e romanit dokument preket si fenomen i një kohe që nga antika e lashtësia greke e deri në shekullin e XX kur ndodhin tragjeditë dhe masakrat e juntës ushtarake.
Duke u ndalur tek pamjet tragjike dhe masakra e tankut dhe zinxhirëve të tij, duket sheshit se hapën rrugët e përjetimit dhe interpretimit në nivel analizimi si motiv për t’i parë variantet e nënvariantet brenda semantikës së shkrimit letrar: /S’deshëm të bëheshim heronj, deshëm vetëm t’i hapnim, rishtazi rrugën për të ecur njeriut që mendon lirshëm, njeriut që ka të drejtën të jetojë i lirë”/. Të themi kushtimisht se, arti, kultura dhe filozofia në rrafsh të interpretimit bëhen zhvendosje në pikat kyçe të qëllimit. Mbi këtë stad qëndron ideali i lartë i letërsisë, i cili ka pikënisje fjalën e thënë dhe diskursin e saj të shenjtë. Këtu fjala merr konotacion biblik sepse ajo tash bëhet e para dhe nuk rrëshqet nga forca e as nga keqpërdorimi i saj. Mbi këtë parim ndërtohet hallka tjetër e rrjedhës së romanit dokument “Iliana, jeta jonë mbaron te tanket” të shkrimtarit Dino Kubati. Mbi idealin, etjen për liri dhe natyrshmërinë e komunikimit të tekstit letrar, të pamjeve të ndryshme të tragjikes dhe masakrës, sintetizimi gjithnjë do të thellohet, për t’u vështruar krejt sakrifica e veprimit, gjendjes, kuptimit, sjelljes dhe mënyrës së qëndrueshmërisë të personazheve të romanit. Mënyra e trajtimit të personazheve në roman duket edhe i motivuar edhe i pamotivuar, sepse ata si nocione e figura të diskursit letrar nuk janë të shumtë. Emri qendror i romanit është Iliana, e cila bartë mbi vete të gjitha fazat, hallkat, madje edhe format e tjera të diskursit letrar, figurativ, por edhe real e artistik në romanin dokument. Kjo formë, pa dyshim, lejon pranimin e emërtimit të motivueshëm, lejon figuracionin, gjë që del nga terreni i meditimit dhe veprimit fizik. Pakësimi i emrave të personazheve, i argumentuar me gjuhën e strukturës së shenjave, nënkupton hyrjen në rrafshin e paraqitjes së kohës dhe hapësirës historike në roman. Kjo do të reflektohet edhe në interpretimin e veprës, duke u bërë ndërdije e thellë, karshi domethënies së tekstit letrar. Duke qenë e cilësuar ndërdija mbi tekstin, së pari si lëndë gjuhësore, e cila kur kalon në tekstin letrar, ajo bëhet gjuhë arti e figure, gjuhë e fenomenit të motivuar, e të tjera.
Edhe tanku është figurë, e cila ka një funksion domeni në roman. Edhe pse nuk ka rol të personazhit njeri, nëse mund të quhet kështu, tanku është element dominues në roman, sepse jeta e personazheve kryesorë mbaron te ai. Kjo formë shihet që në fillim, pra që në titullin e romanit dhe nuk shket nga mendja e lexuesit, tani receptuesit, asnjëherë gjatë leximit dhe përjetimit të lëndës së romanit. Duke e pasur parasysh këtë, ajo hapet para një bote të tmerrshme, në të cilën shkrihen të gjithë zërat e arsyes, për t’u ndërtuar përjetimi dhe figura e madhe shpirtërore. Figura e tankut e ngritur në nivel personazhi lëvron anën tjetër të tmerrit, frikës, gjendjes dhe kohë hapësirës. Ajo rrëshqet nëpër hapësirën e Athinës edhe realisht, edhe figurativisht, por edhe si nëntekst e ndërdije. Në këtë trinom hapet sfondi i sakrificës, që ndërthuret me figuracion dhe rrëfim. Duke e shfaqur haptas qëndresën e të rinjve të Politeknikes, autori Dino Kubati, pendën e vet e shtrinë në raportin paksa lirik e intim të rrënimtarit narrator dhe figurës së Ilianës si femër reale. Disa dromca të paraqitura këtu rrëshqasin nëpër ndonjë hallkë dashurie, e cila mëveshët me timbër sa erotik, aq edhe revolucionar e luftarak. Humbja e Ilianës nga i dashuri i saj edhe si dashnor, edhe si bashkëluftëtar, edhe si ideolog e luftëtar kundër juntës për liri e demokraci të Greqisë, bashkëdyzohet dhe vepron mirë në shtrirjen e kohës dhe hapësirës si strukturë dhe sistemim i personazheve.

Dhe krejt në fund

Duke lexuar romanin dokument “Iliana, jeta jonë mbaron te tanket”, të shkrimtarit Dino Kubati, do të hasim në shumë pamje, elemente, e pse jo edhe situata që përkojnë ngjashëm edhe me sekuenca reale të luftës së fundit çlirimtare të zhvilluar nga UÇK-ja në Kosovë. Mbase, kjo vepër ka bërë një unikat të të gjitha luftërave çlirimtare të popujve të Ballkanit, qofshin ato për çlirim kundër okupatorëve shekullorë, qofshin lufta për çlirim kundër sistemeve të egra dhe shfarosëse diktatoriale.
Të gjithë luftëtarët, pjesëmarrësit dhe përkrahësit e tjerë të tyre nuk kanë për qëllim që të mbarojnë te tanket, të llogoret, varrezat e hapura kolektive e shfarosëse, por qëllimi i tyre është madhor, idealizues dhe përjetësues. Sikurse Iliana luftëtare, udhëheqëse e stratege ka tek të gjithë popujt e Ballkanit që shndrisin në luftërat e tyre. Tek në shqiptarët janë të njohura Nora e Kelmendit, Shote Galica, besa edhe Xheva Lladrovci e shumë e shumë të tjera. Edhe Iliana ka elemente të përbashkëta me të gjitha këto luftëtare. Edhe ajo sakrifikohet për lirinë, jo vetëm të saj, por të nëntë milionë grekëve. Edhe Iliana mbetet e vetmuar, pra vetëm me bashkëluftëtarët e saj, pa ndihmën e nëntë milionëve të tjerë grekë. Edhe ajo do të përkujtohet në vendin e çdo përvjetori të rënies së saj. Do të bëhen homazhe, do të mbahen fjalime, do të vihen kurora mbi varrin a saj dhe të gjithë të rënëve të tjerë, prej atyre që nuk donin të bashkoheshin me të kur ishte koha dhe kur duhej. Të gjitha këto elemente të përbashkëta, shkrimtari Kubati i shpërfaq në veprën e tij roman dokument me diskursin letrar të polisemisë së zakonshme dhe jo konvencionale. Ky diskurs ka të përbashkët shtrirjen dhe hapësirën Ballkanike e cila frymon njëjtësueshëm pa asnjë dallim tjetër. Nga një perceptim i këtillë zhvendoset vendndodhja nga njëri skaj te skaji tjetër i Gadishullit Ballkanik, nga njëri shtet tek tjetri shtet i Ballkanit.
Argumentimet e njëjtësimeve të këtilla bëhen formula tipike të kohës dhe hapësirës identike edhe në strukturimin e romanit dokument “Iliana, jeta jonë mbaron te tanket” të Dino Kubatit. Kjo vepër unazë e një vendndodhje dhe hapësire reale është kreatore e domethënies së luftërave për liri, pavarësi, por edhe kundër të gjitha padrejtësive dhe dhunës që është shtrirë me shekuj. Kjo, sipas Gëtes, përjetohet edhe më mirë nga lexuesi kur e viziton vendlindjen e shkrimtarit, sepse atëherë më mirë njihet jo vetëm vepra, por edhe vendlindja dhe vendndodhja e tij.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi