Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Zgjedhje eksituese

Shko poshtë

Zgjedhje eksituese Empty Zgjedhje eksituese

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jul 04, 2009 12:23 pm

Zgjedhje eksituese

Anila Basha

Katër ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, pra hedhjes së votës brenda kutive të votimit, asnjë shqiptar nuk e ka të qartë
se kush i ka fituar ato: Sali Berisha, apo Edi Rama?
Nga pikëpamja e dy forcave politike, PD e PS, zgjedhjet për sa i përket mandateve në Parlament, i ka fituar Sali Berisha. Sa i përket votës popullore të shqiptarëve, i ka fituar Edi Rama. Presidenti thërret për të krijuar qeverinë, kryetarin e partisë që ka më shumë mandate në kuvend, dhe sigurisht, në rastin konkret, edhe pse mandatet janë të pacertifikuara nga KQZ, Presidenti në shtator do të thërrasë kryeministrin aktual Sali Berisha.
Por le të flasim për koalicionet: “Aleanca për ndryshim”, është e përfaqësuar sot që diskutohet, nga 70 mandate të sigurta. Ndërsa “Bashkimi për Ndryshim” ka fituar 66 mandate. Atëherë edhe në këtë logjikë, presidentit të Republikës i takon të thërrasë Berishën për të krijuar qeverinë. E nëse Meta, me koalicionin që drejton vet, do të bashkohet me Ramën (gjë që duket se ka pak gjasa të ndodhë për shkak të mungesës së kontrollit sot për sot tek deputetët e vet, apo lejimit me dashje të mungesës së kontrollit), atëherë 70 e 70 është një rezultat i barabartë. Por edhe në këtë rast, Presidenti Topi do të thërrasë Berishën për krijimin e qeverisë, sepse “Aleanca për Ndryshim”, ka numrin më të madh të mandateve. Nëse Berisha, për një, dy apo shumë arsye, nuk do të mund të krijojë dot qeverinë, atëherë presidenti do duhet të thërrasë Edi Ramën, i cili do të mandatohet për të krijuar qeverinë; e nëse Rama, nuk do të arrijë të krijojë qeverinë, automatikisht, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, nëpërmjet një qeverie teknike. Kjo logjikë, është për sa i përket fituesit dhe humbësit e këtyre zgjedhjeve.
Por çfarë ka ndodhur, apo çfarë po ndodh me emocionet?
Duhet të pranojmë, në historinë demokratike 19 vjeçare, përveç zgjedhjeve të para pluraliste në vend, ato të 31 marsit 1991, të cilat janë parë në atë kohë si një proces i ri, i panjohur më parë, këto kanë qenë zgjedhjet më eksituese në historinë e demokracisë shqiptare.
Si asnjëherë më parë, e majta dhe e djathta, në kampet përkatëse, u ndanë 70 me 70 mandate. Shqiptarët votuan për të dy kampet politike njësoj.
Si asnjëherë më parë, shqiptarët u mbërthyen në ekranet e televizioneve për të kuptuar skemën dhe sistemin elektoral spanjoll të zgjedhjeve, me formulën “De Hont”, ku, në ngatërresa dhe me makina llogaritëse përpara, çdokush, që kishte një kompjuter, ulej të shumëzonte herësin me numrin e mandateve, apo këto të fundit me kutitë e votimit, apo këto kuti me votat brenda tyre, apo pjesëtonin deputetët me Ramën e Berishën....pra një mish mash, që pak vetë e kuptuan.
Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, socialistët apo demokratët, apo edhe LSI, brenda pesë minutave e fitonin një deputet, dhe po ashtu, në pesë minutat e tjera e linin atë deputet me 0.04 për qind të votave....
Për herë të parë në historinë demokratike shqiptare një parti si ajo e çamëve, me 0.9 për qind të votave merrte dy deputetë në kuvend, dhe një parti si ajo e Dules, me 1.9 për qind të votave merrte vetëm 1 deputet.
Për herë të parë në historinë e këtyre zgjedhjeve, një fletë votimi në të cilin qytetarja e kishte shprehur vullnetin e saj brenda kutisë tek numri përkatës, por që për ta dashuruar më tej e kishte puthur nga pas me të kuq buzësh, shpallej e pavlefshme sepse ishte bërë me njollë! A thua se në kod është shënuar që buzët, duart e këmbët, duhet të lahen para se të hyjnë në kutinë e fshehtë. Lind pyetja: po një xhenerik makinash, që i ka duart me graso se vjen direkt nga puna, nëse lë një shenjë në fletën e votimit, a do të konsiderohet e vlefshme, apo e pavlefshme?
E kështu, për herë të parë në historinë e demokracisë shqiptare, kemi parë se kanë mbetur jashtë parlamentit Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Neritan Ceka, Arjan Starova, Fatos Nano, Dashamir Shehi, Nard Ndoka....Dhe ne nuk e dimë sot, pesë ditë pas zgjedhjeve nëse këta njerëz do të jenë në politikë, apo do të harrojnë këtë fjalë që sot e tutje.
Për pesë ditë me radhë e në vazhdim, ne do të vazhdojmë të diskutojmë zgjedhjet. E po ashtu çdo shqiptar do të rreket të kuptojë se kush ka fituar apo kush ka humbur. Sigurisht sot që flasim ka fituar për të qeverisur Sali Berisha. Por nesër me mandatet e KQZ apo kolegjit zgjedhor, nuk e dimë...nuk jemi të qartë. Por, si mund të qeverisë një mazhorancë me 71 vota, qoftë kjo e Berishës apo Edi Ramës? Të urojmë dhe shpresojmë, që të mos kemi fatin e italianëve, ku qeveritë gdhiheshin sot, por nuk ngryseshin të nesërmen.


Gazeta shqiptare
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi